ATV

Author: K.B.

  • Peci takon ambasadorin turk, diskutohen investimet e huaja në Mitrovicë

    Peci takon ambasadorin turk, diskutohen investimet e huaja në Mitrovicë

    Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, ku është diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve me fokus në tërheqjen e investitorëve potencialë në Mitrovicë.

    Peci ka bërë të ditur se në takim janë trajtuar ide dhe projekte konkrete zhvillimore, duke theksuar rëndësinë e krijimit të kushteve të favorshme për investime të huaja.

    Ai është zotuar për angazhim të plotë institucional, si në aspektin ligjor ashtu edhe në atë infrastrukturor, për të garantuar siguri për investitorët.

    “Takim miqësor e frytdhënës për ide e projekte konkrete zhvillimore për Komunën e Mitrovicës. Sot mirëprita Sh.T. Ambasadorin e Turqisë në Kosovë, z. Sabri Tunç Angılı, ku fokusi i diskutimit ishte bashkëpunimi në mes dy vendeve për investitorë potencialë në Mitrovicë. Angazhimi ynë do të jetë i plotë; ligjor e infrastrukturor si parakusht dhe siguri për investime të huaja, me qëllim të zhvillimit ekonomik të Komunës së Mitrovicës”, ka shkruar Peci.

  • Trumpi nënshkruan vendimin për themelimin e Bordit të Paqes

    Trumpi nënshkruan vendimin për themelimin e Bordit të Paqes

    Presidenti Donald Trump ka nënshkruar dokumentin që zyrtarizon themelimin e Bordit të Paqes.

    Ceremonia u mbajt në Davos, ku paraprakisht edhe vendet pjesëmarrëse, në mesin e të cilave edhe Kosova, si shtete themeluese hodhën nënshkrimet e tyre.

    Trump tha se dëshiron që Bordi i Paqes të punojë përkrah Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

    Presidentja Osmani po e përfaqëson Kosovën, teksa para nënshkrimit, e para e shtetit zhvilloi një bisedë të shkurtër me presidentin amerikan.

  • Visar Azemi: LDK-ja kërkon hetim për çështjen e reduktimeve të energjisë

    Visar Azemi: LDK-ja kërkon hetim për çështjen e reduktimeve të energjisë

    Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, në një konferencë për media ka thënë se LDK-ja do të iniciojë hetim parlamentar për keqmenaxhimin e sektorit të energjisë.

    Sipas tij, rikthimi i reduktimeve të energjisë elektrike është dëshmi e qartë e menaxhimit skandaloz të sektorit të energjisë në Kosovë.

    “Me themelimin e Kuvendit të Kosovës, do të kërkojë hetim të menjëhershëm parlamentar, për të sqaruar përgjegjësitë për krizën aktuale; auditim të pavarur dhe të plotë të shitblerjeve të energjisë elektrike ndër vite dhe depolitizim të institucioneve energjetike, pasi emërimet e fundit dëshmojnë një tendencë shqetësuese të partizimit të sektorit, duke cenuar profesionalizmin dhe pavarësinë institucionale”, ka thënë Azemi.

    Azemi ka thënë se drejtori i ri i KOST-it është bashkëpronar i një biznesi privat për energji- konflikt i pastër interesi.

    “Po ata që dikur thoshin se familjarët i kanë “vetëm për dasma”, sot po i shndërrojnë institucionet energjetike në strehë për emërime partiake dhe familjare. Po ata që flisnin kundër privatizimit dhe premtonin kthimin e aseteve në pronë shtetërore, sot po e përdorin sektorin e energjisë për interesa politike”, ka thënë Azemi.

    Rruga përpara sipas Visar Azemit, është ndërtimi i centralit me gaz, për të cilin Lidhja Demokratike e Kosovës ka kohë që kërkon dhe e ofron si zgjidhje konkrete për sigurinë energjetike dhe sigurinë kombëtare të vendit.

  • Komuna e Gjilanit vazhdon subvencionimin e qirasë për familjet në nevojë

    Komuna e Gjilanit vazhdon subvencionimin e qirasë për familjet në nevojë

    Komuna e Gjilanit ka njoftuar se edhe gjatë këtij viti do të vazhdojë subvencionimin e qirasë për familjet që nuk kanë banesë apo shtëpi në pronësi dhe gjenden në gjendje të rëndë ekonomike.

