ATV

Author: K.B.

  • Reshjet e borës, kjo është gjendja e rrugëve që çojnë në pikëkalimet kufitare

    Reshjet e borës, kjo është gjendja e rrugëve që çojnë në pikëkalimet kufitare

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka përditësuar të dhënat mbi gjendjen e rrugëve që cojnë në pikëkalimet kufitare.

    Sipas përditësimit të fundit, të gjitha rrugët janë të kalueshme, përveç Mitrovicë- Bërnjak, Mitrovicë- Jarinjë, Prishtinë- Mutivodë janë të kalueshme por me vështirësi.

  • Albumi i ri i Yll Limanit “TSN” thyen rekordet me 20 milionë dëgjime

    Albumi i ri i Yll Limanit “TSN” thyen rekordet me 20 milionë dëgjime

    Vetëm pak javë pas publikimit të tij më 18 dhjetor, albumi më i fundit i Yll Limanit, me titull “TSN” (Thirrëm Sot ose Nesër), po thyen rekorde në platformat digjitale dhe po bëhet një nga projektet më të komentuar të fillimvitit në muzikën shqiptare.

    Sipas statistikave të fundit, albumi ka arritur të regjistrojë 20 milionë dëgjime në të gjitha platformat muzikore, duke treguar jo vetëm popullaritetin e artistit, por edhe përqafimin e gjerë nga publiku.

    “TSN” përmban gjithsej 16 këngë, të cilat u pritën me shumë interes që në momentin e publikimit.

    Stilistikisht, albumi mban gjurmët e Limanit, me meloditë e veçanta dhe tekstet ndjerë, që arrijnë të kapin vëmendjen e dëgjuesve menjëherë.

    Shumë prej këngëve janë renditur direkt në listat e YouTube, Spotify dhe Apple Music, duke u bërë pjesë e pandashme e ‘playlisteve’ të fansave.

    Label-i Three60 Music ka reaguar përmes rrjeteve sociale, duke falënderuar ndjekësit për mbështetjen e vazhdueshme.

    “TSN sapo arriti 20 milionë dëgjime”, thuhet në njoftim.

    Suksesi i “TSN” konfirmon statusin e Limanit si një nga artistët më të ndjekur dhe me ndikim në skenën muzikore shqiptare, duke e bërë çdo projekt të tij një ngjarje të pritshme dhe të suksesshme.

  • E lini dorezën e rubinetit në mes? Ky zakon po ju rrit faturat pa e kuptuar

    E lini dorezën e rubinetit në mes? Ky zakon po ju rrit faturat pa e kuptuar

    Një gabim i vogël me rubinetin që aktivizon bojlerin sa herë hapni ujin e ftohtë

    Ekzistojnë shumë truke të vogla shtëpiake që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në jetëgjatësinë e pajisjeve ose në shpenzimet mujore, dhe ky është një prej tyre.

    Një nga zakonet e shpeshta në shumë familje është lënia e dorezës së rubinetit në pozicionin qendror, vertikal. Megjithatë, ekspertët theksojnë se pikërisht kjo praktikë mund të ndikojë në rritjen e kostove në faturat mujore.

    Sipas specialistëve, pas këtij zakoni fshihet një formë e panevojshme e harxhimit. Kur dorezës së rubinetit ndodhet në pozicionin qendror, sistemi është i projektuar në atë mënyrë që të tërheqë njëkohësisht ujë të ftohtë dhe ujë të ngrohtë.

    Si pasojë, sa herë që hapni çezmën, aktivizohet automatikisht bojleri ose sistemi për ngrohjen e ujit – edhe nëse ju nevojitet vetëm ujë i ftohtë. Kjo sjell konsum të panevojshëm të energjisë elektrike ose të gazit, veçanërisht kur doreza e rubinetit përdoret shpesh gjatë ditës.

