ATV

Author: K.B.

  • Trump lanson “vizën 1 milion dollarëshe ‘Gold Card’”

    Trump lanson “vizën 1 milion dollarëshe ‘Gold Card’”

    Donald Trump nisi një program të ri që do t’u lejojë individëve të pasur të huaj të blejnë një “vizë të artë” amerikane për 1 milion dollarë dhe pasoi me një version “platini” për 5 milionë dollarë.

    “Një rrugë e drejtpërdrejtë drejt Shtetësisë për të gjithë njerëzit e kualifikuar dhe të verifikuar. KAQ EMOCIONUESE! Kompanitë tona të Mëdha Amerikane më në fund mund ta mbajnë talentin e tyre të paçmuar”, shkroi Trump të mërkurën në mediat sociale, përcjell Telegrafi.

    Një faqe zyrtare interneti e qeverisë premton rezidencë në SHBA “në kohë rekord” me “Kartën e Artë Trump” të re – pasi aplikantët të kenë paguar një tarifë përpunimi prej 15,000 dollarësh në Departamentin e Sigurisë Kombëtare (DHS), të kenë kaluar një kontroll të së kaluarës dhe të kenë paguar 1 milion dollarë.

    Sipas një urdhri ekzekutiv të shtatorit, individët duhet të paguajnë 1 milion dollarë, ndërsa bizneset që sponsorizojnë punonjësit duhet të paguajnë 2 milionë dollarë.

    Firmat më pas duhet të paguajnë një tarifë vjetore mirëmbajtjeje prej 1% prej 20,000 dollarësh dhe një tarifë transferimi prej 5% prej 100,000 dollarësh çdo herë që duan të ndërrojnë vizën nga një punonjës te një tjetër.

    Programi vjen në një kohë kur administrata Trump i kushton burime të konsiderueshme deportimit të miliona emigrantëve pa dokumente.

    Programi i kartës së artë është përballur tashmë me kritika të ashpra duke qenë se duket se bie ndesh me reputacionin tradicional të SHBA-së si një strehë për të varfrit punëtorë.

    Një “Kartë Platini Trump” gjithashtu “do të vijë së shpejti”, sipas faqes zyrtare të internetit.

    Kjo kartë do t’u lejojë mbajtësve të saj të kalojnë deri në 270 ditë në SHBA pa iu nënshtruar taksave amerikane mbi të ardhurat jo-amerikane. Ajo do të kushtojë 5 milionë dollarë.

    Sipas Trump, të ardhurat nga programi i ri do të shkojnë në “një llogari ku mund të bëjmë gjëra pozitive për vendin” dhe se do të gjenerojë “miliarda dollarë”.

    Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv në shtator duke njoftuar lansimin zyrtar të kartës së artë.

    Kur programi u raportua për herë të parë në shkurt, çmimi për një “vizë” ishte 5 milionë dollarë.

    Çmimi i zbritur mund t’i japë kartës një avantazh konkurrues krahasuar me programe të ngjashme “paguaj për të kaluar vijën” në vende të tjera.

    Për shembull, programi i ri i vizave të arta të Zelandës së Re kushton gati 3 milionë dollarë, por arriti të tërheqë interes të fortë nga amerikanët e pasur pas rizgjedhjes së Trump.

  • Kush janë dy kosovarët e arrestuar në ShBA nga Administrata Trump

    Kush janë dy kosovarët e arrestuar në ShBA nga Administrata Trump

    Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare (DHS) në ShBA ka publikuar një listë të gjerë me emrat e kriminelëve të huaj më të rrezikshëm, të arrestuar nga Shërbimi i Imigracionit dhe Doganave të ShBA-së (ICE).

    “Nën drejtimin e nënsekretares Noem, burrat dhe gratë punëtore të DHS dhe ICE po përmbushin premtimin e Presidentit Trump dhe po zbatojnë deportime masiv, duke filluar me më të këqijtë e më të këqijve, përfshirë emigrantët e paligjshëm që shihni këtu”, thuhet në njoftimin e publikuar në ueb-faqen e DHS.

