ATV

Author: K.B.

  • Infrakos: Mosrespektimi i distancës pranë hekurudhës do të monitorohet me kamera

    Infrakos: Mosrespektimi i distancës pranë hekurudhës do të monitorohet me kamera

    Infrakos ka njoftuar qytetarët dhe përdoruesit e rrugëve që kryqëzojnë linjën hekurudhore Fushë Kosovë-Pejë që të respektojnë brezin e sigurisë prej 3 metrash nga trupi i binarit.

    Sipas njoftimit, në vendkalime janë instaluar laura automatike me sistem sensorësh për të garantuar sigurinë e trafikut hekurudhor dhe atij rrugor.

    Po ashtu, theksohet se çdo mosrespektim i rregullave do të monitorohet me kamera dhe mund të raportohet te organet kompetente.

    Infrakos thekson se siguria në hekurudhë është përgjegjësi e përbashkët e të gjithë qytetarëve.

  • Kujtohet 2 Korriku, Haxhiu: Kosova kishte shumë pak hapësirë, por kishte njerëz të mençur e të guximshëm

    Kujtohet 2 Korriku, Haxhiu: Kosova kishte shumë pak hapësirë, por kishte njerëz të mençur e të guximshëm

    Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, bashkë me kryeministrin në detyrë Albin Kurtin si dhe me zëvendëskryeministren dhe ministren e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla kanë mbajtur diskutim me delegatët e Kuvendit të atëhershëm me rastin e 36-vjetorit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut.

    Haxhiu, tha se më 2 korrik 1990, dera e Kuvendit iu mbyll delegatëve të Kosovës, dhe tha se “pamja e asaj dite nis me dyer të mbyllura, me polici para Kuvendit, me delegatë jashtë sallës dhe me një pushtet që, pasi ia kishte marrë Kosovës autonominë, kërkonte t’ia merrte edhe zërin politik”.

    “Por mandati vjen nga populli, dhe atë ditë delegatët e Kosovës e dëshmuan këtë duke folur në emër të Kosovës edhe jashtë sallës së Kuvendit”, u shpreh Haxhiu.

    “Pa atë skenë, nuk mund të kuptohet drejt 2 korriku. Regjimi mendonte se kishte ndalur një mbledhje të Kuvendit, ndërkaq kishte lënë pas një pamje që Kosova nuk do ta harronte kurrë, delegatë që qëndronin jashtë sallës por që kishin hyrë brenda historisë”.

    Tutje, ajo tha se Kosova e asaj kohe kishte shumë pak hapësirë “por kishte njerëz që dinin ta përdornin edhe atë pak hapësirë me mençuri dhe guxim, në mesin e tyre ishin delegatët që e miratuan Deklaratën, njerëzit që e hartuan dhe e mbështetën, si dhe të gjithë ata që e kuptuan se politika e Kosovës duhej të fliste me gjuhën e së drejtës, e jo me gjuhën e nënshtrimit”.

    “Rruga politike e viteve ’90 mori kuptimin e saj të plotë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. UÇK-ja e mori mbi vete barrën më të rëndë të historisë sonë të re, luftën për çlirimin e vendit”.

    “Sakrifica e dëshmorëve, qëndresa e luftëtarëve, dhuna mbi civilët, dëbimi masiv dhe spastrimi etnik e bënë të qartë para botës se Kosova nuk po kërkonte privilegj politik, por liri nga shtypja dhe dhuna e organizuar shtetërore”.

    “Pas luftës çlirimtare të UÇK-së dhe ndërhyrjes së aleatëve tanë, Kosova hyri në një fazë të re politike. Më 17 shkurt 2008, ajo e shpalli Republikën e saj si shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Ajo ditë e vulosi para botës një kërkesë që ishte formuluar shumë më herët, në vendime politike, në akte kushtetuese, në organizim, në luftë dhe në sakrificë”.

  • Protestuesit përplasen me policinë te parlamenti, 3 efektivë të lënduar

    Protestuesit përplasen me policinë te parlamenti, 3 efektivë të lënduar

    Përplasje dhe tensione mes protestuesve dhe policisë janë regjistruar mëngjesin e sotëm përpara Kuvendit të Shqipërisë.

    Disa pre protestuesve kanë goditur me vezë deputetët, çka ka bërë që policia të reagojë duke i shoqëruar në komisariat.

    Tensionet e sotme para Kuvendit u shoqëruan me incidente ku si pasojë kanë mbetur të plagosur efektivë policie dhe protestues.

