ATV

Author: K.B.

  • “Parku i dorës” sjell Teuta Krasniqin me vajzën e saj Tarën së bashku në një film

    “Parku i dorës” sjell Teuta Krasniqin me vajzën e saj Tarën së bashku në një film

    Filmi më i ri artistik “Parku i Dorës”, me regji të Sabidin Aliut, vjen premierë më 11 dhjetor në Shkup, duke shënuar një moment të rëndësishëm për kinematografinë vendore.

    Posteri zyrtar i filmit, i publikuar së fundmi, zbulon një dramë emocionale të ngrohtë dhe të thellë, të fokusuar në marrëdhëniet njerëzore, dhimbjen dhe rimëkëmbjen.

    Një detaj që e bën premierën edhe më të veçantë është fakti se aktorja e njohur Teuta Krasniqi, e cila mban një nga rolet kryesore, luan për herë të parë në një film së bashku me vajzën e saj, Tara Krasniqi Muharremi.

    Ky bashkëpunim unik nënë-bijë ngjall kureshtje të madhe, si për publikun ashtu edhe për botën e artit, duke shtuar një dimension emocional autentik në rrëfimin e filmit.

    Në poster figurojnë gjithashtu emra të tjerë të kastës, mes tyre Shkëlqim Islami, duke premtuar një performancë të fuqishme ansambli.

    Produksioni është realizuar nga Vizioni Plus Production, ndërsa tema dhe atmosfera e filmit sugjerojnë një histori të thellë, të ndjeshme dhe artistikisht të punuar me kujdes. Pas premierës në Shkup, filmi pritet të shfaqet në të gjitha kinematë, duke u bërë një nga projektet më të komentuara të fundvitit.

  • Filmi “Shame and Money” i Visar Morinës, premierë botërore në Sundance Film Festival

    Filmi “Shame and Money” i Visar Morinës, premierë botërore në Sundance Film Festival

    Kinematografia kosovare shënon një tjetër arritje të madhe ndërkombëtare. Filmi më i ri artistik i regjisorit Visar Morina, “Shame and Money”, është përzgjedhur për premierën botërore në Sundance Film Festival, një ndër festivalet më prestigjioze të filmit në botë.

    Ky është një moment historik, pasi kjo shënon herën e dytë që Morina merr pjesë në kategorinë kryesore në Sundance – një sukses jashtëzakonisht i rrallë për një regjisor nga Kosova.

    “Shame and Money” ndjek rrëfimin e një familjeje kosovare që, pasi humbet mjetet e jetesës në fshat, detyrohet të zhvendoset në Prishtinë në përpjekje për t’u bërë pjesë e shoqërisë hiperkapitaliste të kohës sonë.

    Në rolet kryesore shfaqen emra të njohur të aktrimit shqiptar, përfshirë Astrit Kabashi, Flonja Kodheli, Kumrije Hoxha, Fiona Gllavica, Alban Ukaj, Aria Shala, Riga Morina, Melika Gashi, Selman Lokaj, Teuta Hajdini, Abdinaser Beka, Rebeka Qena, Tristan Halilaj, Basri Lushtaku, Rafet Abazi, Besnik Krapi dhe Eshref Durmishi.

  • Izmir Zeqiri pas dorëzimit të detyrës në Zubin-Potok: Kryetari i ri i lëvizi simbolet e republikës brenda zyrës

    Izmir Zeqiri pas dorëzimit të detyrës në Zubin-Potok: Kryetari i ri i lëvizi simbolet e republikës brenda zyrës

    Ish-kryetari i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, ka komentuar situatën në komunë pas betimit të kryetarëve të rinj në veri të Kosovës, përfshirë edhe kryetarin e ri të Zubin-Potokut, Milosh Pereviq nga Lista Serbe.

    Zeqiri tha se dorëzim-pranimi është zhvilluar në dy takime të ndara, një në orët e paradites dhe një pasdite.

