ATV

Author: K.B.

  • PDK i shkruan sërish letër Deharit, i kërkojnë ta thërrasë vazhdimin e seancës nesër në ora 11:00

    PDK i shkruan sërish letër Deharit, i kërkojnë ta thërrasë vazhdimin e seancës nesër në ora 11:00

    Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, deputetja Vlora Çitaku, i ka shkruar sërish letër kryesuesit Astrit Dehari për t’i kërkuar që ta thërrasë vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit për nesër në orën 11:00.

    PDK-ja kërkoi që Dehari ta përmbushë “obligimin kushtetues dhe procedural”.

    “I nderuar z. Dehari, Po ju shkruaj sërish, në cilësinë tuaj si kryesues i seancës konstituive sipas moshës, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, kërkojmë nga ju që të përmbushni obligimin tuaj kushtetues dhe procedural dhe që nesër, më 14 gusht 2026, në ora 11.00 të thirrni vazhdimin e seancës konstituive, ashtu siç kërkohet edhe me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letër.

    Moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar, “tashmë ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese”, shkruan PDK-ja në letër. “Mosrespektimi i afateve dhe procedurave të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit vetëm sa e thellon më tej këtë situatë”, shtohet aty.

    PDK-ja thotë se Dehari duhet të ketë parasysh se “sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht tejkalimit të afatit kushtetues, Kuvendi duhet të konstituohet. Shkelja e afatit nuk e shuan detyrimin për konstituimin e tij”.

    “Prandaj, duke e thirrur nesër vazhdimin e seancës konstituive, ju keni mundësinë dhe detyrimin që të parandaloni një shkelje të rëndë dhe të mundësoni vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit. Ju rikujtojmë se roli juaj si kryesues i seancës konstituive sipas moshës është i përcaktuar dhe i kufizuar nga Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit. Përgjegjësia juaj është të mundësoni zhvillimin dhe vazhdimin e seancës deri në konstituimin e Kuvendit. Nuk është në kompetencën tuaj që, mbi bazën e vlerësimeve apo konsideratave politike, të vendosni nëse dhe kur duhet të vazhdojë procesi i konstituimit të Kuvendit”, thuhet në letër.

    Vlerësimet dhe negociatat politike u takojnë forcave politike, shkruan PDK-ja në letër, duke shtuar se “ato mund dhe duhet të zhvillohen vetëm brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës, të cilën të gjithë jemi të obliguar ta respektojmë”.

    “Për këtë arsye, ju kërkojmë që, pa vonesa të mëtejshme, të thirrni për nesër, më 14 gusht 2026, në ora 11.00 vazhdimin e seancës konstituive dhe të mundësoni ushtrimin e mandatit kushtetues të deputetëve të zgjedhur të Republikës së Kosovës”, thuhet në fund të letrës.

  • Deliu: Kuvendi është marrë peng nga LVV-ja, komunikata e djeshme ishte skandaloze

    Deliu: Kuvendi është marrë peng nga LVV-ja, komunikata e djeshme ishte skandaloze

    Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës thanë se do t’i adresohen sekretares së Kuvendit, pasi nga institucioni më i lartë ligjvënës doli dje një komunikatë, ku, ndër tjerash, shkruhej se “në ditën e tretë vizita e sallës plenare u ndërpre për disa minuta, pasi deputetë të PDK-së dhe të AAK-së kishin zënë sallën plenare në një kohë kur nuk ishte thirrur asnjë seancë”.

    Kjo komunikatë ishte “skandaloze”, tha deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.

    “Fatkeqësisht, Kuvendi është marrë peng prej një partie politike e cila provon përmes diktatit ta nënshtrojë edhe administratën e Kuvendit”, tha ajo.

    Deliu tha se “Kuvendi i Republikës nuk është i një partie politike”.

    “Nuk mundet që një parti politike ta shantazhojë administratën e Kuvendit”, tha ajo.

    Deputeti tjetër i PDK-së, Artan Behrami, tha se para zyrës së mediave të Kuvendit të gjitha grupet parlamentare duhet të jenë të njëjtë.

  • Shtrenjtohet sërish nafta e benzina – këto janë çmimet e derivateve në Kosovë

    Shtrenjtohet sërish nafta e benzina – këto janë çmimet e derivateve në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë ka publikuar sërish çmimet maksimale të derivateve për datën 13 gusht.

