ATV

Author: K.B.

  • OVL-UÇK dhe Sami Lushtaku bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”

    OVL-UÇK dhe Sami Lushtaku bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”

    Përfaqësues të OVL-UÇK-së, së bashku me kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, me rastin e 28-vjetorit të sulmit të dytë që Serbia kreu ndaj familjes Jashari.

    Gjatë homazheve u nderua sakrifica e familjes Jashari dhe u kujtua qëndresa e tyre si simbol i luftës çlirimtare dhe i lirisë së Kosovës.

  • 1 muaj në paraburgim për Arianit Sllamnikun

    1 muaj në paraburgim për Arianit Sllamnikun

    Gjykata Themelore e Gjilanit ia ka caktuar një muaj paraburgim Arianit Sllamnikut.

    Kjo u konfirmua për Klankosova përmes një përgjigje nga kjo gjykatë.

    “Sa i përket pyetjes tuaj për rastin e të pandehurit Arianit Sllamniku, gjyqtari procedurës paraprake ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji”, thuhet në përgjigje.

    Sllamniku dyshohet për dy vepra penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike’ dhe ‘Eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testime të barnave”.

    Hetimet ndaj tij nisën pas raportimit të emisionit KIKS Kosova në Klan Kosova.Pa qenë as mjek, ai pretendonte se e ka “shërimin” për autizmin tek fëmijët.

    Në këmbim të 4 mijë eurove, Arianit Sllamniku, dyshohet se iu ofronte fëmijëve ilaçe të kafshëve.

  • Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen e nënës në Prizren

    Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen e nënës në Prizren

    Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit F.B., i cili gjendet në ndalim 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

    Sipas kërkesës së prokurorisë, i dyshuari F.B., më datë 20.01.2026, në fshatin Restelicë- Komuna e Dragashit, “në shtëpinë e tij familjare ku jetonte së bashku me viktimën, me dashje privon nga jeta nënën e tij, viktimën T.B., në atë mënyrë që fillimisht e godet me grushte në pjesë të ndryshme të trupit dhe më pas e shtrëngon për fyti me duar, me ç’rast viktima nga lëndimet e marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes”.

    “Me këto veprime, i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Vrasja e rëndë’”, tha Prokuroria.

  • Policia nis hetimet për vdekjen e gruas në Malishevë pasi zjarri ia përfshiu shtëpinë

    Policia nis hetimet për vdekjen e gruas në Malishevë pasi zjarri ia përfshiu shtëpinë

    Policia e Kosovës ka nisur hetimet lidhur me zjarrin që përfshiu dje një shtëpi në Malishevë, ku si pasojë vdiq një grua.

    Me vendim të Prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    “INCIDENT ZJARRI & HETIM I VDEKJES- Malishevë / 20.01.2026 – NN. Është raportuar se në një shtëpi ka ndodhur një zjarr, lidhur me rastin njësitë policore, ekipi mjekësor dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes. Si pasojë e zjarrit një femër kosovare ka humbur jetën dhe vdekjen e saj e ka konstatuar mjeku kompetent. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh.

  • Prokuroria e Ferizajt ngrit aktakuzën e parë lidhur me zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Prokuroria e Ferizajt ngrit aktakuzën e parë lidhur me zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Është ngritur aktakuza e parë në lidhje me zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Njoftimi u bë nga Prokuroria Themelore e Ferizajt.

    Sipas njoftimit, më 28 dhjetor i dyshuari M.A. në një qendër të votimit në qytetin e Shtimes, i ka dëmtuar dokumentet e votimit lidhur me zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

    “Me këto veprime janë përmbushur elementet e veprës penale për të cilën është ngritur aktakuza pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda. Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se të gjitha rastet eventuale që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor të 28 dhjetorit 2025, do të trajtohen me prioritet dhe në përputhje të plotë me ligjin, me qëllim të mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

  • Fillon seanca ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e të dashurës së tij argjentinase

    Fillon seanca ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e të dashurës së tij argjentinase

    Në Gjykatën Themelore ka filluar seanca gjyqësorë ndaj të akuzuarit Endrit Nika.

    Nika akuzohet për vrasjen e të dashurës së tij argjentinase në Fushë-Kosovë.

    Ndryshe më 15 dhjetor të këtij viti ka dështuar zhvillimi i seancës ndaj të akuzuarit.

