ATV

Author: K.B.

  • Zyrtare: Dekreti i Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit

    Zyrtare: Dekreti i Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit

    Presidenca ka njoftuar zyrtarisht shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    Në njoftim, thuhet se në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, si dhe pas pranimit sot të vendimit të Kuvendit të Kosovës lidhur me dështimin e krijimit të Qeverisë edhe nga mandatari i dytë, Presidentja e Republikës së Kosovës ka shpërndarë sot Legjislaturën e nëntë të Republikës së Kosovës.

    Ndërkohë, krerët e partive politike, si Bedri Hamza i PDK-së, Ramush Haradinaj i AAK-së dhe Fatmir Limaj i Nismës, kanë propozuar 21 dhjetorin si datën e preferuar për të mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme.

    Ndryshe nga ta, Faton Peci i Guxo kërkoi që zgjedhjet të mbahen më 28 dhjetor.

  • Një grua në Gjermani gjobitet për tharje rrobash në ballkon

    Një grua në Gjermani gjobitet për tharje rrobash në ballkon

    Mediat gjermane raportojnë se një grua me origjinë nga Ballkani që jeton në Gjermani është gjobitur me 50 euro pasi kishte tharë rrobat në ballkonin e saj, duke shkaktuar debat të madh në rrjete sociale.

    Rasti u bë i njohur pasi gruaja e publikoi përvojën e saj në grupin në Facebook “Balkanci in Germany”, ku tregoi se kishte marrë paralajmërim zyrtar për “mosrespektim të rregullave të banesës”.

    “S’po e di më nëse më lejohet të bëj ndonjë gjë në këtë vend! Ishte ditë me diell, i lava rrobat, i vendosa në ballkon të thaheshin. Fqinja sipër filloi të bërtiste se ‘i duken keq kur i sheh poshtë’. Mendova se po bënte shaka, por tre ditë më vonë më erdhi letra me gjobën dhe paralajmërimin”, ka shkruar ajo me ironi.

    Në shpjegimin e autoriteteve thuhej se “në ndërtesën përkatëse nuk lejohet që rrobat të shihen nga jashtë”. Gruaja reagoi me humor duke pyetur: “Po ku t’i thaj atëherë, në frigorifer?”

    Ngjarja është bërë virale në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime të shumta.

  • Shteti ku mund të gjobiteni nëse ecni më shpejt se 6 km/h

    Shteti ku mund të gjobiteni nëse ecni më shpejt se 6 km/h

    Nëse planifikoni të ecni në trotuaret e Sllovakisë, së shpejti do të duhet të bëni kujdes me shpejtësinë. Parlamenti sllovak ka miratuar një ndryshim të ligjit për trafikun, i cili vendos kufirin maksimal të ecjes në zonat urbane në 6 kilometra në orë, raporton Politico.

    Ky rregull i ri do të vlejë jo vetëm për këmbësorët, por edhe për çiklistët dhe përdoruesit e skuterëve elektrikë, me qëllim parandalimin e përplasjeve të shpeshta në hapësirat e ngushta të qyteteve.

    “Synimi kryesor është rritja e sigurisë në trotuare, pasi numri i aksidenteve me përdoruesit e skuterëve është rritur ndjeshëm,” shpjegoi Ľubomír Vážny, deputet i partisë së majtë-populiste Smer, pjesë e koalicionit qeverisës të kryeministrit Robert Fico.

    Sipas tij, ky ndryshim do ta bëjë më të lehtë përcaktimin objektiv të shkeljeve kur dikush tejkalon shpejtësinë e lejuar në zonat për këmbësorë. Ligji pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2026.

    Shpejtësia mesatare e ecjes është 4–5 km/h, ndërsa, sipas British Heart Foundation, ecja me ritëm 6.4 km/h konsiderohet e moderuar për persona me formë të mirë fizike.

    Nga ana tjetër, opozita dhe Ministria e Brendshme sllovake kanë kritikuar ndryshimin, duke argumentuar se ndalimi i skuterëve elektrikë në trotuare do të ishte një zgjidhje më e arsyeshme sesa vendosja e një kufiri të përgjithshëm të shpejtësisë.

  • Limaj: Qytetarët të dënojnë në zgjedhjet e ardhshme ata që nuk formuan institucionet

    Limaj: Qytetarët të dënojnë në zgjedhjet e ardhshme ata që nuk formuan institucionet

    Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se është e dëmshme për vendin që është shpërbërë legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës.

