ATV

Author: K.B.

  • Babë e bijë në pranga për vrasjen e rëndë në Ferizaj, nëna si dëshmitare

    Babë e bijë në pranga për vrasjen e rëndë në Ferizaj, nëna si dëshmitare

    Një zhvillim i pazakontë ka shoqëruar hetimet për vrasjen e rëndë që tronditi Ferizajn mbrëmjen e së dielës, ku babë e bijë kanë përfunduar në ndalim nën dyshimin për përfshirje në krim, raporton Sinjali.

    Me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për 48 orë Muhamet Begisholli rreth 48 vjeç dhe vajza e tij Arjeta Roshaj rreth 24 vjeç, të dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

    Viktimë në këtë rast është Florim Haxhidema rreth 32 vjeç, i cili u gjet pa shenja jete në një banesë në katin e nëntë të objektit “Intercon C1”, në rrugën “Sejdi Sejdiu” në Ferizaj.

    Sipas burimeve, viktima kishte një plagë në kokë që dyshohet të jetë shkaktuar nga arma e zjarrit. Pranë trupit të pajetë është gjetur edhe një pistoletë, e cila së bashku me një gëzhojë është sekuestruar për ekzaminime forenzike.

    Banesa ku ndodhi ngjarja i përkiste Muhamet Begishollit. Në momentin e incidentit, sipas hetimeve, në banesë ndodheshin edhe bashkëshortja e tij Hanife Roshaj dhe vajza Arjeta Roshaj.

    Burimet bëjnë të ditur se Arjeta Roshaj kishte pësuar gjithashtu lëndime trupore dhe është dërguar në Repartin e Psikiatrisë në QKUK, ndërsa edhe ndaj saj Prokurori ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh.

    Ndërkohë, H. R., bashkëshortja e Muhamet Begishollit dhe nëna e Arjeta Roshajt, në këtë fazë të procedurës është trajtuar në cilësinë e dëshmitares dhe ende nuk është intervistuar.

    Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë i Florim Haxhidemës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

  • Si të mbroheni nga mushkonjat gjatë ditëve të nxehta?

    Si të mbroheni nga mushkonjat gjatë ditëve të nxehta?

    Në ditët e nxehta të verës, mushkonjat bëhen një shqetësim i zakonshëm, veçanërisht gjatë mbrëmjes dhe natës. Përveç bezdisjes që shkaktojnë me pickimet e tyre, ato mund të transmetojnë edhe sëmundje në disa pjesë të botës. Për këtë arsye, mbrojtja ndaj tyre është e rëndësishme.

    Në treg gjenden shumë produkte kundër mushkonjave, si locione, spërkatës dhe kremra. Kur përdoren sipas udhëzimeve të prodhuesit, repelentët e miratuar konsiderohen të sigurt dhe efektivë. Megjithatë, disa persona preferojnë të përdorin alternativa natyrale, të cilat mund të ndihmojnë në largimin e mushkonjave, edhe pse efekti i tyre zakonisht është më i kufizuar dhe nuk zgjat aq sa ai i produkteve të testuara.

    Mushkonjat tërhiqen nga dioksidi i karbonit që nxjerrim gjatë frymëmarrjes, nga temperatura e trupit dhe nga disa substanca që gjenden në djersë dhe në sipërfaqen e lëkurës. Për këtë arsye, disa aroma natyrale mund të ndihmojnë në uljen e interesit të tyre për t’u afruar.

    Disa alternativa natyrale që mund të provoni
    Uthulla e mollës

    Disa njerëz besojnë se aroma e uthullës së mollës ndihmon në largimin e mushkonjave. Mund të lyeni një copë pambuku me pak uthull molle dhe ta aplikoni lehtë në zonat e zbuluara të lëkurës. Nëse keni lëkurë të ndjeshme, bëni fillimisht një provë në një pjesë të vogël të saj.

    Ekstrakti i vaniljes

    Aroma e vaniljes përdoret shpesh si alternativë natyrale kundër insekteve. Mund të përzieni një lugë çaji ekstrakt vaniljeje me një krem hidratues pa aromë dhe ta aplikoni në zonat e pambuluara të trupit.

