ATV

Author: K.B.

  • Komuna e Prishtinës apelon për kujdes të shtuar gjatë reshjeve të shiut dhe borës

    Komuna e Prishtinës apelon për kujdes të shtuar gjatë reshjeve të shiut dhe borës

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar qytetarët për reshje shiu gjatë natës dhe ditës së enjte teksa sipas tyre në disa lokacione mund të jenë më intensive.

    Sipas komunës, gjatë orëve të natës reshjet pritet të shndërrohen në borë, fillimisht në zonat më të larta dhe më pas edhe në viset më të ulëta. Temperaturat do të bien nga -2 gradë deri në -4 gradë Celsius, ndërsa në zonat kodrinoro-malore (Gollak – Llap) deri në -6 gradë Celsius.

    Kësisoj, komuna e Prishtinës ka apleuar për kujdes të veçantë gjatë qarkullimit rrugor për shkak të rrugëve të lagështa dhe ngricave të mundshme, si dhe për këmbësorët, sidomos në orët e mëngjesit, veçanërisht në zonat më të larta dhe periferike të kryeqytetit.

    “Ju ftojmë që të bashkëpunoni me institucionet e Kryeqytetit, të respektoni udhëzimet zyrtare dhe të raportoni çdo situatë që paraqet rrezik për sigurinë publike. Faleminderit për mirëkuptimin dhe kujdesin tuaj. Qëndroni të informuar dhe të sigurt”, përfundon njoftimi.

  • Më urdhër të Trumpit, SHBA-ja do të tërhiqet edhe nga 66 organizata ndërkombëtare

    Më urdhër të Trumpit, SHBA-ja do të tërhiqet edhe nga 66 organizata ndërkombëtare

    Administrata Trump do të tërhiqet nga dhjetëra organizata ndërkombëtare, përfshirë agjencinë e OKB-së për popullsinë dhe traktatin e OKB-së që përcakton negociatat ndërkombëtare për klimën, ndërsa SHBA-ja vazhdon të largohet nga bashkëpunimi global.

    Presidenti Donald Trump të mërkurën nënshkroi një urdhër ekzekutiv që pezullon mbështetjen e SHBA-së për 66 organizata, agjenci dhe komisione, pas rishikimit nga administrata e tij të pjesëmarrjes dhe financimit të të gjitha organizatave ndërkombëtare, përfshirë ato të lidhura me Kombet e Bashkuara, sipas një njoftimi të Shtëpisë së Bardhë, raporton AP.

    Shumë prej objektivave janë agjenci, komisione dhe panele këshilluese të OKB-së që fokusohen në klimë, punë, migracion dhe çështje të tjera që administrata Trump i ka kategorizuar si mbështetëse të diversitetit dhe iniciativave “woke”. Organizata të tjera jo të OKB-së në listë përfshijnë Partneritetin për Bashkëpunim Atlantik, Institutin Ndërkombëtar për Demokraci dhe Ndihmë Zgjedhore dhe Forumin Global Kundër Terrorizmit.

    “Administrata Trump ka konstatuar se këto institucione janë të tepërta në fushëveprim, të keqmenaxhuara, të panevojshme, shpërdoruese, të drejtuara keq, të kapura nga interesa që avancojnë axhenda të tyre në kundërshtim me tonat, ose përbëjnë kërcënim për sovranitetin, liritë dhe prosperitetin e përgjithshëm të vendit tonë,” tha Sekretari i Shtetit Marco Rubio në një deklaratë.

    Administrata ka pezulluar më herët mbështetjen për agjenci si Organizata Botërore e Shëndetësisë, agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë e njohur si UNRWA, Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB-së dhe agjencia kulturore e OKB-së, UNESCO. Ajo ka ndjekur një qasje më selektive për pagesën e detyrimeve ndaj organizmit botëror, duke zgjedhur se cilat operacione dhe agjenci përputhen me agjendën e Trump dhe cilat nuk i shërbejnë më interesave të SHBA-së.

