ATV

Author: K.B.

  • Greqia shpall “Non Grata” gazetarin Artan Hoxha

    Greqia shpall “Non Grata” gazetarin Artan Hoxha

    Gazetari investigativ Artan Hoxha është shpallur “person non grata” nga autoritetet e Republikës së Greqisë dhe është ndaluar të hyjë përgjithmonë në territorin grek, pasi konsiderohet “i padëshirueshëm” dhe “kërcënim për rendin publik dhe sigurinë e brendshme”.

    Vendimi është komunikuar të martën në pikën kufitare të Kakavijës, ku Hoxha po udhëtonte drejt Janinës.

    Sipas gazetarit, policia greke e kufirit e ndaloi atë në sportelin e kontrollit të pasaportave dhe pasi i mori dokumentin e udhëtimit, e mbajti rreth një orë në komisariat. Rreth orës 10:30, atij i është dorëzuar vendimi që e përjashton nga hyrja në Greqi për një afat të pacaktuar. Në dokumentin zyrtar thuhej se:

    1. është karakterizuar si person i padëshirueshëm;

    2. konsiderohet rrezik për rendin publik, sigurinë e brendshme, shëndetin publik ose marrëdhëniet ndërkombëtare të një ose më shumë shteteve të BE-së.

    Pas njoftimit, policia greke i vendosi një kryq me stilolaps mbi vulën e hyrjes në pasaportë dhe e urdhëroi të largohej menjëherë nga territori helen.

    Ky nuk është rasti i parë i ndalimit të gazetarëve shqiptarë nga autoritetet greke. Më herët, i njëjti vendim është marrë edhe për gazetarin e Top Channel, Marin Mema, i cili vazhdon të mos lejohet të hyjë në Greqi.

    Sipas Hoxhës, vendimi për shpalljen e tij “non grata” është marrë që në fillim të vitit 2024, periudhë kur në Greqi zhvillohej fushata për zgjedhjet e Parlamentit Europian. Në listën e partisë në pushtet, Nea Dimokratia, kandidonte edhe Fredi Beleri, me shtetësi shqiptare dhe greke, aktualisht i dënuar në Shqipëri.

    Hoxha ka qenë një prej gazetarëve që ka raportuar gjerësisht për aktivitetet e Belerit, duke përfshirë rolin e tij në ngjarjet e njohura si “Masakra e Peshkëpisë” të vitit 1994, ku mbetën të vrarë dy ushtarakë shqiptarë dhe u morën peng dhjetëra rekrutë. Për këto çështje, gazetari është përballur edhe me procese gjyqësore në Tiranë gjatë viteve 2023–2024.

    Gjatë fushatës së zgjedhjeve europiane, Hoxha ka publikuar artikuj investigativë në disa media greke, duke trajtuar raste të ndihmës që Beleri dyshohet se u ka dhënë shtetasve shqiptarë të dënuar për kriminalitet në Greqi, duke i paraqitur si minoritarë ortodoksë.

    Prej 23 vitesh, Hoxha ka publikuar një sërë investigimesh që lidhen me marrëdhëniet shqiptaro–greke dhe çështje të sigurisë kombëtare, nga skandali i varrezave të ushtarëve grekë në Shqipëri, te zhvarrimet e fshatarëve të Kosinës të paraqitur si ushtarë të rënë në Luftën e Dytë Botërore. Ai ka dokumentuar edhe ngjarjen e Bularatit në vitin 2018, duke publikuar pamje të momentit kur Konstandinos Kacifas hapi zjarr ndaj policisë shqiptare.

    Sipas gazetarit, shpallja e tij “non grata” është një veprim politik i autoriteteve greke, që sipas tij synon të penalizojë gazetarët shqiptarë që ekspozojnë aktivitete të paligjshme në dëm të interesave shqiptare.

  • Rasti i Liridona Ademajt, prokurorja prezanton provat : Naim Murseli kishte borxh rreth gjysmë milioni euro

    Rasti i Liridona Ademajt, prokurorja prezanton provat : Naim Murseli kishte borxh rreth gjysmë milioni euro

    Seanca gjyqësore në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, po vazhdon me administrimin e provave.

