ATV

Author: K.B.

  • LVV dhe PDK arrijnë marrëveshje për qeverisje në Podujevë, Shabani zgjidhet kryesues

    LVV dhe PDK arrijnë marrëveshje për qeverisje në Podujevë, Shabani zgjidhet kryesues

    Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje në Komunën e Podujevës.

    Si rezultat i kësaj marrëveshjeje, kandidati i PDK-së, Isak Shabani, është zgjedhur të hënën kryesues i Kuvendit Komunal të Podujevës.

    Shabani ka marrë mbështetjen e 21 asamblistëve, ndërsa një votë ka qenë abstenim. Asamblistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk kanë marrë pjesë në procesin e votimit.

    Pas zgjedhjes, Shabani ka deklaruar se këtë pozitë e sheh si një përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe ka premtuar angazhim për një punë transparente dhe në përputhje me ligjin shkruan Tëvë1.

  • Pikat në hundë para gjumit mund t’ju mbajnë zgjuar gjithë natën, ja pse

    Pikat në hundë para gjumit mund t’ju mbajnë zgjuar gjithë natën, ja pse

    Edhe pse lehtësojnë frymëmarrjen, disa spreje dhe preparate kundër ftohjes aktivizojnë sistemin nervor, prishin fazat e gjumit dhe ngadalësojnë rikuperimin e organizmit

    Edhe pse shumë njerëz i përdorin pothuajse automatikisht pikat ose sprejët nazalë sa herë që janë të ftohur dhe kanë hundë të bllokuar, këta preparate mund të kenë një efekt anësor të papritur: çrregullimin e gjumit. Në vend që ta ndihmojnë organizmin të pushojë dhe të rikuperohet, ata mund ta mbajnë trupin në gjendje “zgjimi”.

    Gjatë sezonit të gripit dhe ftohjeve, gjumi i dobët është pothuajse i pashmangshëm. Hunda e zënë, kollitja dhe lodhja e përgjithshme e bëjnë të vështirë një gjumë të qetë. Për këtë arsye, shumë njerëz përdorin pika ose sprej për hundë pikërisht para se të shkojnë në shtrat, me shpresën se do të marrin frymë më lirshëm dhe do të flenë më mirë.

    Megjithatë, shpesh ndodh e kundërta: frymëmarrja përmirësohet, por gjumi nuk vjen. Nata kalon me rrotullime në shtrat dhe zgjime të shpeshta, ndërsa mëngjesi vjen me ndjenjën se nuk jeni çlodhur fare.

    Pse ndodh kjo?
    Shkaktarët kryesorë janë substancat aktive që gjenden në shumë sprejë dhe pika nazale, si fenilefrina dhe pseudoefedrina. Këta përbërës veprojnë duke ngushtuar enët e gjakut në mukozën e hundës, çka ul ënjtjen dhe lehtëson frymëmarrjen. Por veprimi i tyre nuk kufizohet vetëm në hundë.

    Këto substanca aktivizojnë sistemin nervor simpatik, pjesën e sistemit nervor që përgatit trupin për stres dhe rrezik, e njohur si reagimi “lufto ose ik”. Si pasojë, organizmi nuk qetësohet para gjumit, por futet në gjendje vigjilence.

    Kjo mund të shoqërohet me:

    rritje të rrahjeve të zemrës,
    rritje të presionit të gjakut,
    ndjesi tensioni të brendshëm,
    vështirësi për të fjetur dhe gjumë të cekët.
    Edhe pse jeni fizikisht të lodhur, truri mbetet “i zgjuar”, duke prishur fazat e thella të gjumit që janë thelbësore për rikuperimin e trupit.

  • Vazhdojnë mesazhet mashtruese, Posta e Kosovës apelon qytetarët për kujdes

    Vazhdojnë mesazhet mashtruese, Posta e Kosovës apelon qytetarët për kujdes

    Posta e Kosovës ka njoftuar qytetarët për një valë të re të mesazheve mashtruese që qarkullojnë përmes SMS-ve, ku palë të panjohura paraqiten në emër të Postës së Kosovës.

