ATV

Author: K.B.

  • Osmani uron Letoninë për Ditën e Pavarësisë

    Osmani uron Letoninë për Ditën e Pavarësisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar popullin e Letonisë dhe presidentin Edgars Rinkevičs për Ditën e Pavarësisë së këtij vendi.

    Osmani ka theksuar se ishte një privilegj të vizitonte Rīgën dhe një nder të mirëpriste presidentin Rinkevičs në Prishtinë këtë vit, duke vlerësuar vazhdimin e forcimit të lidhjeve të miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.

    Ajo gjithashtu ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e Letonisë.

    “Jemi mirënjohës për mbështetjen e qëndrueshme të Letonisë dhe presim me padurim të ndërtojmë mbi këtë partneritet në vitet e ardhshme”, ka shkruar Osmani në X.

  • Xhaka: Jam i befasuar që jam fishkëllyer – dhemb, por më duhet ta pranoj atë

    Xhaka: Jam i befasuar që jam fishkëllyer – dhemb, por më duhet ta pranoj atë

    Granit Xhaka ka folur për fishkëllimat që iu bënë në “Fadil Vokrri” nga tifozët e Kosovës.

    Ai ka thënë se është befasuar.

    “Jam i befasuar që jam fishkëllyer. Dhemb, por më duhet ta pranoj atë. Mundohem të koncentrohem vetëm në futboll. Për fat të keq është pjesë e lojës. Gjithnjë kam pasur përkrahjen e tifozëve të Zvicrës, pavarësisht nëse kemi luajtur në shtëpi apo në udhëtim”, ka thënë Xhaka.

  • Rusia sulmon Ukrainën gjatë natës me mbi 470 dronë dhe 47 raketa, vriten nëntë persona

    Rusia sulmon Ukrainën gjatë natës me mbi 470 dronë dhe 47 raketa, vriten nëntë persona

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar se në sulmet ruse gjatë natës në Ukrainë janë vrarë nëntë persona.

    Rusia ka lëshuar më shumë se 470 dronë dhe 47 raketa në një “sulm të papërmbajtur”, shkroi ai në një postim në Telegram.

    Tre rrethe të qytetit të dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, u goditën nga një sulm masiv me dronë, duke lënduar më shumë se 30 persona, përfshirë edhe fëmijë. Fotografitë e publikuara online treguan ndërtesa dhe makina në flakë.

    Ministria e Energjisë së Ukrainës njoftoi se ndërprerje të energjisë elektrike po prekin disa rajone në të gjithë vendin.

  • Rregulla të reja në Roblox: Fëmijët s’mund të flasin më me të rritur që s’i njohin

    Rregulla të reja në Roblox: Fëmijët s’mund të flasin më me të rritur që s’i njohin

    Fëmijët nuk do të jenë më në gjendje të bisedojnë me të rritur të panjohur në Roblox – një nga platformat më të njohura të lojërave në botë – si pjesë e zgjerimit të masave të sigurisë.

    Verifikimi i detyrueshëm i moshës do të futet për llogaritë që përdorin opsionet e bisedës, duke nisur në dhjetor për Australinë, Zelandën e Re dhe Holandën, e më pas në gjithë botën nga janari.

    Roblox është kritikuar për lejimin e fëmijëve që të hyjnë në përmbajtje të papërshtatshme dhe të komunikojnë me të rritur, dhe aktualisht po përballet me padi lidhur me sigurinë e fëmijëve në disa shtete të SHBA-së.

    Ky lansim vjen pak para ndalimit të rrjeteve sociale për nën-16 vjeçarët në Australi – dhe qeveria është nën presion që në këtë ndalim të përfshihen edhe platformat e lojërave si Roblox. Në mars, shefi ekzekutiv i Roblox, Dave Baszucki, i kishte thënë BBC-së se prindërit që shqetësohen për shërbimin “nuk duhet t’i lënë fëmijët e tyre në të”.

