ATV

Author: K.B.

  • Grabitja spektakolare e Luvrit, arrestohen pesë të dyshuar, ende asnjë shenjë të bizhuterive

    Grabitja spektakolare e Luvrit, arrestohen pesë të dyshuar, ende asnjë shenjë të bizhuterive

    Pesë persona të tjerë janë vënë në pranga në lidhje me grabitjen spektakolare të xhevahireve nga muzeu i Luvrit, duke e çuar në shtatë numrin e përgjithshëm të të arrestuarve për ngjarjen që tronditi Francën dhe mbarë opinionin botëror.

    Sipas prokurores së Parisit, Laure Beccuau, një prej të arrestuarve të fundit dyshohet se ka qenë pjesë e grupit prej katër personash që kreu grabitjen, duke u maskuar si punëtorë ndërtimi për të hyrë në ambientet e muzeut dhe për të marrë bizhuteritë e rralla të periudhës së Napoleonit, shkruan CCN.

    Pas një operacioni intensiv kërkimi që zgjati 11 ditë, autoritetet kanë arritur të kapin tre nga katër autorët e dyshuar të grabitjes, megjithatë thesaret me vlerë mbi 100 milionë dollarë vazhdojnë të mungojnë. Ekspertët besojnë se stolitë mund të jenë çmontuar për t’u shitur veç e veç, si lëndë të para. Ndër to, përmendet një gjerdan smeraldi i stolisur me mbi 1,000 diamante, dhuratë e Napoleonit për bashkëshorten e tij të dytë.

    Arrestimet e fundit janë kryer në Paris dhe zonat përreth kryeqytetit, përfshirë Seine-Saint-Denis. Dy personat e parë u kapën fundjavën e kaluar, ndërsa njëri prej tyre tentoi të largohej drejt Algjerisë nga aeroporti Charles de Gaulle. Pas marrjes në pyetje për 96 orë, të dy kanë pranuar pjesërisht përfshirjen e tyre në ngjarje.
    I pari prej tyre, një 34-vjeçar algjerian, u identifikua përmes gjurmëve të ADN-së të gjetura në një skuter të përdorur gjatë grabitjes. Ndërsa i dyti, 39 vjeç nga Aubervilliers, i njohur më parë për vjedhje, u identifikua nga ADN-ja e lënë në xhamin e thyer të vitrines. Policia franceze ende nuk ka bërë publike detaje për pesë personat e tjerë të arrestuar.

    Ngjarja ka hapur një debat të gjerë për sigurinë në muzeun më të vizituar në Francë. Drejtori i Luvrit, Laurence des Cars, pranoi para Senatit francez se hyrja nga e cila u futën hajdutët nuk ishte e mbuluar nga kamerat e sigurisë. një boshllëk që tashmë po hetohet nga autoritetet kompetente.

  • Gjykata e Arbitrazhit detyron KEDS dhe KESCO të paguajnë 8.3 milionë euro

    Gjykata e Arbitrazhit detyron KEDS dhe KESCO të paguajnë 8.3 milionë euro

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se ka fituar përfundimisht procesin gjyqësor në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit kundër kompanive KEDS dhe KESCO.

    Sipas vendimit të Tribunalit, dy kompanitë private detyrohen t’i paguajnë KEK-ut rreth 8.3 milionë euro, shumë që përfshin interesin e akumuluar nga pagesat e vonuara ndër vite.

    Në komunikatën zyrtare, KEK ka theksuar se ky vendim përbën një precedent të rëndësishëm ligjor dhe institucional për sektorin energjetik të Kosovës, duke forcuar njëkohësisht pozitën kontraktuale dhe kredibilitetin e korporatës.

    “KEK-ut i njihen dhe do t’i kompensohen kostot e procedurës së arbitrazhit, përfshirë shpenzimet e përfaqësimit ligjor dhe të ekspertëve, të cilat do të mbulohen bashkërisht nga palët e paditura (KEDS dhe KESCO). Procedura e arbitrazhit është zhvilluar në përputhje me rregullat UNCITRAL Arbitration Rules (2010), ndërsa vendi i arbitrazhit ka qenë Gjeneva, Zvicër. Vendimi është përfundimtar dhe i zbatueshëm”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

    Sipas korporatës, gjatë shqyrtimit të rastit, Tribunali ka konstatuar “faktet e pakontestuara” se KEK ka realizuar furnizimin me energji elektrike në përputhje të plotë me dispozitat e Marrëveshjes për Furnizim me Shumicë (MFSh/BSA), ndërsa KEDS dhe KESCO nuk kanë kryer pagesat brenda afateve të përcaktuara për disa periudha midis viteve 2020–2024.

