ATV

Author: K.B.

  • Bahamas njohu Kosovën, MPJ e Serbisë e dënon ashpër: Ta rishqyrtojnë vendimin

    Bahamas njohu Kosovën, MPJ e Serbisë e dënon ashpër: Ta rishqyrtojnë vendimin

    Presidentja e vendin Vjosa Osmani, gjatë ditës së sotme ka njoftuar se Komonuellthi i Bahamas ka vendosur të njohë pavarësinë e Kosovës, duke u bërë shteti i 121-të që njeh shtetin tonë.

    Në lidhje me këtë ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ku ka dënuar vendimin e Bahamas për të njohur pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës.

    “Veprime të tilla përfaqësojnë një precedent të rrezikshëm dhe kontribuojnë drejtpërdrejt në gërryerjen e mëtejshme të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare publike, kryesisht parimit të respektimit të integritetit territorial të shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në deklaratë.

    Tutje në njoftim thuhet se Serbia do të vazhdojë të luftojë për të mbrojtur interesat e saj shtetëore.

    “Republika e Serbisë nuk do të pranojë përpjekje për të imponuar fakte të kryera ose për të legjitimuar akte të njëanshme që janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Serbia do të vazhdojë të luftojë, me vendosmëri dhe në parim, me të gjitha mjetet diplomatike dhe politike në dispozicion për të mbrojtur interesat e saj shtetërore dhe kombëtare”, njofton Ministria.

    Në fund, kjo ministri u ka bërë thirrje autoriteteve të Komonuelthit të Bahamas “që ta rishqyrtojnë vendimin dhe t’i kthehen respektimit të parimeve universale të së drejtës ndërkombëtare, të cilat”, sipas saj, “janë themeli i stabilitetit dhe paqes në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

  • AKB-ja pranohet zyrtarisht në Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian

    AKB-ja pranohet zyrtarisht në Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian

    Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka njoftuar opinionin publik se është pranuar zyrtarisht si Enlargement Candidate Member (ECM) në kuadër të Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian (EESC), një nga institucionet kryesore këshillëdhënëse të Bashkimit Evropian për dialogun social dhe zhvillimin ekonomik.

    Ky vendim përfaqëson një njohje të rëndësishme institucionale për rolin e AKB-së si përfaqësuese e komunitetit të biznesit në Kosovë dhe si aktor i rëndësishëm në ndërtimin e dialogut social ndërmjet bizneseve, punëtorëve dhe institucioneve publike, në sektorin privat dhe publik.

    Statusi ECM i mundëson AKB-së pjesëmarrje aktive në proceset konsultative të EESC-së, duke kontribuar në politikat evropiane që lidhen me ekonominë, tregun e punës dhe zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe në procesin e integrimit evropian të Kosovës.

    AKB-ja e konsideron këtë përzgjedhje si përgjegjësi shtesë për të fuqizuar dialogun social dhe për ta përfaqësuar Kosovën me dinjitet dhe profesionalizëm në institucionet e Bashkimit Evropian.

  • Gjermania riafirmon mbështetjen për KFOR-in: Ushtarët tanë luajnë rol jetik për një mjedis të sigurt në Kosovë

    Gjermania riafirmon mbështetjen për KFOR-in: Ushtarët tanë luajnë rol jetik për një mjedis të sigurt në Kosovë

    Sot, në Konferencën e Shteteve Kontribuese të Forcave KFOR, Ngarkuari me Punë i Ambasadës Gjermane në Kosovë, Christian Böttcher, riafirmoi mbështetjen gjermane për KFOR dhe NALT (“NATO Advisory and Liaison Team” – Ekipi Këshillues dhe i Ndërlidhjes i NATO-s).

    Ai ka thënë se ushtarët gjermanë luajnë rol jetik në sigurimin e një mjedisi të sigurt në Kosovë.

    “Ushtarët tanë luajnë një rol jetik në sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë. Angazhimi i tyre është një simbol i fuqishëm i paqes dhe bashkëpunimit në Evropë. Ne shprehim falënderimet tona më të sinqerta për të gjithë ata që shërbejnë në këto misione për përkushtimin dhe shërbimin e tyre|, thuhet në njoftim të Ambasadës Gjermanë në Kosovë.

  • Nga 20 minuta për Thaçin dhe të tjerët në fjalët përfundimtare – caktohen datat për deklaratat përmbyllëse

    Nga 20 minuta për Thaçin dhe të tjerët në fjalët përfundimtare – caktohen datat për deklaratat përmbyllëse

    Trupi Gjykues në çështjen kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit njoftoi mbylljen e procedurës së paraqitjes së provave.

