ATV

Author: K.B.

  • Rama e konfirmon nga Ankaraja: Samiti i radhës i NATO-s mbahet në Shqipëri

    Rama e konfirmon nga Ankaraja: Samiti i radhës i NATO-s mbahet në Shqipëri

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka konfirmuar se Samit i Radhës i NATO-s do të mbahet në Tiranë.

    Ky konfirmim ka ardhur nga Rama sot pas përfundimit të Samitit në Ankara, meqë është përfolur se kishte gjasa që takimi i radhës i krerëve të NATO-s të mos mbahej në Shqipëri.

    “Ka ikur ajo koha kur bënin të tjerët çka donin me Shqipërinë”, ka deklaruar Edi Rama.

  • Hamza pret Drejtoreshën e NDI-së: Kosova duhet ta përshpejtojë rrugën drejt BE-së

    Hamza pret Drejtoreshën e NDI-së: Kosova duhet ta përshpejtojë rrugën drejt BE-së

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka pritur sot Drejtoreshën e Zyrës së NDI-së në Kosovë, ambasadoren Nancy Soderberg, me të cilën ka biseduar për zhvillimet politike në vend.

    Sipas njoftimit për media, Hamza ka vlerësuar rolin e NDI-së për forcimin e demokracisë në Kosovë dhe ka shprehur mirënjohjen e tij për përkrahjen që kjo organizatë i ka dhënë PDK-së ndër vite.

    “Jemi falënderues për ndihmën që keni dhënë për ngritjen e kapaciteteve partiake dhe të institucioneve të Kosovës në përgjithësi”, u shpreh Hamza.
    Në takim u bisedua edhe për zhvillimet e përgjithshme politike, sidomos pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të përgjithshme të 7 qershorit.

    Lideri i PDK-së u shpreh se Kosova ka nevojë për institucione qeverisëse që e kthejnë vëmendjen kah zhvillimi dhe integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian.

    Ai gjithashtu e njoftoi delegacionin e NDI-së për përgatitjet për zgjedhjet e brendshme në PDK.

    Nga ana tjetër, Soderberg u shpreh e gatshme që të vazhdohet ky bashkëpunim edhe në të ardhmen.

  • Trainkos paralajmëron grevë nëse nuk ekzekutohen pagat deri më 9 korrik

    Trainkos paralajmëron grevë nëse nuk ekzekutohen pagat deri më 9 korrik

    Sindikata e Punëtorëve të Trainkos Sh.A. ka paralajmëruar se punëtorët do të hyjnë në grevë nëse pagat për muajin qershor nuk ekzekutohen deri më 9 korrik 2026, në orën 12:00.

    Përmes një komunikate për media, sindikata ka bërë të ditur se ndërmarrja po përballet me një situatë të rëndë financiare, duke fajësuar mosekzekutimin e mjeteve nga Ministria e Infrastrukturës, bllokimin e llogarive nga përmbaruesit privatë, borxhet e trashëguara ndër vite dhe vonesat në rehabilitimin e Linjës Hekurudhore 10.

    “Trainkos Sh.A. po përballet me një situatë jashtëzakonisht të rëndë financiare si pasojë e mosekzekutimit të pagave të punëtorëve për muajin qershor 2026. Punëtorët e Trainkos kanë vazhduar me përkushtim t’i kryejnë të gjitha obligimet e tyre dhe po i përmbahen Marrëveshjes për Ofrimin e Shërbimeve të Transportit Hekurudhor të Udhëtarëve, të lidhur me Ministrinë e Infrastrukturës për periudhën 2023–2027”, thuhet në komunikatë.

    Sipas sindikatës, Ministria e Infrastrukturës ka obligim kontraktual për financimin e transportit hekurudhor të udhëtarëve, por mjetet financiare nuk janë ekzekutuar sipas marrëveshjes.

    Në komunikatë thuhet se një tjetër faktor që ka rënduar gjendjen financiare është bllokimi i mjeteve nga përmbaruesit privatë.

