ATV

Author: K.B.

  • Cakolli: Pas certfikimit të zgjedhjeve rrjedh afati për krijimin e Kuvendit, pastaj Qeveria ose Presidenti

    Cakolli: Pas certfikimit të zgjedhjeve rrjedh afati për krijimin e Kuvendit, pastaj Qeveria ose Presidenti

    Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, nis rrjedhja e afatit për krijimin e institucioneve të reja. Ai ka sqaruar procedurat për thirrjen e seancën konstituive dhe për atë se kush e drejton seancën.

    Cakolli tutje ka shkruar se pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, mund të procedohet me zgjedhjen e Qeverisë së re apo Presidentit, meqë sipas tij, nuk përcaktohet me asnjë vendim, as të Kushtetueses, se kush duhet zgjedhur përpara.

    Postimi i plotë:

    Me certifikimin e rezultateve nga KQZ-ja, prej nesër fillojnë të rrjedhin afatet kushtetuese për krijimin e institucioneve të reja.

    Afati 30-ditor për mbajtjen dhe përmbylljen e suksesshme të seancës konstituive të Kuvendit fillon nesër, më 9 korrik dhe përfundon më 7 gusht 2026. Seanca duhet të thirret nga Albulena Haxhiu, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së Presidentes. Nëse kjo nuk ndodh brenda afatit, Kuvendi mblidhet vetë në ditën e tridhjetë.

    Para seancës, Albulena Haxhiu, në cilësinë e Kryetares së legjislaturës paraprake, duhet ta thërrasë mbledhjen përgatitore me kryetarët e 15 subjekteve politike që kanë fituar ulëse në Kuvend. Kjo mbledhje mbahet jo më vonë se pesë ditë para seancës konstituive dhe shërben për përgatitjen e rendit të ditës dhe caktimin e vendeve ku do të ulen deputetët në sallë, sipas subjekteve politike.

    Seancën konstituive, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, do ta drejtojë deputeti më i vjetër, Avni Dehari nga LVV, i ndihmuar nga deputetja më e re, Fatma Taçi nga KDTP.

    Rendi i punës është veçse i paracaktuar. Fillimisht formohet Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve, raporti i të cilit votohet me shumicë votash; pastaj bëhet betimi i deputetëve; më pas votohet Kryetari i Kuvendit dhe, në fund, nënkryetarët e Kuvendit.

    Kryetari i Kuvendit propozohet nga LVV, si subjekti më i madh parlamentar, dhe zgjidhet me së paku 61 vota. Nëse i njëjti kandidat nuk i merr votat pas tri tentimeve, duhet të propozohet kandidat tjetër. Votimi për Kryetarin duhet të jetë i hapur, përveç nëse ka konsensus për ndryshim të mënyrës së votimit.

    Pas zgjedhjes së Kryetarit, Kuvendi vazhdon me zgjedhjen e pesë nënkryetarëve. Tre propozohen nga tri subjektet më të mëdha parlamentare, LVV, PDK dhe LDK. Një propozohet nga deputetët e komunitetit serb, përkatësisht nga LS, ndërsa një nga deputetët e komuniteteve të tjera jo-shumicë. Të gjithë zgjidhen me së paku 61 vota. Parimisht, nënkryetarët duhet të votohen në pako. Së paku tre nënkryetarët e propozuar nga subjektet më të mëdha parlamentare mund të votohen në një votim, ndërsa dy nënkryetarët nga komunitetet jo-shumicë në një votim tjetër.

    Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të jenë zgjedhur Kryetari dhe të pesë nënkryetarët.

    Vetëm pas konstituimit të plotë të Kuvendit hapen dy procedura të ndara kushtetuese, ajo për formimin e Qeverisë dhe ajo për zgjedhjen e Presidentit. Këto procedura nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën dhe as Kushtetuta, as aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, nuk e kushtëzojnë formimin e Qeverisë me zgjedhjen paraprake të Presidentit.

