ATV

Author: K.B.

  • Kjo është lista e top pesë kandidatëve më të votuar nga AAK-ja

    Kjo është lista e top pesë kandidatëve më të votuar nga AAK-ja

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka filluar publikimin e numërimit të votave të kandidatëve për deputetë.

    Nga 2,557 vendvotime në total, deri më tani janë përpunuar 16 vendvotime, që përfaqësojnë rreth 0,63% të votave.

    Në këtë fazë të numërimit, kandidatët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) po renditen si më poshtë:

    Ramush Haradinaj – 47 vota

    Bekë Berisha – 25 vota

    Besnik Tahiri – 24 vota

    Daut Haradinaj – 24 vota

    Ahmet Isufi – 19 vota.

  • Aleksandër Lumezi refuzon propozimin për zv/Kryeprokuror të Shtetit

    Aleksandër Lumezi refuzon propozimin për zv/Kryeprokuror të Shtetit

    Aleksandër Lumezi ka refuzuar propozimin për përzgjedhjen në pozitën e Zëvendës-Kryeprokurorit të Shtetit.

    Përmes një e-maili dërguar ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, Lumezi ka sqaruar se për shkak të angazhimeve si prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe në Komisionin për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve, e ka të pamundur ushtrimin edhe të pozitës së zv/Kryeprokurorit të Shtetit.

    Në e-mailin që e ka siguruar “Betimi për Drejtësi“, thuhet se mbi këto arsye, Lumezi ka shprehur keqardhje për refuzim të propozimit të Qalajt, por duke vlerësuar propozimin e tij.

    “Pas një shqyritmi të kujdesshëm të përgjegjësive dhe angazhimeve që kjo pozitë kërkon, kam arritur në përfundimin se në këtë moment nuk jam në gjendje të pranoj këtë detyrë, për shkak të angazhimeve të mia profesionale si prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe në Komisionin për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve të të gjitha niveleve. Për këto arsye, me keqardhje kam vendosur të refuzoj këtë propozim“, thuhet në letrën e Lumezit.

    Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” më 26 dhjetor 2025 ka raportuar se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka caktuar takimin e radhës për sot (29 dhjetor 2025), ku pikë e rendit të ditës është edhe përzgjedhja e Zëvendës-Kryeprokurorit të Shtetit.

    Sipas letrës që kishte siguruar “Betimi për Drejtësi”, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, për këtë pozitë e ka propozuar Aleksandër Lumezin.

    Bazuar në agjendën e takimit të KPK-së të siguruar nga mediumi, në pikën e shtatë të rendit të ditës është “Propozimi i u.d. Kryeprokurorit të Shtetit për zgjedhjen e Zëvendës Kryeprokurorit të kësaj zyre”.

    Ndërkaq, në letrën që Qalaj ia ka drejtuar KPK-së më 24 dhjetor, propozon Lumezin për këtë pozitë.

    “ … me qëllim që të garantohet vazhdimësia institucionale, ushtrimi i plotë i kompetencave dhe përmbushja e të gjitha detyrave dhe përgjegjësive në përputhje me legjislacionin në fuqi, propozoj caktimin e prokurorit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z.Aleksandër Lumezi, në pozitën e Zëvendës Kyreprokurorit të Shtetit”, thuhet në këtë shkresë.

    Kujtojmë se Agron Qalaj është caktuar nga KPK në pozitën e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit në mbledhjen e 22 dhjetorit, pas miratimit të kërkesës së Besim Kelmendit për dorëheqje nga kjo pozitë.

  • OVL-UÇK organizon nesër homazhe për Ditën e Veteranit

    OVL-UÇK organizon nesër homazhe për Ditën e Veteranit

    Nesër, me rastin e Ditës së Veteranit të UÇK-së, OVL-UÇK do të organizojë homazhe në nderim të dëshmorëve të rënë për liri.