    Trupi Gjykues ka urdhëruar që dosjet gjyqësore përfundimtare dhe deklarata duhet të dorëzohen deri më 19 janar 2026, është bërë e ditur në një njoftim nga ZPS.

    Deklaratat përmbyllëse janë planifikuar për t’u paraqitur nga 9 deri 13 shkurt 2026, si dhe datat e rezervuara më 16 dhe 18 shkurt, nëse është e nevojshme.

    Para këtij vendimi, në njoftim bëhet e ditur se Trupi Gjykues hodhi poshtë kërkesën e ZPS-së për të paraqitur kundërprova, duke konstatuar se nuk ishin plotësuar kushtet për pranimin e provave të tilla. Trupi

    Gjykues gjithashtu hodhi poshtë kërkesën e Mbrojtjes që t’i lejojë apelimin e vendimit të mëparshëm me të cilin ishte refuzuar kërkesa për procedurë të veçantë të përcaktimit të dënimit, duke konfirmuar se çdo përcaktim i dënimit, në rast se është i zbatueshëm, do të shqyrtohet me Aktgjykimin.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi do të kenë mundësinë të ngrihen në këmbë edhe një herë në sallën e gjyqit në Gjykatën Speciale për të thënë fjalët e tyre përfundimtare.

    Trupi gjykues ka vendosur që ata të kenë kenë në dispozicion nga 20 minuta secili, nëse dëshirojnë.

    Trupi Gjykues rikujton se deklaratat politike ose vërejtjet fyese ndaj Palëve, pjesëmarrësve, dëshmitarëve apo viktimave nuk do të lejohen dhe nuk do të tolerohen”, ka shkruar paneli në vendim.

  • Miratohet në qeveri, nga 1 janari paga minimale në Shqipëri 518 euro

    Miratohet në qeveri, nga 1 janari paga minimale në Shqipëri 518 euro

    Këshilli i Ministrave në Shqipëri gjatë mbledhjes së kësaj të premte ka miratuar disa vendime.

    Mes vendimeve të miratuara është edhe ajo për pagën minimale.

    Sipas vendimit të Qeverisë së Shqipërisë, paga bazë minimale mujore për punonjësit në shkallë vendi që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj do të jetë 50,000 lekë (518 euro).

    Paga bazë minimale mujore jepet për 174 orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës.

    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet financiare nga data 1 janar 2026.

  • Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi: Vuçiq e ka njohur de Facto Kosovën

    Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi: Vuçiq e ka njohur de Facto Kosovën

    Boris Pejoviq, nënkryetar i Parlamentit të Malit të Zi, ka deklaruar se Kosova është njohur në thelb nga vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Pejoviq i bëri këto deklarata në një reagim të ashpër ndaj kryetares së parlamentit serb, Ana Brnabiq, pas akuzave të saj ndaj Malit të Zi për njohjen e Kosovës.

    “Në fund të fundit, Kosova është njohur në thelb nga presidenti juaj. Merruni me këtë — dhe na lini rehat”, ka shkruar Pejoviq në platformën X.

    Reagimi i tij erdhi pasi Brnabiq kishte pretenduar se Mali i Zi ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, Kartën e OKB-së dhe respektin themelor ndaj Serbisë, duke e njohur Kosovën si shtet të pavarur.

    Ajo ka argumentuar gjithashtu se pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian ende nuk e njohin Kosovën, duke lënë të kuptohet se, sipas saj, Mali i Zi ka vepruar kundër normave evropiane.

    Përplasja mes palëve u përshkallëzua edhe më tej pasi Brnabiq akuzoi Malin e Zi se strehon dy nga klanet kriminale më të rrezikshme në botë, “Skaljari” dhe “Kavac”, duke pretenduar se ato nuk mund të funksiononin pa mbështetjen e shtetit.

    Pejoviq i ka hedhur poshtë këto akuza, duke e akuzuar Brnabiqin për ndryshim të qëllimshëm të narrativave, me synim që presidenti Vuçiq të paraqitet si viktimë.

    Ai ka theksuar se klanet kriminale të përmendura janë shfaqur në vitin 2014 dhe se personat e dyshuar për lidhje me to nuk kanë asnjë ndikim në qeverinë aktuale të Malit të Zi.

    Po ashtu, Pejoviq i ka rikujtuar Brnabiqit se të gjithë individët e dyshuar për lehtësimin e hyrjes së grupit kriminal të Veljko Belivuk nga Serbia në Mal të Zi tashmë janë ndjekur penalisht.

  • Kërkohet paraburgim për 7 të arrestuarit, dyshohet se e dëmtuan buxhetin për milliona euro

    Kërkohet paraburgim për 7 të arrestuarit, dyshohet se e dëmtuan buxhetin për milliona euro

    Prokuroria Speciale ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj shtatë personave të dyshuar për korrupsion.