    Prokurorja Javorka Perlinçeviq ka treguar për komunikimet që kanë pasur Naim Murseli dhe Granit Plava, disa ditë radhazi para se të ndodhte rasti tragjik.

    Para trupit gjykues, ajo ka prezantuar prova edhe se si natën e vrasjes, Granit Plava kishte qenë prezent në të njejtin restaurant me Naim Murselin e familjen e tij.

    “Dhe prova tjetër është, për raportet nga kompania, për thirrjet telefonike nga telefonët, të të pandehurit nga Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla të cilët kanë qenë të qasshsmë, pasi të gjithë e dimë që dy telefona të Naim Murselit dhe të te ndjerës Liridona Murseli që janë zhdukur në mënyrë misterioze atë natë kur ka ndodhur rasti. Në ëhatsApp, janë gjetur kontaktet ndërmjet Granit Plavës dhe të të pandehurit Naim Murseli dhe sipas provave të gjetura, të njëjtit kanë qenë duke u zhvilluar nga 23.11.2023 rreth orës 18:33 dhe kanë vazhduar me ditë të tëra deri më 24.11.2023, 25.11.2023, 26.11.2023, 27.11.2023 dhe në datën e ndodhjes së vrasjes më 29.11.2023. I pandehuri Naim Murseli ka dërguar një mesazh Granit Plavës me një mesazh siç është ‘shok, sigurisht kryhet nesër, a të ka thënë shtëpia për paradite’ pas kësaj ndërmjet të të pandehurve, ka vazhduar edhe thirrja me telefon dhe thirrja e fundit e cila është shkëmbyer, ndërmjet të të pandehurit Naim dhe Granit ka ndodhur ndërmjet rrjetit social ëhatsApp 29.11.2023 në 19:01, ku kanë biseduar 28 sekonda. Dhe duke shiquar videon-incizimet të cilat janë marrë, kjo është koha kur të dytë Naimi nga njëra anë me familjen dhe Granit Plava nga ana tjetër kanë qenë ne restorabtin Etnokuqa në Graqanicë. Pas kësaj i pandehuri i dytë Granit Plava ka paguar llogarinë dhe ka dalur nga restoranti, ka hyrë në veturën e tij dhe e ka pritur Naimin me familjen e tij. Dhe ka filluar t’i përcjell. Nga inicizimi mund të shihet ardhja e Naimit me familjen e tij si dhe ardhja e Vrajit Plavë pak më pas. Si dhe shkuarja e tyre nga ai restorant. Kamerat e këtij restoranti, inicizojnë si brendësinë dhe hapësirën e jashtme ku shumë mirë shihet, në cilën tavolinë ishin të ulur dhe gjithashtu ato mund të inicizojnë pamjen e hapësirave, e parkingun e restaurantit dhe shume mirë shihet veturat të të pandehurve të Naim Murselit dhe Granit Plavës si dhe ajo kohë kur Granit Plava ishte dalë i pari nga ai restaurant dhe ka pritur në veturën e tij që të dalë Naimi me familjen e vet, dhe pasi që ata janë nisur me veturë, ky i ka përcjell më pas” ka thënë ajo.

    Prova tjera me video do të administrohen para trupit gjykues, pas 10 minutave pauza.

    “Gjatë vrasjes së Liridona Ademajt është shkrepur një plumb dhe që është gjetur gërzhoja e atij plumbi, i propozoj gjykatës, që të vazhdojmë me administrimin e këtyreve provave”, ka shtuar prokurorja.

    Prokurorja në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ka treguar se sa kishte qenë vlera e borxheve që kishte Naim Murseli.

    “369.968.77 euro [borxhi] dhe gjatë dëshmisë së vet të pandehurit, informata te cilat i ka dhënë hestuesve policor, në njësinë e paraburgimit, ka pasur borxhe edhe ndaj personave fizik në vlerë prej 106 mijë euro, që do te thotë që vlera e përgjithshme e borxhit të të pandehurve në mars të vitit 2024, kur është bërë analiza e gjendjes së tij financiarë ka qenë 475,968,77 euro”, ka thënë ajo.

