ATV

Author: K.B.

  • Fatmir Limaj intensifikon fushatën e NISMËS Socialdemokrate para zgjedhjeve të 28 dhjetorit

    Fatmir Limaj intensifikon fushatën e NISMËS Socialdemokrate para zgjedhjeve të 28 dhjetorit

    Kandidati për kryeministër nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj gjatë ditës së tretë të fushatës ka zhvilluar takime të shumta me qytetarët, duke kërkuar mbështetjen e tyre dhe duke dëgjuar shqetësimet e tyre, por edhe prezantuar vizionin dhe programin e partisë për një qeverisje transparente dhe zhvillim ekonomik.

    Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Limaj ka theksuar mobilizimin e qytetarëve dhe vullnetarëve anembanë Kosovës. Ai ka thënë se rreshti po rritet dhe rrethimi po çahet, duke bërë thirrje që të gjithë qytetarët të bashkohen për të çuar përpara ndryshimin dhe të ardhmen e vendit.

    Kandidati për kryeministër ka bërë thirrje për unitet dhe përfshirje të të gjithëve në procesin politik, duke theksuar se vetëm me bashkëpunim mund të tejkalohet sfida aktuale dhe të ndërtohet një të ardhme më e qëndrueshme për vendin.

    Limaj ka premtuar se në qeverisjen e ardhshme fokus do të ketë transparencën, zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e shërbimeve publike për të gjithë qytetarët e Kosovës.

  • LPRK në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Galushi bën thirrje për mbështetje maksimale

    LPRK në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Galushi bën thirrje për mbështetje maksimale

    Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës (LPRK), e udhëhequr nga kryetari Erxhan Galushi, ka hyrë zyrtarisht në garën për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. Në ditën e tretë të fushatës, Galushi u bëri thirrje të gjithë qytetarëve, dhe veçanërisht komunitetit rom, që të japin mbështetjen e tyre për LPRK dhe për kandidaturën e tij.

    Gjatë ditës, Galushi adresoi edhe shqetësime të qytetarëve në lidhje me presionin mbi votën e tyre. Ai theksoi se bursat e fituara nga fëmijët e komunitetit rom janë merita e tyre dhe nuk varen nga asnjë politikan.

    Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës garon me numër 115.

  • Në Obliq, Fushë Kosovë e Prishtinë, Abdixhiku premton investime dhe pavarësi energjetike

    Në Obliq, Fushë Kosovë e Prishtinë, Abdixhiku premton investime dhe pavarësi energjetike

    Në ditën e tretë të fushatës zgjedhore, kryetari i LDK-së dhe kandidati për Kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur tubime në Obliq, Fushë Kosovë dhe Prishtinë, ku ka prezantuar programin politik të partisë dhe kandidatët për deputetë nga këto komuna.

    Gjatë fjalimit të tij, Abdixhiku kritikoi Kurtin që edhe me 42 për qind nuk arriti të formojë qeverinë.

    Abdixhiku, banorëve të Obiliqit i’u premtoi investim 5 miliardë euro dhe njoftoi për planet për ndërtimin e një centrali të ri me gaz, që do të sigurojë pavarësi energjetike për vendin.

    Kurse në tubimin në Fushë Kosovë, Abdixhiku premtoi Unazën e Kryeqytetit, si një projekt jetik që lehtëson qarkullimin, edhe në këtë komunë, teksa kërkoi vote për dy kandidatët për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

  • Ramush Haradinaj kërkon votën e Ferizajit, shpalos vizionin e AAK-së

    Ramush Haradinaj kërkon votën e Ferizajit, shpalos vizionin e AAK-së

    Në ditën e tretë të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) mbajti një tubim në Ferizaj, ku kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, u prit nga qytetarë të shumtë.

    “Ferizaji është qytet i njerëzve punëtorë, qytet i punës, i bashkëjetesës dhe i zhvillimit, një motor i rëndësishëm i Kosovës moderne”, tha Haradinaj, duke shtuar se mbështetja e qytetarëve tregon se Ferizaji kërkon politika që krijojnë punësim, vendime të guximshme dhe një qeverisje që i shërben qytetarit.