    “Bllokimi i mjeteve financiare nga përmbaruesit privatë, të cilët konfiskojnë mjetet menjëherë pasi ato transferohen në llogaritë e ndërmarrjes, për raste të vjetra, të cilat konsiderojmë se në shumë raste janë të padrejta. Ekzistojnë dyshime serioze se një pjesë e këtyre proceseve janë orkestruar nga persona brenda ndërmarrjes në kohën kur janë ngritur paditë”, thuhet më tej.

    Sindikata ka përmendur edhe borxhet e trashëguara ndër vite, si dhe zvarritjen e rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10, në segmentin Fushë Kosovë – Hani i Elezit, si arsye që kanë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes financiare.

    “Edhe pse punimet ishte paraparë të përfundonin në vitin 2021, ato nuk kanë përfunduar ende. Që nga viti 2022, qarkullimi i trenave në këtë linjë është ndërprerë plotësisht, duke i pamundësuar Trainkos-it realizimin e transportit dhe të hyrave nga aktiviteti i tij kryesor. Kjo situatë nuk është shkaktuar nga Trainkos dhe as nga punëtorët e saj”, theksohet në komunikatë.

    Sindikata ka bërë të ditur se, nëse pagat nuk ekzekutohen brenda afatit të caktuar, punëtorët do të ndërpresin punën në përputhje me legjislacionin në fuqi.

    “Prandaj, njoftojmë opinionin publik se, nëse pagat nuk ekzekutohen deri më 09.07.2026, në orën 12:00, punëtorët do të fillojnë ndërprerjen e punës (grevën), në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.

    Megjithatë, për të mos dëmtuar udhëtarët që tashmë kanë nisur udhëtimin, sindikata njoftoi se treni me numër 4200, në relacionin Pejë–Prishtinë, do ta përfundojë itinerarin e planifikuar.

    Në fund, Sindikata e Punëtorëve të Trainkos u ka bërë thirrje Ministrisë së Infrastrukturës dhe institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin masa urgjente për përmbushjen e obligimeve financiare ndaj ndërmarrjes.

    “I bëjmë thirrje Ministrisë së Infrastrukturës dhe të gjitha institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin urgjentisht veprimet e nevojshme për përmbushjen e obligimeve financiare ndaj Trainkos Sh.A., në mënyrë që të shmanget ndërprerja e transportit hekurudhor dhe të mbrohen të drejtat ligjore të punëtorëve”, përfundon komunikata.

  • Hegseth anulon vizitën në Izrael pas sulmeve të fundit iraniane

    Hegseth anulon vizitën në Izrael pas sulmeve të fundit iraniane

    Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth ka anuluar një vizitë të pa paralajmëruar në Izrael.

    Ky udhëtim, siç raporton BBC, ka qenë i planifikuar të ndodhte sot, por për shkak të sulmeve të fundit iraniane në bazat amerikane në Gjirin Persik, kjo vizitë nuk do të bëhet.

    Hegseth është pjesë e delegacionit amerikan në samitin e NATO-s në Ankara të Turqisë, të cilin e kryeson presidenti Donald Trump.

    Sipas BBC, planet për vizitën e tij në Izrael nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga SHBA-ja ose Izraeli.

    Megjithatë, disa media kanë thënë se vizita do të kishte përfshirë një diskutim rreth shqetësimeve izraelite mbi shitjen e mundshme të avionëve luftarakë F35 në Turqi, pasi kryeministri, Benjamin Netanyahu, ka thënë se kjo shitje do të ishte një gabim.

  • Prattipati sërish i bën thirrje Kosovës të përfshihet në projektin e gazit: Siguroni investimet e ardhshme amerikane

    Prattipati sërish i bën thirrje Kosovës të përfshihet në projektin e gazit: Siguroni investimet e ardhshme amerikane

    E ngarkuara me punë e ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, sërish i ka bërë thirrje Kosovës që të përfshihet në projektin e gazit amerikan, duke thënë se kështu siguron investimet e ardhshme amerikane.

    Këtë thirrje Prattipati e bëri derisa mori pjesë ë ceremoninë e ndarjes së Çmimit të Partneritetit SHBA–Kosovë, ku u vlerësuan anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë për kontributin e tyre në forcimin e tregtisë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.

    “Në fjalën e saj, ajo përshëndeti vendimin e Kosovës për të hequr tarifat doganore ndaj mallrave amerikane dhe bëri thirrje që Kosova të diversifikojë furnizimin e saj me energji përmes gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA-ja, me qëllim sigurimin e investimeve të ardhshme amerikane”, shkroi ambasada në njoftim.