    Por, kush janë dy shtetasit e Kosovës të arrestuar këtë vit nga Administrata Trump?

    I pari është Besart Hoxha, i cili rezulton si i dënuar për: Ligjin për Organizatat e Përfshira në Reket dhe Korrupsion (RICO). Siç theksohej në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Besart Hoxha njihej në internet me nofkën “Pizza”. Në akuzë thuhej se grupi ku bënte pjesë Hoxha, punonte nën moton “In Fraud We Trust” (Në mashtrim besojmë – një lojë fjalësh me mbishkrimin në bankënotat e dollarit amerikan “In God We trust”) dhe ishte krijuar në vitin 2010 nga Svyatoslav Bondarenko, një 34 vjeçar nga Ukraina. Autoritetet amerikane thanë se pjesa më e madhe e anëtarëve të grupit nuk ishin takuar kurrë mes tyre ndërsa e njihnin njëri-tjetrin me nofkat në internet.

    I arrestuari i dytë është Nikollë Lleshaj, i cili është kapur në Mooresville të Karolinës Veriore dhe është dënuar për veprën penale “Sulm”. Për Lleshajn nuk ka ndonjë të dhënë se për çfarë rasti bëhet fjalë.

    Ndërkaq, në listën e më të rrezikshmëve rezultojnë edhe katër shqiptarë.

    Vasil Vukaj, i dënuar për vrasje, i arrestuar në Kaliforni.

    Florjan Delija, i dënuar për sulm, i arrestuar në Nju Jork.

    Adush Muçaj, i dënuar për sulm, i arrestuar në Utah.

    Marian Makai, i dënuar për vjedhje, sjellje të parregullt, kërcënime terroriste, i arrestuar në Kaliforni.

  • Moti sot: Në mëngjes me mjegull, priten edhe rreze dielli

    Moti sot: Në mëngjes me mjegull, priten edhe rreze dielli

    Sot parashikohet të mbajë mot me diell. Në orët e mëngjesit pritet të ketë mjegull nëpër ultësira dhe lugina.

    Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme dhe e lehtë, me shpejtësi prej 2-15 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej -2 deri në 4°C, ndërsa ato maksimale prej 9 deri në 14°C.

  • Presidenca kërkesë ShBA-së për rikthimin e dialogut strategjik

    Presidenca kërkesë ShBA-së për rikthimin e dialogut strategjik

    Presidenca e Kosovës i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës kthimin e dialogut strategjik, pas vendimit për pezullim nga Amerika.

    Kjo është në takimin që shefja e Stafit të Presidentes së Kosovës, Learta Hollaj, së bashku me Këshilltaren Kryesore për Politikë të Jashtme, Rejhan Vuniqi, dhe Këshilltaren Politike, Donika Kadaj-Bujupi, pritën gjatë javës në takim Lyn Debevoise, Zëvendësdrejtoreshë e Zyrës për Evropën Perëndimore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit të SHBA-ve.

    Gjatë takimit u diskutua për partneritetin strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, raportet dypalëshe, si dhe domosdoshmërinë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha kyçe, si siguria, ekonomia dhe politikës e jashtme.

    “Delegacioni i Presidentes nënvizoi rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-ve për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës, duke theksuar se rikthimi i Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA mbetet prioritet i rëndësishëm në avancimin e interesave të përbashkëta”, thuhet nga Presidenca.

    Në fokus të diskutimeve ishte edhe rëndësia e procesit të rregullt zgjedhor, zhvillimet e fundit të sigurisë, si dhe nevoja për krijim sa më të shpejt të institucioneve pas zgjedhjeve.

  • Brukseli shton emra të rinj në listën e zezë në paketën e re të sanksioneve kundër Rusisë

    Brukseli shton emra të rinj në listën e zezë në paketën e re të sanksioneve kundër Rusisë

    Ambasadorët e Bashkimit Evropian morëm vendim të mërkurën për sanksione të shtesë kundër Rusisë, duke i shtuar disa individë dhe subjekte në paketën e re të listës së zezë, e cila u hartua si përgjigje kundër pushtimit të plotë të Ukrainës nga Kremlini, pothuajse katër vjet më parë.

