ATV

Author: K.B.

  • Gjendet pa shenja jete një person në një lokal në Prizren

    Gjendet pa shenja jete një person në një lokal në Prizren

    Një person është gjetur pa shenja jete ditën e djeshme në një lokal në Prizren.

    Sipas raportit 24-orësh, ekipi i urgjencës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka konstatuar vdekjen e viktimës.

    Ndërsa rasti është iniciuar si hetim i vdekjes.

    “Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thotë Policia.

  • Mbi 2000 gjoba trafiku të lëshuara për 24-orë në Kosovë

    Mbi 2000 gjoba trafiku të lëshuara për 24-orë në Kosovë

    Policia e Kosovës ka publikuar raportin ditor me të dhëna e përgjithshme për 24 orët e fundit.

    Sipas raportit janë lëshuar 2013 tiketa trafiku për të gjithë shkelësit e rregullave të trafikut në 24 orët e fundit.

    Gjithashtu Policia njoftoi se ka regjistruar 20 aksidente me të lënduar dhe 36 aksidente me dëme materiale.

    Në 24 orët e fundit, Policia njoftoi se kishte arrestuar 23 persona dhe kishte dërguar në mbajtje 12 të tjerë.

  • Tusk ‘shpërthen’ në X – Mesazhi për amerikanët bëhet viral me mbi 27 milionë shikime

    Tusk ‘shpërthen’ në X – Mesazhi për amerikanët bëhet viral me mbi 27 milionë shikime

    Kryeministri polak, Donald Tusk, “shpërtheu” në platformën X – dhe këtë herë në mënyrë serioze.

    Postimi i tij arriti mbi 27 milionë shikime brenda vetëm 24 orëve, një arritje e rrallë në një rrjet ku gara për vëmendje është brutale.

    Mesazhi i Tusk ishte i drejtpërdrejtë dhe i adresuar amerikanëve.

    “Të dashur miq amerikanë, Evropa është aleati juaj më i besueshëm, jo problemi juaj. Ne ndajmë të njëjtët armiq. Të paktën kështu ka qenë për 80 vitet e fundit. Duhet t’i përmbahemi kësaj – është strategjia e vetme e arsyeshme për sigurinë tonë të përbashkët”.

    Postimi u publikua menjëherë pasi Washingtoni prezantoi Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve, një dokument kyç që ka ndezur debat nëpër kryeqytetet evropiane.

    Strategjia e re vendos theksin në:

    forcimin e mbrojtjes së Evropës nga vetë evropianët,

    idenë se NATO nuk mund të zgjerohet pafundësisht,

    dhe prioritetin e SHBA-ve për të ruajtur marrëdhënie të qëndrueshme me Rusinë.

    Mesazhi i Tusk, i qartë dhe i ngarkuar me paralajmërim strategjik, u interpretua gjerësisht si një reagim ndaj ndryshimit të qasjes amerikane – dhe si një thirrje për t’u rikthyer tek parimet që kanë mbajtur të bashkuar Perëndimin për dekada.

  • Prebreza nis reformën në Fushë Kosovë, prezanton nënkryetarin dhe drejtuesit e parë të kabinetit

    Prebreza nis reformën në Fushë Kosovë, prezanton nënkryetarin dhe drejtuesit e parë të kabinetit

    Kryetari i ri i Fushë Kosovës, Valon Prebreza, ka nisur formimin e kabinetit të tij drejtues, duke emëruar një sërë zyrtarësh në pozita kyçe të administratës komunale.

    Në mesin e emërimeve të para, Prebreza ka prezantuar Shpend Bardiqin si Nënkryetar të Komunës. Bardiqi, i njohur si aktivist i hershëm dhe ish-kryetar i Qendrës së Fushë Kosovës, ka qenë edhe asamblist aktiv dhe një prej kontribuuesve kryesorë në fitoren e subjektit të tij në zgjedhje. Kryetari e uroi atë për detyrën e re, duke theksuar sfidat dhe proceset që presin komunën në ditët në vijim.

    Ndërkohë, Ylber Kelmendi ka njoftuar se është emëruar Drejtor për Rini, Kulturë dhe Sport. Ai e ka cilësuar këtë pozitë si privilegj dhe përgjegjësi, duke premtuar angazhim të plotë për zhvillimin e projekteve në mbështetje të të rinjve, kulturës dhe sportit në komunë.

    Pozita tjetër kyçe është ajo e Drejtorisë së Investimeve Kapitale, të cilën tashmë do ta udhëheqë Arianit Tërmkolli. Ai shprehu mirënjohjen për besimin e dhënë nga kryetari Prebreza, duke theksuar se do të punojë me profesionalizëm dhe transparencë në shërbim të qytetarëve.

