ATV

Author: K.B.

  • 56 aksidente trafiku për 24 orë në Kosovë

    56 aksidente trafiku për 24 orë në Kosovë

    56 aksidente trafiku kanë ndodhur në 24 orët e fundit në vendin tonë, ku 25 prej tyre kanë përfunduar me të lënduar dhe 31 me dëme materiale.

    Sipas statistikave të përgjithshme të policisë, për 24 orë janë shqiptuar 2 mijë e 391 gjoba trafiku.

    Gjatë kësaj periudhe janë arrestuar 27 persona, shtatë janë dërguar në mbajtje dhe dy në vuajtje të dënimit.

  • Bie numri i martesave në Kosovë, mbi 2 mijë çifte më pak u kurorëzuan brenda një viti

    Bie numri i martesave në Kosovë, mbi 2 mijë çifte më pak u kurorëzuan brenda një viti

    Numri i çifteve që kanë lidhur martesë në Kosovë ka shënuar rënie të ndjeshme gjatë vitit 2025. Të dhënat e publikuara tregojnë se gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 15.582 kurorëzime, brenda dhe jashtë vendit, që është 2.281 më pak se një vit më parë.

    Numri i martesave në Kosovë ka vazhduar trendin rënës edhe gjatë vitit 2025, sipas statistikave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

    Sipas ASK-së, gjatë vitit 2025 janë regjistruar gjithsej 15.582 kurorëzime, duke përfshirë martesat e regjistruara brenda dhe jashtë Kosovës.

    Nga ky numër, 13.746 kurorëzime janë regjistruar brenda territorit të Kosovës, ndërsa 1.836 janë regjistruar jashtë vendit.

    Krahasuar me vitin 2024, numri i përgjithshëm i kurorëzimeve ka rënë për 2.281 raste, ose 12,8 për qind, duke reflektuar një ulje të konsiderueshme të numrit të çifteve që kanë vendosur të lidhin martesë.

    “Në vitin 2025, janë regjistruar 15 582 kurorëzime (brenda dhe jashtë Kosovës). Prej tyre 13 746 kurorëzime kanë ndodhur brenda territorit të Kosovës, ndërsa 1 836 kurorëzime kanë ndodhur jashtë Kosovës. Krahasuar me vitin 2024, numri i përgjithshëm i kurorëzimeve të regjistruara (brenda dhe jashtë Kosovës) në vitin 2025 është më i ulët për 2 281 ose 12,8 %. Numri i kurorëzimeve të regjistruara brenda Kosovës në vitin 2025 ka shënuar rënie për 2 329 raste, ose 14,5 %, krahasuar me vitin 2024. Ndërkaq numri i kurorëzimeve të regjistruara jashtë Kosovës është rritur për 48 raste, ose 2,7 %, krahasuar me vitin paraprak”.

    Rënia është edhe më e theksuar te kurorëzimet e regjistruara brenda Kosovës. Sipas statistikave, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 2.329 martesa më pak sesa në vitin paraprak, që përfaqëson një rënie prej 14,5 për qind.

    Në anën tjetër, kurorëzimet e regjistruara jashtë Kosovës kanë shënuar një rritje të lehtë. Gjatë vitit 2025 janë regjistruar 48 raste më shumë se në vitin 2024, ose një rritje prej 2,7 për qind.

    Të dhënat e ASK-së tregojnë gjithashtu se grupmosha 25-29 vjeç vazhdon të dominojë për nga numri i martesave të regjistruara në Kosovë.

    Te meshkujt, në këtë grupmoshë janë regjistruar 4.754 kurorëzime, që përbëjnë 34,6 për qind të të gjitha martesave të regjistruara brenda Kosovës.

    Edhe te gratë, grupmosha 25-29 vjeç përfaqëson kategorinë me numrin më të madh të kurorëzimeve, me 4.577 raste, ose 33,3 për qind të totalit.

    Statistikat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës evidentojnë se viti 2025 është karakterizuar nga një rënie e numrit të martesave, kryesisht si rezultat i zvogëlimit të kurorëzimeve të regjistruara brenda vendit.

