ATV

Author: K.B.

  • Hysni Gucati paralajmëron: Protesta e radhës e veteranëve të UÇK-së do të mbahet në Shkup

    Hysni Gucati paralajmëron: Protesta e radhës e veteranëve të UÇK-së do të mbahet në Shkup

    Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka zbuluar destinacionin e protestës së ardhshme që do të mbahet pas asaj të paralajmëruar në Strasburg.

    Në një intervistë, Gucati tha se protesta e fundit për këtë vit do të zhvillohet në muajin dhjetor, dhe vendi ku do të mbahet është Shkupi i shqiptarëve.

    “Lokacioni i ardhshëm pas zgjedhjeve në Maqedoni do të jetë Shkupi i shqiptarëve. Kjo do të jetë protesta e fundit për këtë vit, sepse më pas nuk do të ketë më protesta. Po e analizojmë me kujdes situatën në Maqedoni pasi të përfundojë balotazhi dhe të qetësohet gjendja, do ta caktojmë datën. Nuk duam të na akuzojnë se shoqatat e luftës së UÇK-së po shkaktojnë ndonjë incident. Ne do të shkojmë me hapa të sigurt, për të mbajtur një protestë paqësore në Maqedoni, sepse atje i kemi vëllezërit tanë shqiptarë,” deklaroi Gucati.

    Kujtojmë se Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka zhvilluar protesta të mëdha gjatë këtij viti në Prishtinë, Hagë dhe Tiranë, ndërsa Shkupi pritet të jetë ndalesa e fundit për vitin 2025.

  • Arabia Saudite ka prezantuar ndryshime të reja në rregulloret e vizave të Umrës

    Arabia Saudite ka prezantuar ndryshime të reja në rregulloret e vizave të Umrës

    Ministria e Haxhit dhe Umrës në Arabinë Saudite ka njoftuar për ndryshime të reja në rregulloret e vizave të Umrës, të cilat do të hyjnë në fuqi javën e ardhshme.

    Sipas burimeve të “Al Arabiya”, vizat e Umrës do të anulohen automatikisht 30 ditë pas lëshimit nëse pelegrini nuk ka hyrë në Arabinë Saudite gjatë asaj periudhe. Kjo nënkupton se vlefshmëria e vizës para hyrjes është reduktuar nga tre muaj në vetëm një muaj.

    Megjithatë, autoritetet saudite kanë sqaruar se koha e lejuar e qëndrimit pas hyrjes në vend do të mbetet e pandryshuar tre muaj nga momenti i mbërritjes.

    Sipas këshilltarit të Komitetit Kombëtar për Umrën dhe Vizitat, Ahmed Bajaeifer, ky vendim është pjesë e përgatitjeve për një rritje të madhe të numrit të pelegrinëve, sidomos pas përfundimit të verës dhe rënies së temperaturave në qytetet e shenjta, Mekë dhe Medinë.

    Qëllimi i këtij ndryshimi është menaxhimi më i mirë i fluksit të pelegrinëve dhe shmangia e mbipopullimit në zonat e shenjta.

    Deri më tani, mbi 4 milionë viza për Umrë janë lëshuar për pelegrinët ndërkombëtarë që nga fillimi i sezonit të ri në qershor — një shifër rekord brenda vetëm pesë muajsh, sipas të dhënave të “Al Arabiya”.

  • Pak ditë para zgjedhjeve, Arian Tahiri nënshkruan koalicion

    Pak ditë para zgjedhjeve, Arian Tahiri nënshkruan koalicion

    Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, ka njoftuar se ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me Ergin Kanin, kryetar i Kosova Demokratik Türk Partisi (KDTP) në Mitrovicë.

    Tahiri ka bërë të ditur se marrëveshja përfshin një koalicion katërvjeçar, i cili synon zhvillimin dhe barazinë e qytetarëve të Mitrovicës.

