ATV

Author: K.B.

  • U helmuat nga ushqimi? Nuk është gjithmonë fajtor vakti i fundit

    U helmuat nga ushqimi? Nuk është gjithmonë fajtor vakti i fundit

    Kur fillojnë të përzierat, ngërçet apo të vjellat, të gjithë dyshojmë te vakti i fundit, por e vërteta mund të jetë shumë më e ndërlikuar

    Helmimi nga ushqimi është një nga gjendjet më të pakëndshme shëndetësore, i shoqëruar me simptoma si të përzierat, ngërçet në bark, të vjellat dhe temperatura e lartë. Kur shfaqen shqetësimet, shumica e njerëzve menjëherë dyshojnë te vakti i fundit që kanë ngrënë, por shkaku shpesh nuk është aq i lehtë për t’u përcaktuar.

    Miti më i madh për helmimin nga ushqimi

    Simptomat e disa llojeve të helmimit nga ushqimi nuk shfaqen domosdoshmërisht menjëherë, por mund të paraqiten vetëm pas disa ditësh, madje edhe pas disa javësh nga konsumimi i ushqimit të kontaminuar. Prandaj, nuk është e thënë që për shqetësimet të jenë përgjegjëse mëngjesi apo kafeja që keni konsumuar së fundmi.

    Shkaktari më i zakonshëm i helmimit nga ushqimi është norovirusi, simptomat e të cilit zakonisht shfaqen brenda 12 deri në 48 orëve. Ai transmetohet përmes konsumimit të ushqimit të kontaminuar, si midhjet, perimet ose frutat e freskëta. Megjithatë, norovirusi është shumë ngjitës, ndaj mund të përhapet edhe përmes kontaktit me njerëz të tjerë, ndërsa virusi mund të mbijetojë në sipërfaqe si takëmet dhe enët e kuzhinës.

    Natyrisht, jo të gjithë patogjenët që shkaktojnë helmim nga ushqimi vijnë nga të njëjtat burime dhe as nuk kanë të njëjtën periudhë inkubacioni.

    Shumë patogjenëve u duhen disa ditë për t’u zhvilluar para se të shkaktojnë simptoma. Salmonela, për shembull, mund të shfaqet deri në gjashtë ditë pas konsumimit të ushqimit dhe shpesh gjendet në vezë të pagatuara mirë, mish shpendësh dhe produkte të qumështit.

    Escherichia coli mund të shkaktojë simptoma edhe deri në dhjetë ditë pas konsumimit, ndërsa burimet më të shpeshta janë mishi i pagatuar mirë, qumështi ose lëngu i papasterizuar, si dhe frutat e perimet e palara. Kampilobakteri, një tjetër patogjen i zakonshëm që gjendet në mish të papërpunuar, qumësht dhe ujë të kontaminuar, ka periudhë inkubacioni deri në pesë ditë, shkruan Tasting Table.

    Si të mbroheni nga helmimi nga ushqimi?

    Ndonjëherë helmimi nga ushqimi është thjesht jashtë kontrollit tonë. Megjithatë, njohja e disa miteve të zakonshme për sigurinë ushqimore mund t’ju ndihmojë të qëndroni më të mbrojtur.

    Për shembull, larja e frutave, edhe e atyre me lëvore që nuk hahet, si pjepri, mund të ndihmojë në largimin e mikrobeve të dëmshme. Gjithashtu, përdorimi i termometrit për mish gjatë përgatitjes së shpendëve, si pula dhe gjeli i detit, siguron që mishi të jetë gatuar plotësisht – mos u mbështetni vetëm në vlerësimin me sy.

    Dhe, më e rëndësishmja: mos e lani mishin e papërpunuar të shpendëve para gatimit, sepse kjo është një mënyrë e sigurt për përhapjen e baktereve dhe për shkaktimin e kontaminimit të kryqëzuar.

    Një tjetër mit i zakonshëm lidhet me mbetjet e ushqimit. Supozimi se çdo ushqim i mbetur është i sigurt për t’u ngrënë mund të jetë i rrezikshëm. Edhe nëse ushqimi duket dhe ka aromë të mirë, nëse ka qëndruar shumë gjatë në frigorifer, mund të zhvillojë baktere si C. botulinum, salmonela, listeria dhe E. coli. Këto baktere zakonisht nuk kanë aromë dhe nuk e ndryshojnë pamjen e ushqimit.