  • Macron u përpoq t’i puthte dorën Zonjës së Parë të Turqisë, reagimi i saj shkaktoi bujë në rrjetet sociale

    Macron u përpoq t’i puthte dorën Zonjës së Parë të Turqisë, reagimi i saj shkaktoi bujë në rrjetet sociale

    Një moment i pazakontë diplomatik midis Presidentit Francez Emmanuel Macron dhe Zonjës së Parë Turke Emina Erdogan u bë një nga temat më të komentuara në rrjetet sociale, pasi u shfaq një video e takimit të tyre.

    Një video virale tregon Macronin duke iu afruar Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan dhe gruas së tij Emine Erdogan gjatë një përshëndetjeje zyrtare.

    Në një moment, presidenti francez përkulet nga zonja e parë, gjë që shumë përdorues të mediave sociale e interpretuan si një përpjekje për t’i puthur dorën. Megjithatë, Emine Erdogan e tërheq shpejt dorën, pas së cilës përshëndetja vazhdon pa shqetësime të mëtejshme.

    @istiklalgazetesicomFransa Cumhurbaşkanı Macron, eşiyle birlikte resepsiyon ve akşam yemeğine katılmak üzere Cumhurbaşkanlığı Külliyesi’ne geldi. Macron, Emine Erdoğan’ın elini öpmeye çalıştı.

    ♬ İstiklal Gazetesi – orijinal ses – İstiklal Gazetesi

    Videoja shpejt mblodhi miliona shikime dhe interneti u mbush me komente dhe interpretime të ndryshme të këtij takimi. Ndërsa disa e konsiderojnë atë një moment diplomatik të ngathët, të tjerë theksojnë se nuk është e mundur të konkludohet me siguri se cili ishte qëllimi i Macron vetëm bazuar në videon e shkurtër.

    Vëmendje e veçantë iu kushtua reagimit të qetë të Emina Erdogan, e cila, sipas shumë komentuesve, me edukatë, por me vendosmëri, shmangu një gjest që nuk është i zakonshëm në raste të tilla.

    Në takimet diplomatike, protokolli dhe ndryshimet kulturore shpesh luajnë një rol të rëndësishëm, kështu që momente të tilla shpesh interpretohen ndryshe në publik.

  • Begaj viziton Luginën e Preshevës, kërkon unitet të faktorit politik shqiptar

    Begaj viziton Luginën e Preshevës, kërkon unitet të faktorit politik shqiptar

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka vizituar të martën Luginën e Preshevës, ku është takuar me përfaqësuesit politikë shqiptarë të kësaj treve.

    Ai bëri të ditur se ka zhvilluar bisedime me kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani, kryetarin e Bujanocit, Arbër Pajaziti, deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberin, si dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepin. Begaj kërkoi unitet politik të faktorit shqiptar.

    Begaj tha se gjatë takimeve është diskutuar për shqetësimet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, forcimin e bashkëpunimit të faktorit politik shqiptar dhe projektet që synojnë mbështetjen e të rinjve. /Gazeta Express

    Postimi i plotë:

    Vizitova sot Luginën e Preshevës, ku jetojnë shqiptarë në trojet e veta, fatkeqësisht jashtë trupit amë.

    Më pritën me flamur e zemrat plot dashuri, si vëllai pret vëllanë. Biseduam me kryetarët e komunave, Ardita Sinani dhe Arbër Bajazitin, deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberin, dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës, Enkel Rexhepin, për adresimin e shqetësimeve të shqiptarëve të Luginës, për forcimin e bashkimit të faktorit shqiptar, si edhe për projektet që do të ndihmojnë rininë e këtushme.

    I inkurajova liderët politikë të kësaj treve të bashkohen sa herë bëhet fjalë për interesin kombëtar, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

    Si President i Republikës së Shqipërisë, u garantova mbështetjen e Shqipërisë për adresimin e çështjes së Luginës së Preshevës, përfaqësimin e drejtë në institucione, shqetësimin për pasivizimin e adresave, si dhe të drejtën e përdorimit të gjuhës amtare dhe të simboleve kombëtare.

