ATV

Author: K.B.

  • ​Rritet numri i shkurorëzimeve në Kosovë

    ​Rritet numri i shkurorëzimeve në Kosovë

    Numri i shkurorëzimeve në Kosovë ka shënuar rritje gjatë vitit 2025, krahasuar me një vit më parë.

    Gjatë vitit 2025, janë raportuar dhe regjistruar gjithsej 2 mijë e 192 shkurorëzime që paraqet 46 raste më shumë sesa në vitin 2024 (ku ishin 2 mijë e 146 shkurorëzime) ose një rritje prej 2,1 përqind.

    Sipas komunës ku është regjistruar shkurorëzimi, numri më i madh i rasteve është evidentuar në Prizren me 192 shkurorëzime (8,8 përqind), pasuar nga Prishtina me 175 raste (8,0 përqind) dhe Peja me 163 raste (7,4 përqind), njofton Agjencia e Statistikave të Kosovës.

    Sipas kohëzgjatjes së martesës, pjesa më e madhe e shkurorëzimeve i përkiste martesave që kishin zgjatur 5–9 vjet, me 627 raste, ose 28,6 përqind të numrit të përgjithshëm të shkurorëzimeve. Pas tyre renditen martesat me kohëzgjatje 10–14 vjet, me 297 raste, ose 13,5 përqind.

    Sipas grup-moshës, tek gratë numri më i madh i shkurorëzimeve është regjistruar në grup-moshën 25–29 vjeç, me 463 raste (21,1 përqind), ndërsa tek burrat në grup-moshën 30–34 vjeç, me 464 raste (21,2 përqind).

  • Galeria Kombëtare rihapet sonte me veprat e 43 artistëve shqiptarë

    Galeria Kombëtare rihapet sonte me veprat e 43 artistëve shqiptarë

    Ekspozita “Jo gjithë njerëzit ekzistojnë në të Tashmen e njëjtë”, e kuruar nga Hana Halilaj, shënon rihapjen e Galerisë Kombëtare të Kosovës pas rinovimit të plotë dhe rikonfigurimit të hapësirave të saj ekspozuese, që përuron një fazë të re në zhvillimin publik dhe infrastrukturor të institucionit.

    Ekspozita përkon me themelimin e hapësirës së parë institucionale për ruajtjen e koleksionit, duke krijuar mundësi të reja për konservim, studim dhe riinterpretim.

    Artistët pjesëmarrës janë: Adem Kastrati, Agim Çavdarbasha, Agim Rudi, Alban Muja, Alije Vokshi, Bedri Emra, Bora Baboçi, Brilant Milazimi, Budim Berisha, Doruntina Kastrati, Driant Zeneli, Driton Hajredini, Esat Valla, Ëngjëll Berisha, Fatmir Krypa, Feriha Rada, Gjelosh Gjokaj, Halil Muhaxhiri, Hamdi Bardhi, Hilmija Ćatović, Hyrije Krypa, Hysni Krasniqi, Ibrahim Ponosheci, Isa Alimusaj, Jakup Ferri, Kadrush Rama, Lala Meredith Vula, Masar Caka, Muslim Mulliqi, Nebih Muqiri, Nimon Lokaj, Petrit Halilaj, Rexhep Ferri, Rexhep Goçi, Rudina Xhaferi, Simon Shiroka, Sislej Xhafa, Tahir Emra, Valbona Zherka, Violeta Xhaferi, Vlada Radović, Xhevdet Xhafa, and Zake Prelvukaj.

    Kjo ngjarje fillon nga ora 19:00, ndërsa akti i hapjes bëhet nga Oda Haliti.

  • Bërnjak: Policia kontrollon një veturë me targa të Serbisë, gjen sprej dhe një thikë

    Bërnjak: Policia kontrollon një veturë me targa të Serbisë, gjen sprej dhe një thikë

    Policia ka bërë të ditur se ka kontrolluar një veturë me targa të Serbisë në Bërnjak.

    Bëhet e ditur se gjatë kontrolli është gjetur dhe sekuestruar një sprej dhe një thikë.

    “Policia gjatë kontrollit në veturën e të dyshuarit mashkull shtetas i Serbisë, ka gjetur dhe sekuestruar një sprej dhe një thikë. Në konsultim me prokurorin pas inicimit të rastit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e policisë.

  • Rritet sërish çmimi i naftës

    Rritet sërish çmimi i naftës

    Ministria e Industrisë ka publikuar çmimet e derivateve për ditën e sotme.

    Sipas njoftimit, çmimi i naftës për sot është 1.44 euro për litër, duke shënuar rritje prej 1 centi krahasuar me ditën e djeshme, kur ishte 1.43 euro për litër.

    Ndërkaq, çmimi maksimal i benzinës është 1.37 euro për litër, ndërsa ai i gazit 0.61 euro për litër.

  • Arrestohet një person në Milloshevë për kanosje me armë zjarri

    Arrestohet një person në Milloshevë për kanosje me armë zjarri

    Një person është arrestuar në Milloshevë të Obiliqit, pasi dyshohet se ka kanosur një qytetar duke i ekspozuar një armë zjarri.