    Prandaj është e rëndësishme të mbahet mend se jo të gjitha helmimet nga ushqimi janë të njëjta.

    Disa lloje helmimi mund të shkaktohen nga perimet e palara që i keni ngrënë një javë më parë, ndërsa të tjera nga mishi i pagatuar mirë që e keni përgatitur mbrëmë. Pavarësisht shkakut, simptomat zakonisht janë të ngjashme – të vjella dhe diarre, të cilat në shumicën e rasteve kalojnë vetvetiu.

    Ndërkohë, është e rëndësishme të pushoni mjaftueshëm, të pini shumë lëngje për të qëndruar të hidratuar dhe të kërkoni ndihmë mjekësore nëse simptomat janë të rënda ose nuk përmirësohen pas disa ditësh.

  • Tërmetet me magnitudë 7.5 ballë nuk janë aq të rralla – Pse ai në Venezuelë ishte aq shkatërrues?

    Tërmetet me magnitudë 7.5 ballë nuk janë aq të rralla – Pse ai në Venezuelë ishte aq shkatërrues?

    Është tashmë e qartë se ndikimi i tërmeteve në Venezuelë do të jetë shkatërrues, me të paktën 1,430 të vdekur të konfirmuar, 3,238 të plagosur dhe mijëra të raportuar të zhdukur.

    Megjithatë, tërmetet me magnitudë 7.5+ ballë, nuk janë të rralla.

    I pari që goditi Venezuelën veriore gjatë natës kishte një magnitudë prej 7.2 ballë, ndërsa i dyti u mat me magnitudë 7.5.

    Tërmetet me magnitudë 7.0-7.9 ballë janë mjaftueshëm të forta për të shkaktuar dëme serioze në zonat e populluara.

    Në magnitudë 8.0 ballë e lart, qytete dhe qyteza të tëra mund të shkatërrohen.

    Që nga viti 2024, Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së ka regjistruar njëmbëdhjetë tërmete me magnitudë mbi 7.5 ballë në të gjithë botën.

    Jo të gjithë kanë parë aq shumë viktima dhe aq shumë dëme sa është raportuar deri më tani në Venezuelë.

    Më herët këtë muaj, një tërmet me magnitudë 7.8 ballë goditi Filipinet, duke shkaktuar 19 viktima.

    Në qershor të vitit të kaluar, një tërmet me magnitudë 8.8 ballë goditi bregun e Gadishullit Kamchatka në Rusinë lindore. Ishte i shtati më i madhi i regjistruar në historinë e vendit, megjithatë nuk u raportuan viktima të drejtpërdrejta.

    Një tërmet me magnitudë 6.9 u raportua gjithashtu sot në Japoni, pak pas atyre në Venezuelë – por deri më tani nuk është raportuar për të lënduar ose të vdekur këtu.

    Pse dy tërmetet në Venezuelë kanë qenë kaq shkatërrues?

    Një pjesë e shpjegimit është se tërmetet në Venezuelë goditën pjesën më të populluar të vendit.

    Kjo do të thotë që ndikimi është ndjerë nga një numër më i madh njerëzish, por ka prekur edhe një përqendrim më të lartë ndërtesash, si dhe infrastrukturën publike si rrugët dhe urat.

    Tërmetet goditën qytetin e Karakasit, kryeqytetin e Venezuelës, me një popullsi prej më shumë se dy milionë banorësh, dhe patën ndikimin më të madh në shtetin e La Guaira, në bregdetin verior, ku jetojnë rreth 380,000 njerëz.

    Në të kundërt, disa tërmete të tjera me magnitudë të madhe kanë ndodhur kohët e fundit në zona me popullsi të ulët ose pa popullsi, si në mes të oqeanit.

    Një tërmet me magnitudë 7.6 ballë goditi Oqeanin Paqësor pranë shtetit ishullor të Tongës në mars të këtij viti.