    Në drejtim të rendit dhe zbatimit të ligjit, Durim Hajra është emëruar Drejtor i Inspeksionit. Hajra theksoi se kjo pozitë nuk është privilegj, por përgjegjësi e madhe ndaj qytetarëve dhe institucioneve. Ai u zotua për zero tolerancë ndaj shkeljeve, inspektim profesional dhe funksionim transparent të inspektoratit.

    Ndër emërimet e rëndësishme është edhe ai i Resul Makreshit, i cili është caktuar drejtor në një nga drejtoritë e komunës. Makreshi vlerësoi se ky hap paraqet një moment të rëndësishëm për përfaqësimin e komuniteteve, duke potencuar se për herë të parë shihet vullneti politik për t’u dhënë atyre hapësirën dhe rolin që e meritojnë në qeverisjen lokale.

    Me këto emërime, kryetari Valon Prebreza po konsolidon strukturën e re udhëheqëse të Fushë Kosovës, duke synuar një administratë më funksionale, përfaqësuese dhe të orientuar drejt zhvillimit.

  • Trafiku Urban kompenson ditët e humbura të grevës për qytetarët me bileta mujore

    Trafiku Urban kompenson ditët e humbura të grevës për qytetarët me bileta mujore

    Prej 9 ditësh, qytetarët në Prishtinë nuk kanë pasur mundësi t’i shfrytëzojnë autobusët e Trafikut Urban për shkak të grevës. Kjo ka prekur edhe udhëtarët që paraprakisht kanë paguar bileta mujore. Megjithatë, ndërmarrja ka njoftuar se qytetarëve do t`u kompensohen të gjitha ditët e humbura.

    Zyrtarë të Trafikut Urban kanë bërë të ditur se për të gjitha biletat mujore të paguara, do të kompensohen ditët kur shfrytëzuesit nuk kanë mundur ta përdorin shërbimin e transportit.

    Vlefshmëria e biletës mujore do të zgjatet automatikisht pas procesit të vulosjes. Sipas tyre, për të realizuar zgjatjen e vlefshmërisë së biletës, qytetarët thonë se duhet t’i ndjekin disa hapa.

    “Paraqituni në cilëndo nga kioskat e Trafikut Urban dhe paraqisni biletën tuaj mujore aktuale. Punëtori në kioskë do të vendosë vulën zyrtare të zgjatjes. Pas vulosjes, biletës do t’i shtohen automatikisht ditët e humbura. Vlen të theksohet se 50% të atyre të cilët kanë pasur bileta mujor tashmë u janë kompensu”, tha Qendrim Vitija, ud i kryeshefit të ‘Trafikut Urban’.

    Sipas tij, kompensimi i biletave mujore mund të bëhet një nga tri kioskat në kryeqytet.

    Të gjithë qytetarët që dëshirojnë të kompensojnë biletat e tyre, atë mund ta bëjnë në një nga kioskat: afër objektit të vjetër të Komunës së Prishtinës, në lagjen Kodra e Diellit dhe afër nënkalimit në Bulevardin ‘Bill Clinton’.

    Protesta e ndërmarrjes së Trafikut Urban është mbajtur nga data 24 nëntor deri më 2 dhjetor, me gjithsej 9 ditë të humbura që do të kompensohen.

  • Google do të lansojë syzet e para me inteligjencë artificiale në vitin 2026

    Google do të lansojë syzet e para me inteligjencë artificiale në vitin 2026

    Të hënën, Google tha se planifikon të lansojë syzet e saj të para të mundësuara nga inteligjenca artificiale në vitin 2026, ndërsa kompania teknologjike po shton përpjekjet e saj për të konkurruar kundër Meta në një treg të nxehtë të konsumatorëve për pajisjet e inteligjencës artificiale.

    Kompania në pronësi të Alphabet po bashkëpunon në dizajnin e pajisjeve me Samsung, Gentle Monster dhe Warby Parker, me të cilët Google ra dakord për një angazhim prej 150 milionë dollarësh në maj, transmeton Telegrafi.

    Google planifikon të lansojë syze vetëm audio që do t’u lejojnë përdoruesve të flasin me asistentin e inteligjencës artificiale Gemini, tha kompania në një blog.

    Google tha gjithashtu se do të ketë syze me një ekran të integruar që u tregon përdoruesve informacione të tilla si udhëzimet e navigimit dhe përkthimet gjuhësore.

    Kompania tha se syzet e para do të vijnë vitin tjetër, por nuk specifikoi se cilat stile do të përfshijnë.