    Sipas raportit të Policisë, rasti ka ndodhur më 8 korrik rreth orës 12:52. Ankuesi, ka raportuar se i dyshuari e ka kanosur duke i treguar një pistoletë.

    Pas ndërhyrjes së policisë, i dyshuari është arrestuar, ndërsa gjatë kontrollit i janë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me nëntë fishekë, një leje e armës për shenjëtari si dhe një libër për evidentimin e lëvizjes.

    Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • 6 kandidatë kualifikohen për t’u intervistuar për drejtor të RTK’së, bordi publikon emrat

    6 kandidatë kualifikohen për t’u intervistuar për drejtor të RTK’së, bordi publikon emrat

    Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) ka publikuar listën përfundimtare të kandidatëve të kualifikuar për intervistim në konkursin publik për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së.

    Sipas dokumentit të nënshkruar nga kryetari i Bordit të RTK-së, Dardan Beqiri, pas hapjes së dosjeve të aplikantëve, shqyrtimit fillestar dhe rishqyrtimit të dokumentacionit, si dhe verifikimit përfundimtar të përmbushjes së kushteve të konkursit, janë kualifikuar gjashtë kandidatë.

    Në listën e publikuar bëjnë pjesë:

    Lorik Arifaj

    Antigonë Baxhaku

    Hysen Hundozi

    Arber Geci

    Nexhmedin Spahiu

    Zana Spahiu

    RTK ka bërë të ditur se kandidatët e përfshirë në listë do të njoftohen përmes postës elektronike për fazën e intervistimit, ku do të marrin detajet lidhur me datën, orën dhe vendin e mbajtjes së intervistës.

    Ndërkohë, kandidatët që nuk janë përfshirë në këtë listë do të njoftohen po ashtu me email për rezultatin përfundimtar të verifikimit të dokumentacionit dhe arsyet e mospërmbushjes së kushteve të konkursit.

  • Mbyllet përkohësisht qarkullimi në rrugën Brezovicë – Prevallë, do të asfaltohet një segment rrugor

    Mbyllet përkohësisht qarkullimi në rrugën Brezovicë – Prevallë, do të asfaltohet një segment rrugor

    Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se sot do të mbyllet përkohësisht qarkullimi në segmentin rrugor Brezovicë–Prevallë, konkretisht në pjesën Fushë e Pajtimit – Prevallë.

    Qarkullimi do të ndërpritet nga ora 08:00 deri në orën 18:00 për shkak të punimeve të asfaltimit, të cilat po realizohen në kuadër të projektit të mirëmbajtjes së rrugëve nacionale dhe rajonale, tha Ministria.

    “Mbyllja do të realizohet për shkak të punimeve të asfaltimit në kuadër të projektit të mirëmbajtjes së rrugëve nacionale dhe rajonale, ku do të asfaltohet një segment rrugor me gjatësi prej 1,050 metrash”, thuhet në njoftim.

    Ministria bëri të ditur se mbyllja e përkohshme është “e domosdoshme për të mundësuar zhvillimin e punimeve në kushte të sigurta, për mbrojtjen e pjesëmarrësve në komunikacion dhe për garantimin e cilësisë së punimeve”.

    “Lusim qytetarët dhe të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të planifikojnë lëvizjet e tyre me kohë, të shfrytëzojnë rrugë alternative dhe të respektojnë sinjalizimin e përkohshëm dhe udhëzimet e autoriteteve në terren. Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin”, thuhet në njoftim.

  • Kurti kthehet nga Greqia, Haxhiu tha se do ta thërrasë seancën konstituive të Kuvendit “brenda afatit” 30-ditor

    Kurti kthehet nga Greqia, Haxhiu tha se do ta thërrasë seancën konstituive të Kuvendit “brenda afatit” 30-ditor

    Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit u certifikuan dje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Albulena Haxhiu, ushtruesja e detyrës së Presidentit, mund ta thërrasë që sot seancën konstituive të Kuvendit.

    Kuvendi konstituohet në një seancë e cila “mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve”, sipas pikës 1 të nenit 66 të Kushtetutës së vendit. Presidenti, në këtë rast ushtruesja e detyrës, “e thërret seancën e parë të Kuvendit”, sipas pikës 3 të të njëjtit nen. Nëse ajo nuk është në gjendje ta bëjë këtë, “Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e Presidentit”, thotë Kushtetuta.

    Haxhiu tha të mërkurën se seancën konstituive do ta thërrasë “brenda afatit”.

    “Në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese, seanca konstituive e Kuvendit të Republikës do të thirret brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë, duke hapur rrugën për themelimin e institucioneve të reja të dala nga vullneti i qytetarëve”, shkroi ajo në një postim në Facebook.

    Lëvizja Vetëvendosje ka thënë të martën se i ka siguruar votat për formimin e Qeverisë së re dhe se më pas do të kërkojë konsensus me partitë e tjera për zgjedhjen e Presidentit. Mozgjedhja e Presidentit ishte shkaku që vendi mbajti në fillim të qershorit zgjedhjet e treta në rreth një vit e gjysmë.