    Prokurorja gjatë administrimit të provave foli edhe për përgjigjjen që kanë marrë nga Shteti suedez lidhur me sigurimin jetësor të Liridonës.

    “Dhe më tej prova tjeter është përgjigja e organeve kompetente të Mbretërisë së Suedisë, i cili na vërteton që nga ana e organeve të Suedisë, është pranuar një përgjigje që Liridona Murseli ka pasur një polic të sigurimit jetësor me fillim të vlerësishmërisë 25 qershor 2022, në vlerën prej 3 milionë të kruneve suedeze, në të cilat nuk është cekur vazhduesi i përfitimit të sigurimit në rast të humbjes së jetës dhe në këto raste sipas ligjit, nëse nuk ka vartës pas vdekjes së saj, sipas ligjit më Suedi, shfrytëzuesi i policës do të ishte bashkëshorti”, ka thënë ajo.

  • Qendra e Studentëve do t’i nënshtrohet rinovimit 70 milion eurosh për Lojërat Mesdhetare

    Qendra e Studentëve do t’i nënshtrohet rinovimit 70 milion eurosh për Lojërat Mesdhetare

    Në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, ka nisur faza e zhvillimit të projekteve madhore infrastrukturore, Në mesin e tyre, fokus të veçantë do të ketë edhe në Qendrën e Studentëve e cila do të shndërrohet në qendrën kryesore të akomodimit për mijëra sportistë nga vende të ndryshme të Mesdheut.

    Në një intervistë për KosovaPress, shefi i Agjencisë për Sport, në MKRS Fidan Shatri, shpalos detaje për kapacitetet, investimet, afatet kohore dhe trashëgiminë që do të mbetet për sportin dhe studentët pas vitit 2030. Shatri thekson se Qendra e Studentëve është zgjedhur si vendi kryesor ku do të strehohen sportistët pjesëmarrës në Lojërat Mesdhetare.

    “Pikërisht Qendra e Studentëve do të jetë vendtakimi i shumë sportistëve nga e gjithë Mesdheut, të cilët do të vendosen dhe do të akomodohen pikërisht në Qendrën e Studentëve, për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030…Shpresoj që po, do të jetë e mjaftueshme, pasi që do të bëhet një rinovim i tërësishëm i të gjitha objekteve të Qendrës së Studentëve, si dhe do të ndërtohen edhe objekte të reja për të rritur hapësirën, për pritjen e sportistëve për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030”, thotë fillimisht Shatri.

    Sipas Shatrit, aktualisht Qendra e Studentëve ka rreth 3300 vende akomodimi, por kapaciteti do të zgjerohet ndjeshëm për Lojërat e vitit 2030. Rinovimet e thella dhe ndërtimi i objekteve të reja do ta çojnë numrin e shtretërve mbi 4500,

    “Do të bëhet rinovimi i hollësishëm i të gjitha objekteve në Qendrën e Studentëve, po ashtu në të njëjtën kohë do të ndërtohen edhe objekte të reja që të rritet hapësira për sportistët të cilët do të akomodohen në Qendrën e Studentëve. Pra, aktualisht e kemi diku rreth 3300 vende, hapësirë të banueshme, dhe kjo hapësirë do të rritet mbi 4500 hapësirë, vende për akomodim për të gjithë sportistët të cilët do të akomodohen në Qendrën e Studentëve. Do të ndërtohen objekte të reja të cilat do të hyjnë në shërbim pastaj, do të lënë trashëgimi edhe për organizime të tjera të aktiviteteve sportive. Pra, do të jenë në formatin, do të jenë me standardet më të larta evropiane, që kemi mundësi pastaj ndoshta me një çmim solid që të shfrytëzohen për aktivitete të tjera ndërkombëtare të cilat do të organizohen pas vitit 2030”, bëri të ditur Shatri.