    Në të njëjtën kohë disa protestues çanë gardhin metalik dhe tentuan të hyjnë brenda Parlamentit, gjë që bëri që Policia të përdorte edhe sprej lotsjellës

  • BQK parashikon ngadalësim të rritjes ekonomike e përshpejtim të rritjes së çmimeve

    BQK parashikon ngadalësim të rritjes ekonomike e përshpejtim të rritjes së çmimeve

    Rritja ekonomike e Kosovës pritet të ngadalësohet sivjet, ndërsa inflacioni të shënojë rritje të ndjeshme. Banka Qendrore në raportin e saj vjetor, parashikon rritje ekonomike prej 3.5 për qind dhe inflacion mesatar prej 6.7 për qind. Sipas raportit, ekonomia do të vazhdojë të mbështetet kryesisht nga konsumi dhe eksportet. E, tensionet gjeopolitike dhe pasiguritë në ekonominë globale, sipas BQK-së, mbeten rreziqet kryesore për ekonominë

    Banka Qendrore (BQK) ka paralajmëruar ngadalësim të rritjes ekonomike të Kosovës për sivjet, dhe rritje të inflacionit. Këtë e ka theksuar në raportin për 2025-tën, të cilin e ka miratuar Bordi i BQK-së të hënën, ndërsa më pas ai i është dorëzuar Kuvendit, shkruan Koha.net.

    Sipas dokumentit, ekonomia e Kosovës ka vazhduar të rritet gjatë vitit 2025, por me një ritëm më të ngadalësuar krahasuar me periudhën paraprake.

    “Sipas vlerësimeve tremujore të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), BPV (Bruto Produktit Vendor v.j.) reale shënoi rritje prej 3.6 për qind gjatë 2025-tës. Ndonëse rritja ishte pozitive, ajo reflekton moderim të aktivitetit ekonomik, ndikuar nga zhvillimet në sektorin e jashtëm, përkatësisht nga kontributi negativ i importit të mallrave dhe shërbimeve. Në anën tjetër, konsumi, investimet dhe eksporti i shërbimeve vazhduan të mbështesin rritjen ekonomike”, thuhet në raportin, të cilin guvernatori Ahmet Ismaili ia ka dorëzuar kryeparlamentares Albulena Haxhiu, e cila është edhe ushtruese e detyrës së presidentes.

    Në të theksohet se konsumi, si komponenta kryesore e kërkesës së brendshme, kontribuoi me 3.9 pikë përqindje në rritjen reale të BPV-së, krahasuar me 4.8 pikë përqindje në vitin 2024. Bazuar në raport, rritja e konsumit rezulton të jetë mbështetur nga rritja e burimeve kryesore të financimit si dhe ngadalësimi i rritjes së çmimeve.

    “Investimet kontribuuan me 2.9 pikë përqindje në rritjen reale të BPV-së, krahasuar me 2.1 pikë përqindje në vitin 2024, kryesisht si rezultat i rritjes së investimeve publike”, thuhet në raport.

    Sa i përket sektorit të jashtëm, BQK-ja ka theksuar se eksportet neto ndikuan negativisht në rritjen ekonomike me -3.1 pikë përqindje.

    “Eksporti i mallrave dhe shërbimeve kontribuoi pozitivisht me 3.2 pikë përqindje, ndërsa importi pati ndikim negativ prej 6.4 pikë përqindje. Rritja e deficitit tregtar ishte rezultat i rritjes së importit të mallrave dhe shërbimeve për 8.8 për qind”, thuhet në raport. “Importi i mallrave shënoi rritje reale për 10.4 për qind, ndërsa importi i shërbimeve shënoi rritje të ngadalësuar për 3.0 për qind, krahasuar me 15.9 për qind në vitin 2024. Në anën tjetër, rritja e vizitave të diasporës në Kosovë rezultoi në rritje reale të eksportit të shërbimeve për 11.5 për qind. Ndërkohë, eksporti i mallrave shënoi rënie reale prej 5.5 për qind”.

    Më pak rritje ekonomike

    Për sivjet, BQK-ja ka paraparë rritje më të ulët sesa në 2025-tën.