  • Bllokohet rruga Prishtinë–Pejë te Ura e Dollcit, raportohet se do të kryhet minimi i terrenit

    Bllokohet rruga Prishtinë–Pejë te Ura e Dollcit, raportohet se do të kryhet minimi i terrenit

    Drejtuesit e automjeteve që qarkullojnë në aksin rrugor Prishtinë–Pejë duhet të kenë kujdes, pasi sot do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit.

    Siç raporton, Klina info për shkak të punimeve në rrugë, në segmentin te Ura e Dollcit do të realizohet procesi i minimit të terrenit, ndaj rruga do të bllokohet duke filluar nga ora 15:00.

    Ende nuk është bërë e ditur se sa do të zgjasë bllokimi i qarkullimit. Rruga do të rihapet vetëm pasi të përfundojë pastrimi i materialit të krijuar nga minimi dhe të konstatohet se qarkullimi mund të zhvillohet në mënyrë të sigurt.

  • Shoqata e Prodhuesve dhe Oda Ekonomike: Prodhimi vendor të mbrohet, jo të dëmtohet

    Shoqata e Prodhuesve dhe Oda Ekonomike: Prodhimi vendor të mbrohet, jo të dëmtohet

    Shoqata e Prodhuesve të Kosovës, në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës, në bashkëpunim me prodhuesit dhe përpunuesit vendorë të qumështit dhe produkteve me bazë shtazore, ka kërkuar veprim të menjëhershëm dhe të përgjegjshëm institucional për mbrojtjen e zinxhirit vendor të prodhimit.

    Në një komunikatë për media, pas një takimi sot, thuhet se sektori i qumështit dhe përpunimit të produkteve vendore përbën një nga shtyllat e rëndësishme të ekonomisë së Kosovës, duke kontribuar në zhvillimin rural, punësimin dhe sigurinë ushqimore të vendit.

    Për këtë arsye, sipas komunikatës, çdo deklaratë apo veprim që cenon besimin e konsumatorëve ndaj produkteve vendore, pa u mbështetur në fakte dhe analiza zyrtare, dëmton drejtpërdrejt një sektor të tërë dhe mijëra familje që varen nga ky aktivitet.

    Në këtë drejtim, Shoqata e Prodhuesve të Kosovës dhe Oda Ekonomike e Kosovës kanë kërkuar disa veprime nga ana e institucioneve.

    Në vazhdim kërkesat e Shoqatës e Prodhuesve të Kosovës dhe Odës Ekonomike e Kosovës:

    Publikimin e menjëhershëm të rezultateve të analizave zyrtare
    I bëjmë thirrje Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural që të publikojnë rezultatet e mostrave të marra, bazuar në analiza laboratorike zyrtare dhe transparente, me qëllim eliminimin e çdo paqartësie në treg.

    Mbështetje konkrete institucionale për prodhuesit vendorë
    Kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës ndërmarrjen e masave urgjente për mbështetjen e zinxhirit prodhues vendor, përmes politikave fiskale nxitëse, lehtësimeve administrative, diplomacisë ekonomike dhe mekanizmave të tjerë mbështetës.

    Ndaljen e deklarimeve dhe veprimeve që dëmtojnë sektorin pa bazë faktike
    Kërkojmë që çdo pretendim për cilësinë apo sigurinë e produkteve ushqimore të trajtohet përmes institucioneve kompetente dhe procedurave profesionale, duke shmangur veprimet që krijojnë pasiguri te konsumatorët dhe dëmtojnë padrejtësisht prodhuesit vendorë.

    Përshpejtimin e hapave për eksport në tregjet evropiane
    Kërkojmë ndërmarrjen e masave konkrete që do t’u mundësojnë prodhuesve vendorë eksportin e produkteve me bazë shtazore në tregun evropian, përfshirë avancimin e proceseve për njohjen e certifikatave përkatëse të lëshuara nga institucionet vendore.