    Tutje, Shatri sqaron se projekti përfshin një kosto të përgjithshme rreth 70 milionë euro, e cila mbulon rinovimin e Qendrës së Studentëve, Sallës “1 Tetori” dhe Menzës së Studentëve.

    “Kosto financiare në bazë të planifikimit do të jetë rreth 70 milionë euro, e cila do të investohet në Qendrën e Studentëve në tërësi, Sallën “1 Tetori”, Menzën e Studentëve. Investim ky që do të bëhet nga Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministria e Arsimit, me marrëveshje me kredinë e Agjencionit Zhvillimor Francez…Do të ndërtohen dy objekte të reja për pritjen, akomodimin e studentëve, të cilat Do të shfrytëzohen edhe për aktivitete të tjera ndërkombëtare. Pra, do të rritet hapësira, pasi që vendosja, pritja e sportistëve normal është një kusht që të ketë hapësirë të saktë, ku siç edhe e thashë do të jetë rreth 4500 vende të akomodimit të cilët do të akomodohen sportistët”, vijoi më tutje ai.

    Një pjesë e rëndësishme e projektit lidhet me modernizimin e Menzës së Studentëve, e cila do të rikonfigurohet për të përballuar fluksin e madh të sportistëve gjatë lojërave. Po ashtu, Salla “1 Tetori” do të rinovohet tërësisht me pajisje bashkëkohore.

    “Do të rikonfigurohet Menza e Studentëve, do të rritet kapaciteti i Menzës së Studentëve ku do të hyjë në shërbim për ushqimin për sportistët që do të vijnë për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030…”1 Tetori” do të riparohet tërësisht dhe do të investohet me pajisjet e fundit moderne të cilat do të hyjnë në shfrytëzim për sportistët për Prishtina 2030. Gjithashtu, risi e këtyre investimeve është edhe pishina gjysmëolimpike, e cila do të jetë me standardet më të larta, dhe normal që përveç Lojërave Mesdhetare, do të shfrytëzohet pastaj, do të jetë trashëgimi edhe për studentët dhe për qytetarë të tjerë, e cila do të menaxhohet normal nga Qendra e Studentëve”, theksoi Shatri.

    Sipas shatrit, punimet parashihen të fillojnë në pjesën e parë të vitit 2027, dhe do të përfundojnë në pjesën e dytë të vitit 2029.

  • Suedia thotë se nuk do të njohë asnjë aneksim rus të territorit të Ukrainës

    Suedia thotë se nuk do të njohë asnjë aneksim rus të territorit të Ukrainës

    Suedia është kombi i fundit evropian që ndan qëndrimin e saj për këtë çështjen e bisedimeve të paqes që u mbajtën në Gjenevë.

    Ministrja e saj e Jashtme, Maria Malmer Stenergard, tha se Suedia nuk do ta njohë aneksimin e Krimesë ose ndonjë territori tjetër ukrainas nga Rusia.

    “Kufijtë e Ukrainës nuk mund të ndryshohen me forcë, dhe nuk mund të ketë kufizime në ushtrinë e saj nëse duam të arrihet një paqe e qëndrueshme”, shtoi ajo.

    Ndryshe, plani i paqes prej 28 pikash i SHBA-së që iu propozua për herë të parë Kievit javën e kaluar, përfshin Ukrainën që bën lëshime të rëndësishme territoriale ndaj Rusisë, duke përfshirë të gjithë Krimenë, Luhanskun dhe Donetskun.

    Në anën tjetër gjatë takimit të djeshëm mes palës amerikane, ukrainase dhe asaj evropiane në Gjenevë, thuhet se është arritur progres – të paktën kështu kanë deklaruar nga pala amerikane.

  • Ngjyra e gjuhës mund të tregojë problemet e zemrës

    Ngjyra e gjuhës mund të tregojë problemet e zemrës

    Një studim i ri nga Universiteti i Mjekësisë në Sussex sugjeron se gjuha e njeriut mund të japë sinjale të hershme për dëmtimin e zemrës, sipas knowridgesciencereport.com.