    Edhe pse kjo nuk është paketë e gjerë sanksionesh që përfshin masa kufizuese ndaj sektorëve kundër Moskës si në të kaluarën, blloku i ka përqendruar masat tek pesë individë të përfshirë në biznesin global të naftës, me synimin për ta goditur Rusinë ndërsa ajo tregton nën kufirin e çmimit të naftës të vendosur nga vendet e G7-ës, i cili aktualisht është 47.6 dollarë për fuçi.

    Në dokumentin zyrtar, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, në listën e zezë është futur biznesmeni azerbajxhanas Talat Safarov.

    Safarov është shef ekzekutiv i 2Rivers Group, një kompani për tregtimin e naftës me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila, sipas Brukselit, është aktive në transportin dhe eksportin e naftës ruse, veçanërisht nga gjiganti shtetëror energjetik Rosneft, duke fshehur prejardhjen e vërtetë të naftës.

    Flota në hije

    Biznesmeni pakistanez, Murtaza Ali Lakhani, është gjithashtu cak i sanksioneve pasi konsiderohet se kontrollon “anije që transportojnë naftë të papërpunuar ose produkte të naftës, me origjinë nga Rusia ose të eksportuara nga Rusia, duke përdorur praktika të parregullta dhe me rrezik të lartë në transport detar”.

    Këto praktika përfshijnë përdorimin e anijeve pa sigurim të rregullt dhe fikjen e pajisjeve të gjurmimit detar gjatë lundrimit.

    Tre individë rusë dhe katër kompani janë sanksionuar gjithashtu.

    Dy nga këto firma janë me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe besohet se kanë qenë të përfshira kohët e fundit në transportimin e naftës ruse. Një kompani me bazë në Vietnam dhe një tjetër në Rusi janë përfshirë për zotërimin ose menaxhimin e cisternave që janë pjesë e “flotës në hije” ruse.

    Ndërkohë, Brukseli pritet t’i fusë të premten në listë 43 anije që beson se janë pjesë e flotës së tanishme në hije. Lista, e cila ka mbi 500 anije, ua ndalon këtyre mjeteve të marrin çfarëdo shërbimi në portet e BE-së.

    Ambasadorët e BE-së u pajtuan gjithashtu t’i godasin persona që ata besojnë se kanë kryer aktivitete destabilizuese në emër të Rusisë në mbarë botën.

    Lista e përditësuar përfshin John Mark Dougan, një shtetas me shtetësi të dyfishtë amerikano-ruse dhe ish-zëvendëssherif nga Florida, i cili u zhvendos në Rusi afro një dekadë më parë.

    Ai akuzohet se ka marrë pjesë në operacione të informacionit digjital pro-Kremlinit nga Moska me qëllim “ndikimin në zgjedhje, diskreditimin e figurave politike dhe manipulimin e diskursit publik në vendet perëndimore”.

    Ish-koloneli i ushtrisë zvicerane, Jacques Baud, është gjithashtu në listë për veprimin “si zëdhënës i propagandës proruse dhe përhapjen e teorive konspirative, për shembull, duke akuzuar Ukrainën se ka orkestruar vetë pushtimin e saj për t’u anëtarësuar në NATO”.

    Ish-oficeri francez i ushtrisë, Xavier Moreau, është përfshirë për veprime të ngjashme.

    Të tjerë të sanksionuar përfshijnë Dmitry Suslov, Fyodor Lukyanov dhe Andrei Sushentsov, të cilët përshkruhen si analistë të politikës së jashtme me lidhje të ngushta me klubin e diskutimit Valdai. Ata akuzohen për përhapjen e dezinformatave të lidhura me Kremlinin.

    Një numër zyrtarësh të Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës së Rusisë (GRU) janë listuar dhe akuzohen për përgjegjësi në sulme të ndryshme kibernetike vitet e fundit kundër Ukrainës dhe shteteve anëtare të BE-së.

  • FFK-ja shpall më të mirët më 21 dhjetor

    FFK-ja shpall më të mirët më 21 dhjetor

    Ceremonia “Laureatët 2025” do të mbahet më 21 dhjetor. Kështu është vendosur të mërkurën gjatë mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës.