    “Një hap tjetër i rëndësishëm për të ardhmen e Mitrovicës. Me mikun tim, Ergin Kanin, Kryetar i Kosova Demokratik Türk Partisi (KDTP) në Mitrovicë, sot nënshkruam marrëveshjen e koalicionit dhe mbështetjes për mua në zgjedhjet e 9 nëntorit për Kryetar të Mitrovicës.
    Koalicioni katërvjeçar do të jetë një angazhim i përbashkët për të siguruar që çdo qytetar i Mitrovicës të ketë mundësi të barabarta dhe një të ardhme më të mirë në qytetin tonë.
    Faleminderit të gjithë qytetarëve të Mitrovicës për besimin dhe mbështetjen! Mitrovica është shtëpia jonë e përbashkët! 🤝”, ka deklaruar Tahiri.

    Marrëveshja e sotme shihet si një hap strategjik për PDK-në në Mitrovicë, vetëm pak ditë para zgjedhjeve të 9 nëntorit.

  • Haxhiu e prerë: S’ka qeveri teknike, vetëm Kurti 3 ose zgjedhje të reja

    Haxhiu e prerë: S’ka qeveri teknike, vetëm Kurti 3 ose zgjedhje të reja

    Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka konfirmuar se përfaqësuesit e VV-së do të marrin pjesë në takimin e thirrur nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që do të mbahet nesër.

    Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Haxhiu deklaroi se qëndrimi zyrtar i Vetëvendosjes do të bëhet publik gjatë takimit të nesërm.

    “Nesër ne do të jemi në takimin e thirrur nga Presidentja Osmani. Nesër do ta japim qëndrimin e VV-së. Edhe një herë, qëndrimin në raport me këtë do ta japim nesër”, tha Haxhiu.

    E pyetur për mungesën e votave për formimin e qeverisë, ajo u shpreh e bindur se Qeveria “Kurti 3” do të bëhet.

    “Ajo do të bëhet, natyrisht që do të ketë qeveri Kurti 3”, theksoi Haxhiu.

    Sa i përket nënshkrimeve të deputetëve, ajo sqaroi se deri më tani nuk ka firmosur asnjë dokument përveç atij që lidhet me formimin e grupeve parlamentare.

    “Nuk ka nënshkrime. Unë në asnjë letër nuk kam vendosur nënshkrimin përveç në themelimin e grupeve parlamentare. Nëse do të ketë ndonjë veprim tjetër nga VV, do t’ju njoftoj. Deri tani kam vendosur nënshkrim vetëm për formimin e grupeve parlamentare”, tha ajo.

    Haxhiu e bëri të qartë edhe qëndrimin e partisë ndaj idesë së një qeverie teknike, duke theksuar se Vetëvendosje nuk e mbështet një opsion të tillë.

    “Nuk e përkrahim një qeveri teknike. Qytetarët e kanë vendosur, qytetarët e kanë votuar Kurtin. Në qoftë se nuk do të ketë numra, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, deklaroi Haxhiu.

  • Albin Kurti në Paris flet për progres ekonomik të Kosovës

    Albin Kurti në Paris flet për progres ekonomik të Kosovës

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka folur në Paris në Forumin e Paqes, në panelin me temë “Paqeruajtja në një udhëkryq: E ardhmja e misioneve të OKB-së dhe përgjegjësia globale”.

    Në këtë ngjarje ndërkombëtare, Kurti ka theksuar se Kosova përfaqëson një histori të dyfishtë suksesi.

    “Së pari, histori suksesi e ndërhyrjes ushtarake dhe humanitare të NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë.

    Së dyti, si shtet ku zhvillimi dhe demokracia ecin krah për krah njëra-tjetrës,” tha Kurti.

    Pas njohjes së fundit të Kosovës nga Siria, shefi i qeverisë foli edhe për përparimin diplomatik të vendit tonë këtë vit, duke përmendur tri njohjet e reja dhe përpjekjet për integrim në BE e NATO, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal.

