ATV

Author: K.B.

  • Sulmi ndaj zyrtarëve të KKZ-së në veri: Apeli ia ul dënimin nga 2 në 1 vit burgim Dejan Pantiqit

    Sulmi ndaj zyrtarëve të KKZ-së në veri: Apeli ia ul dënimin nga 2 në 1 vit burgim Dejan Pantiqit

    Gjykata e Apelit ka ndryshuar pjesërisht aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për rastin e sulmit ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Mitrovicën e Veriut në dhjetor të vitit 2022, duke ia zbutur dënimin Dejan Pantiqit nga dy në një vit burgim.

    Ndërkaq, Apeli ka lënë në fuqi pjesën tjetër të aktgjykimit, me të cilin Milun Milenkoviq dhe Aleksandër Vllajiq janë dënuar me nga pesë vjet burgim, ndërsa Miomir Vakiq është liruar nga akuza.

    Vendimi i shkallës së dytë është marrë nga trupi gjykues i përbërë nga Ferit Osmani, kryetar i kolegjit, si dhe Albina Shabani-Rama dhe Avni Mehmeti, anëtarë.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 28 korrik 2025 kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj Dejan Pantiqit, Milun Milenkoviqit dhe Aleksandër Vllajiqit. Pantiqi ishte dënuar me dy vjet burgim, Milenkoviqi dhe Vllajiqi me nga pesë vjet burgim, ndërsa Miomir Vakiq ishte liruar nga akuza.

    Kujtojmë se Aleksandër Vllajiq më 5 qershor 2026 është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë edhe për veprën penale të spiunazhit, për të cilën është dënuar me pesë vjet burgim, pasi kishte pranuar se kishte vepruar si agjent i BIA-s.

    Lidhur me rastin e sulmit ndaj zyrave të KKZ-së, Gjykata e Apelit kishte mbajtur seancë më 28 prill 2026 për të shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve.

    Sipas vendimit të Apelit, pretendimi i mbrojtjes së Milenkoviqit se në dispozitivin e aktgjykimit nuk është përcaktuar forma e fajësisë është i pabazuar.

    Gjykata ka vlerësuar se dispozitivi nuk ka nevojë të përmbajë shprehimisht formulime si “dashje e drejtpërdrejtë” apo “dashje eventuale”, përderisa përshkrimi i veprës penale dhe rrethanat konkrete të rastit e bëjnë të qartë formën e fajësisë. Sipas Apelit, ajo nxirret nga mënyra e kryerjes së veprës, sjellja e të akuzuarit para, gjatë dhe pas ngjarjes, si dhe nga tërësia e provave të administruara.

    Apeli ka konstatuar se provat e administruara në shkallën e parë krijojnë një zinxhir të pandërprerë provues, i cili dëshmon se Milun Milenkoviq ka qenë i pranishëm në të gjitha momentet vendimtare të ngjarjes, duke filluar nga grumbullimi i grupit, eskalimi i situatës pranë automjetit të emergjencës dhe deri te lëvizja e koordinuar drejt objektit të sulmuar.

    Në vendim theksohet se Gjykata e Apelit i pranon në tërësi gjetjet e Gjykatës Themelore dhe konsideron se është provuar përtej dyshimit të arsyeshëm se Milenkoviq jo vetëm që ka qenë i pranishëm në vendngjarje, por ka marrë pjesë aktive në realizimin e sulmit të organizuar ndaj zyrave të KKZ-së në Mitrovicën e Veriut.

    Po ashtu, Apeli e ka cilësuar të pabazuar pretendimin e mbrojtjes se fajësia e Milenkoviqit nuk mbështetet në prova materiale apo personale, duke theksuar se të gjitha provat, të analizuara në tërësinë e tyre, çojnë në përfundimin se ai ka marrë pjesë në kryerjen e veprës penale të terrorizmit.

    Sa i përket Aleksandër Vllajiqit, Apeli ka vlerësuar se Gjykata Themelore ka vërtetuar bindshëm praninë e tij në vendngjarje më 6 dhjetor 2022, në bashkëkryerje me Milun Milenkoviqin dhe personat e tjerë të dyshuar që ndodhen në arrati.