    Sipas njoftimit të institucionit, menjëherë pasi është bërë i ditur për rastet, Posta ka informuar organet kompetente dhe po bashkëpunon me to për hetimin e sulmeve.

    Posta e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të mos klikojnë asnjë link të dërguar përmes këtyre mesazheve, si dhe të mos bashkëpunojnë me numra telefonikë që nuk i përkasin Postës.

    “Në asnjë rast, Posta e Kosovës nuk do t’ju kërkojë të dhëna personale apo informacione bankare”, thuhet në njoftim.

    Institucioni ka theksuar se kanalet e saj zyrtare janë:

    Web-faqja: www.postakosoves.com
    Facebook: Posta e Republikës së Kosovës
    Instagram: postaekosoves
    LinkedIn: Posta e Kosovës
    Numrat zyrtarë: 038 221631 dhe 045 851001
    Posta e Kosovës ka bërë të ditur se sulme të ngjashme janë raportuar edhe në postat e tjera të rajonit dhe ka riafirmuar përkushtimin e saj për të mbrojtur qytetarët dhe për të bashkëpunuar me institucionet relevante. /Telegrafi/

  • Kështu duket një Ferrari, për rinovimin e të cilit janë shpenzuar gati 2 milionë dollarë

    Kështu duket një Ferrari, për rinovimin e të cilit janë shpenzuar gati 2 milionë dollarë

    Një Ferrari 412 është shndërruar në një makinë pothuajse të pabesueshme, me motorin origjinal të zëvendësuar nga një V12 6.5 litra nga 812 Superfast.

    Ndërhyrja e Otsuka Maxwell Design ka kërkuar mbi 5,000 orë dhe rreth 1.8 milion dollarë (rreth 1.65 milion euro).

    Karroceria ka marrë një pamje moderne me ngjyrë Superfast Gold dhe Black dhe rrota të personalizuara 18 inç.

    Brendësia është e luksit ekstrem, me Alcantara dhe ulëse me mbështetje karboni.

    Kjo transformim e rrallë e 412-s e bën atë një kombinim të jashtëzakonshëm të performancës moderne dhe estetikës klasike.

  • Shenjat më me fat të zodiakut për vitin 2026

    Shenjat më me fat të zodiakut për vitin 2026

    Ndërsa afrohet viti 2026, spekulimet rreth parashikimeve astrologjike të vitit intensifikohen. Entuziastët e astrologjisë janë gjithmonë në kërkim të përgjigjeve se cilat shenja të zodiakut do të bekohen me fat të mirë në vitin 2026. Çdo vit, ndikime të ndryshme planetare mund t’i shtyjnë disa shenja në periudha prosperiteti të madh, ndërsa të tjerat mund të hasin sfida.

    Shenjat e zodiakut dhe fati

    Fati është një koncept që e ka magjepsur gjithmonë njerëzimin. Në fusha të ndryshme të jetës, nga karriera te marrëdhëniet personale, të gjithë shpresojnë të mbështeten në një dozë fati të mirë. Në astrologji, shenjat e zodiakut ndikojnë jo vetëm në karakterin dhe personalitetin e individëve, por edhe në shanset e tyre për sukses dhe prosperitet. Pozicioni i planetëve dhe konfigurimet astrale mund të ndikojnë ndjeshëm në mënyrën se si secila shenjë përjeton dhe tërheq fatin e mirë. Ndërsa disa shenja mund të përballen me vështirësi që vënë në provë qëndrueshmërinë e tyre, të tjerat mund të zbulojnë mundësi të reja që pasurojnë jetën e tyre.

    Renditja e shenjave më me fat të zodiakut për vitin 2026

    Bazuar në konfigurimet aktuale planetare dhe projeksionet astrale, ja renditja e shenjave më me fat të vitit 2026:

    1. Luani : Përgatituni për një vit të jashtëzakonshëm! Ata që kanë lindur nën shenjën e Luanit do të shijojnë ndikimin e fortë të Jupiterit, planetit të fatit dhe bollëkut. Do të ketë mundësi të shumta për të shkëlqyer si në punë ashtu edhe në dashuri.