    Respektimin e standardeve profesionale në raportim dhe mbikëqyrje
    Institucionet dhe të gjitha palët e përfshira duhet të veprojnë mbi bazën e ligjeve në fuqi dhe standardeve profesionale, duke garantuar një treg të sigurt, konkurrues dhe të drejtë për të gjithë operatorët.

    Prodhuesit vendorë kanë investuar në teknologji, kanë krijuar vende pune dhe kanë punuar vazhdimisht për përmbushjen e standardeve të kërkuara. Ata meritojnë mbështetje dhe trajtim të barabartë, jo cenim të reputacionit pa dëshmi të bazuara.

    Shoqata e Prodhuesve të Kosovës dhe Oda Ekonomike e Kosovës mbeten të përkushtuara për dialog konstruktiv me institucionet përgjegjëse, në interes të konsumatorit, prodhuesit vendor dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

  • 27 vjetori i vrasjes së vëllezërve Bytyqi, kërkohet përgjegjësi nga Serbia

    27 vjetori i vrasjes së vëllezërve Bytyqi, kërkohet përgjegjësi nga Serbia

    Organizata “Albanians For America” ka përkujtuar Agronin, Mehmetin dhe Ylli Bytyqin në 27-vjetorin e vrasjes së tyre, duke bërë thirrje që autorët dhe urdhërdhënësit e ekzekutimit të tre vëllezërve shqiptaro-amerikanë të dalin para drejtësisë.

    Në një njoftim publik, organizata rikujton se tre vëllezërit, pjesëtarë të Batalionit “Atlantiku”, luftuan nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit, por më pas u arrestuan, u dënuan me burg nga autoritetet serbe dhe u ekzekutuan nga strukturat shtetërore të Serbisë.

    “Sot përkujtojmë me respekt Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyqi, tre vëllezër shqiptaro-amerikanë, pjesëtarë të Batalionit ‘Atlantiku’, të cilët, nën emblemën e UÇK-së, luftuan për lirinë e Kosovës, por u ekzekutuan mizorisht nga strukturat shtetërore serbe, pasi që paraprakisht ishin arrestuar dhe dënuar me burg nga autoritetet e Serbisë”, thuhet në reagimin e organizatës.

    Albanians For America vlerëson se edhe pas gati tri dekadash, drejtësia për rastin Bytyqi mbetet e parealizuar.

    “Ky përvjetor na kujton se drejtësia e vonuar dhe e mohuar mbetet padrejtësi. Edhe pas 27 vitesh, urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e këtij krimi nuk janë nxjerrë para drejtësisë”, thekson organizata.

    Sipas saj, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe premtimeve të përsëritura nga zyrtarët serbë, familja Bytyqi ende pret që autorët e krimit të mbajnë përgjegjësi.

    “Pavarësisht premtimeve të përsëritura të zyrtarëve serbë dhe kërkesave të pandërprera të Shteteve të Bashkuara, familja Bytyqi vazhdon të presë drejtësi, ndërsa Serbia vazhdon të mos japë përgjigjen që i detyrohet të vërtetës dhe ligjit”, thuhet më tej në njoftim.

    Në fund, organizata rithekson se zbardhja e plotë e këtij rasti është një detyrim jo vetëm ndaj familjes Bytyqi, por edhe një test për përgjegjësinë institucionale të Serbisë.

    “Vendosja e drejtësisë nuk është vetëm një detyrim ndaj familjes së tyre, por edhe një provë e gatishmërisë së Serbisë për të marrë përgjegjësi për një krim të kryer nga strukturat e saj shtetërore”, përfundon reagimi i Albanians For America.

  • Katër aleatë të NATO-s do të porosisin raketa të mbrojtjes ajrore nga një prodhues amerikan për ta forcuar Ukrainën

    Katër aleatë të NATO-s do të porosisin raketa të mbrojtjes ajrore nga një prodhues amerikan për ta forcuar Ukrainën

    Disa aleatë të NATO-s kanë njoftuar se do të porosisin raketa të mbrojtjes ajrore Patriot për Ukrainën drejtpërdrejt nga prodhuesi në Shtetet e Bashkuara, në një kohë kur Ukraina po përballet me mungesë municionesh për t’iu kundërvënë sulmeve ruse në shkallë të gjerë, shkruan CNN.