    Sipas vendimit, gjykata e shkallës së parë ka ndërtuar një gjendje faktike të qartë, të qëndrueshme dhe të mbështetur në prova që plotësojnë njëra-tjetrën, duke përjashtuar çdo dyshim të arsyeshëm se prania e Vllajiqit në vendngjarje ka qenë e rastësishme ose pasive.

    Apeli ka vlerësuar se nga provat rezulton se Vllajiq ka qenë i pranishëm në vendngjarje, ka vëzhguar situatën, ka fotografuar, ka komunikuar me telefon në momentin e mbërritjes së policisë dhe zyrtarëve zgjedhorë, si dhe ka ndihmuar në mobilizimin e mëtejshëm të turmës.

    Për rrjedhojë, Gjykata e Apelit ka konstatuar se gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të drejtë, të plotë dhe të besueshme, ndërsa pretendimet e mbrojtjes nuk kanë arritur të rrëzojnë përfundimet faktike dhe juridike të Gjykatës Themelore.

  • Zgjerohet perimetri i kërkimit për të moshuarin Xhafer Raqi

    Zgjerohet perimetri i kërkimit për të moshuarin Xhafer Raqi

    Ende asnjë gjurmë e re e 78 vjeçarit Xhafer Raqi, i cili tash e pesë ditë është shpallur i zhdukur nga familja.

    Për kërkimin e tij, pos familjes dhe grupeve të qytetarëve janë angazhuar edhe ekipet e Shoqatës së Kërkim-Shpëtimit, Policisë, Drejtorisë së Emegjencave të Komunës së Prishtinës, Zjarrfikësit si dhe Forcës së Sigurisë.

    Kryetari i Shoqatës së Kosovës për Kërkim-Shpëtim Mentor Maloku, deklaroi për Klankosova.tv se është zgjeruar perimetri i kërkimit për të moshuarin.

    “Ende nuk ka ndonjë informacion të ri. Kërkimet janë intensifikuar, aktualisht jemi duke kërkuar në zonën e Butovci dhe tani jemi zgjeruar me kërkime edhe në Mramor por edhe në pjesën e Kolovicës. Nuk kemi akoma gjurmë të reja”, tha Maloku. “Ekipeve tona i janë bashkangjitur edhe zjarrfikësit, ekipet e Drejtorisë së Emergjencave të Komunës së Prishtinës, Policia si dhe edhe FSK-ja”, deklaroi ai.

    Para disa ditësh në zonën e Butovcit është gjetur një sandale e cila dyshohet se i përket të moshuarit Xhafer Raqit.

    Derisa sot ndihmë për gjetjen e 78-vjeçarit ka kërkuar edhe Policia e Kosovës.

  • Flet nëna e adoleshentes së rrahur në Fier: Vajza ime është në gjendje të rënduar

    Flet nëna e adoleshentes së rrahur në Fier: Vajza ime është në gjendje të rënduar

    Nëna e 15-vjeçares, e cila u rrah në Fier, ka rrëfyer për periudhën e vështirë që familja ka kaluar pas denoncimit të ngjarjes së rëndë.

    Ajo tregon se prej më shumë se një muaji, jeta e vajzës së saj ka ndryshuar ndjeshëm, ndërsa pasojat psikologjike të ngjarjes kanë lënë gjurmë të thella tek ajo.

    Sipas nënës, ndodhet në një gjendje të rënduar emocionale dhe po përpiqet të përballojë traumën e shkaktuar nga ajo që ka ndodhur.

    Më herët kanë reaguar edhe prindërit e njërës prej vajzave të përfshira në rast. Nëna e 17-vjeçares i kërkoi falje publike vajzës së dhunuar dhe familjes së saj, duke shprehur keqardhje për atë që ka ndodhur.

    Ajo shtoi se vajza e tyre ishte diagnostikuar disa muaj më parë me probleme të shëndetit mendor dhe se kishin kërkuar ndihmë nga institucionet./A2Cnn

  • Supremja refuzon të gjitha ankesat ndaj rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve

    Supremja refuzon të gjitha ankesat ndaj rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve

    Gjykata Supreme i ka refuzuar si të pabazuara pesë ankesat e paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të cilat kishin të bënin me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

    Këto aktgjykime tani i hapin rrugën certifikimit të rezultateve, e më pas formimit të institucioneve, duke nisur nga konstituimi i Kuvendit.

    Supremja bëri të ditur se vendimet e PZAP-së janë marrë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndërsa asnjë nga ankesat nuk është mbështetur me prova bindëse që do të arsyetonin ndërhyrjen në rezultatet zgjedhore.