    2. Shigjetari : Natyra aventureske e Shigjetarit do të shpërblehet në vitin 2026. Do të shfaqen mundësi të reja për udhëtime dhe të mësuar, duke sjellë me vete një valë pozitiviteti dhe suksesi. Fati do të jetë shumë afër, gati për t’ju surprizuar.

    3. Peshorja : Për ata që kanë lindur nën shenjën e Peshores, balancimi i marrëdhënieve dhe karrierës do të jetë thelbësor. Jupiteri do të nxisë harmoninë në ndërveprime, duke e bërë këtë shenjë një nga më me fat të vitit. Do të jetë një kohë e frytshme për të krijuar aleanca dhe bashkëpunime të reja.

    4. Dashi : Vendosmëria e Dashit do të përkthehet në sukses në vitin 2026. Me Marsin që mbështet këtë shenjë, do të ketë shumë momente të favorshme, veçanërisht në sferën profesionale. Mundësitë mund të vijnë me vrull.

    5. Binjakët : Binjakët do të duhet të shfrytëzojnë aftësitë e tyre të lindura të komunikimit. Viti 2026 do t’u sjellë atyre mundësi unike për rrjetëzim dhe shkëmbim, potencialisht shumë të frytshme. Perspektivat e tyre për rritje personale dhe profesionale do të rriten.

    Shenja të tjera, si Gaforrja dhe Demi, do të kenë momentin e tyre të lavdisë, por jo me të njëjtin intensitet si shenjat e përmendura më sipër. Megjithatë, të mos harrojmë se secila shenjë do të ketë mundësinë të tërheqë fatin e vet të mirë, me kusht që të jetë proaktive dhe e hapur ndaj përvojave të reja.

  • 10 zbulimet shkencore që kanë ndryshuar botën në 25 vitet e fundit

    10 zbulimet shkencore që kanë ndryshuar botën në 25 vitet e fundit

    Në çerekshekullin e fundit, shkenca ka përjetuar një hov të jashtëzakonshëm, duke sjellë zbulime që deri pak vite më parë konsideroheshin të pamundura.

    Nga deshifrimi i ADN-së njerëzore dhe revolucionet në mjekësinë gjenetike, te vëzhgimi i vrimave të zeza dhe zbulimi i planetëve të largët, kërkimi shkencor ka ndryshuar mënyrën si kuptojmë jetën, shëndetin dhe universin.

    Këto përparime jo vetëm kanë shpëtuar miliona jetë dhe kanë përmirësuar cilësinë e tyre, por kanë hapur edhe horizonte të reja për dekadat që vijnë, duke treguar se investimi në shkencë mbetet një nga motorët kryesorë të përparimit njerëzor.

    Pikërisht këto dhjetë zbulime përfaqësojnë arritjet më të rëndësishme dhe më të kuptueshme të kësaj periudhe, që kanë ndikuar drejtpërdrejt në jetën e përditshme dhe në mënyrën si e shohim botën.

    Harta e ADN-së njerëzore (Human Genome Project)

    Për herë të parë u deshifrua i gjithë kodi gjenetik i njeriut, duke hapur rrugën për diagnostikim më të saktë, mjekësi të personalizuar dhe trajtime gjenetike për sëmundje të rënda.

    CRISPR – “gërshërët” e ADN-së

    Teknologjia që lejon prerjen dhe rregullimin e gjeneve me saktësi të madhe, duke mundësuar shërime gjenetike, përmirësim të kulturave bujqësore dhe trajtime për sëmundje të rralla.

    Vaksinat mRNA dhe revolucioni në shëndetësi

    Vaksinat kundër Covid-19 shpëtuan miliona jetë dhe hapën një epokë të re për parandalimin e infeksioneve dhe trajtimin e disa formave të kancerit.

    AlphaFold dhe Inteligjenca Artificiale në biologji

    IA arriti të parashikojë formën e proteinave, një problem i pazgjidhur për dekada, duke përshpejtuar zhvillimin e barnave dhe kërkimin mjekësor.

