ATV

Author: K.B.

  • Bashkimi Evropian i zhgënjyer me partitë kosovare: Nuk përfituan 882 milionë euro

    Bashkimi Evropian i zhgënjyer me partitë kosovare: Nuk përfituan 882 milionë euro

    Bashkimi Evropian shpreh keqardhje që partitë politike në Kosovë nuk arritën të kapërcenin ngërçin e zgjatur politik pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit 2025.

    BE thekson se Kosova duhet të ketë kapacitetet e nevojshme për të vepruar si shtet funksional. Në këtë kuadër, zyrtarët në Bruksel presin që Kosova të rikthehet në rrugën e duhur të reformave jetike të lidhura me procesin e integrimit evropian, për të mirën e qytetarëve të saj dhe për avancimin në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

    Nga BE nënvizohet gatishmëria për të punuar me institucionet e Kosovës dhe për të vazhduar mbështetjen e vendit në rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian.

    Njëkohësisht, Brukseli shpreh keqardhje që nuk janë krijuar kushtet që Kosova të përfitojë nga mjetet financiare të Planit të Rritjes.

    “Është për të ardhur keq që partitë politike nuk kanë qenë në gjendje deri më tani të bien dakord për çështjet kyçe, përfshirë ratifikimin e Planit të Reformës dhe Rritjes”, ka deklaruar një zëdhënës i Komisionit Evropian.

    Sipas tij, javën e kaluar Kosova dhe Komisioni Evropian kanë nënshkruar marrëveshjen për huan, por e njëjta duhet të hyjë në fuqi për të prodhuar efekt.

    Konfirmohet se Kosova mbetet e kualifikuar për të marrë deri në 882 milionë euro në financim sipas Planit të Rritjes, mirëpo në varësi të hyrjes në fuqi të marrëveshjeve që lidhen me Instrumentin e Reformës dhe Rritjes, si dhe të gjitha kushteve të tjera për pagesë.

    “Për shkak të vonesave në formimin e institucioneve, marrëveshjet që lidhen me Instrumentin e Reformës dhe Rritjes ende nuk kanë hyrë në fuqi. Pa ratifikimin e tyre, Kosova nuk mund të paraqesë kërkesë për pagesë nga ky instrument. Instrumenti i Reformës dhe Rritjes është me afat të kufizuar kohor, i miratuar për periudhën 2024–2027, dhe është në interes të Kosovës që ratifikimi të bëhet sa më shpejt për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë e Planit të Rritjes, në dobi të qytetarëve të saj”, theksojnë zyrtarët e BE-së.

  • 4 ushqime që nuk duhet t’i ngrohni më kurrë në mikrovalë

    4 ushqime që nuk duhet t’i ngrohni më kurrë në mikrovalë

    Këshilli Evropian i Informimit mbi Ushqimin, kohët e fundit ka zbuluar se disa ushqime mund të jenë të dëmshme për shëndetin, pasi ngrohen përsëri në mikrovalë.

    Më poshtë po ju listojmë katër kategoritë e ushqimeve të cilat nuk duhet t’i nxehni në mikrovalë.

    Spinaqi dhe perimet me gjethe jeshile
    Disa zarzavate me gjethe jeshile, përmbajnë nivele të larta të nitrateve, të cilat mund të shndërrohen në nitrosamina kancerogjene kur nxehen.

    Për këtë arsye, të dhënat nga Këshilli i Informimit mbi Ushqimin janë kundër ngrohjes në mikrovalë të spinaqit, lakrës jeshile dhe perimeve të tjera të kësaj familje.

    Një mundësi më e sigurt është t’i zieni ato me avull ose t’i skuqni lehtë.

    Mishi i pulës dhe i shpendëve të tjera
    Shumica e pulave rrezikojnë të kenë salmonelë, prandaj duhet të gatuhen dhe të përgatiten me kujdes për të shmangur ndonjë infektim të mundshëm.

    Rreziku më i madh me ngrohjen e pulës në mikrovalë është shpërndarja e pabarabartë e nxehtësisë, duke bërë që disa pjesë të proteinave të prishen më shpejt, kjo mund të shkaktojë shqetësime në stomakun tuaj.