    Në një deklaratë të hënën, Warby Parker tha se syzet e para të saj në partneritet me Google pritet të lançohen në vitin 2026.

    Syzet do të ndërtohen në bazë të Android XR, sistemit operativ të Google për kufjet e saj.

    Përditësimet e Google të hënën vijnë pasi kompania në maj njoftoi se do të rikthehej në lojën e syzeve inteligjente.

    Në atë kohë, bashkëthemeluesi Sergey Brin tha se kishte mësuar nga gabimet e kaluara të Google me syzet inteligjente të dështuara, duke përmendur inteligjencën artificiale më pak të përparuar dhe mungesën e njohurive të zinxhirit të furnizimit, të cilat çuan në çmime të larta.

    “Tani, në botën e inteligjencës artificiale, gjërat që këto syze mund të bëjnë për t’ju ndihmuar pa ju shpërqendruar vazhdimisht – kjo aftësi është shumë më e lartë”, tha Brin në maj.

    Hapësira e pajisjeve të veshura me inteligjencë artificiale ka fituar terren me Meta-n që kryeson grupin.

    Syzet Ray-Ban Meta të kompanisë së mediave sociale u pritën me një sukses të habitshëm.

    Syzet, të cilat u projektuan në partneritet me gjigantin e syzeve EssilorLuxottica, janë të mbushura me asistentin digjital Meta AI.

    Meta gjithashtu lançoi syzet e veta të ekranit në shtator, të cilat u lejojnë përdoruesve të shohin veçori si mesazhe, pamje paraprake të fotove dhe mbishkrime live përmes një ekrani të vogël që është i integruar në njërën nga lentet e pajisjes.

    Kompani të tjera si Snap dhe Alibaba gjithashtu kanë qenë duke prodhuar ofertat e tyre të syzeve me inteligjencë artificiale, ndërsa tregu i vogël por konkurrues vazhdon të rritet.

    Të hënën, Google zbuloi gjithashtu më shumë përditësime të softuerit për kufjet Galaxy XR, duke përfshirë mundësinë për t’i lidhur ato me PC me Windows dhe një modalitet udhëtimi që do të lejojë që pajisja të përdoret në aeroplanë dhe makina.

  • Rrëfehet ambasadori Hill: Pse vendosa të dëshmoj për Thaçin në Hagë

    Rrëfehet ambasadori Hill: Pse vendosa të dëshmoj për Thaçin në Hagë

    Ambasadori Christopher Hill, një nga figurat më të njohura të diplomacisë amerikane në Ballkan dhe negociator kyç i çështjes së Kosovës, gjatë një interviste në Euronews Albania, foli dhe për vendimin e tij për të dëshmuar në Hagë në procesin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi.

    Hill ndau refleksione personale dhe u shpreh mbi arsyet që e shtynë të merrte pjesë në këtë gjyq, duke theksuar rolin e përgjegjësisë morale dhe faktit që nuk kishte prova për përfshirjen e Thaçit në krime lufte.

    Ai tha se vendimi për të dëshmuar nuk ishte nën presion politik apo profesional, por një përgjegjësi morale ndërsa theksoi se gjatë qëndrimit të tij në Kosovë dhe vizitave në fshatra ku ndodhën krime lufte, nuk pa asnjë provë që Thaçi të kishte urdhëruar apo kryer krime.

    “Ai nuk më kërkoi për mbështetje, unë fola me disa njerëz sepse mendoja se ishte një përgjegjësi morale dhe vërtet mendoj se është një përgjegjësi morale. Isha aty, në vende të ndryshme në Kosovë, nuk qëndrova vetëm në Prishtinë, kam qenë në gjithë këto fshatra ku ka pasur krime lufte. Padyshim që ishin krime lufte, ka pasur krime ku autorë kanë qenë serbët kundrejt shqiptarëve, por më falni, ka pasur edhe krime të tjera. Unë ama në atë kohë nuk di asnjë lloj krimi për të cilin mund të thosha se u shkaktua nga z. Thaçi dhe ai tani ka diku tek 5 vite që është në burg, në paraburgim, dhe unë ndjeva se ishte përgjegjësi morale që të shkoja në Hagë, siç bëra, dhe kalova 3 ditë duke dëshmuar dhe ndonjëherë është e vështirë sepse prokurori ishte mjaft i ashpër për këtë çështje, por unë ndjeja se ishte diçka e padrejtë për ta mbajtur atë aty. Shqetësimi im ishte se aty gjatë luftës, unë pashë shumë gjëra gjatë luftës, por asnjëherë nuk pash Hashim Thaçin të vriste njerëz apo të jepte urdhra që të vriteshin njerëz, nuk pash diçka të tillë. Dhe kur mu kërkua që të dëshmoja, pranova”, tha ai.