  • Kryesia e LDK-së mblidhet të enjten pas certifikimit të rezultateve zgjedhore

    Kryesia e LDK-së mblidhet të enjten pas certifikimit të rezultateve zgjedhore

    Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) do të mbajë mbledhje të enjten, më 9 korrik 2026, duke filluar nga ora 15:00.

    Mbledhja vjen një ditë pasi u certifikuan rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 7 qershor 2026. Në këto zgjedhje, LDK siguroi 16.69 për qind të votave, duke fituar 18 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

    Lajmin për mbajtjen e mbledhjes e ka konfirmuar zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, i cili bëri të ditur se takimi i Kryesisë do të nisë në orën 15:00./EO

  • Abazi: Kurti është në mision të shpërbërjes së Republikës së Kosovës

    Abazi: Kurti është në mision të shpërbërjes së Republikës së Kosovës

    Ish-deputeti Haki Abazi, i ftuar në emisionin “DPT Te Fidani” në Klan Kosova, ka komentuar pretendimet e tij mbi të cilat argumenton se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është në mision për shpërbërjen e Republikës së Kosovës.

    Ai tha se vizitat e Kurtit në Greqi, shtet ky që nuk e njeh subjektivitetin e Kosovës, e fakton një gjë të tillë.

    “Kurti është në misionin e tij të shpërbërjes së Republikës së Kosovës, kjo po vërtetohet realisht. Arsyeja që shkon në Greqi është se Greqia nuk e njeh Kosovën, kjo është fakt që Kurti nuk e njeh Republikën e Kosovës, Kurti është brenda Republikës për të shpërbërë Republikën. Për tri vite në mënyrë graduale është duke hequr copë-copë atribute të shtetit”, tha ai.

    Abazi pretendon se edhe fakti që Kosova po përballet me mungesë të parlamentit për një kohë të gjatë fakton pretendimet e tij.

    “Për tre vite shtet parlamentar pa Kuvend, tregon që realisht është në shpërbërje të Republikës. Sulmi mbi sistemin e drejtësisë, sulmi mbi Gjykatën Kushtetuese, është atak mbi Kushtetutshmërinë e Republikës. Të gjithë ata që besojnë në Republikën e Kosovës, të gjithë ata që është baza e mendimit të krijimit të Republikës së Kosovës, prej presidentit Rugova dhe partisë që ai ka lënë prapa dhe mendimtarët që mendojnë që Republika e Kosovës është rruga drejt avancimit të interesave të shqiptarëve në Kosovë, janë armiq të Albin Kurtit. Për 6 vite as edhe një angazhim të vetëm për njohjen e Republikës së Kosovës”, tha ish-deputeti Abazi.

  • Haxhiu tregon se kur do të thirret seanca konstituive

    Haxhiu tregon se kur do të thirret seanca konstituive

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Albulena Haxhiu, është deklaruar pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

    Haxhiu tha se seanca konstituive e Kuvendit do të thirret brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë.

    “Me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmbyllet një proces i rëndësishëm demokratik për Republikën tonë”, ka shkruar Haxhiu.

    Ajo ka vlerësuar se vota e qytetarëve, tashmë ka marrë formën përfundimtare institucionale.

    “Vullneti i qytetarëve, i shprehur me votë brenda vendit dhe nga bashkatdhetarët tanë, ka marrë tashmë formën e tij përfundimtare institucionale”, është shprehur ajo.

    Haxhiu ka falënderuar institucionet zgjedhore dhe të gjithë akterët që kanë kontribuar në organizimin dhe përmbylljen e procesit zgjedhor, duke vlerësuar punën e tyre si të rëndësishme për funksionimin demokratik të vendit.

    “Shpreh mirënjohjen time për institucionet zgjedhore dhe për të gjithë ata që, me profesionalizëm, përgjegjësi dhe përkushtim, kontribuuan në mbarëvajtjen dhe përmbylljen e këtij procesi”, ka deklaruar ajo.

    Duke folur për hapat e ardhshëm, ushtruesja e detyrës së presidentes ka theksuar se formimi i institucioneve të reja duhet të bazohet në përgjegjësi dhe respektim të vullnetit qytetar.

