ATV

Author: K.B.

  • Ju ënjten këmbët gjatë verës? Ja truku se si të shpëtoni njëherë e mirë

    Ju ënjten këmbët gjatë verës? Ja truku se si të shpëtoni njëherë e mirë

    Në ditët e nxehta të verës është shumë e zakonshme që këmbët, kyçet dhe shputat të fryhen. Temperaturat e larta shkaktojnë zgjerimin e enëve të gjakut (vazodilatacion), gjë që e bën më të vështirë kthimin e gjakut nga këmbët drejt zemrës. Si pasojë, lëngjet grumbullohen në inde dhe krijojnë ënjtje, ndjesi rëndese dhe lodhje.

    Ky fenomen nuk prek vetëm personat me probleme të qarkullimit. Edhe njerëzit plotësisht të shëndetshëm mund të përjetojnë ënjtje gjatë verës, sidomos nëse qëndrojnë për orë të tëra ulur ose në këmbë, udhëtojnë për një kohë të gjatë, konsumojnë shumë kripë ose nuk pinë mjaftueshëm ujë. Gratë, të moshuarit dhe personat me insuficiencë venoze janë më të prirur ta përjetojnë këtë problem.

    Truku i rekomanduar nga angiologët

    Këshilla kryesore e specialistëve është të aktivizoni rregullisht “pompën muskulore” të pulpës së këmbës. Muskujt e pulpës funksionojnë si një pompë natyrale që shtyn gjakun lart drejt zemrës. Kur ecim ose lëvizim kyçet e këmbëve, qarkullimi përmirësohet dhe zvogëlohet grumbullimi i lëngjeve. Nëse qëndrojmë pa lëvizur për periudha të gjata, kjo pompë nuk punon siç duhet dhe ënjtja përkeqësohet.

    Çfarë mund të bëni gjatë ditës:

    Ecni për disa minuta çdo orë nëse punoni ulur.

    Nëse qëndroni në këmbë për shumë kohë, bëni herë pas here ngritje mbi majat e gishtave ose lëvizni kyçet.

    Shmangni të qëndruarit në të njëjtin pozicion për shumë orë.

    Kur pushoni, mbani këmbët pak më lart se niveli i zemrës për të lehtësuar kthimin venoz.

    Pini ujë rregullisht gjatë gjithë ditës për të shmangur dehidratimin.

    Kufizoni ushqimet shumë të kripura, pasi favorizojnë mbajtjen e lëngjeve.

    Vishni këpucë të rehatshme që nuk shtrëngojnë këmbët.

    Freskimi i këmbëve.

    Një tjetër këshillë është përdorimi i ujit të freskët për këmbët ose dushi me ujë të vakët drejt të freskët, veçanërisht në fund të ditës. Temperaturat e ulëta ndihmojnë enët e gjakut të rikthehen në gjendjen normale dhe japin ndjesinë e lehtësimit. Në të kundërt, banjat shumë të nxehta, sauna ose ekspozimi i zgjatur në diell mund ta përkeqësojnë problemin.

  • Turqi, valë arrestimesh përpara samitit të NATO-s

    Turqi, valë arrestimesh përpara samitit të NATO-s

    Kryeqyteti turk, Ankaraja, po përgatitet për samitin e NATO-s më 7 dhe 8 korrik. Në kohë luftërash globale dhe tensionesh gjeopolitike, dhe në sfondin e kërcënimeve nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump, samiti konsiderohet veçanërisht i rëndësishëm. Turqia i siguron NATO-s ushtrinë e dytë më të madhe dhe siguron krahun juglindor të Aleancës. Prandaj, roli i Ankarasëmbart një peshë të konsiderueshme politike. Për më tepër, një president i SHBA-së pritet në Turqi për herë të parë në 17 vjet. Barack Obama e vizitoi vendin për herë të fundit në vitin 2009.

    Megjithatë, përgatitjet kanë rënë në hije nga zhvillimet politike të brendshme. Sipas autoriteteve dhe raporteve, janë arrestuar gjithsej 225 persona, 178 prej të cilëve aktualisht janë në paraburgim. Midis të ndaluarve janë aktivistë të të drejtave të njeriut, përfaqësues të shoqërisë civile, akademikë, aktivistë mjedisorë, gazetarë dhe studentë. Një ndalim dyjavor për tubimet publike është gjithashtu në fuqi në Ankara.

