ATV

Author: K.B.

  • 44 aksidente për 24 orë në Kosovë, dy prej tyre me fatalitet

    44 aksidente për 24 orë në Kosovë, dy prej tyre me fatalitet

    44 aksidente kanë ndodhur në 24 orët e fundit në vendin tonë, ku dy prej tyre kanë përfunduar me fatalitet, 21 me të lënduar dhe 21 të tjerë me dëme materiale.

    Sipas statistikave të përgjithashme të policisë, gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar gjithsej 1 mijë e 502 gjoba trafiku.

    Gjithashtu, në 24 orëshin e fundit janë arrestuar 17 persona, 13 janë dërguar në mbajtje dhe dy në vuajtje të dënimit.

  • Doli për të marrë ajër të pastër, detaje për vdekjen tragjike të policit në pikën kufitare të Morinës

    Doli për të marrë ajër të pastër, detaje për vdekjen tragjike të policit në pikën kufitare të Morinës

    Rexhep Zenel Gashi, pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka humbur jetën tragjikisht si pasojë e një aksidenti trafiku në vendin e tij të punës.

    Lajmi është bërë i ditur nga familjarët përmes një postimi në rrjetet sociale, ku kanë ndarë edhe detaje mbi rrethanat e ngjarjes.

    Sipas tyre, aksidenti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Pikën Kufitare në Morinë. Bazuar në informacionet e para, Gashi kishte dalë për të marrë ajër të pastër, kur u godit nga një veturë.

    “Me pikëllim të thellë ju njoftoj se sot, në orët e para të mëngjesit, në vendin e punës, në Pikën Kufitare në Morinë, si pasojë e një aksidenti tragjik trafiku, ndërroi jetë kushëriri im, Rexhep Zenel Gashi, pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas informatave të para, ai kishte dalë për të marrë ajër të pastër kur u godit nga një veturë. Për kohën e ceremonisë së varrimit do t’ju njoftojmë me kohë”, thuhet në njoftimin e familjarëve.

    Për rrethanat e aksidentit pritet të ketë më shumë detaje nga autoritetet kompetente, ndërsa familjarët kanë bërë të ditur se për ceremoninë e varrimit do të njoftojnë në vijim.

  • Çmimet e naftës rriten për shkak të vazhdimit të përplasjeve ShBA-Iran

    Çmimet e naftës rriten për shkak të vazhdimit të përplasjeve ShBA-Iran

    Çmimet e naftës shënuan një rritje të lehtë të dielën, teksa përplasjet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit hynë në ditën e katërt radhazi.

    Situata mbetet e tensionuar, ndërsa Irani vazhdon të këmbëngulë për kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit.

    Nafta Brent, standardi ndërkombëtar, u rrit me 0.9%, duke arritur në 72.20 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane (WTI) u rrit me 1.3%, në 70.09 dollarë për fuçi.

    Të premten, çmimet kishin rënë në nivelet më të ulëta që nga fillimi i konfliktit, me Brent që mbylli tregtimin rreth 72 dollarëve dhe WTI rreth 69 dollarëve për fuçi.

    Gjatë javës së kaluar, çmimet e naftës ranë për shkak të shpresave se armëpushimi 60-ditor do të rikthente qarkullimin normal të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit, rrugë nga e cila kalon rreth 20 për qind e furnizimit botëror me naftë, shkruan CNN.

    Pas marrëveshjes së 17 qershorit, trafiku i cisternave u rrit, ndërsa SHBA-ja dhe Irani deklaruan se ngushtica do të rihapej pa tarifa.

    Megjithatë, kjo tendencë u ngadalësua pasi Irani goditi një anije në ngushticë të enjten. Si pasojë, edhe Kombet e Bashkuara pezulluan planet për evakuimin e detarëve dhe anijeve të bllokuara në zonë.

    Që nga ajo kohë, forcat amerikane dhe ato iraniane kanë shkëmbyer sulme, duke bërë që disa anije cisternë të zgjedhin një itinerar alternativ pranë brigjeve të Omanit për të shmangur rrezikun.

    Ekspertët paralajmërojnë se ulja e çmimeve të naftës nuk varet vetëm nga rikthimi i qarkullimit tregtar. Infrastruktura energjetike e dëmtuar duhet të riparohet dhe mund të duhen muaj që transporti i naftës përmes Ngushticës së Hormuzit të rikthehet plotësisht në normalitet.

    Sipas tyre, çmimet mund të mos rikthehen në nivelet e para luftës deri gjatë vitit 2026.

    Megjithatë, çmimet aktuale mbeten dukshëm më të ulëta se kulmi i arritur në prill, kur një fuçi naftë kushtonte rreth 126 dollarë.