    “Për vitin 2026, projeksionet e BQK-sё sugjerojnë se aktiviteti ekonomik do të shënojë rritje prej 3.5 pёr qind. Rritja pritet të mbështetet kryesisht nga kërkesa e brendshme, përkatësisht nga konsumi dhe eksportet, ndërsa sfidat në tregtinë ndërkombëtare dhe pasiguritë globale mund të kenë ndikim të vazhdueshëm negativ në ritmin e rritjes ekonomike. Faktorët që pritet të ndikojnë në këtë rritje janë të ardhurat nga diaspora dhe stabilizimi i çmimeve në tregjet ndërkombëtare, që mund të ndikojnë në rritjen e besimit të konsumatorëve dhe investitorëve. Kërkesa e brendshme pritet të kontribuoj me 3.0 pikë përqindje në rritjen e BPV-së. Konsumi privat pritet të kontribuoj me 3.3 pikë përqindje, i mbështetur nga rritja e remitencave, kompensimi i punëtorëve dhe kredive personale”, thuhet në raport. “Investimet pritet të kontribuojnë negativisht me 1.0 pikë përqindje. Eksporti i mallrave dhe shërbimeve pritet të ndikojë pozitivisht me 2.9 pikë përqindje, veçanërisht si rezultat i rritjes së shpenzimeve të diasporës, ndërsa importi i mallrave dhe shërbimeve pritet të kontribuojë negativisht me 1.5 pikë përqindje, duke bërë që eksportet neto të kenë kontribut pozitiv prej 1.4 pikë përqindje në rritjen ekonomike”.

    Në raportin e BQK-së thuhet se perspektiva ekonomike mbetet e ekspozuar ndaj rreziqeve dhe pasigurive që mund të ndikojnë negativisht në aktivitetin ekonomik. Në të theksohet se tensionet gjeopolitike mund të ndikojnë në çmimet e energjisë dhe zinxhirët e furnizimit, me efekte të mundshme negative në tregti dhe investime. Po ashtu, thuhet se ngadalësimi i mundshëm i aktivitetit ekonomik në BE paraqet faktor pasigurie për rritjen ekonomike të Kosovës, duke marrë parasysh lidhjet e ngushta tregtare dhe financiare.

    Dokumenti flet edhe për rajonin. Në vendet e Ballkanit Perëndimor, rritja ekonomike në vitin 2025 vlerësohet të ketë qenë mesatarisht rreth 2.9 për qind, duke shënuar ngadalësim krahasuar me 3.7 për qind në vitin 2024, sipas vlerësimit të FMN-së. Megjithatë zhvillimet brenda rajonit nuk ishin të njëtrajtshme.

    “Në Kosovë, rritja më e ngadalësuar e konsumit privat si dhe përkeqësimi i eksporteve neto ndikuan në ritmin e rritjes. Në Shqipëri, dobësimi i kërkesës së jashtme, kryesisht si pasojë e rimëkëmbjes më të ngadaltë në vendet partnere tregtare, veçanërisht në Itali, si dhe vlerësimi i lekut që ka rritur kostot e prodhimit duke ulur konkurrueshmërinë e eksporteve, së bashku me ngadalësimin e konsumit familjar, ndikuan në ritëm më të ngadalësuar të rritjes ekonomike”, thuhet në dokument.

    Rritja e çmimeve

    Përpos ngadalësimit të rritjes ekonomike, parashihet edhe rritje çmimesh.

    Në raport evidentohet e dhëna se gjatë vitit 2025, dinamika e çmimeve në Kosovë u karakterizua me rikthim të presioneve inflacioniste, pas shkallës relativisht të ulët të inflacionit në vitin 2024, kur ishte 1.6 për qind.

    “Inflacioni vjetor ndoqi një trajektore rritëse përgjatë vitit, duke arritur në 3.9 për qind mesatarisht, sipas ASK-së. Përshpejtimi i inflacionit u nxit kryesisht nga rritja e çmimeve të ushqimit dhe pijeve joalkoolike, të cilat shënuan rritje mesatare prej 7.6 për qind (1.4 për qind në vitin 2024). Presione inflacioniste shtesë u gjeneruan nga rritja e çmimeve të energjisë elektrike dhe shërbimeve, si dhe nga rënia më e ngadalshme e çmimeve të naftës krahasuar me vitin paraprak. Ndërkohë, çmimet e mallrave të tjera mbetën relativisht të qëndrueshme”, thuhet në raport. “Zhvillimet në tregun vendor të ushqimit pasqyruan si luhatjet në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht për çmimet e mishit dhe kafesë, ashtu edhe rritjen e presioneve të brendshme inflacioniste. Konkretisht, kostoja e inputeve bujqësore u rrit për 1.7 për qind, ndërsa çmimet e prodhimeve bujqësore shënuan rritje prej 5.3 për qind në vitin 2025, duke intensifikuar presionet inflacioniste në segmentin e ushqimit”, thuhet në raport.