    “Dje kishim një dorëzim-pranimin të detyrës në formë protokollare. Kishim dy takimi, një para dite dhe një pas dite të dorëzim-pranimit të detyrës. Takimi ishte brenda kornizave të mirësjelljes, por jo takim i kënaqshëm. Ne i dhamë ato çka duhet”, deklaroi ai.

    Zeqiri tha se ndërmjet dy takimeve ka vërejtur ndryshime brenda zyrës së kryetarit, të bëra nga ekipi i ri komunal.

    “Nga para dite deri pas dite, kishte një ndryshim brenda zyrës, ku kryetari i ri flamurin e republikës e kishte vendosur në anën e majtë dhe jo siç ka qenë në anën e djathtë, vetëm kishte zhvendosje. Po ashtu edhe fotografia e presidentes ishte në anën e majtë, ky ishte një ndryshim”, theksoi ai për FrontOnline.

    Ai tha se pret që Lista Serbe të nisë propagandë rreth këtij procesi.

    “Unë e di se këta si LS do të lansojnë propaganda sepse janë mjeshtër të tyre. Ai i ka tash kompetencat e veta dhe unë kthehem në zyrën për komunitete. Jashtë zyrës ishte flamuri i Kosovës, janë të paprekur”, tha ndër të tjera Zeqiri.

    Zeqiri foli edhe për mundësinë e sabotimeve nga ana e administratës së re.

    “Këta do të bëjnë sabotim, por do të mbetet të shihet sepse janë gjëra që nuk mund të ndryshohen. Unë nuk besoj se do të mund të bëjnë ndryshim sepse ligji është ai”, përfundoi ai.

  • Policia shqipton mbi 1 mijë e 800 gjoba trafiku brenda 24 orëve të fundit

    Policia shqipton mbi 1 mijë e 800 gjoba trafiku brenda 24 orëve të fundit

    Policia e Kosovës ka shqiptuar 1849 gjoba për kundërvajtësit e trafikut brenda 24 orëve të fundit.

    Në 24 orët e fundit janë raportuar 41 aksidente trafiku me dëme materiale, 13 aksidente trafiku kanë përfunduar me të lënduar.

    Policia e Kosovës ka arrestuar 17 persona, 9 janë dërguar në mbajtje.

  • Kuzhina italiane e para në botë që njihet si trashëgimi botërore nga UNESCO

    Kuzhina italiane e para në botë që njihet si trashëgimi botërore nga UNESCO

    Kuzhina italiane është bërë stili i parë gastronomik i plotë që njihet nga UNESCO, organi kulturor i OKB-së. Ky status do ta ndihmojë Italinë të mbrojë kuzhinën e saj nga imituesit.

    Vendimi për të përcaktuar ushqimin italian si një trashëgimi kulturore jomateriale u konfirmua të mërkurën nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni përpara një njoftimi që pritet nga UNESCO.

    “Ne jemi të parët në botë që marrim këtë njohje, e cila nderon atë që jemi dhe identitetin tonë”, tha ajo në një deklaratë.

    Statusi shënon përfundimin me sukses të një fushate tre-vjeçare nga Ministria e Bujqësisë e Italisë për të njohur mënyrën tradicionale të kultivimit, korrjes, përgatitjes dhe servirjes së ushqimit në vend.

    “Akti i gatimit në Itali tejkalon domosdoshmërinë e thjeshtë ushqyese për t’u bërë një praktikë e përditshme komplekse dhe e stratifikuar”, shkroi në ofertën fillestare Pier Luigi Petrillo, një nga redaktorët e propozimit të Italisë.

    Italia vazhdon të luftojë kundër ushqimit italian “të falsifikuar”, përfshirë një ankesë të kohëve të fundit të paraqitur në Parlamentin Evropain. Italia ka luftuar gjithashtu kundër prodhimit të vajit të ullirit të falsifikuar dhe përdorimit të emrave që tingëllojnë italisht në produktet që nuk janë prodhuar në Itali.