    Ai gjithashtu theksoi se motoja e partisë, ‘Krah Teje’, është udhërrëfyesi i vizionit të saj për një Kosovë më të drejtë dhe më të zhvilluar. Në fjalimin e tij, Haradinaj nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit qytetar–institucion.

    Përveç tubimit, ai ndau edhe një postim në rrjetet sociale, të shoqëruar me foto, ku rikujtoi masat ekonomike të vendosura gjatë mandatit të tij, duke përmendur taksën 100% ndaj Serbisë si një vendim strategjik për mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës. Ai shtoi se taksa dhe masat shoqëruese ndihmuan në rritjen e prodhimit vendor dhe aktivizimin e sektorit të brendshëm ekonomik.

  • Nexhmedin Spahiu kritik me Ramën: S’shkohet gruan e huaj me kapë për qafe, e turpshme – Si u ndje zotëria i parë?

    Nexhmedin Spahiu kritik me Ramën: S’shkohet gruan e huaj me kapë për qafe, e turpshme – Si u ndje zotëria i parë?

    Nexhmedin Spahiu ka kritikuar ashpër kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për ndërhyrjen e tij gjatë një paraqitjeje publike të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke e cilësuar veprimin si të pahijshëm dhe poshtërues.

    Spahiu tha se sjellja e Ramës ishte e papranueshme dhe jashtë çdo norme të etikës shtetërore.

    “Sjellja e tij ishte skajshmërisht e pahijshme, pa skrupull dhe e turpshme. Nuk shkohet gruaja e huaj me e kap përqafe. Mund ta imagjinoj se si ndihet zotëria i parë i Kosovës për këtë rast. Unë, si qytetar i Kosovës, jam ndier tepër i poshtëruar nga kjo sjellje,” u shpreh Spahiu.

    Sipas tij, veprimi i Ramës përbën në radhë të parë nënçmim ndaj Presidentes Osmani, pavarësisht se në pamje të parë mund të duket si një gjest lavdërues.

    “Ai ka mundur shumë lehtë ta shprehte vlerësimin në një konferencë për media, duke thënë se meritat i ka Presidentja. Kjo do të ishte krejt normale. Por të ndërhysh në mes të një paraqitjeje publike dhe ta përqafosh një grua të huaj, nuk më duket aspak e hijshme,” theksoi Spahiu.

    Ai shtoi se Rama ka bërë edhe më herët gjeste të ngjashme, përfshirë edhe ndaj kryeministrit të Kosovës, duke i cilësuar këto sjellje si të papërshtatshme dhe poshtëruese.

    Deri mysafirë e tjerët nuk u pranuan me këto deklarata, Saphiu vazhdoj analizën e tij tutje duke thëne së veprimi i Ramës nuk kishte qëllime të nngacmimi seksual, por poshtërimi në një formë tjetër.

    “Qëllimi nuk ka qenë ngacmimi seksual, por ka qenë nënçmimi. Edhe në një moment gëzimi, sjelljet nuk manifestohen në këtë formë Ai do të mund të kishte dalë edhe lakuriq.” tha ai në emisionin “Kosova Live”.

  • Presidenti sllovak vjen në Kosovë për të vizituar ushtarët në KFOR

    Presidenti sllovak vjen në Kosovë për të vizituar ushtarët në KFOR

    Presidenti i Sllovakisë, Peter Pellegrini, pritet që të dielën (21 dhjetor) të vizitojë ushtarët sllovakë që shërbejnë në Kosovë në kuadër të misionit ndërkombëtar të udhëhequr nga NATO, KFOR.

    Kështu ka bërë të ditur për agjencinë e lajmeve sllovake TASR, Departamenti i Komunikimit i Zyrës së Presidentit, duke shtuar se kjo vizitë përbën udhëtimin tradicional para Krishtlindjeve të presidentit për të takuar pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Sllovakisë që shërbejnë jashtë vendit.

    Sipas njoftimit, në vizitë do të marrin pjesë edhe anëtarë të familjeve të ushtarëve që kanë kërkuar vazhdim të shërbimit në këtë mision.

    “Përveç dimensionit zyrtar, vizita do të ketë edhe një dimension të veçantë familjar, si shenjë respekti dhe mbështetjeje jo vetëm për ushtarët, por edhe për familjet e tyre”, thuhet në komunikatë.