    Terapia CAR-T kundër kancerit

    Qelizat imune të pacientit modifikohen gjenetikisht për të luftuar kancerin, me norma shumë të larta shërimi për disa forma të rënda të sëmundjes.

    Zbulimi i grimcës Higgs

    Konfirmoi një teori themelore të fizikës dhe shpjegoi pse grimcat kanë masë, duke forcuar modelin standard të universit.

    Valët gravitacionale

    Për herë të parë u “dëgjua” përplasja e vrimave të zeza, duke hapur një mënyrë krejt të re për të studiuar universin.

    Teleskopi James Webb

    Na ka dhënë pamjet më të hershme të universit, ka zbuluar galaktika shumë të vjetra dhe ka analizuar atmosferat e planetëve jashtë sistemit diellor.

    Zbulimi i mijëra planetëve të tjerë (ekzoplanetë)

    U vërtetua se planetët janë të zakonshëm në galaktikë dhe u rritën shanset për të gjetur botë potencialisht të banueshme.

    Ndryshimet klimatike: nga teori në prova direkte

    Shkenca tani mund të lidhë drejtpërdrejt valët e të nxehtit, përmbytjet dhe zjarret ekstreme me ngrohjen globale të shkaktuar nga njeriu.

    25 vitet e fundit tregojnë se kërkimi bazë, edhe kur duket “pa përdorim të menjëhershëm”, mund të ndryshojë rrënjësisht mjekësinë, energjinë dhe mënyrën si kuptojmë jetën dhe universin.

  • Pesë kandidatët për deputetë më të votuar të PDK-së

    Pesë kandidatët për deputetë më të votuar të PDK-së

    Bazuar në rezultatet e numërimit të votave të para të kandidatëve për deputetë kandidati i PDK-së për kryeministër Bedri Hamza ka marrë më së shumti vota, gjithsej 594 vota.

    Në vendin e dytë renditet Sylejman Berisha me 263 vota, ndërsa i treti është Arben Mustafa.

    Në vendin e katërt renditet Elmi Reçica me 247 vota, ndërsa në vendin e pestë Besim Ilazi me 227 vota.

    Deri më tani janë numëruar votat nga 16 prej gjithsej 2 mijë e 557 vendvotimeve.

  • PZAP dënon Listën Serbe me 45 mijë euro për shkelje gjatë fushatës zgjedhore

    PZAP dënon Listën Serbe me 45 mijë euro për shkelje gjatë fushatës zgjedhore

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar ankesën e subjektit politik “Kosovski Savez” kundër Listës Serbe për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës më 28 dhjetor 2025.

    Pas shqyrtimit të provave, PZAP konstatoi se Lista Serbe kishte vendosur materiale promovuese në hapësira publike pa lejen e autoriteteve, duke shkelur disa vendime të mëparshme të PZAP-it dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme (08/L-228).

    Si pasojë, Lista Serbe është gjobitur me 45,000 euro dhe detyrohet ta paguajë gjobën brenda 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së vendimit.

    PZAP thekson se shkeljet përfshijnë vendosje të materialeve zgjedhore në stacione autobusi, rrugë, ndërtesa dhe hapësira publike në Leposaviq, Zubin Potok, Graçanicë dhe Leshak, duke mos respektuar urdhrat për largimin e tyre nga vendet publike.

    Paneli ka vlerësuar se pretendimet e Listës Serbe për përdorimin e fotografive të vjetra nuk e liruan nga përgjegjësia.

    Kundër këtij vendimi, sipas ligjit, është e mundur të paraqitet ankesa në Gjykatën Supreme brenda 48 orëve nga marrja e vendimit.

  • Rashiq thotë se ka siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës

    Rashiq thotë se ka siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës

    Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë (PLDM) e Nenad Rashiqit ka njoftuar të hënën se ka siguruar një ulëse në Kuvendin e Kosovës për katër vitet e ardhshme, pas fitimit të 4.600 votave në zgjedhjet e së dielës.

    Në një njoftim të shpërndarë përmes Facebook-ut, PLDM ka shprehur mirënjohjen për besimin e dhënë nga qytetarët, duke e cilësuar këtë rezultat si një “nder të madh dhe një detyrim” për të qenë më të përkushtuar ndaj interesave të qytetarëve.

