ATV

Author: K.B.

  • Zhurma në veshë, marramendja ose dëgjimi i dobësuar mund të jenë reagim ndaj 5 llojeve të barnave

    Zhurma në veshë, marramendja ose dëgjimi i dobësuar mund të jenë reagim ndaj 5 llojeve të barnave

    Merren shpesh, por pak kush e di këtë rrezik

    Zhurma në veshë (tinitusi), marramendja ose dëgjimi i zbehur mund të jenë efekte anësore të padëshiruara të disa barnave. Një spektër i gjerë medikamentesh – disa prej të cilave merren edhe pa recetë, mund të jenë ototoksike, pra të dëmtojnë veshin e brendshëm dhe të ndikojnë në dëgjim ose ekuilibër. Ototoksiciteti është një term që vjen nga fjalët “oto” (vesh) dhe “toksik” (helmues). Ai mund të jetë pasojë e faktorëve të ndryshëm, përfshirë infeksionet, predispozitën gjenetike dhe përdorimin e barnave.

    Rreth 200 barna kanë veti ototoksike

    Ototoksiciteti përkufizohet si toksicitet ndaj veshit, veçanërisht ndaj kokleas (kërmillit) ose nervit të dëgjimit. Ai mund të çojë në humbje të dëgjimit, tinitus dhe çrregullime të ekuilibrit. Reagimet e padëshiruara ndonjëherë janë të përkohshme, ndërsa në raste të tjera mund të jenë të përhershme dhe varen nga lloji i barit, doza, kohëzgjatja e përdorimit dhe ndjeshmëria individuale.

    Veshi i brendshëm është jashtëzakonisht delikat. Shumica e specialistëve konsiderojnë se barnat ototoksike shkaktojnë dëmtime duke shkatërruar qelizat e imta me qime në koklea – pjesë kyçe e veshit të brendshëm. Kur këto qeliza dëmtohen, ato nuk rigjenerohen, prandaj humbja e dëgjimit në shumë raste është e pakthyeshme. Vlerësohet se rreth 200 barna kanë potencial ototoksik, veçanërisht këto pesë grupe, transmeton Telegrafi.

    Antibiotikët

    Antibiotikët aminoglikozidë, si gentamicina, tobramicina dhe streptomicina, zakonisht përshkruhen në infeksione të rënda si sepsa, meningjiti apo tuberkulozi – gjendje ku nevojitet trajtim i shpejtë dhe agresiv për të shmangur pasoja fatale. Në këto raste, përfitimi i terapisë shpesh e tejkalon rrezikun e dëmtimit të dëgjimit. Këta antibiotikë zakonisht jepen intravenoz dhe janë ndër substancat ototoksike më të dokumentuara. Ato mund të shkaktojnë humbje të përhershme të dëgjimit, sidomos kur përdoren në doza të larta ose për periudha të gjata. Disa pacientë janë gjenetikisht më të ndjeshëm ndaj këtyre efekteve.

    Rreziku rritet edhe nga fakti se këto barna mund të qëndrojnë në veshin e brendshëm për javë apo edhe muaj, çka do të thotë se dëmtimi mund të vazhdojë edhe pas përfundimit të terapisë. Kujdes rekomandohet edhe me antibiotikë të tjerë, si makrolidët (eritromicina, azitromicina) dhe vankomicina, të cilët janë lidhur me probleme të dëgjimit, veçanërisht te të moshuarit dhe te personat me sëmundje të veshkave.

    Barnat për zemrën

    Diuretikët e ansës së Henles, si furosemidi dhe bumetanidi, përdoren shpesh në trajtimin e insuficiencës kardiake dhe tensionit të lartë. Kur aplikohen në doza të larta ose intravenoz, mund të shkaktojnë humbje të përkohshme të dëgjimit për shkak të çrregullimit të ekuilibrit të lëngjeve dhe elektroliteve në veshin e brendshëm. Vlerësohet se rreth 3% e pacientëve mund të zhvillojnë reagime ototoksike.

    Disa barna për uljen e tensionit janë lidhur gjithashtu me shfaqjen e tinitusit. Këtu përfshihen ACE–inhibitorët, si ramiprili, si dhe bllokuesit e kanaleve të kalciumit, si amlodipina. Edhe pse këto lidhje janë vërejtur, nevojiten studime shtesë për të sqaruar plotësisht ndikimin e tyre në dëgjim.

    Kimioterapia

    Disa barna të kimioterapisë, veçanërisht ato që përmbajnë platin, si cisplatina dhe karboplatina, njihen për efekt të fortë ototoksik. Cisplatina, e përdorur në trajtimin e kancerit të testikujve, vezoreve, gjirit dhe tumoreve të kokës e qafës, mund të çojë në humbje të përhershme të dëgjimit. Rreziku rritet nëse terapia me rrezatim aplikohet në zonën e kokës ose qafës.