    Ambasadori shprehu gjithashtu rëndësinë e sqarimit të rolit të UÇK-së, duke theksuar se nuk ishte një njësi plotësisht e komanduar nga Thaçi, por me aktorë të pavarur.

    “Mendoj se pjesë e kësaj ideje është se ajo që po përpiqeshin të thoshin prokurorët është se UÇK-ja ishte një njësi shumë e organizuar dhe se urdhri jepej nga kreu dhe ekzekutohej nga personi që ishte në fund. Kjo ishte një ekzagjerim i shkallës së organizimit vertikal të UÇK-së. Pra unë nuk mendoj se ka prova nga ajo kohë, ka pasur edhe aktorë të pavarur dhe e kam përmendur edhe tek libri im diçka të tillë. Ndonjëherë kur z. Thaçi binte dakord për diçka në Rambuje dhe më pas shkonte në shtëpi dhe kërkohej një leje, unë u habita që ishte përgjegjës, por ndjeja se ishte e rëndësishme për prokurorin dhe tre gjyqtarët në Hagë që të kuptonin këndvështrimin tim. Unë asnjëherë nuk e pranova idenë se kishte një UÇK që kishte një person në krye, Thaçin, që ishte duke dhënë këta urdhra. Jo, ajo që doja të thoja është që nuk pashë prova për diçka të tillë. Dhe duhet të jetë një gjykim që duhet të mbështetet mbi prova, pra ndjeva përgjegjësi morale që ta tregoja historinë siç e ndjeva unë. Unë nuk pretendoj t’i di të gjitha por kur më pyetën, unë ose do thoja “nuk e di” ose do thoja atë që unë dija.”

    Pyetje: Si mendoni se do përfundojë ky gjyq?

    Hill: “Uroj ta dija, uroj që të kisha një makineri që të më tregonte të ardhmen, dhe uroj që të kisha një makineri të kohës ku do shkoja pas në të kaluarën…”

  • Hondurasi lëshon urdhër-arrest ndërkombëtar për ish-presidentin Hernandez pas amnistisë amerikane

    Hondurasi lëshon urdhër-arrest ndërkombëtar për ish-presidentin Hernandez pas amnistisë amerikane

    Prokurori i Përgjithshëm i Hondurasit, Johel Antonio Zelaya, ka urdhëruar arrestin ndërkombëtar të ish-presidentit Juan Orlando Hernandez, vetëm disa ditë pas lirimit të tij nga burgu në Shtetet e Bashkuara.

    Hernandez u lirua nga një dënim 45- vjeçar në SHBA pasi Presidenti Donald Trump i dha amnisti të plotë. Zëdhënësja e tij tha se ish-presidenti nuk do të kthehet menjëherë në Honduras për arsye sigurie dhe aktualisht ndodhet në një vend të sigurt në SHBA.

    Ish-presidenti Hernandez ishte ekstraduar në SHBA në vitin 2022, ku prokurorët e New York-ut e akuzuan për krime që lidhen me drogën dhe armët, duke e përshkruar Hondurasin gjatë presidencës së tij si një “narco-shtet”.

    Ai u shpall fajtor dhe u dënua me 45 vjet burg, si pjesë e një prej konspiracioneve më të mëdha të trafikut të drogës në botë.

    Në të njëjtën kohë, Hernandez ka qenë objekt hetimesh edhe në Honduras për dyshimet e përvetësimit të fondeve publike.

    Në vitin 2023, ai dhe disa zyrtarë të tjerë u akuzuan për përfshirje në keqpërdorimin e mbi 12 milionë dollarëve të fondeve shtetërore për fushatën politike.

  • Përparim Rama betohet sot si i pari i Prishtinës

    Përparim Rama betohet sot si i pari i Prishtinës

    Përparim Rama sot do ta bëjë betimin si kryetar i Prishtinës, duke shënuar nisjen zyrtare të mandatit të tij të ri.

    Seanca inauguruese e Kuvendit Komunal të Prishtinës do të mbahet të martën, nga ora 10:00, ku krahas Ramës do të betohen edhe anëtarët e tjerë të Kuvendit Komunal.

    Rama fitoi zgjedhjet lokale në kryeqytet duke mposhtur kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çekun.

  • ZRRE i përgjigjet OEK-ut: Kthimi i bizneseve në tarifa të rregulluara dëmton konsumatorët familjarë

    ZRRE i përgjigjet OEK-ut: Kthimi i bizneseve në tarifa të rregulluara dëmton konsumatorët familjarë

    Oda Ekonomike e Kosovës ka deponuar kallëzim penal ndaj kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për moszbatim të vendimit të Gjykatës Supreme lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë.