    Ministri italian i bujqësisë, Francesco Lollobrigida theksoi se ky vendim do të ndihmojë në mbrojtjen e kuzhinës nga abuzimet kulinare.

    “Ky njohje është një burim krenarie, por edhe ndërgjegjësimi për vlerësimin e mëtejshëm që do të gëzojnë produktet tona, territoret tona dhe zinxhirët tanë të furnizimit”, tha Lollobrigida në një deklaratë.

    Kontributet e mëparshme të Italisë në listën e trashëgimisë kulturore përfshijnë tingullin manual të kambanës (2024), këndimin në opera (2023), gjuetinë dhe nxjerrjen e tartufit (2019), përgatitjen e picave napolitane (2017) dhe festimet e strukturave të mëdha procesionale të mbështetura në shpatulla (2013).

  • Takim i tensionuar mes Melonit dhe Zelenskyt në Romë – çfarë ndodhi

    Takim i tensionuar mes Melonit dhe Zelenskyt në Romë – çfarë ndodhi

    Pas fasadës së një takimi “konstruktiv dhe me besim të ndërsjellë”, përtej komunikatave zyrtare, ajo që u zbulua nga takimi 90-minutësh midis Melonit dhe Zelenskyt është një histori tjetër. Një histori në të cilën presioni ndaj delegacionit ukrainas prej Romës u shpreh qartë. Meloni ka qenë e sinqertë në mesazhin e saj mund të përmblidhet: “Mbani në konsideratë se mund të detyroheni të bëni disa lëshime të dhimbshme.”

    90 minuta diskutime, të paraprira nga një takim i ngushtë midis Melonit dhe Ministrave të Mbrojtjes dhe Punëve të Jashtme, Guido Crosetto dhe Antonio Tajani, të shoqëruara nga takime paralele ballë për ballë midis dy ministrave dhe homologëve të tyre ukrainas, shënuan një pasdite që nuk ishte tërësisht e qetë në Palazzo Chigi.

    Dhe për të paktën 2 ose 3 arsye: Italia mbështet nxitimin që amerikanët po u shkaktojnë negociatave; stafi i Melonit nuk është imun ndaj pikëpamjes se Zelensky është dobësuar nga hetimet për korrupsionin e qeverisë së tij; dhe roli i qeverisë italiane, siç vazhdon ta përsërisë kryeministrja është të arrijë një plan paqeje të drejtë dhe të qëndrueshëm, por duke pasur parasysh udhëheqjen amerikane në vend të udhëheqjes evropiane.

    Detajet tregojnë se Meloni, me sa duket, po ushtron një lloj presioni moral mbi Zelenskyn, edhe në emër të Shtëpisë së Bardhë. Kjo vjen pasi Zelensky po bën pikërisht të kundërtën, duke i kërkuar kryeministres italiane të zbusë qëndrimin e Trump, të përpiqet të zbusë vendimin që qeveria amerikane duket se ka marrë – atë të arritjes së një plani paqeje sa më shpejt të jetë e mundur.

    Atë mbrëmje, Zelensky madje u shpreh hapur për zgjedhje të reja, gjë që duket të jetë një sfidë më tepër sesa një hap prapa, dhe që shton edhe një shtresë tjetër kompleksiteti në gjendjen e negociatave.

    Sigurisht, fjalët e qarta dhe publike të thëna nga Ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha janë domethënëse. Në Palazzo Chigi, ai me mirësjellje përshkroi një lloj liste kërkesash nga Italia: Një rol proaktiv dhe më të fortë në lirimin e aseteve ruse të ngrira në Belgjikë; një dalje nga pezullimi i një vendimmarrjeje të pavendosur në lidhje me programin PURL; blerje e armëve amerikane, e cila deri më tani ka përfshirë më shumë se 15 shtete të BE-së, por jo Romën dhe së fundmi, madje edhe devijimin e disa burimeve që programi European Safe ndan për forcimin e forcave të armatosura të shteteve anëtare. Italia është midis atyre, 4 nga 19 shtete, që nuk do të përdorin një pjesë të fondeve për ndihmë ushtarake për Ukrainën.

