ATV

Author: K.B.

  • Ramiz Lladrovci betohet për mandatin e katërt në krye të Drenasit, premton transparencë, ligjshmëri dhe qeverisje të mirë

    Ramiz Lladrovci betohet për mandatin e katërt në krye të Drenasit, premton transparencë, ligjshmëri dhe qeverisje të mirë

    Në mbledhjen inauguruese të Kuvendit të Komunës së Drenasit, kryetari Ramiz Lladrovci ka dhënë betimin për mandatin e tij të katërt, duke u zotuar për një qeverisje të bazuar në ligj, transparencë dhe llogaridhënie. Seancën e ka udhëhequr përbërja e re e kuvendit, ndërsa Lladrovci ka mbajtur një fjalim të zgjeruar për drejtimin e komunës në katër vitet e ardhshme.

    Në fjalën e tij, Lladrovci deklaroi se qeverisja në Drenas ka dëshmuar rezultate të larta ndër vite.

    “Qeverisje e mirë e cila çdo vit matet nga faktorët vendorë e ndërkombëtar, ku qeverisja jonë është vërtetuar shtatë herë e para në Kosovë. Në bashkëpunim me juve, shpresoj të bëhemi dhjetë herë kampion të qeverisjes së mirë në nivel vendi”, tha ai.

    Duke iu drejtuar asamblistëve, kryetari theksoi rëndësinë e unitetit dhe bashkëpunimit për të sjellë projekte të reja për qytetarët e komunës.

    Lladrovci e cilësoi momentin si një nder të veçantë, duke u shprehur se përfaqëson qytetarë që kanë dhënë shumë për lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.

    “Një ditë gjatë katër viteve jam plotësisht politik, ditën kur votoj; të gjitha ditët tjera jam njëri nga ju që drejtoj komunën me besimin e qytetarëve me integritet”, u shpreh ai.

    Ai ritheksoi angazhimin e tij për të finalizuar projektet në proces dhe për të nisur iniciativa të reja që synojnë mirëqenien e qytetarëve.

    Kryetari Lladrovci falënderoi përbërjen e kaluar të Kuvendit të Drenasit për vendimet unanime, përfshirë shpalljen e disa personaliteteve “Qytetar nderi”. Ai paralajmëroi se gjatë vitit të ardhshëm, titulli “Qytetar nderi” pritet t’u jepet personaliteteve të njohura të luftës dhe paqes.

    “Shpresoj fort se titullin ‘Qytetar nderi’ do t’ua japim heronjve tanë të luftës dhe paqes, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit”, tha ai.

    Lladrovci vlerësoi kulturën demokratike të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor dhe përkushtimin e tyre për zhvillim komunal.

    Ai përfundoi fjalimin duke thënë se Drenasi mbetet shembull i qeverisjes së mirë:

    “Jam i lumtur të jem në krye të komunës që është shembull i qeverisjes së mirë, transparente dhe llogaridhënëse. Bashkë, do të bëjmë më të mirën për qytetarët kampion, të komunës shtatë herë kampion”.

  • Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj 10 personave për organizim bixhozi

    Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj 10 personave për organizim bixhozi

    Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë ndaj dhjetë (10) personave, A.O, G.N, A.Sh , H.R, M.K, P.A, E.B, A.J, R.B, F.H për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” dhe aktakuzë ndaj F.M për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga Kodi penal i Republikës së Kosovës.

    Sipas aktakuzës që përmban gjithsej njëzetegjashtë (26) faqe, prokurori i shtetit ka përshkruar veprimet inkriminuese për veprat penale të njëmbëdhjetë të pandehurve që u vihen në barrë.

    Nga veprimet hetimore të cilat janë kryer në afatin optimal nga prokurori i çështjes, ka rezultuar se i pandehuri A.O, më 17 gusht të vitit 2025 rreth orës 02:00, në lokalin e tij “Te Katamt” në fshatin Isniq të Deçanit, me dashje e me qëllim të përftimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe personat tjerë, në lokalin e tij të lartcekur, organizon veprimtari të skemave piramidale të bixhozit të paligjshëm, të llojit të lojërave të fatit.