  • Tregu i hapur energjetik shkaktoi 30 milionë euro humbje për bizneset

    Tregu i hapur energjetik shkaktoi 30 milionë euro humbje për bizneset

    Vendimi i ZRRE-së për tregun e hapur energjetik që ka prekur mbi 1300 bizneseve në Kosovë, që sipas ekspertëve ekonomikë, rrezikon ta destabilizojë ekonominë e vendit, u anulua nga Gjykata Supreme. Në një vendim të saj, Supremja shfuqizoi dy nene si të paligjshme në vendimin e ZRrE-së për tregun e hapur energjetik. Gjykata ka konstatuar se tregu i hapur energjetik në formën se si është bërë ka krijuar një situatë të pasigurisë ligjore dhe ekonomike për konsumatorët e energjisë elektrike. Pas këtyre zhvillimeve, afaristi, Ramiz Kelmendi, konsideron se Supremja ndaloi korrupsionin e hapur me energji elektrike.

    “ Vetëm kompania ime në bazë të përllogaritjeve i binte të paguante energji elektrike 2.4 milionë euro në vit. Sepse dallimi në fatura është mbi 200 mijë euro dhe kur i shumëzon me 12 muaj na dalin 2.5 milionë euro që sigurisht i rrezikonte punësimet, investimet….”, tha Kelmendi.

    Sipas vendimit të Supremes, ZRrE krijoi paqartësi juridike edhe kur vendosi kufirin se cilat kompani do të dalin në treg të hapur, meqë, ajo kishte vendosur që në tregun energjetik do të dalin kompanitë që kanë mbi 50 punëtorë ose mbi 10 milionë euro qarkullim. Gjykata Supreme tha se vendimi i saj nuk mund të ankimohet. Ndërkohë, RTV21, ka provuar të marr një qëndrim edhe nga ZRrE lidhur me këtë vendim, por që deri më tani nuk janë përgjigjur. Tregu i hapur energjetik, i cili u shpall u jashtëligjshëm, gjatë 5 muajve sa ka funksionuar shkaktoi dëme të mëdha financiare për bizneset vendore, thotë Kushtrim Ajvazi, nga klubi i prodhuesve.

    “Po sipas të dhënave që i kemi bizneset kanë shpenzuar 1mijë megavat energji ëlektrike në ditë për 5 muaj i bie 150 mijë megavat dhe kur i llogarisim sigurisht që kostoja është tepër e lartë…”

    Çmimi për një megavat në bursat ndërkombëtare ku bizneset e Kosovës u detyruan të blejnë rrymën së bashku me transportin mesatarisht ka kushtuar rreth 200 euro, ndërsa në disa raste çmimi për megavat ka shkuar mbi 500 euro. Ndërkaq në një përllogaritje të thjeshtë, tregu i hapur energjetik, bizneseve për 5 muaj u kushtoi rreth 30 milionë euro. Ndërkohë, pothuajse e gjithë kostoja financiare për bizneset në fund u pagua nga qytetari konsumator, i cili gjatë këtyre 5 muajve u ballafaqua në vazhdimësi me shtrenjtim të çmimeve të produkteve.

    “Energjia elektrike ndikon drejtë për drejt në rritjen e çmimeve veçanërisht tek produktet e freskëta dhe produktet e ngrira. Ato duhet të mirëmbahen me temperatura ku energjia elektrike është jetike…dhe çdo rritje e komponentes që ndikon në tregtim, prodhim dhe deponim ndikon në rritje të çmimit për konsumatorët andaj qeveria nuk bënë mirë kur fajëson tregtarët për rritje të çmimeve sepse qysh në fillim ka mundur që ta rregullojë këtë çështje të tregut të hapur energjetik…”

    Aktualisht inflacioni mujor në Kosovë sipas matjeve të fundit të ASK-së ka mbërritur në 5.1%. Në ketë periudhë më së shumti u shtrenjtua energjia elektrike e cila shënoi rritje për 20.1%, rritje kjo që ka ndikuar që të shtrenjtohet pothuajse çdo produkt tjetër nëpër tregjet e Kosovës.

  • Polonia ngre me urgjencë avionët luftarakë pas sulmeve ruse në Ukrainën perëndimore

    Polonia ngre me urgjencë avionët luftarakë pas sulmeve ruse në Ukrainën perëndimore

    Polonia ka dërguar avionë luftarakë në hapësirën e saj ajrore dhe ka mbyllur përkohësisht dy aeroporte të enjten, pasi Rusia kreu sulme me raketa dhe dronë në pjesë të shumta të Ukrainës.

