ATV

Author: K.B.

  • Spiropali uron Kurtin: Shqipëria dhe Kosova ecin së bashku drejt rrugës europiane

    Spiropali uron Kurtin: Shqipëria dhe Kosova ecin së bashku drejt rrugës europiane

    Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka uruar kryeministrin e rizgjedhur të Kosovës, Albin Kurti, për fitoren e arritur në zgjedhje dhe besimin e marrë nga qytetarët e Kosovës.

    Përmes një postimi në Facebook, Spiropali ka vlerësuar procesin zgjedhor në Kosovë, duke theksuar se zgjedhjet u zhvilluan me maturi, qetësi dhe përgjegjësi qytetare, si shenjë e pjekurisë demokratike të vendit.

    “Urime popullit të Kosovës për zgjedhjet e zhvilluara me maturi, qetësi dhe përgjegjësi qytetare, një shprehje e pjekurisë demokratike që na bën krenarë. Përgëzime Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Albin Kurti për fitoren e arritur dhe besimin e marrë nga qytetarët, si dhe të gjithë spektrit politik për fushatën dhe standardet e arritura,” ka shkruar Spiropali.

    Ajo ka theksuar gjithashtu lidhjet e ngushta mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke nënvizuar orientimin e përbashkët drejt integrimit evropian.

    “Shqipëria dhe Kosova ecin së bashku krah për krah, me një zemër, një zë dhe në rrugë evropiane, sepse ajo që na bashkon është më e madhe se çdo kufi,” ka përfunduar ajo.

  • Trumpi ka vënë në shënjestër ish-gjykatësin e Gjykatës Speciale

    Trumpi ka vënë në shënjestër ish-gjykatësin e Gjykatës Speciale

    Ish-gjyqtari i Gjykatës Speciale për Kosovën, tani pjesë e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN), është vënë në shënjestër të sanksioneve të ashpra të administratës Trump.

    Për shkak të urdhërarrestit ndaj udhëheqësve izraelitë, Nicolas Guillou e gjen veten të radhitur krahas terroristëve në listat e zeza të Uashingtonit, duke humbur qasjen në llogari bankare, karta krediti dhe shërbime bazë digjitale.

    Francezi Nicolas Guillou ka një vit që punon në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN), e cila ndjek krimet e luftës dhe e ka selinë në Hagë.

    Më parë, 50-vjeçari Guillou, i cili është ekspert i së drejtës ndërkombëtare, ka punuar për tribunalet speciale të Kosovës dhe Libanit.

    Në vitin 2023, Guillou dhe krerë të tjerë të GJPN-së lëshuan një urdhërarrest kundër presidentit rus, Vladimir Putinit për shkak të krimeve kundër njerëzimit sipas Kartës së OKB-së. Akuza përmend sidomos kidnapimin e fëmijëve ukrainas nga Rusia. Ndjekja penale e Putinit nuk befasoi askënd, shkruan portali zviceran Watson në një analizë.

    Situata ndryshoi në nëntor 2024, kur GJPN shpalli në kërkim edhe kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant. Ata dyshohen se kanë kryer gjenocid në Gaza.

    SHBA-ja, si fuqi mbrojtëse e Izraelit, me urdhër të Trumpit, u mobilizua menjëherë kundër GJPN-së në Hagë. Ndaj nëntë gjyqtarëve dhe tre prokurorëve u vendosën gjithashtu sanksione. Mes tyre është edhe Guillou.

    Në intervistën e tij të vetme deri më tani për gazetën franceze “Le Monde”, ai tregoi se për qytetarët dhe kompanitë amerikane ai është tashmë një “persona non grata” (person i padëshiruar). Çdo kontakt me të është i ndaluar. Ai nuk ka më qasje ndaj platformave si Amazon, Airbnb ose Paypal.

    “Për shembull, bëra një rezervim hoteli në Francë përmes Expedia. Disa orë më vonë mora një e-mail ku thuhej se kjo nuk ishte e mundur për shkak të sanksioneve”, raportoi ai.