    Tetorin e kaluar, një tjetër tërmet me magnitudë 7.6 ballë goditi Grykën Drake – një rrugë detare midis Kilit dhe Antarktidës që lidh oqeanet Paqësor dhe Atlantik.

    Dridhje të cekëta

    Tërmetet në Venezuelë ndodhën gjithashtu në një thellësi mjaft të vogël.

    Tërmeti i dytë goditi vetëm 9 kilometra nën sipërfaqen e Tokës.

    Tërmete të tjera kanë goditur në thellësi më të mëdha, duke zvogëluar efektin e lëkundjes në sipërfaqen e Tokës.

  • Botërori i luksit: 27 fluturime private për 24 ndeshje nga Infantino

    Botërori i luksit: 27 fluturime private për 24 ndeshje nga Infantino

    Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka marrë pjesë në 24 ndeshje brenda pak më shumë se dy javësh gjatë Kupës së Botës 2026 në Amerikën e Veriut, duke udhëtuar në qytete të ndryshme në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

    Turneu i këtij viti është i shpërndarë në tre shtete dhe 16 qytete pritëse, ndërsa numri i ndeshjeve është rritur për shkak të formatit të zgjeruar të fazës së grupeve.

    Në strategjinë e FIFA-s për qëndrueshmëri dhe të drejtat e njeriut për Botërorin 2026, presidenti kishte deklaruar se organizata është e përkushtuar të kontribuojë në çështje si klima, shëndeti, të drejtat e njeriut dhe përfshirja sociale.

    Megjithatë, hetimet e BBC Verify dhe BBC Sport kanë ndjekur një avion privat të lidhur me FIFA-n dhe Infantinon, i cili ka realizuar 27 fluturime gjatë turneut drejt qyteteve ku presidenti është parë në ndeshje.

    Sipas analizave, ndikimi i këtij avioni në mjedis gjatë dy javëve të para të turneut vlerësohet përafërsisht sa emetimet vjetore të 78 personave mesatarë.

    Infantino ka ndjekur shpesh deri në dy ndeshje në ditë, në qytete të ndryshme të ndara me qindra milje, ndërsa në disa raste ka realizuar deri në tre fluturime brenda një dite.

    Raportimet tregojnë se ai ka përdorur një avion privat tip Gulfstream G650ER, ndërsa në raste të mëparshme është lidhur edhe me avionë të Qatar Airways Executive.

    BBC kërkoi konfirmim nga FIFA për këto udhëtime, por nuk mori përgjigje. Megjithatë, të dhënat e fluturimeve dhe fotografitë publike të Infantinos në stadiume përputhen me itineraret e avionit të gjurmuar.

    Udhëtimi më i gjatë i tij në dy javët e para ka qenë rreth 2,800 milje (4,507 km), nga Vancouver në Miami, pas ndeshjes Australi – Turqi.

    Në një ditë tjetër, më 15 qershor, ai udhëtoi mbi 2,700 milje (rreth 4,000 km) nga Miami në Seattle për të ndjekur Belgjikë – Egjipt, para se të vazhdonte më pas drejt Los Anxhelosit për ndeshjen Iran – Zelandë e Re.

    Një tjetër ditë e ngjeshur ishte 26 qershori, kur avioni u nis nga Miami, bëri një ndalesë të shkurtër në Dallas dhe vazhdoi në Seattle, përpara se të kthehej sërish në Miami pas ndeshjes Egjipt – Iran.

    Sipas analizës së BBC, avioni ka përshkuar të paktën 31,144 milje (50,122 km) dhe ka kaluar më shumë se 66 orë në ajër gjatë periudhës së analizuar.

    Në Botërorin e Katarit 2022, Infantino kishte ndjekur të gjitha 64 ndeshjet, ku distancat mes stadiumeve ishin shumë më të shkurtra, në kontrast me turneun aktual të shpërndarë në një kontinent të tërë.

  • Sunderland refuzoi 8 milionë euro, Chelsea gati ofertën e radhës për Granit Xhakën

    Sunderland refuzoi 8 milionë euro, Chelsea gati ofertën e radhës për Granit Xhakën

    Chelsea nuk ka hequr dorë nga transferimi i Granit Xhakës gjatë kësaj vere, sipas raportimeve të gazetarit Florian Plettenberg.

