ATV

Author: K.B.

  • Parashikimi i motit për sot dhe fundjavë

    Parashikimi i motit për sot dhe fundjavë

    Sot në Kosovë pritet të mbajë mot me diell dhe vranësira lokale. Rrallë në disa zona priten reshje të dobëta kryesisht në formë të ndonjë rigë të dobët shiu në mëngjes apo në mbrëmje. Temperaturat pritet të lëvizin nga -2 minimalja deri në 11 gradë Celsius ajo maksimale.

    Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi e premtja sjellë mot me diell dhe vranësira e rrallë në disa rajone mund të ketë reshje shiu. Temperaturat do të shënojnë rritje në nivel rajonal.

    Fundjava sipas ecurive më të fundit sinoptike pritet të karakterizohet me mot mjaft të ndryshueshëm, me vranësira, intervale kohore me diell dhe reshje të shpeshta lokale shiu. Do të ketë edhe periudha të gjata pa reshje, por priten reshje të herëpashershme të karakterit lokal.

    Temperaturat pa ndonjë ndryshim, por intensifikim të reshjeve e rrebesheve të shiut presim mbrëmjen e së dielës./MeteoBallkan

  • Diplomojnë 21 zjarrfikës të rinj

    Diplomojnë 21 zjarrfikës të rinj

    Kanë diplomuar 21 zjarrfikës të rinj të cilët përfunduan me sukses trajnimin profesional.

    Në këtë ceremoni mori pjesë edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe Sekretari i Përgjithshëm Genc Metaj.

    Ky trajnim i ndarë në 9 module për 20 javë, u ofroi kadetëve mundësinë fitimit të njohurive të avancuara dhe aftësi konkrete për reagim të shpejtë dhe efikas në raste emergjencash, parandalimin dhe menaxhimin e zjarreve, si dhe për ndërhyrje profesionale në mbrojtje të jetës njerëzore, pronës dhe mjedisit.

    Qëllimi kryesor i këtij trajnimi ka qenë ngritja e kapaciteteve profesionale të zjarrfikësve, duke i pajisur ata me kompetencat e nevojshme për t’u përballur me sfidat bashkëkohore të sigurisë, të cilat po bëhen gjithnjë e më komplekse, thuhet nga MPB.

    Me rastin e përfundimit me sukses të këtij trajnimi, Ministri Sveçla falënderoi të gjithë instruktorët dhe trajnerët të cilët kanë ndarë dijen dhe përvojën e tyre duke kontribuar drejtpërdrejtë në formimin profesional të këtyre zjarrfikësve. Po ashtu, Ministri Sveçla falënderoi edhe partnerët tanë ndërkombëtar që kanë kontribuar në këtë projekt.

  • Rinumërimi në Skenderaj, këto janë ndryshimet te votat e kandidatëve

    Rinumërimi në Skenderaj, këto janë ndryshimet te votat e kandidatëve

    Dyshimet për manipulime të votave brenda partive janë shfaqur edhe në Skenderaj, ndonëse jo në një masë të theksuar.

    Pas rinumërimit të 100 për qind të votave, kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, i janë hequr 94 vota. Nga e njëjta parti, Shahin Dervishajt i janë zbritur 42 vota, ndërsa Sala Jasharit 36 vota.

    Dallime në numrin e votave janë evidentuar edhe te Lëvizja Vetëvendosje.

    Kaltrina Gruda ka rezultuar me 30 vota më pak pas rinumërimit, ndërsa Fatos Geci me 13 vota më pak.

    Ndërkohë, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Halil Gecit i janë hequr 22 vota pas procesit të rinumërimit shkruan Telegrafi, transmeton Atvlive.tv

  • Çka thuhet në dokumentin e Bordit të Paqes që e nënshkroi edhe Osmani në emër të Kosovës?

    Çka thuhet në dokumentin e Bordit të Paqes që e nënshkroi edhe Osmani në emër të Kosovës?

    Kosova është ndër 19 shtetet që të enjten nënshkruan pjesëmarrjen në Bordin e Paqes, një iniciativë e presidentit amerikan Donald Trump, gjatë një ceremonie në Davos, Zvicër.

    Bordi i Paqes është një organ ndërkombëtar i ri, i krijuar për të mbikëqyrur zbatimin e planeve të paqes në zona të konfliktit, me fokus fillestar në Rripin e Gazës, raporton timesofisrael.

    Ai përshkruhet si një “organ ndërkombëtar tranzitor” që synon rindërtimin e enklavës palestineze, me presidentin Trump në krye.

    Krijimi i tij është mbështetur nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara përmes një rezolute të SHBA-së, duke i dhënë legjitimitet ndërkombëtar.

