ATV

Author: K.B.

  • Një femër dërgohet pa shenja jete në spitalin e Gjakovës

    Një femër dërgohet pa shenja jete në spitalin e Gjakovës

    Një femër nga fshati Ratkoc i komunës së Rahovecit, është dërguar pa shenja jete në spitalin e Gjakovës.

    Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje rreth orës 11:00, njofton raporti 24 orësh i policisë.

    Siç thuhet në këtë raport, vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar.

    Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion.

    Rasti po hetohet nga organet e rendit dhe po cilësohet si “Hetim i vdekjes”.

  • Komuna e Istogut ndan afro 15 mijë euro për dekorim të qytetit

    Komuna e Istogut ndan afro 15 mijë euro për dekorim të qytetit

    Komuna e Istogut ka ndarë 14 mijë e 920 euro për të dekoruar qytetin, me rastin e festave të fundvitit.

    Kontrata u dha dje, teksa pritet të nënshkruhet nesër.

    Në thirrjen e prokurimit, Komuna parashikoi vlerën prej 15 mijë eurosh për këtë kontratë.

    Më pas, u shqyrtuan dy tenderët e pranuar, më ç’rast ai me çmimin me të lartë ishte në vlerë prej 22 mijë e 222 eurosh.

    Tenderi iu nda ofertuesit me çmimin më të ulët – AEM ELECTRIC – teksa në përshkrim bëhet me dije se nuk lejohet nënkontraktimi i kontratës.

    Më poshtë detaje:

  • KQZ certifikon listën votuese për zgjedhjet e 28 dhjetorit me 2.1 milionë votues

    KQZ certifikon listën votuese për zgjedhjet e 28 dhjetorit me 2.1 milionë votues

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar listën votuese brenda dhe jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar se sipas të dhënave nga kjo listë, numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në këtë proces zgjedhor është: 2,076,290 votues.

    “Sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës është 1,999,205 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 77,085 votues. Kjo listë përmban 7,192 votues më shumë se në Zgjedhjet Lokale të cilat u mbajtën më 12 tetor 2025”, tha Elezi.

    Më tej, sipas tij, procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2,557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.

  • Abuzohet seksualisht një e mitur në Fushë Kosovë, i dyshuari dërgohet në mbajtje

    Abuzohet seksualisht një e mitur në Fushë Kosovë, i dyshuari dërgohet në mbajtje

    Një e mitur ka raportuar se ishte abuzuar seksualisht nga një person.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të mërkurën rreth orës 10:30, në Fushë Kosovë.

    Tutje bëhet e ditur se me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe dërgohet në mbajtje.

    “Fushë Kosovë 10.12.2025-10:30. Viktima e mitur femër kosovare ka raportuar se ishte abuzuar seksualisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe dërgohet në mbajtje”, thuhet në raport.

  • Cilat shtete kundërshtuan heqjen e masave ndaj Kosovës?

    Cilat shtete kundërshtuan heqjen e masave ndaj Kosovës?

    Qeveria ne detyrë e Kosovës është deklaruar e zhgënjyer që Bashkimi Evropian nuk i qëndroi prapa paralajmërimit për heqjen e masave pas transferimit të suksesshëm të pushtetit lokal në veri. Dy ditë më parë Bashkimi Evropian ka shprehur gatishmëri të angazhohet për heqjen e masave ndaj Kosovës, por vetëm pasi të formohet qeveria e re, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

    Kushtëzimi i heqjes së masave ndëshkuese nga BE-ja me zgjedhjet parlamentare është vlerësuar i paarsyeshëm nga ekzekutivi. Klisman Kadiu, këshilltar për media në Zyrën e zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, ka thënë se zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk kanë asgjë të përbashkët me procesin e heqjes së masave nga BE-ja. Ai ka thënë se Kosova e ka përmbushur kushtin e vendosur nga Bashkimi Evropian.