    Lidhur me ankesën e paraqitur nga Lista Serbe, e cila u ankua se një subjekt rival politik kishte siguruar një mandat në Kuvend duke marrë vota “në komuna dhe vendvotime me shumicë shqiptare”, Supremja tha se pretendimet ishin “të pabazuara”.

    “Gjykata gjithashtu konstaton se ankuesi nuk ka paraqitur prova konkrete që do të dëshmonin manipulim të votave ose ndonjë parregullsi tjetër zgjedhore që do të ndikonte në rezultatin zgjedhor. Pretendimet e paraqitura mbështeteshin në supozime dhe krahasime statistikore, të cilat, sipas Gjykatës, nuk përbëjnë bazë ligjore për ndërhyrje në rezultatin zgjedhor. Po ashtu, Gjykata vlerëson se vetë subjekti politik që kishte fituar mandatin e kontestuar është subjekt i regjistruar për përfaqësimin e komunitetit serb, prandaj nuk mund të konsiderohet se është cenuar mekanizmi kushtetues i vendeve të garantuara”, thuhet në njoftim.

    Gjykata refuzoi edhe dy ankesat e kandidates së Nova Demokratska Stranka (NDS), Emilija Rexhepi, e cila kërkonte anulimin ose verifikimin e votave mbi bazën e strukturës etnike të vendbanimeve, me arsyetimin se legjislacioni zgjedhor nuk e lidh vlefshmërinë e votës me përkatësinë etnike të votuesit dhe se nuk ka bazë kushtetuese apo ligjore për kategorizimin e votave sipas etnisë.

    “Gjykata vlerëson se pretendimet e ankueses mbështeten në interpretime statistikore dhe demografike, të cilat nuk përbëjnë bazë ligjore për të vënë në dyshim vlefshmërinë e votave apo rezultatin zgjedhor. Legjislacioni zgjedhor i Republikës së Kosovës nuk parashikon strukturën etnike të popullsisë si kriter për vlerësimin e ligjshmërisë së votimit apo të rezultateve zgjedhore”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

    Gjykata hodhi poshtë edhe ankesën e kandidatit të PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili kërkonte rinumërimin e plotë të votave preferenciale të kandidatëve të partisë së tij. Sipas vendimit, raporti i KQZ-së për rinumërimin e 185 vendvotimeve nuk dëshmonte parregullsi sistematike, ndërsa korrigjimet e evidentuara ishin sporadike dhe nuk cenonin besueshmërinë e rezultatit përfundimtar.

    “Gjykata Supreme vlerëson se ankuesi nuk kishte paraqitur prova të mjaftueshme që do të arsyetonin rinumërimin e plotë, ndërsa raporti i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për rinumërimin e 185 vendvotimeve nuk përbënte bazë të mjaftueshme për një masë të tillë. Gjykata vlerëson se korrigjimet e evidentuara apo të pasqyruara në raport, nuk krijojnë një bazë objektive për të konkluduar se procesi i numërimit është karakterizuar nga parregullsi sistematike. Natyra dhe shpërndarja e këtyre korrigjimeve tregojnë se ato kanë qenë sporadike dhe nuk kanë arritur një intensitet të tillë që do të cenonte besueshmërinë e rezultatit përfundimtar apo integritetin e procesit të numërimit”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu u refuzua edhe ankesa e kandidatit tjetër të PDK-së, Qëndrim Kryeziu, i cili pretendonte se raporti i KQZ-së dëshmonte një defekt sistematik në procesin e numërimit dhe kërkonte rinumërim të plotë të votave preferenciale si dhe pezullimin e certifikimit të rezultateve.

    “Nga shqyrtimi i shkresave të lëndës, Gjykata Supreme konstatoi se PZAP kishte shqyrtuar në mënyrë të rregullt pretendimet e ankuesit dhe kishte arritur në përfundimin se ankesa ishte e pabazuar. Gjykata vlerëson se pretendimet e paraqitura mbështeteshin në të njëjtat të dhëna dhe rezultate të rinumërimit që kishin qenë objekt i shqyrtimit edhe më parë, ndërsa raporti i KQZ-së nuk provonte ekzistencën e parregullsive sistematike që do të impononin rinumërim të plotë të votave. Gjithashtu, u vlerësua se rinumërimi i 185 vendvotimeve ishte realizuar në kuadër të mekanizmave të kontrollit të paraparë me legjislacionin zgjedhor dhe jo si pasojë e konstatimit të parregullsive sistematike në procesin e numërimit. Ndaj, Gjykata Supreme vlerëson se vendimet e PZAP-së janë marrë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës dhe se pretendimet ankimore nuk janë mbështetur me prova bindëse që do të justifikonin ndërhyrjen në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve”, thuhet në njoftim.