    Aktiviteti nis në orën 09:30 në Prekaz, pranë Kompleksit Memorial të Dëshmorëve, te Komandanti legjendar Adem Jashari, ndërsa homazhe do të mbahen edhe në lokacione të tjera nëpër qytetet e Kosovës.

    OVL-UÇK fton bashkëluftëtarët, familjarët e dëshmorëve dhe qytetarët të marrin pjesë në këtë ditë kujtese dhe nderimi.

  • Gjashtë ankesa u dorëzuan në PZAP në ditën e zgjedhjeve

    Gjashtë ankesa u dorëzuan në PZAP në ditën e zgjedhjeve

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka bërë të ditur se në ditën e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, të dielën, pranoi gjashtë ankesa. Ankesat kishin të bënin kryesisht për shkeljet në ditën e votimit.

    “Lidhur me pyetjen tuaj rreth numrit të ankesave që lidhen me shkeljet konkretisht në ditën e votimit ju njoftojmë se janë pranuar 6 ankesa qe kanë të bëjnë kryesisht me shkeljet në ditën e votimit”, thuhet në përgjigjen e PZAP-së për Kohën.

    Në faqen e PZAP-së figurojnë gjashtë ankesa të bëra nga Lëvizja Vetëvendosje më 28 dhjetor, ndërsa një ankesë e ka dorëzuar AAK-ja sot.

    Dy ankesa i bëri në Prishtinë ndaj LDK-së për “përdorim të pasurisë publike dhe shfrytëzimit të pozitës publike me qëllim të përfitimit të votave”. Dy ankesa i bëri ndaj AAK-së për thyerje të heshtjes zgjedhore. Një ankesë ndaj LDK-së në Podujevë për vendosje të materialit zgjedhor në hapësira publike dhe një ndaj Lista Sërpskas për thyerje të heshtjes zgjedhore.

    E të hënën AAK-ja ka dorëzuar një ankesë ndaj Vetëvendosjes për thyerje të heshtjes zgjedhore.

  • Numërimi i votave të kandidatëve, këto janë top pesëshet e partive sipas të dhënave të fundit

    Numërimi i votave të kandidatëve, këto janë top pesëshet e partive sipas të dhënave të fundit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur publikimin e votave për kandidatët për deputetë.

    Deri tani janë procesuar 16 vendvotime.

    Sipas këtyre rezultateve këta janë top pesë kandidatët më të votuar të partive politike.

    VV: Albin Kurti, Glauk Konjufca, Arsim Ademi, Rufki Suma e Fahrush Rexhepi.

  • Janina Ymeri për rezultatet: Vendi ka zgjedhur të përzë rininë, duke duartrokitur Albin Kurtin për 100 euro

    Janina Ymeri për rezultatet: Vendi ka zgjedhur të përzë rininë, duke duartrokitur Albin Kurtin për 100 euro

    Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka reaguar pas nisjes së procesit të numërimit të votave për kandidatët, duke kritikuar ashpër realitetin social dhe zgjedhjet politike në vend, me theks të veçantë te politika e ndarjes së 100 eurove.

    Në një status të publikuar në rrjetet sociale, Ymeri ka bërë të ditur se nga sot ka nisur numërimi i votave për kandidatët për deputetë, duke u bërë thirrje qytetarëve që për informacione të fundit të përcjellin Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Ajo ka theksuar se ky proces ende nuk nënkupton përmbylljen e zgjedhjeve.

    Duke komentuar rezultatin zgjedhor, Ymeri ka thënë se ai nuk e ka befasuar, duke e lidhur atë me gjendjen ekonomike dhe nivelin e varfërisë në vend. Sipas saj, politika e ndarjes së parave ka pasur ndikim vendimtar në votën e qytetarëve.

    “Siç thotë populli, parja flet vet. Ka fol me rrymë, me ‘Martina’, me hajni tenderësh, por mbi të gjitha ka fol bindshëm fakti se ky popull e do paranë pa punuar. Ka fol mbrëmë”, ka shkruar ajo.