    Kjo ka ndikuar në uljen e kostove për konsumatorët amerikanë, ku çmimi mesatar i një galoni karburant ra në 3.87 dollarë, rreth 13 për qind më pak krahasuar me një muaj më parë.

    Ndërkohë, kontratat futures në tregjet amerikane të aksioneve mbetën pothuajse të pandryshuara.

  • Orë dramatike në Venezuelë, mbi 46,000 njerëz ende të zhdukur

    Orë dramatike në Venezuelë, mbi 46,000 njerëz ende të zhdukur

    Venezuela vazhdon të përballet me pasojat shkatërruese të tërmeteve të fuqishme që goditën vendin të mërkurën e kaluar, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet në zonat më të prekura.

    Megjithëse mijëra persona janë lokalizuar ditët e fundit, ankthi mbetet i madh pasi dhjetëra mijëra të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Sipas të dhënave të një platforme të posaçme online për regjistrimin e personave të zhdukur, fati i 46,628 personave mbetet ende i panjohur.

    Platforma u mundëson qytetarëve të raportojnë emrat, të dhënat personale dhe vendndodhjen e fundit të njohur të të afërmve të tyre, duke ndihmuar autoritetet dhe ekipet e shpëtimit në koordinimin e kërkimeve në të gjithë vendin.

    Sipas përditësimit më të fundit, numri i të zhdukurve ka shënuar një ulje krahasuar me një ditë më parë. Të dielën (28 qershor), lista e personave të zhdukur kishte kaluar shifrën e 50 mijë. Deri tani, 15,097 persona që fillimisht ishin raportuar si të zhdukur janë gjetur.

    Në total, që nga momenti i goditjes së tërmeteve, rreth 61 mijë persona janë raportuar si të zhdukur, megjithëse autoritetet theksojnë se numri po zvogëlohet gradualisht falë identifikimeve dhe përparimit të operacioneve të kërkim-shpëtimit. Ekipet e emergjencës vijojnë punën mes rrënojave, ndërsa familjet presin me shpresë lajme për të afërmit e tyre.

  • Vdes polici i Kosovës, dyshohet se u godit nga vetura në pikën kufitare të Morinës

    Vdes polici i Kosovës, dyshohet se u godit nga vetura në pikën kufitare të Morinës

    Ka humbur jetën Rexhep Zenel Gashi, pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si pasojë e një aksidenti trafiku.

    Lajmi është bërë i ditur nga familjarët përmes një postimi në Facebook.

    Sipas njoftimit, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në vendin e punës, në Pikën Kufitare në Morinë, ku i ndjeri kishte dalë për të marrë ajër të pastër e më pas është goditur nga një veturë.

    “Me pikëllim të thellë ju njoftoj se sot, në orët e para të mëngjesit, në vendin e punës, në Pikën Kufitare në Morinë, si pasojë e një aksidenti tragjik trafiku, ndërroi jetë kushëriri im, Rexhep Zenel Gashi, pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas informatave të para, ai kishte dalë për të marrë ajër të pastër kur u godit nga një veturë. Për kohën e ceremonisë së varrimit do t’ju njoftojmë me kohë”, thuhet në njoftimin e familjarëve.

  • Zjarret nga rryma, shumica e rasteve në Kosovë lidhen me instalimet elektrike të pasigurta dhe kyçjet ilegale

    Zjarret nga rryma, shumica e rasteve në Kosovë lidhen me instalimet elektrike të pasigurta dhe kyçjet ilegale

    Zjarret në ndërtesa kolektive, shtëpi dhe objekte biznesi po bëhen gjithnjë e më të shpeshta në Kosovë, ndërsa institucionet vlerësojnë se pjesa më e madhe e tyre shkaktohen nga instalimet elektrike të pasigurta, mbingarkesa e rrjetit dhe kyçjet ilegale të energjisë elektrike.

    Këto janë disa nga gjetjet e emisionit “Zjarret nga rryma”, i transmetuar në “KallxoPërnime”, ku janë prezantuar të dhëna nga zjarrfikësit, ekspertët e hetimit të zjarreve dhe përfaqësuesit e KEDS-it.

    Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, tha se gjatë viteve të fundit është shënuar rritje e zjarreve në ndërtesat kolektive.

    Ai theksoi se hetimet tregojnë se shumica e rasteve janë pasojë e pakujdesisë dhe ndërhyrjeve në instalimet elektrike.