    Kurti theksoi se me fuqizimin e shtetit kosovar, është ulur ndjeshëm prania ushtarake ndërkombëtare, ndërsa është rritur progresi ekonomik.

    “Sot Kosova ka Bruto Produkt Vendor (BPV) për kokë banori gjashtë herë më të lartë sesa në vitin 2000 dhe tri herë më të lartë sesa në vitin e shpalljes së pavarësisë më 2008,” deklaroi ai.

    Sipas tij, Kosova duhet të shërbejë si shembull se çlirimi dhe pavarësia sjellin dividentë makroekonomikë e socialë për qytetarët.

    Në fund, Kurti nënvizoi se çdo mision paqeruajtës ka nevojë për vlera të përbashkëta dhe jo vetëm për interesa të përbashkëta, duke theksuar rëndësinë e dialogut, negocimit dhe multilateralizmit. Ai e përmendi Bashkimin Evropian si model të paqes dhe prosperitetit, të ndërtuar mbi parimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

  • Vuçiq reagon pasi Siria njohu dje Kosovën shtet, thotë se ndikoi shumë Turqia

    Vuçiq reagon pasi Siria njohu dje Kosovën shtet, thotë se ndikoi shumë Turqia

    Vuçiq reagoi pas njohjes së Kosovës nga Siria: “E pritshme, tashmë është nën ndikimin e Turqisë”

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar sot pas lajmeve se Siria ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.

    Sipas tij, një vendim i tillë ishte i pritshëm, pasi siç tha ai, Siria tashmë ndodhet nën ndikimin e madh të Turqisë.

    “Lajmi i pritur është njohja nga Siria. Ishte e qartë sa shumë kishte rëndësi qëndrimi i pavarur dhe i lirë i Bashar al-Asadit sa kohë që ai ishte në pushtet. Por, kur dikush vjen në pushtet që është nën ndikimin e madh të njërit prej vendeve kryesore në rajon, siç është Turqia, ishte e pritshme që kjo të ndodhte,” deklaroi Vuçiq për gazetarët.

    Presidenti serb gjithashtu u shpreh me nostalgji për periudhën kur Bashar al-Assad ishte në pushtet, duke thënë se atëherë Siria kishte qëndrim të pavarur dhe të lirë.

  • 5 shenjat që tregojnë se jeni intolerantë ndaj glutenit

    5 shenjat që tregojnë se jeni intolerantë ndaj glutenit

    Gluteni është një proteinë që gjendet në drithëra si gruri, elbi dhe thekra. Megjithëse shumica e njerëzve e konsumojnë pa probleme, për disa të tjerë ai mund të shkaktojë shqetësime të fshehta shëndetësore, të cilat shpesh ngatërrohen me lodhje, stres apo probleme të zakonshme me tretjen.

    Më poshtë janë pesë sinjale paralajmëruese që mund të tregojnë se organizmi juaj nuk e përballon mirë glutenin.

    Nëse pas vakteve ndjeni fryrje të barkut, gazra, dhimbje abdominale apo përjetoni episode të shpeshta të diarresë dhe kapsllëkut, këto mund të jenë tregues të intolerancës ndaj glutenit. Kur zorrët irritohen nga gluteni, ato e humbasin aftësinë për të përthithur siç duhet lëndët ushqyese, duke shkaktuar parehati të vazhdueshme.

    Njerëzit që kanë ndjeshmëri ndaj glutenit shpesh ndihen të rraskapitur edhe pas një gjumi të mirë. Arsyeja qëndron te mungesa e përthithjes së hekurit dhe lëndëve të tjera ushqyese, për shkak të dëmtimeve që gluteni mund të shkaktojë në zorrë. Kjo shpesh çon në anemi dhe ndjesi të vazhdueshme lodhjeje gjatë ditës.

