ATV

Author: K.B.

  • Betohet Bali Muharremaj, premton qeverisje me besnikëri e ndershmëri

    Betohet Bali Muharremaj, premton qeverisje me besnikëri e ndershmëri

    Gjatë ditës së sotme është betuar kryetari i rizgjedhur i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj.

    Në fjalën e tij para të pranishmëve. Muharremaj premtoi se do ti shërbejë të gjithë qytetarëve me besnikri e ndershmëri.

    Më tutje në fjalimin e tij Muharremaj u shpreh se Komuna e Suharekës ka potencial të jashtëzakonshëm, me njerëz punëtor, rini të talentuar dhe gra e burra që ndërtojnë të ardhmen e këtij qyteti.

  • Arrestohen anëtarët e një bande vrasësish me pagesë në Greqi, mes tyre 4 shqiptarë

    Arrestohen anëtarët e një bande vrasësish me pagesë në Greqi, mes tyre 4 shqiptarë

    Anëtarët e një organizate kriminale vrasësish me pagesë janë vënë në pranga nga autoritetet greke. Policia greke ka dyshime se të arrestuarit janë përfshirë në tentativën e vrasjes së një personi shtatorin e vitit të kaluar.

    Sipas informacioneve, anëtarët e bandës u prangosën mëngjesin e së martës. Të arrestuarit janë dy grekë dhe katër shqiptarë. Njëri prej shqiptarëve, i cili njihet me nofkën “Demos”, ishte akuzuar edhe në të kaluarën për vrasje dhe atentate.

    Hetimi i policisë gjeti katër kallashnikovë dhe tre pistoleta. U gjetën gjithashtu sasi kokaine dhe parash. Ende nuk janë bërë të ditura detaje të mëtejshme dhe identiteti i të arrestuarve pasi vijonë ende hetimet.

  • Njihuni me ushqimet që luftojnë presionin e lartë të gjakut!

    Njihuni me ushqimet që luftojnë presionin e lartë të gjakut!

    Sipas të dhënave nga ‘Shoqata Amerikane e Zemrës’, gati gjysma e njerëzve në SHBA kanë presion të lartë të gjakut dhe numri i vdekjeve është rritur me pothuajse 38%. Në shumë raste, presioni i lartë i gjakut mund të kontrollohet vetëm nga ndryshimet që bëni në dietën tuaj.

    Dieta “DASH” (qasje dietike për të ndaluar hipertensionin) e cila shmang kripën, alkoolin dhe kafeinën, thekson rëndësinë e konsumimit të perimeve, frutave, bulmetit me pak yndyrë, bishtajoret, arrat, farat dhe drithërat. Konsumimi i tyre është treguar se ul presionin e gjakut në vetëm dy javë. Shtoni në dietën tuaj këto ushqime dhe mbroni veten nga ataku në zemër dhe goditjet në tru.

    1 – Panxhari i kuq
    Panxhari i kuq ka shumë vlera për shëndetin tuaj, duke qenë se është i pasur me vitamina, minerale dhe përbërës organikë si: karotenoidi, vitamina C, magnezi, hekuri, bakri dhe fosfori dhe në të njëtën kohë është një burim i shkëlqyer me antioksidues. Panxhari është i lartë në polifenole dhe oksid nitrik, një përbërës që redukton inflamacionin dhe nxit zgjerimin e arterieve për të ulur presionin e gjakut. Në një studim, njerëzit që pinin lëng panxhari të përzierë me lëng molle treguan një ulje të presionit sistolik të gjakut, vetëm gjashtë orë më vonë. Perimet, veçanërisht perimet me gjethe jeshile dhe hudhrat, rrisin oksidin nitrik në trup, ulin presionin e gjakut dhe mbrojnë nga hipertensioni.