    Kërpudha
    Këshilli i Informimit mbi Ushqimin shprehet se proteinat në kërpudha shkatërrohen lehtësisht nga enzimat e jashtme dhe mikroorganizmat, të cilat mund të shkaktojnë shqetësime në stomak nëse nuk ruhen siç duhet.

    Sidoqoftë, nëse i mbani kërpudhat tuaja në frigorifer për 24 orë, AgroWeb.org ju tregon se mund t’i përgatisni ato në temperaturën e rekomanduar prej 70 gradë celsius.

    Patatet dhe Perimet
    Nëse i lini patatet e gatuara jashtë, në temperaturë dhome, veçanërisht të mbështjella me letër alumini, mund të shkaktoni rritjen dhe përhapjen me shpejtësi të baktereve dhe viruseve.

    Ngrohja e ushqimit në mikrovalë nuk do t’i vrasë ato dhe kjo mund të çojë në helmim nga ushqimi dhe shqetësime të përgjithshme në stomak.thshme në stomak.

  • OKB miraton rezolutën për vetëvendosjen e palestinezëve

    OKB miraton rezolutën për vetëvendosjen e palestinezëve

    Komiteti i të Drejtave të Njeriut i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ka miratuar rezolutën e tij vjetore që riafirmon të drejtën e popullit palestinez për vetëvendosje, në një vendim të konsideruar si veprim i rëndësishëm diplomatik.

    Rezoluta bazohet në gjetjet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, e cila ka vlerësuar se pushtimi izraelit i Bregut Perëndimor është i paligjshëm dhe duhet të përfundojë menjëherë.

    Dokumenti u miratua me një shumicë dërrmuese prej 164 votash pro, ndërsa vetëm 7 shtete votuan kundër, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Izraelin, Argjentinën, Paraguain, Mikronezinë, Naurunë dhe Papua Guinenë e Re.

    Rezoluta pritet të diskutohet më tej në sesionet e ardhshme të Asamblesë së Përgjithshme, ndërsa mbështetësit theksojnë se ajo përbën një mesazh të fortë ndërkombëtar për të drejtën e palestinezëve në vetëvendosje dhe nevojën për t’i dhënë fund pushtimit.

  • E quajti komunist, Trump konfirmon takim me kryetarin e New Yorkut në Uashington

    E quajti komunist, Trump konfirmon takim me kryetarin e New Yorkut në Uashington

    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka konfirmuar se një takim i shumëpritur me kryetarin e New Yorkut, Zohran Mamdani, do të zhvillohet në Uashington këtë javë.

    Takimi, të cilin Trump tha se do të mbahej të premten në Zyrën Ovale, mund të përfaqësojë një qetësim të marrëdhënieve midis presidentit republikan dhe yllit demokrat në ngritje.

    Duke e quajtur Mamdanin me emrin e tij të plotë – dhe duke e vendosur emrin e mesëm të kryetarit të zgjedhur, Kwame, në thonjëza – Trump postoi se Mamdani e kishte kërkuar takimin, duke premtuar: “Detaje të mëtejshme do të vijnë më pas!”

    Duke thënë se ishte “zakonore” që një kryetar i ri të takohej me presidentin, zëdhënësja e Mamdanit, Dora Pekec, tha se Mamdani planifikonte të diskutonte me Trumpin “sigurinë publike dhe sigurinë ekonomike”.

    Bëhet e ditur se Trump për muaj të tërë e ka kritikuar ashpër Mamdanin, duke e etiketuar si “komunist”.

    Ai gjithashtu kërcënoi të deportonte Mamdanin, i cili ka lindur në Ugandë dhe u bë shtetas amerikan i natyralizuar në vitin 2018, dhe të tërhiqte paratë federale nga qyteti.

  • Gazetari Festim Kabashi i bashkohet LDK-së

    Gazetari Festim Kabashi i bashkohet LDK-së

    Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se gazetari Festim Kabashi i është bashkuar kësaj partie.

    Abdixhiku ka thënë se Festimi ka dëshmuar profesionalizëm, integritet dhe përkushtim në informimin e publikut dhe nga tani do të nisë karrierën politike.

    Festim Kabashi ka qenë për vite gazetar në televizionin publik të Kosovës.

