ATV

Author: K.B.

  • Licencimi për shërbimet e kripto-aseteve, BQK-ja ka një njoftim për operatorët

    Licencimi për shërbimet e kripto-aseteve, BQK-ja ka një njoftim për operatorët

    Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka rikujtuar operatorët që të licencohen për shërbimet e kripto-aseteve dhe që kanë aktivitet këmbimi.

    Rregullorja e hyrë në fuqi në nëntor të vitit që kaluar u bë si hap i parë drejt rregullimit gradual të këtij sektori dhe rritjes së transparencës në Republikën e Kosovës.

    “Me hyrjen në fuqi të saj, subjektet që janë objekt i licencimit obligohen që, brenda një afati prej 90-ditësh (deri më 1 mars 2026), të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për aplikim për licencë dhe për përshtatje të plotë me kërkesat e përcaktuara në këtë rregullore”, thuhet në njoftim të BQK-së.

    BQK-ja ka rikujtuar se afati i mbetur deri më 1 mars 2026, për dorëzimin e aplikacioneve për licencë dhe për përmbushjen e kërkesave të rregullores gjatë kësaj periudhe kalimtare, është afati i fundit brenda se cilës të gjithë aplikantët duhet të kenë aplikuar, në pajtim me kërkesat e kësaj rregulloreje.

    “Pas përfundimit të këtij afati, ushtrimi i veprimtarisë së ofrimit të shërbimeve të kripto-aseteve pa licencë të BQK-së ose në mospërputhje me kërkesat rregullative do të konsiderohet shkelje e dispozitave të rregullores dhe do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim të BQK-së.

  • Abdixhiku e quan historike përfshirjen e Kosovës në iniciativën për paqe të udhëhequr nga Trump

    Abdixhiku e quan historike përfshirjen e Kosovës në iniciativën për paqe të udhëhequr nga Trump

    Kryetari i LDK, Lumir Abdixhiku, ka vlerësuar si moment historik përfshirjen e Kosovës në një iniciativë ndërkombëtare për paqen, të udhëhequr nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

    Abdixhiku theksoi se ky zhvillim tejkalon dimensionin e një lajmi ditor dhe përbën dëshmi të pjekurisë shtetërore të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

    “Përfshirja e Kosovës në një iniciativë ndërkombëtare për paqen, të udhëhequr nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është një moment që tejkalon secilin lajm ditor. Për një shtet që ka kaluar nga lufta në liri, falë edhe ndërhyrjes ndërkombëtare, prania në tryezat ku diskutohet paqja globale është edhe dëshmi, edhe përgjegjësi. Dëshmi e suksesit tonë, përgjegjësi për rolin tonë prej shtetit të ri. Është shenjë se Kosova nuk shihet vetëm si përfituese e paqes, por edhe si pjesë e saj”, ka deklaruar ai.

    Sipas Abdixhikut, çdo hap i përbashkët me Shtetet e Bashkuara forcon sigurinë kombëtare të Kosovës dhe thellon aleancat strategjike, duke e pozicionuar vendin në anën e paqes dhe partneriteteve të qëndrueshme.

    “Lidhja Demokratike e Kosovës e mbështet këtë hap të madh drejt një kapitullin e ri dhe i gëzohet këtij fakti historik. Sepse sukseset e Kosovës janë arritje kombëtare para së cilave e me të cilat mburremi të gjithë”.

  • Mbi 80 kilogramë marihuanë konfiskohen në aksionin anti-drogë në Podujevë

    Mbi 80 kilogramë marihuanë konfiskohen në aksionin anti-drogë në Podujevë

    Më shumë se 80 kilogramë marihuanë janë konfiskuar në kuadër të një aksioni të Njësisë Anti-Drogë, të koduar “Bregdeti”.

    Fillimisht, mbrëmjen e kaluar rreth orës 23:00, në pikën kufitare në Merdarë, në një kamion që drejtohej nga i dyshuari H.S., janë gjetur dhe sekuestruar 76 kilogramë e 800 gramë marihuanë.

    Lajmi është konfirmuar nga kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi.

    Sipas tij, me asistencën e Njësitit për Reagim të Shpejtë, është realizuar edhe bastisja e shtëpisë së të dyshuarit, ku janë gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri me pesë fishekë të kalibrit 9 mm, dy vetura, një kamion, një telefon celular si dhe para në vlerë prej 2 mijë e 950 euro.