    Në dokument thuhet se rritja e çmimeve të energjisë elektrike kontribuoi pozitivisht me 0.1 pikë përqindjeje në inflacion në vitin 2025, krahasuar me një kontribut negativ prej -0.1 pikë përqindjeje në vitin paraprak.

    Në raport theksohet se përshpejtimi i inflacionit të përgjithshëm nuk u reflektua në inflacionin bazë, i cili u ngadalësua në 1.9 për qind në vitin 2025, kundrejt 2.6 për qind në vitin 2024.

    “Ky zhvillim pasqyron strukturën e indeksit të çmimeve, pasi inflacioni i përgjithshëm u diktua kryesisht nga çmimet e ushqimit dhe energjisë, ndërsa çmimet e mallrave dhe shërbimeve të tjera shënuan rritje më të kufizuar, duke kontribuar në ngadalësimin e inflacionit bazë”, thuhet në raportin e BQK-së. “Varësia e ekonomisë së Kosovës nga importi i mallrave ushqimore dhe energjetike, si dhe pesha e lartë e këtyre mallrave në shportën e konsumit, ndikojnë që norma e inflacionit në Kosovë të përcaktohet në masë të madhe nga çmimet e mallrave të importuara. Në vitin 2025, rreth 3.0 p.p. e inflacionit të përgjithshëm ishte nga çmimet e importit, ndërsa 0.9 p.p. u gjenerua brenda vendit”.

    BQK-ja ka paralajmëruar përkeqësim inflacioni.

    “Sipas projeksioneve të BQK-së, inflacioni gjatë vitit 2026, pritet të arrijë një mesatare vjetore prej rreth 6.7 për qind, përpara se të ngadalësohet gradualisht në 4.5 për qind në vitin 2027, si rezultat i lehtësimit të presioneve të jashtme. Një moderim i pjesshëm i inflacionit mund të materializohet në gjysmën e dytë të vitit 2026, i mbështetur nga ngadalësimi i inflacionit të ushqimit dhe efektet bazë të favorshme nga tarifat e energjisë elektrike”, thuhet në raport. “Megjithatë, perspektiva mbetet e shoqëruar me pasiguri të konsiderueshme, të lidhura me zhvillimet në tregjet globale të energjisë, tensionet gjeopolitike dhe mundësinë e shpërndarjes së presioneve inflacioniste mbi çmimet e mallrave dhe shërbimeve tjera”.

    Thellim deficiti tregtar

    Raporti flet edhe për sektorë të tjerë.

    Sa i përket qarkullimit të ndërmarrjeve, sipas të dhënave të Administratës Tatimore (ATK), ka shënuar rritje prej 6.9 për qind në vitin 2025. Dy sektorët me peshën më të madhe në qarkullimin e ndërmarrjeve mbeten tregtia dhe industria përpunuese, të cilët përfaqësojnë 42.2 përkatësisht 10.5 për qind të qarkullimit të përgjithshëm.

    “Gjatë vitit 2025, qarkullimi në këta dy sektorë ka shënuar rritje. Në sektorin e tregtisë, rritja mesatare ishte 5.9 për qind, ndërsa në sektorin e industrisë përpunuese rritja ishte 9.1 për qind. Sa i përket regjistrimit të ndërmarrjeve, në vitin 2025 u regjistruan më shumë ndërmarrje të reja dhe u mbyllën më pak ndërmarrje krahasuar me vitin 2024, duke treguar një përmirësim të klimës së biznesit dhe stabilitet të sektorit privat”, thuhet në raport. “Numri i ndërmarrjeve të reja të regjistruara ishte 13,123 sosh, që paraqet një rritje prej 8.9 për qind krahasuar me vitin 2024, ndërsa u mbyllën 1,350 ndërmarrje, apo 17.5 për qind më pak sesa në vitin 2024”.

    Sektori i tregtisë vazhdon të kryesojë për nga numri i ndërmarrjeve të reja, duke përfaqësuar 23.8 për qind të gjithsej ndërmarrjeve të reja të regjistruara, ndjekur nga sektori i prodhimit me 11.0 për qind, sektori i ndërtimtarisë 10.7 për qind, aktiviteteve profesionale 10.4 për qind, hotelerisë 9.4 për qind, etj. Në anën tjetër, sektori i vetëm me numrin më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në krahasim me vitin 2024 ishte sektori i bujqësisë me 38 ndërmarrje më pak.