    Karafili

    Vendosni rreth pesë gramë karafil në një gotë ujë dhe ziejini për disa minuta. Pasi lëngu të jetë ftohur, mund ta aplikoni në lëkurë me ndihmën e një pambuku. Disa persona e përdorin këtë metodë si repelent natyral.

    Kamomili

    Kamomili njihet për vetitë e tij qetësuese. Disa besojnë se aroma e tij mund të ndihmojë në largimin e insekteve. Mund të vendosni kamomil të tharë pranë dritareve ose të përgatisni çaj kamomili dhe, pasi të jetë ftohur, ta përdorni për të freskuar lëkurën.

    Borziloku i freskët dhe gjethet e domates

    Aroma e borzilokut dhe e gjetheve të domates mendohet se nuk preferohet nga mushkonjat. Mund të zieni 10–15 gjethe borziloku ose disa gjethe domateje në një filxhan ujë. Pasi lëngu të jetë ftohur, mund ta aplikoni në zonat e ekspozuara të trupit.

    Vajrat esencialë

    Vajrat esencialë të borzilokut, eukaliptit dhe karafilit përdoren shpesh si alternativa natyrale kundër mushkonjave. Shtoni 5–10 pika vaj esencial në një gotë ujë ose në një vaj bazë dhe aplikojeni në lëkurë, duke shmangur kontaktin me sytë dhe mukozat. Mund të lagni edhe një copë pambuku me përzierjen dhe ta vendosni pranë dritareve ose në ambiente të hapura.

    Këshilla shtesë për t’u mbrojtur nga mushkonjat
    Eliminoni ujin e ndenjur rreth shtëpisë, pasi aty shumohen mushkonjat.
    Përdorni rrjeta mbrojtëse në dritare dhe dyer.
    Vishni rroba me mëngë të gjata dhe ngjyra të çelëta gjatë mbrëmjes.
    Përdorni ventilatorë në ambiente të mbyllura, pasi mushkonjat e kanë më të vështirë të fluturojnë në rrymë ajri.
    Në zona me shumë mushkonja, përdorni repelentë të miratuar sipas udhëzimeve të prodhuesit.

    Alternativat natyrale mund të jenë një zgjedhje për disa persona, por efekti i tyre ndryshon nga individi në individ dhe zakonisht nuk ofron mbrojtje të njëjtë me repelentët e testuar. Për mbrojtje sa më të mirë, këshillohet kombinimi i disa metodave parandaluese.

  • KFOR i dhuron pajisje zjarrfikësve të Klinës

    KFOR i dhuron pajisje zjarrfikësve të Klinës

    Stacioni i zjarrfikëseve në Komunën e Klinës, është pajisur me mjete të reja falë një donacioni nga KFOR, në kuadër të bashkëpunimit me institucionet lokale.

    Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i komunës, Zenun Elezaj përmes një postimi në rrjete sociale në Facebook.

    Ai kishte marrë pjesë në ceremoninë e pranim-dorëzimit të donacionit nga KFOR-i, i angazhuar në Komandën Rajonale Perëndim (RC-Ë), i cili dhuroi pajisje për Stacionin e Zjarrfikësve të Komunës së Klinës.

    ”Ky donacion do të forcojë kapacitetet operacionale të zjarrfikësve, duke rritur gatishmërinë e tyre për t’iu përgjigjur sa më shpejt dhe me efikasitet rasteve të zjarreve, fatkeqësive dhe emergjencave të tjera.Falënderoj KFOR-in për këtë donacion të rëndësishëm dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm që kemi ndërtuar ndër vite”, thuhet tutje në njoftim.

  • KRU “Prishtina” njofton për intervenime në disa zona të kryeqytetit

    KRU “Prishtina” njofton për intervenime në disa zona të kryeqytetit

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se ekipet e mirëmbajtës do të zhvillojnë sot intervenime në disa rrugë dhe zona.