    “Pjesa dërrmuese e zjarreve në banesat kolektive janë shkaktuar nga pakujdesia dhe intervenimet në rrjetin elektrik. Në disa raste kemi pasur mbingarkesë të orëve kolektive, përdorim të pajisjeve me konsum të lartë të energjisë dhe dëme të konsiderueshme materiale”, tha Fushtica.

    Të njëjtin shqetësim e ngriti edhe komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Drenas, Afrim Gjeli, i cili tha se punimet joprofesionale dhe ndërhyrjet nga persona të paautorizuar në instalimet elektrike mbeten ndër shkaqet kryesore të shpërthimit të zjarreve.

    “Punimet joprofesionale, pajisjet e vjetruara elektrike dhe ndërhyrjet nga persona pa njohuri profesionale mund të shkaktojnë pasoja serioze dhe zjarr në objekte banimi apo biznesi”, deklaroi ai.

    Edhe KEDS-i paralajmëron se kyçjet ilegale përbëjnë një rrezik serioz për sigurinë e objekteve dhe banorëve.

    Avni Alidemaj nga KEDS tha se personat që realizojnë kyçje ilegale përdorin shpesh materiale të papërshtatshme dhe instalime të pasigurta, duke rritur rrezikun për mbingarkesë të rrjetit dhe shpërthim zjarri.

    “Kyçjet ilegale kryhen nga persona të paautorizuar dhe me materiale joadekuate. Kjo rrit rrezikun për dëmtim të rrjetit, të objektit dhe për shkaktim të zjarrit”, tha Alidemaj, duke u bërë thirrje qytetarëve që për çdo kyçje të re të ndjekin procedurat zyrtare dhe të kërkojnë asistencë nga ekipet e autorizuara të KEDS-it.

    Një tjetër problem i evidentuar nga zjarrfikësit është banimi në ndërtesa që ende nuk kanë kaluar pranimin teknik.

    Komandanti i Zjarrfikësve në Suharekë, Vehbi Krasniqi, tha se shumë objekte popullohen para se të certifikohen sistemet elektrike dhe ato kundër zjarrit.

    “Objektet nuk duhet të banohen pa pranim teknik. Mbingarkesa e rrjetit në këto ndërtesa shkakton djegie të orëve elektrike dhe dëme të konsiderueshme materiale”, tha ai.

    Sipas Krasniqit, ndërhyrja e zjarrfikësve në raste të tilla shpesh varet nga ndërprerja paraprake e energjisë elektrike nga ekipet e KEDS-it.

    Ndërkaq, zjarrfikësi Malë Gashi nga Brigada e Prishtinës tha se në ndërtesat shumëkatëshe rreziku më i madh për banorët mbetet tymi i dendur, i cili përhapet me shpejtësi.

    “Evakuimi i qytetarëve nga katet e larta është sfidë e madhe. Fatmirësisht nuk kemi pasur humbje jete në këto raste, por tymi mbetet rreziku kryesor për banorët”, tha Gashi.

    Institucionet raportojnë se faktori njeri mbetet shkaktari kryesor edhe i zjarreve fushore dhe malore.

    Sipas Fushticës, gjatë vitit të kaluar zjarrfikësit në Prishtinë kanë realizuar mbi 5 mijë intervenime, ku pjesa më e madhe lidhej me zjarret në fusha dhe male.

    “99 për qind e zjarreve fushore dhe malore shkaktohen nga faktori njeri, qoftë nga pakujdesia apo me qëllim”, deklaroi ai.

    Edhe komandantët e zjarrfikësve në Drenas dhe Suharekë thanë se djegia e hamulloreve, hedhja e cigareve të pashuara dhe zjarret e lëna pas piknikëve janë ndër shkaqet më të shpeshta të këtyre incidenteve.

    Përballë rritjes së numrit të intervenimeve, zjarrfikësit në disa komuna po përballen edhe me mungesë të personelit.

    Komandanti i Zjarrfikësve në Suharekë tha se kërkesat për angazhimin e punëtorëve sezonalë nuk janë realizuar, duke vështirësuar kapacitetet e reagimit gjatë sezonit veror.

    Ndërkohë, Komuna e Prishtinës ka bërë thirrje për angazhimin e zjarrfikësve vullnetarë, të cilët do të trajnohen për të mbështetur ekipet profesionale në rastet emergjente.

    Sipas institucioneve, respektimi i standardeve teknike, shmangia e kyçjeve ilegale të energjisë elektrike dhe rritja e kujdesit të qytetarëve mbeten masat kryesore për parandalimin e zjarreve, pasi shumica e rasteve vazhdojnë të lidhen me faktorin njeri. /Kallxo

  • Policia jep detaje për vrasjen në Ferizaj – viktima një 32 vjeçar, dy persona ndalohen për 48 orë

    Policia jep detaje për vrasjen në Ferizaj – viktima një 32 vjeçar, dy persona ndalohen për 48 orë

    Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me vrasjen që ndodhi të dielën mbrëma në një banesë në Ferizaj, ku një 32-vjeçar mbeti i vrarë nga arma e zjarrit.

