ATV

Author: K.B.

  • Mëngjes me mjegull, gjatë ditës diell e vranësira

    Mëngjes me mjegull, gjatë ditës diell e vranësira

    Nga sot po parashihet të mbretëroj mot më i qëndrueshëm. Mjegulla që formohet ultësirave, ka të ngjarë të qëndrojë më gjatë, vende-vende ndoshta edhe pas mesdite.

    Pjesëve më të larta të vendit do të ketë më shumë diell, megjithëse kalojnë vransira shtresore në lartësi. Temperaturat parashihet të shkojnë deri në 7C e 9C, mirëpo që zonave ku mbetet më shumë mjegulla mund të jenë mjaft të ulëta, 2C e 5C. Temperaturat minimale zbresin në -1C e 2C. Do të dominojnë qetësitë. Ditën frynë erë e lehtë drejtimesh të ndryshme 1-2m/s.

    Ditën e mërkurë kalojnë herë pas here vransira, derisa ultësirave vazhdon të shfaqet mjegulla, që ka gjasa të qëndrojë më gjatë. Prej ditës së enjte parashihet mot kryesisht me kthjellime e diell. Ultësirave ende mbesin kushte për formim të mjegullës, që mund të mbetet më shumë pjesëve të Dukagjinit.

    Temperaturat në kushte të motit me diell shkojnë deri në 12C e 13C, derisa pjesëve ku qëndron mjegulla më gjatë, mbesin të ulëta, 2C e 5C. Minimalet zbresin edhe deri në -1C e 0C. Do të dominojnë qetësitës. Orëve të pasdites frynë erë e lehtë drejtimesh të ndryshme 1-3m/s.

  • Ulutaş e pret në takim Kurtin me dy ministra, KFOR jep detaje nga takimi

    Ulutaş e pret në takim Kurtin me dy ministra, KFOR jep detaje nga takimi

    Komandanti i KFOR’it, Ozkan Ulutas, është takuar sot me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.

    Për këtë takim ka njoftuar KFOR’i në faqen zyrtare, ku ka bërë me dije se bashkë me Kurtin kanë qenë edhe Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci si dhe ai i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

    Sipas njoftimit, Ulutas dhe Kurti kanë shkëmbyer mendime mbi forcimin e bashkëpunimit ndërmjet KFOR’it dhe institucioneve të Kosovës.

    “ Gjeneral Ulutaş theksoi angazhimin e palëkundur të KFOR-it për të vazhduar kontributin e tij në sigurinë në gjithë Kosovën dhe rajonin më të gjerë”, theksohet në njoftim.

    Në fund të njoftimit thuhet se KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

  • Tërmet me magnitudë 7.6 në Japoni, paralajmërohet cunami deri në 3 metra

    Tërmet me magnitudë 7.6 në Japoni, paralajmërohet cunami deri në 3 metra

    Agjencia Meteorologjike e Japonisë (JMA) ka lëshuar paralajmërim për cunami deri në 3 metra në bregdetin verilindor të vendit, pas një tërmeti të fortë me magnitudë 7.6 që goditi detin të hënën.

    Paralajmërimi vlen për prefekturat Hokkaido, Aomori dhe Iwate. Lëkundjet u ndjenë në një zonë të gjerë të veriut dhe lindjes së Japonisë rreth orës 23:15 me orën lokale.

    Sipas JMA-së, epiqendra e tërmetit ndodhej rreth 80 kilometra larg bregut të prefekturës Aomori, në një thellësi prej 50 kilometrash.

    Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve përgjatë vijës bregdetare të evakuojnë menjëherë zonat e rrezikuara.

  • Ambasada e Kosovës në Paris do t’i ndërpres shërbimet konsullore për mbi 2 javë

    Ambasada e Kosovës në Paris do t’i ndërpres shërbimet konsullore për mbi 2 javë

    Ambasada e Kosovës në Paris ka njoftuar se nga data 20 dhjetor deri më 6 janar, nuk do të ofrohen shërbime konsullore, përveç në raste urgjente (vetëm rastet e vdekjes).

    Në njoftim thuhet se kjo ndërprerje e përkohshme e shërbimeve bëhet për shkak të mbylljes së vitit fiskal për vitin 2025, gjatë së cilës nuk do të jetë e mundur kryerja e pagesave për shërbime konsullore, sipas udhëzimit të Departamentit të Financave në MPJD.

    Ambasada ka udhëzuar ata që kanë nevojë për shërbime konsullore, ta kontaktojnë para 19 dhjetorit.

    “Ju njoftojmë se, nga data 20 dhjetor 2025 deri më 06 janar 2026, shërbimi Konsullor në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Paris nuk do të ofrojë shërbime konsullore, përveç në raste urgjente (vetëm rastet e vdekjes). Kjo ndërprerje e përkohshme e shërbimeve bëhet për shkak të mbylljes së vitit fiskal për vitin 2025, gjatë së cilës nuk do të jetë e mundur kryerja e pagesave për shërbime konsullore, sipas udhëzimit të Departamentit të Financave në MPJD. Ju lutemi që, nëse keni nevojë për shërbime konsullore, të na kontaktoni para datës 19 dhjetor 2025. Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe ju urojmë Festat e fundvitit!”, thuhet në njoftim.