    Disa persona përjetojnë dhimbje koke, vështirësi në përqendrim ose ndjesinë e një “mjegulle mendore” pas konsumimit të ushqimeve që përmbajnë gluten. Ky reagim mendohet të lidhet me proceset inflamatore që gluteni nxit në trup.

    Lëkura shpesh reflekton shëndetin e brendshëm. Nëse vini re skuqje, akne të papritura ose dermatit herpetiformis, mund të jetë një sinjal që trupi juaj nuk e toleron glutenin. Në shumë raste, këto shqetësime përmirësohen dukshëm pasi gluteni hiqet nga dieta.

    Humbja e peshës pa arsye të qartë ose, në disa raste, shtimi i papritur në peshë mund të lidhet me mosfunksionimin e zorrëve dhe mungesën e përthithjes së lëndëve ushqyese. Kjo është një tjetër shenjë që tregon se gluteni mund të jetë problem për organizmin tuaj.

  • Nëse fillon e sheh ndonjë nga këto ëndrra, fati yt është gati të ndryshojë

    Nëse fillon e sheh ndonjë nga këto ëndrra, fati yt është gati të ndryshojë

    A ke parë ndonjëherë një gur të çmuar apo një bizhuteri në ëndërr? Sipas shkrimtarit Gavin Clarke, këto simbole lidhen ngushtë me energjinë pozitive, gëzimin dhe shanset e mira – qoftë në aspektin financiar apo emocional.

    Clarke shpjegon se gurët e çmuar përfaqësojnë zemrën dhe bollëkun. Dhe nëse dikush të dhuron një gur në ëndërr, prit një rritje të papritur pasurie ose një sukses që s’e ke pritur.

    Ndërkohë, edhe humbja e një bizhuterie nuk është domosdoshmërisht ogur i keq. Përkundrazi – ajo tregon se fati mund të të befasojë në mënyrën më të bukur e të papritur.
    Nëse sheh një pemë të mbushur me fruta, kjo simbolizon bollëk, sukses dhe zhvillim në jetën e përditshme. Lloji i frutit ka rëndësi: një mollë, për shembull, mund të nënkuptojë jetë të gjatë ose fat në dashuri. Pema me fruta është një mënyrë me të cilën nënvetëdija të dërgon mesazhin se lumturia po afrohet.

    Zjarri në ëndërr shpesh keqinterpretohet si shkatërrim, por psikologët e përshkruajnë si forcë të pastrimit dhe rilindjes. Nëse po kalon një periudhë të vështirë, një ëndërr me zjarr mund të jetë shenjë që je gati ta kthesh frustrimin në veprim dhe ndryshim personal.

    Fluturimi në ëndërr është një tjetër simbol i fuqishëm: ai tregon çlirim, liri dhe kontroll mbi jetën tënde. Mund të jetë sinjal që më në fund po i merr frenat në dorë – dhe kjo do të të sjellë fat të mirë.

    Sipas interpretimeve mistike, numri 8 është i lidhur me bollëkun, fuqinë personale dhe shpërblimin për punën e bërë. Forma e tij që ngjan me simbolin e pafundësisë tregon se po hyn në një periudhë ku gjithçka fillon të rrjedhë më lehtë – dashuria, shëndeti dhe financat. Është ndoshta momenti kur universi të shpërblen për përpjekjet e tua.

    Në anën tjetër, shqiponja në ëndërr simbolizon forcën, vizionin dhe qëndrueshmërinë. Nëse e sheh këtë shpend madhështor, mund të jesh në prag të një transformimi të madh personal – një periudhë rritjeje dhe ngritjeje në çdo aspekt të jetës.

    Ndërsa feneri apo pishtari që ndriçon në ëndërr është shenjë qartësie dhe drejtimi. Nëse kohët e fundit je ndier i humbur apo i pasigurt, kjo ëndërr është një kujtesë e butë se drita është gjithmonë brenda teje – dhe se fati yt po ndryshon, sepse më në fund po gjen rrugën tënde.