    2-Shegët
    Shegët janë të pasura me polifenole, antioksidantë që kanë efekte pozitive në presionin e gjakut dhe sëmundjet kardiovaskulare. Në një studim, njerëzit që pinin çdo ditë një filxhan (ose më shumë) lëng shege, treguan një ulje të presionit sistolik (presioni maksimal që ushtron zemra gjatë rrahjeve) dhe diastolik (sasia e presionit në arteriet tuaja midis rrahjeve).

    3-Stikat
    Stikat janë të pasur me yndyrna të shëndetshme, magnez, kalium dhe përbërës të tjerë që ulin presionin e gjakut. Në një studim, njerëzit me kolesterol të lartë që konsumonin disa stika në ditë, kishin presion më të ulët të gjakut. Studime të tjera kanë treguar se arrat mund të kenë gjithashtu një efekt pozitiv në presionin dhe funksionin e enëve të gjakut.

    4-Kosi
    Kosi dhe produktet e tjera të qumështit me pak yndyrë, mund të mbrojnë kundër presionit të lartë të gjakut. Një studim zbuloi një lidhje midis kosit, qumështit dhe uljes së rrezikut të hipertensionit. Në një studim tjetër, gratë që konsumonin pesë ose më shumë racione kos në javë treguan një reduktim 20% të rrezikut për zhvillimin e presionit të lartë të gjakut. Studiuesit besojnë se kalciumi, magnezi, fosfori dhe lëndë të tjera ushqyese të qumështit luajnë një rol të rëndësishëm. Përveç kësaj, produktet e qumështit përmbajnë peptide, të cilat kanë veti bioaktive që ndikojnë në presionin e gjakut.

    5- Farat e lirit
    Farat e lirit janë të pasura me yndyrna Omega-3 dhe fibra, të cilat ndihmojnë në mbrojtjen kundër presionit të lartë të gjakut. Në një studim, njerëzit me hipertension që konsumuan farat e lirit për gjashtë muaj, treguan një ulje të presionit sistolik dhe diastolik të gjakut. Fara e lirit ka një efekt më të fuqishëm se vaji i lirit. Farat e tjera, si: farat e kungullit dhe lulediellit, kanë gjithashtu përmbajtje të lartë kaliumi dhe magnezi të cilat mund të kenë efekte të ngjashme në presionin e gjakut dhe shëndetin e përgjithshëm kardiovaskular.

  • Çfarë i ndodh trupit tuaj kur hani hudhër çdo ditë?

    Çfarë i ndodh trupit tuaj kur hani hudhër çdo ditë?

    Disa njerëz preferojnë ta përdorin të freskët, duke e grirë drejtpërdrejt në gatime. Sido që ta përdorni, hudhra shton shije dhe thellësi në çdo pjatë. Teknikisht, hudhra është një perime dhe jo një bimë mjekësore dhe përdoret prej shekujsh jo vetëm për shijen, por edhe për vlera mjekësore.

    Disa njerëz madje marrin hudhrën si suplement në kapsula. Hudhra është e pasur me antioksidantë dhe përbërës anti-inflamatorë që ndihmojnë në uljen e stresit oksidativ. Kjo mund të ulë rrezikun e sëmundjeve kronike, përfshirë disa lloje kanceri.

    Hudhra mund të ndihmojë në parandalimin e rënies kognitive dhe sëmundjeve si Alzheimer. Përbërësit e saj mbrojnë qelizat nga dëmtimi dhe inflamacioni i trurit. Antioksidantët e hudhrës ndihmojnë trupin të përballet më mirë me sëmundjet duke stimuluar disa lloje qelizash të imunitetit.

    Hudhra ndihmon në ruajtjen e densitetit mineral të kockave, përmirëson shërimin e tyre dhe mund të ndihmojë në parandalimin e osteoporozës, sidomos tek gratë.

  • Lituania shpall gjendjen e jashtëzakonshme, shkak balonat kontrabandiste

    Lituania shpall gjendjen e jashtëzakonshme, shkak balonat kontrabandiste

    Lituania shpalli të martën gjendje të jashtëzakonshme për shkak të kërcënimeve ndaj sigurisë publike nga balonat e kontrabanduara me origjinë nga Bjellorusia, tha qeveria.