    Akuza për terrorizëm

    Zyra e prokurorit publik deklaroi se hetimet synojnë “zbulimin e aktiviteteve të organizatave terroriste në të gjithë vendin”. Midis të arrestuarve janë Nevzat Özer, përfaqësuesi i organizatës mjedisore TEMA në Ankara; Dr. Emel Memiş Parmaksız, lektore e ekonomisë në Universitetin e Ankarasë; Yıldız Tar, kryeredaktore e portalit të lajmeve LGBT Kaos GL dhe gazetare si dhe avokatët Semra Demir dhe Kürsat Bafra. Sipas informacioneve aktuale, ata akuzohen për “anëtarësim në një organizatë të armatosur terroriste” dhe janë lënë në paraburgim.

    Disa nga të akuzuarit u morën në pyetje për lidhjet e mundshme me organizatën e ndaluar komuniste TKP/ML.

    Kjo përfshinte pyetje në lidhje me emrat e koduar të mundshëm, trajnimin ushtarak dhe strukturat organizative. Sipas raportimeve, disa nga të akuzuarit deklaruan në gjykatë se nuk kishin dëgjuar kurrë më parë për organizatën. Akuzat mohohen nga të përfshirët.

    Shkencëtarja politike Parmaksız u mor në pyetje gjithashtu në lidhje me këto çështje. Ajo thuhet se u mor në pyetje, ndër të tjera, në lidhje me emrat e koduar, trajnimin e mundshëm në emër të një organizate, pjesëmarrjen në veprime dhe strukturat e komunikimit dhe financiare.

    Ajo i mohoi me forcë akuzat: “Nuk kam absolutisht asnjë lidhje ose përkatësi me këtë organizatë terroriste. Unë jam një studiuese. Këto janë akuza shumë serioze. Unë punoj për shtetin tim dhe popullin tim.”

    “Qeveria ka nevojë për mbulim pozitiv nga shtypi”

    Pse qeveria po ndërmerr këtë veprim pak para samitit të NATO-s, edhe pse në fakt po tërheq vëmendje ndërkombëtare?

    Shkencëtari politik Berk Esen, duke folur për DW, e përshkroi situatën si “të vështirë për t’u shpjeguar” dhe “jologjike”: “E kam të vështirë të shpjegoj një zhvillim që unë vetë nuk e kuptoj. Për një qeveri që kërkon mbulim pozitiv nga shtypi para samitit, ky nuk është një zhvillim i favorshëm.”

    Në të njëjtën kohë, ai tregon modele të përsëritura: “Në të kaluarën, ka pasur arrestime të përsëritura nga spektri i krahut të majtë para samiteve të NATO-s. Kjo shpesh interpretohej edhe si një sinjal për SHBA-në.” Megjithatë, në këtë rast, arrestimet përfshijnë edhe individë që, nga perspektiva e autoriteteve, mund të marrin pjesë potencialisht në protesta.

    Esen thekson gjithashtu: “Shumë prej të arrestuarve nuk kanë përkatësi politike apo lidhje me skenën e krahut të majtë. Kjo mund të shpjegohet edhe me dobësitë në sistemin e drejtësisë.”

    “Abuzim me ligjet”

    Human Rights Watch gjithashtu shpreh kritika të forta. Benjamin Ward i organizatës foli për një “abuzim të ligjeve antiterrorizëm për të kryer arrestime masive dhe për të heshtur njerëzit pak para një samiti të NATO-s”. Kjo bie ndesh me vlerat themelore të aleancës.

    Ward kërkoi lirimin e menjëhershëm të të ndaluarve. Ai deklaroi gjithashtu se “pastrimi i rrugëve të Ankarasë nga demonstruesit e mundshëm” vetëm sa e bën më të dukshëm represionin në rritje të qeverisë. Aleatët e Turqisë në NATO duhet të përdorin ndikimin e tyre për të sjellë një ndryshim kursi.

  • Berberët në Gjilan i rrisin çmimet: Prerja e flokëve nga 5 në 7 euro

    Berberët në Gjilan i rrisin çmimet: Prerja e flokëve nga 5 në 7 euro

    Berberët në Gjilan, duke filluar nga sot, më 1 korrik, kanë vendosur të ndryshojnë çmimet e shërbimeve të prerjes së flokëve, shkruan mediumi lokal, Radio Star.