  • Klea Huta reagon pas lajmeve të ndarjes nga Elgit Doda

    Klea Huta reagon pas lajmeve të ndarjes nga Elgit Doda

    Prej disa ditësh, rrjetet sociale po “zien” nga thashethemet për një ndarje të mundshme midis Klea Hutës dhe Elgit Dodës, njërit prej çifteve më të dashur të showbizit shqiptar.

    Gjithçka nisi kur ndjekësit vunë re një detaj që nuk mund të kalonte pa u vënë re, shumica e fotove të përbashkëta të çiftit ishin zhdukur nga llogaritë e tyre në Instagram. Ky veprim ndezi menjëherë diskutimet dhe hapi një valë dyshimesh mbi statusin e marrëdhënies së tyre.

    Komentet, videot dhe postimet që lidhnin emrat e Kleas dhe Elgitit u shtuan me ritme të shpejta, duke e kthyer këtë histori në një nga temat më të përfolura të javës në rrjete sociale.

    Një pjesë e ndjekësve menduan se çifti mund të ketë vendosur të ruajë privatësinë pas një ndarjeje të mundshme, ndërsa të tjerë nuk e përjashtuan mundësinë që gjithçka të jetë një strategji mediatike.

    Por duket se Klea Huta ka zgjedhur një mënyrë shumë më të qetë për t’iu përgjigjur gjithë zhurmës. Në disa foto artistike që ajo publikoi së fundmi në Instagram, shfaqet e qetë, plot elegancë dhe me një buzëqeshje të lehtë por ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen ishte unaza e martesës në gishtin e saj.

    Ky detaj, i vogël në pamje, por me peshë të madhe kuptimore, është interpretuar nga shumë fansa si përgjigjja e heshtur e Kleas ndaj gjithë thashethemeve: martesa me Elgitin, duket se vazhdon të qëndrojë fort.

  • iPhone 18 do të ketë më shumë RAM se kurrë

    iPhone 18 do të ketë më shumë RAM se kurrë

    Apple, e njohur për qasjen e kujdesshme ndaj inovacioneve të harduerit, duket se po përgatit një hap të rëndësishëm për gjeneratën e ardhshme të iPhone-ve.

    Sipas një raporti të publikuar nga portali jugkorean The Bell, modeli standard i iPhone 18 mund të pajiset me 12 GB RAM, një rritje e ndjeshme krahasuar me 8 GB që ofrohen aktualisht në serinë më të fundit. Nëse këto informacione rezultojnë të sakta, do të ishte hera e parë që Apple i jep një modelit bazë (jo versionit Pro) një kapacitet kaq të madh memorjeje.

    Kjo lëvizje nuk pritet të jetë vetëm kozmetike. Shtimi i RAM-it do të mundësonte performancë më të mirë në multitasking, hapje më të shpejtë të aplikacioneve dhe efikasitet më të lartë në funksionet e inteligjencës artificiale – një element që do të luajë rol qendror në sistemin e ri operativ iOS 19.

    Raporti thekson gjithashtu se Apple planifikon të përdorë memorien e avancuar LPDDR5X RAM, e cila është më e shpejtë dhe më efikase në konsum energjie krahasuar me versionin aktual. Ky përmirësim do ta ndihmojë kompaninë të qëndrojë në garë me prodhues si Samsung dhe Google, telefonët premium të të cilëve tashmë ofrojnë kapacitete të ngjashme ose më të mëdha.

    Edhe pse Apple nuk ka dhënë ende asnjë koment zyrtar mbi këto thashetheme, dihet se vitet e fundit kompania ka reduktuar gjithnjë e më shumë diferencat mes modeleve standarde dhe atyre Pro. Kjo mund të nënkuptojë se përdoruesit do të marrin më shumë vlerë për çmimin që paguajnë, në një kohë kur pritjet për performancë dhe inteligjencë artificiale janë më të larta se kurrë.