  • Sitnica del nga shtrati, raportohet për evakuim të banorëve

    Sitnica del nga shtrati, raportohet për evakuim të banorëve

    Raportohet se lumi Sitnica ka dalë nga shtrati, duke shkaktuar përmbytje në disa shtëpi dhe zona përreth.

    Sipas raportimeve të ‘Mitropol’, situata është përkeqësuar ndjeshëm, duke detyruar evakuimin e disa banorëve

    Në pamjet e publikuara, shihet se uji ka depërtuar në oborre dhe brenda shtëpive, ndërsa disa qytetarë janë detyruar të largohen me barka për shkak të nivelit të lartë të ujit.

  • Maqedonci: FSK-ja në gatishmëri për ndërhyrje pas vërshimeve në Kosovë

    Maqedonci: FSK-ja në gatishmëri për ndërhyrje pas vërshimeve në Kosovë

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka folur për situatën e krijuar nga vërshimet në Kosovë, duke bërë të ditur se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është vënë në gjendje gatishmërie për të intervenuar aty ku ka nevojë.

    Në Tëvë1, Maqedonci tha se që në ditën e djeshme institucionet janë informuar për reshjet e shiut dhe rritjen e nivelit të lumenjve, të cilat kanë shkaktuar përmbytje fillimisht në pjesën perëndimore të vendit, e më pas edhe në pjesën lindore të Kosovës.

    “Sapo jemi informuar për reshjet e shiut dhe rritjen e nivelit të lumenjve, që kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të vendit, komandanti i FSK-së, pas vlerësimeve nga Shtabi i Përgjithshëm dhe strukturat e sigurisë, ka ngritur gjendjen e gatishmërisë me njësi të specializuara për këto raste, të cilat janë të përgatitura për të intervenuar”, ka deklaruar Maqedonci.

    Ai ka theksuar se angazhimi i njësive të FSK-së bëhet në bazë të kërkesave zyrtare nga komunat përmes mekanizmave institucionalë.

    “Një gjë e rëndësishme është se ne i angazhojmë njësitë e Ushtrisë së Kosovës atëherë kur komunat paraqesin kërkesat përkatëse në Qendrën e Situatave të Këshillit të Sigurisë së Kosovës dhe në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, ku bëhet vlerësimi se ku është më e nevojshme ndërhyrja”, ka shtuar ai.

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes ka siguruar se institucionet e sigurisë janë në koordinim të vazhdueshëm dhe të gatshme për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të prekur nga vërshimet.

  • Ndërpritet operimi i impiantit për ujë të pijes në Mitrovicë, e pamundur shpërndarja sipas standardeve

    Ndërpritet operimi i impiantit për ujë të pijes në Mitrovicë, e pamundur shpërndarja sipas standardeve

    Si pasojë e rritjes së theksuar të nivelit të turbullirës në burimet e ujit, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar për ndërprerjen e përkohshme të operimit të Impiantit për Trajtimin e Ujit të Pijes.

    Sipas KRU “Mitrovica”, aktualisht nuk është e mundur që uji të trajtohet dhe të shpërndahet në përputhje me standardet e sigurisë dhe cilësisë së ujit të pijes.

    Për këtë arsye, është marrë vendimi për ndaljen e përkohshme të operimit të impiantit.

    Nga kompania bëhet e ditur se ekipet teknike janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe se operimi do të rifillojë menjëherë sapo të normalizohet niveli i turbiditetit në burimet e ujit.

    KRU “Mitrovica” u bën thirrje qytetarëve për mirëkuptim, duke theksuar se kjo masë është ndërmarrë për të garantuar sigurinë dhe shëndetin e konsumatorëve.