    Operacioni ka vazhduar edhe sot, me bastisjen e dy lokacioneve të tjera, konkretisht shtëpive të dy të dyshuarve në fshatin Godishnjak të Podujevës.

    Gashi ka bërë të ditur se aty janë sekuestruar katër paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë totale 4 kilogramë e 454 gramë, dy vetura, dy telefona celularë, thasë najloni të zbrazët ngjyrë të zezë dhe ngjitës që dyshohet se janë përdorur për paketimin e narkotikëve, si dhe një armë zjarri me gaz e modelit “Sig Sauer”.

    Ndaj tre të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

  • Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve bën thirrje urgjente, 15 këlyshë dhe 4 qene lehona në rrezik në Prishtinë

    Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve bën thirrje urgjente, 15 këlyshë dhe 4 qene lehona në rrezik në Prishtinë

    Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka njoftuar se në një lagje të Prishtinës janë identifikuar 15 këlyshë të vegjël dhe katër femra lehona, të gjitha të pasterilizuara, të cilët kanë nevojë për ndihmë veterinare urgjente. Në të njëjtin lokacion u vunë re edhe dy qen të rritur që po shumohen, duke rritur rrezikun e lindjes së kafshëve të tjera në rrugë.

    “Ky rast është pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së ndërhyrjes nga strehimorja publike dhe e ndalimit të sterilizimeve, që ka çuar në rritjen e popullsisë së kafshëve në rrugë. Këlyshët dhe nënat e tyre kanë nevojë urgjente për vaksinim, trajtim kundër parazitëve, kujdes veterinar bazik dhe sterilizim të qenve të rritur për të ndaluar ciklin e lindjeve”, ka shkruar Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve në faqen e tyre në Facebook.

    Fondacioni apelon tek qytetarët që të mbështesin rastin përmes donacioneve, të cilat do të përdoren ekskluzivisht për trajtimin e këlyshëve dhe kujdesin e nënave të tyre:

    Brenda Kosovës

    Xhirollogaria: 1701017700005277
    Banka: NLB Bank
    Përshkrimi: Donacion për trajtimin e këlyshëve në Prishtinë
    Jashtë Kosovës

    IBAN: XK051701017700005277
    SWIFT: NLPRXKPR
    Përshkrimi: Donacion për trajtimin e këlyshëve në Prishtinë
    “Çdo kontribut, sado i vogël, ndihmon drejtpërdrejt për mbijetesën e këlyshëve, shëndetin e nënave dhe parandalimin e dhjetëra lindjeve të tjera të pakontrolluara në rrugë. Kjo nuk është vetëm një histori për 17 këlyshë, por pasojë e ndalimit të sterilizimit dhe mungesës së menaxhimit adekuat të popullsisë së kafshëve në qytet”, shtoi Fondacioni.

  • Cilët janë 7 anëtarët e Këshillit Ekzekutiv të Bordit të Paqes?

    Cilët janë 7 anëtarët e Këshillit Ekzekutiv të Bordit të Paqes?

    Këshilli Ekzekutiv themelues – me Trumpin si kryetar – është në krye të Bordit të Paqes.

    Anëtarët e tij janë:

    Tony Blair, ish-kryeministër britanik;

    Jared Kushner, dhëndri i Trump;

    Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio;

    I dërguari special i SHBA-së në Lindjen e Mesme, Steve Witkoff;

    Marc Rowan, Drejtor Ekzekutiv i firmës financiare Apollo Global Management;

    Ajay Banga, president i Grupit të Bankës Botërore;

    Robert Gabriel, zëvendëskëshilltar i sigurisë kombëtare i SHBA-së.

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, hapi ceremoninë kushtuar “Bordit të Paqes” ndërkombëtar duke u fokusuar në politikën e brendshme dhe duke u mburrur me rritjen ekonomike të SHBA-së, ndërsa e shikonin më shumë se një duzinë udhëheqësish botërorë.

    “Ne kemi një mandat të shkëlqyer në vend, siç thashë dje, ekonomia amerikane po lulëzon”, tha ai.

    “Kur Amerika lulëzon, e gjithë bota lulëzon”, shtoi ai.

