ATV

Author: K.B.

  • Të shtëna me armë në Podujevë, dyshohet për persona të plagosur

    Të shtëna me armë në Podujevë, dyshohet për persona të plagosur

    Të shtëna me armë në Podujevë, policia në vend të ngjarjes

    Të shtëna me armë po raportohet të ketë ndodhur sot në qendër të Podujevës, ndërsa njësitet policore dhe ambulanca janë në vend të ngjarjes.

    Kaltrina Shala, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës ka bërë të ditur për Telegrafin se pas pranimit te informatës nga Policia e Kosovës, Prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Renda ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

    “Lidhur me rastin ju njoftojmë se pas pranimit të informatës nga Policia e Kosovës, Prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve hetimore për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarje”, tha Shala.

    Siç tha ajo deri më tani këto informata i posedojnë: “Për më shumë informacione ju njoftojmë me kohë”.

    Ndërkaq, sipas raportimeve të para nga mediat loakle disa persona kanë mbetur të plagosur dhe janë parë të shtrirë në shesh mirëpo dyshohet edhe për të vdekur.

  • 4 Korriku 2026 shpallet zyrtarisht “Dita e Miqësisë Amerikane në Prishtinë”

    4 Korriku 2026 shpallet zyrtarisht “Dita e Miqësisë Amerikane në Prishtinë”

    Në ngjarjen “America and Kosovo: A Freedom Story for the Next 250 Years”, Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, shpalli zyrtarisht 4 Korrikun 2026 “Ditën e Miqësisë Amerikane në Prishtinë”,

    Me këtë, Rama tha se po riafirmon miqësinë e veçantë dhe partneritetin ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

    Në të njëjtën ngjarje, Çelësi i Kryeqytetit iu nda profesorit amerikan, Daniel Serëer, ndërsa me Hyjneshën në Fron u nderuan Edward Joseph, Besa Pinchotti dhe Mario Marquez, për kontributin e tyre në forcimin e miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    “Urime 250-vjetori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës!”, shkroi në fund të njoftimit Komuna e Prishtinës.

  • Shifrat që surprizojnë: Sa paguhen donatorët e spermës në botë?

    Shifrat që surprizojnë: Sa paguhen donatorët e spermës në botë?

    Dhurimi i spermës është një proces që përdoret për të ndihmuar çiftet apo individët që nuk mund të kenë fëmijë natyrshëm, ndërsa për donatorët ofron edhe kompensim financiar.

    Sipas Donatesperm.com, në botë donatorët e spermës mund të përfitojnë deri në 1,400 dollarë në muaj, plus 300 dollarë shtesë për raste të suksesshme, varësisht nga frekuenca e vizitave dhe kohëzgjatja e angazhimit në program.

    Gjatë fazës së përzgjedhjes, kandidatët mund të marrin një bonus një herë pas pranimit në program, ndërsa pagesa zakonisht bëhet përmes çekut apo formave të tjera të rimbursimit.

    Donatorëve u kërkohet zakonisht të paraqiten në klinikë të paktën dy herë në javë për një periudhë minimale prej rreth gjashtë muajsh, ndërsa shuma totale e përfituar varet nga numri i dhurimeve dhe cilësia e tyre.

    Megjithatë, theksohet se për shumë donatorë, motivi kryesor mbetet ndihma për çiftet që dëshirojnë të krijojnë familje.

    Së fundi, në Kosovë ish banorja e BBVK-së, Xhuliana Nura ka ndjekur trajtim me IVF (fertilizim in vitro), duke realizuar endrrën për t’u bërë nënë vetushqyese.

  • Prattipati nderohet me fanellën e Kosovës me numrin 250 nga Federata e Futbollit

    Prattipati nderohet me fanellën e Kosovës me numrin 250 nga Federata e Futbollit

    E Ngarkuara me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, është nderuar me një fanellë të ekipit kombëtar të Kosovës me numrin 250, për nder të 250-vjetorit të Pavarësisë së ShBA-së.