    Deri në 60% e pacientëve të trajtuar me cisplatinë zhvillojnë një shkallë të caktuar dëmtimi të dëgjimit. Studiuesit po eksplorojnë mënyra për të ulur këtë rrezik përmes përshtatjes së dozës ose frekuencës së administrimit, pa komprometuar efikasitetin e trajtimit.

    Barnat kundër dhimbjes

    Doza të larta të analgjezikëve të zakonshëm, si aspirina dhe NSAID-ët (ibuprofeni, naprokseni), të përdorur kundër dhimbjes, inflamacionit dhe temperaturës, janë lidhur me tinitus dhe humbje të dëgjimit.

    Një studim i madh tregoi se gratë nën 60 vjeç që merrnin rregullisht doza të moderuara aspirine (325 mg ose më shumë, 6–7 herë në javë) kishin 16% rrezik më të lartë për zhvillimin e tinitusit. Kjo lidhje nuk u vu re me doza të ulëta (100 mg ose më pak). Përdorimi i shpeshtë i NSAID-ëve dhe paracetamolit u shoqërua gjithashtu me rreth 20% rritje të rrezikut për tinitus.

    Studime të tjera e kanë lidhur përdorimin afatgjatë të këtyre barnave me humbje të dëgjimit, veçanërisht te meshkujt nën 60 vjeç. Në shumicën e rasteve, simptomat tërhiqen pas ndërprerjes së barit, por zakonisht shfaqen pas përdorimit të zgjatur dhe në doza të larta.

    Barnat antimalarike

    Barnat si klorokina dhe kinina, të përdorura për trajtimin e malaries dhe ngërçeve muskulore, mund të shkaktojnë humbje të kthyeshme të dëgjimit dhe tinitus. Një studim tregoi se 25–33% e personave me humbje dëgjimi kishin përdorur më parë këto barna.

    Hidroksiklorokina, e përdorur në trajtimin e lupusit dhe artritit reumatoid, ka strukturë kimike të ngjashme dhe rrezik të ngjashëm. Te disa persona dëgjimi përmirësohet pas ndërprerjes së terapisë, por te të tjerë mund të mbetet dëmtim i përhershëm, veçanërisht pas përdorimit afatgjatë ose në doza të larta.

    Personat që tashmë kanë dëmtim të dëgjimit, vuajnë nga sëmundje të veshkave ose kanë predispozitë gjenetike janë në rrezik më të lartë, po ashtu edhe pacientët që marrin njëkohësisht disa barna ototoksike. Fëmijët dhe të moshuarit përbëjnë grupe veçanërisht të ndjeshme.

    Mjekët theksojnë se në situata të caktuara – si trajtimi i kancerit, sepsës apo tuberkulozit – përfitimet e këtyre barnave e tejkalojnë rrezikun. Megjithatë, informimi i pacientit është thelbësor. Këshillohet që pacientët të pyesin profesionistët shëndetësorë nëse barnat që përdorin mund të ndikojnë në dëgjim ose ekuilibër dhe që çdo simptomë si zhurma në veshë, marramendja apo dëgjimi i dobësuar të raportohet menjëherë. Këto rekomandime përputhen edhe me udhëzimet e World Health Organization dhe National Institutes of Health mbi sigurinë e përdorimit të barnave.

  • Policia dhe Prokuroria aksion në Prishtinë, në cak katër persona për keqpërdorim të pozitës zyrtare e marrje ryshfeti

    Policia dhe Prokuroria aksion në Prishtinë, në cak katër persona për keqpërdorim të pozitës zyrtare e marrje ryshfeti

    Prokuroria Themelore e Prishtinës, bashkë edhe me Policinë e Kosovës po e zhvillojnë një aksion.

    Kjo u konfirmua nga zëdhënësja Kaltrina Shala.

    “Po është duke u zhvilluar ndaj katër personave, dy nga ta për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe dy të tjerë për marrje të ryshfetit”, tha Shala.

    “Për informacione të tjera do t’ju njoftojmë me kohë”, theksoi ajo për KlanKosova.

  • Nait Hasani: Votat e mia janë rritur në mënyrë të padrejtë, duke u përdorur emri im

    Nait Hasani: Votat e mia janë rritur në mënyrë të padrejtë, duke u përdorur emri im

    Kandidati për deputet nga PDK, Nait Hasani, i cili pësoi ndryshim votash teksa po ndodh rinumërimi në 914 vendvotime, ka thënë se votat e tij janë rritur në mënyrë të padrejtë e duke e përdorur emrin e tij për manipulime.

    Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se nuk hyrë në politikë për të fituar me mashtrime por për të fituar me besim dhe se nuk ka nevojë për vota të vjedhura.