    Prokurori i Shtetit ka akuzuar edhe nëntë (9) të pandehur tjerë të cilët natën kritike, në lokalin e lartë cekur, me dashje e në bashkëkryerje, me qëllim të përftimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe personat tjerë, marrin pjesë në organizimin e veprimtarisë së bixhozit të paligjshëm, të njëjtit hasin të pandehurit e sipërshënuar duke luajtur bixhoz në një dhomë të veçantë brenda lokalit e dedikuar për lojëra bixhozi, ku disa nga ta tentojnë të ikin nga një derë alternative e cila ndodhej brenda asaj dhome, mirëpo të njëjtit arrestohen, ndërsa në tavolinën në të cilën po luanin policia hasin letra të bixhozit si dhe shuma të konsiderueshme të hollave, te secili i pandehur në shumën totale prej 17.578 euro, të cilat sekuestrohen nga ana e Policisë e Kosovës me autorizimin e Prokurorit të Shtetit.

    Ndërsa i pandehuri F.M akuzohet se natën kritike ka poseduar armë për çka ngarkohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, të KPK-së.

    Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit e lartcekur kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruar si me lartë.

    Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtorë dhe të dënohen sipas Ligjit për veprat penale të cila u vihet në barrë.

  • Mbyllje rrugësh, sirena e shtim forcash policore, Ambasada e SHBA njofton për ushtrimin që do ta bëjnë me Policinë e Kosovës

    Mbyllje rrugësh, sirena e shtim forcash policore, Ambasada e SHBA njofton për ushtrimin që do ta bëjnë me Policinë e Kosovës

    Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka njoftuar se, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, do të zhvillojë një ushtrim të përbashkët në shkallë të gjerë të premten, më 12 dhjetor.

    Ushtrimi do të zhvillohet nga ora 15:00 deri në 21:00.

    “Ky ushtrim do të përqendrohet në menaxhimin e krizave, koordinimin ndër-agjencior dhe procedurat e reagimit ndaj emergjencave. Është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës për të forcuar bashkëpunimin në siguri dhe për të siguruar gatishmërinë në reagimin ndaj një sërë incidentesh të mundshme”, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane.

    Gjatë këtij ushtrimi pritet të ketë prani të shtuar të policisë dhe personelit të sigurisë së Ambasadës së SHBA-së, ndërprerje të përkohshme të trafikut dhe mbyllje afatshkurtra të rrugëve, përdorim sirenash dhe altoparlantësh.

    Mes të tjerash, në njoftim thuhet:

    Ambasadat dhe konsullatat e Shteteve të Bashkuara shpesh kryejnë ushtrime me qëllim përgatitjen e punonjësve për emergjenca natyrore ose të shkaktuara nga njeriu. Në përgjithësi, këto arrihen përmes ushtrimeve të brendshme në tavolinë ose në shkallë të vogël. Megjithatë, marrëdhëniet dhe bashkëpunimi i fortë dypalësh midis Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë së Kosovës krijojnë një mundësi unike për të kryer një ushtrim të përbashkët, në shkallë të gjerë dhe me veprim të drejtpërdrejtë për menaxhimin e krizave në Kosovë.

    Gjatë ushtrimit, publiku mund të presë:

    Prani e shtuar e Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë së Ambasadës amerikane në afërsi të Ambasadës amerikane dhe zonave të tjera të caktuara të trajnimit në Prishtinë;

    Ndërprerje të përkohshme të trafikut dhe devijime, duke përfshirë mbyllje afatshkurtra të rrugëve sipas udhëzimeve të Policisë së Kosovës;

    Përdorim i mundshëm i sirenave, altoparlantëve dhe efekteve të tjera stërvitore që mund të jenë të dukshme për banorët dhe kalimtarët.