    Sipas njoftimit punimet do të realizohen në këto zona: Rr. “Bedrush Çollaku”, Rr. “Fuad Dibra”, Rr. “Bia UÇK”, Rr. “Gjorgj Balsha”, Rr. “Sharri”, Rr. “Goleshi”, Rr. “Muhamet Maksiri”, Rr. “Korabi”, Rr. “Ali Sikoli”, Rr. “Sami Ukshini”, Rr. “Xheladin Hana”, Fsh.Bardhosh.

    KRU “Prishtina” ka bërë te ditur se ekipet e saj janë në terren për realizimin e punëve të mirëmbajtjes dhe sanimeve të problemeve të evidentuara në rrjet.

  • Sot, dita më e nxehtë e javës – temperaturat deri në 38°C

    Sot, dita më e nxehtë e javës – temperaturat deri në 38°C

    Sot pritet të jetë dita më e nxehtë e javës, sipas parashikimeve të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK).

    Temperaturat minimale do të lëvizin nga 15 deri në 18 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale pritet të arrijnë nga 32 deri në 38 gradë Celsius.

    Gjatë ditës moti do të jetë kryesisht me diell, i shoqëruar me vranësira të pjesërishme në disa zona .

  • Policia gjen kallash në veturën e një personi në Drenas

    Policia gjen kallash në veturën e një personi në Drenas

    Policia ka bërë të ditur se një person në Drenas është vetaksidentuar dhe gjatë intervenimit në aksident, policia ka gjetur një kallash brenda veturës.

    Në njoftimin e policisë thuhet se arma me fishekë është konfiskuar dhe i dyshuari është intervistuar.

    “I dyshuari mashkull kosovar ishte vetë aksidentuar, dhe policia gjatë intervenimit në aksident, ka hasur në një armë zjarri AK-47 me 20 fishekë të cilën i dyshuari e kishte brenda veturës. Arma me fishekë është konfiskuar, dhe i dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

  • Syla: Veteranët të mos flasin në emër të organizatës për protestat në Shqipëri

    Syla: Veteranët të mos flasin në emër të organizatës për protestat në Shqipëri

    Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Gazmend Syla, ka deklaruar se organizata nuk ka asnjë qëndrim zyrtar për protestat që po mbahen në Shqipëri, duke theksuar se ato janë çështje të brendshme të shtetit shqiptar.

    Ai u ka bërë thirrje veteranëve që marrin pjesë në protesta të mos flasin në emër të organizatës.

    Syla tha se OVL-UÇK nuk ka informacione të mjaftueshme për organizatorët dhe qëllimet e protestave, prandaj nuk dëshiron të përfshihet në to.

    Syla bëri të ditur se reagimi i organizatës erdhi pasi morën informacione nga dega e OVL-UÇK-së në Tiranë se disa veteranë po tentonin të paraqiteshin në protestë në emër të organizatës.

    “Neve u kemi bërë thirrje sepse, në bazë të informacioneve që i kemi marrë nga dega jonë në Tiranë, e cila përfaqëson luftëtarët shqiptarë që kanë marrë pjesë në luftën e Kosovës, kemi marrë informacione se ka tendenca që disa bashkëluftëtarë tanë nga Kosova, por edhe nga Shqipëria, shkojnë edhe të flasin e të kenë ndonjë qëndrim eventualisht në emër të organizatës së veteranëve të luftës në këtë protestë”, tha Syla.

    Sipas tij, çdo veteran ka të drejtë të marrë pjesë në protesta si individ, por jo të përfaqësojë organizatën.

    Ai shtoi se, përderisa nuk ekziston një qëndrim zyrtar, është e papranueshme që individë të flasin në emër të veteranëve.

    Syla foli edhe për raportin që OVL-UÇK ka me institucionet shqiptare, duke nënvizuar se organizata dëshiron të ruajë bashkëpunimin institucional pavarësisht se kush është në pushtet.

    Ai shtoi se organizata nuk ka asnjë vlerësim për protestat, por dëshiron stabilitet në Shqipëri.

    “Nuk kemi ndonjë vlerësim, ndonjë mendim ose ndonjë qëndrim për protestat që po zhvillohen atje, vetëm se kemi dëshirë me pa shtetin tonë qysh është më së miri, me pa shtetin tonë amë si anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Kemi qejf me pa vetëm lajme të mira, po asnjëherë trazira eventualisht. Edhe këto protesta që i shohim sot nuk na vjen mirë që i shohim, sepse s’kemi qejf me pa asnjë gjë të keqe në shtetin tonë”, tha Syla.

