ATV

Author: K.B.

  • Ditëlindja e heroit, Ramush Haradinaj e uron vëllaun “Gëzuar Luan”

    Ditëlindja e heroit, Ramush Haradinaj e uron vëllaun “Gëzuar Luan”

    Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar ditëlindjen e vëllain të tij Luanit.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka shkruar “Gëzuar Luan”.

    Më 6 maj të vitit 1997, Luan Haradinaj së bashku me të vëllanë, Ramushin, dhe me Fehmi Lladrovcin dhe Xhevë Krasniqin-Lladrovcin, Ilaz Kodrën, Abedin Rexhën, Selim Krasniqin, Rafet Ramën, Ramiz Lladrovcin, Emrush Xhemajlin, Ali Ahmetin, Gani Ramën e të tjerë, ishin nisur në rrugë për të kaluar kufirin afër fshatit Vlahne të Hasit, në drejtim të Kuzhinit.

    Atë ditë, forcat okupatore kishin zënë pusi, ndërsa Luani, i cili u printe bashkëluftëtarëve, bie i pari në pritë të forcave ushtarake e policore jugosllave.

    Me këtë rast plagoset rëndë Rafet Rama, ndërsa lehtë plagoset Ramush Haradinaj dhe Fehmi Lladrovci.

  • KQZ: Nuk kemi buxhet të planifikuar për zgjedhje të tjera

    KQZ: Nuk kemi buxhet të planifikuar për zgjedhje të tjera

    Brenda një viti, qytetarët iu drejtuan kutive të votimit tri herë. Mirëpo këto procese zgjedhore vlerësohet se i kushtuan shumë buxhetit të shtetit.

    Kostoja për organizimin e zgjedhjeve parlamentare ishte afër 8 milionë euro. Kurse për ato lokale, të cilat u mbajtën së fundmi, ende mungojnë të dhënat.

    “Buxheti i planifikuar për organizimin e zgjedhjeve parlamentare të datës 9 shkurt ka qenë në vlerën prej 8.7 milionë euro dhe sipas raportimeve të fundit 7.9 milion prej tyre janë shpenzuar nga ana e KQZ për qëllim të atij procesi zgjedhor. Ndërkaq sa i përket buxhetit të planifikuar për zgjedhjet lokale të 12 tetorit dhe raundit të dytë buxheti i planifikuar për ka qenë me shifren 10.5 milion euro por deri në këto qaste nuk kemi të dhëna se sa nga këto mjete janë shpenzuar me qellim të organizimit të këtij procesi zgjedhor realisht”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    Kësisoj, sipas zëdhënësit të KQZ-së, nëse imponohen edhe një palë zgjedhje të parakohshme, mbajtja e tyre do të ishte sfidë.

    “Sa i përket zgjedhjeve eventuale të parakohshme të cilat po përmenden KQZ nuk ka buxhet të planifikuar sepse të vetmet procese zgjedhore të planifikuara për këtë vit janë ato që janë mbajtur dmth me 9 shkurt dhe pastaj kto lokale me 12 tetor dhe 9 nëntor”, ka thënë ai për Tëvë1

    Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, shpenzimi kryesor i buxhetit nuk është vetëm për blerje të pajisjeve dhe të ngjashme, por pjesa më e madhe e mjeteve shpenzohet për të paguar trupat zgjedhor dhe stafin tjetër që angazhohet gjatë gjithë procesit zgjedhor.

  • Arrestohen katër gjuetarë serbë brenda territorit të Kosovës

    Arrestohen katër gjuetarë serbë brenda territorit të Kosovës

    Katër gjuetarë serbë janë arrestuar brenda territorit të Kosovës, në fshatin Sfircë.

    Ndalimi është kryer nga pjesëtarët e KFOR-it, të cilët më pas kanë njoftuar Policinë e Kosovës e cila i ka prangosur.

    Sipas burimeve, të katër personat ndodhen aktualisht në mbajtje, ndërsa policia po vazhdon me procedurat e mëtejshme ligjore.

    Policia ende nuk ka dhënë detaje shtesë lidhur me motivet apo rrethanat e këtij incidenti.