    Referuar shkencëtarëve, pacientët me këtë sëmundje kanë ndryshime të dallueshme në pamjen dhe bakteret e gjuhës krahasuar me njerëzit e shëndetshëm.

    Tek personat pa probleme kardiake, gjuha zakonisht është rozë e çelur dhe me një shtresë të hollë të bardhë. Por, në rastet e problemeve të zemrës, ajo shfaqet më e kuqe dhe e mbuluar me një shtresë më të trashë, shpesh me ngjyrë të verdhë.

    Sa më i rëndë të jetë problemi i zemrës, aq më të theksuara bëhen këto ndryshime. Për të hetuar këtë lidhje, studiuesit analizuan 42 pacientë me dështim kronik të zemrës dhe i krahasuan me 28 persona të shëndetshëm.

    Të gjithë pjesëmarrësit nuk kishin probleme dentare, infeksione apo përdorim të antibiotikëve, për të shmangur ndikime të jashtme te mikrobet orale. Mostrat e shtresës së gjuhës u morën në mëngjes, përpara larjes së dhëmbëve apo konsumimit të ushqimit.

    Analizat gjenetike të baktereve përmes metodës 16S rRNA, treguan dallime të mëdha mes të dy grupeve. Pacientët me dështim të zemrës kishin një përbërje krejt tjetër bakteriale, me pesë lloje bakteresh që dallonin saktësisht mes tyre dhe të shëndetshmëve me rreth 84% saktësi.

    Disa prej baktereve, si eubacterium dhe solobacterium, binin ndjeshëm me përkeqësimin e gjendjes së zemrës.

    Këto rezultate sugjerojnë se analiza e gjuhës mund të bëhet një mjet i thjeshtë, jo invaziv dhe potencialisht i dobishëm për të zbuluar ose monitoruar dështimin e zemrës. Nëse metoda zhvillohet më tej, mund të shërbejë për kontrolle të shpejta e të përballueshme, madje edhe në shkallë të gjerë.

    Ndërsa nuk dihet ende nëse ndryshimet në bakteret e gjuhës janë shkak apo pasojë e sëmundjes, studiuesit theksojnë se këto të dhëna hapin një rrugë të re kërkimore. Trupi ynë, duket se tregon shumë më tepër sesa mendojmë dhe gjuha mund të jetë një dritare e fshehur drejt shëndetit të zemrës.

  • Studimi: Rreth 85 për qind e gjërave për të cilat shqetësohemi nuk ndodhin kurrë

    Studimi: Rreth 85 për qind e gjërave për të cilat shqetësohemi nuk ndodhin kurrë

    Hulumtimet tregojnë se shumica e gjërave për të cilat stresohemi nuk bëhen kurrë realitet. Një studim i botuar në “Journal of Behavioral Medicine” zbuloi se rreth 85% e shqetësimeve të parashikuara nuk materializohen kurrë.

    “85% e gjërave për të cilat shqetësohemi nuk ndodhin kurrë”, sipas një studimi të kryer nga Universiteti Cornell.

    Hulumtimet tregojnë se nga 15% e shqetësimeve që ndodhin, shumica e njerëzve zbulojnë se mund t’i përballojnë ato më mirë sesa prisnin ose të mësojnë diçka të vlefshme nga përvoja, që do të thotë se vetëm rreth 3% e shqetësimeve rezultojnë në vështirësi të vërteta.

    Kjo sugjeron që një pjesë e madhe e ankthit rrjedh nga problemet e imagjinuara dhe jo nga ngjarjet reale.

    Studimet, përfshirë një nga Universiteti Cornell, zbuluan se 85% e shqetësimeve të regjistruara të njerëzve nuk ndodhën kurrë.

    Përballimi i problemeve reale: Për 15% të shqetësimeve që ndodhën, 79% e njerëzve raportuan se e trajtuan situatën më mirë sesa mendonin ose mësuan diçka të rëndësishme prej saj.