    Në një konferencë për media pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, ai ka theksuar se qytetarët duhet të dënojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme ata që nuk formuan institucionet e reja të vendit.

    “Po përfundon ky cikël nëntë mujor, pasi presidentja e ka shpërndarë parlamentin. Besoj se është një lajm i keq, këto forca politike të Kosovës e kanë dëshmuar se nuk kanë pjekuri politike për të ndërtuar marrëveshje, për të përmbushur kërkesat e qytetarëve, për t’u ulur e bashkëbiseduar dhe për t’i dhënë vendit institucione”.

    “Kjo tregon paaftësi, pa pjekuri dhe panjohuri se si ndërtohet shteti dhe institucionet dhe si funksionohet. Shpresoj se qytetarët në zgjedhjet që vijnë do t’i kërkojnë llogari përgjegjësve kryesorë të moskonstituimit të institucioneve të Kosovës”, ka thënë Limaj.

  • Hamza nuk ndryshon qëndrim, PDK kërkon 21 dhjetorin për zgjedhje

    Hamza nuk ndryshon qëndrim, PDK kërkon 21 dhjetorin për zgjedhje

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar vendimin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, pak minuta pas takimit të thirrur me liderët e partive politike parlamentare.

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pas takimit me presidenten, Vjosa Osmani, deklaroi se në takim janë diskutuar datat e mundshme për zgjedhje, ndërsa tha se për PDK-në data 21 dhjetor është më e pranueshme.

    “Kemi diskutuar për datat e mundshme, ne si PDK kemi kërkuar që data 21 të jetë për mbajtjen e zgjedhjeve”, tha ai.

    Gjithashtu, ai deklaroi se si datë tjetër është përmendur edhe 28 dhjetori.

    “Jam optimist që pas zgjedhjeve do të kemi një qeveri funksionale”, deklaroi ai.

  • Katër kadetë të FSK-së përfundojnë Akademinë Ushtarake në Gjermani

    Katër kadetë të FSK-së përfundojnë Akademinë Ushtarake në Gjermani

    Në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin, u mbajt ceremonia e përfundimit të akademisë ushtarake tre vjeçare në Republikën Federale të Gjermanisë të katër kadetëve të FSK-së.

    Oficerët më të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës që diplomuan me sukses të lartë ishin: Nëntoger Shumëzim Karaqica, drejtimi ushtarak Logjistike/Mirëmbajtje, Nëntoger Arton Xhemajli në drejtimin ushtarak Logjistikë/ Furnizim, Nëntoger Xheladin Kurtaj në drejtimin ushtarak Xhenio Luftarake dhe Nëntoger Fatlum Agushi në drejtimin ushtarak IT ushtarake.

    Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ministrisë Federale të Mbrojtjes së Gjermanisë, Forcave të Armatosura Gjermane (Bundeswehr), stafi i Ambasadës së Republikës së Kosovës, familjarë të kadetëve, mysafirë të nderit.

    Me fjalë rasti u adresuan Atasheu i Mbrojtjes Kolonel Bekim Zejnullahu, Drejtori i Departamentit për bashkëpunim ndërkombëtar nga Ministria e Mbrojtjes, Kolonel Ahmet Ajeti si dhe shefi i departamentit për bashkëpunim ndërkombëtar të Forcave të Armatosura Gjermane (Bundesëehr) Kolonel Christian Schmidt.

    Me këtë rast u vlerësua mbështetja e vazhdueshme e Ministrisë së Mbrojtjes/Ushtrisë Gjermane në arsimimin dhe trajnimin e oficereve të FSK-së si dhe vlerës që i japim partneritetit me Forcat e Armatosura Gjermane.“Bashkëpunimi midis Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë, gjatë viteve ka luajtur një rol vendimtar në forcimin e kapaciteteve dhe profesionalizmit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Sot oficerët tanë të sapo emëruar, bashkohen me trupën e oficerëve të FSK-së – të përgatitur, të aftë dhe të denjë për të udhëhequr trupat tona me nder, integritet dhe përkushtim”, njofton Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani.

  • Presidentja shpërndan Kuvendin, Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme

    Presidentja shpërndan Kuvendin, Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar vendimin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, pak minuta pas takimit të thirrur me liderët e partive politike parlamentare.

