ATV

Author: K.B.

  • Mbyllet përkohësisht Pishina e Gërmisë

    Mbyllet përkohësisht Pishina e Gërmisë

    Me kërkesë të Inspektoratit Sanitar, Pishina e Gërmisë do të jetë përkohësisht e mbyllur deri në marrjen e mostrave dhe përfundimin e analizave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

    NPL “Sport Marketing” Sh.A., përmes një njoftimit në Facebook ka theksuar se rregullisht kontrollon cilësinë e ujit dhe bën matjen e vlerave përkatëse, në përputhje me standardet dhe procedurat e brendshme të mirëmbajtjes.

    “Gjendja e përgjithshme e Pishinës së Gërmisë është e mirë, si në aspektin e cilësisë së ujit, ashtu edhe të ambienteve brenda saj”, thuhet në njoftim.

    “Megjithatë, duke marrë parasysh rregullat dhe procedurat e IKSHPK-së për pishinat publike, si dhe për hir të transparencës dhe korrektësisë ndaj qytetarëve, do të presim rezultatet zyrtare nga Instituti para vazhdimit të punës. Si ndërmarrje, respektojmë dhe zbatojmë vendimet e organeve përgjegjëse, duke pasur si prioritet kryesor sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve. Pas përfundimit të procedurave dhe marrjes së rezultateve zyrtare, do t’ju informojmë me kohë për vazhdimin e punës së Pishinës së Gërmisë”.

  • Dogana ndalon mallra të dyshuara në pikën kufitare Hani i Elezit, zbulon 128 palë këpucë të markave të mbrojtura

    Dogana ndalon mallra të dyshuara në pikën kufitare Hani i Elezit, zbulon 128 palë këpucë të markave të mbrojtura

    Dogana e Kosovës, ka njoftuar se në pikën kufitare në Han të Elezit, ka ndaluar mallra të dyshuar për cenim të të drejtave të pronësisë.

    Gjatë kontrollit të një automjeti, ka theksuar dogana, janë zbuluar 128 palë këpucë të markave të mbrojtura, për të cilat personi nuk ka poseduar dokumentacion që dëshmon origjinën, importin e rregullt apo të drejtën për përdorimin dhe qarkullimin e këtyre produkteve.

    Njoftimi:

    Hani i Elezit, 03 korrik 2026 – Gjatë mbrëmjes, rreth orës 22:00, zyrtarët doganorë të Doganës së Kosovës, në Pikën e Kalimit Kufitar Hani i Elezit, kanë ndaluar për kontroll një automjet me targa vendore, në kuadër të zbatimit të kontrolleve të bazuara në analizën e riskut dhe kompetencave ligjore.

    Në përputhje me procedurat doganore, drejtuesi i automjetit është pyetur fillimisht nëse posedonte mallra për deklarim. Pas deklarimit se nuk kishte asgjë për të paraqitur, zyrtarët doganorë, bazuar në dyshime të arsyeshme dhe në autorizimet e përcaktuara me Kodin Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247, kanë ushtruar kontroll fizik të automjetit.

    Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit janë zbuluar 128 palë këpucë të markave të mbrojtura, për të cilat personi nuk ka poseduar dokumentacion që dëshmon origjinën, importin e rregullt apo të drejtën për përdorimin dhe qarkullimin e këtyre produkteve.

    Në përputhje me dispozitat e Kodit Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247, Dogana e Kosovës ka kompetencë të ndalojë mallrat për të cilat ekziston dyshimi se cenojnë të drejtat e pronësisë intelektuale, si dhe të ndërmarrë masat e nevojshme administrative dhe kundërvajtëse ndaj personave që tentojnë t’i fusin ose t’i qarkullojnë ato në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

    Lidhur me rastin është iniciuar procedura për kundërvajtje doganore, ndërsa malli është ndaluar për procedura të mëtejshme, në përputhje me legjislacionin doganor dhe dispozitat që rregullojnë mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale.

    Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës, parandalimin e tregtisë së paligjshme dhe qarkullimit të mallrave që cenojnë të drejtat e pronësisë intelektuale, duke kontribuar në mbrojtjen e konsumatorëve, garantimin e konkurrencës së ndershme në treg dhe mbrojtjen e interesave fiskale të Republikës së Kosovës.

  • “anGjelus Novus” i Arianit Laknës hapet sonte në Open Art Gallery në Prishtinë

    “anGjelus Novus” i Arianit Laknës hapet sonte në Open Art Gallery në Prishtinë

    Ekspozita “anGjelus Novus” e artistit Arianit Lakna, e kuruar nga Artrit Bytyçi, hapet sonte nga ora 19:30 në Open Art Gallery në Prishtinë.