    Ambasada Amerikane thekson se ky është vetëm një ushtrim, jo ​​një reagim ndaj një incidenti të vërtetë. Ne i kërkojmë publikut mirëkuptim dhe bashkëpunim, si dhe të ndjekë çdo udhëzim të dhënë nga Policia e Kosovës gjatë kësaj periudhe.

  • Avioni në Florida përplaset mbi një veturë, një 57-vjeçare përfundon në spital

    Avioni në Florida përplaset mbi një veturë, një 57-vjeçare përfundon në spital

    Një avion Beechcraft 55 është përplasur mbi një veturë Toyota Camry në autostradën I-95 në Brevard County, Florida, të hënën mbrëma.

    Të gjithë mbijetuan dhe nuk pati lëndime serioze, sipas mediumit lokal WESH-TV.

    Në video shihet avion që bie mbi veturën e cila po lëvizte në shiritin e mesit. Avioni e godet nga mbrapa veturën, dhe vazhdon të rrëshqasë, duke nxjerrë shkëndija derisa ndalet

    Gruaja 57-vjeçare që po voziste Toyotan u dërgua në spital me lëndime të lehta, raportojnë mediat.

    Dy pasagjerët e avionit — të dy 27 vjeç — dolën prej tij pa asnjë lëndim.

    Sipas raportimit, piloti kishte njoftuar më herët për probleme me motorin para tentimit për ulje emergjente. Avioni thuhet se humbi fuqinë në të dy motorët pasi ishte ngritur për një fluturim mësimor nga Merritt Island aty pranë.

  • Vdes gastronomi shqiptar në Zvicër, Daut Haradinaj: Na nderonte sa herë shkonim atje

    Vdes gastronomi shqiptar në Zvicër, Daut Haradinaj: Na nderonte sa herë shkonim atje

    Ka vdekur gastronomi shqiptar në Zvicër, Blerim Asllani.

    Lajmin e bëri të ditur ish-deputeti Daut Haradinaj, i cili tha se Asllani ishte shumë i suksesshëm në gastronomi dhe se për të ishte një adresë ku nderohej.

    “Me keqardhje mora lajmin tragjik për vdekjen e mikut tim Blerim Asllani. Blerimi ishte gastronom tepër i suksesshëm dhe me shumë dashni e respekt na nderonte sa herë ishim në Zvicër. Familjes dhe miqve ju shpreh ngushëllime për këtë humbje të hershme”.

  • Betohen kryetari Alban Hyseni dhe anëtarët e Kuvendit të Gjilanit

    Betohen kryetari Alban Hyseni dhe anëtarët e Kuvendit të Gjilanit

    Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni dhe anëtarët e Kuvendit të komunës, janë betuar të mërkurën, në mbledhjen inauguruese, të cilën e ka udhëhequr anëtari më i vjetër, Isa Agushi.

    “Përkundër faktit që ne vijmë nga subjekte të ndryshme politike, misioni ynë i përbashkët është mbrojtja e interesave të Komunës së Gjilanit dhe qytetarëve të saj bazuar në ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi”, ka thënë Agushi.

    Me ta bënë betimin, kryetari i komunës, Alban Hyseni, gjatë adresimit para kuvendarëve, tha se më shumë se para aktit formal të betimit, sot jemi para një momenti reflektimi, përgjegjësie dhe shprese.

    “Sot, duke qenë para secilit prej jush, unë ndjehem shumë krenar, sepse qyteti ynë ka qytetarë të mirë, të mençur e punëtorë, që besojnë në institucionet e tyre dhe te ardhmja e vendit. Pikërisht mbi këtë bazament moral e shoqëror, ndërtohet edhe vizioni ynë”, tha kryetari Hyseni.

    Ai theksoi se Komuna e Gjilanit tashmë ka nisur një tranformim të vërtetë, që nuk matet vetëm me kilometër gjatësi apo me metra katrore ndërtim, por më shumë matet me mundësi të reja për njerëzit.