    “Këtë besim e përjetojmë si një nder të madh, por edhe si një detyrim që të jemi edhe më të fortë, edhe më të pranishëm dhe edhe më të përkushtuar ndaj interesave të qytetarëve,” thuhet në postimin e PLDM-së.

    Përkundër këtij suksesi, partia Listës Serbe, e cila mbështetet nga Beogradi dhe është partia kryesore e serbëve në Kosovë, ka pretenduar se ka fituar të gjitha 10 ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, me 90 për qind të votave të fituara nga ky komunitet.

    Megjithatë, kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, ka ngritur dyshime në lidhje me rezultatet e PLDM-së, duke thënë se ky subjekt ka marrë vota në zona ku serbët nuk jetojnë dhe ka kërkuar vlerësim të mëtejshëm nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

    Zyrtari tjetër i Listës Serbe, Igor Simiq, ka shtuar se numërimi i votave me kusht është ende në proces dhe se më shumë se 1.000 vota nga persona të zhvendosur janë ende për t’u përpunuar.

    Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Lista Serbe ka siguruar rreth 41.800 vota, ndërsa Aleanca Kosovare e Goran Marinkoviqit ka marrë rreth 550 vota.

    Në zgjedhjet e mëparshme parlamentare të shkurtit 2025, Lista Serbe kishte pretenduar se kishte fituar të gjitha 10 mandatet e rezervuara për komunitetin serb, megjithatë një mandat përfundoi në duar të Nenad Rashiqit.

    Rashiqi, ish-ministër për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e kaluar të kryeministrit Albin Kurti, ishte emëruar në këtë pozitë pasi Lista Serbe i kishte braktisur institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022.

    Në këtë kuadër, Lista Serbe vazhdon të kundërshtojë përfaqësimin e Rashiqit, duke pretenduar se ai nuk ka mbështetje të mjaftueshme për të përfaqësuar komunitetin serb në Kuvend.

    Gjithashtu, Lista Serbe kishte ngritur padi në Gjykatën Kushtetuese për të kundërshtuar zgjedhjen e Rashiqit si nënkryetar të Kuvendit, duke pretenduar se ishte shkelur Kushtetuta dhe Rregullorja e Punës e Kuvendit.

    Sipas Kushtetutës së Kosovës, njëri nga nënkryetarët e Kuvendit duhet të jetë nga radhët e deputetëve që mbajnë vende të rezervuara për përfaqësuesit e komunitetit serb.

    Po ashtu, sipas Rregullores së Punës, kandidatin për nënkryetar nga ky komunitet e propozon shumica e deputetëve serbë

    Numërimi i votave në komunat me shumicë serbe ende nuk ka përfunduar plotësisht dhe pritet që KQZ të bëjë vlerësimin përfundimtar të rezultateve, duke përfshirë edhe votat me kusht dhe ato nga persona të zhvendosur.

  • Këta janë kandidatët për deputetë më të votuar të LDK-së deri tani

    Këta janë kandidatët për deputetë më të votuar të LDK-së deri tani

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur publikimin e votave të kandidatëve për deputetë, pas procesimit të një pjese të vogël të votave.

    Sipas të dhënave të publikuara, kur janë numëruar 0.63 për qind e votave për kandidatët për deputetë në Lidhjen Demokratike të Kosovës, kryeson kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, me 432 vota.

    Në vendin e dytë renditet Vjollca Kadolli Halili me 324 vota, ndërsa pas saj vjen Halil Musliu me 249 vota.

    Faruk Nura është i katërti me 232 vota, ndërsa në vendin e pestë renditet Hykmete Bajrami me 229 vota.

    Ndërkohë, sipas rezultateve të përgjithshme të publikuara në faqen zyrtare të KQZ-së, kur janë procesuar 99.65 për qind e votave, Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar 13.57 për qind të votave, respektivisht 118 mijë e 772 vota.

    Në zgjedhjet e mbajtura më 28 dhjetor, të drejtë vote kanë pasur 1 milion e 999 mijë e 204 qytetarë.