    Sipas dokumentit të nënshkruar edhe nga presidentja Vjosa Osmani, Bordi i Paqes:

    Synon të promovojë stabilitet, të rivendosë qeverisje të besueshme dhe të sigurojë paqe të qëndrueshme në zonat e konfliktit.
    Do të ndërmarrë funksione të ndërtimit të paqes sipas së drejtës ndërkombëtare dhe do të zhvillojë praktika të mira që mund të zbatohen nga kombet dhe komunitetet që kërkojnë paqe.

    Anëtarësia:

    Është e kufizuar në shtetet e ftuara nga kryetari dhe përfaqësohet nga presidenti ose kryeministri.
    Mandati standard është tre vjet, me mundësi rinovimi, përjashtuar shtetet që kontribuojnë mbi 1 miliard dollarë brenda vitit të parë.
    Anëtarët mund të tërhiqen me njoftim me shkrim dhe mund të riftohen më vonë.
    Qeverisja e Bordit:

    Përbëhet nga shtetet anëtare dhe Bordi Ekzekutiv, që përfshin liderë botërorë.
    Mbledhjet për vendime organizohen të paktën një herë në vit, ndërsa Bordet Ekzekutive takohen çdo dy javë për tre muajt e parë dhe më pas çdo muaj.
    Vendimet merren me shumicë votash, me mundësi vetoje nga kryetari.

    Roli i kryetarit:

    Donald J. Trump është kryetar inaugurues dhe përfaqësues i SHBA-së.
    Ka autoritet ekskluziv për të krijuar, modifikuar ose shpërndarë subjekte ndihmëse dhe për të themeluar nënkomitete.
    Mund të caktojë pasues në rast dorëheqjeje ose paaftësie dhe të miratojë rezoluta për të zbatuar misionin e Bordit.
    Financimi:

    Bazohet në kontribute vullnetare.
    Bordi ka të drejtë të hapë llogari dhe të krijojë mekanizma kontrolli për buxhetin dhe shpenzimet.

    Zgjidhja e mosmarrëveshjeve dhe ndryshimet në Kartë:

    Mosmarrëveshjet zgjidhen nëpërmjet bashkëpunimit miqësor, me kryetarin si autoritet përfundimtar.
    Ndryshimet mund të propozojnë Bordi Ekzekutiv ose një e treta e shteteve anëtare dhe miratohen me shumicë dy të tretash dhe konfirmim nga kryetari.
    Depozitimi dhe zyrtarizimi:

    Teksti origjinal dhe ndryshimet ruhen në SHBA dhe kopje u dorëzohen të gjithë nënshkruesve.
    Gjuha zyrtare është anglisht.
    Bordi mund të krijojë seli dhe zyra terreni dhe ka vulë zyrtare të miratuar nga kryetari.
    Në thelb, Bordi i Paqes është një strukturë ndërkombëtare me kryetar të caktuar, me mandat të qartë, procedura të vendosura për qeverisje, anëtarësim, financim dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, që ka për qëllim të ndihmojë vendet në situata konflikti.

    Ndryshe, Osmani ka deklaruar se marrëveshja do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me Kushtetutën, për të marrë miratimin përfundimtar të përfaqësuesve të popullit.

  • IKSHPK: Vaksina MMR nuk shkakton autizëm, rreziku real vjen nga mosvaksinimi

    IKSHPK: Vaksina MMR nuk shkakton autizëm, rreziku real vjen nga mosvaksinimi

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka reaguar ndaj përhapjes së informatave të pasakta mbi vaksinimin, duke theksuar se vaksina MMR (Fruth–Parotit–Rubellë) nuk shkakton autizëm dhe se kjo është e vërtetuar shkencërisht.

    Sipas IKSHPK-së, vaksinimi ka qenë për dekada një nga masat më të suksesshme të shëndetit publik në Kosovë. Falë vaksinimit të rregullt sipas Kalendarit të Vaksinimit, sot fëmijët nuk sëmuren më nga shumë sëmundje që dikur ishin të shpeshta dhe shpesh fatale. Poliomieliti është eliminuar, difteria dhe tetanusi janë bërë shumë të rralla, ndërsa rubella e lindur – që shkaktonte verbëri dhe dëmtime të rënda – është parandaluar me sukses.

    Instituti thekson se edhe fruthi, i cili dikur ishte shkaktar i shpeshtë i hospitalizimeve dhe vdekjeve te fëmijët, është vënë nën kontroll falë vaksinës MMR. Megjithatë, viteve të fundit janë përhapur pretendime të pabazuara se kjo vaksinë lidhet me autizmin, pretendime që, sipas IKSHPK-së, nuk qëndrojnë.