    Sipas Policisë Rajonale të Ferizajt, rreth orës 22:50 është pranuar informata se një person ishte gjetur pa shenja jete në një banesë në katin e nëntë të një objekti banesor në rrugën “Sejdi Sejdiu”.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, hetuesit rajonalë, krim-teknikët dhe prokurori për Krime të Rënda.

    Viktima është identifikuar me inicialet F.H., 32 vjeç, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij në vendin e ngjarjes.

    Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes është konstatuar një plagë që dyshohet se është shkaktuar nga arma e zjarrit. Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë dhe një gëzhojë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Sipas hetimeve fillestare, ngjarja ka ndodhur në banesën e M.B. (48 vjeç), ku në momentin e incidentit ndodheshin edhe bashkëshortja e tij dhe vajza A.R. (24 vjeçe).

    Policia njofton se 24-vjeçarja ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

    “Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes, ekziston dyshimi i bazuar se rasti ndërlidhet me veprën penale ‘Vrasje e rëndë’”, thuhet më tej.

    Me vendim të prokurorit, M.B. është ndaluar për 48 orë, ndërsa edhe ndaj A.R. është lëshuar vendim për ndalim prej 48 orësh, por ajo vazhdon të trajtohet në QKUK.

    Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa Sektori i Hetimeve Rajonale, në koordinim me Prokurorinë, po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

  • Ngjarja e rëndë në Deçan, babë e bir dyshohet se vdiqën si pasojë e kontaktit me rrymën, Policia: Ishin duke e larë veturën në oborr

    Ngjarja e rëndë në Deçan, babë e bir dyshohet se vdiqën si pasojë e kontaktit me rrymën, Policia: Ishin duke e larë veturën në oborr

    Babë e bir në Moznik të Deçanit kanë humbur jetën tragjikisht.

    Policia e Kosovës, dega në Pejë ka lëshuar një komunikatë ku tregon se dyshohet se ata vdiqën si pasojë e kontaktit me rrymën, teksa ishin duke e larë veturën në oborrin e tyre.

    Më pas janë dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës, ku spitali në ora 21:20 ka konstatuar vdekjen e tyre.

    Komunikata e plotë:

    Stacioni Policor nё Deçan me datёn 28.06.2026, rreth orёs 20:40, ёshtё njoftuar nga QKMF-Deçan, se janё pranuar dy persona tё cilёt dyshohet se janё lënduar nga kontakti me rrymën, dhe tё njëjtin janё dёrguar nё spitalin rajonal nё Pejё. Hetuesit e Sektorit Rajonal pёr Hetime DRP-Pejё, kanё dalё nё vendngjarje, ku dyshohet se deri sa viktimat ishin duke pastruar veturën nё oborrin e tyre, kanё rёnё nё kontakt me rrymën, pas dёrgimit nё emergjencёn e spitalit rajonal nё Pejё, nga ekipi mjekёsor rreth orёs 21:20, ёshtё konstatuar vdekja e dy vikimave. Me urdhёr tё prokurorit tё Shtetit, viktimat janё dёrguar nё institutin e mjekёsisё ligjore nё Prishtinё pёr obduksion, rasti vazhdon tё hetohet nga njёsitet kompetente.

  • Cadman për procesin në Hagë: Kryhet më 20 korrik, vendimi i GjEDNj-së ndikon në Apel

    Cadman për procesin në Hagë: Kryhet më 20 korrik, vendimi i GjEDNj-së ndikon në Apel

    Avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman, ka folur për mundësinë e ndikimit që një vendim eventual i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut mund të ketë edhe në proceset e tjera që po zhvillohen në Gjykatën Speciale në Hagë.

    Në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, Cadman tha se çdo vendim i mundshëm në favor të Haradinajt do të varet nga arsyetimi juridik i gjykatës dhe shkeljet e konstatuara.

    Sipas tij, i vetmi mjet që GJEDNJ mund të ofrojë drejtpërdrejt është kompensimi financiar për shkelje të të drejtave të njeriut, por ai shtoi se ndikimi i vendimeve të tilla mund të shkojë përtej rastit individual.

    “Shumë gjëra do të varen nga ajo se çfarë do të thuhet në vendimin e GJEDNJ për ato që zotëri Haradinaj është ankuar, i vetmi mjet veprimi që mund të ndërmarrë kjo gjykatë është kompensimi financiar për shkeljen e të drejtave të njeriut”, tha ai.