    Përmes një njoftimi, Ambasada amerikane në Kosovë falënderoi Federatën e Futbollit të Kosovës për këtë gjest simbolik, duke e cilësuar atë si një shprehje të miqësisë së fortë ndërmjet dy vendeve.

    “Faleminderit Federata e Futbollit të Kosovës për këtë gjest domethënës dhe për festimin e miqësisë së qëndrueshme midis dy vendeve tona”, thuhet në njoftim.

  • Policia shpërndan protestuesit me ujë dhe gaz lotsjellës në Tiranë, disa të arrestuar

    Policia shpërndan protestuesit me ujë dhe gaz lotsjellës në Tiranë, disa të arrestuar

    Tensione dhe përplasje janë shënuar mëngjesin e së enjtes para Parlamentit, teksa protestuesit janë mbledhur aty rreth orës 09:20, para se të niste seanca plenare.

    Një pjesë e ligjvënësve socialistë ishin futur në sallë më herët, ndërsa të tjerët që mbërritën më vonë u sulmua me vezë dhe miell nga një grup protestuesish. Policia ndërhyri duke shoqëruar 8 prej tyre.

    Masat e sigurisë rreth Parlamentit janë shtuar që para nisjes së tubimit të qytetarëve. Përveç gardhit metalik dhe rrethimit të zonës, janë pozicionuar një autoblindë e forcave të sigurisë si dhe një autobot uji, i cili përdoret zakonisht për shpërndarjen e protestuesve në raste të përshkallëzimit të situatës.

    Ndryshe, protestuesit zhvilluan një protestë para Parlamentit ku u regjistruan disa incidente. Situata u tensionua ku pati përplasje fizike dhe hedhje të mjeteve piroteknike. /Euronews.al/

  • ​Popullsia e Kosovës po plaket, mosha mesatare pritet të arrijë 49 vjeç deri më 2060

    ​Popullsia e Kosovës po plaket, mosha mesatare pritet të arrijë 49 vjeç deri më 2060

    Parashikimet për vitin 2060 parasheh se mosha mesatare e popullsisë së Kosovës të jetë 49 vjeç ndërkaq sipas profileve komunale, Prishtina mbetet komuna me popullsinë më urbane, ndërsa Dragashi komuna me popullsinë më rurale, raporton KosovaPress.

    Këto ishin të dhënat kryesore që u prezantuan nga Agjencia e Statistikave të Kosovës e cila të enjten ka publikuar për herë të parë raportin mbi projeksionet e popullsisë deri në vitin 2060 dhe profilet e komunave.

    I pranishëm në këtë prezantim të raporteve ishte edhe Zëvëndësministri në detyrë i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Agon Batusha i cili tha se të dhënat statistikore janë thelbësore për hartimin e politikave dhe vendimmarrjen në nivel qendror e lokal.

    “Të gjithë e dimë që pa statistika, pa të dhëna, asnjë vendimmarrje nuk është e plotë dhe natyrisht që pa të dhëna, ne shumë lehtë mund të marrim vendime të cilat nuk do të kenë vlerë në dobi të qytetarëve, prandaj të dhënat e sakta, të detajuara janë esenciale për të marrë vendimet e duhura, jo vetëm ne si qeveri, ministri, por edhe, dhe sidomos, për komunat dhe agjencitë të cilat japin shërbime të drejtpërdrejta për qytetarët.… 01:39… Prandaj, puna që e ka bërë Agjencia e Statistikave të Kosovës, do ta lehtësojë jashtëzakonisht punën e kryetarëve të komunave dhe vendimmarrjen tonë në nivelin lokal, që t’ju japim shërbime dhe të planifikohen shërbime më të mira për qytetarët e Kosovës”, tha ai

    Në realizimin e këtyre dy raporteve kanë ndihmuar edhe dy ekspertë të huaj. Njëri ndër ta është eksperti Eduardo Jongstra i cili tha se, analizat janë hartuar në mënyrë që të jenë të kuptueshme për vendimmarrësit lokalë, ndërsa ndryshimet në urbanizim dhe migrim kanë ndikuar në dallimet e evidentuara mes dy regjistrimeve.