    Sulmi rus ishte i përqendruar kryesisht në pjesët perëndimore të Ukrainës, afër kufirit me Poloninë, ndërsa dhjetëra persona u plagosën në qytetin lindor të Kharkivit, ku dronët shkatërruan ndërtesa banimi dhe shkaktuan zjarr në disa makina. Shumë rajone të Ukrainës mbetën pa energji elektrike për shkak të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike.

    Për shkak të kërcënimit në perëndim të vendit, Polonia dërgoi avionë luftarakë dhe aeroplanë paralajmërimi për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore.“Çifte avionësh luftarakë të reagimit të shpejtë dhe një aeroplan paralajmërues janë ngritur në fluturim,” tha Komanda operacionale polake, duke shtuar se sistemet tokësore të mbrojtjes ajrore dhe radarët janë në gjendje të gatishmërisë më të lartë. Aeroportet Rzeszow dhe Lublin u mbyllën përkohësisht për të siguruar lirinë e operimit të aviacionit ushtarak, por më pas u hapën sërish.

    Ky sulm ndodhi pak orë pas mbërritjes së Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Turqi, ku ai u takua me homologun Recep Tayyip Erdogan për të diskutuar rifillimin e bisedimeve për paqen dhe shkëmbimin e ushtarëve të marrë peng. Rusia nuk është pjesë e këtyre bisedimeve, ndërsa Turqia ka luajtur rol ndërmjetësues.

    Aleatët e NATO-s kanë intensifikuar fluturimet e avionëve luftarakë muajt e fundit për të ndaluar sulmet ruse apo armët që kanë kaluar kufijtë e tyre. Polonia ka qëndruar veçanërisht vigjilente për shkak të luftës ruse në Ukrainë. Në shtator, avionët polakë shkatërruan disa dronë rusë që kishin depërtuar në hapësirën ajrore të vendit, në një incident që NATO e quajti “shumë të rrezikshëm.” Ky ishte hera e parë që NATO-ja qëlloi ndaj objektivave gjatë luftës në Ukrainë.

  • Mbesin pa ujë Fushë-Kosova, Drenasi, Obiliqi e një pjesë e Prishtinës

    Mbesin pa ujë Fushë-Kosova, Drenasi, Obiliqi e një pjesë e Prishtinës

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se kanë mbetur pa furnizim me ujë Fushë-Kosova, Drenasi, Obiliq dhe një pjesë e lagjes Kalabria në Prishtinë pasi impianti i trajtimit të ujit në Shkabaj është jashtë funksionit.

    Sipas KRU ‘Prishtina’, kjo ka ndodhur për shkak të nivelit shumë të lartë të turbullirës në kanalin Ibër-Lepenc, si shkak i reshjeve të dendura, e ka bërë të pamundur procesin e trajtimit të ujit.

    Përveç këtyre zonave, KRU “Prishtina” paralajmëroi reduktime edhe në disa zona të kryeqytetit.

    “Ekipet tona janë në terren dhe po monitorojnë situatën vazhdimisht. Furnizimi do të rikthehet menjëherë sapo të stabilizohen parametrat në kanalin furnizues”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

  • Mësohen kundërshtarët e mundshëm të Kosovës në “play-offin” e Botërorit

    Mësohen kundërshtarët e mundshëm të Kosovës në “play-offin” e Botërorit

    Pas mbylljes së kualifikimeve të rregullta për Kampionatin Botëror të vitit 2026, Kosova edhe zyrtarisht do të jetë pjesë e “play-offit” të Botërorit.

    Kosova përfundoi e dyta në Grupin B me 11 pikë të tubuara nga gjashtë ndeshje, teksa Zvicra shkon në Botëror direkt me 14 pikë.

    E, tash, Kosova i ka mësuar edhe kundërshtarët e mundshëm në “play-offin” e Botërorit.

    Kosova do të jetë pjesë e vazos së tretë të “play-offit”, së bashku me Shqipërinë.