    Veprat e tij me lajtmotivin e gjelit mund të shikohen si bashkëbisedim me “Angelus Novus” nga Paul Klee, e sidomos me interpretimin e veçantë që ia bën Walter Benjamin. Mirëpo, “anGjeli i Ri” i Arianit Laknës shkon përtej:

    Në “Zgjohu me Gjela” ai shfaqet në prapavijën e diellit duke lindur. Koka i lëvizë tek shikon punët e obligimet që vijnë nga e majta duke iu grumbulluar mbi një pirg të stërmbushur. Ndërsa, pirgu i obligimeve rrezikon të shembet e t’i përplaset mbi kokë, ai nuk pret zgjidhje prej tjerëve ngaqë veçse ia ka filluar punës, ashtu siç ia bën për çdo mëngjes.

    Kështu, “anGjeli” është hyjn i ri që mishëron vlerat e një utopie të ndërtuar nga Arianit Lakna. Veprat e kësaj ekspozite shpalosin përditshmërinë përmes këtyre vlerave të reja.

  • Tahiri thotë se Haradinaj s’është më opsion për president: Çështja është e mbyllur

    Tahiri thotë se Haradinaj s’është më opsion për president: Çështja është e mbyllur

    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se mundësia që Ramush Haradinaj të jetë kandidat për president nuk është më në tavolinë, pasi, sipas tij, nuk ka pasur mbështetje dhe mirëkuptim politik.

    Tahiri tha se kjo kishte qenë një ide e paraqitur më herët, por zhvillimet politike e kanë bërë atë të mos konsiderohet më si alternativë.

    “Ky ka qenë një pozicion para propozimit të gjashtë pikave. Siç shihet, nuk ka gjetur mirëkuptim dhe tashmë nuk është opsion. Jo, nuk është opsion. S’mundet me ndodhë, nuk është më opsion ideja”, tha ai në Rubikon të Klan Kosova.

    Ai shtoi se edhe qëndrimi publik i Haradinajt ka qenë i qartë, duke theksuar se lideri i AAK-së nuk e kishte shpallur veten kandidat për president, por vetëm kishte shprehur gatishmëri, e cila, sipas Tahirit, tashmë nuk ekziston.

    “Ky është pozicion publik. Një politikan, kur jep një pozicion publik, në këtë rast kryetari Haradinaj, ish-kryeministër dy herë, nuk ka pasur asnjë reflektim. Mendoj që pozicioni i z.Haradinaj ishte bukur i qartë. Ai nuk tha që unë jam kandidat, as që po vetëpropozohem, por që ka gatishmëri. Gatishmëria nuk ekziston më, që nënkupton se kjo çështje tashmë është e mbyllur”, deklaroi deputeti Tahiri.

  • Rezultatet e zgjedhjeve certifikohen sot, hapet rruga për formimin e institucioneve

    Rezultatet e zgjedhjeve certifikohen sot, hapet rruga për formimin e institucioneve

    Sot në orën 11:00 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do ta mbajë një mbledhje, në rendin e ditës të së cilës është edhe certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.

    Certifikimit të rezultateve i hapi rrugë Gjykata Supreme, e cila dje i refuzoi si të pabazuara pesë ankesat e paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të cilat kishin të bënin me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.

    Sipas Kushtetutës, pas certifikimit të rezultateve, brenda 30 ditësh duhet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit.

    Lëvizja Vetëvendosje tha të hënën se i ka siguruar votat për formimin e Qeverisë së re dhe se më pas do të kërkojë konsensus me partitë e tjera për zgjedhjen e Presidentit. Mozgjedhja e Presidentit ishte shkaku që vendi mbajti në fillim të qershorit zgjedhjet e treta në rreth një vit e gjysmë.

    “Sa i përket Qeverisë, ne i kemi votat e nevojshme. Prandaj, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit pa humbur kohë duhet të vazhdojmë me procedurën për votimin e Qeverisë, ndërsa brenda afateve kushtetuese do të angazhohemi edhe për arritjen e konsensusit rreth zgjedhjes së presidentit/es”, tha për Radion Evropa e Lirë ish-shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci.

    Para rreth dy javësh, kryeministri në detyrë, Albin Kurti në një mbledhje të Qeverisë në detyrë e përmendi zgjedhjen e Presidentit pasi tha se duhet ta konstituojnë Kuvendin dhe ta formojnë qeverinë e re të vendit.