    Sipas informatave të fundit, një pjesë e madhe e berberëve kanë rritur çmimin e prerjes së flokëve nga 5 euro në 7 euro.

    Në të kaluarën, çmimet e prerjeve varionin nga 3 euro, ndërsa me kalimin e viteve dhe rritjen e kostove të jetesës, pagave dhe shpenzimeve të bizneseve, tarifat janë rritur gradualisht.

    Radio Star shkruan se nga sektori kanë bërë të ditur se në disa sallone të qytetit, çmimi i prerjes së flokëve arrin deri në 10 euro, varësisht nga lokacioni dhe lloji i shërbimit që ofrohet.

  • Netanyahu i përgjigjet Erdoganit: 400 vjet sundim osman kanë mbaruar, do të ishte mirë të qetësohesh

    Netanyahu i përgjigjet Erdoganit: 400 vjet sundim osman kanë mbaruar, do të ishte mirë të qetësohesh

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan duhet të “qetësohet” në retorikën e tij ndaj Izraelit, gjatë një interviste për Channel 14.

    “Gjërat që thotë Erdogan për dëshirën për të shkatërruar Izraelin dhe për të sunduar përsëri Jerusalemin – mendoj se ai harroi se 400 vjet sundim osman kanë mbaruar. Sot ka një vend të fortë këtu të quajtur Izrael. Ka një ushtri izraelite. Ka një komb të Izraelit. Dhe ekziston qeveria e Izraelit. Dhe do të ishte e mençur që ai të qetësohej”, tha Netanyahu.

    Ai tha se nuk do të lejonte askënd të kërcënonte ekzistencën e Izraelit.

    “Nuk do të lejojmë askënd të kërcënojë ekzistencën tonë. Nuk do të lejojmë askënd të kërcënojë sigurinë tonë. Dhe mendoj se treguam se çfarë mund të bëjmë”, tha ai.

    Gazetari e pyet gjithashtu Netanyahun rreth shqetësimeve të Izraelit në lidhje me Egjiptin, duke iu referuar raporteve të medias izraelite gjatë vitit të kaluar për shqetësimin në rritje në Tel Aviv lidhur me një prani ushtarake në zgjerim në Gadishullin e Sinait, të cilën e thotë se shkel klauzolat e demilitarizimit të traktatit të paqes të vitit 1979 me Kajron.

    “Fola me egjiptianët dhe u thashë atyre se çfarë pres të bëhet. Një pjesë e kësaj tashmë po zbatohet. Këto janë gjëra që thjesht përfshijnë ruajtjen e një marrëveshjeje midis nesh. Mendoj se duhet të mbrojmë kufijtë tanë, por duhet ta kuptojmë: ndërsa një fuqi bie, një tjetër fuqi ngrihet. Kështu funksionojnë gjithmonë gjërat. Dhe fuqia që duhet të vazhdojë të ngrihet, dhe më shpejt, është Shteti i Izraelit”, tha Netanyahu.

  • Dështon fillimi i gjykimit ndaj 21 të akuzuarve për dëbimin e shqiptarëve gjatë luftës

    Dështon fillimi i gjykimit ndaj 21 të akuzuarve për dëbimin e shqiptarëve gjatë luftës

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën ka dështuar të nisë gjykimi në mungesë ndaj 21 të akuzuarve lidhur me dëbimin e mbi 800 mijë shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë më 1999.

    Në këtë rast, të akuzuar janë: Zlatomir Peshiq, Mladen Cirkoviq, Radomir Markoviq, Dushko Adamoviq, Obrad Stevanoviq, Zhivko Trajkoviq, Goran Radosavljeviq, Bogoljub Janiçeviq, Sllavisha Ivanoviq, Boshko Vukiqeviq, Sreten Popoviq, Nikolla Petroviq, Krsman Jeliq, Ljubisha Stojimiroviq, Bozhidar Deliq, Radojko Stefanoviq, Dragan Zhivanoviq, Millosh Doshan, Ljubinko Cvetiq, Bozhidar Filiq dhe Millovan Kovaçeviq.