  • KQZ certifikon rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit

    KQZ certifikon rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit.

    Me nëntë vota për, KQZ e kaloi këtë pikë të rendit të ditës.

    Kryetari i KQZ’së, Kreshnik Radoniqi, tha se nga vendimet e fundit që i kanë pranuar nga Gjykata Supreme s’ka pasë “ndonjë obligim” për KQZ’në meqë të gjitha ankesat janë refuzuar dhe është hapur rruga për certifikimin e rezultatit.

    Më poshtë rezultati i partive:

  • Don Xhoni hyn në top 10 debutimet globale të Spotify me albumin “100%” – renditet krah Madonnas

    Don Xhoni hyn në top 10 debutimet globale të Spotify me albumin “100%” – renditet krah Madonnas

    Don Xhoni ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme në karrierën e tij muzikore, duke u renditur mes artistëve me debutimet më të suksesshme në nivel global në platformën Spotify.

    Albumi i tij më i ri, “100%”, ka siguruar një vend në listën zyrtare të publikuar nga platforma për projektet me hyrjen më të fortë gjatë periudhës 3-5 korrik.

    Sipas klasifikimit, reperi shqiptar është pozicionuar në vendin e nëntë në rang botëror, duke u bërë pjesë e top 10 artistëve me debutimin më të mirë të ditëve të fundit.

    Ky rezultat e vendos atë përkrah emrave të njohur të industrisë muzikore ndërkombëtare përfshirë Madonnën, e cila kryeson renditjen si dhe Ken Carson dhe reperin gjerman Bonez MC.

    Renditja konsiderohet një sukses i rëndësishëm për Don Xhonin dhe një tregues i rritjes së pranisë së artistëve shqiptarë në tregun global të muzikës.

    Performanca e albumit në ditët e para të lansimit pasqyron interesimin e madh të publikut dhe mbështetjen e fansave, të cilët kanë kontribuar në shifrat e larta të dëgjueshmërisë.

    Me “100%”, Don Xhoni sjell një projekt që përfshin stile dhe ritme të ndryshme të hip-hopit, duke vazhduar të zgjerojë audiencën e tij edhe jashtë trojeve shqiptare.

    Suksesi në Spotify është një tjetër dëshmi se reperi po forcon pozicionin e tij në skenën ndërkombëtare dhe po e çon muzikën shqiptare drejt një publiku gjithnjë e më të gjerë.

  • ​Rasti i KEK-ut, Ymer Dragusha dënohet me dy vjet burgim për keqpërdorim të pozitës zyrtare

    ​Rasti i KEK-ut, Ymer Dragusha dënohet me dy vjet burgim për keqpërdorim të pozitës zyrtare

    Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor Ish-shefi i prokurimit në KEK, Ymer Dragushën për katër vepra penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje, duke e dënuar me dënim unik prej dy vjetësh burgim.

    Sipas aktgjykimit të shpallur sot, Dragushës për pikën e parë të aktakuzës i është caktuar dënim me një vit burgim, ndërsa për tri pikat e tjera nga tetë muaj burgim për secilën.

    “Gjykata, duke u bazuar në nenin 76 të Kodit Penal, të pandehurit i shqipton dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, u tha gjatë shpalljes së aktgjykimit.

    Po ashtu, Gjykata e ka udhëzuar Avokaturën Shtetërore që kërkesën pasurore juridike ta realizojë në procedurë të rregullt civile.

    Me aktgjykim, Dragusha është obliguar edhe ti paguajë shpenzimet e procedurës penale, përkatësisht 100 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 100 euro për fondin e kompensimit të viktimave të krimit.

    Ymer Dragusha kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Speciale, të cilën Gjykata e kishte miratuar në seancën e 7 shkurtit 2025. /KP/

  • Dëmtohet Kompleksi Memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan, nisin hetimet

    Dëmtohet Kompleksi Memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan, nisin hetimet

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me disa dëmtime në Kompleksin Memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan të Podujevës.