  • Partia Demokratike e Kosovës zgjedh sot kryetarin e ri

    Partia Demokratike e Kosovës zgjedh sot kryetarin e ri

    Partia Demokratike e Kosovës sot do të mbajë Konventën e Përgjithshme.

    Kjo Konventë vjen më herët se që ishe menduar, pasi më 12 nëntor Memli Krasniqi dha dorëheqje nga drejtimi i këtij subjekti politik.

    Derisa sot, 17 nëntor, PDK zgjedh kryetarin e ri të saj.

    Bedri Hamza ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për lider të kësaj partie, derisa Enver Hoxhaj e kishte ftuar të njëjtin në një debat televiziv mes atyre dyve.

    Se kush do ta marrë udhëheqësinë e kësaj partie, do të kuptohet vetëm pas disa orëve.

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Moti gjatë kësaj jave pritet të jetë i ndryshueshëm. Në fillim të javës parashikohet të jetë ngrohtë por në vise malore mund të ketë edhe reshje bore. Ditëve të tjera pritet të jetë me vranësira e vende-vende edhe me reshje shiu. Temperaturat do të sillen mesatarisht rreth 14 gradë celsius.

    Të hënën në Kosovë pritet të jetë mot i vranët por edhe me intervale dielli. Minimalja mund të zbresë deri në 1 gradë celsius ndërsa maksimalja pritet të shkoj deri në 17 gradë celsius.

    Ndërkohë të martën, pritet që të jetë vranët e me reshje shiu. Në zona malore parashihen edhe reshje bore. Minimalja pritet të jetë jo më poshtë se 4 gradë, ndërsa maksimalja deri në 11 gradë celsius.

    Edhe të mërkurën pritet të jetë mot i vranët e në vende-vende me reshje shiu. Temperatura minimale pritet të zbresë deri në 2 gradë celsius, ndërsa edhe të mërkurën njësoj sikurse një ditë më parë, pritet të jetë deri në 11 gradë celsius.

    Të enjten pritet të mbajë mot me diell dhe pjesërisht i vranët. Minimalja parashihet të zbresë deri në 2 gradë celsius ndërsa maksimalja mund të shkojë deri në 14 gradë celsius.

    Ndërkohë të premten pritet sërish të ketë ndryshime. Teksa është paraparë të jetë me diell e vranësira, vende-vende mund të ketë edhe riga lokale shiu.

    Temperatura minimale pritet të jetë nga 3-6 gradë celsius ndërsa maksimalja mund të arrijë deri në 15 gradë celsius.

  • Clark sot nis dëshminë në Hagë, dëshmitari i fundit i mbrojtjes së Thaçit

    Clark sot nis dëshminë në Hagë, dëshmitari i fundit i mbrojtjes së Thaçit

    Ish-komandanti suprem i Forcave Aleate për Evropën, Wesley Clark, pritet të nis sot dëshminë në gjykatën e Hagës në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës është caktuar që Wesley Clark të fillojë dëshminë të hënën, më 17 nëntor. Ish-komandanti suprem i Forcave Aleate për Evropën ishte planifikuar të fillonte dëshminë të martën e javës që vjen, më 18 nëntor, por Specialja njoftoi se do të rezervojë një ditë shtesë, siç u kërkua.

    “Pasi u informua se kjo dëshmi mund të fillojë vetëm më 18 nëntor pasdite, dhe pas shqyrtimit të kohës së nevojshme të vlerësuar nga palët, Trupi Gjykues miratoi kërkesën e Mbrojtjes për të rezervuar një ditë shtesë për seancë, më 21 nëntor, për të përmbyllur dëshminë. Trupi Gjykues deklaroi se kjo ditë shtesë ishte rezervuar për të përmbyllur në mënyrë të shpejtë dhe të efektshme paraqitjen e argumenteve nga Mbrojtja, por megjithatë i kërkoi palëve që të përpiqen ta përmbyllin dëshminë më herët nëse është e mundshme”, njoftoi Specialja.