    E, te pjesa që i referohet sektorit fiskal, në raport thuhet se gjatë vitit 2025, ky sektor u karakterizua me rritje të konsiderueshme të të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore. Të hyrat buxhetore arritën në 3.3 miliardë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 7.6 për qind.

    “Kjo rritje u mbështet nga përmirësimi i procesit të mbledhjes sё tё hyrave dhe forcimi i luftës kundër evazionit tatimor. Si rezultat, deficiti primar buxhetor arriti në 0.3 për qind të BPV-së. Të hyrat tatimore shënuan rritje pothuajse në të gjithë komponentët. Rritja më e lartë ёshtё shënuar te tё hyrat tatimore indirekte, tё cilat arritën në 2.5 miliardë euro, që përbën rritje prej 8.4 pёrqind krahasuar me vitin 2024. Tё hyrat tatimore direkte shënuan rritje prej 8.1 pёrqind, duke arritur në 559.3 milionë euro. Ndërkohë, të hyrat jo-tatimore shënuan rritje të lehtë prej 0.5 për qind, duke arritur në 339.6 milionë euro”, thuhet në raport. “Shpenzimet buxhetore shënuan rritje prej 9.9 për qind, duke arritur vlerën prej 3.4 miliardë euro. Shpenzimet rrjedhëse shënuan rritjen më të lartë, prej 9.5 për qind, duke arritur në 2.7 miliardë euro. Brenda kësaj kategorie, shpenzimet për paga shënuan rritje për 7.9 për qind, duke arritur vlerën prej 910.6 milionë euro, ndërsa shpenzimet për mallra dhe shërbime (përfshirë ato komunale) shënuan rritje për 8.8 për qind, duke arritur vlerën prej 502.4 milionë euro”.

    Raporti flet edhe për sektorin e jashtëm. Në të theksohet se në vitin 2025, bilanci i pagesave u karakterizua nga thellimi i deficitit në llogarinë rrjedhëse, ndërkohë që llogaria financiare vijoi të reflektojë hyrje neto të kapitalit, duke mundësuar financimin e deficitit të jashtëm.

    “Llogaria kapitale mbeti pozitive dhe shënoi rritje të lehtë krahasuar me vitin paraprak. Deficiti i llogarisë rrjedhëse arriti në 908.4 milionë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 4.1 për qind. Zgjerimi i deficitit u përcaktua kryesisht nga thellimi i deficitit të bilancit tregtar të mallrave dhe pjesërisht nga rënia e bilancit pozitiv e të ardhurave parësore”, thuhet në raport. “Në të njëjtën kohë, përmirësimi i bilancit të shërbimeve, si dhe i bilancit të të ardhurave dytësore, kontribuuan në zbutjen e pjesshme të këtij thellimi”.

    Në dokument evidentohet e dhëna se deficiti tregtar i mallrave ka shënuar rritje prej 12.5 për qind, duke arritur vlerën prej 6.1 miliardë euro. Eksporti i mallrave ka arritur në 942.1 milionë euro, duke shënuar rënie të lehtë prej 0.2 për qind kundrejt vitit paraprak.

    “Rënia u ndikua kryesisht nga metalet bazë, të cilat shënuan rënie prej 7.9 për qind dhe kontribuuan me -1.8 pikë përqindje në gjithsej eksportin, si rezultat i dobësimit të kërkesës së jashtme dhe sfidave në prodhim. Po ashtu, artikujt tjerë të prodhuar shënuan rënie prej 6.1 për qind, me kontribut negativ prej -0.7 pikë përqindje. Në anën tjetër, artikujt ushqimorë, makineritë (përfshirë pajisjet elektrike) dhe produktet bimore kontribuuan pozitivisht, duke zbutur pjesërisht rënien e përgjithshme të eksportit”, thuhet në raport. “Nga këndvështrimi gjeografik, Ballkani Perëndimor mbetet destinacioni kryesor i eksporteve (me 45.8 për qind), ku Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut përfaqësojnë tregjet kryesore. Vendet e BE-së përbëjnë 33.6 për qind të eksportit të përgjithshëm, me Gjermaninë si partnerin kryesor tregtar”.

    Ndërkaq, importi i mallrave ka arritur në 7.0 miliardë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 10.6 për qind. Sipas raportit, rritja u mbështet nga kërkesa e brendshme, e reflektuar në rritjen e sasisë dhe peshës së mallrave të importuara, të cilat shënuan rritje për 13.1 respektivisht 8.2 për qind.