    Për vitin 2024 çmimet kryesore në futbollin kosovar i fituan Lidnon Emërllahu dhe Edon Zhegrova.

    Mesfushori Emërllahu ishte shpallur futbollist i vitit 2024, ndërkohë që Edon Zhegrova e fitoi çmimin “Fadil Vokrri” që i ndahet lojtarit më të mirë të përfaqësueses.

    Në mbledhjen e KE të FFK-së u diskutua edhe për disa çështje tjera rreth futbollit kosovar, ndëra është njoftuar se ka miratuar marrëveshjen me FIFA-n për hapjen e Akademisë së Futbollit në Hajvali.

  • Islanda bëhet vendi i pestë që bojkoton Eurovisionin

    Islanda bëhet vendi i pestë që bojkoton Eurovisionin

    Islanda i është bashkuar Spanjës, Irlandës, Sllovenisë dhe Holandës duke thënë se do të bojkotojë Festivalin e Këngës Eurovision 2026.

    Të pesë vendet janë tërhequr pasi pjesëmarrja e Izraelit në konkurs u konfirmua zyrtarisht javën e kaluar, raporton BBC.

    “ Pjesëmarrja e transmetuesit kombëtar izraelit, KAN, në konkurs ka krijuar përçarje midis anëtarëve të Unionit Evropian të Transmetimeve (EBU) dhe publikut të gjerë”, tha transmetuesi islandez RÚV në një deklaratë.

    Islanda më parë kishte lënë të kuptohet se nuk do të merrë pjesë në konkursin e vitit 2026, por donte të priste derisa çështja të diskutohej nga bordi i drejtorëve të mërkurën.

    Takimi i bordit u mbajt vetëm disa orë para se të kalonte afati që shtetet të konfirmonin nëse do të merrnin pjesë në atë që pritet të jetë edicion festiv i 70-vjetorit të Eurovisionit në Austri në majin e vitit të ardhshëm.

  • Avokati Hodaj sqaron kushtet që Kilaj duhet të respektojë pas lirimit nga Specialja

    Avokati Hodaj sqaron kushtet që Kilaj duhet të respektojë pas lirimit nga Specialja

    Ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, është liruar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, pasi gjykatësi vendosi se mbajtja e tij në paraburgim nën akuzat për pengim të drejtësisë nuk ishte “as e arsyeshme, as proporcionale”.

    Avokati Taulant Hodaj, në emisionin FIVE ka sqaruar se lirimi i Kilajt me kusht nuk lidhet me ose mos pranimin e fajësisë.

    Ai ka shpjeguar se vendimi për lirimin e Kilajt është bërë duke marrë parasysh kohën e kaluar në paraburgim dhe peshën e veprës penale.

    “Në rastin e caktimit të paraburgimit shikohet pesha e veprës penale, mënyra dhe lartësia e dënimit, dhe gjithmonë është në praktik që në rastet kur kalon një kohë të konsiderueshme në paraburgim kalon kohën siç parashihet me ligjin e aplikueshëm atëherë zakonisht duhet të lirohet apo të shihet masat tjera të sigurisë. Pra masa e paraburgimit është vetëm më e rënda dhe gjykata ka vlerësuar drejtë që peshojnë më shumë argumentet në favor të lirimit me kusht, sesa mbajtjen në paraburgim të tij”, ka deklaruar ai.

    Kushtet që Kilaj duhet të respektojë, sipas tij përfshijnë, moskontaktimin me dëshmitarët, mosmanipulimin me prova, mosndikimin e dëshmitarëve dhe përgjigjen ndaj thirrjeve të gjykatës.

    Avokati Hodaj ka theksuar se mund të ketë edhe kushte të tjera që nuk mund t’i bëjnë publike.

    Hodaj gjithashtu sqaron se lirimi i Kilajt nuk hap rrugë për të tjerët me akuzat për krime lufte.