    “Besimi i dhënë nga qytetarët është një përgjegjësi e madhe. Çdo mandat duhet të ushtrohet me integritet, llogaridhënie dhe përkushtim të palëkundur në shërbim të interesit publik, demokracisë dhe të ardhmes së Republikës sonë”, ka thënë Haxhiu.

    Pas certifikimit të rezultateve, pritet që institucionet e reja të ndjekin procedurat kushtetuese për konstituimin e Kuvendit dhe më pas për krijimin e strukturave të reja qeverisëse.

  • Deri në hapjen e ndonjë piste të re të kërkimit do të pezullohen kërkimet për 78 vjeçarin e zhdukur

    Deri në hapjen e ndonjë piste të re të kërkimit do të pezullohen kërkimet për 78 vjeçarin e zhdukur

    Edhe sot kanë vazhduar kërkimet për 78 vjeçarin Xhafer Raqi, i cili tash e gati një javë është shpallur i zhdukur nga familja.

    Pas përfundimit të ditës së sotme do të pezullohen kërkimet për të moshuarin, deri në marrjen e një informacioni të ri ose piste të re të kërkimi.

    Kështu Mentor Maloku, kryetari i Shoqatës së Kosovës për Kërkim-Shpëtim.

    “Kërkimet kanë vazhduar edhe sot. Është njoftim zyrtar që me përfundimin e kërkimeve sot do të pezullohen përkohësisht kërkimet deri në marrjen e ndonjë informacioni të ri ose ndonjë piste të re të kërkimit”, deklaroi Maloku për Klankosova.tv.

    Në operacionin e kërkimit pos familjes e qytetarëve, janë angazhuar edhe policia, Shoqata e Kërkim-Shpëtimit, Drejtoria e Emergjencave, FSK-ja.

    Deri më tani krejt çka është gjetur është një sandale e cila dyshohet se i përket të moshuarit.

  • IQMT mbyll 6 biznese dhe gjobit 6 të tjera në aksionin ndaj kriptovalutave dhe këmbimoreve

    IQMT mbyll 6 biznese dhe gjobit 6 të tjera në aksionin ndaj kriptovalutave dhe këmbimoreve

    Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), ka filluar sot aksionin e inspektimeve ndaj bizneseve që ushtrojnë veprimtari në fushën e kriptovalutave dhe këmbimoreve.

    Inspektimet janë zhvilluar në komunat e Prishtinës, Gjilanit, Gjakovës, Prizrenit, Podujevës, Rahovecit dhe Suharekës, me qëllim të verifikimit të përmbushjes së kërkesave ligjore për ushtrimin e kësaj veprimtarie, thuhet në njoftim.

    “Gjatë ditës së parë të aksionit janë inspektuar 16 biznese, ku ndaj 6 subjekteve është shqiptuar masa e ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë për shkak të mungesës së dokumentacionit të detyrueshëm, kryesisht mungesës së pëlqimit për përmbushjen e kushteve minimale teknike, si dhe ndaj 6 bizneseve tjera janë shqiptuar gjoba për mungesën e dokumentacionit ligjor”, vijon njoftimi.

    “Në kuadër të planit operacional, IQMT do të inspektojë mbi 268 biznese të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), të cilat kanë të regjistruar kodin për ndërmjetësime tjera monetare”, thuhet tutje.

  • Kosova e kap në kufi shtetasin S.U që po kërkohej nga Belgjika me urdhërarrest ndërkombëtar

    Kosova e kap në kufi shtetasin S.U që po kërkohej nga Belgjika me urdhërarrest ndërkombëtar

    Policia e Kosovës ka njoftuar se sot në minutat e para të mëngjesit është arrestuar shtetasi kosovar S.U, meqë i njëjti kërkohet nga autoritetet e Belgjikës.

    “Sot me datë 08.07.2026 rreth orës 00:55, zyrtarët policorë nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim dhe koordinim me njësitet tjera të policisë, përkatësisht në Pikën e Kalimit Kufitar në Kullë, është bërë arrestimi i shtetasit kosovar S.U., pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL-it me urdhër arrest ndërkombëtar lëshuar nga autoritetet e Belgjikës”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

    Policia k anjoftuar se i njëjti me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.