  • Kurti përkujton 28-vjetorin e sulmit të dytë ndaj familjes Jashari në Prekaz

    Kurti përkujton 28-vjetorin e sulmit të dytë ndaj familjes Jashari në Prekaz

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përkujtuar 28-vjetorin e sulmit të dytë të forcave serbe ndaj familjes së komandantit Adem Jashari, i cili ndodhi më 22 janar 1998 në Prekaz.

    Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka theksuar se, ashtu si në vitin 1991, edhe në vitin 1998 familja Jashari rezistoi e armatosur, duke u shndërruar në shembull dhe simbol të rezistencës kundër regjimit shtypës të Serbisë dhe të luftës për çlirimin e Kosovës.

    “Çdo 22 janar, e kujtojmë ditën e kësaj date të vitit 1998, kur policia serbe e sulmoi për herë të dytë familjen Jashari në Prekaz. Mëngjesin e hershëm të asaj dite, për gjysmë ore, një grup policësh serbë shtiu në breshëri predhash dhe armë automatike ndaj shtëpive të Shaban Jasharit. Duke e mbrojtur familjen dhe shtëpitë e tyre nga ky sulm kriminal, prej brenda shtëpive rezistuan me armë Shabani dhe djali i tij Hamza. Rezistenca e tyre i ktheu mbrapsht policët serbë, por nga plumbat e të shtënave të shumta, u plagosën dy vajza, Selvete dhe Iliriana Jashari. Filmimet e shumta dhe fotografitë e mediave të bëra në Prekaz pas këtij sulmi, na shërbejnë si dëshmi edhe sot për atë se çfarë ngjau më 22 janar 1998.Kjo ishte hera e dytë që familja Jashari në Prekaz ishte cak i aksioneve policore, pas aksionit të parë të 30 dhjetorit 1991, datë kjo që vite më pas do të nis të shënohet si Dita e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si më 1991 edhe më 1998, familja Jashari rezistoi e armatosur, duke u kthyer në shembull dhe simbol të rezistencës ndaj regjimit shtypës të Serbisë dhe luftës për çlirimin e Kosovës dhe lirinë e popullit”, ka shkruar Kurti.

    Ai ka shtuar se historia e çlirimit të Kosovës, është shenjuar nga njerëz kurajoz dhe familje të tilla sikur familja e Shaban Jasharit, që me aq vendosmëri dhe vetëdije u flijuan për liri.

    “Një muaj e gjysmë më pas, regjimi i Millosheviqit do të ekzekutonte një aksion shumëherë më të egër e më të gjerë ndaj familjes Jashari dhe tërë fshatit Prekaz, gjatë të cilit rezistenca e kësaj familje dhe e këtij fshati do të shënojnë kulmin e saj, duke frymëzuar mijëra njerëz që t’i bashkoheshin UÇK-së. Historia e çlirimit të Kosovës, është shenjuar pikërisht nga njerëz kurajoz dhe familje të tilla sikur familja e Shaban Jasharit, që me aq vendosmëri dhe vetëdije u flijuan për liri. Mes kujtimesh plot respekt dhe nderimesh të thella për familjen e Shaban Jasharit nga Prekazi i Poshtëm i Drenicës”, ka shkruar Kurti.

  • Lista e plotë, këto vende firmosën Kartën e Bordit të Paqes të Trumpit

    Lista e plotë, këto vende firmosën Kartën e Bordit të Paqes të Trumpit

    Presidentit amerikan Donald Trump iu bashkuan udhëheqësit dhe përfaqësuesit e 19 vendeve për ceremoninë e nënshkrimit të Bordit të Paqes.

    Ata ishin:

    Argjentinë – Presidenti Javier Milei

    Armenia — Kryeministri Nikol Pashinyan

    Azerbajxhani – Presidenti Ilham Aliyev

    Bahrein – Sheikh Isa bin Salman Al Khalifa

    Bullgaria — Kryeministri Rosen Zhelyazkov

    Hungaria — Kryeministri Viktor Orban

    Indonezi – Presidenti Prabowo Subianto

    Jordania — Zëvendëskryeministër Ayman Safadi

    Kazakistan – Presidenti Kassym-Jomart Tokayev

    Kosova — Presidentja Vjosa Osmani

    Mongoli – Kryeministri Gombojavyn Zandanshatar

    Marok – Ministri i Jashtëm Nasser Bourita

    Pakistan — Kryeministri Shehbaz Sharif

    Paraguai — Presidenti Santiago Pena

    Katar – Kryeministri Sheikh Mohammed bin Abdul Rahman Al Thani

    Arabia Saudite — Ministri i Jashtëm Faisal bin Farhan Al-Saud

    Turqi – Ministri i Jashtëm Hakan Fidan

    Emiratet e Bashkuara Arabe — Kryetari i Autoritetit të Çështjeve Ekzekutive Khaldoon Al Mubarak

    Uzbekistan – Presidenti Shavkat Miromonovich Mirziyoyev.

