ATV

Author: K.B.

  • Eurostat, Shqipëria në krye të listës për rënie të popullsisë

    Eurostat, Shqipëria në krye të listës për rënie të popullsisë

    Shqipëria vijon të përballet me një rënie të ndjeshme të popullsisë, duke shënuar ritmet më të larta negative në rajon.

    Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat, Shqipëria renditet ndër shtetet me tkurrjen më të madhe demografike, si pasojë e emigracionit të lartë dhe rënies së lindshmërisë.

    Të dhënat tregojnë se ndryshimi i popullsisë në Shqipëri ndikohet kryesisht nga bilanci negativ migrator, ndërsa rritja natyrore (lindje minus vdekje) mbetet shumë e ulët.

    Kjo e dallon Shqipërinë nga disa vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat, ndonëse po përballen me plakje të popullsisë, kanë ritme më të moderuara të rënies.

    Eurostat vë në dukje se trendi është afatgjatë dhe lidhet me largimin e të rinjve drejt vendeve të BE-së, mungesën e kthimit të emigrantëve dhe uljen e numrit të lindjeve vit pas viti. Shqipëria, sipas këtyre të dhënave, po humbet popullsi më shpejt se mesatarja e rajonit dhe e disa vendeve të Europës Lindore.

    Këto zhvillime pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në tregun e punës, sistemin e pensioneve dhe zhvillimin ekonomik, duke e bërë sfidë madhore për politikat publike në vitet në vijim..

  • Ish – ministri i Tregtisë dhe disa zyrtarë të arrestuar për korrupsion në aksionin e AKI-së dhe PK-së

    Ish – ministri i Tregtisë dhe disa zyrtarë të arrestuar për korrupsion në aksionin e AKI-së dhe PK-së

    Shtatë zyrtarë përfshirë edhe ish- ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, F. I janë arrestuar për korrupsion dhe keqëprorim të detyrës zyrtare.

    Ata janë arrestuar në një aksion të zhvilluar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, pas një hetimi disamujore të kryer nga Policia e Kosovës dhe institucionet tjera relevante.

    Detaje për aksionin ka dhënë ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

    “Në këtë rast janë të përfshirë disa zyrtarë të lartë publikë dhe persona përgjegjës, përfshirë: kryetarin e degës së Gjykatës së Graçanicës, J. M.; zyrtarë nga avokatura N. K., M. D. dhe B. D.; ekspertin e gjykatës Sh. T.; zyrtarin në Departamentin e Shpronësimeve; zyrtari i ATK G.L si dhe ish-ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, F.I”, ka shkruar Sveçla.

  • LDK premton rritje pagash, punësim të garantuar dhe pensione 100% më të larta

    LDK premton rritje pagash, punësim të garantuar dhe pensione 100% më të larta

    Në ditën e dytë të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, kryetari i LDK-së dhe kandidati për Kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur tubime në Gjakovë, Rahovec dhe Malishevë, ku prezantoi programin politik dhe kandidatët për deputetë nga këto komuna.

    Abdixhiku tha se Kosova ndodhet në krizë të thellë institucionale, me parlament të bllokuar dhe vendimmarrje të paralizuar.

    Duke shpalosur zotimet e tij, Abdixhiku premtoi se në qeverisjen e LDK-së çdo fëmijë i porsalindur do të mbështetet me 200 euro në muaj. Investim prej 1 miliard eurosh për çerdhe dhe shkolla, si dhe punësim të garantuar për çdo të sapodiplomuar në të gjithë Kosovën, me pagë 500 euro për gjashtë muajt e parë për secilin që diplomon në Republikën e Kosovës.

    Po ashtu, Abdixhiku u zotua se paga e mësuesve do të jetë 1 mijë euro, e infermierëve 975 euro, ndërsa policët, ushtarët dhe zjarrfikësit do të kenë pagë 900 euro. Ai premtoi gjithashtu se brenda tre viteve pensionet do të rriten për 100 për qind.