    Për këtë arsye, rekomandohet që pas çdo përdorimi ta zhvendosni levën e çezmës djathtas, në pozicionin e ujit të ftohtë. Me këtë veprim të thjeshtë siguroheni që bojleri të mbetet i fikur derisa uji i ngrohtë të jetë realisht i nevojshëm.

    Ky zakon i vogël, por i zgjuar, ndihmon në uljen e konsumit të panevojshëm të energjisë, rrit efikasitetin e pajisjeve shtëpiake dhe ju ndihmon të keni një kontroll më të mirë mbi buxhetin familjar.

    Ekspertët shtojnë se kjo praktikë është veçanërisht e rëndësishme në familjet ku përdoren bojlerë elektrikë, pasi aktivizimi i shpeshtë dhe i panevojshëm i tyre mund të shkurtojë edhe jetëgjatësinë e pajisjes.

  • Vendi ku njerëzit flenë në punë dhe askush nuk ankohet

    Vendi ku njerëzit flenë në punë dhe askush nuk ankohet

    Si kultura e punës e kthen dremitjen në shenjë sakrifice

    Në një vend ku puna është pjesë e identitetit personal dhe përkushtimi matet me orë të gjata e përpjekje të vazhdueshme, gjumi në vendin e punës nuk shihet si mungesë disipline. Përkundrazi, ai interpretohet si shenjë lodhjeje nga puna intensive. Ky vend është Japoni, ku ekziston një fenomen kulturor unik që habit pjesën tjetër të botës.

    Në zyrat japoneze, nuk është e pazakontë të shohësh punonjës që dremisin për disa minuta në tavolinën e punës, gjatë mbledhjeve apo edhe në transportin publik rrugës për në punë. Ky veprim nuk shoqërohet me qortime apo vërejtje, sepse në kulturën japoneze lodhja shihet si pasojë e drejtpërdrejtë e përkushtimit maksimal ndaj detyrave profesionale. Një person që bie në gjumë për pak çaste perceptohet si dikush që ka dhënë më shumë se ç’duhet, jo si dikush që po shmang përgjegjësitë.

    Ky zakon ka rrënjë të thella në shoqërinë japoneze, ku puna kolektive, besnikëria ndaj kompanisë dhe sakrifica personale janë vlera thelbësore. Punonjësit shpesh qëndrojnë në zyrë shumë më gjatë se orari zyrtar, ndërsa presioni për të qenë gjithmonë të pranishëm dhe të përkushtuar është i madh. Në këtë kontekst, dremitja e shkurtër shihet si një pauzë e domosdoshme për të rifituar energji, jo si mungesë profesionalizmi.

    Megjithatë, kjo praktikë e veçantë kulturore e quajtur Inemuri, ka edhe rregulla të pashkruara. Gjumi nuk duhet të jetë i gjatë, nuk duhet të shndërrohet në shtrirje apo rehati të plotë dhe nuk duhet të pengojë punën e të tjerëve. Punonjësi pritet të zgjohet menjëherë nëse i drejtohet një pyetje apo i kërkohet ndërhyrja. Pra, bëhet fjalë për një dremitje të shkurtër dhe diskrete, që tregon prani fizike dhe gatishmëri mendore.

    Interesant është fakti se ky zakon nuk kufizohet vetëm në zyra. Në trenat e mbushur të Tokios, në stacione apo në hapësira publike, njerëzit flenë për pak minuta pa frikë dhe pa u gjykuar. Kjo tregon një nivel të lartë besimi shoqëror dhe një kuptim të përbashkët të lodhjes si pjesë e jetës moderne urbane. Madje, në disa kompani dhe zona urbane janë krijuar hapësira të posaçme për pushime të shkurtra, ku punonjësit mund të mbyllin sytë për disa minuta gjatë ditës.

    Nga jashtë, kjo praktikë mund të duket e çuditshme ose madje problematike, sidomos në kulturat ku gjumi në punë konsiderohet shkelje e rëndë e disiplinës. Por në Japoni, ajo reflekton një realitet tjetër: një shoqëri që punon shumë, shpesh përtej kufijve të shëndetshëm, dhe që ka gjetur mënyra alternative për të përballuar lodhjen pa e prishur strukturën e punës.