    Blutë pritet të zhvillojnë një raund të ri bisedimesh me Sunderlandin të hënën, pasi oferta e parë prej 8 milionë eurosh u refuzua menjëherë nga klubi anglez.

    Sunderland ka bërë të qartë si publikisht ashtu edhe privatisht se kapiteni i tyre nuk është në shitje dhe se nuk kanë ndërmend të shqyrtojnë oferta të tjera për mesfushorin shqiptar.

    Megjithatë, Xhaka mbetet i interesuar për një transferim në “Stamford Bridge”, pasi dëshiron të ribashkohet me Xabi Alonson, me të cilin punoi me sukses te Bayer Leverkuseni.

    “Transferimi mbetet i vështirë, por në këtë fazë nuk ka dështuar”, ka shkruar Plettenberg në rrjetet sociale, duke lënë të hapur mundësinë që Chelsea të vazhdojë përpjekjet për të bindur Sunderlandin.

    Ndërkohë, Xhaka mbetet i fokusuar në Kampionatin Botëror 2026, ku me Zvicrën ka arritur fazën e eliminimit direkt, aty ku ka punë me Algjerinë.

  • Tahiri: Kosova rrezikon të hyjë prapë në bllokadë institucionale

    Tahiri: Kosova rrezikon të hyjë prapë në bllokadë institucionale

    Pak javë pas përfundimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 7 qershorit, kanë nisur paralajmërimet se Kosova rrezikon prapë të hyjë në një proces të bllokadës politike.

    Kur kanë mbetur edhe pak kohë deri në certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve, partitë politike ende nuk kanë nisur asnjë konsultim për krijimin e institucioneve të reja.

    Një veprim të tillë nuk e ka ndërmarrë ende Lëvizja Vetëvendosje, si parti e parë e dalë në zgjedhjet e parakohshme.

    Deputeti i rizgjedhur i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës, Besnik Tahiri, ka thënë se rreziku ekziston që prapë të ketë bllokadë, pasi sipas tij, gjuha dhe qasja e Lëvizjes Vetëvendosje mbetet problematike.

    “Kosova ka rrezik të madh të përsëritet, me hy prapë në bllokadë. Fakti që diskutohet a duhet më së pari të zgjidhet presidenti apo qeveria, nënkupton që ideja është me kapë një post.”, ka thënë Tahiri në një intervistë për EO.

    Ai ka thënë se Aleanca është partia e vetme e cila ka dhënë platformë për të dalë nga kriza, pa kërkuar asnjë post apo pjesëmarrje në qeverisje.

    Tahiri ka shtuar se Aleanca nuk synon ta bllokojë procesin, por vendimi për votën rreth presidentit do të varet nga kandidatura konkrete.

    “Këto janë kushtet tona dhe ne nuk e bllokojmë procesin. Pra, ne shkojmë në kuorum. A e votojmë apo jo, varet prej njerëzve dhe se çfarë emrash nxjerrin ata. Ne duhet ta dimë emrin, mirëpo këto që përmenda janë kushtet tona”, ka thënë Tahiri.

  • Theren me thikë dy 19-vjeçarë në Prizren

    Theren me thikë dy 19-vjeçarë në Prizren

    Janë therur me thikë dy persona të moshës rreth 19-vjeçare në Prizren.

    Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit ka njoftuar se njëri pacient ka paraqitur disa plagë në shpinë dhe në regjionin e belit.

    Në njoftimin e spitalit thuhet se janë kryer ekzaminimet e nevojshme mjekësore dhe radiologjike, si dhe është ofruar trajtimi fillestar i plagëve në Shërbimin e Emergjencës.

    Spitali njoftoi gjithashtu se pas konsultimit me kirurgun kujdestar, pacienti është pranuar për trajtim të mëtejmë në Repartin e Kirurgjisë, ndërkaq pacienti i dytë ka pasur një plagë në regjionin e kofshës së djathtë dhe pas trajtimit në Shërbimin e Emergjencës, është liruar në shtëpi.