    Pas takimit me kontingjentin sllovak në Kosovë, Pellegrini do të udhëtojë për në Beograd, ku do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Serbi – e para e një kreu shteti sllovak pas 16 vjetësh.

    Sipas Zyrës së Presidentit sllovak, kjo vizitë është pjesë e një serie udhëtimesh në vendet e Ballkanit Perëndimor, me synimin për të shprehur mbështetjen afatgjatë të Sllovakisë për integrimin evropian të rajonit.

    Bisedimet me zyrtarët shtetërorë në Beograd thuhet se do të përqendrohen në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe sfidat aktuale gjeopolitike.

  • Komuna e Prizrenit ndalon fishekzjarret prej 25 dhjetorit deri më 3 janar

    Komuna e Prizrenit ndalon fishekzjarret prej 25 dhjetorit deri më 3 janar

    Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka marrë vendim për ndalimin e ndezjes së fishekzjarrëve dhe përdorimit të mjeteve piroteknike në hapësira të hapura publike dhe në zona të banuara në gjithë territorin e komunës.

    Sipas urdhëresës së nxjerrë, kjo ndalesë do të jetë në fuqi nga data 25 dhjetor 2025 deri më 3 janar 2026.

    Përjashtim nga ky vendim është bërë vetëm për natën e ndërrimit të viteve.

    Më 31 dhjetor 2025, përdorimi i fishekzjarrëve do të lejohet nga ora 23:30 deri në 00:30 të 1 janarit 2026, për një kohëzgjatje prej një ore.

    Nga Komuna e Prizrenit u bëhet thirrje qytetarëve që ta respektojnë këtë urdhëresë, e cila synon ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve si dhe mbrojtjen e ambientit gjatë festave të fundvitit.

  • Më 22 dhjetor mbahet seanca e Supremes për rastin ndaj Dardan Krivaqës

    Më 22 dhjetor mbahet seanca e Supremes për rastin ndaj Dardan Krivaqës

    Në Gjykatën Supreme pritet që më 22 dhjetor 2025 të mbahet seanca për shqyrtimin e ankesës së ushtruar kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila ka vërtetuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës.

    Krivaqa është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Marigona Osmanit, ndërkaq Sejdiu me 15 vjet burgim për ndihmë në kryerjen e kësaj vepre penale.

    Gjykata e Apelit kishte vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë i marrë nga Gjykata Themelore e Ferizajt më 29 korrik 2024, duke konfirmuar se Dardan Krivaqa i akuzuar për vrasjen e Marigona Osmanit, do të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm. Gjithashtu, Apeli kishte vërtetuar dënimin prej 15 vitesh edhe ndaj Arbër Sejdiu, i akuzuar për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje.

    Më pas, Gjykata Supreme kishte njoftuar për “Betimi për Drejtësi” se rasti ishte kthyer në Gjykatën e Apelit për përmirësim.

    Në vendimin e Apelit, nuk ishte njohur e drejta në ankesë, edhe pse dënimi ndaj Krivaqës ishte me burgim të përjetshëm nga Themelorja e i vërtetuar nga Apelit, e që në këto raste Kodi i Procedurës Penale parasheh të drejtën e ankesës. Konkretisht, në nenin 407, pika 1, pika 1.1, parashihet kjo e drejtë e të akuzuarit- e të cilën të drejtë Apeli kishte harruar ta njihte me kolegjin e gjyqtarëve, me kryetar gjykatësin Xhevdet Abazi, gjyqtare referuese- Kadrije Goga-Lubishtani dhe anëtar- gjyqtarin Hashim Çollaku.

    “1. Ankesë kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit mund të paraqitet në Gjykatën Supreme të Kosovës në rastin kur: 1.1. Gjykata e Apelit shqipton dënim me burgim të përjetshëm ose vërteton aktgjykimin e gjykatës themelore me të cilin është shqiptuar dënim i tillë”, thuhet në Kod.

    Më pas, Gjykata e Apelit me aktvendimin e 9 shtatorit 2025 kishte përmirësuar aktgjykimin e vet, duke shtuar pjesën e Këshillës Juridike ndaj vendimit të kësaj shkalle.

    Ndryshe, fillimisht Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht 2023 e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasje e Marigona Osmanit. Ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim. Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje. Sejdiu ishte liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim.