    Lituania akuzon Bjellorusinë se i lejon kontrabandistët të përdorin balona meteorologjike për të transportuar cigare kontrabandë përtej kufirit, duke e detyruar vazhdimisht aeroportin e Vilniusit të ndërpresë fluturimet, duke ndërprerë trafikun ajror.

    Kohëzgjatja e masave të emergjencës nuk ishte menjëherë e qartë.

    Bjellorusia, e cila lejoi që territori i saj të përdoret për pushtimin rus të Ukrainës në vitin 2022, ka mohuar përgjegjësinë për balonat dhe ka akuzuar Lituaninë për provokime, duke përfshirë edhe dërgimin e dyshuar të një droni për të hedhur “materiale ekstremiste”.

    Lituania, një anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, e cila dikur ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik, i ka hedhur poshtë këto akuza si të rreme.

  • Fehmi Kupina rizgjidhet Kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës

    Fehmi Kupina rizgjidhet Kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës

    Fehmi Kupina është rizgjedhur sot Kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës. Ai mbante të njëjtin post edhe gjatë mandatit të kaluar.

    Kupina, i cili më parë ishte pjesë e LDK-së, kishte dhënë dorëheqje për të themeluar partinë e re “Lidhja për Prishtinën”.

    Kjo parti arriti të sigurojë katër vende në Kuvendin Komunal, ndërsa Kupina u nominua për të vazhduar drejtimin e Kuvendit.

    Në votimin e sotëm, Kupina mori 31 vota pro, katër kundër dhe dy abstenime, duke konfirmuar kështu rizgjedhjen e tij në këtë post.

    Ai falënderoi anëtarët për besimin e dhënë dhe premtoi angazhim të plotë për funksionim të drejtë dhe efikas të Kuvendit.

    “Është nder i madh të marr këtë detyrë, të cilën e marr me përgjegjësi. Garantoj për funksionim të drejtë, efikas dhe të hapur për të gjithë”, tha Kupina pas rizgjedhjes.

  • Vrasja e Martin Canit, gjykata shpall sot vendimin

    Vrasja e Martin Canit, gjykata shpall sot vendimin

    Gjykata e Tiranës do të shpallë sot vendimi sa i takon vrasjes së Martin Canit, ku autori i dyshuar është i mituri M.P. Prokuroria ka kërkuar 25 vite burg për të, por sipas Kodit Penal për të mitur, ai nuk mund të dënohet më shumë se 12 vite.

    Mbrojtja e autorit 14-vjeçar kërkoi më 4 dhjetor në gjykatë rikualifikim të akuzës.

    Avokatët i thanë treshes së gjyqtarëve se ngjarja ka ndodhur për shkak të një tronditjeje dhe kërkuan që, nga vrasja në rrethana cilësuese, të gjykohet për vrasje në kushte të tronditjes së fortë psikologjike.

    Martin Cani u vra me thikë më 18 nëntor 2024.

  • Tre të lënduar pas aksidentit të rëndë në Gllarevë të Klinës

    Tre të lënduar pas aksidentit të rëndë në Gllarevë të Klinës

    Tre persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti të rëndë që ka ndodhur sot në fshatin Gllarevë të Klinës.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

    Gashi deklaroi se në aksident ishin të përfshirë katër vetura.

    “Aksidenti ka ndodhur sot rreth orës 09:06 në fshatin Gllarevë të Klinës, ku tre persona kanë pësuar lëndime. Katër vetura ishin të përfshira. Fillimisht janë dërguar në Qendren e Mjekësisë Familjare, e më pas me udhëzim të mjekut janë dërguar për trajtim në emergjencën spitalit rajonal të Pejës. Sipas informacioneve të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë”, deklaroi ai.