    KEK ka shprehur mirënjohje për Avokaturën Shtetërore për kontributin e dhënë gjatë gjithë procesit të arbitrazhit.

    “Një fitore me rëndësi strategjike për KEK-un dhe për sektorin energjetik të vendit”, thuhet në fund të komunikatës.

  • Policia e Kosovës kërkon ndihmë për ta identifikuar të dyshuarin për vjedhje

    Policia e Kosovës kërkon ndihmë për ta identifikuar të dyshuarin për vjedhje

    Policia e Kosovës ka publikuar sot një kërkesë për bashkëpunim me qytetarët, me qëllim të identifikimit të një personi të dyshuar për përfshirje në një rast vjedhjeje në kryeqytet.

    Sipas njoftimit zyrtar, Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, me autorizim nga prokuroria kompetente, po kërkon informata që mund të ndihmojnë në identifikimin e personit që shihet në fotografinë e publikuar nga Policia.

    “Kërkesë për bashkëpunim – identifikim i personit të dyshuar. Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin e personit që shihet në fotografi. Personi i dyshuar kërkohet për përfshirje në veprën ‘Vjedhje’,” thuhet në njoftimin e policisë.

    Policia fton të gjithë qytetarët që kanë ndonjë informatë që mund të ndihmojë në identifikimin e personit të dyshuar të kontaktojnë përmes numrit të telefonit 192 ose në emailin zyrtar [email protected].

  • Kim Kardashian pretendon se ulja e NASA-s në hënë ishte e rreme: Pse valëvitet flamuri?

    Kim Kardashian pretendon se ulja e NASA-s në hënë ishte e rreme: Pse valëvitet flamuri?

    Ylli i njohur i reality show-ve, Kim Kardashian, ka shfaqur një qëndrim të papritur mbi një nga teoritë më të njohura të konspiracionit: ajo beson se ulja në Hënë e vitit 1969 nuk ka ndodhur kurrë. Deklaratën e bëri gjatë një episodi të ri të serialit “The Kardashians”.

    Në sheshxhirimin e dramës ligjore “All’s Fair”, Kim tentoi të bindte aktoren Sarah Paulson të rivlerësonte disa fakte historike.

    “Po të dërgoj një milion artikuj me Buzz Aldrinin dhe… atë djalin tjetër”, tha Kim, duke iu referuar Neil Armstrongut. Paulson u përgjigj thjesht: “Po, bëje.”

    Më pas, Kim përmendi një video që sipas saj vërtetonte dyshimet: “Kjo vajzë e pyet atë: ‘Cili ishte momenti më i frikshëm?’ Dhe Aldrin përgjigjet: ‘Nuk kishte moment më të frikshëm sepse nuk ndodhi. Mund të kishte qenë i frikshëm, por nuk ishte, sepse nuk ndodhi’”.

  • Përfundon takimi i Muratit me sindikatat, Azemi: U pajtuam që paga minimale nga janari të jetë 500 euro

    Përfundon takimi i Muratit me sindikatat, Azemi: U pajtuam që paga minimale nga janari të jetë 500 euro

    Ka përfunduar takimi i Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, me përfaqësues të institucioneve dhe shoqatave të ndryshme për të diskutuar çështjen e rritjes së pagës minimale. Takimi nisi rreth orës 10:00 dhe kishte karakter konsultativ.

    Pas takimit, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve Privat, Jusuf Azemi, deklaroi se kërkesa e tyre ishte që paga minimale në sektorin privat të jetë 600 euro, por u arrit një marrëveshje që nga janari i vitit të ardhshëm paga minimale të vendoset në 500 euro.

    “Është diskutuar për pagën minimale. Ne kemi kërkuar që paga minimale të jetë 600 euro në sektorin privat. Sipas ministrit, paga minimale prej 500 euro do të fillojë së implementuari në janar, megjithatë nuk është përjashtuar edhe propozimi ynë për 600 euro. Nga të gjithë akterët u arrit pajtimi që paga minimale të jetë 500 euro dhe të fillojë implementimi nga janari,” tha Azemi.

    Ndërkaq, përfaqësuesi i Dhomës së Tregtisë së Kosovës theksoi se rritja e pagës minimale duhet të nisë nga janari, kur të ketë një qeveri funksionale. Ai shtoi se kërkesa e tyre ishte që vendimet e tilla të mos nxirreshin pa konsultime të mjaftueshme, duke përmendur edhe rritjen e çmimit të energjisë si shembull të pasojave të vendimeve të shpejta.