    Edhe një bankë franceze me marrëdhënie në SHBA i ka mbyllur llogaritë e Guillou. Kartelat e tij të kreditit si Visa, American Express ose Mastercard më nuk funksionojnë.

    “Nga një ditë në tjetrën mbetesh pa mjete pagese”, shpjegoi Guillou, i cili për drejtësinë amerikane tashmë është po aq i izoluar sa 15 mijë terroristë, krerë bandash apo bosë të mafias në listën e sanksioneve të Uashingtonit.

    Fuqitë e mëdha (SHBA, Rusia), përmes vetos së tyre, parandalojnë hetimet e GJPN-së në territorin e tyre ose te aleatët si Izraeli. Megjithatë, Putin u akuzua nëpërmjet Ukrainës, ndërsa Netanyahu nëpërmjet Palestinës – një manovër juridike e së drejtës ndërkombëtare. Kjo mbështetet nga organizatat e të drejtave të njeriut./Telegrafi/

  • 5 gabime që pronarët e makinave elektrike duhet t’i ndalojnë menjëherë

    5 gabime që pronarët e makinave elektrike duhet t’i ndalojnë menjëherë

    Pronarët e makinave elektrike mund të përballen me probleme gjatë dimrit, pasi shumë prej tyre bëjnë gabime të mëdha kur temperaturat bien nën zero.

    Sipas një analize të re nga ekspertët, pronarët e EV-ve shpesh nuk e kuptojnë se veprimet e tyre të përditshme mund të dëmtojnë performancën e makinës dhe jetën e baterisë. Specialistët e Saga Insurance thonë se shoferët bëjnë një seri gabimesh që mund të shkurtojnë ndjeshëm kapacitetin e baterisë.

    Gabimet më të zakonshme përfshijnë lënien e makinës jashtë në të ftohtë dhe përdorimin e tepruar të ngrohjes apo kondicionerit. Në një sondazh me 1,000 shoferë, 42% pranuan se e linin EV-në e tyre jashtë gjatë natës. Ekspertët paralajmërojnë se kjo mund të ngadalësojë ngrohjen e makinës dhe të reduktojë distancën e përdorshme që ajo mund të përshkojë.

    Studimi gjithashtu zbuloi se 32% e shoferëve nuk e dinin që moti i ftohtë mund të ulë distancën e makinës deri në 20%. Ali Ingram-Seal, kreu i degës së sigurimeve për makina te Saga, shpjegoi se ngasja dimërore paraqet “sfida të veçanta” që mund të ndikojnë seriozisht në performancën e përgjithshme të makinës.

    Ai tha: “Makinat elektrike po bëhen një pamje e zakonshme në rrugët britanike, por dimri ende paraqet sfida unike për të gjithë shoferët. Të kuptuarit se si temperatura e ftohtë ndikon në performancën e makinës është çelësi për të shmangur prishjet e panevojshme dhe rreziqet për sigurinë. Në Saga, duam të ndihmojmë shoferët të ndihen të sigurt dhe të mbrojtur gjatë gjithë vitit, pavarësisht makinës që drejtojnë.”

    Studimi zbuloi gjithashtu se 35% e shoferëve nuk aktivizojnë modalitetin eco gjatë dimrit, duke humbur një mënyrë të thjeshtë për të kursyer energji. Ndërkohë, 27% përdorin ngrohësin e kabinës në maksimum gjatë muajve të dimrit, që mund të ulë distancën deri në 17%.

    Një tjetër 29% thanë se përdorin tepër kondicionerin, gjë që shkatërron më tej baterinë. Për më tepër, shumë pronarë udhëtojnë me goma nën presion, që mund të ulin distancën deri në 10% pa e vënë re.

    Sipas studimit të Saga, 20% e shoferëve britanikë besojnë se EV-të janë më pak të besueshme se makinat me benzinë ose naftë gjatë dimrit, ndërsa 37% pranojnë se nuk janë të sigurt se si performojnë makinat elektrike në të ftohtë.

    Moti i ftohtë mund të ulë distancën që mund të përshkohen me një karikim, por nuk shkakton dëm afatgjatë për bateritë moderne.