    Në fund, ky fenomen ngre edhe pyetje më të thella për balancën mes punës dhe jetës personale. Ndërsa për disa është simbol i përkushtimit, për të tjerë është shenjë e një kulture pune tepër të rëndë. Sidoqoftë, mbetet një nga kuriozitetet më interesante të botës moderne, që tregon se edhe gjumi – në kontekste të caktuara – mund të ketë kuptime krejtësisht të ndryshme.

  • Përfundon aksioni i Prokurorisë së Prizrenit, 35 persona të arrestuar dhe sekuestrohen rreth 20 mijë euro

    Përfundon aksioni i Prokurorisë së Prizrenit, 35 persona të arrestuar dhe sekuestrohen rreth 20 mijë euro

    Një aksion i madh i Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, i udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Prizren, është zhvilluar sot në disa qytete të Kosovës.

    Burime e Televizionit Tëvë1 bëjnë të ditur se aksioni pa përfunduar ku ky aksion përfshin hetimet për vepra të rënda penale në fushën e krimeve ekonomike, ndërsa deri më tani janë arrestuar rreth 35 persona. Sipas të njëjtave burime, vlera e dëmit të shkaktuar dyshohet se tejkalon shifrën mbi 1 milion euro.

    Gjatë bastisjeve të realizuara në kuadër të këtij aksioni, autoritetet kanë sekuestruar edhe rreth 20 mijë euro para të gatshme, si dhe materiale të tjera që pritet të shërbejnë si prova në procedurat hetimore.

    Në mesin e të arrestuarve janë edhe emra të njohur, përfshirë Sami Mazrekun, ish-drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), si dhe Valon Berisha, ish-drejtor i Financave në këtë institucion.

    Burime brenda hetimeve bëjnë të ditur se aksioni lidhet me dyshime për keqpërdorime financiare dhe veprime të kundërligjshme që kanë dëmtuar buxhetin dhe funksionimin e institucioneve përkatëse. Hetimet për këtë rast kanë qenë në zhvillim për një periudhë më të gjatë, ndërsa aksioni i sotëm konsiderohet si fazë kyçe e tyre.

  • Komuna e Kaçanikut nis pastrimin e rrugëve, apelon qytetarët për kujdes

    Komuna e Kaçanikut nis pastrimin e rrugëve, apelon qytetarët për kujdes

    Komuna e Kaçanikut ka angazhuar kompaninë e kontraktuar për mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrugëve pas reshjeve të borës, ndërsa punimet kanë nisur që në orët e hershme të mëngjesit.

    Ekipet e pastrimit janë në terren dhe po punojnë për largimin e borës dhe sigurimin e qarkullimit normal në rrugët kryesore dhe dytësore.

    Sipas Drejtorit të Shërbimeve Publike dhe Emergjencës, Arian Teneqja, “të gjitha rrugët kryesore janë të pastruara dhe të qarkullueshme, ndërsa kërkohet kujdes i shtuar nga drejtuesit e automjeteve për shkak të ngricave eventuale”.

    Komuna apelon tek qytetarët që të adaptojnë shpejtësinë dhe të respektojnë udhëzimet për siguri gjatë lëvizjes në rrugë.

  • Nga janari i këtij viti, Komuna e Rahovecit jep 600 euro për çdo lindje

    Nga janari i këtij viti, Komuna e Rahovecit jep 600 euro për çdo lindje

    Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi ka nënshkruar vendimin për rritje të subvencionimit për çdo lindje, në 600 euro.

    Nga 500 sa ishte më parë, Latifi ka marrë vendim që nga janari i këtij viti të jetë 600 euro.

    Ndërsa shton se deri në fund të mandatit do të rritet në 750 euro.

    Postimi:

    Nis zbatimi i zotimit tim publik, rritet subvencionimi për çdo lindje në 600€

    Sot, nënshkrova vendimet e para për subvencionimin e dy lindjeve në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) “Dr. Fahredin Hoti” në Rahovec.