    Gjenerali Clark pritet të jetë dëshmitari i fundit, pas së cilës procesi do të kalojë në fazën përfundimtare të përmbylljeve nga palët, përpara shpalljes së vendimit nga trupi gjykues.

  • Lëndohet Hysaj, s’mund të vazhdoj shkaku i lëndimit

    Lëndohet Hysaj, s’mund të vazhdoj shkaku i lëndimit

    Elseid Hysaj është larguar nga loja në ndeshjen kundër Anglisë.

    Në minutën e 26’të, Hysaj ndjeu dhimbje dhe u detyura të largohet nga fusha.

    Mbrojtësin e zëvendësoi Ivan Balliu.

    Vazhdon që ndeshje të mbetet 0 me 0 në “Air Albania”.

  • U ndaluan nga policia për armëmbajtje pa leje, jepet dënimi për Loredanën dhe Adeyemin

    U ndaluan nga policia për armëmbajtje pa leje, jepet dënimi për Loredanën dhe Adeyemin

    Sulmuesi i kombëtares gjermane dhe Borussia Dortmund, Karim Adeyemi, është gjobitur me 450 mijë euro nga autoritetet gjermane, pas zbulimit të armëve të ndaluara në pronësinë e tij dhe të partneres së tij, këngëtares me origjinë shqiptare Loredana Zefi.

    Sipas të përditshmes gjermane Bild, ngjarja i përket rreth një viti më parë, kur policia gjeti “dy objekte të klasifikuara si armë të ndaluara” në sendet e çiftit, duke çuar në ngritjen e procedurave penale. Gjykata gjermane vendosi një gjobë të rëndë ndaj Adeyemit, e cila do të shlyhet në 60 këste prej 7,500 eurosh.

    Edhe pse nuk u dha asnjë dënim me burg dhe asnjë shënim penal, ngjarja është cilësuar nga mediat vendase si një “goditje serioze për imazhin e një futbollisti të kombëtares”.

    Nga ana e tij, Adeyemi nuk ka komentuar publikisht, ndërsa përmes menaxherit Jorge Mendes është dhënë sqarimi se armët nuk janë blerë prej tyre, por kanë qenë pjesë e një “mystery box” të porositur përmes TikTok — një pretendim që ligjërisht nuk ndryshon përgjegjësinë për posedim.

    Borussia Dortmund reagoi menjëherë me një deklaratë zyrtare duke theksuar se klubi “e merr shumë seriozisht çdo çështje penale” dhe se është në komunikim të vazhdueshëm me lojtarin dhe autoritetet. Klubi nuk ka konfirmuar nëse priten masa të brendshme disiplinore.

    Mediat gjermane vlerësojnë se ky incident forcon kritikat për sjelljen e tij jashtë fushe, ndërsa pritet që Dortmund të hapë një hetim të brendshëm.

    Në këtë fazë, Adeyemi vazhdon stërvitjen normalisht me klubin, dhe ndërsa DFB mund të shqyrtojë çështjen, nuk pritet një dënim i rëndë nga kombëtarja, pasi rasti lidhet me posedim dhe jo me përdorim të armëve.

  • Ilir Meta krahason arrestimin e tij me atë të Sarkozit: U rrëmbeva në mënyrë mafioze

    Ilir Meta krahason arrestimin e tij me atë të Sarkozit: U rrëmbeva në mënyrë mafioze

    Ish-presidenti Ilir Meta, ka krahasuar arrestimin e tij me ish-presidentin Frances Nikolas Sarkozi, i cili u lirua nga burgu me kusht pak ditë më parë.

    Teksa shpreh mbështetjen e tij për Sarkozin, Meta thotë se është “i bindur se në shtetin e tij mbizotëron ligji akoma sipas Konventës Europiane.”

    ‘Të mos harrojmë se drejtësia franceze 105 vite më parë liroi Avni Rustemin edhe pse ai ligjërisht kishte kryer një vrasje, që tronditi jo vetëm Parisin’-kujton Meta.