    Ai bën thirrje që të hetohet çdo votë.

    Postimi i tij i plotë:

    Reagim politik në mbrojtje të dinjitetit tim dhe të votës së qytetarëve.T

    Të nderuar qytetarë,

    Në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025 është cenuar rëndë vullneti i lirë i qytetarëve dhe është sulmuar drejtpërdrejt dinjiteti im politik dhe kombëtar.

    Me atë që pash në rinumrim, votat e mia janë rritur në mënyrë të padrejtë, duke u përdorur emri im për manipulime të papranueshme zgjedhore.

    Ky veprim përbën jo vetëm shkelje ligjore, por edhe akt të rëndë moral dhe politik.Unë refuzoj kategorikisht çdo votë që nuk buron nga vullneti i lirë i qytetarit.

    Nuk kam hyrë në politikë për të fituar me mashtrime, por për të fituar me besim. Nuk kam nevojë për vota të vjedhura, sepse respektoj votën e ndershme më shumë se çdo rezultat.

    Drejtësia nuk duhet të heshtë. As unë nuk do të hesht.Unë do të vazhdoj të qëndroj në anën e qytetarëve, në anën e votës së lirë dhe në anën e së vërtetës, edhe nëse kjo rrugë është më e vështirë.

    Ky reagim nuk është për të mbrojtur vetëm emrin tim, por për të mbrojtur të ardhmen demokratike të Kosovës.

  • Emergjenca në QKUK për dy ditë trajtoi 900 raste

    Emergjenca në QKUK për dy ditë trajtoi 900 raste

    Qendra Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës gjatë dy ditëve të fundjavës është përballur me një fluks të lartë pacientësh, duke trajtuar gjithsej rreth 900 raste.

    Sipas ShSKUK-së kjo është një ngarkesë të jashtëzakonshme të punës.

    Nga këto raste 61 kanë qenë nga aksidentet në komunikacion.

    “Në këtë periudhë janë ofruar shërbime emergjente të natyrave të ndryshme, përfshirë 194 raste reanimimi, 302 trajtime internistike, 183 raste ortopedike, 137 raste kirurgjike si dhe 33 raste që kanë kërkuar intervenime të vogla. Ndërsa 61 prej tyre kanë qenë raste të aksidentuara. Të gjitha këto shërbime janë realizuar nga ekipet e mjekëve specialistë dhe infermierëve të Qendrës Emergjente”, thuhet në njoftim.

    Sipas ShSKUK-së një pjesë e konsiderueshme e pacientëve janë paraqitur drejtpërdrejt në Qendrën Emergjente, duke anashkaluar shërbimet shëndetësore parësore dhe dytësore.

    “Qendra Klinike Universitare e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që rastet jo emergjente të drejtohen fillimisht në qendrat e mjekësisë familjare apo në spitalet rajonale .Qendra Emergjente duhet të mbetet e rezervuar për rastet serioze dhe kërcënuese për jetën. Bashkëpunimi i qytetarëve është thelbësor për të mundësuar ofrimin e kujdesit shëndetësor në kohën e duhur për pacientët që janë në rrezik të drejtpërdrejtë për jetën”, thuhet në njoftim.

  • Kili shpall gjendje të jashtëzakonshme pasi zjarret morën jetën e 18 personave

    Kili shpall gjendje të jashtëzakonshme pasi zjarret morën jetën e 18 personave

    Presidenti kilian, Gabriel Boric ka shpallur gjendje katastrofe në dy rajone ku zjarret vdekjeprurëse kanë lënë të paktën 18 të vdekur.

    Më shumë se 50,000 njerëz janë evakuuar gjithashtu në rajonet Nuble dhe Biobio, rreth 500 km në jug të kryeqytetit Santiago, raporton BBC.

    Boric tha se numri i të vdekurve pritet të rritet.

    Zjarri më i rrezikshëm ka përfshirë pyjet e thata që kufizohen me qytetin bregdetar të Concepcion. Rreth 250 shtëpi janë shkatërruar, thanë zyrtarët e fatkeqësive.

  • KQZ sot vendos a do të bëhet rinumërimi i votave në gjithë Kosovën

    KQZ sot vendos a do të bëhet rinumërimi i votave në gjithë Kosovën

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mbajë sot (e hënë, 19 janar 2026), në ora 13:30, mbledhjen e radhës, ku në rend dite do të jetë raporti mbi procesin e deritanishëm të rinumërimit të vendvotimeve.

    Kjo mbledhje vjen në kohën kur dyshimet për manipulim të votave kanë nxitur reagime të forta nga subjektet politike dhe kërkesa të shumta për rinumërim të plotë dhe hetime nga organet e drejtësisë.