    “Porsa të certifikohet rezultati i zgjedhjeve do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve të reja: konstituimin e legjislaturës së 11 të Kuvendit, formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e Presidentit apo Presidentes”, tha ai.

    Pasi arsyeja e zgjedhjeve të fundit parlamentare ishte moszgjedhja e Presidentit, nga këtu, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani thotë se duhet të nisë puna pas konstituimit të Kuvendit.

    “Menjëherë duhet të fillojë procedura për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Pra, Kuvendi Kosovës që konstituohet nuk mund të ketë asgjë tjetër në agjendë pos propozimet për Presidentin e Republikës”, ka thënë ai për Gazetën Express më 16 qershor.

    Ai thotë se Albulena Haxhiu nuk mund ta dekretojë mandatarin e ri për kryeministër, duke qenë ushtruese e detyrës së Presidentit.

    Në aktgjykimin e fundit kur Kushtetuesja vendosi afatin për zgjedhjen e Presidentit, përmendet edhe afati në kontekst të zgjedhjes së shefit të shtetit kur nuk ka Kuvend të konstituuar dhe funksional.

    Paragrafi 162 i atij aktgjykimi thotë se me t’u konstituuar Kuvendi, duhet të fillojë procedura për zgjedhjen e Presidentit.

    “Në kontekstin specifik të rrethanave të një Kuvendi të shpërndarë dhe ende të pakonstituuar, Gjykata bazuar në interpretimin si më lart dhe qëllimin e normave kushtetuese, të përcaktuara përmes nënpikës 3 të paragrafit 1 të nenit 82 ndërlidhur me paragrafin 2 të nenit 86 të Kushtetutës, vlerëson se procedura për zgjedhjen e Presidentit duhet të fillojë nga dita e konstituimit të Kuvendit dhe të përfundojë më së largu brenda gjashtëdhjetë (60) ditëve nga dita e fillimit të procedurës për zgjedhjen e Presidentit”, thuhet në aktgjykim.

  • Hoxha: PDK nuk do të japë votë blanko për kandidatin e Kurtit për president

    Hoxha: PDK nuk do të japë votë blanko për kandidatin e Kurtit për president

    Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha, ka deklaruar se kjo parti nuk do të japë votë pa kushte për cilindo kandidat që mund të propozohet nga kryeministri në detyrë dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për postin e presidentit të vendit.

    Hoxha, ka thënë se beson që as partitë e tjera opozitare nuk do të mbështesin një kandidat vetëm si rezultat i presionit politik.

    Ajo ka theksuar se opozita nuk është, siç u shpreh ajo, “makinë e lëvizjeve të dorës së dëshirave të Kurtit në Kuvend”, duke shtuar se partitë opozitare kanë përgjegjësi ndaj votuesve të tyre dhe vizione të ndryshme për zhvillimin e shtetit

    “Një gjë është e qartë: votë blanko vetëm për shkak të presionit që partitë opozitare duhet patjetër ta votojnë këdo që dëshiron Kurti, nuk do të ketë. Ta dini që jo vetëm PDK-ja, por besoj asnjë parti opozitare nuk do ta bëjë këtë, sepse ne nuk jemi makina të lëvizjeve të dorës së dëshirave të Kurtit në Kuvend. Ne kemi një besueshmëri ndaj njerëzve që kanë bindje dhe ide të tjera për shtetin, kanë një vizion tjetër zhvillimor, dhe ne duhet t’i përfaqësojmë ato në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar Hoxha në tëvë1.

    Sipas saj, për arritjen e një marrëveshjeje politike nevojitet gatishmëri për dialog, veçanërisht nga subjekti që ka fituar zgjedhjet.

    Hoxha ka vlerësuar se demokracia kërkon balancim të pushtetit dhe përfshirje të të gjitha palëve politike, duke kundërshtuar, siç tha ajo, përqendrimin e pushtetit në duart e një subjekti të vetëm.

    “Maturimi, si në aspektin njerëzor ashtu edhe në atë politik, vjen kur palët janë të gatshme. Sidomos pala fituese, qoftë edhe nëse i nevojitet vetëm një votë e vetme, duhet të ulet në tavolinë dhe të krijojë mundësi për të ecur përpara. Këto mundësi që në të kaluarën janë krijuar nga partitë e tjera, zakonisht janë cilësuar si ‘pazare’ dhe janë demonizuar, por në fakt demokracia është ajo që i jep mundësi të voglit, i jep mundësi palëve të padëgjuara dhe u jep mundësi partive opozitare për ta balancuar pushtetin, në mënyrë që të mos krijohet një përqendrim total i pushtetit te një subjekt politik, nëse dëshirojmë të jetojmë në demokraci”, ka përfunduar ajo.