    Sipas njoftimit, çmimi i naftës edhe për sot është 1.70 euro për litër, tre centë më shtrenjtë se të mërkurën.

    Po ashtu është shtrenjtuar edhe benzina. Sot çmimi i benzinës është 1.48 euro për litër, një cent më shtrenjtë se të mërkurën.

    Gazi vazhdon të jetë me të njëjtin çmim, 0.60 euro për litër.

    Çmimet e derivateve hyjnë në fuqi në ora 10:00 dhe vlejnë 24 orë.

  • Gruda: Avni Dehari të mos abuzojë me përparësinë teknike, kërkojmë seancë nesër

    Gruda: Avni Dehari të mos abuzojë me përparësinë teknike, kërkojmë seancë nesër

    Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, është nisur drejt sekretarit të Kuvendit për të paraqitur një kërkesë lidhur me mbajtjen e seancës konstituive.

    “Po shkojmë të deponojmë një kërkesë të re për Avni Deharin, kryesuesin sipas moshës, që ta mbajë seancën nesër, siç e kërkon Rregullorja e Punës. Avni Dehari është kryesues i seancës jo pse është burrë i mirë, apo pse është intelektual i dalluar, as politikan i përgjegjshëm. Është kryesues i seancës vetëm për një cilësi, për shkak të moshës.Dhe kërkoj të mos abuzohet me këtë përparësi teknike që e ka dhe të mos mbahet Kuvendi i bllokuar.Por po e dorëzojmë kërkesën dhe do të kemi një adresim për ju”, tha ai para mediave.

  • Hoxhaj: Rendi kushtetues ka rënë, PDK do të kërkojë seancën pas 48 orësh

    Hoxhaj: Rendi kushtetues ka rënë, PDK do të kërkojë seancën pas 48 orësh

    Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se rendi kushtetues i Kosovës ka rënë, duke kërkuar nga kryesuesi i Kuvendit sipas moshës, Avni Dehari, që të caktojë seancën e re konstituive.

    Hoxhaj e ka cilësuar si absurde situatën aktuale politike në vend, duke theksuar se institucionet, sipas tij, janë bllokuar për një periudhë të paprecedentë.

    “Çka po ndodhë në këtë vend është absurde dhe nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e Kosovës. Ne kemi pasur zgjedhje në shkurt, në dhjetor, në qershor. Kemi pasë tri palë zgjedhje nacionale. Asnjëherë nuk ka ndodhur që dikush 18 muaj e 5 ditë t’i bllokojë institucionet”, tha Hoxhaj.

    Ai ka bërë të ditur se PDK do t’i drejtojë sërish kërkesë Avni Deharit për mbajtjen e seancës konstituive brenda 48 orësh.

    Hoxhaj paralajmëroi gjithashtu se PDK do ta zhvendosë aktivitetin e saj edhe jashtë Kuvendit, përmes formave më të gjera të mobilizimit politik, demokratik dhe qytetar.

  • Lushtaku para qeverisë: Ku je kryeministër? Me gjasë paska pi mbrëme

    Lushtaku para qeverisë: Ku je kryeministër? Me gjasë paska pi mbrëme

    Deputetët e PDK-së kanë bllokuar hyrjen e Qeverisë së Kosovës në shenjë proteste ndaj, siç e kanë cilësuar, “hallakamës politike”.

    Deputeti i kësaj partie, Mërgim Lushtaku, i cili iu bashkua kolegëve të tij në orët e hershme të mëngjesit, ka reaguar edhe përmes një postimi në Facebook, duke pyetur: “Ku je, kryeministër?”.

    “Ora është 8:16 dhe me gjasë kryeministri paska pirë mbrëmë dhe nuk qenka zgjuar për të ardhur në punë. Ku je, kryeministër? REPUBLIKË – KUSHTETUTË”, ka shkruar Lushtaku.

    Ndërkohë, PDK-ja ka paralajmëruar një sërë veprimesh, për shkak të asaj që kjo parti e konsideron shkelje të Kushtetutës nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe Lëvizja Vetëvendosje.