    Kreu i partisë së Lirisë thotë se pavarësisht nga akuzat e rënda ndaj Presidentit Sarkozi, “mënyra e shoqërimit të tij ishte mbresëlënëse, jo sikur po shkonte në burg, por sikur po rikthehej në Pallatin Elize”, ndërsa kujton arrestimin e tij duke e cilësuar “rrëmbim”.

    Postimi i plotë i Ilir Metës:

    “Rasti Sarkozi që nxjerr lakuriq Ramaformën. Për Presidentin Sarkozi kam një respekt të veçantë.
    Në radhë të parë për mbështetjen e tij pa asnjë rezervë për Kosovën dhe pavarësinë e saj, por edhe për arritjet e tij të jashtëzakonshme si politikan i vetëbërë.
    Po kështu kam patur kënaqësinë ta pres atë në Presidencë dhe të çmoja promovimin që ai i bënte Shqipërisë.
    Jam i keqardhur për situatën e tij me drejtësinë, por jam i qetë për të se jam i bindur se në shtetin e tij mbizotëron ligji akoma sipas Konventës Europiane.
    Të mos harrojmë se drejtësia franceze 105 vite më parë liroi Avni Rustemin edhe pse ai ligjërisht kishte kryer një vrasje, që tronditi jo vetëm Parisin.
    Në fund fare gjykata e kuptoi se ajo nuk ishte një vrasje, por një zgjidhje politike e pashmangshme për të garantuar ekzistencën e një shteti, që kërcënohej jo vetëm nga orekset “gjeopolitike” të fqinjëve dhe aleatëve të tyre, por edhe nga keqpërdorimi i mercenarëve shqipfolës.
    Pavarësisht nga akuzat e rënda ndaj Presidentit Sarkozi, mënyra e shoqërimit të tij ishte mbresëlënëse, jo sikur po shkonte në burg, por sikur po rikthehej në Pallatin Elize.
    Jo vetëm kaq.
    Nuk kaluan as 20 ditë dhe gjykata e liroi duke i vendosur si kusht të mos dilte nga Franca dhe të mos takohej me të pandehurit dhe dëshmitarët e përfshirë në akuzat kundër tij.
    Përse kështu?
    Sepse Franca është një shtet ku ende mbizotëron ligji, ku ekziston prezumimi i pafajësisë por edhe parimi i proporcionalitetit.
    Duke shkruar këto radhë, mos kujtoni se jam i hatërmbetur për mënyrën mafioze se si Narkoshteti më rrëmbeu mua si person nën hetim në prag të zgjedhjeve parlamentare.
    Përkundrazi, jam krenar sepse jo vetëm mënyra mafioze e rrëmbimit, por edhe hetimet mafioze, që i paraprinë prej gati 6 vitesh atij akti banditesk, provuan atë që kisha denoncuar me kohë edhe si President i Republikës, kapjen e “drejtësisë së re” dhe shndërrimin e saj nga Reformë me 140 vota, sipas Komisionit të Venecias, në Ramaformë me 69 vota dhe betime gjykatësish te noterja te “Lana”.
    Rama harxhohet shumë duke na nxjerrë lloj-lloj europianësh e sidomos “italianësh” për të na “mallëngjyer” me arritjet e “drejtësisë së re” edhe pse Vietnami njëpartiak na ka lënë targën.
    Por shqiptarëve u mjaftojnë vetëm 2 italianë për të kuptuar Narkoshtetin dhe Ramaformën si zgjatim të tij.
    Së pari, dëshminë e Gjeneral Lisit për miqësinë e tij me Don Agaçion, i cili ishte shefi i vërtetë i vetingut dhe “drejtësisë së re”, por edhe përgjegjësi i parë ligjor për të gjitha aferat e Qeverisë, nga inceneratorët, “tigrat” e Bangladeshit që solli Kimetja, PPP-të që janë të gjitha në hetim, por që gllabërojnë çdo vit qindra milion euro nga Buxheti i Shtetit.
    Së dyti, dëshmitë e rënda por të vërteta të prokurorit antimafia, Z. Gratteri, i cili thotë se nuk është teprim ta cilësosh Shqipërinë si Narkoshtet.
    Por edhe nëse nuk na e thotë Z. Gratteri apo eurodeputeti Gahler (se në Shqipëri grupet kriminale bllokuan rotacionin), ne shqiptarët i kemi sytë në ballë për të krahasuar kursin e lekut me dollarin dhe euron përpara 10 vitesh dhe sot kur falë Ramaformës, narkoeurot kanë shkatërruar industritë prodhuese dhe eksportuese.