    “Së fundmi Komisioni Evropian konstatoi në Raportin për Vendin, në fillim të muajit të kaluar, se masat do të hiqen pas zgjedhjeve lokale dhe transferimit të suksesshëm të pushtetit në katër komunat në veri. Edhe kjo tashmë ka ndodhur, në mënyrë paqësore, ligjore dhe pa asnjë incident. Çdo zvarritje tjetër vetëm sa e thellon absurditetin e masave dhe e cenon kredibilitetin e BE-së. Qëndrimi ynë është që masat duhet të hiqen menjëherë dhe plotësisht. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë nuk kanë asnjë lidhje me këtë proces”, ka thënë Kadiu.

    Kadiu ka shtuar se masat u vendosen padrejtësisht ndaj Kosovës.

    “Kur janë vendosur masat ndaj Kosovës, ato fillimisht kanë qenë të padrejta. Tash e një kohë të gjatë ato nuk kanë më as kuptim dhe as bazë me realitetin në terren. Në vitin 2024, vetë Josep Borrell, atëkohë përfaqësues i lartë i BE-së, kishte rekomanduar heqjen e masave. Megjithatë, veprimet e para drejt largimit të masave u ndërmorën vetëm në mesin e vitit 2025, kur edhe filloi heqja graduale e tyre”, është shprehur ai.

    KOHA ka mësuar se Franca dhe Italia, të mbështetura nga Spanja, Hungaria dhe Sllovakia, në takimin e fundit kanë kundërshtuar heqjen e masave ndaj Kosovës. Franca ka shprehur dyshime nëse kanë qenë të sinqertë hapat që janë ndërmarrë nga palët për depërshkallëzimin në veri gjatë vitit 2025. E Italia, sipas diplomatëve ka shprehur qëndrimin se duhet pritur përfundimin e zgjedhjeve të dhjetorit para se të avancohet me heqjen “graduale” të masave.

    Sipas mediumit, së paku 13 shtete të BE-së kanë kërkuar që ato të hiqen. Për heqjen e masave, sipas burimeve diplomatike, në këto takime janë angazhuar Gjermania, Sllovenia, Kroacia, Estonia, Luksemburgu, Belgjika, Holanda, Finlanda, Malta, Austria, Irlanda, Polonia dhe Suedia. Disa prej tyre kanë kërkuar që masat të hiqen menjëherë. Disa i kanë quajtur si absurde dhe kanë bërë thirrje që masa të tilla në të ardhmen të evitohen. Gjermania ka thënë se heqja duhet të ndodhë duke marrë parasysh transferimin e pushtetit lokal në veri. Diskutimi ka ndodhur para se të ndodhte betimi i kryetarëve të komunave në veri.

    Edhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i BE-së (EEAS) është shprehur për heqjen e masave ndaj Kosovës.

  • Kongresisti republikan propozon largimin e ShBA-së nga NATO-ja

    Kongresisti republikan propozon largimin e ShBA-së nga NATO-ja

    Kongresisti republikan Thomas Massie, përfaqësues i Kentakit, njoftoi të martën se ka paraqitur në Kongres një projektligj që synon të tërheqë Shtetet e Bashkuara nga NATO-ja.

    Ai argumenton se aleanca e krijuar dekada më parë ka humbur funksionin e saj, i kushton shumë taksapaguesve amerikanë dhe e rrezikon vendin për t’u përfshirë në luftëra të huaja.

    “NATO është një relike e Luftës së Ftohtë. Shtetet e Bashkuara duhet të tërhiqen dhe t’i përdorin këto fonde për mbrojtjen e vendit tonë, jo të shteteve socialiste. Sot paraqita HR 6508 për t’i dhënë fund anëtarësimit tonë në NATO”, shkroi Massie në platformën X, raporton “FoxNews”, transmeton Klankosova.

    Kolegia e tij republikane, Anna Paulina Luna nga Florida, njoftoi se e ka bashkësponsorizuar nismën.

    Në një komunikatë për media, Massie theksoi se ShBA-ja ka shpenzuar “triliona dollarë” për pjesëmarrjen në NATO, ndërsa rrezikon përfshirjen në konflikte të jashtme. “Kushtetuta jonë nuk autorizon angazhime të përhershme të huaja. Amerika nuk duhet të jetë mburojë sigurie për botën -veçanërisht kur vendet e pasura refuzojnë të paguajnë për mbrojtjen e tyre”, tha ai.

