ATV

Author: K.B.

  • Malit të Zi i janë ndarë 3.2 miliardë euro nga buxheti i ardhshëm shtatëvjeçar i BE-së

    Malit të Zi i janë ndarë 3.2 miliardë euro nga buxheti i ardhshëm shtatëvjeçar i BE-së

    Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, njoftoi se vendi i tij është përfshirë në buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar të Bashkimi Evropian për periudhën 2028–2034.

    Spajiq e bëri të ditur lajmin përmes rrjetit social X, duke theksuar se bëhet fjalë për një zhvillim të rëndësishëm që ka mbërritur zyrtarisht nga Brukseli.

    Ai tha se Mali i Zi është bërë pjesë e kornizës së ardhshme financiare të BE-së për periudhën 2028–2034.

    “Vendi ynë është i vetmi shtet kandidat i përfshirë në këtë kornizë financiare, gjë që konfirmon se BE-ja e sheh Malin e Zi si anëtarin e saj të ardhshëm. Sipas projeksioneve të Komisioni Evropian, Mali i Zi do të mund të shfrytëzojë rreth 3.2 miliardë euro nga buxheti i BE-së, sipas të njëjtës strukturë që vlen për shtetet anëtare. Kjo nënkupton më shumë investime, mbështetje më të fuqishme për ekonominë, infrastrukturën, bujqësinë, politikat sociale, komunitetet lokale dhe, mbi të gjitha, një cilësi më të mirë të jetës për qytetarët tanë. Falënderoj Komisionin Evropian për besimin, partneritetin dhe mbështetjen në rrugën drejt anëtarësimit të afërt të Malit të Zi në BE”, shkroi Spajiq.

    Kreu i qeverisë malazeze shprehu gjithashtu mirënjohje të veçantë për Qipro, e cila kryesoi Këshilli i Bashkimit Evropian gjatë gjashtë muajve të fundit.

    Sipas njoftimit, Komisioni Evropian, pas 17 vitesh, ka nisur punën për Traktatin e Anëtarësimit të një shteti të ri në BE dhe ka prezantuar paketën financiare që lidhet me anëtarësimin e Malit të Zi.

  • Ambasada e SHBA-së falendëron ata që morën pjesë në shënimin e 250 vjetorit: Prania juaj e bëri festën të veçantë

    Ambasada e SHBA-së falendëron ata që morën pjesë në shënimin e 250 vjetorit: Prania juaj e bëri festën të veçantë

    mbasada e SHBA-së ka falendëruar të gjithë ata që kanë marrë pjesë të martën në festën për 250 vjetorin e pavarësisë së SHBA-së.

    “Faleminderit të gjithëve që na u bashkuan dje në Ambasadën Amerikane në Pristinë, për të festuar 250-vjetorin e Pavarësisë së Amerikës! Prania juaj e bëri këtë festë historike vërtet të veçantë. Shijoni disa nga momentet kryesore të mbrëmjes dhe ndani momentet tuaja të preferuara duke përdorur #Liria250. #250Dita e Pavarësisë”, thuhet në njoftim.

  • Rama në Gjermani, e mëson robotin si ta bëjë shqiponjën

    Rama në Gjermani, e mëson robotin si ta bëjë shqiponjën

    Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka shpërndarë në facebook një video nga Gjermania, ku duket se si bën me duar shqiponjën, veprim ky që kopjohet nga roboti.

    Ai gjendet në Bochum, ku mori pjesë në diskutimin me temë “IA mes Inovacionit, Rregullimit dhe Përgjegjësisë”.

    Ky gjest u prit me buzëqeshje nga të pranishmit, të cilët bënë gjithashtu bënë shqiponjën me duar.

  • Rezultati i zgjedhjeve, PZAP-ja i refuzon krejt ankesat

    Rezultati i zgjedhjeve, PZAP-ja i refuzon krejt ankesat

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar si të pabazuar ankesën e parashtruar nga Emilija Rexhepi, lidhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar dy ankesa të parashtruara nga nënkryetarja e NDS-së, Emilija Rexhepi, e cila kishte kërkuar verifikimin dhe hetimin e votave të fituara nga disa subjekte të komuniteteve joshumicë, duke pretenduar manipulim dhe cenim të përfaqësimit autentik.