  • PDK premton fond për papunësinë, rritje pagash dhe lehtësira për bizneset

    PDK premton fond për papunësinë, rritje pagash dhe lehtësira për bizneset

    Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, ka vazhduar ditën e dytë të fushatës elektorale me takime në Vushtrri dhe Fushë Kosovë, ku prezantoi programin e tij qeverisës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

    Gjatë tubimeve, Hamza theksoi se Kosova ka nevojë për një kapitull të ri të qeverisjes, stabilitet, zhvillim dhe shpresë për qytetarët. Ai vuri në dukje se, megjithë premtimet e mëdha të viteve të fundit, rezultatet kanë qenë të vogla, duke sjellë pasiguri dhe rritje të kostos së jetesës.

    Ai premtoi se në qeverisjen e tij do të krijohet fondi për papunësi që do të sigurojë pagesën për punëtorët e larguar nga puna për gjashtë muaj, formimi i një gjykate të veçantë për punën, që do të mbrojë të drejtat e punëtorëve në sektorin publik dhe privat, lehtësira për bizneset, përfshirë heqjen e TVSH-së për importet dhe ndryshime në ligjin e tatimit në pronë.

    Ai po ashtu premtoi rritje te pagave me 50% për mësuesit, zjarrfikësit, përfituesit e kategorive të dala nga lufta, si dhe për pensionistët dhe familjet e dëshmorëve.

  • NISMA Socialdemokrate hap fushatën për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    NISMA Socialdemokrate hap fushatën për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Nisma Socialdemokrate ka hapur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, me një tubim madhështor hapës, ku u bë edhe prezantimi i kandidatëve për deputetë.

    Në këtë tubim, kryetari i Nismës Socialdemokrate dhe kandidati për kryeministër, Fatmir Limaj, u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të votojnë numrin 122, duke theksuar se çdo votë për Nismën ka peshë dhe përfaqëson shpresë reale për ndryshim.

    Ai iu drejtua posaçërisht bashkëluftëtarëve dhe shokëve të luftës, duke rikujtuar rrugëtimin nga ditët e para të rezistencës e deri në çlirimin e Kosovës.

    Në përmbyllje, lideri i Nismës Socialdemokrate kërkoi mbështetjen e qytetarëve nga e gjithë Kosova, duke nënvizuar rëndësinë e unitetit dhe vendosmërisë.

  • KDTP shënon ditën e dytë të fushatës me takime dhe mesazhe të forta nga Prizreni

    KDTP shënon ditën e dytë të fushatës me takime dhe mesazhe të forta nga Prizreni

    Në ditën e dytë të fushatës zgjedhore të Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor, Kryetari i KDTP-së, Fikrim Damka, zhvilloi një vizitë në Shoqatën e Alumnive Turke.

    Gjatë takimit kryetari Damka, diskutoi për kontributin e rëndësishëm të alumnive turke në jetën shoqërore dhe arsimore në Kosovë dhe bashkëpunimet institucionale.

    Po në kuadër të ditës së dytë të fushatës në Qendrën Kulturore të Prizrenit u mbajt prezantimi i kandidatëve dhe nisja zyrtare e fushatës së KDTP-së. Në këtë takim, Kryetari i Përgjithshëm, z. Fikrim Damka, prezantoi kandidatët për deputetë dhe shpalosi programin zgjedhor të partisë.

  • VV premton rritje të shtesave, mbështetje për fermerët dhe projekte infrastrukturore në Suharekë

    VV premton rritje të shtesave, mbështetje për fermerët dhe projekte infrastrukturore në Suharekë

    Në kuadër të ditës së dytë të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka mbajtur tubim zgjedhor në Suharekë.

    Gjatë fjalimit të tij, Kurti theksoi rëndësinë e mobilizimit qytetar për të siguruar një fitore më të madhe se ajo e 9 shkurtit, duke nënvizuar nevojën për një rezultat më të fortë se zakonisht.