    “Struktura e importeve mbeti kryesisht e pandryshuar, e dominuar nga produktet minerale, mjetet e transportit, makineritë dhe artikujt ushqimorë. Mallrat e ndërmjetme përbënin 43.8 për qind të gjithsej importeve, mallrat konsumuese 34.6 për qind, ndërsa mallrat kapitale 11.2 për qind, megjithëse këto të fundit shënuan rritje vjetore prej 9.7 për qind. Sa i përket strukturës gjeografike, 43.1 për qind e importeve u realizuan nga vendet e BE-së, 13.7 për qind nga vendet e rajonit, 13.3 për qind nga Turqia dhe 13.1 për qind nga Kina”, thuhet në raport.

    Në anën tjetër, bilanci i shërbimeve ka arritur në 2.4 miliardë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 32.2 për qind.

    Raporti thekson se eksporti i shërbimeve shënoi rritje prej 27.9 për qind, duke arritur vlerën prej 4.3 miliardë euro, me kontributin kryesor nga shërbimet e udhëtimit, të cilat arritën në 3.2 miliardë euro (rritje prej 32.9 për qind), duke reflektuar shpenzimet e diasporës dhe rritjen e numrit të udhëtarëve dhe të fluturimeve krahasuar me vitin paraprak. Po ashtu, shërbimet kompjuterike, informative dhe të telekomunikacionit shënuan rritje për 14.3 për qind, duke arritur vlerën 398.2 milionë euro. Raporti i BQK-së evidenton të dhënën se importi i shërbimeve shënoi rritje prej 22.9 për qind, me kontributin kryesor nga shërbimet e udhëtimit dhe transportit.

  • Gjendja e rënduar në fshatin Dardani të Ferizajt pas vërshimeve, Basha del me reagim

    Gjendja e rënduar në fshatin Dardani të Ferizajt pas vërshimeve, Basha del me reagim

    Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka vizituar fshatin Dardani të Ferizajt për të parë nga afër gjendjen e krijuar pas reshjeve të dendura të shiut që kanë përfshirë zonën një ditë më parë.

    Ai ka bërë të ditur se ekipet e mirëmbajtjes janë udhëzuar që të nisin menjëherë sanimin e dëmeve në infrastrukturën rrugore, përfshirë riparimin e trotuareve të dëmtuara.

    “Sot isha në terren për të parë nga afër gjendjen në fshatin Dardani të Ferizajt, pas reshjeve të dendura të shiut që kishim dje. Së bashku me kompaninë e mirëmbajtjes, i udhëzova ekipet që të fillojnë menjëherë sanimin e dëmeve në rrugë, duke përfshirë edhe riparimin e trotuareve të dëmtuara”, ka deklaruar Basha.

    Ministri ka theksuar se institucionet do të reagojnë në rastet e fatkeqësive natyrore, ndërsa ka paralajmëruar edhe projekte afatgjata për zgjidhjen e problemit të ujërave atmosferike.

    “Fatkeqësitë natyrore nuk mund t’i parandalojmë, por do t’jemi aty për të reaguar kur paraqitet nevoja”, ka shtuar ai.

    Sipas Bashës, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit është duke punuar në hartimin e një projekti që synon zgjidhje afatgjatë të problemeve në këtë zonë.

    “Ministria tashmë është në fazën e hartimit të projektit që do të sjellë një zgjidhje afatgjatë për pjesën më të madhe të këtij problemi, përmes ndërtimit të një sistemi adekuat për largimin e ujërave atmosferike”, ka bërë të ditur ai.

    Ai ka theksuar gjithashtu nevojën për bashkëpunim me qytetarët, duke përmendur edhe ndikimin e keqmenaxhimit të ujërave nëntokësore.

    “Megjithatë, një pjesë e problemeve po shkaktohet edhe nga keqmenaxhimi i ujërave nëntokësore nga disa banorë të zonës, prandaj kërkojmë bashkëpunimin e të gjithëve për ta parandaluar përsëritjen e dëmeve”, ka deklaruar Basha.

    Në fund, ministri ka bërë thirrje për kujdes gjatë qarkullimit në këtë segment deri në përfundimin e punimeve të rehabilitimit.

  • Sot u jepet lamtumira e fundit dy vajzave shqiptare nga diaspora që humbën jetën në aksidente tragjike

    Sot u jepet lamtumira e fundit dy vajzave shqiptare nga diaspora që humbën jetën në aksidente tragjike

    E enjtja është një ditë zie për dy familje shqiptare, të cilat sot do t’u japin lamtumirën e fundit dy grave që humbën jetën tragjikisht në aksidente të ndara jashtë Kosovës.