    Por, Gjykata e Apelit me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe mbrojtjes së dy të akuzuarve, e ka kthyer çështjen në rigjykim.

    Më 29 korrik 2024, Themelorja edhe në rigjykim e shpallur fajtor Krivaqën, duke e dënuar sërish me burgim të përjetshëm. Këtë vendim, e vërtetoi Apeli.

    18 vjeçarja Marigona Osmani u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.

    Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa thuhet se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.

    Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se kanë privuar nga jeta Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri Dardan Krivaqa më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar të njëjtën për të kryer marrëdhënie seksuale, e cila siç thuhet në aktakuzë përcillet me tortura.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, aty thuhet se i pandehuri Krivaqa fillimisht pa dëshirën e tani të ndjerës ka kryer marrëdhënie seksuale në sallon, pas kryerjes së aktit seksual të njëjtën të zhveshur e kishte dërguar në banjo, nga aty me dhunë e kishte dërguar në dhomën e gjumit, mirëpo me kalimin e kohës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore tani e ndjera Marigona Osmani si pasojë e dhunës së ushtruar kishte humbur aftësinë për të rezistuar, e ku në dy raste në mbrëmje kishin kryer marrëdhënie seksuale, pastaj i pandehuri Dardan të zhveshur e kishte dërguar në banjë, e ku i vërehen edhe lëndimet në trup.

    Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, par. 4, nënpar 4.1, lidhur me par.1 të Kodit Penal.

    Sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, i pandehuri Arbër Sejdiu më 21 gusht 2021, në banesën e të pandehurit të parë në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje i kishte ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaqa në kryerjen e veprës penale të dhunimit.

    Sipas aktit akuzues thuhet se fillimisht dy të pandehurit kishin kontaktuar përmes telefonit dhe ishin takuar në qytet, pastaj së bashku ishin kthyer në banesë, ku i pandehuri Arbër posa kishte arritur, duke qenë në dijeni se i pandehuri Dardan është duke e dhunuar tani të ndjerën Marigona Osmani, me dashje kishte marrë veprime me të cilat lehtësohet kryerja e dhunimit.

    Tutje thuhet se dy të pandehurit së bashku kishin hyrë në dhomën ku kryhet dhunimi, e ku e ndjera ishte e zhveshur, e të cilin veprim gjatë qëndrimit në banesë e merr disa herë, po ashtu dhe gjatë asaj kohe kishte përcjellë gjendjen nëse ndonjë nga banorët është duke lëvizur aty pari.

    Siç e përshkruan aktakuza, i pandehuri Arbër Sejdiu po ashtu edhe disa herë kishte dalë nga banesa për të blerë gjëra ushqimore, ndërsa gjatë gjithë kohës dy të pandehurit kishin biseduar mes vete, kështu tutje, të pandehurit Dardan Krivaqa i kishte dhënë telefonin për të thirrë kompaninë e cila menaxhon kamerën, që ishte e vendosur në korridorin e banesës me qëllim që të fshihen video-incizimet, gjegjësisht provat e veprës penale.

    Me këtë, Sejdiu akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e dhunimit” nga neni 227, par 4, nënpar. 4.1, lidhur me par. 1 dhe nenin 33 të Kodit Penal.

    Kjo aktakuzë në dispozitivin e III-të, dy të pandehurit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu i ngarkon për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

    Aty thuhet se më 22 gusht 2021, në banesën e të pandehurit Dardan Krivaqa, në rrugën “Ramadan “Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje dhe në bashkëkryerje, me qëllim të fshehjes së veprës penale dhunimi e kanë privuar nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me të cilën i pandehuri i parë ishte në bashkësi jashtëmartesore.

    Tutje, sipas aktakuzës, përshkruhet se në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë kishte marrë një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë kishin hyrë në dhomë dhe kishin filluar ta godasin tani të ndjerën në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i kanë shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psiqike, ku nga goditjet e njëjta ka pësuar politrauma-lëndime të shumëfishta, ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerja e ashtit të nofullës së poshtme, thyerja e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrit në qafë, të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty.

    Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par. 1, nënpar. 1.3, 1.4 dhe 1.7, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

    Ndryshe, dosja e plotë e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, tregon në detaje se si ka ndodhur i gjithë rasti.

