ATV

Author: K.B.

  • Punëtorët e RTK-së nga e hëna fillojnë grevën e përgjithshme

    Punëtorët e RTK-së nga e hëna fillojnë grevën e përgjithshme

    Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) ka bërë të ditur se nga e hëna (24 nëntor) do të fillojë greva e përgjithshme e punëtorëve të televizionit publik e cila do të mbahet çdo ditë nga ora 11:00 deri në orën 13:00.

    “Gjatë këtyre dy orëve ndalet çdo punë, në çdo sektor të RTK-së: redaksi, administratë, financa, arkiv, kamera, galeri, master, teknikë, produksion, regjisorë, montazh, audio, si dhe të gjitha njësitë tjera mbështetëse. Greva vlen për të gjithë, pa përjashtim”, thuhet në komunikatën e SPERTK-së, njërës prej tri sindikatave në RTK.

    Sipas kësaj sindikate, kjo masë vjen pas një periudhe të gjatë kërkesash të injoruara dhe një gjendjeje që është bërë e paqëndrueshme si për stafin ashtu edhe për funksionimin e institucionit, e ku pagat janë të bllokuara dhe rrezikohet seriozisht vazhdimësia e RTK-së.

    “Kërkojmë nga menaxhmenti i RTK-së të marrë vendim të qartë për mosmbulim të fushatës zgjedhore. Pa një vendim të tillë, stafi rrezikon të përfshihet në situata të padrejta dhe të ekspozohet ndaj presioneve të jashtme. Nëse menaxhmenti nuk del me qëndrim, SPERTK do të thërrasë bojkotin e plotë të zgjedhjeve nga ana e gjithë kolegëve”, thuhet tutje në komunikatë.

    Sipas SPERTK-së, greva do të shoqërohet shumë shpejt edhe me protestë në shesh, para Qeverisë, për të cilën do të njoftohet me kohë.

    “Kjo protestë është e domosdoshme, sepse gjendja në RTK ka kaluar çdo kufi të durimit. Ftojmë të gjithë punonjësit të qëndrojnë të bashkuar dhe t’i përmbahen vendimeve të Sindikatës. Bashkimi ynë është i vetmi mjet për të mbrojtur punën, dinjitetin dhe shërbimin publik që i ofrojmë vendit. Qëllimi ynë është i vetëm: zgjidhja urgjente e çështjes së pagave dhe garantimi i funksionimit normal të RTK-së. Pasi nuk ka Kuvend aktiv, kërkojmë që Qeveria, përkatësisht Ministria e Financave, të marrë vendimin e nevojshëm pa asnjë vonesë. Nëse për zgjedhje gjenden mjete, atëherë duhet të gjenden edhe për RTK-në. Media publike nuk mund të lihet në kolaps”, thekson në fund SPERTK.

  • Aksident me tre të lënduar në Gllarevë të Klinës

    Aksident me tre të lënduar në Gllarevë të Klinës

    Tre persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur mes dy veturave në Gllarevë të Klinës.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës Fadil Gashi.

    Gashi deklaroi se në aksident ishin të përfshirë dy vetura.

    “Të lënduarit janë dërguar për trajtim në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare. Sipas informacioneve janë jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes ka dal policia dhe po e heton rastin”, theksoi ai.

  • Vdes 30-vjeçari shqiptar në Angli, flinte në koshat e mbeturinave – dyshohet se u shtyp nga një kamion

    Vdes 30-vjeçari shqiptar në Angli, flinte në koshat e mbeturinave – dyshohet se u shtyp nga një kamion

    Një 30-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Sajmir Beca, ka vdekur tragjikisht pasi u shtyp nga një kamion mbeturinash në Northampton të Anglisë.

    The Sun raporton se 30-vjeçari po flinte brenda një koshi plehrash. Ngjarja e rëndë ndodhi më 31 tetor në Rrugën Wellington, ku fqinjët raportuan se u zgjuan nga britma të forta në orët e para të mëngjesit.

    Shërbimet e urgjencës mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes dhe e transportuan me urgjencë Sajmirin drejt Spitalit të Coventry-t. Pavarësisht ndërhyrjeve mjekësore, i riu nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë më 6 nëntor.