    Sipas OEK-ut, kryesuesi Ymer Fejzullahu dhe anëtarët e tjerë të Bordit të ZRRE-së nuk kanë zbatuar vendimin e Gjykatës, duke keqpërdorur pozitën zyrtare, shkeljen e detyrave zyrtare, mashtrim në detyrë dhe cenim të interesit ekonomik publik.

    “Ky veprim pason kërkesën e OEK-ut drejtuar Bordit të ZRRE-së për reflektim dhe fillimin e zbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Supreme, me qëllim kthimin e bizneseve të nxjerra me dhunë në tregun e lirë me çmimet e rregulluara. Megjithatë, Bordi i ZRRE-së ka vendosur të injorojë dhe keqinterpretojë këtë aktgjykim, duke dëmtuar bizneset dhe qytetarët e Kosovës, me fatura energjetike më të lartat në historinë e Republikës”, thuhet në njoftim.

    Dorëzimi i kallëzimit, sipas OEK-ut, mbështetet në aktgjykimin e formës së prerë të Gjykatës Supreme, dokumentet dhe komunikatat zyrtare të ZRRE-së, si dhe materialet që dëshmojnë dëmin ekonomik të shkaktuar. Sipas OEK-ut, bizneset po paguajnë 200 për qind më shtrenjtë për energjinë në tregun e lirë.

    Por, në përgjigjen e ZRRE-së për OEK-un që e ka siguruar KOHA thuhet se Gjykata në aktgjykimin e saj nuk ka urdhëruar pezullimin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.

    “Gjykata në aktgjykimin e saj nuk ka urdhëruar pezullimin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike nuk ka konstatuar të drejtë të re për furnizim universal dhe nuk ka urdhëruar rikthimin e konsumatorëve në shërbimin universal. Po ashtu Gjykata ka hedhur poshtë kërkesën për shfuqizimin e njoftimit publik të 12.3.2025, duke vërejtur se ky njoftim nuk ka qenë akt normativ që krijon të drejta të reja apo detyrime të reja për konsumatorët”, thuhet në letër-përgjigjen e ZRRE-së.

    Sipas ZRRE-së, kthimi i këtyre konsumatorëve në tarifa të rregulluara do të dëmtonte rreth 750 mijë konsumatorët familjarë me rritjen e tarifave të energjisë.

    “ZRRE sqaron se kontratat e furnizimit të lidhura në treg të hapur ndërmjet Furnizueseve dhe konsumatorëve jofamiljarë janë marrëdhënie të rregullta civile-tregtare të lidhura në bazë të Ligjit për Energjinë Elektrike dhe të dispozitave të Ligjit për Marrëdhëniet e detyrimeve. Aktgjykimi i Gjykatës Supreme nuk ka konstatuar asnjë parregullsi, mospërputhje apo element të pavlefshëm në këto kontrata dhe nuk ka dhënë asnjë urdhër që cenon vlefshmërinë ose ekzekutimin e tyre. Për pasojë, kontratat mbeten plotësisht të vlefshme dhe prodhojnë të gjitha efektet e tyre juridike”, thuhet në letrën e ZRRE-së.

    Sipas ZRRE-së, prishja eventuale e njëanshme e kontratave nga ana e konsumatorëve jofamiljar nuk krijon dhe nuk mund të krijojë të drejtë për rikthim në shërbimin universal, pasi një efekt i tillë do të ishte në kundërshtim të hapur me ligjin dhe me interpretimin e dhënë nga Gjykata Supreme.

    “ZRRE vlerëson se pretendimet për pezullim të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, anulim kontratash, rikthim kolektiv në shërbimin universal dhe rishikim retroaktiv të faturimit nuk gjen mbështetje në Ligji për Energjinë Elektrike, Direktivën 2009/72/EC apo në aktgjykimin e Gjykatës Supreme”.

    Gjykata Supreme ka shfuqizuar nene të udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë, që kanë të bëjnë me kriteret e daljes në treg të hapur. Por, në ZRRE kanë thënë se vendimi i saj për tarifa me pakicë për vitin 2025 nuk është i bazuar në dispozitat e shfuqizuara të udhëzuesit.

    Rregullatori në mars të këtij viti ka njoftuar për daljen e detyrueshme në treg të lirë të energjisë të rreth 1.300 bizneseve, duke detyruar që të zgjedhin vetë furnizuesin. Vendimi ka prekur bizneset me mbi 10 milionë euro qarkullim ose me mbi 50 punëtorë.