ATV

Author: K.B.

  • Haradinaj pret delegacionin nga ShBA në Gllogjan, nderon Serwerin dhe Marquezin me medalje

    Haradinaj pret delegacionin nga ShBA në Gllogjan, nderon Serwerin dhe Marquezin me medalje

    Në prag të 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ish-kryetari i Aleancës ka pritur në Gllogjan një delegacion nga ShBA, të përbërë nga profesorët Daniel Serwer dhe Edward Joseph, Mario Marquez, Ramiz Tafilaj, si dhe shqiptaro-amerikanë të tjerë.

    Ai ka vlerësuar lart angazhimin e tyre për Kosovën, duke theksuar se mbështetja e vazhdueshme e miqve amerikanë është e rëndësishme për rrugën e vendit drejt rikthimit të partneritetit strategjik me aleatët, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Si shenjë respekti dhe mirënjohjeje për kontributin e tyre ndër vite ndaj Kosovës, ish-kryetari i Aleancës u ka ndarë medaljen “Me besim në Zot, Atdhe e Shtet” profesorit Daniel Serwer dhe Mario Marquez.

    “Në nderim të 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Gllogjan patëm nderin t’i presim delegacionin nga Amerika, në përbërje të Prof. Daniel Serwer, Prof. Edward Joseph, Mario Marquez dhe Ramiz Tafilaj dhe shqiptaro-amerikanë tjerë të respektuar”.

    “Angazhimi i tyre ndaj Kosovës është shumë me vlerë për rrugën dhe përcaktimet drejt rikthimit në partneritetin strategjik me aleatët, posaçërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me respekt dhe mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në të gjitha etapat, z. Daniel Serwer dhe z. Mario Marquez i dedikova medaljen “Me besim në Zot, Atdhe e Shtet”, ka shkruar ai.

  • AVONET vlerëson procesin e intervistimit për Kryeprokuror të Shtetit

    AVONET vlerëson procesin e intervistimit për Kryeprokuror të Shtetit

    Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET ka vlerësuar pozitivisht procesin e intervistimit të kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, duke theksuar se procedura është zhvilluar me transparencë, trajtim të barabartë dhe standarde të njëjta për të gjithë kandidatët.

    Në një deklaratë për media, AVONET bëri të ditur se ka monitoruar nga afër procesin e zhvilluar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, së bashku me organizata të tjera të shoqërisë civile, media dhe përfaqësues ndërkombëtarë.

    Sipas AVONET-it, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka krijuar praktika të mira në organizimin dhe zhvillimin e procedurave të përzgjedhjes për pozitat më të larta në sistemin prokurorial, duke garantuar një proces të hapur dhe të monitorueshëm.

    Organizata vlerësoi veçanërisht faktin se monitoruesve u ishte mundësuar të ndiqnin nga afër të gjitha fazat e intervistimit, ndërsa Paneli Vlerësues kishte aplikuar standarde të barabarta për secilin kandidat, si në formulimin e pyetjeve ashtu edhe në kohën e ndarë për përgjigje.

    “Ky proces dëshmon për përkushtimin e Panelit Vlerësues për të garantuar paanshmëri, trajtim të barabartë dhe integritet gjatë gjithë procesit të vlerësimit”, thuhet në deklaratën e AVONET-it.

  • Vendimi i ri i Speciales, aktgjykimi për Hashim Thaçin dhe të tjerët shpallet më 16 shtator 2026

    Vendimi i ri i Speciales, aktgjykimi për Hashim Thaçin dhe të tjerët shpallet më 16 shtator 2026

    Trupi Gjykues ka caktuar datën për shqiptimin e Aktgjykimit në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar k., Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, për më 16 shtator, në orën 10:00, thuhet në njoftimin e publikuar nga Gjykata Speciale.

    “Seanca do të jetë publike dhe mund të përcillet në gjuhën shqipe, angleze dhe serbie përmes faqes së internetit të DHSK-së ose nga galeria për publikun në mjediset e gjykatës”, thuhet në njoftim.