    Mike Vousden, ekspert EV në Motorpoint, tha se gjatë muajve të ftohtë, shoferët e makinave elektrike mund të ndjejnë humbjen e kapacitetit.

    Ai shpjegoi: “Gjatë dimrit, distanca e ngasjes mund të bjerë deri në 20%, kështu që shoferët mund të përdorin pak më shumë kapacitet të baterisë në udhëtimet e përditshme. Temperaturat e ulëta e bëjnë baterinë më pak efikase, sepse ngadalësojnë reaksionet elektro-kimike brenda saj, dhe makina përdor energji shtesë për të ngrohur baterinë.”

  • Pasuri me 10 shifra, Beyonce është zyrtarisht miliardere

    Pasuri me 10 shifra, Beyonce është zyrtarisht miliardere

    Beyoncé është zyrtarisht miliardere! Tanimë këngëtarja i bashkohet një grupi elitar të famshmish që kanë kaluar pragun me tri presje, njofton Forbes. Nga 22 artistët miliarderë të identifikuar, thuajse gjysma janë shtuar në tre vitet e fundit dhe tani ajo është këngëtarja e pestë që hyn në grup pas të shoqit, Jay-Z, Taylor Swift, Bruce Springsteen dhe Rihanna.

    Turneu i saj, Renaissance, të cilin ajo e realizoi gjatë vitit 2023 u duk se ishte kulmi i karrierës. Prej tij ajo grumbulloi 600 miliardë dollarë dhe siguroi vendin e saj si një nga ikonat më të mëdha të kulturës pop në botë.

    Por 44-vjeçarja nuk u ndal sepse në 2024, me albumin “Cowboy Carter” i hapi vetes mundësi të reja komerciale, një performancë në NFL për Krishtlindje dhe turneun më fitimprurës në botë gjatë 2025 duke fituar denjësisht titullin e miliarderes.

    Beyonce zhvillon disa biznese si një linjë kujdesi për flokët, Cécred, uiski SirDavis dhe një linjë veshjesh, Ivy Park që ndali punën në 2024. Megjithatë, fitimet e saj më të mëdha vijnë nga muzika sepse zotëron të drejtat e katalogut gjigant që ka dhe grumbullon shuma marramendëse nga turnetë.

    Në botën e argëtimit, nuk ka asnjë ndërmarrje më fitimprurëse sesa një këngëtar që mund të mbushë stadiume. Një biletë për turneun Cowboy Carter i garanton një spektatori që jo vetëm të shohë Beyoncé duke kënduar ‘live’ për tri orë, por edhe një makinë fluturuese, krahë robotikë që mbushin gota me SirDavis, një dem të artë mekanik dhe të ftuar specialë.

    Kombinimi i fitimeve nga turnetë, katalogu muzikor dhe marrëveshjet e biznesit i kanë siguruar 148 milionë dollarë gjatë vitit 2025, thotë Forbes, duke e bërë Beyoncé këngëtaren e tretë më të paguar në botë.

  • Putin nënshkruan ligjin që i lejon Rusisë të injorojë vendimet penale të gjykatave ndërkombëtare

    Putin nënshkruan ligjin që i lejon Rusisë të injorojë vendimet penale të gjykatave ndërkombëtare

    Presidenti rus, Vladimir Putin ka nënshkruar ndryshimet ligjore që i japin Rusisë të drejtën të injorojë vendimet në çështjet penale të lëshuara nga gjykatat e huaja dhe ndërkombëtare, ndërsa Ukraina dhe Evropa kërkojnë ndëshkimin e Moskës për luftën e saj.

    Me këto ndryshime, Moska do të ketë të drejtën sipas legjislacionit të saj të brendshëm të shpërfillë vendimet në çështjet penale nga gjykatat e huaja në emër të qeverive të huaja pa pjesëmarrjen e Rusisë.

    Vendimet e lëshuara nga organet ligjore ndërkombëtare, të cilat nuk bazohen në një marrëveshje ndërkombëtare me Rusinë ose në një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, gjithashtu mund të injorohen sipas ndryshimeve.