    Si mund të forcohet leku në një vend ku eksportet janë 8% e Prodhimit të Brendshëm Bruto ose 7 herë më pak se Maqedonia e Veriut fqinje?
    Sepse këtu Narkodrejtësia mban në sirtar 251 urdhër-arreste për kapot e krimit të organizuar, të cilët janë edhe investitorë “strategjikë” dhe që janë lënë të lirë sepse mbledhin vota për regjimin e Edi Ramës.
    Sepse Narkodrejtësia këtu shpik “grupin” e Ilir Metës me anëtarë ish-vjehrrën, ish-gruan, kushërirat dhe kushërinjtë e tyre.
    Sepse Narkodrejtësia merret me një çështje të stërgjykuar në Shqipëri, Arbitrazhin e Vjenës, si ajo CEZ-DIA, ku shteti çuditërisht rezulton të ketë dalë me fitim nga sekuestrimi në 2014 të rreth 5 milion eurove, shtetasit Kastriot Ismaili, nga 1.1 milion euro që është dëmi që ka pësuar shteti sipas vet vendimit të Gjykatës së Lartë.
    Jo vetëm kaq, por ky qytetar bën edhe 8 vite burg vetëm për t’i marrë një dëshmi të rreme kundër Ilir Metës.
    Ndërkohë dy “bashkëpunëtorët” e tij çekë, që sipas gjykatës tonë i kanë shkaktuar CEZ-it (kompani shtetërore, jo private) një dëm 3 herë më të madh nuk dënohen nga drejtësia e tyre europiane.
    Ndërkohë për kallëzimin e bërë jo nga një delinkuent, por nga vet Kontrolli i Lartë i Shtetit për Ramën dhe Gjiknurin që i falën 479 milion euro CEZ-it, SPAK-u nuk pipëtin.
    Ndërsa për “amerikanllëqet” e SPAK-ut me lobimet nuk ia vlen të zgjatem fare për aq kohë sa asnjë “Bilal” apo McGonigal nuk është në burgjet e SHBA për “hatrin” tim apo të Partisë së Lirisë (LSI).
    Por procesi në themel do të provojë të gjitha manipulimet e SPAK-ut për të mos hetuar me transparencë, me qëllimin e vetëm për të akuzuar Ilir Metën, personin i cili nuk ka asnjë firmë apo autorizim, por as edhe dijeni për çdo veprim jashtë kontratës së LSI me GSIS, që është shumë e qartë.
    Sidoqoftë është e rëndësishme që Gjykata e Parisit i dha fund 20 ditëve raskapitëse në burg të Presidentit Sarkozi.
    Besoj ishte kohë e mjaftueshme për të lexuar me përqëndrim dy librat që mori me vete e sidomos Kontin e Monte Kristos, që është jo vetëm i gjatë por ku çdo fjalë e Aleksandër Dumas është e qëndisur me një fuqi të mbikohshme, ashtu si edhe karakteret që ka gdhendur, të cilëve mund t’u ndërrojmë vetëm emrat edhe sot pas 2 shekujsh.
    Sidoqoftë rasti Sarkozi na shërbeu për të kuptuar se cila është drejtësia e vërtetë europiane, ajo ku gjykata është mbi të gjithë dhe jo prokuroria.
    Ndaj atyre “europianëve” që ju thonë shqiptarëve se SPAK-u është drejtësia e kulluar dhe supreme u thoni se ne e dimë ku i merrte çantat me dollarë McGonigali, po ju ku i merrni zarfat me euro?
    Sepse Ramaforma siç thoshte McGonigali ishte një mundësi e madhe për ata si ai dhe ata që sollën “tigrat” e Bangladeshit.
    Por Ramaforma është një pamundësi e madhe për shqiptarët, viktimat e pafundme të 200 mijë dosjeve të stivuara prej 10 vitesh.
    Shumica e tyre nuk kanë mundësi ekonomike as të vinë njëherë në Tiranë për të ndjekur një seancë gjyqësore dhe jo më të shkojnë në Gjykatën e Strasburgut për të marrë drejtësi.
    Për fat të mirë unë e kam këtë mundësi që të shkoj atje jo për të mbrojtur Ilir Metën por për t’u treguar të gjithëve se eksperimenti me një popull të tërë dështoi me sukses të plotë.
    Meqënëse e nisëm me një rast nga Franca nuk duhet të harrojmë se Franca dekoroi Esatin dhe po Franca liroi edhe Avniun.
    Për fat të mirë, Franca ka edhe Strasburgun ku ndëshkohen autokratët e kontinentit.