  • Kërkojnë rritje të pagave, punëtorët e KEK-ut në protestë

    Kërkojnë rritje të pagave, punëtorët e KEK-ut në protestë

    Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) do të protestojnë më 12 dhjetor, me fillim nga ora 11:00, para ndërtesës qendrore të kompanisë në Prishtinë.

    Lajmi është bërë i ditur nga Sindikata e Re e KEK-ut përmes një njoftimi të publikuar në “Facebook”.

    Sipas sindikatës, protesta do të jetë paqësore dhe ka për qëllim adresimin e disa kërkesave urgjente, të cilat, siç është thënë janë të domosdoshme për përmirësimin e kushteve të punës dhe dinjitetin e punëtorëve.

  • Rënia alarmante e lirisë së medias, Kosova e 99-ta

    Rënia alarmante e lirisë së medias, Kosova e 99-ta

    Në renditjen e “Reporterëve pa Kufij”, vendet si: Norvegjia, Estonia, Holanda, Suedia, Finlanda dhe Danimarka, po kryesojnë listën e lirisë së shtypt, duke iu ofruar gazetarëve mbrojtje të fortë ligjore si dhe një mjedis të përshtatshëm mediatik.

    Por, e njëjta situatë nuk është në krejt Evropën, sidomos në atë Jugore dhe Lindore ku ka performancë ndjeshëm më të dobët.

    Në këtë pjesë më e prekur mbetet Greqia, e cila për të katërtin vit me radhë shihet si vend që e ka të rrënuar ambientin gazetaresk, nga ndërhyrjet politike dhe “ngacmimi ligjor i gazetarëve”.

    Edhe Ballkani Perëndimor mbetet gjithashtu një pjesë e prekshme nga këto ndërhyrje, sidomos vendet si: Bosnja, Serbia dhe Kosova që renditen goxha dobët.

    Kosova në renditje zë vendin e 99, më keq janë vendet si: Gjeorgjia, Turqia, Bjellorusia dhe Rusia, që janë krejt në fund të renditjes.

    Kurse, në nivelin global, perspektiva është edhe më alarmante.

    Për herë të parë që nga fillimi i indeksit në vitin 2002, rezultati mesatar global i lirisë së shtypit ra nën 55, me mbi gjysmën e vendeve të klasifikuara si me kushte “të vështira” ose “shumë serioze” për gazetarinë.

    Përqendrimi i medias, presioni politik dhe paqëndrueshmëria ekonomike janë faktorë kryesorë që kontribuojnë.

    Pavarësisht epërsisë së përgjithshme të Evropës, përçarja e brendshme në rritje dhe prapambetja globale ngrenë pyetje urgjente në lidhje me të ardhmen e gazetarisë së lirë.

    A mund të mbetet liria e shtypit një gur themeli i demokracisë nëse kaq shumë rajone – përfshirë pjesë të Evropës, po përpiqen ta mbrojnë atë?

    Qiproja Veriore është renditur veçmas nga Qiproja në pozicionin 91.

  • Shkarkohen drejtorët komunalë në veri, Lista Serbe publikon foto pa simbolet e Kosovës

    Shkarkohen drejtorët komunalë në veri, Lista Serbe publikon foto pa simbolet e Kosovës

    Lista Serbe ka bërë të ditur se kryetarët e katër komunave veriore kanë shkarkuar drejtorët komunal që ishin në mandatin e kaluar.

    “Kryetarët e Mitrovicës Veriore, Milan Radojeviq, Zveçan Dragisha Milovoć, Zubin Potok Millosh Perovic dhe Leposavić Zoran Todić, kanë marrë postin në këto komuna dhe kanë marrë vendim për shkarkimin e të gjithë drejtorëve të emëruar politikisht të drejtorive komunale”, thuhet në një komunikatë të Listës Serbe në Instagram.

    Në fotografitë që ka publikuar Lista Serbe në zyrat e kryetarëve nuk vërehen simbolet e shtetit të Kosovës, ndonëse betimin e dhanë para tyre.

    Kryetarët e rinj thonë se zyrat i kanë gjetur në mënyrë jo të mirë.

  • Pse disa njerëz janë më rezistentë ndaj të ftohtit?

    Pse disa njerëz janë më rezistentë ndaj të ftohtit?

    Disa njerëz janë shumë më rezistentë ndaj të ftohtit se të tjerët, edhe kur temperatura bie ndjeshëm.

    Një studim nga Instituti Karolinska ka gjetur arsyen dhe pohon se ky ndryshim nuk është i rastësishëm, por lidhet me gjene specifike. Studimi tregon se një mutacion i zakonshëm gjenetik në gjenin ACTN3, i cili rregullon funksionin e muskujve skeletorë, i bën disa njerëz shumë më rezistentë ndaj të ftohtit.