    Ymeri kritikon ashpër faktin që, sipas saj, vendi ka zgjedhur të “përzë rininë e vet”, ndërkohë që qytetarët duartrokasin kryeministrin Albin Kurti për përfitimin e 100 eurove disa herë në vit.

    Ajo thekson se vota përcakton vetëm rolin politik dhe opozitar, por jo vlerën dhe rezultatin final të një individi në jetë. Sipas saj, elektorati ka të drejtë të zgjedhë, por këto zgjedhje pasqyrojnë edhe mentalitetin shoqëror dhe drejtimin që po merr vendi.

    “E rëndësishme është ta dish se ku po rreshtohesh, kë po duartrokit dhe për çfarë Kosove po punon – për një politikë që, sipas meje, e largon rininë nga vendi apo për një Kosovë me perspektivë”, ka përfunduar Ymeri.

  • Në prag të zgjedhjeve, Abdixhiku prezanton mesazhet e fundit

    Në prag të zgjedhjeve, Abdixhiku prezanton mesazhet e fundit

    Edhe pse fushata u mbyll zyrtarisht të premten, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër të Republikës së Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka ndarë sot në rrjetet sociale disa momente dhe mesazhe nga aktivitetet e fundit të fushatës.

    Në një vizitë në DeepSpace në Prishtinë, Abdixhiku ka folur për rëndësinë e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale për të ardhmen e vendit. Ai ka deklaruar se “e ardhmja është digjitale” dhe se Kosova, si shoqëri e re me dije të reja, ka mundësi reale të bëjë kapërcim të madh drejt zhvillimit evropian. Sipas tij, LDK ka plan të qartë për krijimin e Ministrisë së Digjitalizimit dhe trajnimin e 40 mijë të rinjve në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, si bazë për vende të reja pune dhe ekonomi moderne.

    Po ashtu, kreu i LDK-së ka zhvilluar një takim me artistë dhe përfaqësues të skenës kulturore, ku ka diskutuar për sfidat dhe rolin e artit në shoqëri. Abdixhiku ka thënë se kultura nuk është luks, por identitet dhe themel shpirtëror i një kombi, duke premtuar mbështetje institucionale dhe investime serioze në art, trashëgimi kulturore dhe hapësira krijuese.

    Në një tjetër mesazh, Abdixhiku është ndalur edhe te zhvillimi urban i Prishtinës, duke vlerësuar rifillimin e projekteve infrastrukturore pas zhbllokimit financiar. Ai tha se Unaza e Brendshme e kryeqytetit është drejt finalizimit, ndërsa Unaza e Jashtme dhe rrugët e vonuara ndër vite do të përfundojnë me ritëm të përshpejtuar, duke nënvizuar se LDK në Prishtinë “nuk ndalet”.

    Me këto mesazhe, Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbyllur fushatën zgjedhore duke u fokusuar në digjitalizim, kulturë dhe zhvillim, ndërsa qytetarët e Kosovës pritet t’u drejtohen kutive të votimit nesër, më 28 dhjetor, për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës.

  • “Krah Kosovës Përjetë”, AAK mbyll zyrtarisht fushatën zgjedhore

    “Krah Kosovës Përjetë”, AAK mbyll zyrtarisht fushatën zgjedhore

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbyllur sot fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare me një tubim qendror të mbajtur në Prishtinë. Në këtë tubim, Kryetari i AAK-së dhe kandidati për Kryeministër të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka falënderuar familjet e dëshmorëve, martirëve, veteranët e luftës, bashkëluftëtarët, si dhe përfaqësuesit nga diaspora që, sipas tij, kanë udhëtuar nga larg për të marrë pjesë në procesin zgjedhor.