  • Krijimi i institucioneve, Abdixhiku: E domosdoshme të ndërmerren hapa në shërbim të Kosovës

    Krijimi i institucioneve, Abdixhiku: E domosdoshme të ndërmerren hapa në shërbim të Kosovës

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë një takimi me raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka theksuar se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vendi duhet të ecë pa vonesa drejt konstituimit të institucioneve të reja.

    Abdixhiku bëri të ditur se në takim u diskutua situata politike në Kosovë pas zgjedhjeve, procesi i certifikimit të rezultateve, si dhe domosdoshmëria e krijimit të institucioneve të qëndrueshme dhe funksionale.

    “Respektimi i plotë i vullnetit qytetar dhe i standardeve demokratike mbetet thelbësor. Pas certifikimit të rezultateve, është e domosdoshme të ndërmerren hapat e nevojshëm për krijimin e institucioneve të qëndrueshme dhe funksionale, në shërbim të interesit të Republikës së Kosovës”, deklaroi kreu i LDK-së.

    Ai ka vlerësuar edhe raportin e Riho Terras për Kosovën në Parlamentin Evropian, duke theksuar se ai nënvizon rëndësinë e avancimit të reformave, forcimit të institucioneve demokratike dhe konstituimit të institucioneve funksionale si hapa të domosdoshëm në rrugën evropiane të Kosovës.

    Sipas Abdixhikut, raporti përbën një mesazh të qartë për rëndësinë e vazhdimit të reformave dhe forcimit të shtetit demokratik.

    Në përmbyllje të takimit, kreu i LDK-së shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Parlamenti Evropian dhe Bashkimi Evropian i kanë dhënë Kosovës ndër vite.

    “Partneriteti me institucionet evropiane mbetet i një rëndësie të veçantë për avancimin e proceseve demokratike dhe të perspektivës evropiane të vendit”, theksoi ai.

  • Mbyllet përkohësisht segmenti Brezovicë–Prevallë

    Mbyllet përkohësisht segmenti Brezovicë–Prevallë

    Qarkullimi në segmentin rrugor Brezovicë–Prevallë do të mbyllet përkohësisht më 9 korrik 2026, për shkak të punimeve për asfaltimin e rrugës rajonale R115 Fushë e Pajtimit–Prevallë.

    Sipas njoftimit për media, punimet po zhvillohen në kuadër të projektit “Mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve Nacionale dhe Rajonale të Kosovës për 3 vite në vazhdim – Ferizaj 1”.

    Gjatë ditës së enjte, 9 korrik 2026, është planifikuar asfaltimi i një segmenti rrugor me gjatësi prej 1 mijë e 50 metrash, ndërsa për të mundësuar realizimin e punimeve në kushte të sigurta, do të bëhet mbyllja e përkohshme e qarkullimit.

    Mbyllja e segmentit Brezovicë–Prevallë do të jetë aktive nga ora 08:00 deri në orën 18:00.

    “Ky kufizim i përkohshëm i qarkullimit është i domosdoshëm për garantimin e sigurisë së pjesëmarrësve në trafik dhe të personelit të angazhuar në punime, si dhe për të siguruar realizimin cilësor të shtresës së asfaltit”, thuhet në njoftim.

    Autoritetet kanë bërë apel tek qytetarët që gjatë këtij intervali kohor të përdorin rrugë alternative, për të shmangur pengesat në qarkullim.

  • KQZ nesër certifikon rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit

    KQZ nesër certifikon rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), të mërkurën do të bëjë certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të mbajtura më 7 qershor.

    Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi.

    “Të mërkurën (8 korrik 2026, ora 11:00) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës. Në rend dite është certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat janë mbajtur më 7 qershor”, tha Elezi, raporton Klankosova.tv.