    “Takimi kishte karakter më shumë konsultativ, nuk ishte për të marrë një vendim përfundimtar. Ne kemi ardhur për të dhënë kontributin tonë si Dhomë e Tregtisë,” tha ai.

  • Rama: Kosova është një shtet në të drejtën e vet, por jo për Serbinë, ky është problem

    Rama: Kosova është një shtet në të drejtën e vet, por jo për Serbinë, ky është problem

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u shpreh qartë në Forumin e Paqes në Paris se Kosova është një shtet në të drejtën e vet, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor.

    Rama nënvizoi se është thelbësore që të gjithë të punojnë për të siguruar lirinë e lëvizjes për qytetarët.

    “Ne besojmë fuqishëm se paqja është më e vlefshme se gjithçka tjetër. Sa më i lumtur të jetë komshiu, aq më i lumtur është edhe shtëpia jonë. Pra, nuk duhet të mendojmë vetëm për veten, por edhe për fqinjin. Duhet të gëzojmë jetën tonë, por edhe të sigurohemi që fqinji të mos vdesë urie”, tha Rama.

    Ai gjithashtu foli për marrëdhëniet me Serbinë: “Me Serbinë kemi një problem të madh që është Kosova. Për ne, Kosova është një shtet, po ashtu për shumicën e vendeve të BE-së, por jo për Serbinë. Ky është një problem i madh, dhe mund të zgjidhej ose me tensione që do të dëmtonin ekonominë dhe të ardhmen tonë, ose duke punuar që qytetarët tanë të kenë lirinë e lëvizjes, kjo është rruga që ne zgjedhim”, shtoi ai.

    Rama vuri në pah se bashkëpunimi rajonal mbetet rruga e vetme për vendet që synojnë anëtarësimin në BE. Ai paralajmëroi për sfidat që sjell “ballkanizimi i Europës”, por theksoi se vendet e rajonit duhet të komunikojnë dhe bashkëpunojnë, duke përmbyllur me një mesazh shpresëdhënës.

    “Në fund të fundit, kur bota të shpërthejë, Shqipëria nuk do të ketë faj. Kur të shkojmë tek Shën Pjetri, do të na jepet vendi ynë në parajsë”, përfundoi Rama.

  • SHBA i hoqi sanksionet e vendosura, Dodik falënderon presidentin Trump

    SHBA i hoqi sanksionet e vendosura, Dodik falënderon presidentin Trump

    Milorad Dodik ka reaguar pas vendimit të SHBA-së për heqjen e sanksioneve ndaj tij, familjes dhe bashkëpunëtorëve të tij.

    Ai shprehu mirënjohjen e tij ndaj ish-presidentit Donald Trump, duke e cilësuar vendimin si një “korrigjim të padrejtësisë” që, sipas tij, administratat e mëparshme amerikane kishin bërë ndaj Republikës Srpska dhe përfaqësuesve të saj.

    “Jam mirënjohës ndaj Presidentit Trump dhe bashkëpunëtorëve të tij për korrigjimin e padrejtësisë së madhe që iu bë Republikës Srpska, përfaqësuesve të saj dhe familjeve të tyre, një padrejtësi e krijuar nga administratat e Obamës dhe Biden. Ky vendim nuk është vetëm një rehabilitim ligjor, por edhe moral për Republikën Srpska dhe të gjithë ata që i shërbejnë me nder asaj. Është treguar se gjithçka që u tha kundër nesh ishte gënjeshtër dhe propagandë, mbi të cilën u ndërtua rrëmuja e madhe e krijuar nga Christian Schmidt, një rrëmujë që tani ai duhet ta pastrojë”, shkroi Dodik në platformën X.

    Ky reagim i tij vjen në një moment kyç, duke theksuar tensionet politike dhe ndikimin e vendimeve ndërkombëtare mbi figurat e larta politike në rajon.

  • “Shamia nuk është uniformë”, Maliqi kundër MAShTI-t pas vendimit të Gjykatës Supreme

    “Shamia nuk është uniformë”, Maliqi kundër MAShTI-t pas vendimit të Gjykatës Supreme

    Pas vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila konfirmoi kompetencën e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) për të përcaktuar rregullat mbi uniformën shkollore, ka reaguar Imami i Prishtinës, Labinot Maliqi.