  • Ngjarjet në Kuvend, Blerta Deliu: Po e mbyllim për sot, do të jemi këtu edhe nesër, do të jemi këtu çdo ditë

    Ngjarjet në Kuvend, Blerta Deliu: Po e mbyllim për sot, do të jemi këtu edhe nesër, do të jemi këtu çdo ditë

    Deputetja e PDK’së, Blerta Deliu, ka thënë se kjo parti s’do i ndalë veprimet për ta ruajtur rendin Kushtetues.

    Deliu nga Kuvendi ka thënë se nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa kthimi tek rendi Kushtetues.

    ‘’Thirrja jonë është që të kthehet rendi Kushtetues. Asgjë nuk ka më të rëndësishme sot se kthimi në rendin kushtetues. Ne po e mbyllium këtu sot, por do të vazhdojmë të jemi në kuvend. Nuk do t’i ndalim veprimet tona politike, institucionale, demokratike por edhe veprime të tjera, për ta ruajtur rendin Kushtetues’’, ka thënë Deliu.

    ‘’Sjelljet që sot i keni parë, inskenimet, përpjekjet për ta shndërruar këtë seancë në normalitet, janë thirrje kaotike, sot kuvendi ka nevojë për konstituim. Po shkunden themelet e shtetit të Kosovës. Nuk guxon askush ta mbyllë parlamentin, nuk guxojnë që dyertë të mbyllen, ne do të jemi këtu edhe nesër, do të jemi këtu çdo ditë, aksionet tona ligjore kushtetuese, politike nuk do të mungojnë për ta kthyer Kosovën në binarë të saj, dhe stabilitetin në vend’’, ka deklaruar Deliu.

  • Mërgim Lushtaku shtyhet fizikisht me Adnan Rrustemin gjatë adresimit për media, ndërhyjnë deputetet tjerë

    Mërgim Lushtaku shtyhet fizikisht me Adnan Rrustemin gjatë adresimit për media, ndërhyjnë deputetet tjerë

    Deputeti i PDK’së, Mërgim Lushtaku, është përplasur me deputetin e Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, në sallën e Kuvendit.

    “Thirreni seancën, leni pallavrat. Demagogë”, u dëgjua t’i thoshte Lushtaku Rrustemit dhe deputetit tjetër, Ardian Gola.

    “Kjo s’është normale”, shtoi ai.

    Më pas ata u shtynë fizikisht, ndërsa ndërhynë deputetë të tjerë për të qetësuar situatën.

  • Gruda debaton me deputetet e VV gjatë përplasjeve, Gërvalla: Kemi afat deri më 6 shtator për konstituimin e Kuvendit

    Gruda debaton me deputetet e VV gjatë përplasjeve, Gërvalla: Kemi afat deri më 6 shtator për konstituimin e Kuvendit

    Deputeti i PDK’së, Përparim Gruda, është ballafaquar me deputetët e Vetëvendosjes në sallën e Kuvendit.

    Ministrja në detyrë e drejtësisë, Donika Gërvalla, në pyetjen e Grudës se pse s’po e thirrin seancën konstituive, Gërvalla tha se ka edhe 30 ditë afat.

    “Ne i kemi edhe 30 ditë nga dita kur mblidhet Kuvendi”, tha Gërvalla.

    “Pra, deri më 7 shtator apo?”, e pyeti Gruda.

    “Jo s’është deri më 7 qershor, po më 6 qershor”, iu përgjigj Gërvalla.

    “Media të nderuara, ministrja e Drejtësisë po thotë deri më 6 shtator. 60 ditë për Kuvendin”, tha Gruda më pas.

    “A të kam caktuar zëdhënës apo qysh. Mos fol në emër tem. Unë thashë i kemi 30 ditë që do t’i shfrytëzjmë maksimalisht me gjet një marrëveshje”, tha ajo.

  • Vazhdojnë tensionet, deputetët e PDK-së dhe Aleancës e gjuajnë me letra Gërvallën

    Vazhdojnë tensionet, deputetët e PDK-së dhe Aleancës e gjuajnë me letra Gërvallën

    Po vazhdojnë përplasjet në Kuvendin e Kosovës ku po kërkohet vazhdimi i seancës konstituive.

    Deputetët e PDK-së, dhe ata nga radhët e Aleancës, e kanë gjuajtur me ujë dhe letra ministren në detyrë të Drejtësisë, Donika Gërvallën, njofton Klankosova.tv.

    Më pas, kanë vazhduar edhe thirrjet e deputetëve nga këto dyja parti: “Thirreni seancën”.