  • E kërcënoi Xhelal Sveçlën nëntorin e kaluar, arrestohet i dyshuari në Prishtinë

    E kërcënoi Xhelal Sveçlën nëntorin e kaluar, arrestohet i dyshuari në Prishtinë

    Policia e Kosovës, përmes raportit të saj ka njoftuar se në Prishtinë është arrestuar një person, pasi që i njëjti kishte kanosur ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën.

    Në raport, bëhet e ditur se rasti kishte ndodhur në nëntor të vitit të kaluar, dhe se, i dyshuari pas arrestimit është dërguar në mbajtje, përcjell Gazeta Express.

    ‘’KANOSJE

    Prishtinë 09.11.2025 – 16:56. Në lidhje me rastin, më 07.07.2026 është arrestuar i dyshuari, pasi i njëjti përmes rrjeteve sociale kishte kanosur Ministrin e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje’’, thuhet në raport.

  • Doli nga shtëpia dhe nuk u kthye, gruaja raporton zhdukjen e burrit në Gjilan

    Doli nga shtëpia dhe nuk u kthye, gruaja raporton zhdukjen e burrit në Gjilan

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se në Gjilan është zhdukur një person.

    Në raportin e policisë shtohet edhe se, rastin e ka paraqitur gruaja i të zhdukurit.

    ‘’PERSON I ZHDUKUR

    Rr. Nëna Terezë, Gjilan 05.07.2026-17:00. Ankuesja me 07.07.2026 ka raportuar se bashkëshorti i saj, me datën e cekur ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e tij. Lidhur me rastin, është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin’’, thuhet në raport.

  • Bajram Begaj i bie nëpër Kosovë, Policia njofton se në disa rrugë trafiku do të ndërpritet përkohësisht

    Bajram Begaj i bie nëpër Kosovë, Policia njofton se në disa rrugë trafiku do të ndërpritet përkohësisht

    Policia e Kosovës ka njoftuar se sot do të ndërmerren masa të veçanta sigurie me rastin e kalimit transit nëpër Kosovë të presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj.

    Sipas njoftimit, Policia ka kryer paraprakisht të gjitha veprimet e nevojshme operative dhe ka angazhuar njësitë përkatëse policore për të garantuar sigurinë dhe rrjedhën e lirë të komunikacionit përgjatë itinerarit të eskortës presidenciale.

    “Me datën 08.07.2026, Policia e Kosovës, me rastin e kalimit transit nëpër Kosovë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë z. Bajram Begaj, ka ndërmarrë paraprakisht të gjitha veprimet e nevojshme operative duke angazhuar njësitë përkatëse policore, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe rrjedhës së lirë të komunikacionit rrugor përgjatë rrugëve lëvizëse të eskortës”, thuhet në njoftim.

    Për këtë arsye, Policia tha se gjatë ditës së sotme do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut, në intervale të shkurtra kohore në disa segmente rrugore.

    “Për të mundësuar qarkullim të lirë sipas itinerarit të lëvizjes, me datën 08.07.2026, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore nga Pika e Kalimit Kufitar Vërmicë deri në Pikën e Kalimit Kufitar Dheu i Bardhë dhe anasjelltas, gjatë kthimit po ashtu me të njëjtën datë, ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative”, thuhet në njoftim.

    Në fund, Policia e Kosovës i ka falënderuar qytetarët dhe të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion për mirëkuptimin e tyre.

  • Rast i dhunës në familje në Pejë, një person sulmohet fizikisht nga njerka e tij

    Rast i dhunës në familje në Pejë, një person sulmohet fizikisht nga njerka e tij

    Policia e Kosovës, përmes raportit të saj 24-orësh, ka njoftuar për një raste të dhunës në familje në Pejë.

    Në raport bëhet e ditur se, një person, raportuar se pas një mos marrëveshje është sulmuar fizikisht nga njerka e tij.

    ‘’DHUNË NË FAMILJE

    Pejë 07.07.2026, 22:10. Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se pas një mos marrëveshje është sulmuar fizikisht nga njerka e tij. Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa e dyshuara është shoqëruar në stacionin policor dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt’’, thuhet në raport.