    “Këto kushte teknike e bëjnë të pamundur trajtimin dhe shpërndarjen e ujit sipas standardeve të sigurisë dhe cilësisë së ujit të pijes. Ekipet tona teknike janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe do të rifillojnë operimin e impiantit menjëherë pas normalizimit të nivelit të turbiditetit”, thuhet në njoftim.

  • Ish-drejtuesit e Byros Kosovare të Sigurimeve në mesin e të arrestuarve në aksionin e Prokurorisë së Prizrenit

    Ish-drejtuesit e Byros Kosovare të Sigurimeve në mesin e të arrestuarve në aksionin e Prokurorisë së Prizrenit

    Në mesin e të arrestuarve në aksionin e së enjtes që po zhvillohet nga Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prizren, janë Sami Mazreku, ish-drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe ish-drejtori i Financave në BSK, Valon Berisha.

    Ky aksion po zhvillohet në disa qytete të Kosovës dhe deri tani janë arrestuar disa persona në regjionet e Prizrenit, Prishtinës, Pejës, Gjilan, Ferizajt, Mitrovicës dhe Gjakovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Në terren për këtë aksion janë nëntë prokurorë.

    Burimet të “Betimi për Drejtësi” kanë bërë me dije se aksioni është duke u zhvilluar lidhur me kryerjen e veprave penale “keqpërdorim i besimit”, “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”, “ndihmë në keqpërdorim të besimit” dhe falsifikim të dokumentit”.

  • Komuna e Fushë Kosovës shpërndan ndihma për familjet në nevojë në zonat e prekura

    Komuna e Fushë Kosovës shpërndan ndihma për familjet në nevojë në zonat e prekura

    Komuna e Fushë Kosovës, në bashkëpunim me Këshillin e Bashkësisë Islame të Fushë Kosovës, ka siguruar 65 pako ushqimore, ujë dhe batanije për familjet në nevojë, si pjesë e përpjekjeve për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur nga situata e krijuar pas reshjeve të shiut.

    “Komuna e Fushë Kosovës, në bashkëpunim me Këshillin e Bashkësisë Islame të Fushë Kosovës, ka arritur të sigurojë 65 pako ushqimore, ujë dhe batanije për familjet në nevojë”, thuhet në njoftimin e komunës.

    Sipas këtij njoftimi, shpërndarja e ndihmave po vazhdon në fshatrat Graboc i Poshtëm, Pomozotin, Henc dhe Miradi e Epërme.

    Komuna ka falënderuar të gjithë kontribuuesit për angazhimin humanitar, duke theksuar se “ky është një angazhim i përbashkët humanitar, në shërbim të qytetarëve”.

    Po ashtu, autoritetet komunale u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin zonat e përmbytura dhe të raportojnë çdo situatë që paraqet rrezik për sigurinë publike.

    “Institucionet e Komunës së Fushë Kosovës janë në gatishmëri të plotë për monitorim dhe ndërhyrje sipas nevojës”, theksohet më tej, duke shtuar se komuna mbetet e përkushtuar që përmes veprimeve konkrete dhe reagimit të shpejtë institucional të jetë pranë qytetarëve në këtë situatë emergjente.

  • Mbi 40 persona cak i aksionit të Prokurorisë së Prizrenit, raportohet për arrestime

    Mbi 40 persona cak i aksionit të Prokurorisë së Prizrenit, raportohet për arrestime

    Njësia e Krimeve Ekonomike e Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, është duke zhvilluar një aksion të gjerë policor në disa qytete të Kosovës.

    Siç raporton “Betimi për Drejtësi” se vlera e dëmit të shkaktuar nga ky rast dyshohet të jetë mbi 1 milion euro, ndërsa cak i aksionit janë mbi 40 persona. Sipas të njëjtit raportim, viktimë e veprimeve të dyshuara penale është një organizatë.

    Në mesin e personave të arrestuar deri më tani raportohet të jetë janë Sami Mazreku, ish-drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), si dhe Valon Berisha, ish-drejtor i Financave në BKS.