    “Në këtë drejtim, bulevardi i ri që po realizohet, po bëhet shpirti modern i qytetit, stadiumi është një hapësirë e krenarisë sportive dhe e rinisë, projekti flows që ka ndikim të madh në përmirësimin e cilësisë së jetës sonë, impianti i ujërave të zeza, që pas një kohe të gjatë do të garantojë fundin e problemeve bazike, banimi i përballueshëm dhe social, një dorë e fortë për familjet që kanë nevojë por edhe ata që duan një fillim të ri. Shkolla e mjekësisë, pas 20 vjetësh, është një vend që do t’i përgatisë brezat e rinj të profesionistëve, për të vazhduar me sallën e sporteve, qendrën e kulturës, stacionin e autobusëve e dhjetëra projekte të tjera”, ka thënë kryetari Hyseni, pas betimit.

  • Familja e Liridonës i hapi derën Tom Dodajt, ai nuk shkoi as për ngushëllime!

    Familja e Liridonës i hapi derën Tom Dodajt, ai nuk shkoi as për ngushëllime!

    Në seancën e sotme në Gjykatën e Apelit, u shqyrtua rasti i Tom Dodajt, i akuzuar për shitjen e armës me të cilën u vra Liridona Ademaj, ngjarje për të cilën ai është dënuar më parë me pesë vjet burgim.

    Dodaj është ngarkuar me veprën penale: “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”.

    Avokati i familjes Ademaj, Leotrim Syla, në një intervistë për IndeksOnlinen thotë se vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë ishte i drejtë dhe ka marrë parasysh të gjitha rrethanat e rastit.

    Ai theksoi se, përkundër faktit që familja Ademaj tërhoqi kërkesën për kompensim material, dënimi i Dodajt është brenda kufijve të dënueshmërisë, të cilat variojnë nga 1 deri në 8 vjet.

    “Pesha e veprës penale dhe pasojat e saj kanë çuar në këtë dënim”, tha Syla. “Shitja e armës, në këtë rast, ka pasur pasoja të rënda dhe është e natyrshme që të shqiptohet një dënim i tillë, pasi nuk mund të krahasohet me shitje të thjeshta armësh”, tha Syla për IndeksOnline.

    Tutje, avokati Syla komentoi mungesën e vizitës së familjes nga ana e të akuzuarit.

    Ai shpjegoi se, pas seancës së shkallës së parë, familja Ademaj i kishte dhënë Dodajt mundësinë të kërkonte falje dhe të ndante dhimbjen me ata, por ai nuk ka bërë asnjë hap në këtë drejtim.

    “Ne e kemi hapur derën për ngushëllime dhe e kemi ftuar të vijë për të kërkuar falje, por ai nuk ka ardhur”, theksoi avokati Syla.

    “Mungesa e kërkimit të faljes dhe të pendesës për veprën që ka shkaktuar ka bërë që lidhja me familjen të mbetet shumë e dobët dhe kjo nuk mund të merret si rrethanë lehtësuese për të.”, deklaroi ai.

    Në fund, avokati i familjes Ademaj shprehu besimin se Gjykata e Apelit do ta vërtetojë vendimin e shkallës së parë.

    Ai tha se, përkundër sjelljes së pafavorshme të të akuzuarit pas dënimit, familja Ademaj beson se vendimi është i drejtë dhe është marrë në përputhje me pasojat që ka shkaktuar vepra penale.

    “Ne e presim që vendimi të konfirmohet, pasi është një dënim i drejtë dhe i bazuar në rrethanat e rastit”, përfundoi Syla.

    Vendimi përfundimtar pritet të merret në ditët në vazhdim.

  • Paralajmërim i ri mjekësor: Ilaçet e dobësimit ju plakin deri në 10 vjet më shpejt

    Paralajmërim i ri mjekësor: Ilaçet e dobësimit ju plakin deri në 10 vjet më shpejt

    Ekspertët po u bëjnë thirrje përdoruesve të medikamenteve të njohura për dobësim për një efekt anësor tronditës, i cili mund t’i plakë ata për një dekadë

    Barnat si Ozempic, Wegovy dhe Mounjaro janë bërë jashtëzakonisht të njohura për shkak të rezultateve të shpejta në humbjen e peshës, por studimet e reja zbulojnë një kosto shqetësuese të këtij “suksesi”.