    Këtë e bëri të ditur kryetari i GUXO, Faton Peci pas takimit, duke thënë se Osmani nuk pati zgjidhje tjetër veçse të firmoste shpërndarjen e Kuvendit.

    Ky veprim erdhi pasi edhe mandatari i dytë i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, dështoi të sigurojë votat e nevojshme për formimin e qeverisë, duke përmbyllur kështu të gjitha afatet kushtetuese për krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 26 tetorit.

    Pas shpërndarjes së Kuvendit, sipas Kushtetutës, presidentja është e obliguar të caktojë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme brenda 40 ditësh.

    Osmani tashmë ka zhvilluar konsultimet me përfaqësuesit e partive, të cilët kanë shprehur data 21 dhe 28 dhejtor si të preferuara për mbajtjen e zgjedhjeve.

    Me nënshkrimin e vendimit, vendi hyn zyrtarisht në proces zgjedhor, ndërsa institucionet aktuale do të vazhdojnë punën në kapacitet të kufizuar deri në formimin e qeverisë së re.

  • Haradinaj: Mbajtja e zgjedhjeve më 28 dhjetor, ofendim për qytetarët

    Haradinaj: Mbajtja e zgjedhjeve më 28 dhjetor, ofendim për qytetarët

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se data më e mirë për mbajtjen e zgjedhjeve është 21 dhjetori.

    Në një konferencë për media pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, ai tha se mbajtja e zgjedhjeve më 28 dhjetor është një ofendim për qytetarët pasi të gjithë janë në pushime dimërore.

    Ai madje kritikoi Glauk Konjufcën që priti 15 ditë, kur veç e dinte që nuk i kishte numrat.

    “Koha ka kaluar, kemi ardhur në ditën e sotme. Unë kam shprehur kritikë për mandatarin e dytë pse me prit 15 ditë. Ka mujt një javë nëse e ka ditë që si ka votat. S’ka pas arsye mu thirr seanca ditën e fundit, pse se kanë thirrë para një jave, në mënyrë që të ketë mundësi koordinimi”, tha Haradinaj.

    Në zgjedhjet e ardhshme ai tha se qëndrimi i AAK-së nuk ndryshon, janë për qeveri të opozitës.

    “Ne qëndrojmë për qeveri të opozitës, kjo nuk ndryshon. Kemi bërë përpjekje të vazhdueshme që opozita ta gjeje një formulë për të ecur përpara. Besoj që shumë zhvillime e ka rënduar jetën e qytetarëve, janë tepër serioze. Duhet të reflektojmë, secili nga ne. S’ka të bëjë me vija të kuqe, por duhet të reflektojmë. Nuk e kemi lluksin që pas zgjedhjeve të ardhshme me u sjell sikur tash”, tha Haradinaj.

  • Peci: Guxo kërkon që zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbahen më 28 dhjetor

    Peci: Guxo kërkon që zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbahen më 28 dhjetor

    Faton Peci, nga GUXO, ka thënë se ata preferojnë datën 28 dhjetor për mbajtjen e zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

    Këto deklarata ai i dha pas takimit me presidenten Vjosa Osmanin, dhe liderët e tjerë të partive politike.

    ‘’Pat diskutime të ndryshme se kur është opsioni më optimal dhe më i favorshëm për qytetarët e Kosovës. Ne si GUXO kemi mbrojte qëndrimin se mes datës 21 dhjetor dhe 28 dhjetor, kemi preferuar datën 28. Arsyeje janë të thjeshta, për shkak se KQZ ende nuk ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve lokale,.

    Për shkak të nevojës të kemi koordinimin dhe përgatitje më të mirë të KQZ edhe të partive, dhe njëkohësisht dhe për nevojën e organizimi t më të mirë në nivelë të ambasadave dhe të konsullatave në vende të BE’, SHBA’së. Ky është propozimi jonë.

    Ne mendojmë se data më e favorshmja, më e përshtatshmja, për qytetarin, për mërgatën, për institucionin, është data 28 dhjetor’’, ka deklaruar ai.

  • Përfundon takimi i Osmanit me liderët e partive politike për zgjedhjet e reja

    Përfundon takimi i Osmanit me liderët e partive politike për zgjedhjet e reja

    Ka përfunduar takimi i presidentes Vjosa Osmani me liderët e partive politike.

    Takimi në fjalë ka filluar rreth orës 10:30 dhe në të është diskutuar për datën e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

    Në takim ishin të gjithë liderët e partive politike në vend.