  • Dera ia lëndoi dorën pronarit të veturës, BMW urdhërohet të paguajë 1.9 milion dollarë dëmshpërblim

    Dera ia lëndoi dorën pronarit të veturës, BMW urdhërohet të paguajë 1.9 milion dollarë dëmshpërblim

    Është një opsion mjaft i zakonshëm në automjetet luksoze dhe standard në makinat e shtrenjta. Dyert me mbyllje të butë janë një veçori e bukur dhe një mënyrë elegante për të shmangur mbylljen e tyre me përplasje.

    U shfaq për herë të parë në W140 Mercedes-Benz S-Class, dhe përfundimisht u bë pjesë e limuzinave tjera në vitet në vijim.

    Këto ditë, mund t’i gjesh në automjete luksoze të mesme si BMW Seria 5 dhe X5.

    Quaje një truk ose një veçori të dobishme, dyert me mbyllje të butë janë këtu për të qëndruar.

    Megjithatë, disa prodhues makinash janë përballur me padi për shkak të lëndimeve nga këto dyer. Në këtë rast, X5 është tema kryesore e padisë së kësaj jave.

    Car Complaints mori një rast ku një burrë nga New Yorku humbi majën e gishtit të madh, për shkak të dyerve me mbyllje të butë të X5 të tij të vitit 2013 (E70 LCI).

    Sipas faqes së internetit, paditësi “mbështeti dorën e djathtë në kolonën e derës së shoferit me shpinën përballë automjetit dhe derën rreth pak centimetra të hapur”.

    BMW argumentoi se nuk është faji i kompanisë nëse dikush nuk i ka tërhequr gishtat nga një derë që mbyllet vetë.

    Prodhuesi i automjeteve shtoi: “Paditësi e ka kuptuar që nga fëmijëria, të mos vendosë një gisht ose një pjesë të trupit midis një dere dhe kornizës së derës ndërsa ajo mbyllet”.

    Pavarësisht kundërshtimit të BMW-së, juria ia hodhi fajin prodhuesit të automjeteve edhe nëse nuk gjeti ndonjë defekt me makinën në fjalë.

    BMW u përpoq të apelonte vendimin, por gjykata e apelit tha se ishte në shkelje të Ligjit të Përgjithshëm të Biznesit të Nju Jorkut për “mosveprim mashtrues”.

    Sipas raportit, “BMW dyshohet se ka lënë jashtë në mënyrë mashtruese rreziqet e paditësit që e lë gishtin e madh në rrugën e një dere që mbyllet butësisht, e projektuar për t’u mbyllur mekanikisht vetë”.

    Si e tillë, BMW është urdhëruar t’i paguajë paditësit 1.9 milion dollarë. Dëmshpërblimi përbëhej nga 800,000 dollarë për dhimbje dhe vuajtje të kaluara, 850,000 dollarë për dhimbje dhe vuajtje të ardhshme dhe mbi 250,000 dollarë për humbje të të ardhurave.

    Përpara kësaj, paditësi pretendonte se përballej me humbjen e deri në 3 milionë dollarëve në të ardhura për shkak të lëndimit.

    Kjo nuk është hera e parë që BMW (ose ndonjë prodhues tjetër makinash) përballet me padi të kësaj natyre.