    Drejtoria e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale ka hapur thirrjen për aplikim, e cila do të jetë e hapur deri më 30 janar 2026. Të drejtë aplikimi kanë vetëm familjet rezidente në Komunën e Gjilanit që plotësojnë kriteret e nevojës ekonomike.

    Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, tha se subvencionimi i qirasë është njëra prej politikave që vazhdohet edhe në mandatin e dytë.

    “Njëra prej politikave të cilat i kemi ndjekur gjatë mandatit të parë, po e vazhdojmë edhe në mandatin e dytë. 163 mijë euro i kemi financuar në mandatin e parë dhe këtë mbështetje po e vazhdojmë edhe gjatë këtij mandati”, deklaroi Hyseni.

    Ai shtoi se tash është mundësia për të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetje për banim të aplikojnë dhe bëri thirrje që të mos vonohen, duke vënë në dukje se afati i aplikimit po afrohet.

    Për më shumë detaje rreth procedurës së aplikimit dhe kriteret e pranueshmërisë, qytetarët mund të vizitojnë faqen zyrtare të Komunës së Gjilanit.

  • Urdhërohet ekzaminimi psikiatrik për djalin që dyshohet se vrau nënën e tij

    Urdhërohet ekzaminimi psikiatrik për djalin që dyshohet se vrau nënën e tij

    I është caktuar një muaj paraburgim 30 vjeçarit, i cili dyshohet se e ka vrarë nënën e tij në Restelicë të Dragashit.

    Në njoftimin e Gjykatës bëhet e ditur se është urdhëruar ekzaminimi psikiatrik për të dyshuarin.

    Ky ekzaminim duhet të kryhet sa më shpejtë që të jetë e mundur, por jo më gjatë se afati prej dy javësh nga dita e lëshimit të urdhëresës.

    “Pas kryerjes së ekzaminimit, raporti dhe ekspertiza, t’i dorëzohet Prokurorisë Themelore Prizren dhe Gjyqtarit të procedurës paraprake”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

  • Liderët e shteteve prapa, Trump ia shtrëngon duart presidentes Osmani pasi nënshkruan rezolutën për Bordin e Paqes

    Liderët e shteteve prapa, Trump ia shtrëngon duart presidentes Osmani pasi nënshkruan rezolutën për Bordin e Paqes

    Presidenti amerikan, Donald Trump e nënshkroi rezolutën inauguruese që do të përcaktojë mandatin e Bordit të Paqes për Gazën.

    Me liderët pjesëmarrës prapa, Trump hodhi nënshkrimin dhe më pas u kthye duke ia kapur dorën presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila u rreshtua menjëherë pas tij.

    Ajo – sikur edhe liderët e tjerë të pranishëm – nënshkroi paraprakisht dokumentin për themelimin e Bordit të Paqes.

    Trump i quajti “yje” dhe “njerëzit më të mëdhenj, më të fuqishëm në botë”, liderët që po marrin pjesë në ceremoni.

  • “Veshi uniformën e Serbisë”, deklarohet i pafajshëm i akuzuari për nxitje të urrejtjes ndaj qytetarit boshnjak

    “Veshi uniformën e Serbisë”, deklarohet i pafajshëm i akuzuari për nxitje të urrejtjes ndaj qytetarit boshnjak

    I akuzuari Ramadan Berisha është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për nxitje të urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit. Ai ngarkohet se në rrjetin social Facebook kishte postuar për një qytetar të nacionalitetit boshnjak, me pretendimin se ai qytetar dhe vëllai i tij i ishin bashkëngjitur ushtrisë së Serbisë dhe luftuan kundër shqiptarëve.

    “I pafajshëm”, deklaroi Berisha në seancën fillestare të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fikrije Krasniqi-Fejzullahu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Gjykatësi i rastit, Kushtrim Shyti njoftoi palët që brenda afatit 30 ditor mund të paraqesin kundërshtimin e provave dhe kërkesë për hudhje të aktakuzës.

    Ndryshe gjykatësi i rastit, Kushtrim Shyti njoftoi se rasti është deleguar nga Gjykata Themelore në Pejë, në Departamentin Special të kësaj Gjykate, pasi që Prokuroria Speciale e ka marrë në trajtim këtë rast.

    Sipas Shytit, aktakuza nga Prokuroria Themelore në Pejë është ngritur më 8 qershor 2023, ndërkaq më 21 janar 2026, Prokuroria Speciale e ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar.