    Për këtë rast, forcat e rendit kanë njoftuar se ngjarja dyshohet se ka ndodhur përgjatë një muaji, përkatësisht nga 30 maji deri më 30 qershor të këtij viti.

    Sipas raportit 24-orësh, policia ka pranuar informatën se në objektin përcjellës në kullë janë vërejtur disa dëmtime nëpër tavan dhe në korridorin e objektit.

    “Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin.”, thuhet në raport.

    Për këtë, policia ka hapur rast nën dyshimin e kryerjes së veprës penale “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë së huaj”.

  • Rama për 4 mln euro që qeveria dha për koncertin e Kaney West: E bëmë që mos të turpërojmë Shqipërinë

    Rama për 4 mln euro që qeveria dha për koncertin e Kaney West: E bëmë që mos të turpërojmë Shqipërinë

    Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të mërkurë lidhur me debatet për financimin e koncertit të Kanye West, duke argumentuar se ndërhyrja financiare ishte e domosdoshme për të mos dëmtuar imazhin e Shqipërisë dhe për të garantuar zhvillimin e një eventi me ndikim të madh ekonomik e turistik.

    Në një reagim në rrjetet sociale, Rama deklaroi se u vunë në dispozicion 4 milionë euro “në minutën e fundit”, për të shmangur dështimin e koncertit.

    “4 MILIONË EURO në minutën e fundit, për të mos turpëruar Shqipërinë, në sytë e afro 25 mijë të huajve nga 80 shtete që gjermësot kanë blerë me kohë biletat për Kanye West; për të mos humbur një mundësi fantastike promovimi të Shqipërisë Turistike, për një nga komunitetet më të mëdha të botës, dashamirët e muzikës.”

    Sipas kreut të qeverisë, koncerti pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm në ekonomi. Ai solli si shembull finalen e UEFA Conference League, e cila sipas tij gjeneroi 160 milionë euro të ardhura, ndërsa për koncertin e Kanye West qeveria parashikon rreth 100 milionë euro përfitime.

    “Nga ky koncert – në kushtet e vështirësuara artificialisht prej dështakzemërakëve – ne llogarisim jo më pak se 100 milionë euro të ardhura. Mjafton të shihet shpërthimi i rezervimeve në booking.com për të premten, të shtunën e të dielën, për të krijuar një ide të përfitimit direkt ekonomik.”

    Rama iu përgjigj edhe kritikëve, të cilët kanë kundërshtuar përdorimin e fondeve publike për organizimin e koncertit.

    “Sorrat dhe korbat e kanaleve sociale janë turrur me një furi glasash duke bërë llogarira perverse prej manipulatorësh të paskrupullt, duke bërë sikur qajnë hallin e popullit dhe deri edhe të sëmurëve me kancer, që do mbeten pa ilaçe si pasojë e ‘koncertit privat’, siç e quajnë djallëzisht.”

    Kryeministri theksoi se qeveria ka rritur ndërkohë financimet për sektorin e shëndetësisë dhe mbështetjen sociale.

    “Vetëm pak ditë më parë, ne nxorrëm 15 milionë euro plus vetëm për ilaçet e të sëmurëve me kancer dhe 5 milionë për aparatura mjekësore; dyfishuam mbështetjen për personat me aftësi të kufizuar, mbështetëm kujdestarët e tyre, dyfishuam mbështetjen për fëmijët me aftësi të veçanta, dyfishuam financimin e Start Up-eve dhe garancinë sovrane për programin ‘Dyfisho biznesin tënd’.”

    Në fund të reagimit, Rama akuzoi kundërshtarët se synojnë të pengojnë zhvillimin e vendit.

    “Duan të ndalin dhe kthejnë mbrapa Shqipërinë! Me dhunën e arbitraritetit, të sharjeve, të shpifjeve, të akuzave dhe kërcënimeve për këdo që mendon ndryshe prej tyre. Ta harrojnë! Shqipëria nuk ndalet dhe nuk ka asnjë shans të kthehet mbrapsht.”