    Gjatë fjalimit, Haradinaj ka vënë theks të veçantë në listën zgjedhore të AAK-së, duke e cilësuar atë si më të mirën që Kosova ka pasur ndonjëherë. Sipas tij, lista 129 përfaqëson një përzierje të gjeneratave dhe profesioneve.

    Ai ka thënë se programi i AAK-së synon të jetë pranë çdo qytetarit teksa ka përsëritur zotimin për rritje të pagave, pensioneve dhe shtesave sociale.

    Në fjalimin e tij, Haradinaj ka veçuar dy prioritete kryesore që, sipas tij, vetëm AAK mund t’i realizojë: çlirimin e Kosovës nga, siç e quajti ai, “mafia energjetike” përmes prodhimit vendor të energjisë, si dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO për të garantuar siguri të përhershme.

    Me këtë tubim në Prishtinë, AAK ka përmbyllur zyrtarisht fushatën zgjedhore, duke u bërë thirrje qytetarëve që në ditën e zgjedhjeve ta mbështesin listën 129.

  • “Begati dhe Siguri”, Lëvizja Vetëvendosje ka mbyllur sot fushatën zgjedhore

    “Begati dhe Siguri”, Lëvizja Vetëvendosje ka mbyllur sot fushatën zgjedhore

    Lëvizja Vetëvendosje ka mbyllur sot fushatën për zgjedhjet parlamentare me një tubim të madh në kryeqytet. Kryetari i partisë dhe kandidati për Kryeministër i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, premtoi se në mandatin e ardhshëm do të vazhdojë investimet në prodhimtari, teknologji, arsimin e shëndetësinë, duke premtuar gjithashtu rritjen e shtesave për familjet me fëmijë dhe mbështetje për bashkatdhetarët që duan të investojnë në vend.

    Kurti premtoi edhe për modernizimin e ushtrisë dhe zhvillimin e sektorit të teknologjisë, duke përmendur krijimin e një fondi për teknologji dhe inovacion.

    Në fund të tubimit, ai apeloi qytetarët që të votojnë për Lëvizjen Vetëvendosje dhe kandidatët për deputet, teksa ka folur për rëndësinë e votës së tyre në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

  • “Bashkë drejt fitores”, KDTP mbyll fushatën elektorale

    “Bashkë drejt fitores”, KDTP mbyll fushatën elektorale

    Partia Demokratike Turke e Kosovës ka përmbyllur fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare me një mesazh të fuqishëm uniteti, besimi dhe vendosmërie. Kryetari i KDTP-së, Fikrim Damka, tha se kjo fushatë ka qenë një dëshmi e lidhjes së fortë mes partisë dhe popullit.

    “Ne jemi pranë popullit tonë, zemër më zemër. Gjithmonë krah për krah me të njëjtin sinqeritet, besim dhe entuziazëm. Ky unitet i fortë vazhdon me vendosmëri në kutinë e votimit. Ne takohemi me besim në numrin 112. Ne jemi të fortë së bashku dhe do të fitojmë së bashku,” u shpreh Damka.

    Në kuadër të aktiviteteve të fundit të fushatës, KDTP ka ndarë pamje nga takimi i mbajtur në Mamushë me qytetarët, ku morën pjesë Kryetari i KDTP-së, z. Fikrim Damka, si dhe Kryetari i Komunës së Mamushës, z. Abdülhadi Krasniç. Takimi u organizua në mbështetje të kandidatëve për deputetë Ergül Mazrek dhe Fatma Taçi, të cilët u prezantuan si përfaqësues të përkushtuar dhe zëri i denjë i komunitetit turk në Kuvendin e Kosovës.

    Në ditët e fundit të fushatës, Kryetari i KDTP-së ka publikuar edhe një video informuese me grafika sqaruese për mënyrën e saktë të votimit, duke u bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike.
    “Le të takohemi në qendrat e votimit më 28 dhjetor. Çdo votë është e rëndësishme për të ardhmen tonë të përbashkët,” është mesazhi përmbyllës i Kryetarit Damka.