    Sipas aktakuzës së ndryshuar të 21 janarit 2026, Ramadan Berisha akuzohet se më 3 mars 2022, në fshatin Zllapek, Komuna Pejë, përmes rrjetit social Facebook nxit dhe përhapë publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve etnike, duke postuar një material në dëm të të dëmtuarit M.D., i nacionalitetit boshnjak.

    Në aktakuzë, thuhet se përmbajtje atij postimi është “M.D., nga fshati Treboviq, Komuna Pejë, Kosovo, 1988 viti, me vetë dëshirë ka veshur uniformen e Serbisë dhe ju ka bashkangjitur ushtrisë dhe duke luftuar trimërisht kundër shqiptarëve. Më vonë vëllai tij ju ka bashkangjitur ushtrisë dhe duke luftuar trimërisht kundër shqiptarëve. Më vonë vëllai i tij ju ka bashkangjitur i cili është plagosur jo larg qytetit të Pejës në Vitomericë. Luftëtar trima të mos harrohen kurrë!!!”.

    Prandaj, me këto veprime Berisha ngarkohet me veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit” nga neni 141, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

  • Presidenti Begaj autorizon Kryeministrin Edi Rama për nënshkrimin në Bordin e Paqes

    Presidenti Begaj autorizon Kryeministrin Edi Rama për nënshkrimin në Bordin e Paqes

    Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka autorizuar sot Kryeministrin Edi Rama për të nënshkruar marrëveshjen e aderimit të Shqipërisë në Kartën e Bordit të Paqes, një iniciativë ndërkombëtare për promovimin e stabilitetit dhe paqes në zonat e konfliktit.

    Bordi ndërkombëtar synon të promovojë stabilitetin, rivendosjen e qeverisjes së ligjshme dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në territore të prekura nga konflikti.

  • Përfundon rinumërimi në 9 komuna, KQZ paraqet rezultatet

    Përfundon rinumërimi në 9 komuna, KQZ paraqet rezultatet

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se procesi i rinumërimit të votave është përmbyllur plotësisht në 9 komuna.

    Rrjedhimisht, në QNR tashmë janë rinumëruar 1,029 nga 2,557 vendvotime.

    Në këtë qendër po vazhdon ky proces i verifikimit të tërësishëm të të gjitha vendvotimeve, pas vendimit të KQZ-së që i gjithë vendi të shkojë në rinumërim.

    Rezultatet e paraqitura mund t’i shihni në këtë LINK.

  • Prokuroria Themelore në Ferizaj autorizon nisjen e hetimeve për dyshimet për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë

    Prokuroria Themelore në Ferizaj autorizon nisjen e hetimeve për dyshimet për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë

    Prokuroria Themelore në Ferizaj ka thënë se ka autorizuar ndërmarrjen e veprimeve hetimore që lidhen me dyshimet për manipulim të votave për kandidatë të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

    Kjo Prokurori ka thënë se veprat penale që cenojnë të drejtën e votës përbëjnë shkelje serioze të ligjit dhe do të trajtohen me përkushtim maksimal, pa asnjë kompromis.

    “Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në kuadër të kompetencave të saj ligjore dhe si institucion i Prokurorit të Shtetit, është duke monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore.”

    “Në këtë drejtim, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka autorizuar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore që lidhen me dyshimet për manipulim të votave për kandidatë, me qëllim të sigurimit të provave relevante, identifikimit të personave përgjegjës dhe administrimit të të gjithë materialit zgjedhor në përputhje me ligjin.”

    “Veprat penale që cenojnë të drejtën e votës përbëjnë shkelje serioze të ligjit dhe do të trajtohen me përkushtim maksimal, pa asnjë kompromis. Prokuroria Themelore në Ferizaj do të mbetet e angazhuar për ta mbrojtur votën e lirë të qytetarëve, dhe do të hetojë çdo rast të dyshuar, me synimin e ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit”, thuhet në njoftimin e lëshuar sot.

    Ditë më parë edhe Prokuroria Themelore në Prizren ka autorizuar Policinë e Kosovës që të identifikojë personat përgjegjës dhe të sigurojë prova, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet.

    KQZ-ja ka marrë vendim që në rinumërim të shkojnë të gjitha kutitë e votimit.