    Sipas kërkesës së PSRK-së, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit M.D., J.M., F.I., B.D., Sh.T., N.K. dhe G.L., duke vepruar në bashkëkryerje, nga 20.02.2023 e në vazhdimësi deri më 18.12.2025, kanë ndërmarrë veprime me qëllim përfitimi të kundërligjshëm personal.

    Sipas Prokurorisë, “M.D. dyshohet se, në emër të F.I., në kundërshtim me ligjin, ka parashtruar propozim ankesë për ndryshim të vendimit përfundimtar për shpronësimin e pronës, ndonëse ishte kaluar afati ligjor për më shumë se tetë vjet”.

    “Përkundër kësaj, i pandehuri J.M., si dhe kundërpropozuesi Qeveria e Kosovës, e përfaqësuar nga Avokatura Shtetërore, nuk e kanë kundërshtuar këtë rrethanë, por janë kujdesur që ky rast, ashtu si disa raste të tjera, të përfundojë me marrëveshje gjyqësore”, u tha në njoftimin e Prokurorisë.

    Si pasojë, thuhet se vetëm në rastin e fundit i është shkaktuar dëm buxhetit të shtetit mbi 220 mijë euro, ndërsa në tërësi dëmi ende nuk ka mundur të përcaktohet, por dyshohet se arrin vlerë milonëshe.

    Në këtë mënyrë, të pandehurit, në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, dyshohet se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Deklarimi i rremë”.

  • Albin Kurti premton buxhet rekord, pagën e 13-të dhe subvencione

    Albin Kurti premton buxhet rekord, pagën e 13-të dhe subvencione

    Ditën e tretë të fushatës për zgjedhjet e 28 dhjetorit, lideri i Vetëvendosjes dhe kandidat për kryeministër, Albin Kurti, zhvilloi tubime në Vushtrri dhe Obiliq.

    Gjatë fjalimeve të tij, Kurti prezantoi 5 vendimet e para të qeverisjes së mundshme nëse fiton një mandat katërvjeçar e teksa premtoi për Vushtrri projekte konkrete infrastrukturore.

    Kurse në Obiliq, Kurti premtoi rritje të buxhetit në ushtri prej 1 miliardë euro.

  • Bedri Hamza premton rritje 50% të pagave në sektorin publik nëse bëhet kryeministër

    Bedri Hamza premton rritje 50% të pagave në sektorin publik nëse bëhet kryeministër

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka premtuar rritje të ndjeshme të pagave në sektorin publik në rast se fitojnë zgjedhjet më 28 dhjetor.

    Përmes një video në Facebook në ditën e tretë të fushatës, Hamza ka thënë se është i vetëdijshëm për vështirësitë e qytetarëve përballë rritjes së kostos së jetesës dhe shtrenjtimit të çmimeve.

    Ai ka bërë të ditur se, nëse bëhet kryeministër, do t’i rrisë pagat për 50 për qind për të gjithë punëtorët e sektorit publik. Sipas tij, kjo do të thotë se një punonjës që sot merr 800 euro, paga e tij do të arrijë 1,200 euro nën qeverisjen e tij.

    Kandidati për kryeministër ka folur gjithashtu për partneritetin e qeverisë me sektorin privat. Ai ka vizituar të premten disa kompani në Ferizaj, duke i’u premtuar tatim sipas fitimit real për qarkullim deri në 30 mijë euro dhe grante deri në 30% për rritje, zhvillim dhe investime të reja.

  • PBKDSh premton integrimin e Kosovës në NATO dhe mbrojtjen e familjes

    PBKDSh premton integrimin e Kosovës në NATO dhe mbrojtjen e familjes

    Në ditën e tretë të fushatës zgjedhore, Alban Hoti, kryetar i Partisë Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar njëherëshi kandidat për Kryeministër të Republikës së Kosovës, ka shpalosur premtimet e tij kryesore.

    Ai premtoi se nën drejtimin e tij, Kosova do të forcojë aleancën strategjike me SHBA-të dhe do të përshpejtojë rrugën drejt anëtarësimit në NATO. Hoti u zotua se sovraniteti i Kosovës është i paprekshëm dhe se nuk do të pranohet asnjë formë ndarjeje, shkëmbimi territoresh apo ndryshimi kufijsh.

    “Në Kosovën që unë synoj të udhëheq, nuk do të ketë Mitrovicë të ndarë. Do të ketë vetëm një Mitrovicë, një ligj dhe një shtet,” tha Hoti.

    E një nga premtimet kyçe të Alban Hotit është ndalimi i marrjes së shtëpive nga bankat për shkak të borxheve dhe hipotekave.

    Në këto zgjedhje, Partia Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar hyn në garë me 44 kandidatë për deputetë, me numrin 113.