    Ai prezantoi programin ekonomik dhe social të partisë, duke përfshirë rritjen e shtesave për fëmijë dhe nëna, si dhe mbështetjen për fermerët. Kurti foli gjithashtu për projektet infrastrukturore, përfshirë ndërtimin e rrugëve, digave e institucioneve arsimore.

    Kandidati për kryeministër nga VV-ja premtoi gjithashtu aplikim për grante bujqësore gjatë gjithë vitit, si dhe planin për aplikim online dhe kartën e-fermër, që synon të sigurojë transparencë dhe përfitim të drejtë të subvencioneve.

  • AAK kërkon votën e qytetarëve më 28 dhjetor për ndryshim dhe zhvillim

    AAK kërkon votën e qytetarëve më 28 dhjetor për ndryshim dhe zhvillim

    Në ditën e dytë të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidat për kryeministër, Ramush Haradinaj, mbajti tubim në Gjilan.

    “Ky ishte një akt revoltë, por kjo revoltë po shndërrohet në shpresë dhe vendosmëri për ndryshim me Aleancën në krah. Gjilani u ngrit fuqishëm dhe pa dilema në mbështetje të vizionit tonë për një Kosovë që zhvillohet dhe e ka të ardhmen në duart e qytetarëve”, tha Haradinaj para qytetarëve.

    Gjatë fjalës së tij, Haradinaj gjithashtu kujtoi se gjatë qeverisjes së tij, fuqizimi i prodhimeve vendore ka qenë prioritet kryesor. Ai vuri në dukje se taksa 100% ndaj produkteve serbe ka ndihmuar në inkurajimin e prodhuesve vendorë, duke rritur prodhimin dhe potencialin e tyre, dhe duke forcuar shtetin tonë.

    Haradinaj apeloi tek qytetarët e Kosovës që të dalin dhe të votojnë më 28 dhjetor, duke theksuar se mënyra më e mirë për ndryshim dhe zhvillim në Kosovë është përmes mbështetjes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

    Ai premtoi se Aleanca do të punojë për rritje ekonomike, fuqizim të prodhuesve vendorë dhe një vizion të qartë për të ardhmen e vendit.

  • Shpenzohet rreth 17% më shumë rrymë në një muaj, ASK jep detaje

    Shpenzohet rreth 17% më shumë rrymë në një muaj, ASK jep detaje

    Agjencia e Statistikave të Kosovës në raportin e muajit tetor t për energjinë thekson se ka më pak thëngjill, e më shumë konsum të energjisë elektrike.

    Sipas këtyre të dhënave, prodhimi i thëngjillit ka rënë ndjeshëm krahasuar me muajin tetor të vitit të kaluar, ndërsa konsumi i energjisë elektrike është rritur.

    “ Gjatë muajit tetor të vitit 2025 energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 616.967 GWh kurse konsumi i energjisë elektrike ishte 458.175 GWh apo 16.96% më i madh krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak”, thuhet në komunikatën e ASK.

  • The Telegraph: Serbët që luftojnë për Putinin në Ukrainë po përgatiten për një luftë ballkanike

    The Telegraph: Serbët që luftojnë për Putinin në Ukrainë po përgatiten për një luftë ballkanike

    Një brez i ri nacionalistësh etnikë serb po përgatitet për një luftë në Bosnjë, ka zbuluar “The Telegraph”.

    Sipas mediumit, qindra militantë kanë udhëtuar në Ukrainë për të luftuar përkrah trupave ruse me besimin se “Nëna Rusi” do t’i shpërblejë duke i ndihmuar të rimarrin territoret e humbura serbe, “siç është Kosova”, transmeton Klankosova.tv.