    Rezultati i përgjithshëm: Kjo nënkupton se afërsisht 97% e asaj për të cilën shqetësohen njerëzit nuk është një problem i rëndësishëm në realitet, pasi vetëm rreth 3% e shqetësimeve çojnë në të vërtetë në vështirësi të mëdha.

    Ndikimi psikologjik: Procesi i shqetësimit mund të krijojë stres dhe ankth të konsiderueshëm mendor, edhe pse ngjarjet aktuale nuk ka gjasa të ndodhin ose janë të menaxhueshme nëse ndodhin.

  • Fitoi zgjedhet në Republikën Srpska, kush është Sinisa Karan

    Fitoi zgjedhet në Republikën Srpska, kush është Sinisa Karan

    Kandidati i partisë nacionaliste serbe SNSD, Sinisa Karan ka arritur të fitojë zgjedhjet e parakohshme presidenciale në Republikën Srpska. Karan konsiderohet si njeri i Milorad Dodik i cili u shkarkua nga detyra me një vendim gjykate.

    Sinisa Karan është një politikan dhe jurist nga Republika Sërpska, i cili në vitet e fundit ka zënë një rol qendror në jetën institucionale dhe politike të entitetit. Ai ka shërbyer si Ministër i Zhvillimit Shkencor-Teknologjik dhe Arsimit të Lartë të Republikës Srpska që nga shtatori 2025. Ai shërbeu edhe si Ministër i Brendshëm i Republikës Srpska nga viti 2022 deri në vitin 2025.

    Ai ka ndërtuar një karrierë të gjatë në administratë, siguri dhe akademi. Studimet i ka kryer në Fakultetin e Shkencave Politike në Sarajevë, ndërsa më vonë ka përfunduar masterin dhe doktoratën në të drejtë në Universitetin e Banja Lukës. Paralelisht me detyrat shtetërore, ka punuar si profesor i së drejtës kushtetuese në institucione të arsimit të lartë, ku ka botuar libra dhe punime kërkimore mbi çështjet e kushtetueshmërisë dhe funksionimin e institucioneve.

    Karrierën e ka nisur në fund të viteve ’80 në strukturat policore dhe të sigurisë, ku ka shërbyer deri në vitin 2008 në poste të ndryshme operative dhe administrative. Më pas është përfshirë në kabinetin e presidentit të Republikës Sërpska, fillimisht si këshilltar për sigurinë dhe më vonë si sekretar i përgjithshëm i presidencës. Ka mbajtur gjithashtu detyrën e sekretarit të qeverisë dhe më vonë të ministrit të brendshëm, ku është marrë me menaxhimin e strukturave të rendit dhe ligjit.

  • Vuçiq merr kontrollin e ushtrisë dhe policisë, njëjtë sikur kishte bërë dikur Millosheviqi

    Vuçiq merr kontrollin e ushtrisë dhe policisë, njëjtë sikur kishte bërë dikur Millosheviqi

    Ligji për forcat e armatosura të Serbisë do të ndryshohet sipas dëshirës së presidentit Aleksandar Vuçiq – ndryshime personeli do të ketë edhe në polici

    Ndërsa Serbia ka qenë në trazira për më shumë se një vit, Presidenti Aleksandar Vuçiq duket se po e konsolidon më tej pushtetin e tij.

    Vetëm pak ditë më parë, qeveria miratoi një ndryshim në Aktin e Forcave të Armatosura, duke e bërë Vuçiqin praktikisht komandant suprem, një term që disa nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë e kanë preferuar për disa vite.

    Amendamenti, i cili pritet të miratohet së shpejti nga parlamenti, përcakton që Shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe oficerët e forcave të armatosura, duhet të udhëheqin ato në përputhje me ligjin dhe vendimet e presidentit. Versioni aktual i ligjit nuk e përmend presidentin në këtë kontekst.

    Sipas analistit ushtarak të Beogradit, Aleksandar Radiq, ndryshimi i ligjit praktikisht do të kthehej në modelin e viteve të 90-ta, kur Shtabi i Përgjithshëm ishte në varësi të kreut të shtetit të atëhershëm, Slobodan Milloseviq.