    Ai u bëri thirrje veteranëve të jenë të kujdesshëm nëse vendosin të marrin pjesë në protesta. /EO

  • Dua Lipa hap Bibliotekën Manifesto, një hapësirë kushtuar librave të ndaluar dhe të censuruar

    Dua Lipa hap Bibliotekën Manifesto, një hapësirë kushtuar librave të ndaluar dhe të censuruar

    Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka inauguruar Bibliotekën Manifesto, një hapësirë kushtuar librave të ndaluar dhe të censuruar, e cila do të jetë pjesë e përhershme e librarisë historike Livraria Lello në Porto të Portugalisë.

    Projekti u prezantua në kuadër të festivalit ndërkombëtar të librit BABELL – City of Books dhe, sipas artistes, është rezultat i një misioni shumëvjeçar për të promovuar leximin dhe lirinë e shprehjes.

    “Kur themelova Klubin e Librit Service95, synimi im ishte të krijoja një shtëpi për shkrimtarët dhe lexuesit, kudo që ndodhen. Leximi na afron, por fatkeqësisht jo të gjithë e shohin kështu”, tha Dua Lipa.

    Biblioteka përmban rreth 100 libra, të organizuar sipas katër temave kryesore: pushteti, kontrolli, zëri dhe kujtesa. Në raftet e saj gjenden vepra të njohura si “The Handmaid’s Tale” e Margaret Atwood, “Felon” i Reginald Dwayne Betts, si dhe libra të autorëve Salman Rushdie dhe Olga Tokarczuk.

    Sipas këngëtares, Biblioteka Manifesto është një vend që u kushtohet autorëve, veprat e të cilëve janë censuruar ose ndaluar, si dhe lexuesve që besojnë se askush nuk duhet të vendosë se cilët libra lejohen të lexohen.

    Përveç angazhimit në muzikë, Dua Lipa vazhdon të promovojë letërsinë përmes Klubit të Librit Service95, ndërsa është përzgjedhur edhe si kuratore e Festivalit të Letërsisë në Londër 2026, që do të zhvillohet në Qendrën Southbank.

  • Haradinaj shpreh ngushëllime për vdekjet në Deçan: Orët e fundit na ndanë nga njerëz të dashur

    Haradinaj shpreh ngushëllime për vdekjet në Deçan: Orët e fundit na ndanë nga njerëz të dashur

    Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj ka shprehur ngushëllime për vdekjen e bashkëluftëtarit Xhemajl Mustafaj dhe djali i tij, Hasanit që humbën jetën tragjikisht në Maznik të Deçanit.

    Ai gjithashtu njoftoi se pas një sëmundje të shkurtër, është ndarë nga jeta edhe bashkëluftëtari nga Juniku, Faik Nimon Tofaj.

    “Orët e fundit na ndanë nga njerëz të dashur! Në Maznik të Deçanit humbën jetën bashkëluftëtari ynë Xhemajl Mustafaj dhe djali i tij, Hasani. Po ashtu, pas një sëmundjeje të shkurtër u nda nga jeta edhe bashkëluftëtari ynë nga Juniku, Faik Nimon Tofaj”.

    “Familjeve Mustafaj dhe Tofaj, të afërmve, miqve e bashkëluftëtarëve u shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Në këto momente të rënda, ndajmë dhimbjen me ta dhe lutemi që të gjejnë forcë për ta përballuar dhimbjen! Qoftë i përjetshëm kujtimi për Xhemajlin, Hasanin dhe Faikun. U prehshin në paqe”, thuhet në njoftim.

  • Ky është çmimi i naftës për sot në Kosovë

    Ky është çmimi i naftës për sot në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë ka publikuar çmimet e derivateve për 24 orët e ardhshme.

    Sipas MINT, çmimi për një litër naftë është 1 euro e 37 centë, ndërsa benzina 1 euro e 35 centë.

    Çmimet hyjnë në fuqi nga ora 10:00.