    “Sa i përket Qeverisë, ne i kemi votat e nevojshme. Prandaj, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit pa humbur kohë duhet të vazhdojmë me procedurën për votimin e Qeverisë, ndërsa brenda afateve kushtetuese do të angazhohemi edhe për arritjen e konsensusit rreth zgjedhjes së presidentit/es”, tha për Radion Evropa e Lirë ish-shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci.

    Kryeministri në detyrë, kryetari i LVV-së, Albin Kurti është kthyer nga Greqia, ku mori pjesë në edicionin e 28-të të Simpoziumit SYMI.

    Para rreth dy javësh, Kurti në një mbledhje të Qeverisë në detyrë e përmendi zgjedhjen e Presidentit pasi tha se duhet ta konstituojnë Kuvendin dhe ta formojnë qeverinë e re të vendit.

    “Porsa të certifikohet rezultati i zgjedhjeve do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve të reja: konstituimin e legjislaturës së 11 të Kuvendit, formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e Presidentit apo Presidentes”, tha ai.

    Pasi arsyeja e zgjedhjeve të fundit parlamentare ishte moszgjedhja e Presidentit, nga këtu, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani thotë se duhet të nisë puna pas konstituimit të Kuvendit.

    “Menjëherë duhet të fillojë procedura për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Pra, Kuvendi Kosovës që konstituohet nuk mund të ketë asgjë tjetër në agjendë pos propozimet për Presidentin e Republikës”, ka thënë ai për Gazetën Express më 16 qershor.

    Ai thotë se Albulena Haxhiu nuk mund ta dekretojë mandatarin e ri për kryeministër, duke qenë ushtruese e detyrës së Presidentit.

    Në aktgjykimin e fundit kur Kushtetuesja vendosi afatin për zgjedhjen e Presidentit, përmendet edhe afati në kontekst të zgjedhjes së shefit të shtetit kur nuk ka Kuvend të konstituuar dhe funksional.

    Paragrafi 162 i atij aktgjykimi thotë se me t’u konstituuar Kuvendi, duhet të fillojë procedura për zgjedhjen e Presidentit.

    “Në kontekstin specifik të rrethanave të një Kuvendi të shpërndarë dhe ende të pakonstituuar, Gjykata bazuar në interpretimin si më lart dhe qëllimin e normave kushtetuese, të përcaktuara përmes nënpikës 3 të paragrafit 1 të nenit 82 ndërlidhur me paragrafin 2 të nenit 86 të Kushtetutës, vlerëson se procedura për zgjedhjen e Presidentit duhet të fillojë nga dita e konstituimit të Kuvendit dhe të përfundojë më së largu brenda gjashtëdhjetë (60) ditëve nga dita e fillimit të procedurës për zgjedhjen e Presidentit”, thuhet në aktgjykim.

    Gjykata Kushtetuese thotë në aktgjykimin e fundit se më herët nuk kishte specifikuar shprehimisht rrethanën se kur fillon dhe kur përfundon procedura e zgjedhjes së Presidentit të ri, në rrethanat kur nuk ka Kuvend të konstituuar dhe funksional.

  • Kryesia e LDK-së mblidhet sot pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve

    Kryesia e LDK-së mblidhet sot pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve

    Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të mbajë një mbledhje sot në orën 15:00, siç konfirmoi dje zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa.

    Mbledhja vjen një ditë pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit. Në këto zgjedhje, LDK-ja moti 16.69% të votave – 18 ulëse në Kuvend.

    Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Albulena Haxhiu mund ta thërrasë seancën konstituive të Kuvendit.

    Kuvendi konstituohet në një seancë e cila “mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve”, sipas pikës 1 të nenit 66 të Kushtetutës së vendit. Presidenti, në këtë rast ushtruesja e detyrës, “e thërret seancën e parë të Kuvendit”, sipas pikës 3 të të njëjtit nen. Nëse ajo nuk është në gjendje ta bëjë këtë, “Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e Presidentit”, thotë Kushtetuta.

    Haxhiu tha të mërkurën se seancën konstituive do ta thërrasë “brenda afatit” 30-ditor.

  • Trotinetet ndalohen në shesh, policia në Prishtinë del me njoftim

    Trotinetet ndalohen në shesh, policia në Prishtinë del me njoftim

    Policia në Prishtinë ka nisur zbatimin e një plan-veprimi me fokus kontrollin e qarkullimit të trotineteve elektrike, me qëllim garantimin e rendit publik dhe sigurisë së qytetarëve.

    Sipas njoftimit zyrtar, gjatë patrullimeve dhe monitorimit të vazhdueshëm në hapësirat publike, zyrtarët policorë fillimisht kanë zhvilluar aktivitete vetëdijësuese, duke i informuar drejtuesit e trotineteve elektrike dhe biçikletave se qarkullimi i tyre në sheshe është i ndaluar përmes sinjalizimit rrugor.

    Pas këtyre njoftimeve, ndaj personave që nuk kanë respektuar dispozitat ligjore janë ndërmarrë masa në përputhje me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor.

    Sipas Policisë, shtatë drejtues të trotineteve elektrike janë gjobitur me nga 150 euro, ndërsa trotinetet e tyre janë sekuestruar.