    Gjenerali në pension Momir Stojanoviq e konsideron ndryshimin e ligjit “absurd”. Serbia është një vend me sistem qeverisjeje parlamentare, argumentoi ai për mediat.

    “Kjo mund të jetë e vërtetë, por vetëm në letër. Në Serbi, shumica e njerëzve e kanë kuptuar prej kohësh se asnjë vendim nuk mund të merret pa miratimin e presidentit”, tha ai.

    Sigurisht, kjo nuk vlen vetëm për forcat e armatosura. Ndryshimet e fundit në personel brenda forcës policore sugjerojnë se tani synohet që ajo të jetë nën kontrollin e plotë të kreut të shtetit.

    “Rruga e transformimit të policisë në një degë të Progresistëve (Partisë Progresive Serbe në pushtet), e cila filloi në vitin 2014, po i afrohet përfundimit”, vërejti së fundmi revista antiqeveritare “Radar”.

    Sipas revistës, ndryshimet e fundit në personel tregojnë se edhe një shëmbëlltyrë profesionalizmi është zhdukur.

    Përmbushja e pamohueshme e dëshirave të Vuçiqit është kriteri i vetëm për përzgjedhjen e zyrtarëve kryesorë të policisë.

    Sipas “Radar”, Marko Kriçak, komandanti aktual i Njësisë së Përbashkët të Sigurisë (JZO), pritet të bëhet kreu i ri i Drejtorisë së Hetimit Penal.

    Midis studentëve dhe mbështetësve të opozitës që kanë demonstruar për një vit, Kriçak ka reputacionin e njërit prej oficerëve të policisë të njohur për brutalitetin e tij ndaj protestuesve.

  • Aksident i rëndë në Dollc të Klinës, katër të lënduar

    Aksident i rëndë në Dollc të Klinës, katër të lënduar

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sot rreth orës 09:30 në fshatin Dollc të Klinës, ku janë lënduar katër persona.

    Rreth këtij rasti detaje ka dhënë Policia e Pejës, përmes zëdhënësit Fadil Gashi.

    Gashi tha se në këtë aksident ishin të përfshira dy vetura.

    “Njësitet kompetente janë në vendngjarje për të kuptuar se si ka ardhur deri tek aksdenti”, u shpreh Gashi

  • Senatorja australiane hyn me burka në parlament, ndalet seanca

    Senatorja australiane hyn me burka në parlament, ndalet seanca

    Senatorja australiane e ekstremit të djathtë, Pauline Hanson, veshi burka në parlament në përpjekjen e saj për të ndaluar veshjet myslimane në publik.

    Hanson e veshi burkën menjëherë pasi iu refuzua të paraqiste legjislacionin për të ndaluar burkat dhe mbulesat e tjera që mbulojnë të gjithë fytyrën në vendet publike në Australi.

    Hyrja e saj në Senat shkaktoi protesta, me procedurat e pezulluara kur Hanson refuzoi ta hiqte atë.

    Ligjvënësit myslimanë e akuzuan atë për “fyerje të fesë”.

    “Kjo është një senatore që tregon racizëm të hapur”, tha Mehreen Faruqi.

    Fatima Payman, senatore e pavarur nga shteti i Australisë Perëndimore, e quajti këtë veprim “të turpshëm”.

    Ndryshe, Hanson u bë e njohur për herë të parë në vitet 1990 për kundërshtimin e saj të fortë ndaj imigracionit nga Azia dhe azilkërkuesve, dhe ka bërë fushatë të gjatë kundër veshjeve islamike gjatë karrierës së saj parlamentare.

    Në një deklaratë të postuar më vonë ajo tha: “Pra, nëse parlamenti nuk e ndalon, unë do të mbaj këtë mbulesë koke shtypëse, radikale dhe jofetare që kërcënon sigurinë tonë kombëtare dhe degradon një grua në parlamentin tonë, në mënyrë që çdo australian të dijë se çfarë është në rrezik.”