    Sot do të zhvillohet ceremonia mortore për Besire Kolgeci-Baraliun, me prejardhje nga fshati Bukosh i Suharekës, e cila humbi jetën si pasojë e një aksidenti trafiku të ndodhur në Francë.

    Sipas njoftimit të familjarëve, ceremonia e varrimit do të mbahet nga ora 14:00 në varrezat e qytetit Lingolsheim, në Francë.

    Në aksidentin tragjik ishin lënduar edhe bashkëshorti i saj dhe dy djemtë e familjes, të cilët morën trajtim mjekësor në një spital në Bazel.

    Po gjatë ditës së sotme do t’i jepet lamtumira e fundit edhe 20-vjeçares Rina Krasniqi nga fshati Damanek i Malishevës, e cila humbi jetën tragjikisht në një aksident trafiku në Gjermani.

    Familjarët kanë bërë të ditur se ceremonia e varrimit të saj do të mbahet në orën 18:00, në varrezat e fshatit Damanek, ku do të përcillet për në banesën e fundit nga familjarë, miq dhe bashkëfshatarë.

    Humbja e dy mërgimtareve ka prekur thellë familjet dhe komunitetin shqiptar, ndërsa ngjarjet tragjike kanë zgjuar reagime të shumta dhe mesazhe ngushëllimi nga bashkatdhetarët./Albinfo.ch

  • “Ma dorëzo Beyoncen”, gjenerali ugandez i fiksuar pas këngëtares së famshme i kërkon Jay-Z duel

    “Ma dorëzo Beyoncen”, gjenerali ugandez i fiksuar pas këngëtares së famshme i kërkon Jay-Z duel

    Shefi i Forcave të Mbrojtjes të Ugandës, gjenerali Muhoozi Kainerugaba, ka shkaktuar sërish polemika pasi deklaroi publikisht dëshirën e tij për t’u martuar me superyllin botëror të muzikës, Beyoncé, dhe sfidoi bashkëshortin e saj, reperin dhe biznesmenin Jay-Z, në një duel.

    Kainerugaba, i cili është edhe djali i presidentit Yoweri Museveni, i bëri këto deklarata përmes një serie postimesh në platformën X, duke pretenduar se Jay-Z duhet t’ia “dorëzojë” atij bashkëshorten.

    “Jay-Z duhet të ma japë Beyoncé-n,” shkroi Kainerugaba, duke shtuar se nëse reperi amerikan refuzon, “duhet të vijë në Ugandë dhe të luftojë me mua. Fituesi do ta marrë Beyoncén.”

    Kainerugaba gjithashtu pretendoi se zotërimi i mijëra krerëve të bagëtive Ankole e bën atë më të pasur se Jay-Z.

    “Kam mijëra lopë Ankole. Jay-Z është i varfër sepse nuk ka bagëti Ankole,” shkroi ai, duke shtuar se ishte i gatshëm ta çonte çështjen edhe në Kombet e Bashkuara.

    Beyoncé dhe Jay-Z, të cilët janë të martuar që nga 4 prilli 2008 dhe kanë tre fëmijë, nuk kanë reaguar publikisht ndaj komenteve të Kainerugabës.

    Këto deklarata janë vetëm të fundit në një seri postimesh kontroverse të shefit të ushtrisë ugandeze.

    Në vitin 2022, ai shkaktoi një mosmarrëveshje diplomatike pasi pretendoi se ushtria e Ugandës mund ta pushtonte Nairobin brenda dy javësh, duke detyruar qeverinë ugandeze t’i kërkonte falje Kenias.

    Më vonë po atë vit, ai propozoi të paguante pajën me bagëti Ankole për kryeministren italiane Giorgia Meloni, një propozim që u hodh poshtë nga zyra e saj.

    Në vitin 2025, Kainerugaba tërhoqi sërish vëmendje pasi urdhëroi që ushtaret femra të Forcave të Mbrojtjes të Popullit të Ugandës të mbanin funde gjatë paradave në vend të pantallonave, duke paralajmëruar se komandantët që nuk do ta zbatonin urdhrin do të përballeshin me masa disiplinore.

  • Smajl Latifi reagon me një video: Pse qeveria s’po na i kompenson dëmet?

    Smajl Latifi reagon me një video: Pse qeveria s’po na i kompenson dëmet?

    Kryetar i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, përmes një video ka reaguar qeverisë për mos kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësisë natyre gjatë pesë vjetëve të fundit.