    Ka prova të mjaftueshme që sugjerojnë se jo gjithçka shkoi mirë, se disa dallime janë shprehur qartë për herë të parë nga të dyja palët. Për më tepër, Meloni, të paktën për Partinë Demokratike dhe pjesën tjetër të opozitës, vazhdon të qëndrojë me një këmbë në të dyja kampet, e ankoruar në përpjekjet evropiane për të mbrojtur Kievin, përfshirë edhe nga sulmet diplomatike nga Shtetet e Bashkuara, por në të njëjtën kohë e ngurruar të distancohet sadopak nga toni i ashpër që Donald Trump po imponon në negociatat në vazhdim.

  • “Hidroregjioni Jugor” vazhdon aksionin e shkyçjeve për mospagesë – 52 raste vetëm të mërkurën

    “Hidroregjioni Jugor” vazhdon aksionin e shkyçjeve për mospagesë – 52 raste vetëm të mërkurën

    KRU “Hidroregjioni Jugor” ka njoftuar se ekipet e Inspektoriatit po vazhdojnë aksionin e shkyçjeve nga rrjeti i ujësjellësit për konsumatorët me borxhe të pashlyera, pavarësisht njoftimeve të mëhershme dhe mundësive të ofruara për pagesë.

    Sipas njoftimit, vetëm gjatë ditës së djeshme (10/12/2025) janë realizuar 52 shkyçje për mospagesë, prej tyre 40 në Prizren dhe 12 në njësinë e Suharekës.

    Kompania ka paralajmëruar se nuk do të ketë më tolerime për konsumatorët që nuk i përmbushin detyrimet financiare.

    “Nuk do të ketë më falje apo tolerim për asnjë konsumator që nuk i përmbush obligimet financiare ndaj kompanisë”, thuhet në njoftim.

    KRU “Hidroregjioni Jugor” u ka bërë thirrje të gjithë borxhlinjve që të kryejnë pagesat për të shmangur masat e mëtejshme.

  • Ilir Peci paralajmëron tensione në Zveçan: Ka presion mbi administratën

    Ilir Peci paralajmëron tensione në Zveçan: Ka presion mbi administratën

    Ish-kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, ka folur pas betimit të kryetarëve të rinj në komunat veriore, përfshirë edhe kryetarin e ri të Zveçanit nga Lista Serbe. Ai ka thënë se, ndonëse betimi është kryer të premten, procesi i pranim-dorëzimit ende nuk ka ndodhur, ndërsa situata në komunë po shoqërohet me presion ndaj administratës lokale.

    “Të premten është bërë betimi, pranim-dorëzim akoma s’ka. Nuk janë duke u sjellë mirë disa drejtorë të tij, sidomos shefi i kabinetit, sepse po i bëjnë presion të fortë administratës”, deklaroi Peci.

    Ai ka theksuar se para zyrës së kryetarit janë vendosur sërish simbolet me katër S, të cilat përfaqësojnë simbole nacionaliste serbe.

    “Para zyrës së kryetarit i kanë vendosur prapë simbolet me katër S. Unë i kam shkruar edhe pushtetit lokal, ministrisë, por s’ka ndonjë reagim nga ta,” u shpreh ai.

    Peci tha se gjatë ceremonisë së betimit është zhvilluar një takim rreth 40 minuta, por çështja e presionit nuk është diskutuar. Ai është përpjekur të ndërmjetësojë komunikim institucional.

    “Pak më parë i kam shënuar ish-nënkryetarit tim që ishte i komunitetit serb që me bisedu me kryetarin e ri, tash jemi në pritje”, shtoi ai për FrontOnline.

    Ai konfirmoi se në hyrje të objektit të Kuvendit Komunal gjendet flamuri i Kosovës, por nuk ka informacione të plota për simbolikën brenda zyrës së kryetarit.