    Kujtojmë se më 29 prill 2024, Gjykata Themelore në Ferizaj njoftoi se në një rast tjetër, Krivaqa u dënua me 4 vjet burgim për grabitje në një kazino. /BetimipërDrejtësi

  • Kosova merr Presidencën e Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë

    Kosova merr Presidencën e Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë

    Kosova ka marrë presidencën e Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë gjatë mbajtjes së takimit të 24-të të këtij këshilli, duke u vendosur në qendër të vendimmarrjes rajonale për politikat energjetike.

    Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka vlerësuar marrjen e presidencës si një përgjegjësi të rëndësishme institucionale dhe një mundësi për të avancuar agjendën reformuese në kuadër të Komunitetit të Energjisë.

    Ajo theksoi se duke filluar nga viti 2026, Kosova do të ushtrojë udhëheqjen politike të procesit vendimmarrës në këtë forum ndërkombëtar.

    “Për ne, prioritet do të jetë, sigurisht që të shtyjmë reformat e nisur në kuadër të këtij forumi ndërkombëtar, mirëpo me kujdes të veçantë për sigurinë energjetike dhe përballueshmërinë e çmimeve për Kosovën dhe për vendet e tjera të Komunitetit”, ka thënë ajo në një lidhje direkte nga Viena për RTK.

    Në kuadër të këtij takimi, Këshilli i Ministrave ka miratuar rastin ndaj Serbisë për bllokimin e interkoneksionit energjetik me Republikën e Kosovës.

    “Ky bllokim, i cili ka vazhduar për më shumë se pesë vjet, ka shkaktuar pasoja të drejtpërdrejta negative në funksionimin e sistemit energjetik të Kosovës, duke rritur ngarkesën e rrjetit dhe kostot e transmisionit përmes linjave alternative me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Republikën e Shqipërisë”, tha tutje ministrja.

    Si rezultat, Serbia ëhstë obliguar që të mundësojë shfrytëzimin e kësaj linje për tregti ndërkufitare të energjisë elektrike, më së largu deri më 1 korrik 2026.

    “Kjo pritet të kontribuojë në përmirësimin e sigurisë energjetike, uljen e kostove të kapaciteteve ndërkufitare dhe, rrjedhimisht, në stabilizimin e tarifave për konsumatorët.Gjatë takimit, ministrat e vendeve anëtare kanë diskutuar gjithashtu çështje me rëndësi strategjike për sektorin e energjisë, përfshirë sigurinë energjetike, integrimin e tregut rajonal dhe zhvillimet e fundit në kuadër të Komunitetit të Energjisë, duke theksuar rëndësinë e respektimit të parimeve të bashkëpunimit dhe funksionimit të tregut të lirë të energjisë”, ka shtuar tutje ministria.

  • Gjenden mbetje mortore në Rahovec, Komisioni për persona të zhdukur jep detaje

    Gjenden mbetje mortore në Rahovec, Komisioni për persona të zhdukur jep detaje

    Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZh) ka nisur kërkime në një lokacion në rajonin e Rahovecit, i njohur si “Përzhina”, në afërsi të varrezave të qytetit, pas analizimit të të dhënave të siguruara nga arkivat ndërkombëtare me përkrahjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK).

    Sipas njoftimit, gërmimet kanë filluar ditën e djeshme, gjatë së cilës janë gjetur dy pjesë eshtërore, të cilat janë dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    Ndërkaq, gjatë ditës së sotme janë gjetur mbetje mortore të të paktën një individi, për të cilat dyshohet se mund t’i përkasin viktimave të luftës që figurojnë në listën e personave të zhdukur.

    Nga Komisioni është bërë e ditur se ky lokacion është edhe lokacioni i fundit i planifikuar për gërmime vlerësuese gjatë vitit 2025.

    Me këtë rast, institucionet kanë njoftuar se të enjten, më 19 dhjetor, duke filluar nga ora 11:00, do të ketë prononcim për media nga vetë lokacioni, lidhur me ecurinë e deritanishme të aktiviteteve kërkimore në këtë dhe lokacionet tjera.

    Gërmimet po realizohen nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, Sektori për Hetimin e Personave të Zhdukur Gjatë Luftës në kuadër të Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, si dhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.