    Ai potencoi se kjo mbledhje u caktua pasi Gjykata Supreme vendosi mbi ankesat e paraqitura në këtë institucion.

  • “Ka shumë për t’i dhënë vendit”, Joseph takon Osmanin

    “Ka shumë për t’i dhënë vendit”, Joseph takon Osmanin

    Profesori amerikan Edward Joseph ka zhvilluar një takim në Prishtinë me ish-presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Lajmin e ka bërë të ditur Joseph përmes rrjeteve sociale.

    “Një takim i mrekullueshëm kokë më kokë në Prishtinë me ish-presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka bërë kaq shumë për të ruajtur marrëdhëniet me SHBA-në. Ajo ka ende shumë për t’i dhënë vendit të saj”, shkroi ai.

    Rreth këtij takimi ka shkruar edhe ish-presidentja e vendit.

    Ajo në Facebook theksoi mes tjerash se “hjithmonë një kënaqësi të shkëmbej mendime me miqtë e Kosovës”.

  • Aktakuzë për krime lufte ndaj ish-pjesëtarit të MUP’it serb – Dyshohet për pjesëmarrje në vrasjen e 71 civilëve

    Aktakuzë për krime lufte ndaj ish-pjesëtarit të MUP’it serb – Dyshohet për pjesëmarrje në vrasjen e 71 civilëve

    Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë ndaj një personi, nën dyshimet për ‘’krime lufte kundër popullsisë civile’’.

    Në komunikatën e prokurorisë, thuhet se, sipas aktakuzës, R.D., ish pjesëtar i MUP-it serb, më 22.05.1999 kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës Sh.D., e cila nuk u kishte mbijetuar plagëve të marra.

    ‘’Po ashtu, i pandehuri akuzohet se në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të forcave serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 71 civilëve, në trajtim çnjerëzor, torturë, plaçkitje dhe dëbim të popullsisë civile shqiptare’’, thuhet mes tjerash në njoftim.

    Komunikata:

    Aktakuzë për krime lufte në Vushtrri

    Prishtinë, 07 korrik 2026 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit R.D., nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

    Sipas aktakuzës, R.D., ish pjesëtar i MUP-it serb, më 22.05.1999 kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës Sh.D., e cila nuk u kishte mbijetuar plagëve të marra.

    Po ashtu, i pandehuri akuzohet se në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të forcave serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 71 civilëve, në trajtim çnjerëzor, torturë, plaçkitje dhe dëbim të popullsisë civile shqiptare.

    Rasti i është dërguar për shqyrtim të mëtejmë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa i pandehuri ndodhet në masën e paraburgimit.

  • Katari ndryshon rregullat e udhëtimit: Pasagjerët kalojnë në aeroport vetëm me fytyrë, pa pasur nevojë për pasaportë

    Katari ndryshon rregullat e udhëtimit: Pasagjerët kalojnë në aeroport vetëm me fytyrë, pa pasur nevojë për pasaportë

    Pasagjerët e Qatar Airways që nisen nga Aeroporti Ndërkombëtar Hamad tashmë mund të kalojnë disa pika kontrolli në aeroport vetëm me anë të fytyrës së tyre, falë një shërbimi të ri biometrik.

    Sistemi i quajtur “Fast Pass”, i zhvilluar nga aeroporti dhe SITA, përdor teknologjinë e njohjes së fytyrës për të mundësuar një proces me më pak kontrolle dokumentesh.

    Shërbimi lidh më shumë se 700 pika kontrolli në aeroport dhe synon të reduktojë kontrollet manuale të dokumenteve, duke u ofruar udhëtarëve një përvojë më të shpejtë.

    Pasagjerët mund të regjistrohen për “Fast Pass” përmes aplikacionit të Qatar Airways ose në kioskat vetëshërbyese në aeroport. Regjistrimi përmes aplikacionit bëhet vetëm një herë.

    Shërbimi është i disponueshëm për udhëtarët mbi 18 vjeç me fluturime të përshtatshme që nisen nga Doha. Megjithatë, pjesëmarrja është vullnetare dhe pasaporta duhet të mbahet me vete në rast se sistemi nuk arrin të verifikojë identitetin.

    Autoritetet e aeroportit kanë bërë të ditur se të dhënat biometrike përdoren vetëm për verifikim dhe çdo informacion i kapur rastësisht nga kamerat fshihet menjëherë, shkruan Euronews.