    Rreth një në pesë persona u mungon proteina α-aktinina-3, për shkak të një ndryshimi të thjeshtë gjenetik në ACTN3. Mungesa e kësaj proteine ​​duket se është rritur ndërsa njerëzit modernë migruan nga Afrika në klimat më të ftohta të Evropës dhe Azisë.

    Shkencëtarët kanë zbuluar se njerëzit që u mungon α-aktinina-3 mund të mbajnë një temperaturë më të lartë të trupit dhe të ftohen më pak kur ekspozohen ndaj temperaturave të ftohta, krahasuar me ata me nivele normale të proteinës.

    Në eksperiment morën pjesë 42 burra të moshës 18-40 vjeç nga Kaunas, Lituani. Vullnetarët u ekspozuan ndaj ujit të ftohtë në 14℃ për deri në 120 minuta, me pushime 10-minutëshe në temperaturë ambienti midis tyre. Pastaj ata u ndanë në dy grupe, varësisht nëse kishin apo jo proteinën α-aktinina-3.

    Rezultatet ishin mbresëlënëse:

    – Vetëm 30% e pjesëmarrësve që kishin proteinën arritën të përfundonin 120 minutat në të ftohtë.

    – Në të kundërt, 69% e atyre që nuk kishin α-aktininë-3 i mbijetuan të gjithë ekspozimit.

    Përveç kësaj, studiuesit vlerësuan se sa intensivisht dridheshin pjesëmarrësit. Ata që nuk kishin proteinë dridheshin dukshëm më pak, duke treguar se trupat e tyre gjenerojnë nxehtësi në mënyrë më efikase pa shpenzuar shumë energji.

    Ky zbulim është i rëndësishëm: të kuptuarit se si ky gjen ndikon në funksionin e muskujve mund të çojë në trajtime të reja për sëmundje serioze të muskujve siç është distrofia muskulore e Duchenne-it, por edhe për sëmundjet e zakonshme metabolike siç janë obeziteti dhe diabeti i tipit 2.

  • Konstituohet Këshilli Shtetëror për Licencimin e Mësimdhënësve

    Konstituohet Këshilli Shtetëror për Licencimin e Mësimdhënësve

    Ministrja në detyrë, Arbërie Nagavci, mori sot pjesë në mbledhjen e Këshillit Shtetëror për Licencimin e Mësimdhënësve, ku ky këshill u konstitua dhe zgjodhi udhëheqësinë e re: kryetaren Anita Kadriu dhe nënkryetaren Edi Gaxha Puka, të cilat do të drejtojnë punën e Këshillit në mandatin e ardhshëm.

    Ministrja falënderoi të gjithë anëtarët për angazhimin dhe përgjegjësitë që bartin, duke vlerësuar lart kontributin e tyre në proceset e licencimit, të cilat janë thelbësore për funksionimin dhe zhvillimin e sistemit të arsimit parauniversitar.

    Ajo theksoi se roli i Këshillit mbetet qendror në sigurimin e standardeve profesionale të mësimdhënësve dhe se deri tani ka vepruar në mënyrë të pavarur dhe profesionale, duke përballuar sfida ligjore dhe ndërinstitucionale.

    “Ka shumë punë përpara dhe jam tejet mirënjohëse për angazhimin e Këshillit deri më tani,” tha Ministrja Nagavci.

    Ajo shtoi se disa sfida burojnë nga legjislacioni aktual, çështjet ndërinstitucionale dhe kufizimet ligjore dhe financiare, por se MASHTI mbetet i përkushtuar për të mbështetur Këshillin, duke siguruar që proceset e licencimit të jenë efikase, transparente dhe në shërbim të rritjes së cilësisë në arsim.

    Anëtarët e Këshillit shprehën gatishmërinë për të vazhduar angazhimin në ngritjen e cilësisë së arsimit dhe bashkëpunimin e ngushtë me Ministrinë.

  • Turqia “shkundet” nga tërmetet, regjistrohen disa paslëkundje

    Turqia “shkundet” nga tërmetet, regjistrohen disa paslëkundje

    Një tërmet i fuqishëm goditi këtë të hënë Gjirin e Antalias. Autoritetet raportuan se magnituda ishte 4.9 ballë. Sipas të dhënave të fundit nga AFAD, një tërmet me magnitudë 4.9 ballë goditi Antalia në orën 13:21.

    Thellësia e tërmetit u raportua të ishte 28.25 kilometra. Një tërmet me magnitudë 4.3 ballë goditi lagjen Konyaaltı të Antalyas herët këtë mëngjes.

    Ky nuk ishte tërmeti vetëm pasi më parë ishte regjistuar një tërmet me magnitudë 4.3 ballë në orën 03:31 të mëngjesit me epiqendër në Konyaaltı.

    Tërmeti u përcaktua të ketë ndodhur në një thellësi prej 20.75 kilometrash. Pati edhe lëkundje pasuese me magnitudë 3.6. Deri tani nuk ka patur raportime për dëme ose të lënduar.