    “Në urdhrin për caktimin e datës, Trupi Gjykues shpjegoi se koha e nevojshme për kuvendimet ishte zgjatur në përputhje me Rregulloren, për shkak të vëllimit të madh të provave të marra dhe kompleksitetit të procesit gjyqësor, dhe se kjo zgjatje përligjej nga nevoja për të bërë një vlerësim të arsyetuar, tërësor dhe të drejtë të dokumentacionit të çështjes”, thuhet në njoftim.

  • Pritja për 250 vjetorin e pavarësisë së SHBA-ve, Osmani: Qëndruan pranë Kosovës në ditët më të vështira

    Pritja për 250 vjetorin e pavarësisë së SHBA-ve, Osmani: Qëndruan pranë Kosovës në ditët më të vështira

    Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ka marrë pjesë në pritjen e organizuar me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Përmes një postimi, Osmani ka vlerësuar rolin e SHBA-së në mbështetjen e Kosovës, duke theksuar se Amerika i është gjendur pranë vendit në periudhat më të vështira dhe është bërë pjesë e secilit sukses të Republikës së Kosovës.

    “Në pritjen e mbrëmshme për 250 vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shtetit që na u gjend pranë në kohët më të vështira dhe u bë pjesë e secilit sukses të Republikës sonë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

  • Publikohen rezultatet e vlerësimit të kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit

    Publikohen rezultatet e vlerësimit të kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit

    Paneli Vlerësues ka publikuar rezultatet e intervistimit të kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit.

    Rezultatet e intervistimit janë kështu: Zejnullah Gashi mori 91.6 pikë, Atdhe Dema 89.3 pikë, Naim Abazi 89 pikë, Rafet Halimi 87 pikë dhe Shqipdon Fazliu 86.5 pikë.

    Bazuar në këtë rezultat, të pesë kandidatët propozohen për votim në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

    Në garë janë pesë kandidatë: Atdhe Dema, Naim Abazi, Rafet Halimi, Shqipdon Fazliu dhe Zejnullah Gashi.

  • Stërvitja “Combat Power 26”, në Kroaci, FSK krah ushtrive aleate

    Stërvitja “Combat Power 26”, në Kroaci, FSK krah ushtrive aleate

    Forca e Sigurisë së Kosovës ka qenë pjesë e një ushtrimi të madh ndërkombëtar ushtarak të zhvilluar në Kroaci, ku krahas mijëra ushtarëve kroatë dhe pjesëtarëve të vendeve aleate të NATO-s, vendi ynë u përfaqësua me një kontingjent prej 45 ushtarakësh.

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili mori pjesë në aktivitet me ftesë të autoriteteve kroate, tha se pati mundësinë ta ndjekë nga afër ushtrimin dhe vlerësoi lart performancën e pjesëtarëve të FSK-së.

    Sipas tij, Republika e Kosovës u përfaqësua denjësisht nga kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i përbërë nga një tog luftarak i këmbësorisë dhe elementë të mbështetjes logjistike, përfshirë shoferë dhe kuzhinierë.

    “Jam veçanërisht krenar që Republika e Kosovës u përfaqësua denjësisht nga kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i përbërë nga 45 ushtarakë, të organizuar në një tog luftarak të këmbësorisë dhe elementë të mbështetjes logjistike, përfshirë shoferë dhe kuzhinierë. Gjatë gjithë stërvitjes, pjesëtarët tanë dëshmuan profesionalizëm, disiplinë dhe përkushtim të lartë, duke konfirmuar se Forca e Sigurisë së Kosovës zotëron aftësitë dhe kapacitetet për të vepruar me sukses krah për krah me ushtritë aleate dhe partnere”, ka shkruar Maqedonci.