    Nga janari i këtij viti, çdo lindje e realizuar në repartin e maternitetit të QKMF-së “Dr. Fahredin Hoti”, do të mbështetet nga Komuna e Rahovecit me 600€, nga 500€ sa ishte më parë, ndërsa deri në fund të mandatit, në përputhje me zotimin e dhënë, subvencionimi do të rritet në 750€.

  • Kurti thyen rekord me mbi 400 mijë vota, LVV-ja fiton mbi 51%

    Kurti thyen rekord me mbi 400 mijë vota, LVV-ja fiton mbi 51%

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shënuar një rezultat historik në zgjedhjet parlamentare, duke kaluar shifrën prej 400 mijë votash individuale dhe duke u renditur si kandidati më i votuar ndonjëherë në Kosovë.

    Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 8 janar 2026, në orën 09:36, kreun i Lëvizjes Vetëvendosje ka grumbulluar gjithsej 401,241 vota, ndërsa partia që drejton ka siguruar shumicën absolute të votave, me 51.01 për qind apo 484,049 vota, pas numërimit të 100 për qind të vendvotimeve, gjithsej 2,836.

    Duke shikuar nga historiku i zgjedhjeve në Kosovë, Kurti është bërë kandidati më i votuar, duke kaluar edhe presidentin historik, Ibrahim Rugova, që kishte marrë 359,851 vota në vitin 2001.

    Kryetari i LVV-së ishte votuar në masë të madhe edhe më 9 shkurt 2025, ku kishte marrë 337.791 vota, ndërsa Glauk Konjufca ishte votuar në 315.300 sosh. Mbi 300 mijë vota kishte marrë edhe Vjosa Osmani, presidentja aktuale e vendit, saktësisht 300.756 sosh në vitin 2021.

    Kur jemi tek partitë, pas Vetëvendosjes, renditja e subjekteve politike vijon me Partinë Demokratike e Kosovës, e cila ka marrë 20.24 për qind të votave, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.26 për qind, si dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 5.50 për qind.

    Bazuar në këto rezultate preliminare, shpërndarja e ulëseve në Kuvendin e Kosovës parasheh që LVV-ja të ketë 57 mandate, PDK-ja 22, LDK-ja 15, AAK-ja 6, ndërsa 20 ulëse u takojnë përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë.

    Sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhje, sipas KQZ-së, në procesin zgjedhor kanë marrë pjesë 45.03 për qind e votuesve, përkatësisht 900,330 qytetarë nga gjithsej 1,999,204 votues sa ishin të regjistruar në Listën Votuese brenda vendit. Ndërkohë, 77,086 qytetarë ishin të regjistruar për votim jashtë Kosovës.

    Procesi zgjedhor brenda Kosovës është zhvilluar në 948 qendra të votimit, me gjithsej 2,614 vendvotime, përfshirë votimin e rregullt dhe atë me kusht. Ndërkaq, votimi jashtë vendit është organizuar më 27 dhjetor në 29 përfaqësi diplomatike të Kosovës, të vendosura në 18 shtete, ku të drejtë vote kanë pasur 19,187 votues të regjistruar.

  • Drenasi përballet me borë dhe vërshime, komuna jep detaje për gjendjen e rrugëve

    Drenasi përballet me borë dhe vërshime, komuna jep detaje për gjendjen e rrugëve

    Komuna e Drenasit ka njoftuar se pas reshjeve të borës, kompania e kontraktuar për mirëmbajtjen dimërore ka nisur punën që në orët e hershme të mëngjesit për pastrimin e rrugëve dhe sigurimin e qarkullimit normal.

    Sipas njoftimit zyrtar, ekipet komunale janë të angazhuara në terren dhe po punojnë intensivisht në pastrimin e borës në rrugët kryesore dhe dytësore të komunës.

    “Ekipet janë në terren dhe po punojnë intensivisht për pastrimin e borës dhe sigurimin e qarkullimit normal në rrugët kryesore dhe dytësore”, thuhet në njoftimin e Komunës së Drenasit.