    “Tek hyrja e Kuvendit është flamuri i Kosovës, e për brenda zyrës së kryetarit nuk e di a janë apo jo simbolet”, tha Peci.

    Sipas tij, presioni mbi stafin komunal është serioz dhe kërkon reagim urgjent nga institucionet qendrore.

    “Ka presion te zyrtarët komunal dhe duhet me u tërhiq, dhe këtu duhet me ndërhy shteti, veçmas Ministria e Pushtetit Lokal”, theksoi ai.

    Peci paralajmëroi se nëse situata vazhdon kështu, mund të ketë rikthim të tensioneve në komunë.

    “Kjo do të thotë se nëse kështu është situata, për një kohë të shkurtër do të kthehet në pikën zero,” deklaroi ai.

    Ai shtoi se procesi i pagesës së energjisë ka nisur të stabilizohet, por nuk është përmbyllur.

    “Faturat po paguhen, ka filluar një numër i mirë, por akoma s’ka përfundu kyçja nëpër orë”, përfundoi Peci.

  • Dy sirianë gjenden të therur me thikë në Leposaviq – Policia jep detaje

    Dy sirianë gjenden të therur me thikë në Leposaviq – Policia jep detaje

    Dy persona nga Siria kanë pësuar lëndime trupore nga mjeti i mprehtë.

    Ngjarja ka ndodhur në fshatin Koshuticë të Leposaviqit më 10 dhjetor.

    Fillimisht mesnatën e së martës, dy femra kanë raportuar në polici, se në oborrin e shtëpisë së tyre kanë vërejtur një person të shtrirë me plagë nëpër pjesë të ndryshme të trupit të shkaktuara nga mjeti i mprehtë.

    “Viktima mashkull i moshës rreth 40 vjeçar, shtetas i Sirisë është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin e Mitrovicës Veri dhe më pas është transferuar në Spitalin e Mitrovicës Jugu për trajtim të mëtutjeshëm”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

    Tutje në raport, theksohet se rreth orës 11:05 jemi njoftuar se njësiti nga policia kufitare në Jarinje gjatë patrullimit në fshatin Koshuticë ka vërejtur një person mashkull Sirian i moshës 27 vjeçar me lëndime në kokë dhe këmbë që dyshohet se plagët janë shkaktuar nga mjeti i mprehtë.

    “Viktima ka njoftuar se rasti ka ndodhur mbrëmë dhe i dyshuari është larguar në drejtim të kufirit të Serbisë. Njësiti i emergjencës viktimën e kanë dërguar në Spitalin e Mitrovicës Jugu për tretman të mëtutjeshëm”, përfundon raporti.

    Nuk bëhet e ditur se nëse rasti ka të bëjë me ndonjë konflikt eventual mes këtyre dy personave apo diçka tjetër.

    Rasti po hetohet si “Vrasje në tentativë”.

  • Polici jashtë detyrës paralajmëron për mjegullën, sulmohet nga i dyshuari – Policia jep detajet

    Polici jashtë detyrës paralajmëron për mjegullën, sulmohet nga i dyshuari – Policia jep detajet

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të sulmit ndaj personit zyrtar.

    Rasti ka ndodhur në auto-udhë në Suharekë, dje në ora 19:00.

    “Auto udhë, Suharekë. Viktima mashkull kosovar, zyrtar policor i cili ishte jashtë detyrës zyrtare dhe ishte duke lëvizur në auto udhë, ka hasur në dy mjete të ndaluara në shirit rrugor në auto udhë. Viktima është ndaluar dhe ka biseduar me vozitësit për arsyen e ndaljes ku i njëjti ka kërkuar që të marrin masa për siguri për shkak të kushteve atmosferike-mjegullës pasi mund të shkaktohet ndonjë aksident, pas bisedës me ta, i dyshuar e ka sulmuar fizikisht viktimën”, thuhet në raport.

    Viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKMF Suharekë. Njësitet policore janë në kërkim të dyshuarit.