  • Në sa gradë duhet ta mbani frigoriferin gjatë verës? Mos e ulni nën këtë temperaturë

    Në sa gradë duhet ta mbani frigoriferin gjatë verës? Mos e ulni nën këtë temperaturë

    Shumë njerëz mendojnë se po i ruajnë më mirë ushqimet, por një rregull i thjeshtë bën dallimin mes sigurisë dhe ngrirjes së padëshiruar.

    Frigoriferi gjithmonë duhet të jetë i vendosur në temperaturë nën 4°C, pavarësisht stinës. Arsyeja është se bakteret fillojnë të shumohen më shpejt kur ushqimi arrin ose kalon këtë temperaturë.

    Departamenti Amerikan i Energjisë rekomandon që frigoriferi të vendoset rreth 3°C, ndonëse temperatura mund të ulet edhe deri në rreth 1.5°C. Kjo ndihmon që “zonat më të ngrohta” të frigoriferit, si dera, të mbeten nën 4°C, ndërsa pjesa e pasme të mos bëhet tepër e ftohtë. Rreth 1°C, ushqimi mund të fillojë të ngrijë.

    A duhet ndryshuar temperatura gjatë verës?

    Nëse shtëpia juaj është më e ngrohtë gjatë verës, mund të duket logjike që ta ulni temperaturën e frigoriferit. Megjithatë, te shumica e pajisjeve moderne kjo nuk është e nevojshme. Por, nëse ju duket se frigoriferi nuk po ftoh mjaftueshëm, atëherë duhet ta kontrolloni temperaturën.

    Shumë frigoriferë bashkëkohorë kanë ekran digjital që tregon temperaturën aktuale, gjë që e bën kontrollin më të lehtë. Modelet më të vjetra ose më të thjeshta shpesh kanë vetëm rrotëz me numra, për shembull nga 1 deri në 5, ku nuk është gjithmonë e qartë se sa ftohtë është brenda. Në këtë rast, më mirë është të përdorni termometër.

    Edhe më mirë është të përdorni dy termometra: njërin në raftin e sipërm dhe tjetrin në raftin e poshtëm, duke i kontrolluar rregullisht. Nëse temperatura i afrohet 4°C, rriteni nivelin e ftohjes. Pastaj kontrollojeni sërish pas 24 orësh për të parë nëse gjendja është përmirësuar.

    Si ta mbani frigoriferin të ftohtë gjatë verës?

    • Mos e mbani derën e frigoriferit hapur më gjatë sesa është e nevojshme.
    • Mos qëndroni para frigoriferit duke menduar se çfarë të merrni.
    • Një frigorifer i mbushur e mban më lehtë temperaturën; nëse është bosh, vendosni brenda shishe me ujë ose pije.
    • Mos i bllokoni hapjet e ventilimit brenda frigoriferit.
    • Lërini ushqimet e ngrohta të ftohen para se t’i vendosni në frigorifer.
    • Gjatë ndërprerjes së energjisë elektrike, mbajeni derën të mbyllur sa më shumë që të jetë e mundur.
    • Pastroni rregullisht pluhurin nga rrjetat e pasme të frigoriferit, pra nga kondensatori.
    • Kontrolloni gomat e derës dhe zëvendësojini nëse nuk mbyllen mirë.

  • Fshati italian vendos gjoba deri në 200 euro për turistët që ecin me rroba banje jashtë plazhit

    Fshati italian vendos gjoba deri në 200 euro për turistët që ecin me rroba banje jashtë plazhit

    Autoritetet e Varenës, një prej fshatrave më të njohur turistikë në brigjet e Liqenit të Komos në Itali, kanë vendosur masa të reja për të frenuar sjelljet e papërshtatshme të vizitorëve dhe për të mbrojtur cilësinë e jetës së banorëve.