    Fillimisht, prokurorja speiale Florije Salihu-Shamolli tha se Prokuroria ka ndërmarrë të gjitha veprimet që arsyetojnë mundësinë e ngritjes së aktakuzës në mungesë, pasi që edhe pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve të pandehurit kanë qenë të paarritshëm për Prokurorinë dhe janë plotësuar kushtet që Gjykata të fillojë shqyrtimet kryesore, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Kurse, gjykatësja Medie Bytyqi tha se Gjykata i ështe drejtuar Odës së Avokatëve të Kosovës për sigurimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare për të akuzuarit, mirëpo pasi OAK nuk e ka njoftu Gjykatën për listën e avokatëve që do të përfaqësojnë të pandehurit në këtë çështje penale, Gjykata e ka pasur të pamundur që avokatët t’i pajisë me aktakuzë sipas Kodit të Procedurës Penale.

    Gjykatësja tha se meqenëse Gjykata është njoftuar sot në ketë seancë me secilin avokat të caktuar nga Oda, seanca u ndërpre për pak minuta, për t’ua shpërndarë aktakuzën.

    Pas kthimit nga pauza, u konstatua mungesa e avokatit Adhurim Gashi, për të akuzuarin Krsman Jeliq, i cili sipas gjykatëses Bytyqi, nuk e ka njoftuar Gjykatën për arsyet e mosprezencë. Ndërsa dy avokatë të tjerë- Zanfir Kryeziu (për të akuzuarin Goran Radosavljeviq) dhe Zyhdi Axhemi (për të akuzuarin Bogoljub Janiçeviq), nuk janë rikthyer në seancë pas pauzës.

    Në këto rrethana, duke konsideruar që avokatët nuk janë pajisur me shkresa të lëndës, seanca u shty.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 15 gusht 2025 kishte ngritur aktakuzë në mungesë ndaj 21 personave lidhur me dëbimin e mbi 800 mijë shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë më 1999.

  • Kërkohet paraburgim për të dyshuarin në Ferizaj, liroi motelin për prostitucion

    Kërkohet paraburgim për të dyshuarin në Ferizaj, liroi motelin për prostitucion

    Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore e këtij qyteti, caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit E.Gj., për shkak të dyshimit të veprave penale “Mundësimi ose detyrimi në prostitucion” dhe “Ofrimi i lokaleve për prostitucion”.

    Në komunikatë bëhet e ditur, se sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri E.Gj., gjatë muajit qershor të vitit 2026, rruga“Ilir Konushevci”, në Ferizaj, me dijeni në cilësinë e menaxherit, ka ofruar motelin e tij për të mundësuar prostitucionin, me të cilën kishte për të kryer veprën penale “Ofrimi i lokaleve për prostitucion”.

    Po ashtu, ekziston dyshimi i bazuar se gjatë muajit qershor 2026, në Ferizaj, me dashje ka mundësuar ushtrimin e prostitucionit, në atë mënyrë që i pandehuri si menaxher i motelit, ka punësuar B.Xh., me qëllim që të ofrojë shërbime seksuale me pagesë për klientët e tij, kështu që me datë 29 qershor 2026, pas zbatimit të masës së veçantë, i pandehuri është zënë në flagrancë dhe është arrestuar nga zyrtarët policor, me të cilën kishte për të kryer veprën penale “Mundësimi ose detyrimi në prostitucion”.

    I pandehuri me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48-orësh për veprat penale të lartëcekura.

  • Opera e Kosovës sjell në skenë diptikun e Puccinit, premiera më 1 korrik në Prishtinë

    Opera e Kosovës sjell në skenë diptikun e Puccinit, premiera më 1 korrik në Prishtinë

    Opera e Kosovës do të ngjisë në skenë një nga krijimet më të veçanta të repertorit operistik botëror, duke prezantuar “Diptikun” operistik të Giacomo Puccinit, një cikël të përbërë nga dy opera në një akt: Suor Angelica dhe Gianni Schicchi, me librete të Giovacchino Forzano.

    Ky produksion vjen si një interpretim i konceptit origjinal të Puccinit, i cili i kishte menduar këto vepra si pjesë të një tërësie dramaturgjike. Premiera botërore e këtij cikli u mbajt më 14 dhjetor 1918 në Metropolitan Opera në New York, duke shënuar një moment të rëndësishëm në historinë e operës.