    Ndryshe, pasi mbaroi fjalimin e tij, Trump ftoi përfaqësuesit e shteteve në skenë për të “sjellë në fuqi të plotë Bordin e Paqes”.

    Ata vunë penën mbi letër mbi statutin, duke ratifikuar Bordin e Paqes.

    Trump theksoi se “çdo vend, pothuajse çdo vend, dëshiron të jetë pjesë e tij.”

    Ndërsa Bordi fillimisht u krijua për të mbikëqyrur armëpushimin në Gaza, ceremonia tregoi se iniciativa po shndërrohet në një projekt shumë më ambicioz ndërkombëtar.

  • Inaugurohet skaneri mobil për automjetet në Merdare, donacion nga SHBA në vlerë prej 2 milionë euro

    Inaugurohet skaneri mobil për automjetet në Merdare, donacion nga SHBA në vlerë prej 2 milionë euro

    Dogana e Kosovës inaguron sot një skaner mobil të automjeteve në pikën kufitare të Merdares.Pajisja mundëson skenimin e automjeteve pa nevojën e kontrollit fizik nga zyrtarët.

    Me rëndësi të veçantë është skenimi i pjesëve ku mundet të ketë pjesë të fshehura.Ky skaner, donacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka një vlerë prej rreth dy milionë eurosh.

  • “Doja të zgjidhja mes Trump dhe vajzës së tij – Zgjodha vajzën”, Rama tregon pse nuk ishte në Davos në themelimin e Bordit të Paqes

    “Doja të zgjidhja mes Trump dhe vajzës së tij – Zgjodha vajzën”, Rama tregon pse nuk ishte në Davos në themelimin e Bordit të Paqes

    Kryeministri Edi Rama në seancën e kësaj të enjteje ka marrë fjalën dhe është përgjigjur për arsyet pse nuk ka qenë i pranishëm në nënshkrimin e Bordit të Paqes në Davos. Rama ka thënë se ka zgjedhur të mikpresë vajzën e Donald Trump dhe jo të pranonte ftesën e babait. Duket se kryeministri ka zgjedhur një formë ironike për t’u përgjigjur.

    “Që mos të shqetësoheni pse nuk jam atje, se mezi prisnit që të shihnit atje. Në fakt unë duhet të bëja një zgjedhje: t’i përgjigjesha babait apo të mikprisja vajzën këtu në Shqipëri, dhe zgjodha vajzën. Dhe natyrisht vajzën e zgjodha me lejen e babait. E dyta, duke qenë se zoti Mediu është ura që lidh Amerikën me rrugën e shpresës, unë prisja nga zoti Mediu në fakt që të hidhte poshtë pretendimin e Britanisë dhe të mbante anën e Amerikës, por s’ka problem, se nuk shohim asnjë arsye për të parë divergjenca të tilla.” – tha Rama.

  • Shtrohet bashkëpunimi ndërkufitar Shqipëri-Kosovë

    Shtrohet bashkëpunimi ndërkufitar Shqipëri-Kosovë

    Me nismën dhe mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kosovë, u zhvillua një takim koordinues ndërinstitucional në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, ku morën pjesë përfaqësues të Policisë dhe Doganave të Shqipërisë dhe Kosovës.

    Në një postimi në Facebook, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve homologe, me qëllim rritjen e sigurisë, lehtësimin e lëvizjes ndërkufitare dhe ofrimin e shërbimeve më efikase për qytetarët e të dy vendeve.

    Bëhet e ditur se gjatë takimit u diskutuan çështje të rëndësishme si menaxhimi i kufirit, shkëmbimi i informacionit në kohë reale, bashkëpunimi operacional, si dhe adresimi i sfidave të përbashkëta në zonat kufitare.

    Ambasadori Malaj vuri në dukje se takime të tilla shërbejnë si platforma kyçe për forcimin e koordinimit institucional dhe thellimin e partneritetit strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.