    Në qershor, Ukraina dhe organi i të drejtave të njeriut i Këshillit të Evropës nënshkruan një marrëveshje që krijonte bazën për një gjykatë të posaçme kundër Rusisë.

  • Votat e para të LDK-së, djali i Ibrahim Rugovës në mesin e më të votuarve

    Votat e para të LDK-së, djali i Ibrahim Rugovës në mesin e më të votuarve

    Ukë Rugova, djali i Presidentit Historik të Kosovës, Ibrahim Rugova sipas rezultatatve të para nga numërimi i votave të kaniddatëve për deputet po del të jetë në mesin e më të votuarve.

    Nga 11 vendvotime ose 4.34 % të votave sa janë numëruar deri më tani, Ukë Rugova radhitet i treti në LDK.

    Ai ka marrë sipas këtyre rezultateve 1 mijë e 453 vota.

    LDK ka marrë vetëm 13,57% ose 118 mijë 772 vota në total.

  • Për herë të parë më shumë gra lindin me prerje cezariane sesa në mënyrë natyrale në Angli

    Për herë të parë më shumë gra lindin me prerje cezariane sesa në mënyrë natyrale në Angli

    Prerja cezariane është bërë forma më e zakonshme e lindjes në Angli, duke tejkaluar për herë të parë lindjet natyrale.

    Sipas të dhënave më të fundit, 45.1 për qind e grave që lindën në vitin 2024/25 e sollën fëmijën në jetë përmes operacionit cezarian, krahasuar me vetëm 9 për qind në vitin 1980.

    Ndërkohë, numri i lindjeve vaginale pa ndërhyrje ka rënë ndjeshëm – nga 76.5 për qind në 1980, në vetëm 43.8 për qind sot.

    Pjesa e mbetur, rreth 11 për qind e lindjeve, ishin lindje vaginale të asistuara, ku mjekët përdorën mjete si forceps ose suction për të ndihmuar nxjerrjen e foshnjës.

    Pse po rritet numri i prerjeve cezariane?

    Ekspertët mendojnë se rritja e lindjeve me prerje cezariane lidhet kryesisht me:

    shtimin e obezitetit,

    rritjen e moshës së grave që bëhen nëna,

    dhe dëshirën për ta planifikuar lindjen paraprakisht.

    Të dy faktorët e parë rrisin rrezikun e komplikimeve gjatë lindjes vaginale, ndërsa disa gra preferojnë komoditetin e një cezariane të planifikuar, me datë të caktuar, për ta organizuar jetën rreth lindjes.

    Po ashtu, gratë që kanë lindur një herë me prerje cezariane kanë më shumë gjasa ta përsërisin këtë metodë në shtatzënitë pasuese.

    Mosha e nënave po rritet

    Të dhënat e NHS England, të publikuara sot, tregojnë se gati një në katër lindje (23.9%) janë nga nëna mbi 35 vjeç, krahasuar me 19.9% një dekadë më parë.

    Gratë më të mëdha në moshë kanë më shumë gjasa të përjetojnë:

    komplikime gjatë shtatzënisë,

    lindje më të zgjatura,

    kontraksione më të dobëta për shkak të funksionimit më pak efikas të muskujve të mitrës.

    Kjo shpesh çon në rekomandimin e një cezariane të planifikuar, ose në një cezariane emergjente nëse lindja natyrale paraqet probleme.

    Shkalla e lindjeve me prerje cezariane rritet ndjeshëm me moshën:

    35.6% te gratë 20–24 vjeç,

    57.9% te gratë 40–44 vjeç,

    71.5% te gratë 45–49 vjeç.

    Paralajmërime, por edhe përparësi për nënat mbi 40 vjeç

    Një fletë informuese e përgatitur nga Barts Health NHS Trust në Londër paralajmëron se prej vitesh dihet që gratë më të mëdha në moshë kanë më shumë gjasa të përballen me vështirësi gjatë shtatzënisë dhe lindjes.