    “Për të arritur në një përgjigje, për të balancuar atë përzgjedhje të indikatorëve, ne kishim dy kriteret e mëposhtme: analiza duhet të jetë e thjeshtë, duhet të jetë e kuptueshme për njerëzit që nuk kanë asnjë përvojë në statistika apo demografi, sepse ajo është e destinuar për vendimmarrësit lokalë si rregull i përgjithshëm. Dhe kjo ishte në fakt pika e dytë, duhet të jetë relevante për të informuar administratorët lokalë dhe vendimmarrësit e politikave për zonat ku ata mundësisht mund të ndërmarrin veprime për të fuqizuar zhvillimin lokal….. Ajo që është më shqetësuese janë ndryshimet që ndodhin për shkak të lëvizjes së njerëzve. Dhe ka dy dimensione për këtë. Lëvizja lokale, urbanizimi, largimi nga zonat rurale drejt zonave urbane, por edhe lëvizja ndërkombëtare, migrimi ndërkombëtar. Dhe të gjithë ju e dini se Kosova është një vend migrues. Dua të thotë, njerëzit e zakonshëm të Kosovës gjatë gjithë kohës lëvizin jashtë vendit dhe kthehen”, tha ai.

    Ndërkohë, eksperti Tomas Kucera theksoi se ndryshimet në fertilitet, mortalitet, migracion dhe në strukturën e popullsisë grumbullohen me kalimin e kohës, prandaj nevojitet një vizion realist për zhvillimin e ardhshëm të popullsisë.

    Ai sqaroi se parashikimi kombëtar ishte i mundur falë të dhënave për lindjet, vdekjet, regjistrimin e popullsisë dhe migracionin ndërkombëtar, ndërsa në nivel komunal mungesa e statistikave të besueshme për migracionin e brendshëm dhe ndërkombëtar nuk lejoi hartimin e parashikimeve të plota.

    Kështu, drejtori ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati prezantoi statistikat e viteve 2011 dhe 2024 si dhe paraqiti raportin e parashikimeve për vitin 2060 i cili do të jetë i qasshëm në formë online.

    Ai tha se projeksionet e reja të popullsisë deri në vitin 2060 tregojnë një plakje graduale të popullsisë dhe rënie të shtimit natyror, por theksoi se ato duhet të shërbejnë si një udhërrëfyes për planifikim dhe jo si një parashikim i pandryshueshëm.

    Gjatë prezantimit të raportit për projeksionet e popullsisë, Kastrati deklaroi se dokumenti është hartuar mbi bazën e regjistrimit të popullsisë të vitit 2024, statistikave të lindjeve, vdekjeve dhe migracionit, duke ofruar tre skenarë të zhvillimit demografik.

    “Është e rëndësishme të kuptohet se ky nuk është një parashikim absolut i të ardhmes. Janë faktorë të ndryshëm që mund të ndikojnë. Ky është një projeksion, nëse do ta bazojmë në të dhënat që i kemi në dispozicion. Ndryshimi i popullsisë vitale, raporti tregon drejtimin e mundshëm të zhvillimeve demografike, nëse trendet aktuale vazhdojnë. Nëse arrijmë të krijojmë një shoqëri më të edukuar, me një migrim të nxitur, me një diasporë dhe të përmirësojmë kushtet, a trendet e të dhënave të moshës demografike mund të jenë edhe pak më ndryshe se sa këto që janë paraqitur këtu? Prandaj, ky raport duhet parë si një kornizë strategjike për planifikim dhe jo si një parashikim i pandryshueshëm, por standard. Sidomos kur ju komuna, pra e keni, e keni, e ka e ka profesori Thomas, e keni edhe një parashikim, ka një, një projeksion apo një estimation për 15 vitet, sepse ka qenë sfiduese me marrë”, u shpreh ai

    Ndërsa eksperti nga ASK-ja, Idriz Shala, prezantoi Profilet e Komunave, duke theksuar se ato ofrojnë një pasqyrë të detajuar statistikore për secilën komunë përmes 43 treguesve kryesorë, analizave sektoriale dhe hartave tematike, të cilat ndihmojnë në identifikimin e dallimeve zhvillimore dhe nevojave për investime.