    Latifi u shprehë se vlera e dëmeve të regjistruara ndër vite në Komunën e Rahovecit arrin në rreth 4 milionë euro.

    “Pse ende nuk po bëhet kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore gjatë viteve 2022, 2023, 2024, 2025 dhe 2026, nga Qeveria e Kosovës?

    Vlera e dëmeve të regjistruara ndër vite në komunën tonë arrin në rreth 4 milionë euro, ndërsa shumë familje, fermerë dhe biznese vazhdojnë të presin mbështetjen e merituar”, ka thënë Latifi.

    Ndërsa ka shtuar se qytetarët kanë të drejtë të dinë pse po vonohet ky proces dhe kur do të ketë një zgjidhje konkrete.

  • Nis faza e tretë e dezinfektimit hapësinor në Prishtinë, thirrje për mbrojtjen e bletëve

    Nis faza e tretë e dezinfektimit hapësinor në Prishtinë, thirrje për mbrojtjen e bletëve

    Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Kryeqyteti Prishtina ka njoftuar të gjithë bletarët e Komunës së Prishtinës , se ka nisur faza e tretë e e dezinfektimit hapësinor në territorin e kryeqytetit e cila do te zhvillohet nga 29 qershori deri me 3 korrik.

    Sipas njoftimit, dezinfektimi do të realizohet çdo ditë duke filluar, nga ora 20:00 dhe përfshin lagje të ndryshme të kryeqytetit, dhe disa fshatra të Prishtinës.

    Dita e parë 29 korrik: Ulpiana, Dardania, Pejtoni, Lakrishte, Arbëria, Shkabaj, Zona Industriale, Kazerma Adem Jashari.

    Dita e dytë 30 korrik: Aktash, Parku i Qytetit, Blloqet – Shtepia e Pleqeve, Vellushe, Muhaxherët, Tophane, Vneshtat, Qendra e Qytetit, Mramor, Makovc, Llukar.

    Dita e tretë 1 korrik: Prishtina e Re, Veternik, Qëndresa, Lagjja Priam, Lagjja Nic, Kalabria, Kodra e Trimave

    Dita e katërt 2 korrik: Bregu i Diellit, Lagjja e Spitalit, Mat, Kolovicë, Kolovicë e Re, Taslixhe, Velani, Taukbashqe, Sofali, Gërmi.

    Dita e pestë 3 korrik: Hajvali, Bërnicë e Epërme, Bërnicë e Poshtme, Bardhosh, Teneshdoll, Vranidoll, Rimanishtë, Barilevë, Prugovc, Besi,Trudë,Lebanë.

    Komuna kërkon mirëkuptim nga qytetarët gjatë zhvillimit të këtij procesi, me qëllim përmirësimin e kushteve të shëndetit publik dhe reduktimin e insekteve në hapësirat publik.

  • Zelensky i kërkon SHBA-së licencë për prodhimin e raketave Patriot në Ukrainë

    Zelensky i kërkon SHBA-së licencë për prodhimin e raketave Patriot në Ukrainë

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka kërkuar SHBA-së të marrë një vendim mbi dhënien e një licence Ukrainës për të prodhuar sisteme mbrojtëse Patriot të prodhuara në SHBA, pas sulmeve të Rusisë gjatë natës.

    Udhëheqësi ukrainas, i cili ka kërkuar leje nga SHBA-të për muaj të tërë, por pa sukses, tha se mbrojtja ajrore e vendit të tij ishte “një çështje absolutisht me përparësi të lartë dhe kritike”.

    “Është veçanërisht e rëndësishme që marrëveshjet tona me SHBA-në mbi prodhimin e raketave antibalistike të ecin drejt zbatimit”, deklaroi Zelensky.

    “Ne gjithashtu mbështetemi shumë në vendimin e Shteteve të Bashkuara në lidhje me licencat për Patriot dhe punë të tjera të përbashkëta: kjo është ajo që mund të ndalojë luftën dhe sulme të ngjashme”, shtoi ai.

    Ukraina është pajisur me sisteme Patriot, i vetmi sistem raketash tokë-ajër në arsenalin e saj i aftë për t’iu kundërvënë kërcënimit të raketave balistike të Moskës, gjatë luftës, por dëshiron të jetë në gjendje t’i prodhojë ato vetë.

    Presidenti amerikan, Donald Trump, tha muajin e kaluar se do të “shqyrtojë” mundësinë që Ukraina të prodhojë raketat e veta Patriot.