    Njoftimi i plotë:

    Mirë se vjen, Festim!
    Festim Kabashi, një prej emrave më të njohur e spikatur të gazetarisë, dokumentarëve dhe menaxhimit strategjik në mediat kosovare, nga sot i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës.
    Me mbi dy dekada përvojë në Radiotelevizionin e Kosovës, nga gazetar terreni, tek moderatori, redaktori, producenti, deri te drejtuesi i kanaleve kryesore televizive, Festimi ka dëshmuar profesionalizëm, integritet dhe përkushtim të rrallë në informimin e publikut dhe ndërtimin e mediave kredibile në vend.

    I diplomuar në Shkenca Politike dhe Administratë Publike, ai ka ndërtuar një profil të fuqishëm profesional duke udhëhequr me dinjitet. Si autor e producent dokumentarësh, Festimi ka trajtuar temat më të ndjeshme sociale, politike dhe njerëzore, nga varfëria, të drejtat e fëmijëve, e deri te barazia gjinore dhe të drejtat e gruas për trashëgimi. Për punën e tij është vlerësuar me çmime prestigjioze nga UNKT, KOMF dhe organizata ndërkombëtare si BE dhe BIRN.

    Festimi sot nisë një etapë të re në karrierën e tij politike. Angazhimin fisnik për Republikën. LDK sot e fiton një kuadër të ri, që beson në vlerat tona, rrugëtimin tonë e ekipin që kemi.
    Ardhja e tij, dhe të tjerëve pas tij, le të shihet si një tregues dhe njëkohësisht thirrje për përbashkim të secilit i cili nuk ndjenë komfort me situatën e tanishme politke; që do ndryshim e që angazhohet për këtë ndryshim.

    Dyert e tona janë të hapura.

    Festimi është i martuar me Blerta Foniqi Kabashi dhe kanë dy fëmijë, Klean 18 vjeçe dhe Oson 14 vjeç.
    Mirë se vjen Festim Kabashi!
    Paç shëndet e përkushtim në këtë rrugëtim të ri.

  • Kurti merr pjesë në Samitin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian në Tiranë

    Kurti merr pjesë në Samitin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian në Tiranë

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti merr pjesë në Samitin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian që mbahet më 21 nëntor, e premte, në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.

    Ndërkaq sonte, kryeministri Kurti merr pjesë në Darkën e Liderëve në kuadër të këtij samiti.

    Samiti do të mbahet në Pallatin e Brigadave në Tiranë.

  • Kryediplomati gjerman: Jam fans i Dua Lipës, e pata një biletë me vajzën time për koncertin e saj, por pastaj u bëra ministër

    Kryediplomati gjerman: Jam fans i Dua Lipës, e pata një biletë me vajzën time për koncertin e saj, por pastaj u bëra ministër

    Ministri i punëve të jashtme të Gjermanisë, Johann Wadephul, ka surprizuar ndjekësit me një rrëfim të papritur se është fans i këngëtares shqiptare me famë botërore, Dua Lipa.

    Në një video të xhiruar brenda avionit qeveritar, pas kthimit nga vizita e tij në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Wadephul shfaq telefonin e tij dhe tregon se në playlistën personale dëgjon albumin Radical Optimism të këngëtares.

    Ministri shtoi edhe një detaj personal: “Kam pasur një biletë për të shkuar me vajzën time më të vogël në koncertin e Dua Lipës, por pastaj u bëra ministër i jashtëm”, – u shpreh ai me humor.

  • Pas shpërbërjes së Kuvendit, Osmani del në konferencë për media nga ora 13:00

    Pas shpërbërjes së Kuvendit, Osmani del në konferencë për media nga ora 13:00

    Presidentja Vjosa Osmani do të mbajë konferencë për media nga ora 13:00 pasi nënshkroi dekretin për shpërbërjen e Kuvendit.

    Këtë e konfirmoi këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina.

    Osmani sot mbajti një takim me liderët partiakë për të caktuar datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme pasi Lëvizja Vetëvendosje dështoi për të dytën herë të formojë qeverinë pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit.

    Më herët Presidenca njoftoi për shpërndarjen e Kuvendit.