    “Kjo është konfirmuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Qendra Amerikane për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve (CDC), Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), si dhe nga studime të shumta ndërkombëtare që kanë përfshirë miliona fëmijë,” thuhet në njoftim.

    IKSHPK paralajmëron se rreziku më i madh për shëndetin e fëmijëve vjen nga mosvaksinimi, pasi fruthi nuk është sëmundje e lehtë dhe mund të shkaktojë komplikime serioze, përfshirë infeksione të mushkërive, dëmtime të trurit dhe, në raste të rënda, edhe humbje jete.

    Në fund, Instituti u bën thirrje prindërve që të informohen nga profesionistët shëndetësorë, duke i konsideruar ata burimin kryesor dhe më të besueshëm të informatave për vaksinimin dhe rëndësinë e tij në mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve.

  • Përdorimi i orëve inteligjente rrit ndjeshëm zbulimin e problemeve me ritmin e zemrës

    Përdorimi i orëve inteligjente rrit ndjeshëm zbulimin e problemeve me ritmin e zemrës

    Përdorimi i orëve inteligjente që kombinojnë matjen e pulsit (PPG) dhe elektrokardiogramin (ECG) përmirëson ndjeshëm zbulimin e aritmive të zemrës, veçanërisht fibrilacionit atrial, sugjeron një studim i ri nga Qendrat Mjekësore Universitare të Amsterdamit (Amsterdam UMC).

    Sipas studimit, të publikuar në Journal of the American College of Cardiology, aritmitë e zemrës u zbuluan katër herë më shpesh te pacientët që përdornin një Apple Watch krahasuar me ata që ndiqnin kujdesin standard mjekësor. Hulumtimi përfshiu gjithsej 437 pacientë, shumica mbi moshën 65 vjeç dhe me rrezik të shtuar për goditje në tru.

    Nga pjesëmarrësit, 219 pacientë u pajisën me orë inteligjente dhe u monitoruan për gjashtë muaj, duke e përdorur pajisjen rreth 12 orë në ditë, ndërsa 218 pacientë të tjerë morën kujdesin tradicional.

    Gjatë kësaj periudhe, në grupin që përdorte orën inteligjente u diagnostikuan dhe u trajtuan 21 pacientë me fibrilacion atrial, ku mbi gjysma e tyre nuk kishin simptoma.

    Në grupin me kujdes standard u identifikuan vetëm pesë raste, të gjitha me simptoma të dukshme.

    Fibrilacioni atrial është një nga aritmitë më të shpeshta dhe lidhet drejtpërdrejt me rrezikun për goditje në tru, pasi rrahjet e parregullta të zemrës mund të çojnë në formimin e mpiksjeve të gjakut.

    Sipas kardiologut Michiel Winter nga Amsterdam UMC, pajisjet tradicionale për monitorimin e zemrës shpesh janë të pakëndshme për pacientët dhe zakonisht përdoren për periudha të shkurtra. Ndërkaq, orët inteligjente ofrojnë monitorim afatgjatë dhe më të pranueshëm për pacientët.

    Studiuesit vlerësojnë se përdorimi i pajisjeve të veshshme mund të përshpejtojë diagnostikimin, të ndihmojë në identifikimin e pacientëve pa simptoma dhe potencialisht të ulë rrezikun e goditjes në tru. Sipas tyre, përfitimet shëndetësore dhe ulja e kostove afatgjata mund ta kompensojnë edhe koston fillestare të këtyre pajisjeve.

  • Mospërputhjet në numërimin e votave, Prokuroria e Prizrenit intensifikon hetimet

    Mospërputhjet në numërimin e votave, Prokuroria e Prizrenit intensifikon hetimet

    Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka pritur sot në takim koordinatoren Nacionale për Zgjedhje, Laura Pula, si dhe menaxherin e projektit strategjik “Mbrojtja e votës”, Besim Kusari.

    Takimi u mbajt në ambientet e Prokurorisë Themelore në Prizren dhe u fokusua në zhvillimin e hetimeve paraprake lidhur me mospërputhjet e evidentuara gjatë numërimit të votave brenda subjekteve politike për deputetë të Republikës së Kosovës, në regjionin e komunës së Prizrenit.

    Kryeprokurori Kryeziu bëri të ditur se pas përfundimit të procesit të rinumërimit të votave dhe evidentimit të mospërputhjeve, Prokuroria ka filluar grumbullimin e informatave të nevojshme dhe sigurimin e provave relevante, me qëllim të verifikimit nëse ka pasur kryerje të ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin zgjedhor.