    Nga komuna u është bërë thirrje vozitësve që të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të jenë të pajisur me pajisje dimërore, duke kërkuar kujdes të shtuar gjatë vozitjes.

    “Vozitësit obligohen t’i kenë pajisjet dimërore dhe të kenë kujdes të shtuar gjatë vozitjes”, thekson njoftimi.

    Aktualisht, sipas komunës, shumica e rrugëve janë të kalueshme. Megjithatë, dy segmente rrugore vazhdojnë të mbeten të bllokuara.

    “Të gjitha rrugët janë të kalueshme, përveç rrugës për tek Guri i Plakës, në fshatin Çikatovë e Vjetër, si dhe rrugës për tek Kroi i Mbretit, në lagjen Bucolli, të cilat janë të pakalueshme si pasojë e reshjeve të shiut”, njofton Komuna e Drenasit.

    Nga komuna kanë falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe kanë bërë të ditur se situata po monitorohet vazhdimisht.

  • Aksioni i gjerë i Prokurorisë, Byroja Kosovare e Sigurimit: Është iniciuar nga vetë BKS-ja, pas raportit të Auditimit të Brendshëm

    Aksioni i gjerë i Prokurorisë, Byroja Kosovare e Sigurimit: Është iniciuar nga vetë BKS-ja, pas raportit të Auditimit të Brendshëm

    Prokuroria Themelore e Prizrenit sot në orët e mëngjesit ka zhvilluar një aksion të gjerë në disa qytete, ndërsa objekt i bastisjeve janë pronat e ish-zyrtarëve të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS).

    E lidhur me këto bastisje ka reaguar vetë Byroja Kosovare e Sigurimeve.

    BKS thekson se kjo është iniciuar vetë nga ta, në cilësinë e palës së dëmtuar, si rezultat i konstatimeve të identifikuara në raportin e Auditimit të Brendshëm.

    Lexoni të plotë reagimin e BKS:

    Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) njofton opinionin publik se rasti i fundit, i cili po trajtohet nga Prokuroria Themelore në Prizren dhe për të cilin janë raportuar bastisje dhe veprime hetimore, është iniciuar nga vetë BKS-ja në cilësinë e palës së dëmtuar, si rezultat i konstatimeve të identifikuara në raportin e Auditimit të Brendshëm.

    Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të Byrosë për transparencë, integritet institucional dhe mbrojtje të interesit publik, pas evidentimit të shkeljeve serioze dhe dyshimeve për keqpërdorime, BKS ka ndërmarrë veprime të menjëhershme ligjore, duke i adresuar gjetjet përkatëse tek organet kompetente të rendit dhe drejtësisë.

    Byroja Kosovare e Sigurimeve ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë në mënyrë të plotë dhe aktive me Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës, duke vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm për zhvillimin e hetimeve.

    Theksojmë se BKS mbetet e përkushtuar në forcimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm, parandalimin e keqpërdorimeve dhe garantimin e menaxhimit të përgjegjshëm të mjeteve financiare, në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi.

    Byroja Kosovare e Sigurimeve rithekson se respekton parimin e prezumimit të pafajësisë dhe beson se organet e drejtësisë do ta zbardhin plotësisht këtë rast, duke vepruar në përputhje me ligjin.

    Për çdo zhvillim të mëtejmë, opinioni publik do të njoftohet në kohë përmes kanaleve zyrtare të Byrosë.

    Byroja Kosovare e Sigurimeve shpreh falënderim dhe vlerësim të veçantë për Prokuroritë kompetente dhe Policinë e Kosovës, për angazhimin profesional, veprimet e shpejta dhe bashkëpunimin korrekt institucional në trajtimin e këtij rasti. Ky bashkëpunim dëshmon përkushtimin e përbashkët për forcimin e sundimit të ligjit, luftimin e keqpërdorimeve dhe mbrojtjen e interesit publik.