    Maliqi ka vënë në pah se, edhe pse vendimi është formalisht i vlefshëm, ai ngre shqetësime të mëdha në lidhje me të drejtat themelore të njeriut dhe parimin e barazisë.

    “Ministria e Arsimit ka autoritet ligjor për të vendosur uniformën, por nuk ka të drejtë të kufizojë bindjet fetare të nxënësve. Shamia me fytyrë të dukshme nuk është pjesë e uniformës shkollore, dhe as nuk e zëvendëson atë, por përbën një shprehje të lirë të besimit individual,” ka theksuar Maliqi.

    Ai ka shtuar se nxënëset që mbajnë shami gjithmonë kanë respektuar uniformën dhe rregullat e shkollës, dhe se ndalimi i saj është shndërruar në një mjet përjashtimi dhe diskriminimi ndaj vajzave besimtare.

    Sipas Maliqit, Udhëzimi Administrativ Nr. 06/2014 ka krijuar konfuzion dhe hapur rrugë për interpretime arbitrare, pasi nuk e përkufizon qartë termin “uniformë fetare”.

    “Brenda fesë islame, shamia nuk është uniformë apo simbol, por normë fetare. Zbatimi selektiv i këtij udhëzimi ka prodhuar diskriminim, stigmatizim dhe përjashtim të vajzave me mbulesë,” ka shkruar Maliqi.

  • Lajm i papritur, Ledina Çelo largohet nga “Albanian’s Got Talent”

    Lajm i papritur, Ledina Çelo largohet nga “Albanian’s Got Talent”

    Një lajm i papritur ka befasuar publikun dhe fansat e këngëtares së njohur Ledina Çelo. Artistja ka njoftuar përmes rrjeteve sociale se është tërhequr nga juria e spektaklit “Albanian’s Got Talent”, ku kishte spikatur me prezencën dhe elegancën e saj.

    Në postimin e saj, Ledina shkruan: Me keqardhje, për arsye personale jam tërhequr nga juria e ‘Albanian’s Got Talent’. Ruaj kujtimet më të bukura me publikun, stafin dhe kolegët e mi.

    Ky vendim ka shkaktuar reagime të shumta në rrjet, ku ndjekësit kanë shprehur keqardhje për largimin e saj, duke e cilësuar si një nga figurat më profesionale të jurisë.
    Ndërkohë, produksioni i “Albanian’s Got Talent” ka konfirmuar se spektakli do të vazhdojë transmetimin normalisht, por ende nuk është zbuluar emri i personit që do ta zëvendësojë Çelon në panelin e jurisë.

    Publiku mbetet kurioz për të parë se kush do të marrë vendin e artistes së dashur në këtë format të ndjekur televiziv.

     

    View this post on Instagram

     

    A post shared by LEDINA CELO (@ledinacelo)

  • Pse nuk duhet të flini kurrë përmbys?

    Pse nuk duhet të flini kurrë përmbys?

    Shumë njerëz nuk i kushtojnë rëndësi pozicionit të trupit gjatë gjumit, por mjekët po paralajmërojnë se një mënyrë e gabuar e të fjeturit mund të ketë pasoja serioze për shëndetin.

    Sipas një studimi të Benden Health, shumica e njerëzve flenë në anën e djathtë, por ekspertët këshillojnë që pozicioni më i mirë është të flesh në anën e majtë, pasi ndihmon në qarkullimin e gjakut, tretje më të mirë dhe lehtësim të presionit mbi organet e brendshme.

    Ndërkohë, doktoresha Cheryl Lythgoe paralajmëron se të fjeturit përmbys është ndër pozicionet më të dëmshme për trupin. Sipas saj, ky pozicion mund të shkaktojë dëmtime të shtyllës kurrizore, nyjeve dhe nervave, duke çuar në dhimbje kronike të qafës dhe shpinës.

    Ajo shton se gjumi përmbys gjithashtu vështirëson frymëmarrjen, pasi pesha e trupit ushtron presion mbi mushkëritë dhe organet e tjera.

    “Pozicionet e gjumit që ushtrojnë presion të tepërt mbi shpinën, si për shembull shtrirja përmbys ose përkulja në formë të fetusit, mund të shkaktojnë dhimbje kronike dhe çrregullime të gjumit”, ka deklaruar Lythgoe.

    Ekspertët rekomandojnë që personat që vuajnë nga dhimbjet e shpinës të flenë në shpinë ose në anën e majtë, duke vendosur një jastëk nën gjunjë, për të ruajtur pozicionin natyral të shtyllës kurrizore dhe për të parandaluar tensionin e tepërt në trup.