    “Më 28.06.2026, rreth orës 01:10, në Shërbimin e Emergjencës të Spitalit të Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren janë pranuar dy pacientë, të lindur në vitin 2007, si pasojë e lëndimeve të shkaktuara me mjet të mprehtë. Njëri pacient ka paraqitur disa plagë në shpinë dhe në regjionin e belit”.

    “Janë kryer ekzaminimet e nevojshme mjekësore dhe radiologjike, si dhe është ofruar trajtimi fillestar i plagëve në Shërbimin e Emergjencës. Pas konsultimit me kirurgun kujdestar, pacienti është pranuar për trajtim të mëtejmë në Repartin e Kirurgjisë. Pacienti i dytë ka paraqitur një plagë në regjionin e kofshës së djathtë. Pas trajtimit dhe përpunimit të plagës në Shërbimin e Emergjencës, ai është liruar në shtëpi”, thuhet në njoftim.

  • “Në shënjstrën e FSK-së”, ushtarë të Kosovës përfundojnë trajnimin për snajper

    “Në shënjstrën e FSK-së”, ushtarë të Kosovës përfundojnë trajnimin për snajper

    Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë përfunduar me sukses trajnimin për snajper.

    Këto trajnime kanë për qëllim ngritjen e kapaciteteve luftarake dhe avancimit të aftësive profesionale të personelit ushtarak.

    Në një njoftim për media të FSK-së, thuhet se trajnimi kishte për synim certifikimin e pjesëtarëve si snajperistë operativë, të aftë për të vepruar sipas standardeve moderne ushtarake dhe për të përdorur sisteme të ndryshme të armëve në misione të ndryshme operative.

    “Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit zhvilluan aftësi në qitje precize, taktika fushore, kamuflim, vëzhgim, lëvizje taktike dhe zbatimin e procedurave operacionale në terren.”, thuhet në njoftim.

    Sipas njoftimit, Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdon të investojë në zhvillimin profesional dhe operacional të personelit të saj, duke ngritur gatishmërinë dhe kapacitetet e forcës në përputhje me standardet më të larta ushtarake.

  • Pas 5 orësh operacion, shpëtohet turisti polak i bllokuar në Kanionin e Gjipesë

    Pas 5 orësh operacion, shpëtohet turisti polak i bllokuar në Kanionin e Gjipesë

    Pas më shumë se pesë orësh operacion kërkim-shpëtimi, rreth ores 23-30 min është bërë e mundur nxjerrja e turistit 30-vjeçar nga Polonia, i cili kishte mbetur i bllokuar në zonën e Kanionit të Gjipesë.

    Në operacion u angazhuan forcat e Policisë së Shtetit, Delta Force, shërbimi zjarrfikës, si edhe alpinistë të specializuar, pasi terreni tepër i vështirë e bëri ndërhyrjen jashtëzakonisht të komplikuar.

    Sipas informacioneve, 30-vjeçari, i cili ndodhej së bashku me të fejuarën e tij, kishte rënë në një greminë, duke e bërë të pamundur nxjerrjen e tij pa ndërhyrjen e ekipeve të specializuara.

    Turisti ka pësuar dëmtime të rënda, kryesisht në pjesën e brinjëve dhe në trup. Për shkak të relievit të vështirë, helikopteri nuk ka mundur të afrohej dhe të realizonte evakuimin nga ajri.

    Si pasojë, i plagosuri u transportua me barelë nga efektivët e Policisë së Shtetit, Delta Force dhe ekipet e shpëtimit deri në një zonë të aksesueshme, ku më pas u dërgua drejt spitalit.

    Sipas të dhënave paraprake, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. /Euronews.al/

  • Kush është kolumbiania që u bë sensacion në Kupën e Botës me fotografitë nga tribunat?

    Kush është kolumbiania që u bë sensacion në Kupën e Botës me fotografitë nga tribunat?

    Veronica Soto është shndërruar në një nga emrat më të komentuar gjatë Kupës së Botës 2026, pasi fotografitë e saj nga tribunat janë bërë virale në rrjetet sociale.