    Këto barna veprojnë duke shënjestruar receptorët e oreksit në tru, duke krijuar ndjenjën e ngopjes, që si rezultat çon në marrje më të vogël ushqimi dhe humbje peshe. Edhe pse Ozempic është kryesisht ilaç për diabetin e tipit 2, efektet e tij në dobësim kanë çuar në përdorimin e gjerë për këtë qëllim.

    Megjithatë, përveç efekteve anësore tashmë të njohura si rënia e flokëve, problemet me tretjen dhe lëkura e varur, studimet më të fundit tregojnë edhe një problem më serioz.

    Humbja e muskujve është e barabartë me një dekadë plakjeje

    Raporti i studiuesve kanadezë, i kryer në bashkëpunim me Les Mills dhe UKActive, zbuloi se njerëzit që përdorin këto barna humbin një sasi të konsiderueshme të masës muskulore. Ky humbje, thonë ata, është ekuivalente me rreth dhjetë vjet plakje, duke i vënë përdoruesit në moshë të mesme dhe të shtyrë në rrezik të shtuar nga brishtësia dhe dëmtimet nga rrëzimi.

    Raporti më tej thekson: “Humbja e muskujve është veçanërisht shqetësuese për të moshuarit, pasi masa muskulore bie natyrshëm me moshën. Humbja e masës muskulore dhe asaj kockore e lidhur me barnat për dobësim gjithashtu mund të rrisë brishtësinë dhe rrezikun e rrëzimeve.”

    Paralajmërohet se, pa trajnim të mjaftueshëm të forcës për ndërtimin e muskujve, kjo situatë mund të bëhet e rrezikshme, transmeton Telegrafi.

    Mendimi i ekspertëve

    Autorja kryesore e studimit, dr. Jillian Hatfield, profesoreshë e asociuar në Universitetin e Luginës së Fraser në Kanada, shpjegoi përmasat e problemit. Studimi i saj zbuloi se pjesëmarrësit që ushtronin 150 minuta në javë dhe konsumonin 500 kalori më pak sesa rekomandohej, humbën rreth 11 për qind të masës muskulore. Ajo sqaroi se humbje e ngjashme muskulore ndodh pas kirurgjisë bariatrike, trajtimit të kancerit dhe gjatë procesit natyral të plakjes për një periudhë 10-vjeçare.

    Bryce Hastings, drejtor i kërkimeve në Les Mills, theksoi se njerëzit që marrin barna për dobësim duhet të angazhohen rregullisht në trajnim force për të kundërshtuar humbjen e muskujve. Megjithatë, ai vuri në dukje se nevojiten më shumë studime për të kuptuar plotësisht ndikimin e këtyre barnave.

    Përgjigjja e prodhuesve

    Siç raportoi LADbible, në përgjigje të këtyre gjetjeve, Novo Nordisk, prodhuesi i Ozempic dhe Wegovy, lëshoi një deklaratë: “Rekomandojmë që pacientët të marrin këto barna vetëm për indikacionet e tyre të miratuara dhe nën mbikëqyrjen e një profesionisti shëndetësor. Vendimet për trajtim duhet të merren së bashku me një profesionist shëndetësor, i cili mund të vlerësojë përshtatshmërinë e përdorimit të GLP-1 bazuar në profilin individual mjekësor të pacientit.”

    “Në provat klinike për Wegovy, Ozempic ose Rybelsus, nuk kemi studiuar posaçërisht efektin e ilaçit në masën muskulore. Në një nën-studim me 140 pacientë me BMI deri në 40, i kryer si pjesë e studimit STEP 1, denzitometria (DEXA) sugjeroi se trajtimi me Wegovy ishte shoqëruar me ulje si të yndyrës ashtu edhe të masës muskulore, me ulje më të madhe të yndyrës se sa të muskujve”, shtuan ata.