    Produksioni i Operës së Kosovës realizohet nën regjinë e Luca Ramacciotti, me drejtim muzikor skenik nga Elisa Montipò dhe koordinim artistik nga Franco Moretti, emra të njohur të skenës operistike evropiane.

    Në interpretim do të paraqiten Kori dhe Orkestra e Operës së Kosovës, të cilët do të performojnë nën drejtimin e Maestro Jacopo Sipari di Pescasseroli, duke sjellë para publikut një përvojë artistike që bashkon dramën lirike të Suor Angelica me komedinë brilante Gianni Schicchi.

    Shfaqjet e “Diptikut” përfshijnë të dy operat në një akt, të realizuara si një njësi e vetme dramaturgjike, duke respektuar vizionin artistik të Puccinit dhe duke i ofruar publikut një kontrast të fuqishëm emocional mes tragjedisë dhe komedisë.

    Premiera do të mbahet më 1 korrik, ndërsa rishfaqja më 3 korrik, në AMC Hall, duke filluar nga ora 20:00.

    Opera e Kosovës fton të gjithë artdashësit të bëhen pjesë e kësaj ngjarjeje të rëndësishme kulturore, e cila sjell në Prishtinë një nga kryeveprat më të vlerësuara të repertorit operistik ndërkombëtar.

  • Arrestimi i dy personave për grabitje në Prishtinë, policia jep detaje

    Arrestimi i dy personave për grabitje në Prishtinë, policia jep detaje

    Dy persona janë arrestuar për shkak se nga tri viktimat dy femra braziliane dhe një mashkull rumun), nën kërcënimin e thikës, ua kishin grabitur: dy telefona celular, 1500 euro, disa bizhuteri dhe më pas të dyshuarit ishin larguar në drejtim të panjohur.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të martën rreth orës 22:20, në rrugën “Ymer Aliu”, në Prishtinë.

    Tutje bëhet e ditur te të dyshuarit, njësitë policore, kanë gjetur dhe konfiskuar dy telefonat e grabitur, bizhuteritë, një pjesë të parave, si dhe dy thika të cilat dyshohet se i ishin përdorë në rast

    “Rr. Ymer Aliu, Prishtinë 30.06.2026 – 22:20. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, për shkak se nga tri viktimat (dy femra braziliane dhe një mashkull rumun), nën kërcënimin e thikës, ua kishin grabitur: dy telefona celular, 1500 euro, disa bizhuteri dhe më pas të dyshuarit ishin larguar në drejtim të panjohur. Te të dyshuarit, njësitë policore, kanë gjetur dhe konfiskuar dy telefonat e grabitur, bizhuteritë, një pjesë të parave, si dhe dy thika të cilat dyshohet se i ishin përdorë në rast. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në raport.

  • ​Publikoi video “urrejtëse” nga Gazimestani, serbi kërkohet nga Kosova për përçarje

    ​Publikoi video “urrejtëse” nga Gazimestani, serbi kërkohet nga Kosova për përçarje

    Policia kosovare ka iniciuar rast për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, pas dyshimeve se një shtetas i Serbisë ka publikuar një video me përmbajtje që nxit urrejtje gjatë manifestimit të mbajtur në Gazimestan.

    Në raportin 24 orësh Policia nuk ka bërë me dije se cila është kjo video.

    “Mazgit, Obiliq 28.06.2026-NN. Me 30.06.2026 nga inteligjenca është pranuar informatë se i dyshuari mashkull i Serbisë, gjatë manifestimit në Gazimestan ka bërë video-nga aty me përmbajtje nxitje të urrejtjes. Në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti ‘Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit’ “, thuhet në njoftim.

    Ndërkaq, siç thuhet në raport është verifikuar se i dyshuari me 28.06.2026 ka dalë nga Kosova përmes PKK-Jarinje.

  • Zjarrfikësit e Prishtinës bëhen me maunë të re

    Zjarrfikësit e Prishtinës bëhen me maunë të re

    Kamioni i ri sulmues për nevojat e Brigadës Profesionale të Zjarrfikësve të kryeqyetit, investim prej 330 mijë euro është prezantuar të mërkurën, në një aktivitet në Kodër të Trimave.