    Bukuroshja kolumbiane tërhoqi menjëherë vëmendjen e tifozëve dhe mediave me paraqitjen plot stil gjatë ndeshjeve të kombëtares së Kolumbisë.

    Udhëtimi i saj drejt Botërorit erdhi krejt papritur.të Kupës së Botës 2026.

    Pasi anuloi një pushim të planifikuar në Los Cabos dhe kaloi disa javë duke u rikuperuar në shtëpinë e saj në Medellin, ajo vendosi vetëm pak ditë para ndeshjes së Kolumbisë me Uzbekistanin të blinte biletat dhe të udhëtonte e vetme drejt Meksikës.

    Në stadiumin Azteca, Veronica u shfaq me një veshje të punuar posaçërisht në ngjyrat e flamurit kolumbian, e cila tërhoqi menjëherë objektivat e fotografëve.

    Pamjet e saj u transmetuan edhe gjatë sinjalit zyrtar të FIFA-s, ndërsa në rrjetet sociale shumë përdorues e cilësuan si një nga tifozet më tërheqëse të turneut.

    Përtej famës së papritur, ka edhe një karrierë profesionale.

    Ajo është inxhiniere ndërtimi, e specializuar në marketing, sipërmarrëse dhe krijuese përmbajtjesh në rrjetet sociale.

    E lindur në Monteria, është rritur në Cienaga de Oro dhe aktualisht jeton në Medellin.

    Popullariteti i saj është rritur me ritme të shpejta, ndërsa profili i saj në Instagram ka fituar qindra mijëra ndjekës brenda pak ditësh.

    Ndërkohë, Veronica është përfshirë edhe në listat e mediave ndërkombëtare si një nga tifozet më të spikatura të Kupës së Botës 2026.

    Ka lënë të hapur mundësinë që të vazhdojë të ndjekë nga afër ndeshjet e Kolumbisë, nëse kombëtarja e saj vazhdon rrugëtimin në turne.

  • Goditja nga nxehtësia: Simptoma kërcënuese për jetën që nuk duhet t’i injoroni

    Goditja nga nxehtësia: Simptoma kërcënuese për jetën që nuk duhet t’i injoroni

    Goditja nga nxehtësia është një gjendje serioze dhe potencialisht kërcënuese për jetën, e cila ndodh kur trupi nuk arrin më të rregullojë temperaturën e tij. Temperaturat e larta, ekspozimi i zgjatur në diell dhe dehidratimi mund të çojnë në këtë gjendje, ndaj njohja e simptomave është thelbësore.

    Edhe pse sëmundjet e lidhura me nxehtësinë mund të prekin këdo, më të rrezikuarit janë të moshuarit, foshnjat, fëmijët e vegjël dhe personat me sëmundje kronike, si diabeti apo problemet e zemrës.

    Lodhja nga nxehtësia

    Lodhja nga nxehtësia është faza e parë e mbinxehjes së trupit dhe shkaktohet nga humbja e sasive të mëdha të ujit dhe kripërave përmes djersitjes. Simptomat përfshijnë lodhje, dobësi, marramendje, ndjenjë të fikëti, dhimbje koke, dhimbje muskulore, të përziera ose të vjella, djersitje të tepërt, etje të fortë dhe skuqje të lëkurës. Tek fëmijët mund të shfaqet edhe letargji ose irritim i pazakontë.

    Goditja nga nxehtësia

    Goditja nga nxehtësia është një urgjencë mjekësore. Ajo ndodh kur temperatura e trupit rritet në nivele të rrezikshme dhe organizmi nuk është më në gjendje ta ulë atë, duke rrezikuar dëmtimin e organeve jetësore.

    Simptomat që nuk duhet të injorohen përfshijnë temperaturë trupore mbi 40°C, humbje të vetëdijes ose të fikët, kriza apo konvulsione, vështirësi të mëdha në frymëmarrje, konfuzion, humbje të koordinimit dhe ndryshime të pazakonta të lëkurës. Nëse shfaqen këto shenja, duhet të kërkohet menjëherë ndihmë mjekësore, pasi ndërhyrja e shpejtë mund të jetë vendimtare për shpëtimin e jetës.