    “Rekomandojmë që të gjithë pacientët që përjetojnë efekte anësore gjatë marrjes së Wegovy, Ozempic ose Rybelsus të kontaktojnë profesionistin e tyre shëndetësor”, raporton Novo Nordisk.

    Eli Lilly, prodhuesi i Mounjaro, gjithashtu lëshoi një deklaratë: “Siguria e pacientëve është prioriteti kryesor i kompanisë Lilly. Ne i marrim seriozisht të gjitha raportimet për sigurinë e pacientëve dhe monitorojmë, vlerësojmë dhe raportojmë në mënyrë aktive informacionet e sigurisë për të gjitha barnat tona. Mounjaro (tirzepatid) duhet të përdoret vetëm kur është përshkruar nga një profesionist shëndetësor, dhe recetat duhet të lëshohen nga farmacitë dhe shpërndarësit e licencuar.”

    “E rëndësishme është që pacientët të ruajnë një dietë të balancuar dhe të angazhohen rregullisht në aktivitet fizik për të mbështetur shëndetin e përgjithshëm, duke përfshirë ruajtjen e masës muskulore. Ne i inkurajojmë pacientët të konsultohen me mjekun ose profesionistin e tyre të kujdesit shëndetësor për të diskutuar çdo efekt të mundshëm anësor që mund të kenë dhe për t’u siguruar që po marrin barnat origjinale të kompanisë Lilly.”

  • “Shvercerat” mbështesin protestën e 13 dhjetorit në Shkup: Lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë dhe për liri

    “Shvercerat” mbështesin protestën e 13 dhjetorit në Shkup: Lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë dhe për liri

    Tifo-grupi i KF Shkupit “Shvercerat” kanë njoftuar se do ta mbështesin protestën e 13 dhjetorit (e shtunë) në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në një njoftim nga ky tifo-grup thonë se “kjo nuk është betejë individuale e as politike, por betejë kombëtare”.

    “Shvercerat Shkup do ta mbështesin protestën e së shtunës ndaj Gjykatës Speciale me 13 dhjetor në sheshin Skenderbeu në Shkup. Jo vetëm se shumë anëtarë të shvercerave kanë qenë pjesë e lavdishme e UÇK-së, por se lufta e kësaj të fundit ka qenë sublime dhe një nga më të mëdhatë në qindvjeçarin e fundit. Kjo nuk është një betejë individuale e as politike, por një betejë kombëtare që na tangon të gjithë neve dhe jo vetëm ata që padrejtësisht sot mbahen në burg”.

    “Lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë për liri, luftë që ka pasur në fokus mbrojtjen e pragut të shtëpisë dhe qytetarëve të pafajshëm të cilët masakroheshin nga ushtria serbe. Ftojmë secilin anëtar të Shvercerave që të jetë pjesë e kësaj proteste, në atë mënyrë që të përçojmë mesazh të qartë se qëndrojmë përkrah njerëzve që zgjodhën lirinë e vendit si të vetmen alternativë”, thonë nga tifo-grupi “Shvercerat”.

  • KQZ i jep tender për zgjedhjet e 28 dhjetorit kompanisë që shtypi fletëvotimet me gabime në balotazh

    KQZ i jep tender për zgjedhjet e 28 dhjetorit kompanisë që shtypi fletëvotimet me gabime në balotazh

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërblyer sërish kompaninë sllovene, “Cetis d.d” dhe “Cetkos” l.l.C. e cila kishte fituar edhe tenderin në zgjedhjet e fundit, për shtypjen e fletëvotimeve dhe broshurave të kandidatëve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2025.

    Kompania sllovene operon në formë konsorciumi me kompaninë vendore Cetis, ndërsa vlera totale e kontratës arrin në 275 mijë euro.

    Sipas njoftimit fitues të projektit janë grupi ekonomik “Cetis d.d” dhe “Cetkos” l.l.C.