    Ai theksoi se pjesëmarrja në ushtrime të tilla ndërkombëtare është dëshmi e zhvillimit të vazhdueshëm të FSK-së dhe e gatishmërisë së saj për të kontribuar në misione dhe aktivitete të përbashkëta me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë.

  • Ndahet nga jeta njëri prej themeluesve të celulave të para të UÇK-së në Prizren

    Ndahet nga jeta njëri prej themeluesve të celulave të para të UÇK-së në Prizren

    Është ndarë nga jeta Elbasan Xhezair Shoshaj, njëri nga themeluesit e celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rajonin e Prizrenit, veteran i luftës, veprimtar e patriot i përkushtuar, i cili jetën ia kushtoi lirisë dhe atdheut.

    Ngushëllime për vdekjen e veteranit ka shprehur kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj.

    Përmes një postimi në Facebook, Totaj tha se “përveç kontributit të tij në luftë, ai shërbeu me përkushtim për shumë vite edhe si bashkëpunëtor i Komunës së Prizrenit, duke lënë gjurmë me profesionalizmin, korrektësinë dhe respektin që gëzonte te kolegët e qytetarët”.

    “Në emrin tim dhe të Komunës së Prizrenit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Shoshaj, bashkëluftëtarëve, miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e vlerësuan. Kujtimi dhe vepra e Elbasan Shoshajt do të mbeten përherë pjesë e historisë sonë dhe e mirënjohjes sonë”.

  • Reshjet e mëdha të shiut bllokojnë rrugën në magjistralen Ferizaj-Gjilan

    Reshjet e mëdha të shiut bllokojnë rrugën në magjistralen Ferizaj-Gjilan

    Për shkak të reshjeve të mëdha të shiut që kanë rënë në fshatrat Dardani, Ramjan dhe Zllatar, rruga magjistrale Ferizaj – Gjilan, në fshatin Dardani, nga sasia e madhe e ujit, është e bllokuar plotësisht për qarkullimin e mjeteve.

    Kështu u bë e ditur nga policia e rajonit të Ferizajt.

    “Lusim shoferët e automjeteve që të përdorin rrugën alternative: nga drejtimi Ferizaj-Gjilan, të perdorin rrugën e fshatit Zllatar ndërsa nga drejtimi i Gjilanit në drejtim të Ferizajt, të përdorin rrugën Dardani-Zllatar, rruga skaj kompanisë Metali i Ri. Policia është ne vendin e ngjarjes dhe po e orienton trafikun”, u tha në njoftim.

  • Sekuestrohen 35 metra dru në Dragash, policia jep detaje

    Sekuestrohen 35 metra dru në Dragash, policia jep detaje

    Policia e Kosovës gjatë ditës së sotme ka sekuestruar 35 m/2 dru në Dragash, nën dyshimin se po transportoheshin nga Leposaviqi pa dokumentet përkatëse.

    Sipas njoftimit, ngasësi së bashku me kamionin dhe ngarkesën është ndaluar, ndërsa për rastin është njoftuar Agjencia Pyjore e Kosovës.

    “Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe garantimin e sigurisë publike, duke ndërmarrë veprime të vazhdueshme për identifikimin, parandalimin dhe ndalimin e dukurive që bien ndesh me ligjin. Këto veprime përfshijnë edhe mbrojtjen e ambientit dhe pyjeve, të cilat kanë rëndësi të veçantë për komunitetin dhe natyrën”.

  • Ngjarja tragjike në Batllavë, familja Ruhani jep njoftimin mortor

    Ngjarja tragjike në Batllavë, familja Ruhani jep njoftimin mortor

    25 vjeçari Lirim Ruhani, u gjet sot i pajetë në Liqenin e Batllavës.

    Njoftimi mortor u dha nga familja e të ndjerit.

    Në njoftim thuhet se data dhe koha e varrimit do të bëhen të ditura me kohë.

    “Nga zemra falënderojmë të gjithë familjarët, miqtë dhe të afërmit që po na qëndrojnë pranë në këto momente të rënda”, thuhet në njoftim.