  • BDI kërkon tërheqjen e librit të Gjeografisë: Kosova nuk është “Metohi”, Qeveria po deformon historinë e Kosovës në librat shkollorë

    BDI kërkon tërheqjen e librit të Gjeografisë: Kosova nuk është “Metohi”, Qeveria po deformon historinë e Kosovës në librat shkollorë

    Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar në lidhje me tekstet që gjenden në librin e Gjeografisë për klasën e tetë, në të cilin kishte informacione të pasakta. Nga BDI thonë se ky libër është futur në përdorim gjatë vitit shkollor 2025 dhe përmban formulime që shtrembërojnë realitetin historik dhe politik të Kosovës.

    “BDI shpreh shqetësim të thellë për qasjen tendencioze dhe pasaktësitë e rënda që gjenden në librin e Gjeografisë për klasën e VII-të, botuar nga shtëpia botuese “Trimaks”, Shkup, dhe miratuar nga Komisioni Kombëtar për tekste shkollore më 5 gusht 2025. Ky libër është futur në përdorim gjatë vitit shkollor 2025 dhe përmban formulime që shtrembërojnë realitetin historik dhe politik të Kosovës. Paraqitja e Kosovës si “gjendet në jugperëndim të Serbisë” i jep Serbisë rolin e pikë-referencës dhe anashkalon njohjen e Kosovës si shtet i pavarur nga Maqedonia e Veriut. Përdorimi i termit “Metohi” për Rrafshin e Dukagjinit përbën një devijim të rëndë identitar dhe shkencor, duke u bërë mjet i narrativave historike serbe. Po ashtu, formulimi “Mitrovica e Kosovës” reflekton terminologjinë tendencioze serbe si “Kosovska Mitrovica” dhe nuk mund të jetë pjesë e një teksti shkollor të miratuar institucionalisht”.

    “BDI kërkon urgjentisht të tërhiqet libri nga përdorimi, të rishikohet dhe të korrigjohet përmbajtja sipas standardeve shkencore dhe të politikës shtetërore, të përcaktohet përgjegjësia institucionale dhe politike për këtë libër të botuar në 2025 dhe të garantohet neutraliteti akademik në të gjitha tekstet e ardhshme shkollore”, thonë nga BDI.

    Në fund thonë se do të ndjekin këtë çështje deri në korrigjimin e plotë dhe sqarimin institucional, në mënyrë që gjeneratat e reja të mos ekspozohen ndaj interpretimeve të gabuara për historinë dhe realitetin politik të Kosovës.

  • Osmani kërkon heqjen e masave të BE-së në takimin me Terras: Të padrejta dhe të pashpjegueshme

    Osmani kërkon heqjen e masave të BE-së në takimin me Terras: Të padrejta dhe të pashpjegueshme

    Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras.

    Në njoftim bëhet e ditur se gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, m ç`rast Osmani theksoi se zgjedhjet lokale u zhvilluan në mënyrë plotësisht të lirë, të qetë dhe demokratike dhe se transferimi i pushtetit u bë në mënyrë paqësore.

    Ndër të tjera bëhet e ditur se Osmani theksoi se, pavarësisht bashkëpunimit konstruktiv, vazhdimi i masave të BE-së ndaj Kosovës mbetet i pashpjegueshëm, i padrejtë dhe i paarsyeshëm.

    Në këtë kontekst, e para e shtetit kërkoi mbështetjen e Terras për heqjen sa më të shpejtë të këtyre masave, duke rikujtuar se ato dëmtojnë qytetarët dhe minojnë besimin në procesin e integrimit, teksa Kosova ka përmbushur çdo kërkesë të paraqitur nga partnerët evropianë.

    Sipas presidentes, heqja e masave do të ishte një sinjal i fuqishëm për qytetarët dhe një mesazh inkurajues për vazhdimin e reformave.

    Më tej, presidentja Osmani shtroi nevojën që kërkesa e Kosovës për anëtarësim në BE të procedohet sa më parë dhe që anëtarësimi të bëhet në bazë të meritave.

    Krejt në fund, presidentja prezantoi një sërë të dhënash të institucioneve ndërkombëtare që e pozicionojnë Kosovën në majat e performancës në shumë fusha kyçe.