    “The Telegraph” zbulon se nacionalistët, përfshirë veteranët nga Lufta e Bosnjës, po përdorin mediat sociale për të inkurajuar të rinjtë serbë që t’u bashkohen atyre në Rusi. Disa po ofrojnë 23,000 paund që ata të regjistrohen dhe të luftojnë në Ukrainë.

    Ekziston frika se sapo të kthehen në shtëpi në Bosnjë, ata do të nxisin një konflikt paramilitar, 30 vjet pas përfundimit të Luftës së Bosnjës.

    Dario Ristiq ishte një rast i tillë. Nacionalisti serb, duke u lëkundur ngathët në një këmbë proteze dhe duke mbajtur provë të shtetësisë së tij të sapo fituar, u kthye në Bosnjë. Ai ishte plagosur ndërsa luftonte në Ukrainë me një njësi ruse të njohur si Arinjtë nga Permi.

    Ndërsa ishte në Ukrainë, Ristiq njihej me nofkën ironike të luftës “i shpejtë” dhe për kryerjen e sulmeve me snajper dhe dronë në qytete si Avdiivka.

    Ai i përsosi aftësitë e tij në mediat sociale në faqe të tilla si TikTok dhe rrjeti rus Vkontakte, duke siguruar mbështetje nga të rinjtë serbë të pakënaqur politikisht në vend duke i dhënë shkëlqim luftimeve në vijën e frontit dhe duke përhapur mesazhe nacionaliste.

    Sipas The Telegraph, në një video të Telegram të filmuar në Ukrainë, Ristiq u shfaq së bashku me një luftëtar tjetër serb i cili tha: “Sapo të mbarojmë me këta fashistë të NATO-s këtu, do të kthehemi për të rimarrë vendet tona të shenjta dhe atë që është e jona. Lavdi Zotit, lavdi Nënës Rusi – fitores!”

    Pavarësisht kufizimeve ligjore, Ristiq mbetet me ndikim në internet, me më shumë se 10,000 ndjekës. Analistët paralajmërojnë se edhe një numër i vogël i militantëve të tillë mund të destabilizojë shoqëritë e brishta të pasluftës.

    “Nuk keni nevojë për shumë individë të armatosur për të kërcënuar ekuilibrin e paqes”, tha analisti rajonal Srecko Latal, siç raportohet nga The Telegraph.

    Raporti gjithashtu thekson rolin e luftëtarëve veteranë të lidhur me rrjetet e inteligjencës ruse dhe përdorimin e kompanive të fshehta për të ndihmuar rekrutët të shmangin zbulimin. Gazetari investigativ Nino Bilajaq tha se atij iu ofruan rreth 29,000 dollarë paraprakisht dhe gati 3,200 dollarë në muaj për t’u bashkuar me forcat e Rusisë.

    Më parë, Rusia rriti përpjekjet për të rekrutuar mercenarë në Iran, raportoi Qendra e Ukrainës për Kundërshtimin e Dezinformimit, duke thënë se fletëpalosje që ofrojnë shërbim të paguar në ushtrinë ruse janë shfaqur në disa qytete, duke premtuar 20,000 dollarë paraprakisht dhe rreth 2,000 dollarë në muaj, me aplikantët të drejtuar në një kanal shumëgjuhësh Telegram të lançuar në nëntor 2025.

    Ekzistojnë gjithashtu frikëra se Republika Srpska mund të bëhet një vend stërvitjeje për njësitë paraushtarake të mbështetura nga Rusia, duke paraqitur një kërcënim për sigurinë evropiane.

    Dëshmitë nga gjyqi i sabotatorëve në Moldavi kanë zbuluar se Republika Srpska është përdorur kohët e fundit si një bazë stërvitjeje për luftë hibride kundër Perëndimit.

    Trajnimi ka përfshirë metoda për shndërrimin e protestave paqësore në trazira të dhunshme dhe përdorimin e dronëve për të prishur infrastrukturën civile dhe ushtarake, teknika që tashmë janë parë në të gjithë Evropën.