    “Nuk mund të diferencohen veprat penale kundër administrimit të drejtësisë apo krimeve të luftës, pesha e veprës penale dhe lartësia e dënimit dallon. Nëse në këtë rast vepra penale kundër krimeve të lutës do të ishte dënimi minimal 1 2 3, do të ishte aplikuar e njëjta por dënimet janë të larta dhe për atë nuk e kanë aplikuar deri tani”, ka deklaruar Hodaj.

    Kilaj akuzohet së bashku me ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-ministrin e Drejtësisë Hajredin Kuçi, ish-shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliun për pengim të drejtësisë në gjyqin për krime lufte ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

  • Ahmeti: Ata që dyshuan se qeveria ishte pas sulmit në Ibër–Lepenc duhet ta pranojnë gabimin

    Ahmeti: Ata që dyshuan se qeveria ishte pas sulmit në Ibër–Lepenc duhet ta pranojnë gabimin

    Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës ndaj tre personave të dyshuar për shpërthimin në kanalin Ibër–Lepenc.

    Ai ka thënë se tani ata që kishin ngritur dyshime ndaj qeverisë duhet të pranojnë se kanë gabuar.

    Në reagimin e tij, Ahmeti theksoi tri çështje kryesore: pranimin e gabimit nga figurat publike që dyshuan në qeveri, përgëzimin e Prokurorisë Speciale dhe ndihmës së FBI-së për zbardhjen e rastit, si dhe shmangien e kolektivizimit të fajësisë ndaj komunitetit serb.

    Postimi i plotë:

    Pas sulmit në kanalin e Ibër Lepencit janë shpreh dyshime se qeveria mund të jetë vetë pas sulmit. Mirë është me u pranu këto gjëra

    1. Ata që kanë shpreh dyshime, e në veçanti personat publik me pranu që e kanë pas gabim.

    2. Është mirë që edhe qeveria, e në veçanti edhe LVV me e përgëzu punën e prokurorisë dhe ndihmën e FBI-së në zbulimin e përgjegjësve për sulmin.

    3. Është mirë mos me kolektivizu fajësinë dhe me e fajësu çdo qytetar serb për sulmin në kanal.

  • Kurti: Sulmi në Ibër-Lepenc erdhi nga Serbia, aktakuza e vërteton

    Kurti: Sulmi në Ibër-Lepenc erdhi nga Serbia, aktakuza e vërteton

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pasi të martën Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave lidhur me shpërthimin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor 2024.

    Kurti ka deklaruar se hetimet, të zhvilluara në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve të inteligjencës dhe sigurisë së Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, kanë siguruar prova se tre të akuzuarit, shtetas serbë, kanë qenë në vendin e ngjarjes në natën kritike.

    “Që në orët e para pas shpërthimit, në bazë të informatave nga institucionet e sigurisë, kam deklaruar se sulmi ka ardhur nga Serbia. Sot, aktakuza dhe provat e siguruara e dëshmojnë këtë”, ka thënë Kurti.

    Ai ka falënderuar institucionet e Republikës së Kosovës dhe Byronë Federale të Hetimeve (FBI) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për, siç ka thënë, punën profesionale në zbardhjen e këtij rasti.

    Sipas Kurtit, të akuzuarit kanë qenë pjesë e strukturave ilegale të Serbisë dhe janë të lidhur me Milan Radoiçiqin dhe me struktura të tjera shtetërore serbe, të cilat dyshohet se kanë planifikuar dhe urdhëruar sulmin terrorist.

    Ai ka kritikuar autoritetet serbe për, sipas tij, mohimin e përgjegjësisë dhe përpjekjet për dezinformim të opinionit përmes veprimeve hibride.

    “Rasti dëshmon se në Kosovë terrorizmi nuk kalon pa ndëshkim dhe se dezinformimi do të dekonstruktohet”, ka theksuar Kurti.

    Në fund, kryeministri në detyrë ka ritheksuar përkushtimin për mbrojtjen e integritetit territorial, sovranitetit dhe sundimit të ligjit, duke falënderuar institucionet e sigurisë, partnerët ndërkombëtarë në krye me SHBA-të dhe qytetarët për kontributin në sigurinë e vendit.