    Ai bëri të ditur se Prishtina mbetet komuna më e madhe në vend me rreth 227 mijë banorë, apo 13-14 për qind të popullsisë së Kosovës, ndërsa pas saj renditen Prizreni, Ferizaj, Gjilani, Peja dhe Gjakova. Në anën tjetër, komunat më të vogla janë Kllokoti, Ranillugu dhe Parteshi.

    Sipas tij, ndryshimet demografike dhe migrimi kanë ndikuar edhe në strukturën e papunësisë, ndërsa Kosova vazhdon të ketë një shkallë të lartë të papunësisë së të rinjve në krahasim me vendet e Bashkimit Evropian.

    “Kjo tregon se kjo shpejtësi e rritjes më të madhe të migrimit ka ndikuar në ndryshimet e strukturës së papunësisë. Piramida e papunësisë së të rinjve pasqyron qartë këtë tranzicion, baza e saj po ngushtohet, ndërsa pjesa e sipërme po zgjerohet, duke reflektuar rritjen e numrit të të moshuarve. Në krahasim me Bashkimin Evropian, Kosova mbetet, një vend ku papunësia e të rinjve është relativisht e lartë. Sipas regjistrimit të vitit 2014, 23.8% e papunësisë në Kosovë ishte në moshën 15, ndërsa në Bashkimin Evropian ishte 14.8, 14.8% në 15.Kjo pasqyron qartë zhvillimin në nivelet arsimore, kjo gjatë periudhës 2012-2014, të dhënat tregojnë se ndryshimi i të papunëve me arsim të mesëm të lartë ose të lartë është rritur, ishte rreth 49.5% në vitin 2012 dhe 52.4% në vitin 2014. Kjo tregon një përmirësim të dukshëm në nivelin e arsimit në vend”, tha ai.

    Shala theksoi se të dhënat tregojnë edhe përmirësime në nivelin e arsimit dhe në kushtet e banimit, duke përfshirë qasjen në infrastrukturën bazë, elemente që sipas tij duhet të shërbejnë si bazë për hartimin e politikave publike dhe planifikimin e zhvillimit në nivel lokal. /KP/

  • ‘‘Po shkoj në kryeministri’’, Kurti sërish s’ju flet gazetarëve për formimin e institucioneve

    ‘‘Po shkoj në kryeministri’’, Kurti sërish s’ju flet gazetarëve për formimin e institucioneve

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti sërish iu është shmangur pyetjeve të gazetarve për sa i përket formimit të institucioneve.

    “Po shkoj në kryeministri”, tha shkurt Kurti, shkruan EO.

    Ndryshe, kjo s’është hera e vetme që lideri i VV’së, ka shmangur përgjigjen në pyetjet për formimin e institucioneve. I njëjti, ka thënë se duhet pritur certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, për të filluar diskutimet me partitë e tjera.

  • Lushi: Specialja po bën politikë, u bëj thirrje partive që Hashim Thaçin ta zgjedhin president

    Lushi: Specialja po bën politikë, u bëj thirrje partive që Hashim Thaçin ta zgjedhin president

    Ish-eprori i UÇK-së, Uk Lushi, ka kritikuar Gjykatën Speciale për shtyrjen e vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Ai ka bërë me dije se me këtë veprim Specialja ka treguar hapur se po bën politikë.

    Në profilin e tij në Facebook, Lushi ka shkruar se kjo gjykatë po mundohet t’ia ndalojë politikën Hashim Thaçit.

    “Gjykata Speciale me shtyerjen e verdiktit lirues për Presidentin Hashim Thaçi et al. për shtator 2026 ka treguar haptas që po bën politikë. Specialja po mundohet t’ia ndalojë politikën Hashim Thaçit. Trupi Gjykues i Speciales e di që verdiktet fillojnë e shkruhen prej ditës së parë të një gjykimi dhe mund të përfundohen brenda ditësh pas fjalëve përfundimtare. Koha nuk është justifikim më”, ka shkruar ai, duke shtuar se Thaci duhet të bëhet president.