    Më herët gjatë vitit, senatori republikan Mike Lee nga Utah kishte prezantuar në Senat projektligjin e quajtur “Not A Trusted Organization Act” (“NATO Act”). Nisma e Massiet në Dhomën e Përfaqësuesve është versioni shoqërues i kësaj nisme.

    Projektligji mbështetet në Nenin 13 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, i cili lejon një vend anëtar të tërhiqet një vit pasi të njoftojë zyrtarisht Qeverinë e ShBA-së, e cila më pas njofton aleatët e tjerë.

    Ky zhvillim pritet të shkaktojë debat të gjerë në skenën politike amerikane dhe brenda vetë aleancës.

  • Qyteti kanadez miraton rezolutë mbi gjenocidin në Srebrenicë

    Qyteti kanadez miraton rezolutë mbi gjenocidin në Srebrenicë

    Asambleja e qytetit kanadez të Mississauga-s miratoi unanimisht një Rezolutë mbi Gjenocidin në Srebrenicë. Rezoluta ruan kujtimin e viktimave të gjenocidit, forcon angazhimin tonë të përbashkët për të vërtetën, drejtësinë, një kulturë kujtimi, paqen dhe dinjitetin njerëzor, njoftoi Instituti për Kërkime mbi Gjenocidin në Kanada (IGK).

    Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, 10 dhjetor, kur shënojmë 77 vjet nga miratimi i Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit dhe 77 vjet nga nënshkrimi i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, Asambleja e një prej qyteteve më të mëdha kanadeze, Mississauga, miratoi unanimisht një Rezolutë duke shpallur 11 korrikun si Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

    “Miratimi historik i Rezolutës është një akt civilizues, një fitore për të vërtetën dhe drejtësinë, dhe një shtysë e fuqishme për institucionalizimin e një kulture kujtese. Mississauga, duke miratuar një rezolutë mbi gjenocidin e Srebrenicës, u ofron brezave të ardhshëm një mundësi për të mësuar nga mësimet e gjenocidit të Srebrenicës. Zërat e atyre që vuajtën tmerret e gjenocidit si fëmijë, shumë prej të cilëve jetojnë në Mississauga dhe Kanada, na kujtojnë se dhënia fund e mohimit të gjenocidit nuk është vetëm një detyrim politik dhe ligjor, por një detyrë morale kolektive. Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar në luftën për të vërtetën dhe drejtësinë. Ky moment historik konfirmon angazhimin e Mississauga-s për përkujtimin vjetor të dinjitetit të viktimave të gjenocidit të Srebrenicës, i cili mori të paktën 8,372 jetë” thuhet në deklaratën e IGK-së.

    Theksohet se Rezoluta është një mundësi për të gjithë njerëzit me përgjegjësi shoqërore në Mississauga për të ndërtuar një marrëdhënie të re ndaj gjenocidit në linjat e qytetërimit.

    “Ne përgëzojmë Qytetin e Mississauga-s, Kryetaren e Bashkisë Carolyn Parrish, këshilltarët e Asamblesë dhe veçanërisht sponsorin e rezolutës, Këshilltarin dhe Zëvendëskryetarin e Bashkisë John Kovač, për miratimin e një rezolute që ka një mesazh të madh dhe domethënës si për viktimat e gjenocidit të Srebrenicës, por edhe për Mississauga-n dhe Kanadanë. Faleminderit diasporës boshnjake dhe hercegovinase në Mississauga, e cila, së bashku me Institutin për Kërkime mbi Gjenocidin e Kanadasë, punoi fuqishëm dhe me ekspertizë në këtë projekt të rëndësishëm”, thuhet në deklaratën e IGK-së.

    Ata theksojnë se kjo rezolutë e çimenton më tej Srebrenicën në skenën kanadeze si një simbol të luftës për drejtësi, të vërtetë, pajtim, të mësuar, parandalim të gjenocidit dhe në fund të fundit një simbol të luftës kundër mohimit të gjenocidit dhe glorifikimit të kriminelëve të luftës të dënuar.