    Megjithatë, dokumenti thekson edhe disa përparësi:

    gratë më të rritura shpesh ushqehen më shëndetshëm dhe ushtrojnë më shumë,

    janë më pak të prirura të pinë duhan,

    kanë më shumë përvojë jetësore, vetëbesim dhe stabilitet emocional e financiar.

    “Përqendrohuni te një shtatzëni e shëndetshme dhe te lidhja me foshnjën tuaj,” këshillon dokumenti, duke i nxitur gratë të mos shqetësohen tepër për moshën.

    Rekord i ri për cezarianet e planifikuara dhe emergjente

    Në total:

    20% e lindjeve në 2024/25 ishin cezariane të planifikuara,

    25.1% ishin cezariane emergjente – të dyja shifrat më të lartat e regjistruara ndonjëherë.

    Organizatat bamirëse paralajmërojnë se mbipesha dhe obeziteti rrisin ndjeshëm rrezikun si për nënën ashtu edhe për foshnjën. Studimet tregojnë se gratë obeze kanë deri në dy herë më shumë gjasa të kenë nevojë për prerje cezariane.

    Ato gjithashtu përjetojnë:

    lindje më të ngadalta,

    foshnja më të mëdha në peshë,

    më shumë komplikime gjatë lindjes.

    Sot, më shumë se një në katër gra mbi 18 vjeç në Mbretërinë e Bashkuar janë obeze.

    Organizata Tommy’s, që merret me shëndetin e shtatzënisë dhe foshnjave, thekson se:

    “Nëse keni një indeks të lartë të masës trupore (BMI) para ose në fillim të shtatzënisë, ka më shumë gjasa të keni nevojë për prerje cezariane – por ajo nuk jepet vetëm mbi bazën e BMI-së.”

    Më pak lindje, kosto më të larta

    Numri i foshnjave të lindura ra në nivelin më të ulët në 23 vjet, me 542,235 lindje vitin e kaluar – rreth 3,000 më pak se një vit më parë dhe 100,000 më pak se një dekadë më parë.

    Kostoja mesatare e një lindjeje për NHS në vitin 2022/23 ishte 5,417 paund, por ajo është zakonisht më e lartë për nënat më të moshuara.

    Sipas statistikave të NHS:

    një lindje natyrale kushton rreth 3,200 paund,

    një cezariane e planifikuar rreth 4,000 paund,

    ndërsa një cezariane emergjente mund të arrijë deri në 6,000 paund, duke qenë opsioni më i shtrenjtë.

    Shqetësime për cilësinë e kujdesit gjatë lindjes

    Një raport i fundit i Care Quality Commission zbuloi se një në pesë gra nuk ndihen të marra seriozisht kur shprehin shqetësime gjatë lindjes.

    Shumë nëna të reja raportojnë se:

    nuk marrin ndihmën e duhur,

    ose nuk janë të bindura se marrin këshillat e sakta nga shërbimet e maternitetit të NHS.

    Një sondazh i madh me 16,750 gra shtatzëna tregoi se, pavarësisht disa përmirësimeve, niveli i kënaqësisë mbetet i pandryshuar dhe problemet kryesore vazhdojnë.

    Ndër to:

    një në dhjetë gra është lënë vetëm në momente që i kanë shkaktuar shqetësim gjatë lindjes,

    gratë nga zonat më të varfra ndihen më pak të trajtuara me dinjitet dhe respekt.

    Thirrje për zgjedhje të informuara

    Fiona Gibb, drejtoreshë e mamisë në Royal College of Midwives, tha:

    “Lindjet me prerje cezariane janë rritur vazhdimisht dhe tani përbëjnë gati gjysmën e të gjitha lindjeve. Kjo pasqyron ndryshimet në nevojat e nënave, zgjedhjet e prindërve dhe presionet sistemike.”

    “Ajo që ka rëndësi është që çdo grua të mbështetet për të bërë zgjedhje të informuara mbi mënyrën e lindjes që është më e mira për të. Asnjë lindje nuk është pa rrezik – përfshirë cezarianen – prandaj informacioni i saktë është thelbësor.”