    “Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, si dhe pas pranimit sot të vendimit të Kuvendit të Kosovës lidhur me dështimin e krijimit të Qeverisë edhe nga mandatari i dytë, Presidentja e Republikës së Kosovës ka shpërndarë sot Legjislaturën e nëntë të Republikës së Kosovës”.

  • Suedia lejon pushimet si terapi kundër stresit të punës

    Suedia lejon pushimet si terapi kundër stresit të punës

    Suedia ka prezantuar një program unik shëndetësor që po tërheq vëmendjen e botës: mjekët tani mund të rekomandojnë pushime si trajtim për stresin dhe lodhjen mendore.

    Programi inovativ, i quajtur “Receta Suedeze”, synon të përmirësojë shëndetin mendor përmes përvojave relaksuese dhe kontakteve me natyrën.

    Sipas këtij programi, në vend të ilaçeve tradicionale, mjekët u ofrojnë pacientëve “receta” që përfshijnë udhëtime dhe aktivitete çlodhëse, të cilat ndihmojnë në uljen e stresit, rikthimin e ekuilibrit emocional dhe përmirësimin e funksionit kognitiv.

    Nisma është zhvilluar në bashkëpunim me agjencinë suedeze të turizmit, e cila ka krijuar edhe një formular zyrtar që pacientët mund ta shkarkojnë vetë dhe t’ia paraqesin mjekut të tyre për miratim.

    Autoritetet shëndetësore suedeze besojnë se ky model do të kontribuojë në parandalimin e burnout-it dhe do t’i ndihmojë pacientët të gjejnë mënyra natyrale dhe afatgjata për të menaxhuar stresin.

    Pushime si terapi? Vetëm në Suedi.

  • Kelmendi: Nga mediat u informova për shkarkimin tim, KPK s’ka pasur kuorum, do ta atakoj në gjykatë

    Kelmendi: Nga mediat u informova për shkarkimin tim, KPK s’ka pasur kuorum, do ta atakoj në gjykatë

    Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, është shkarkuar nga kjo pozitë në mbledhjen e së enjtes me vendim të marrë nga pesë anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

    Sipas përbërjes aktuale, kuorumi për vendimmarrje në KPK është gjashtë anëtarë, ndërsa në mbledhjen e së enjtes, edhe pse ishin fillimisht dhjetë anëtarë në takim, gjatë takimit pesë prej tyre e kanë lëshuar takimin si shenjë proteste ndaj zhvillimeve të fundit, ndërsa vendimi për shkarkimin e UD Kryeprokurorit e morën pesë anëtarët e mbetur. Kryesuesi i KPK-së, Ardian Hajdaraj, tha se për shkak të largimit të kundërligjshëm të anëtarëve të tjerë, takimi vazhdon.

    UD Kryeprokurori Besim Kelmendi i kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi” tha se nga mediat është informuar për vendimin për shkarkimin e tij.

    “Për besë, u informova nga mediat për shkarkimin tim. Është vendim arbitrar, vendim i kundërligjshëm sepse dihet fare mirë që KPK s’ka pas kuorum. Posa ta pranoj një vendim të tillë, natyrisht se do ta atakoj në gjykatë”.

    Në anën tjetër, KPK në këtë takim pa kuorum, po ashtu ka caktuar si ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit, prokurorin Agron Qalaj.

    Ky i fundit, tha se nuk e ka idenë se çfarë ka ndodhur në KPK.

    “Kush more… Sen nuk di çka ka vendos Këshilli”, tha Qalaj.

    Në mbledhjen e së enjtës në KPK, kanë vazhduar akuzat e ndërsjella në mes të anëtarëve të KPK-së, ndërsa kërkesa e zëvendëskryetares së KPK-së, për shkarkimin e UD Kryeprokurorit Kelmendi, ka nxitur reagimin e pesë anëtarëve të KPK-së, të cilët e kanë lëshuar takimin përfshi Besim Kelmendin, Veton Shabanin, Arian Gashin, Visar Krasniqin dhe Dardan Vuniqi.

    Ndërsa takimin pa kuorum e kanë vazhduar Kryesuesi Ardian Hajdaraj dhe anëtarët Jetish Maloku, Milot Krasniqi, Jehona Grantolli dhe Ariana Shajkovci.