    “Kujtimi i këtij krimi të tmerrshëm mund t’i ndihmojë brezat e ardhshëm në Mississauga jo vetëm të informohen siç duhet për këtë krim, por edhe të kuptojnë më lehtë llojin e botës në të cilën jetojnë, të kuptojnë se janë pjesë e një bote që e mundësoi dhe lejoi një krim të tillë. Pas kontributeve të shumta kanadeze në institucionalizimin e një kulture kujtese, ky është një hap i rëndësishëm që Kanadaja ka ndërmarrë për të rivendosur besimin e familjeve të viktimave në sistemin ndërkombëtar të drejtësisë. Vendimet e gjykatës nuk mund të fshihen nga historia njerëzore, pavarësisht se sa shumë përpiqet dikush. Kjo është një ditë historike për Mississauga, e vërteta dhe drejtësia kanë triumfuar”, tha në një deklaratë Instituti i Kërkimeve të Gjenocidit i Kanadasë.

  • Rusia miratoi ligjin – shtëpitë ukrainase do t’u jepen personave të tjerë

    Rusia miratoi ligjin – shtëpitë ukrainase do t’u jepen personave të tjerë

    Sekuestrimi masiv i pronave në territoret e pushtuara tani është ligjërisht i lejuar.

    Autoritetet pushtuese kanë marrë fuqinë të shpallin shtëpitë “pa pronar” dhe t’i dorëzojnë tek persona të tjerë. Ky rregull do të mbetet në fuqi deri në vitin 2030.

    Nuk ekzistojnë kritere të qarta, që do të thotë se prek të gjithë — ata që janë larguar për shkak të luftës, si dhe ata që ende jetojnë në shtëpitë e tyre.

    Kjo u raportua nga Qendra e Ukrainës për Kundërdisinformim.

    Apartamentet e sekuestruara do t’u dorëzohen banorëve — ushtarëve rusë, forcave të sigurisë dhe zyrtarëve që po dërgohen në rajonet e pushtuara për të përshpejtuar rusifikimin dhe ndryshuar përbërjen demografike.

  • Një lloj i ri bretkose zbulohet në Brazil, merr emrin e presidentit brazilian

    Një lloj i ri bretkose zbulohet në Brazil, merr emrin e presidentit brazilian

    Një specie e re e bretkosës së vogël portokalli të ndritshme është zbuluar në pyjet e Brazilit jugor.

    Pak më shumë se një centimetër e gjatë, kjo kafshë miniaturë i përket grupit të bretkosave gourami dhe nuk është përshkruar zyrtarisht në literaturën shkencore deri më tani, shkruan Science Alert.

    Kjo specie jeton ekskluzivisht në një pjesë të vogël të pyllit malor Serra do Quiriri në shtetin Santa Catarina, në një lartësi prej më shumë se 750 metrash mbi nivelin e detit.

    Pavarësisht ngjyrës së saj të habitshme, shkencëtarëve iu deshën shtatë vjet për ta gjetur dhe kataloguar atë, dhe e dhëna kryesore ishte thirrja e saj unike e çiftëzimit. Studiuesit i gjetën meshkujt duke ndjekur tingullin, ndërsa mblodhën femrat më të qeta rastësisht në mbeturinat e gjetheve.

    Pas analizave të hollësishme gjenetike dhe morfologjike në laborator, ekipi i shkencëtarëve konfirmoi se ishte një specie krejtësisht e re. Ata e quajtën “B. lulai”, në nder të presidentit brazilian Luiz Inacio Lula da Silva.

    Humbja e habitatit për shkak të djegies së kullotave, kullotjes së bagëtive, përhapjes së specieve bimore pushtuese, turizmit, minierave dhe shpyllëzimit paraqesin kërcënime serioze për mbijetesën e këtyre amfibëve, të cilët janë klasa më e rrezikuar e vertebrorëve në nivel global.