    Seanca u shty me propozim të mbrojtjes së të akuzuarit, pasi kërkoi që të dëgjohet si dëshmitare edhe doktoresha e cila ia pati dhënë ndihmën e parë viktimës, deri në Emergjencë.

    Familja e argjentinases së vrarë më 2023 në Fushë-Kosovë ishte gati që përmes lidhjes online të merrte pjesë në seancë, por ajo nuk u mbajt të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    Për vrasjen e shtetases së huaj me inicialet M.K.U. dyshohet i dashuri i saj, Endrit Nika.

    Kurse në seancën e shqyrtimit fillestar më 28 maj të këtij viti, i akuzuari është deklaruar i pafajshëm.

  • Luksemburgu, shteti i parë në botë që ofron transport publik falas në të gjithë vendin

    Luksemburgu, shteti i parë në botë që ofron transport publik falas në të gjithë vendin

    Luksemburgu ka hyrë në histori, duke u bërë vendi i parë në botë që ofron transport publik falas në shkallë kombëtare.

    Që nga rrugët urbane më të frekuentuara deri te zonat piktoreske rurale, banorët, udhëtarët ditorë dhe turistët mund të udhëtojnë pa pagesë me autobusë, tramvaje dhe trena të klasit të dytë në të gjithë territorin e vendit.

    Kjo nismë konsiderohet një hap revolucionar, që jo vetëm po transformon lëvizjen e përditshme, por po ndryshon rrënjësisht edhe përvojën turistike në Luksemburg.

    Reforma historike hyri në fuqi më 1 mars 2020, kur qeveria hoqi tarifat për të gjitha shërbimet e transportit publik brenda vendit.

    Politika përfshin autobusët, tramvajet dhe trenat e klasit standard, ndërsa përjashton vetëm shërbimet e klasit të parë dhe linjat ndërkombëtare.

    Për lëvizjet brenda kufijve kombëtarë, udhëtimi është plotësisht falas, pa bileta dhe pa barriera.

    Vendimi për transport falas nuk ishte thjesht një masë sociale, por pjesë e një vizioni më të gjerë për një të ardhme më të gjelbër dhe më të aksesueshme.

    Luksemburgu synon të ulë ndjeshëm trafikun e dendur, një problem i kahershëm në vend, si dhe të reduktojë emetimet e karbonit në përputhje me objektivat ambicioze klimatike.

    Duke hequr pengesat financiare, qeveria po inkurajon qytetarët dhe vizitorët të zgjedhin transportin publik në vend të automjeteve private.

    Për turizmin, kjo politikë ka pasur ndikim të menjëhershëm. Vizitorët mund të eksplorojnë lirshëm atraksionet kulturore dhe natyrore të vendit, pa u shqetësuar për koston e lëvizjes.

    Nga qendra historike e Luksemburgut, e përfshirë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, te fshatrat piktoreske dhe parqet natyrore në veri, transporti falas ka nxitur eksplorimin spontan dhe ka përmirësuar ndjeshëm përvojën turistike.

    Një tjetër shtyllë kryesore e kësaj nisme është ndikimi mjedisor. Duke e bërë transportin publik zgjedhjen më të lehtë dhe më tërheqëse, Luksemburgu synon të ulë ndotjen e ajrit dhe emetimet nga automjetet private.

    Kjo masë është pjesë e një strategjie më të gjerë për të arritur neutralitetin klimatik deri në vitin 2050, e cila përfshin edhe investime në autobusë elektrikë, infrastrukturë për biçikleta dhe zgjidhje të tjera të qëndrueshme të mobilitetit.

    Autoritetet kanë theksuar se skema e transportit falas do të vazhdojë të përmirësohet. Planet për të ardhmen përfshijnë rritjen e frekuencës së shërbimeve, modernizimin e infrastrukturës dhe integrimin e mëtejshëm të mjeteve ekologjike të transportit, për të krijuar një sistem sa më efikas dhe funksional.

    Modeli i Luksemburgut ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare dhe po shihet si burim frymëzimi për vende të tjera.

    Ndërsa disa qytete evropiane kanë aplikuar transport falas në nivel lokal, Luksemburgu mbetet i pari që e ka zbatuar këtë politikë në shkallë kombëtare. Ky hap e pozicionon vendin si lider global në politikat e transportit të qëndrueshëm dhe turizmit të gjelbër.