    Sipas njoftimit, gjatë takimit u diskutua gjithashtu për angazhimin e Prokurorit të Shtetit në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe për vazhdimin e hetimeve në drejtim të mbledhjes së provave dhe sigurimit të dëshmive të nevojshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

    Prokuroria Themelore në Prizren ka ritheksuar përkushtimin e saj për garantimin e integritetit të procesit zgjedhor dhe forcimin e sundimit të ligjit.

  • KQZ sqarohet pse është “ndalur” rinumërimi i vendvotimeve të Podujevës

    KQZ sqarohet pse është “ndalur” rinumërimi i vendvotimeve të Podujevës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka sqaruar se përse në komunën e Podujevës nuk është duke u zhvilluar rinumërimi?

    Sipas të dhënave në platformën e KQZ-së për rezultate, nga kjo komunë janë rinumëruar 11 nga 110 vendvotime dhe kjo gjendje është që para datës 19 janar 2026.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka sqaruar për Gazeta Express se përse që para kësaj date nuk ka ndryshuar numri i vendvotimeve të rinumëruara.

    “Para datës 19 janar 2026 nga komuna e Podujevës janë rinumëruar rreth 10% e vendvotimeve, në përputhje me vendimin e parë të KQZ-së për rinumërim të pjesshëm. Pas marrjes së vendimit të dytë për rinumërim të plotë në të gjitha vendvotimet, procesi kishte kaluar komunën e Podujevës dhe po zhvillohej në komuna të tjera, sipas renditjes së paraparë”, shpjegoi Elezi.

    Sipas Elezit, së shpejti vendvotimet nga kjo komunë do të përfshihen në procesin e rinumërimit.

    “Ky proces po vazhdon me intensitet të plotë dhe deri më tani është zhvilluar sipas renditjes së komunave, por nga pasdita e së mërkurës, me qëllim të përshpejtimit të rinumërimit, është vendosur që të përfshihen vendvotimet e të gjitha komunave dhe jodomosdoshmërisht sipas renditjes. Pra, së shpejti edhe vendvotimet tjera nga kjo komunë dhe nga tjerat do të përfshihen në rinumërim”, tha Elezi.

  • Publikohen nominimet për çmimet kryesore Oscar 2026

    Publikohen nominimet për çmimet kryesore Oscar 2026

    Nominimet për çmimet Oscar 2026 janë në prag të shpalljes në Hollywood, ku pritet që One Battle After Another, Hamnet dhe Sinners të kryesojnë listën.

    Aktorët Danielle Brooks dhe Lewis Pullman po i shpallin nominimet në emisionin Good Morning America në ABC, si edhe në kanalin e Oscars në YouTube.

    Kjo raund nominimesh vjen menjëherë pas Golden Globes, ku fitues dolwn One Battle After Another i Paul Thomas Anderson, me Leonardo DiCaprio në rol kryesor, si dhe drama prekëse Hamnet e Chloé Zhao, me Jessie Buckley në rolin e Agnes Hathaway, bashkëshortes së William Shakespeare-it, raporton The Independent, transmeton Gazeta Express.

    Sinners mund të thyejë rekordin për numrin më të madh të nominimeve në histori. Rekordi prej 14 nominimesh mbahet aktualisht nga All About Eve (1950), Titanic (1997) dhe La La Land (2016), por filmi me vampirë i Ryan Coogler mund ta tejkalojë këtë shifër falë nominimeve të shumta në kategorinë Kënga Origjinale.

    Ceremonia e 98-të e Çmimeve të Akademisë (Oscar) do të mbahet më 15 mars dhe do të prezantohet nga Conan O’Brien.

  • Ekstradohet nga Kosova në Gjermani një i dyshuar, një i dënuar transferohet nga Hungaria

    Ekstradohet nga Kosova në Gjermani një i dyshuar, një i dënuar transferohet nga Hungaria

    Policia e Kosovës ka ekstraduar një të dyshuar për në Gjermani, si dhe ka transferuar një të dënuar nga Hungaria në Kosovë, shkruan Reporteri.net.

    Shtetasi gjerman kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë gjermane, për përfshirje në veprën penale “kontrabanim me migrantë” dhe i njëjti i ishte shmangur drejtësisë.

    “Ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe shtetit Gjerman”, thuhet në njoftim.

    Ndërsa nga Hungaria për në Kosovë është transferuar shtetasi i Kosovës i dënuar në shtetin e Hungarisë, për veprën penale “Grabitje dhe Privim i kundërligjshëm i lirisë”.

    Pas transferimit, ai i është dorëzuar Shërbimit Korrektues të Kosovës për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit pasi që një pjesë të dënimit e kishte vuajtur në shtetin Hungarez.

    “Ekstradimi dhe Transferimi u realizuan nën masa të rrepta të sigurisë”, theksohet në njoftim.