    Miqtë e tij, të tronditur nga humbja, treguan se Sajmiri kishte kërkuar më herët strehë tek persona të ndryshëm, por pasi nuk gjeti një vend ku të qëndronte, përfundoi duke fjetur në rrugë.

    Autoritetet britanike po vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.

  • Gjetën portofolin me para dhe e dorëzuan në polici, Osmani ndan mirënjohje për tre fëmijët nga Ferizaj

    Gjetën portofolin me para dhe e dorëzuan në polici, Osmani ndan mirënjohje për tre fëmijët nga Ferizaj

    Tre fëmijë nga Ferizaj, të mërkurën e gjetën një portofol me para dhe dokumente e të njëjtin e dorëzuan në polici.

    Ndërkaq, sot në Ditën Botërore të Fëmijëve presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, i priti ata në takim.

    Ajo tha se Diar, Anik dhe Rajana Terziu dhanë një shembull të jashtëzakonshëm ndershmërie.

    “Ata gjetën një portofol me para dhe e dorëzuan në polici, duke treguar vlera të larta morale. Atyre ju ndava mirënjohje për aktin e ndershmërisë dhe përgjegjësisë qytetare, duke u shndërruar në shembull frymëzues për të gjithë fëmijët e vendit”, tha Osmani.

  • AKR do të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit

    AKR do të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Ushtruesi i detyrës së kryetarit të AKR-së, Vesel Makolli, ka deklaruar se partia e tij do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme, duke bërë të ditur se përgatitjet tashmë kanë nisur brenda strukturave të partisë.

    “Po do të marrim pjesë në zgjedhje”, tha Makolli.

    Ai ka bërë të ditur se ka pasur të planifikuar një mbledhje të kryesisë.

    “Sot kam pasur një ftesë dhe e kemi mbledhjen e kryesisë në ora 17:30, por e shtyva për nesër”, tha ai.

    Ai mohoi se ftesa e fundit ka ardhur nga kreu i LVV-së, Albin Kurti.

    “Ftesa nuk është nga Kurti, ka qenë nga ai për zgjedhjet lokale, por unë s’kam pranuar e këtë rast prej tij nuk është”, theksoi Makolli.

    Makolli, foli edhe për raportet me Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke theksuar afërsinë natyrale mes dy subjekteve.

    “Po, është afërsia me LDK-në sepse gjeneza jonë aty lidhet. Një pjesë e mirë e elektoratit të AKR-së ka qenë anëtarësi e LDK-së”, u shpreh ai.

  • Edhe Supremja rrëzon ankesën e PDK’së për rivotim në Mitrovicë

    Edhe Supremja rrëzon ankesën e PDK’së për rivotim në Mitrovicë

    Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës, që kërkonte të ketë përsëritje të votimit të balotazhit për kryetar të Mitrovicës.

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa më 14 nëntor vendosi që të mos ketë rivotim pas ankesës së PDK-së për fletëvotime të përziera ndërmjet klasave dhe problemeve me shfaqjen e numrit serik në fletëvotime. PZAP-ja e pati cilësuar të pabazë ankesën duke thënë se ankuesi nuk ka prezantuar prova për të dëshmuar parregullsitë.

    Pas kësaj, PDK-ja u ankua në instancën më të lartë. Të enjten, Supremja ka njoftuar se e ka refuzuar ankesën e PDK-së duke e pranuar si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin e PZAP-së.

    “Gjykata Supreme konstaton se asnjë nga pretendimet e palëve nuk është provuar dhe faktuar dhe nuk ekziston bazë ligjore që të provojë se ka pasur shkelje të natyrës substanciale që mund të ndikojnë në integritetin e procesit zgjedhor ose në rezultatin përfundimtar, andaj, vlerësoi se dëshmitë e paraqitura nuk krijojnë bazë të mjaftueshme për gjykatën që të krijohet bindja se në rastin konkret duhet të urdhërohet rivotimi”, thuhet në njoftim të Supremes.

    Në balotazh, Faton Peci i Lëvizjes Vetëvendosje e pati mposhtur Arian Tahirin e PDK-së.