  • Përditësohen rezultatet në KQZ, këta janë TOP 10 më të votuarit në VV, PDK e LDK

    Përditësohen rezultatet në KQZ, këta janë TOP 10 më të votuarit në VV, PDK e LDK

    Më 28 dhjetor Kosova mbajti zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Tashmë ka nisur procesimi i votave të numëruara të kandidatëve për deputetë.

    Kur janë procesuar 2.89% apo 74 vendvotime nga 2,557 sa janë gjithsej, në Lëvizjen Vetëvendosje, kreu i kësaj partie, Albin Kurti deri tani ka marrë 8 mijë e 84 vota.

    Në vend të dytë është Glauk Konjufca me 6 mijë e 43 vota, ndërsa me 2 mijë e 940 vota është në vend të tretë Albulena Haxhiu.

    Në vendin e katërt aktualisht është Hekuran Murati me 2 mijë e 861 vota, ndërsa në të pestin Donika Gërvalla-Schwarz.

    6. XHELAL SVEÇLA 2,482 Vota
    7. HAJRULLA ÇEKO 3,637 Vota
    8. AVNI DEHARI 3,428 Vota
    9. MIMOZA KUSARI LILA 3,253 Vota
    10.EJUP MAQEDONCI 2,984 Vota

    Në Partinë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka marrë 5 mijë e 212 vota kur procesuar 4.34% të votave të kandidatëve për deputet.

    Arian Tahiri, kandidat për deputet, njëherit ish-kandidat për Kryetar të Mitrovicës në zgjedhjet lokale, deri tani ka marrë 2 mijë e 553 vota.

    Në vend të tretë del të jetë Përparim Gruda me 2 mijë e 295 vota.

    Vendin e katërt me një mijë e 831 vota e zë Uran Ismaili, ndërsa të pestin Sala Jashari me një mijë e 629 vota.

    6. VLORA ÇITAKU 1,484 Vota
    7. ARBEN MUSTAFA 1,433 Vota
    8. ENVER HOXHAJ 1,161 Vota
    9. RRAHMAN RAMA 988 Vota
    10.EMAN RRAHMANI 975 Vota

    Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila në procesimin e votave totale 99.65%, aktualisht ka 13.57%, ndërsa në votat e para të kandidatëve për deputet, Lumir Abdixhiku deri tani ka marrë 2 mijë e 582 vota.

    Me një mijë e 607 vota në vend të dytë është Hykmete Bajrami, ndërsa në të tretin Ukë Rugova me një mijë e 453 vota.

    Në vend të katërt është Doarsa Kica Xhelili me një mijë e 228 vota, ndërsa të pestin me një mijë e 221 vota është Avdullah Hoti.

    6. KUJTIM SHALA 1000 Vota
    7. ARMEND ZEMAJ 920 Vota
    8. ANTON QUNI 864 Vota
    9. LUTFI HAZIRI 754 Vota
    10.JANINA YMERI 716 Vota

    Në votat e para të numëruara të kandidatëve për deputet, 2.89% sa janë tani nga faqja zyrtare e KQZ-së, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj ka marrë 794 vota.

    Në vendin e dytë është Daut Haradinaj me 451 vota ndërsa në të tretin Besnik Tahiri me 447 vota.

    Vendin e katërt aktualisht e zë Bekë Berisha me 397 vota, ndërsa Agim Çeku pas tij me 289 vota.

    6. BURIM RAMADANI 259 Vota
    7. TIME KADRIJAJ 251 Vota
    8. ARBER TOLAJ 236 Vota
    9. TEUTA HAXHIU 213 Vota
    10.PAL LEKAJ 202 Vota

    Kur kanë mbetur edhe 9 vendvotime pa u procesuar rezultatet, në 99.65%, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 49.39% apo 431 mijë e 442 vota.

    E dyta është Partia Demokratike e Kosovës me 21% apo 183 mijë e 826 vota. Lidhja Demokratike e Kosovës numëron 13.57% apo 118 mijë e 772 vota.