    Ai theksoi se vendime të tilla mund të kenë implikime më të gjera në mënyrën se si zhvillohen gjykimet që janë aktualisht në proces, përfshirë edhe procedurat në Dhomat e Apelit të Gjykatës Speciale.

    “Por, natyrisht se vendime si këto do të kishin implikime shumë më të gjera, si shembull implikime se si zhvillohen gjykimet që janë në proces sipër. Mendoj se po ashtu duhet ta dimë se nuk do të ketë më raste të tjera në Gjykatën Speciale. Pra, nuk do të ketë gjykime të reja, por ka ende procedura në shkallën e apelit”, deklaroi Cadman.

    Cadman shtoi se ndikim mund të ketë edhe në raste të tjera që janë ende në proces, përfshirë edhe procedurat për tentim pengimi të drejtësisë që po shqyrtohen aktualisht.

    “Siç e dimë, aktgjykimi në rastin Thaçi dhe të tjerët do të jepet më 20 korrik. Kështu që edhe nëse Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut do ta japë një vendim për rastin e Haradinajt tani, që nuk pritet, nuk do të kishte ndonjë ndikim në atë rast, por do të kishte patjetër ndikim në procedurat pranë Dhomës së Apelit. Edhe për këtë rast, edhe për tjetrin për tentim pengimin e drejtësisë që është në proces e sipër”, deklaroi avokati.

  • 5 mënyra për t’i mbrojtur pajisjet tuaja nga i nxehti këtë verë

    5 mënyra për t’i mbrojtur pajisjet tuaja nga i nxehti këtë verë

    Njerëzit nuk janë të vetmit që vuajnë nga nxehtësia – laptopët, telefonat dhe pajisjet e tjera po mbinxehen gjithashtu.

    Ja si mund t’i mbroni pajisjet tuaja nga nxehtësia.

    Mbajeni larg rrezeve të diellit

    Teknologjia duhet të mbahet në hije. Edhe pse duket e thjeshtë, është më mirë të shmangni nxjerrjen e telefonit me vete kur jeni me miqtë dhe ta lini mbi tavolinë, ose përdorimin e tij kur jeni jashtë. Edhe disa minuta të ekspozimit ndaj rrezeve të diellit direkte mbi telefonin tuaj mund ta mbinxehin atë.

    Mos i vendosni pajisjet tuaja në frigorifer

    Ndërkohë që vendosja e telefonave ose laptopëve në frigorifer mund të duket si një ide e mirë, kjo mund t’i dëmtojë ato po aq sa rrezet e diellit direkte.

    Së pari, mund të krijojë një goditje termike dhe madje ta prishë pajisjen, dhe përbën një rrezik të lartë për bateritë. Frigoriferët dhe ngrirësit janë gjithashtu të lagësht, gjë që mund të shkaktojë rrjedhjen e ujit në pajisjet tuaja.

    Mbajeni dhomën tuaj të freskët

    Mbajeni veten të freskët, si dhe pajisjet tuaja. Mund të përdorni një ventilator ose ajër të kondicionuar, të mbroni dritaret nga rrezet e diellit direkte dhe të varni rrobat e lara. Të gjitha gjërat e zakonshme për t’u ndjerë më të freskët do t’ju ndihmojnë kompjuterët dhe telefonat tuaj.

    Kini kujdes me përdorimin e energjisë

    Mos u kërkoni shumë telefonave ose laptopëve tuaj gjatë periudhave të nxehtësisë së lartë. Transmetimi, lojërat dhe Al mund të bëjnë që pajisjet tuaja të punojnë më shumë, gjë që gjeneron më shumë nxehtësi. Edhe karikimi dhe sasia e dritës që përdor pajisja juaj mund të luajnë një rol. Këshilla e përgjithshme është të jeni të vetëdijshëm për atë që duhet të bëni vërtet në pajisjen tuaj.

    Madje mund të aktivizosh modalitetin e kursimit të baterisë për të kufizuar funksionalitetin e aplikacionit. Të bësh pushime të shkurtra dhe të fikësh baterinë për momente të shkurtra mund të ndihmojë gjithashtu.

    Hiqni mbulesat

    Ashtu si me njerëzit, pajisjet tuaja gjithashtu mund të përfitojnë nga më pak shtresa. Mbështjellësit, mbulesat dhe aksesorët e tjerë mund të pengojnë rrjedhjen e ajrit. Vetëm kini kujdes që të mos e rrëzoni telefonin ose laptopin.