  • ​Sulmi i dytë i forcave serbe ndaj familjes Jashari, publikohen video ku flasin Shaban e Hamëz Jashari

    ​Sulmi i dytë i forcave serbe ndaj familjes Jashari, publikohen video ku flasin Shaban e Hamëz Jashari

    Sot janë bërë 28 vjet nga sulmi i dytë i forcave serbe ndaj familjes Jashari në Prekaz.

    Ishte 22 janari i vitit 1998 kur nga Fabrika e Municionit të Gjuetisë (Skenderaj), kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat u drejtuan drejt Kullës së Jasharëve për t’i sulmuar.

    E sot, 28 vjet pas, Bekim Hamëz Jashari ka publikuar një video në Facebook, ku flet Shaban Murat Jashari, i cili tregon për këtë sulm të forcave serbe.

    Po në këtë video, flet Hamëz Jashari i cili thotë se “kurrë nuk do ta lëshojmë vendin, do të përgjigjemi me aq sa kemi mundësi”.

    E në postimin e tij në Facebook, Bekim Jashari shkruan se “gjithmonë gati, në çdo kohë, në mbrojtje të familjes dhe atdheut”.

    “22 Janar 1998 Prekaz. Gjithmonë gati, në çdo kohë, në mbrojtje të familjes dhe Atdheut. Frymëzimi i forcuar brez pas brezi kulmoi më 5, 6 dhe 7 mars, kur qëndresa u bë kushtrim, e kushtrimi histori, dhe sakrifica u shndërrua në përjetësi…”, shkruan Bekim Hamëz Jashari.

  • Gjendet skeleti i një shtetasi të Maqedonisë në Belgjikë, ishte zhdukur 23 vjet më parë

    Gjendet skeleti i një shtetasi të Maqedonisë në Belgjikë, ishte zhdukur 23 vjet më parë

    Në vendbanimin Forest të Brukselit, verën e kaluar, skeleti i shtetasit të Maqedonisë Rexhep Rahamanovski, i cili rezulton i zhdukur që nga viti 2003, u gjet në bodrumin e një shtëpie, njoftoi Policia Federale Belge.

    Skeleti, sipas policisë, u gjet gjatë rinovimeve të shtëpisë në korrik 2025, pas të cilave u dorëzua për analizë mjeko-ligjore.
    Pas analizës, u përcaktua se skeleti i përket Rahamanovskit, i cili ka lindur në Maqedoni në vitin 1976.

    Rahamanovski u pa për herë të fundit mbrëmjen e 16 korrikut 2003, kur doli nga vendi i tij i punës. Që atëherë, çdo gjurmë e tij është humbur dhe deri në identifikimin e skeletit të tij, policia nuk kishte asnjë ide se çfarë i kishte ndodhur.

    Policia raportoi se, bazuar në gjetjet e ekspertizës mjeko-ligjore, u lëshua një urdhër kontrolli për shtëpinë me shpresën për të marrë më shumë informacion rreth asaj që i ndodhi viktimës.

  • Policia e Kosovës konfiskon fishekë, maska ushtarake e uniforma me simbole të Serbisë në Leposaviq

    Policia e Kosovës konfiskon fishekë, maska ushtarake e uniforma me simbole të Serbisë në Leposaviq

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka konfiskuar fishekë, çanta e maskë ushtarake, uniformë me simbole të Serbisë, 140 kapsula për fishekë dhe gëzhoja të fishekëve në Leposaviq.

    Policia bën të ditur se gjatë patrullimit në rrugë ka hasur në disa gëzhoja të fishekëve të armës së gjuetisë. Më pas shatë kontrollit ë tri shtëpi të pabanuara ka gjetur provat materiale.

    “Fsh. Llozno, Leposaviq / 21.01.2026-18:00. Policia gjatë patrullimit në rrugë ka hasur në disa gëzhoja të fishekëve të armës së gjuetisë. Gjatë kontrollit në tri shtëpi-pa banorë, si prova materiale janë gjetur dhe konfiskuar: 80 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm , një rrethatore, dy gëzhoja, disa çanta ushtarake, një uniformë me simbole të Serbisë, një maskë ushtarake, dy baza me barot për mbushje, një qese me sfera metalike, dy gota barot për mbushje të fishekëve, 140 kapsula për fishekë, tri vegla pune dhe disa gëzhoja të fishekëve. Rasti nën hetime”, bëhet e ditur në njoftim.