    Aksioni është duke u zhvilluar në disa rajone të vendit, përfshirë Prizrenin, Prishtinën, Pejën, Gjilanin, Ferizajn, Mitrovicën dhe Gjakovën, ndërsa deri më tani janë ndaluar disa persona.

    Për realizimin e këtij operacioni, në terren janë angazhuar nëntë prokurorë të Prokurorisë Themelore në Prizren, të cilët po e udhëheqin aksionin në koordinim me Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës.

    Aksioni lidhet me dyshimet për kryerjen e veprave penale “keqpërdorim i besimit”, “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”, “ndihmë në keqpërdorim të besimit” si dhe “falsifikim të dokumenteve”.

    Hetimet janë në zhvillim e sipër dhe priten detaje të tjera nga organet e drejtësisë në orët në vijim.

  • Nga sot ulje e temperaturave, reshje bore dhe rrezik nga ngricat

    Nga sot ulje e temperaturave, reshje bore dhe rrezik nga ngricat

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se nga dita e enjte do të ketë ndryshim të theksuar të kushteve meteroligjike, ulje të temperaturave, reshje bore dhe rrezik nga ngricat.

    IHK-ja ka njoftuar gjithashtu se temperaturat minimale do të shënojnë ulje të theksuar, duke zbritur nën vlerat zero gradë celsius, veçanërisht gjatë natës dhe orëve të hershme të mëngjesit.

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton gjithashtu se gjatë orëve të para të ditës së enjte, reshjet ekzistuese të shiut pritet të kalojnë gradualisht në reshje bore.

    “Pas reshjeve të dendura të shiut që gjatë tri ditëve të fundit kanë përfshirë kryesisht territorin e Rrafshit të Dukagjinit dhe në intensitet disi më të ulët edhe Rrafshin e Kosovës, gjatë natës së sontme pritet një ndryshim gradual i kushteve meteorologjike në vend. Sipas analizave sinoptike dhe vëzhgimeve aktuale meteorologjike, presioni atmosferik do të vazhdojë trendin e rënies, duke sinjalizuar afrimin dhe kalimin e një sistemi frontal aktiv mbi rajonin tonë”, thuhet në njoftim.

    Më tej thuhet se kjo do të krijojë kushte të favorshme për formimin e ngricave në sipërfaqet rrugore, trotuare, ura dhe zona të ekspozuara ndaj lagështisë së lartë. Ngricat, të kombinuara me shtresat e borës dhe erërat e ftohta, pritet të ndikojnë negativisht në sigurinë e qarkullimit rrugor.

  • Shtrenjtimi i ujit, Lushaku-Sadriu: Ky pushtet po e varfëron popullin e vet

    Shtrenjtimi i ujit, Lushaku-Sadriu: Ky pushtet po e varfëron popullin e vet

    Jehona Lushaku-Sadriu e LDK-së njofton për një “faturë politike për qytetarët”, duke vënë në pah shtrenjtimin e ujit dhe kanalizimit.

    Ajo thotë se nga janari, faturat e ujit dhe kanalizimit janë rritur rreth 40%.

    Sipas saj, ky është ndëshkimi i parë politik ndaj qytetarëve duke goditur ujin, produktin më të domosdoshëm për vet jetën e qytetarëve.

    “Pa pyetur askënd. Pa konsultime publike. Pa asnjë mbrojtje për familjet që mezi mbijetojnë nga muaji në muaj”.

    Lushaku-Sadriu thekson se ky pushtet nuk po qeveris, por po e varfëron popullin e vet.

    “Derisa uji e produktet bazike trajtohen si mall për t’u shtrenjtuar nga shteti, e jo si të drejta jetike, ky pushtet nuk po qeveris, por po e varfëron popullin e vet. Fatkeqësisht, do të kemi shtrenjtime edhe të produkteve të tjera. Fatura të tjera edhe më të larta!”, shkruan ajo.