    Mospërputhjet më të mëdha janë evidentuar në komunën e Prizrenit, duke ngritur shqetësime serioze për keq numërim gjatë procesit fillestar.

    Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, KQZ mund të marrë një vendim të ri për të zgjeruar rinumërimin në komunat e tjera, në varësi të gjetjeve që dalin gjatë procesit aktual të rinumërimit.

    Deri më tani, procesi i rinumërimit është duke u zhvilluar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

    Sipas të dhënave zyrtare, deri në orën 07:15, janë rinumëruar 556 vendvotime nga gjithsej 914, ndërsa pritet që KQZ të prezantojë detaje shtesë lidhur me gjetjet dhe hapat e mëtejmë gjatë mbledhjes së sotme.

  • Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Sot dorëzohen dosjet përfundimtare

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Sot dorëzohen dosjet përfundimtare

    Procesi gjyqësor në rastin e ish-krerëve të UÇK-së po shkon drejt fundit.

    Sot, në Hagë do të dorëzohen dosjet përfundimtare.

    Prokuroria, avokati i viktimave dhe ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit do t’i dorëzojnë dosjet përkatëse trupit gjykues.

    Pas dorëzimit të dosjeve, pason fjala përfundimtare, e cila pritet të mbahet nga 9 deri më 18 shkurt, me ç’rast më pas procesi gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit, konsiderohet edhe zyrtarisht i mbyllur.

    Katërshja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndodhen në Hagë nga nëntori i 2020-tës, duke mos iu ofruar asnjë mundësi lirimi nga paraburgimi deri në këtë fazë të procedurës.

    Pas përfundimit të fjalëve përfundimtare, gjykatësit do të kenë një afat prej tre muajsh për të shpallur vendimin e shkallës së parë, me mundësi shtyrjeje edhe për dy muaj të tjerë.

  • Të kërkuar nga UNMIK, arrestohen dy persona nga Kosova në Tiranë

    Të kërkuar nga UNMIK, arrestohen dy persona nga Kosova në Tiranë

    Policia e Shtetit shqiptar njoftoi se ka arrestuar dy persona, banues në Tiranë, pasi ishin shpallur në kërkim nga Misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK, të akuzuar për trafikim të qenieve njerëzore.

    Arrestimi i tyre është bërë në Tiranë, dhe ata pritet të esktradohen në Kosovë.

    “Në qytetin e Tiranës, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve R. B. dhe G. H., banues në Tiranë. Këta dy shtetas ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të UNMIK/Kosovë, më datë 13.01.2026, ka lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar për këta dy shtetas, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Pjesëmarrje ose organizim i grupit të strukturuar kriminal”, në fushën e trafikimit të qenieve njerëzore, parashikuar nga Kodi Penal i Kosovës”, tha policia.

  • Këta janë 5 kandidatët nga 4 partitë që po humbin më së shumti vota gjatë rinumërimit

    Këta janë 5 kandidatët nga 4 partitë që po humbin më së shumti vota gjatë rinumërimit

    Procesi i rinumërimit të votave ka bërë që shumë prej kandidatëve për deputetë të humbasin numër të konsiderueshëm të votave nga rezultatet e para.

    Nga LVV deri më tani, Arbër Rexhaj ka – 628 vota, Rea Krasniqi -545 vota, Dafina Alishani -465 vota, Valon Ramadani -432 vota, Mytaher Haskuka -280 vota.

    Kurse nga Partia Demokratike më së shumti që ka humbur vota është, Fetah Paçarizi -6,010 vota dhe nga gjithë kandidatët për deputetë. Pas tij janë Nait Hasani -3,409 vota, Kujtim Gashi -2,360 vota, Luljeta Veselaj – Gutaj -2,102 vota, Xhemshit Krasniqi -413 vota.

    Kurse nga LDK në pesëshen që kanë humbur më së shumti vota nga rinumërimi janë: Xhavit Uka -1,597 vota, Driton Selmanaj -1,047 vota, Anton Quni -535 vota, Visar Azemi -415 vota, Ardian Shala -155 vota.

    Kurse nga AAK më së shumti vota ka humbur, Besnik Krasniqi -316 vota, Tringa Morina -163 vota, Burim Ramadani -153 vota, Edmond Hoxha -137 vota dhe Diellza Fetoshi -103 vota.

  • Ngrica dhe mjegull në mëngjes, gjatë ditës intervale me diell

    Ngrica dhe mjegull në mëngjes, gjatë ditës intervale me diell

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se të hënën moti do të jetë i vranët dhe me intervale me diell.

    Temperaturat minimale do të jenë -9 deri -7°C, ato maksimale -1 deri 3°C.

    Në disa vende mund të ketë ngrica dhe mjegull, andaj IHMK ka bërë thirrje për kujdes në trafik.