    Nga katër vazo, Kosova e Shqipëria do të përballen me kundërshtarë nga vazo e dytë.

    Aty janë pjesë Sllovakia, Republika e Çekisë, Uellsi dhe Polonia.

    Nga këta kundërshtarë, Kosova do të përballet me njërin prej tyre në gjysmëfinale të “play-offit”.

    Në finale, Kosova mund të përballet me një kombëtare nga vazoja e parë, e aty janë: Italia, Danimarka, Turqia dhe Ukraina.

    Shorti për “play-offin” e Botërorit do të mbahet të enjten me fillim nga ora 13:00.

  • Princi i Kurorës: Arabia Saudite do të investojë 1 trilion dollarë në SHBA

    Princi i Kurorës: Arabia Saudite do të investojë 1 trilion dollarë në SHBA

    Princi i Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, tha të martën se vendi i tij do të rrisë investimet në SHBA nga 600 miliardë dollarë në gati 1 trilion dollarë.

    “Unë besoj, z. President, se sot dhe nesër mund të njoftojmë se do ta rrisim atë shumë prej 600 miliardë dollarësh në pothuajse 1 trilion dollarë për investime reale”, u tha Bin Salman, i njohur edhe si MBS, gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë së bashku me Presidentin e SHBA-së Donald Trump .

    Ai tha se të dy vendet do të nënshkruajnë marrëveshje në shumë fusha, duke përfshirë teknologjinë, inteligjencën artificiale dhe magnetet, marrëveshje “që do të krijojnë shumë mundësi investimi”.

    Trump ndërhyri, duke thënë: “Tani po më thua se 600 miliardë do të jenë 1 trilion.”

    «Patjetër, sepse ajo që po nënshkruajmë është për ta lehtësuar këtë», u përgjigj princi.

    Trump e falënderoi princin që pranoi investimet.

    “Dua t’ju falënderoj sepse keni rënë dakord të investoni 600 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara, dhe meqenëse ai është miku im, mund ta bëjë një trilion, por do të duhet të punoj me të”, tha ai.

    “Mund të llogarisim në 600 miliardë, por ky numër mund të rritet pak më shumë”, shtoi Trump, i etur për të reklamuar frytet e kontakteve të tij të huaja për audiencën amerikane.

  • Komuna e Shtimes shpall gjendje emergjente pas reshjeve të dendura të shiut

    Komuna e Shtimes shpall gjendje emergjente pas reshjeve të dendura të shiut

    Si pasojë e të reshurave të shiut, që nisën të martën herët e s’u ndalën për pothuajse asnjë moment, komuna e Shtimes ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në tërë territorin.

    Ky vendim u mor nga kryetari Qemajl Aliu, i cili doli në mbrëmje për të vlerësuar gjendjen e cila del të jetë e rënduar.

    “Të nderuar qytetarë, reshjet e pandërprera të ditëve të fundit kanë shkaktuar vështirësi serioze në disa zona të komunës. Duke u bazuar në kompetencat dhe përgjegjësitë tona institucionale, kam marrë vendimin që në gjithë territorin e Komunës së Shtimes të shpallim gjendje emergjente, me qëllim që të reagojmë me efikasitet dhe të mbrojmë sigurinë e të gjithëve”, tha Aliu.

    Ai tha se gjatë ditës së nesërme pritet të mblidhet sërish Shtabi Emergjent, i cili tashmë gjendet në terren dhe po zhvillon veprimet e nevojshme për menaxhimin e situatës.

    Kryetari tha se nga orët e hershme të mëngjesit, të gjitha drejtoritë komunale me njësitë dhe shërbimet vartëse, si dhe me mbështetjen e Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Policisë, janë angazhuar maksimalisht për ta mbajtur situatën nën kontroll.

    Ndërkaq, u theksua se në disa fshatra gjendja paraqitet më e rënduar, por Aliu tha se ekipet dhe shërbimet komunale me makineri të specializuar janë duke ndërhyrë me kujdes për trajtimin e dëmeve të shkaktuara dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.

    Komuna e Shtimes u bëri thirrje banorëve të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin njoftimet zyrtare deri në normalizimin e plotë të situatës.