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5.68% apo 49 mijë e 675 vota.

    Në Kosovë, në zgjedhjet e së dielës së 28 dhjetorit, të drejtë vote patën 1 milion e 999 mijë e 204 qytetarë.

  • Vdekja e të vëllait – Gjesti reagon për herë të parë në rrjete sociale

    Vdekja e të vëllait – Gjesti reagon për herë të parë në rrjete sociale

    Këngëtari i njohur nga Peja, Gjesti, ka reaguar për herë të parë që pas vdekjes së vëllait të tij, Eldionit.

    Vëllai i ka vdekur në shtator të këtij viti në një aksident me motoçikletë.

    Që nga ajo kohë, artisti ka qëndruar në heshtje, pa një reagim në rrjete sociale e po ashtu larg muzikës.

    Në një postim të ri pas një kohe të gjatë, Gjesti i falënderon të gjithë që i kanë qëndruar pranë në këtë kohë të vështirë.

    Po ashtu njofton se në janar të vitit 2026 do të rikthehet në muzikë.

    Postimi i plotë i Gjestit (pa ndërhyrje):

    “Përshëndetje krejtve shpresoj që jeni mirë, u bë një kohë që nuk jemi parë për këtë po dua t’iu falënderoj secilin prej juve që më keni ndenjur afër mua dhe familjes time në këtë periudhë shumë të vështirë.

    Për mua ka qenë e rëndësishme që në këtë kohë me ndejt larg rrjeteve sociale me u marr më shumë me veten dhe familjen time.

    Sidoqoqftë, iu kam pasur në mendje dhe zemër siç më keni pasur mua.

    Po e shfrytëzoj rastin me këtë video me ia uru Vitin e Ri të gjithëve, ishalla e keni shëndetin, lumturinë edhe familjen se të tjerat bëhen.

    Si përfundim desha të iu tregoj se në vitin 2026 në janar kthehem në muzikë aty ku e kam vendin.

     

    View this post on Instagram

     

    A post shared by GJESTI (@gjestt)

  • BE-ja kërkon formimin e shpejtë të institucioneve në Kosovë

    BE-ja kërkon formimin e shpejtë të institucioneve në Kosovë

    Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, ka bërë thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe është shprehur se mirëpret angazhimin me autoritetet zyrtare të Prishtinës.

    Kallas ka konfirmuar se Bashkimi Evropian po ecën drejt heqjes së masave ndaj Kosovës.

    Në këtë kuadër, ajo ka përsëritur se 216 milionë euro ndihmë financiare janë lëshuar tashmë pas transferimit të rregullt të qeverisjes lokale pas zgjedhjeve të fundit lokale, ndërsa synohet lirimi i 205 milionë eurove shtesë në fillim të vitit të ardhshëm.

    Në deklaratën e lëshuar pas ditës së zgjedhjeve në vend, Kallas ka porositur se Qeveria e re duhet të dyfishojë përpjekjet për reformat shumë të nevojshme që lidhen me Bashkimin Evropian. Ajo ka vlerësuar se procesi zgjedhor tregoi një angazhim të fortë ndaj parimeve demokratike.

    Thirrje të veçantë, Kallas i ka bërë përbërjes së re të Kuvendit që, menjëherë pas formimit, të ratifikojë marrëveshjet që lidhen me Planin e Rritjes.

    “Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një instrument me afat të kufizuar kohor, i miratuar për periudhën 2024–2027, dhe është në interesin e Kosovës që ratifikimi të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur, për të shfrytëzuar plotësisht të gjitha mundësitë që ofron ky plan, në dobi të popullsisë së saj”, ka thënë përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

    Ajo gjithashtu ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet e vetmja rrugë që të dyja palët të avancojnë në proceset e tyre evropiane.

    “Presim që të gjitha detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme të Dialogut, të zbatohen pa vonesa dhe pa parakushte të tjera”, ka nënvizuar Kallas, duke rikonfirmuar gatishmërinë për të organizuar një takim në nivelin më të lartë politik sapo kushtet ta lejojnë një gjë të tillë.