    Përveç mbështetjes së programit të NATO-s për koordinimin e donacioneve të pajisjeve të avancuara ushtarake amerikane, katër vende – Kanadaja, Danimarka, Gjermania dhe Norvegjia – njoftuan këtë nismë për të porositur më shumë raketa drejtpërdrejt. Norvegjia tha se do të sigurojë edhe 307 milionë dollarë shtesë (3 miliardë korona norvegjeze) për të forcuar sistemet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës.

    “Duke pasur parasysh afatet e gjata të dorëzimit për disa nga këto raketa, Norvegjia gjithashtu planifikon të blejë raketa Patriot nga vende që tashmë i kanë ato, për të mundësuar dhurimin e tyre të shpejtë për Ukrainën”, tha Ministria e Mbrojtjes e Norvegjisë në një deklaratë.

    “Ukraina po arrin të ndalojë shumicën e dronëve dhe raketave të lundrimit, por ajo duhet të forcojë mbrojtjen e saj kundër raketave balistike. Kjo është një nga prioritetet më urgjente të Ukrainës. Prandaj, Norvegjia po siguron tani 3 miliardë korona norvegjeze për mbrojtjen ajrore”, tha kryeministri Jonas Gahr Støre në deklaratë. Store sapo u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Ankara.

  • Për herë të parë në QKUK kryhen operime të trurit me teknikën moderne të neuroendoskopisë

    Për herë të parë në QKUK kryhen operime të trurit me teknikën moderne të neuroendoskopisë

    Klinika e Neurokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka shënuar një moment të rëndësishëm në zhvillimin e shërbimeve neurokirurgjikale, duke realizuar për herë të parë me sukses operime me teknikën e neuroendoskopisë.

    Bëhet fjalë për një metodë moderne dhe minimalisht invazive, e cila mundëson trajtim më të avancuar të patologjive të trurit dhe rrit sigurinë gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale.

    Në njoftimin e QKUK-së thuhet se më 6 dhe 7 korrik, Klinika e Neurokirurgjisë mirëpriti neurokirurgun e njohur nga Gjermania, Dr. Gousias Konstantinos, i cili, së bashku me ekipin profesional të klinikës, udhëhoqi realizimin e këtyre procedurave.

    “Gjatë kësaj vizite u kryen me sukses dy ndërhyrje të rëndësishme: operimi i një tumori të hipofizës përmes qasjes neuroendoskopike dhe operimi i një tumori të ventrikulit të tretë të trurit me teknikën neuroendoskopike”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.

    Sipas QKUK-së, në të dy operacionet është përdorur edhe neuronavigatori, një aparaturë moderne që disponohet në Klinikën e Neurokirurgjisë dhe që rrit saktësinë e ndërhyrjeve kirurgjikale.

    “Në të dyja ndërhyrjet u përdor edhe neuronavigatori, aparaturë moderne e disponueshme në Klinikën e Neurokirurgjisë, e cila mundëson orientim të saktë anatomik gjatë operacionit, rrit sigurinë e procedurës dhe ndihmon në kryerjen e ndërhyrjeve me precizion maksimal, në përputhje me standardet bashkëkohore të neurokirurgjisë”, theksohet në njoftim.

    QKUK bën të ditur se të dy pacientët që iu nënshtruan këtyre ndërhyrjeve janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po vazhdojnë trajtimin sipas planit të mjekëve.

    Institucioni vlerëson se vizita nuk kishte rëndësi vetëm për suksesin klinik, por edhe për zhvillimin profesional të stafit.

    “Përveç suksesit klinik, vizita pati edhe një vlerë të veçantë profesionale dhe edukative. Gjatë gjithë procedurave, mjekët neurokirurgë, anesteziologët, infermierët instrumentarë dhe personeli i sallës operative morën pjesë aktive në trajnim praktik, duke përfituar njohuri dhe përvojë të drejtpërdrejtë në zbatimin e teknikave moderne të neuroendoskopisë dhe përdorimin e neuronavigatorit”, thuhet tutje në këtë njoftim.

    Sipas QKUK-së, ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm në avancimin e kapaciteteve profesionale të Klinikës së Neurokirurgjisë dhe në zgjerimin e gamës së shërbimeve moderne që u ofrohen pacientëve në Kosovë.