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se i njëjti do të përdoret për ndërhyrje në zjarret urbane dhe raste të tjera emergjente.

    Sipas tij, synimi kryesor i këtij kamioni është të rrisë efikasitetin e zjarrfikësve në reagimet emergjente si dhe bëri të ditur se gjatë këtij viti është planifikuar edhe blerja e një kamioni tjetër të projektuar për ndërhyrje në zjarret malore.

    “Kemi një kamion të ri për zjarrfikësit. Pra, për herë të parë Komuna e Prishtinës, kryeqyteti faktikisht, ka investuar në një mjet të ri. Pra, është nga fabrika, Një kamion sulmues, i cili është i dizajnuar për me i ndihmuar në raste ku luftohet, me zjarr në zonat urbane. Pra, është i dizajnuar pikërisht për luftën ndaj zjarrit në zonat urbane… Kjo është një prej investimeve të shumta që kryeqyteti po i bën për me e ngritë sigurinë në kryeqytet. Kemi buxhetuar që këtë vit po ashtu të kemi edhe kamionin tjetër të ri, i cili do të na ndihmojë në raste të zjarreve në zonat malore… Ky është një investim prej 330,000 eurove. Pra, ky kamion kushton 330,000 euro. Tash kemi buxhetuar edhe një investim tjetër të rreth 300,000 euro për kamionin tjetër që e përmenda,i dizajnuar për zjarre malore”, u shpreh ai.

    Ai shtoi se Komuna e Prishtinë ka investuar edhe në ngritjen e kapaciteteve për aspektin e shëndetit të zjarrfiksëve, në mënyrë që sipas tij të kenë mudësi më trë miraq që të i ndihmonë qytetarët në rast nevoje.

    “Ne kemi tash edhe fizioterapie për secilin prej zjarrfikësve si pjesë e proceseve. Pra, po ashtu edhe mbikëqyrje pa pagesë për të gjithë zjarrfikësit. Pra, kemi edhe shpuzat të cilat janë të dizajnuara nga nutricionistët që tash u shërbejnë zjarrfikësve tanë në kryeqytet. Pra, janë këto një mori intervenimesh të cilat ne si kryeqytet i kemi parë si të domosdoshme që t’ju ndihmojmë zjarrfikësve tanë për me qenë, po them, në pozitë më të mirë që t’ju ndihmojnë secilit qytetar të kryeqytetit e përtej”, tha ai.

    Ndërsa drejtori i Brigadës Profesionale të Zjarrfikësve, Malë Gashi, i cili theksoi se automjeti i ri do të zëvendësojë një pjesë të flotës së vjetruar që shpesh shkaktonte vonesa për shkak të defekteve.

    “Problemet në të kaluarën, i kam cek disa herë edhe për juve, problemet më të mëdha i kemi pas automjetet e vjetra se kanë defekte shumë dhe na humbin kohë duke u marrë me to e duke mos i pasur në shërbim. Ndërsa automjeti, ky automjet i ri është i garantuar për disa vite nga vetë operatori ekonomik, e gjithashtu edhe vetë që është i ri i ka edhe 15 vite që na nuk mendojmë më për një kamion të tillë”, tha Gashi.

    Se modernizimi i flotës së zjarrfikësve do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, me synim zëvendësimin e të gjitha automjeteve të vjetra dhe ngritjen e kapaciteteve operative të brigadës, e tha drejtori i Sigurisë dhe Emergjencave, Lulëzim Fushtica.

    “Të gjitha këto, edhe në këtë vit do të jetë edhe një kamion i tjetër, por në strategjinë tonë është ndërrimi i të gjithë flotës të vjetruar nga automjetet, në tre vitet e ardhshme. Pra, qëllimi jonë është që të ndërrohet e gjithë flota, të ngriten kapacitetet, të ngritet numri i zjarrfikësve proporcionalisht me numrin e banorëve në kryeqytet dhe që kryeqyteti ta ketë brigadën profesionale, që e ka, por do ta modernizojmë, do t’i ngriten kapacitetet, si ato logjistike, po ashtu edhe ato në aspektin e burimeve njerëzore, dhe të jetë shembull, siç është shembull për të gjitha komunat e tjera”, tha Fushtica. /KP/