    Në ankesën e parë (ZP.Anr.58/2026), Rexhepi kishte kontestuar votat e subjektit serb “Za slobodu, pravdu i opstanak”, të cilat u realizuan në gjashtë vendvotime në mjediset boshnjake të Komunës së Prizrenit (Reçan, Lubinjë e Epërme, Lubinjë e Poshtme, Manastiricë, Gërnçar dhe Planjanë), duke theksuar se në këto zona, sipas të dhënave zyrtare demografike, nuk ka prani reale të komunitetit serb.

    Ndërsa në ankesën e dytë (ZP.Anr.57/2026), ajo kishte vënë në pah një disproporcion tjetër të madh në fshatin Velezhë, ku “Koalicioni Vakat” (subjekt boshnjak) kishte marrë 94 vota, përkundër faktit se sipas regjistrimit të popullsisë ASK/ReKos 2024, ky fshat ka gjithsej 395 banorë, prej të cilëve 394 janë shqiptarë dhe vetëm një është boshnjak.

    PZAP i përbërë nga gjyqtarët Ramush Bardiqi (kryesues), Hidajete Gashi Alaj dhe Kujtim Pasuli (anëtarë), ka vendosur lidhur me ankesën e subjektit politik Lista Serbe, me seli në Mitrovicën e Veriut.

    Ankesa ishte paraqitur kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Nr. 01/1375-2026, të datës 27.06.2026, për shpalljen e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 07 qershor 2026.

    Sipas panelit, pretendimet për vota të parregullta në zona pa komunitet serb janë të pabazuara, pasi e drejta e votës është personale, e barabartë dhe e fshehtë, ndërsa lista e votuesve nuk përmban të dhëna për përkatësinë etnike.

    Derisa, PZAP ka refuzuar si të pabazuar ankesën e parashtruar nga Bekim Haxhiu, kandidat për deputet nga radhët e PDK-së.

    Ankesa kishte të bënte me vendimin e KQZ-së për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit 2026, të cilat ankuesi i konsideronte të pasakta dhe të paverifikuara.

    Sipas PZAP-së, pretendimet për parregullsi gjatë numërimit dhe rinumërimit nuk qëndrojnë, ndërsa procesi i rinumërimit në QNR nuk ka vërtetuar shkelje që do të ndikonin në rezultatet përfundimtare.

  • Kërkohej nga INTERPOL-i për drogë, ekstradohet nga Kosova drejt Gjermanisë shtetasi gjerman

    Kërkohej nga INTERPOL-i për drogë, ekstradohet nga Kosova drejt Gjermanisë shtetasi gjerman

    Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, sot më 01.07.2026, ka bërë ekstradimin e shtetasit gjerman A.R., nga Kosova për në Gjermani.

    I dyshuarit ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL-it me letër-rreshtim ndërkombëtar lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Gjermanisë, për veprën penale “Trafikim me narkotik”.

    Ekstradimi u realizuan bazuar në ligjet në fuqi dhe pas bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre gjermane.

  • Chris Brown humb gjyqin me shërbyesen e shtëpisë, urdhërohet t’i paguajë 13 mln dollarë për shkak se ajo u sulmua nga qeni i tij

    Chris Brown humb gjyqin me shërbyesen e shtëpisë, urdhërohet t’i paguajë 13 mln dollarë për shkak se ajo u sulmua nga qeni i tij

    Këngëtari me famë botërore, Chris Brown është urdhëruar nga gjykata që të paguajë 12.9 milionë dollarë dëmshpërblim për pastruesen e shtëpisë, e cila u sulmua nga qeni i këngëtarit në një prej pronave që tij.

    Pas një gjyqi dyjavor në Los Angeles, juria vendosi në favor të Maria Avilës, e cila u sulmua nga një qen kaukazian 90 kg në pronësi të Brown, ndërsa ajo po hidhte mbeturinat në shtëpinë e tij në Tarzana të Kalifornisë.

    Avila tha në gjyq se pësoi lëndime serioze në krah dhe fytyrë, duke pasur nevojë për dhjetëra qepje dhe transplante lëkure nga barku në krah.

    Ajo tha se pësoi gjithashtu çrregullim të stresit post-traumatik dhe dëmtime nervore që ia vështirësuan punën.

    Brown ishte në shtëpi gjatë sulmit dhe, në dëshminë e tij, tha se e kishte mbyllur qenin në një kafaz pasi ai kishte plagosur Avilën.