    “U bëj thirrje VV-së, LDK-së, AAK-së, PDK-së dhe partive të pakicave në Kuvendin e Kosovës të zgjedhin Hashim Thaçin President sepse Specialja po sfidon shtetin e Kosovës duke u vendosur mbi shtetin. Sidomos Albin Kurti dhe VV e kanë rastin të tregojnë që ishin dhe janë kundër Speciales që ka kapur drejtësinë dhe shtetin. Le ta propozojnë Thaçin për President. Dhe mandej Specialja le të urdhërojë e dënojë Hashim Thaçin si President”, ka shkruar ai.

  • Zgjidhet ngërçi për punëtorët teknikë të shkollave në Prishtinë, premtohen paga dhe kontrata

    Zgjidhet ngërçi për punëtorët teknikë të shkollave në Prishtinë, premtohen paga dhe kontrata

    Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSPK) ka njoftuar se ka zhvilluar një takim me nënkryetarin e Komunës së Prishtinës, Florian Dushi, ku është diskutuar për statusin e punëtorëve teknikë të shkollave fillore në kryeqytet.

    Sipas njoftimit të federatës, në takim morën pjesë kryetari i FSPTSPK-së, Jusuf Azemi, bashkë me bashkëpunëtorët e tij, ndërsa tema kryesore ishte situata e punëtorëve teknikë, të cilët aktualisht janë pa kontrata pune dhe, si pasojë, ekzistonte rreziku që të mbeteshin edhe pa pagën për muajin qershor.

    FSPTSPK bën të ditur se në përfundim të takimit, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Florian Dushi, ka garantuar se nuk do të ketë largime nga puna dhe se punëtorët do të marrin pagat për muajin qershor.

    Po ashtu, sipas federatës, është premtuar se procedurat për lidhjen e kontratave të punës do të përfundojnë në afatin më të shpejtë të mundshëm.

    Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës thekson se do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet lidhur me këtë çështje dhe zbatimin e zotimeve të dhëna në takim.

  • ASK-ja publikon parashikimet e popullsisë dhe profilin e komunave

    ASK-ja publikon parashikimet e popullsisë dhe profilin e komunave

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka prezantuar dy publikime të reja që dalin nga procesi i regjistrimit të popullsisë: parashikimet e popullsisë dhe profili i komunave, të cilat organizohen për herë të parë në këtë format.

    Gjatë prezantimit u theksua se parashikimet e popullsisë ndihmojnë në kuptimin e zhvillimeve demografike në vitet në vijim, ndërsa profili i komunave ofron një pasqyrë krahasuese të zhvillimit lokal mes viteve 2011 dhe 2024.

    Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Agon Batusha, vlerësoi se të dhënat e publikuara nga ASK do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në punën e institucioneve lokale dhe planifikimin e shërbimeve publike.

    “Agjencia e Statistikave të Kosovës, në raportin për vendin të Bashkimit Evropian për Kosovën, gjithmonë ka nota pozitive dhe i plotëson standardet teknike që i kërkon Bashkimi Evropian. Prandaj, puna e ASK-së është në përputhje edhe me standardet e Bashkimit Evropian dhe na afron më shumë me Bashkimin Evropian në këtë fushë, por gjithsesi edhe ajo që është alfa dhe omega është që na lehtëson punën e secilit vendimmarrës në hartimin e politikave tona”, ka deklaruar Batusha.

    Edhe eksperti ndërkombëtar, Eduardo Jongstra, ka vlerësuar metodologjinë dhe kredibilitetin e të dhënave të përfshira në këto publikime.

    “Këto profile janë mjaft kredibile, sidomos duke marrë parasysh ndryshimet politike e ekonomike të cilat kanë ndodhur në mes të 2011 dhe 2014”, ka thënë Jongstra.

    Sipas ASK-së, për këto dy publikime janë realizuar gjithsej 56 raporte të bazuara në regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave të vitit 2024.