  • Ende nuk dihen shkaqet e zjarrit në Ferizaj – Policia jep detaje të reja

    Ende nuk dihen shkaqet e zjarrit në Ferizaj – Policia jep detaje të reja

    Ende nuk janë zbuluar rrethanat e shpërthimit të zjarrit në një kompani në magjistralen Ferizaj-Kaçanik.

    Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë për rajonin e Ferizajt, tha se pos zjarrfikësve dhe njësive policore, në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipet e KEDS-it, eksperti i zjarreve, si dhe zyrtarë nga Komuna e Ferizajt dhe Shërbimet Publike, për të koordinuar veprimet.

    Po ashtu, për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit.

    Lidhur me rastin, nuk raportohet për të lënduar, derisa dëmet konsiderohen mjaft të larta.

  • Alarm në fluturimin Londër–Tiranë: 5 pasagjerë bien pa ndjenja, avioni devijon në Mynih dhe kthehet në Londër

    Alarm në fluturimin Londër–Tiranë: 5 pasagjerë bien pa ndjenja, avioni devijon në Mynih dhe kthehet në Londër

    Një avion i nisur nga Londra me destinacion Tiranën nuk ka mbërritur ende në Shqipëri pasi në Gjermani ka devijuar rrugën.

    Avioni i nisur nga Luton Airport pritej të mbërrinte në Rinas në orën 10:55, por në Mynih avioni ka devijuar rrugën dhe është kthyer në destinacionin fillestar, Londër.

    Raportohet se 5 pasagjerë janë sëmurur papritur me gjendje të fikëti dhe sapo ekuipazhi ka njoftuar pilotin ai ka devijuar rrugën për t’u kthyer në Londër pasi në atë pikë ishte më afër se Tirana.

    Avioni ka mbërritur në aeroport dhe 5 ambulanca ndodhen në pistë duke pritur pasagjerët e sëmurë, të cilét nuk dihet çfarë u ka ndodhur.

    Ndërkohë pasagjerët e tjerë pritet të nisen drejt Tiranës më vonë dhe kjo ka shkaktuar vonesa edhe për pasagjerët që do udhëtonin nga Tirana drejt Londrës.

  • Caktimi i zgjedhjeve më 28 dhjetor, Kurti: Më e përshtatshmja

    Caktimi i zgjedhjeve më 28 dhjetor, Kurti: Më e përshtatshmja

    Kreu i LVV-së, Albin Kurti, ka thënë se e mirëpret caktimin e datës 28 dhjetor si datë për zgjedhje të parakohshme.

    Kurti ka thënë se kjo datë është më e përshtatshmja për mbajtjen e zgjedhjeve.

    Postimi i plotë:

    Dita e zgjedhjeve është festë e demokracisë. Ajo bëhet edhe më madhështore kur ka pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve tanë me të drejtë vote. Në të njëjtën kohë, duhet të sigurohemi që institucionet shtetërore kanë kohën e mjaftueshme për të bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që procesi zgjedhor të jetë i rregullt, i drejtë dhe demokratik. Andaj, ne e mirëpresim caktimin e datës 28 dhjetor nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, si datën më të përshtatshme për zgjedhjet e parakohshme që po na presim.

  • Zgjedhjet më 28 dhjetor, vjen reagimi i parë i PDK’së: Vendim i njëanshëm i Presidentes

    Zgjedhjet më 28 dhjetor, vjen reagimi i parë i PDK’së: Vendim i njëanshëm i Presidentes

    Ka ardhur reagimi i parë nga PDK pas caktimit të datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, më 28 dhjetor nga Presidentja Osmani, dita kur qytetarët duhet t`i drejtohen kutive të votimit.

    Ish-deputetja e PDK’së Blerta Deliu në Facebook ka shkruar se edhe pse është vendim i njëanshëm i Presidentes, është mundësi për ta rikthyer institucionin te qytetari.

    “Edhe pse vendim i njëanshëm i Presidentes, kjo datë mbetet një mundësi historike për ta rikthyer institucionin te qytetari dhe te vullneti i shumicës. Vendimmarrja nuk mund të jetë e plotë pa zërin e popullit, prandaj 28 Dhjetori është dita jonë.”, ka shkruar ajo.