    Roja e tij e sigurisë thirri një ambulancë, por Brown u largua para se të mbërrinte ambulanca, duke i thënë gjykatës se e bëri këtë për të shmangur një “cirk mediatik, për shkak të statusit tim si artist… kështu që më këshilluan të qëndroja larg”.

  • Prizreni hap oborret e pesë shkollave për parkim falas për bashkatdhetarët

    Prizreni hap oborret e pesë shkollave për parkim falas për bashkatdhetarët

    Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka njoftuar se me qëllim të lehtësimit të qëndrimit të bashkatdhetarëve gjatë sezonit veror, nga sot deri më 23 gusht do të lejohet hyrja dhe shfrytëzimi pa pagesë i oborreve të pesë shkollave, të cilat do të shërbejnë si hapësira parkingu.

    Sipas njoftimit, automjetet e bashkatdhetarëve dhe qytetarëve të tjerë të Komunës së Prizrenit mund të parkohen falas në oborret e shkollave “Lidhja e Prizrenit”, “Gjon Buzuku”, “Emin Duraku”, “Motrat Qiriazi” dhe “Dëshmorët e Zhurit” në Zhur.

    Totaj thekson se kjo synon të lehtësojë qarkullimin dhe gjetjen e vendeve të parkimit gjatë periudhës kur numri i vizitorëve në qytet rritet për shkak të ardhjes së mërgimtarëve.

    Autoritetet komunale u kanë uruar bashkatdhetarëve pushime të këndshme, një qëndrim sa më të bukur pranë familjeve të tyre dhe i kanë mirëpritur në Prizren.

  • ​“Certifikimi i rezultateve deri në fund të kësaj jave”, ja kur do të thirret seanca konstituive

    ​“Certifikimi i rezultateve deri në fund të kësaj jave”, ja kur do të thirret seanca konstituive

    Gjykata Supreme pritet të vendosë brenda dy ditëve të ardhshme për dy ankesat e paraqitura nga kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

    Përfundimi i këtij procesi konsiderohet vendimtar për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit dhe nisjen e procedurave për krijimin e institucioneve të reja.

    Megjithëse nga Gjykata Supreme nuk kanë bërë të ditur për KosovaPress nëse vendimi do të merret para skadimit të afatit ligjor, njohësit e proceseve zgjedhore vlerësojnë se, nëse nuk kërkohet rinumërim apo ndonjë veprim tjetër nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), certifikimi i rezultateve mund të bëhet deri në fund të kësaj jave.

    Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Qemajl Marmullakaj, thotë se Gjykata Supreme nuk është e obliguar ta shfrytëzojë tërë afatin ligjor për vendimmarrje.

    “Certifikimi i rezultateve duhet të ndodhë brenda afateve të parapara ligjore. Nëse Gjykata Supreme nxjerr vendimin ku nuk kërkon veprime shtesë nga ana e KQZ-së apo PZAP-së, atëherë certifikimi i zgjedhjeve mund të ndodhë brenda kësaj periudhe kohore, deri në fund të javës. Jo domosdoshmërisht Gjykata Supreme mund të presë deri në afatin e paraparë ligjor dhe kjo mund të shpie deri te një certifikim edhe më i hershëm i zgjedhjeve”, deklaron ai.

    Ai thekson se, pas certifikimit, nuk ekziston ndonjë pengesë ligjore që seanca konstituive e Kuvendit të thirret menjëherë, pavarësisht se Kushtetuta përcakton afatin maksimal prej 30 ditësh.

    Sipas tij, krahas konstituimit të legjislaturës së njëmbëdhjetë, nuk ka ndonjë normë që thekson se deputetët duhet të zgjedhin presidentin para formimit të qeverisë.

    “Afatet janë orientuese dhe jo detyrimisht duhet të presim 30 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve për konstituimin e Kuvendit. Kjo duhet të ndodhë menjëherë pas certifikimit të zgjedhjeve, menjëherë u.d. e presidentes mund të marrë veprime dhe të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit. Pastaj janë procedurat në bazë të Rregullores së Kuvendit, ku pesë ditë para mbajtjes së seancës konstituive kryetarja e Kuvendit të legjislaturës paraprake duhet t’i mbledhë përfaqësuesit e partive parlamentare që të përcaktojnë agjendën e seancës konstituive të Kuvendit. Sipas nenit 8 të Rregullores së Kuvendit, ky proces është procedural dhe nuk mund të tjetërsohet nga ana e kryetarit të Kuvendit të kaluar. Seanca konstituive në rend të ditës e ka formimin e komisionit të përhershëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, betimin e deputetëve, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit. Kjo duhet të ndodhë brenda tridhjetë ditëve afat kohor sipas legjislacionit në fuqi”, shton hulumtuesi i IKD-së.

    Certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve po e pret edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

    Ai tha të mërkurën se bisedimet politike për formimin e institucioneve do të nisin pas certifikimit të rezultateve.

    “Së pari duhet ta presim certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve dhe trajtimin e ankesave, e pastaj pa humbur kohë do t’i kemi komunikimet dhe diskutimet e nevojshme”, deklaroi Kurti.

    Mirëpo, sipas Marmullakajt, LVV-ja si fituese e zgjedhjeve do të duhej tashmë të kishte nisur konsultimet për krijimin e institucioneve të reja.

    “Do të duhej të ndodhnin deri më tani dhe duhet të ndodhin edhe gjatë kësaj jave deri në certifikimin final të zgjedhjeve. Po shpresoj se këto kanë ndodhur prapa dyerve të mbyllura apo do të ndodhin gjatë kësaj jave”, potencon ai.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit më 27 qershor.

    Nga këto zgjedhje partia e parë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion parazgjedhor me Guxo dhe Alternativa, me 47.13%, që ka fituar 53 ulëse. Partia Demokratike e Kosovës me 19.44% ka fituar 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës me 16.69% ka fituar 18 ulëse dhe Aleanca me 6.74% ka fituar shtatë ulëse.

    Vendimi i Gjykatës Supreme pritet të jetë hapi i fundit juridik para certifikimit të rezultateve zgjedhore.

    Krahas konstituimit dhe formimit të qeverisë, deputetët e legjislaturës së njëmbëdhjetë duhet edhe ta zgjedhin presidentin e ri, për të cilin ka afat 60 ditë prej momentit të konstituimit të Kuvendit.

    Zgjedhjet e 7 qershorit janë mbajtur pikërisht për shkak të dështimit të partive parlamentare për ta zgjedhur presidentin e vendit, pas përfundimit të mandatit të ish-presidentes Vjosa Osmani. /KP/

  • Gjini takon krerët e OVL-UÇK: Kujdesi për historinë tonë, investim për të ardhmen e shtetit dhe të fëmijëve tanë

    Gjini takon krerët e OVL-UÇK: Kujdesi për historinë tonë, investim për të ardhmen e shtetit dhe të fëmijëve tanë

    Kryetari i Aleancë, Ardian Gjini, ka pritur në selinë e Aleancës krerët e OVL-UÇK, të kryesuar nga Hysni Gucati.

    Gjini, në profilin e tij në Facebook, ka theksuar rëndësinë e respektit dhe kujdesit për historinë e Kosovës dhe për ata që kanë kontribuar për lirinë e vendit.

    “Respekti dhe kujdesi për historinë tonë, si dhe për ata që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës, janë investim për të ardhmen e shtetit dhe të fëmijëve tanë. Aleanca qëndron gjithmonë në mbështetje të vlerave të luftës çlirimtare”, ka shkruar Gjini.

  • U arrestuan 9 persona e sekuestruan para e vetura – Prokuroria i publikon pamjet e operacionit

    U arrestuan 9 persona e sekuestruan para e vetura – Prokuroria i publikon pamjet e operacionit

    Një operacion i gjerë kundër krimit të organizuar, i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Policia e Kosovës, me asistimin e Doganës së Kosovës dhe Administratës Tatimore të Kosovës, ka çuar në arrestimin e nëntë personave të dyshuar për disa vepra të rënda penale.

    Lidhur me këtë, prokuroria ka ndarë pamje nga aksioni i zhvilluar.

    “Gjatë zbatimit të urdhërkontrollit është gjetur dhe sekuestruar: · 15 mijë euro; · 5 vetura; · 5 autobot për transport të derivative; · 2 armë zjarri; · 54 fishekë; · Pajisje elektronike; · Dokumente të ndryshme dhe prova të tjera relavante për rastin. 301 euro në kartëmonedha prej 2 eurosh, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara. Në këtë operacionin policor kanë marrë pjesë njësitë relevante të Policisë, Doganës dhe ATK-ja”, thuhet në komunikatë mes tjerash.