    Sipas rregullave të reja, turistët që ecin nëpër rrugët e fshatit pa bluzë ose vetëm me rroba banje jashtë zonave të plazhit do të gjobiten me shuma nga 50 deri në 200 euro.

    Lëvizja me këtë veshje do të lejohet vetëm në plazhet e liqenit dhe gjatë udhëtimeve me varkë.

    Varena, me rreth 650 banorë të përhershëm, përballet çdo vit me një numër gjithnjë e më të madh turistësh. Për këtë arsye, bashkia ka vendosur edhe kufizime të tjera, duke lejuar grupet turistike të organizuara me maksimumi 25 persona dhe duke ndaluar përdorimin e altoparlantëve nga guidat turistike, në mënyrë që të shmanget mbipopullimi dhe zhurma në rrugicat karakteristike të fshatit.

    Kryebashkiaku Mauro Manzoni deklaroi se, megjithëse Varena mirëpret qindra mijëra vizitorë çdo vit, mirëqenia e banorëve nuk mund të sakrifikohet për shkak të turizmit masiv.

    Masat janë mirëpritur edhe nga banorët vendas. Një pronar dyqani u shpreh se vizitorët mund të vishen si të dëshirojnë në plazh, por kur lëvizin nëpër fshat, hyjnë në dyqane, restorante, kisha apo sheshe publike, duhet të respektojnë një kod të përshtatshëm veshjeje.

    Varena nuk është destinacioni i vetëm italian që po vendos rregulla më të rrepta për turistët. Vitet e fundit, disa qytete dhe fshatra në Itali kanë ndërmarrë masa për të menaxhuar pasojat e turizmit të tepërt. Në vitin 2022, Sorrento vendosi gjoba për personat që lëviznin në qendër me rroba banje ose pa bluzë, ndërsa në vitin 2023 Portofino kufizoi qëndrimin në zona të caktuara dhe vendosi masa për të reduktuar grumbullimet e turistëve.

  • Rama mbërrin në Ankara, takohet me shefin e NATO-s

    Rama mbërrin në Ankara, takohet me shefin e NATO-s

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mbërritur në Ankara të Turqisë për të marrë pjesë në samitin e NATO-s.

    Kreu i ekzekutivit shqiptar pritet të zhvillojë takime të rëndësishme me liderë të shteteve të ndryshme në kuadër të këtij samiti, ku temat kyçe do të jenë mbi çështjet e sigurisë dhe sfidat me të cilat përballet Aleanca veri-atlantike.

    Menjëherë pas mbërritjes, Rama është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

    Ky takim është zhvilluar në kuadër të punimeve të samitit, ku liderët e vendeve anëtare po diskutojnë forcimin e bashkëpunimit brenda NATO-s.

    Gjatë qëndrimit në kryeqytetin turk, kryeministri shqiptar pritet të zhvillojë edhe një takim dypalësh me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

    Pjesëmarrja e Ramës në samit vjen në vijim të angazhimit të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s, me fokus forcimin e bashkëpunimit mes aleatëve dhe kontributin në sigurinë euroatlantike.

    Samiti i NATO-s në Ankara pritet të përqendrohet te zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, rritja e bashkëpunimit ushtarak dhe koordinimi i vendeve aleate përballë sfidave të reja ndërkombëtare.

  • Bastisje në burgun e Dubravës, gjendet marihuanë

    Bastisje në burgun e Dubravës, gjendet marihuanë

    Në Qendrën Korrektuese të Dubravës, të dielën rreth orës 08:30, gjatë një bastisjeje të realizuar rreth sallës së vizitave, janë gjetur dy qese të mbështjella që dyshohet se përmbanin marihuanë.

    Sipas raportit të policisë, pesha e substancës së dyshuar është rreth 125 gramë, ndërkohë lënda është sekuestruar për ekzaminime të mëtejshme.

    Me vendim të prokurorit kompetent, rasti është iniciuar si “Posedim i narkotikëve” dhe po trajtohet në procedurë hetimore.