  • Kush janë katër kandidatët që synojnë të marrin drejtimin e SPAK-ut, pas Altin Dumanit

    Kush janë katër kandidatët që synojnë të marrin drejtimin e SPAK-ut, pas Altin Dumanit

    Më 18 dhjetor përfundon mandati trevjeçar i Altin Dumanit në krye të Prokurorisë së Posaçme, periudhë gjatë së cilës SPAK ka hetuar figura të larta politike dhe grupe kriminale ndër më të rrezikshmit në vend.

    Për këtë, ditën e sotme, Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvillon një nga mbledhjet më të rëndësishme të vitit, atë për zgjedhjen e drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Procesi nis në orën 09:00, me intervistimin e katër kandidatëve që garojnë për postin më të lartë të strukturës speciale.

    Në garë për të marrë drejtimin e institucionit më të rëndësishëm antikorrupsion janë katër prokurorë të SPAK, të gjithë me eksperiencë të gjatë dhe rekorde hetimesh në çështje të ndjeshme: Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho, raportojnë mediat në Shqipëri.

    Katër kandidatët sjellin profile të ndryshme dhe eksperienca të thelluara në hetimet më të rëndësishme të SPAK-së, ndërsa gara për postin e kreut të ri pritet me interes të lartë nga publiku dhe partnerët ndërkombëtarë.

    Adnan Xholi

    Adnan Xholi, i emëruar në vitin 2004, është një ndër emrat më me përvojë në garë. Aktualisht ai drejton Seksionin e Krimit të Organizuar në SPAK dhe ka një histori të gjatë hetimesh ndaj grupeve kriminale dhe rasteve korruptive. Xholi kandidon për herë të dytë për postin e kreut të SPAK-ut, pasi ishte në garë edhe në vitin 2022, kur u zgjodh Altin Dumani. Ndër hetimet e rëndësishme të tij përfshihet çështja e korrupsionit zgjedhor ndaj Fredi Belerit, si edhe zbardhja e atentatit ndaj ish-prokurorit Arian Ndoja në vitin 2019, dosje që solli më pas hapjen e hetimeve të tjera të mëdha, falë dekriptimit të komunikimeve në SkyEÇ.

    Doloreza Musabelliu

    Doloreza Musabelliu, e emëruar në vitin 2004, është prokurore e SPAK-ut me një rol të rëndësishëm në hetimin e çështjeve komplekse. Ajo ka qenë pjesë e grupit të prokurorëve të dosjes së njohur “Plumbi i Artë”, ku bashkëpunëtorë të drejtësisë zbuluan dhjetëra krime të ndodhura ndër vite. Ndër hetimet e saj më të rëndësishme është edhe masakra e vitit 2017 në qendër të Lushnjës, ku ajo kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm për të pandehurit.

    Elvin Gokaj

    Elvin Gokaj, me karrierë të nisur në dhjetor 2000, është një tjetër kandidat me eksperiencë të gjerë në hetimet e nivelit të lartë. Ai ka qenë i përfshirë në disa dosje të rëndësishme të SPAK, përfshirë çështjen “Buka”, ku u mor i pandehur ish-ministri Arben Ahmetaj. Gokaj ka hetuar gjithashtu kreun e Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyraj, dhe disa zyrtarë të tjerë të përfshirë në abuzime me tenderë, në një dosje me vlerë miliona euro që lidhej me mirëmbajtjen e një aksi rrugor.

    Klodian Braho

    Prokurori Klodian Braho, pjesë e sistemit të drejtësisë që prej vitit 2007, është një nga figurat kryesore të SPAK. Ai drejton Seksionin e Korrupsionit dhe është autor i hetimeve ndaj disa prej dosjeve më të rëndësishme të viteve të fundit. Braho ka hetuar çështjen e inceneratorit të Elbasanit, për të cilën lëshoi urdhër-arreste për persona të përfshirë në skemën korruptive, si dhe ndau hetimin për ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj. Mes çështjeve të tjera të rëndësishme janë dosja “5D”, ku u dërguan në gjyq ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, si dhe “Toyota Auris”, një dosje që vijon të hetohet në disa pista. Ai është gjithashtu pjesë e grupit të prokurorëve që ngritën akuzën për ish-ministrin Fatmir Mediu në lidhje me tragjedinë e Gërdecit.