ATV

Author: K.B.

  • Policia raporton për gjashtë raste të grave viktima të dhunës në familje

    Policia raporton për gjashtë raste të grave viktima të dhunës në familje

    Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar në vend, bëhet e ditur në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

    Sipas policisë, pesë nga këto raste kanë ndodhur gjatë ditës së djeshme, ndërsa një rast është regjistruar disa ditë më parë.

    Viktimat e të gjitha rasteve janë gra.

    Një rast është raportuar në Gjakovë, dy raste në Prishtinë, një në Podujevë dhe një rast tjetër në veri të Mitrovicës./Klankosova.tv

    “Gjakovë/ 22.01.2026 – 17:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i cili dyshohet se ka sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje .

    Prishtinë/ 22.01.2026 – 16:55. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari ndodhet në kërkim policor, rasti është duke u hetuar.

    Prishtinë/ 17.01.2026 – 08:00.Me 22.01.2026 është raportuar se viktima femër kosovare është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari ndodhet në kërkim policor, ndërsa rasti është duke u hetuar.

    Podujevë/22.01.2026-12:05.Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë psiqike dhe fizike ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari lirohet, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

    Mitrovicë Veri/ 22.01.2026 – 15:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se ka shkaktuar dhunë psiqike ndaj viktimës femër kosovare . Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”.

  • Startup-i fillon të pranojë rezervime për hotelin e parë në Hënë

    Startup-i fillon të pranojë rezervime për hotelin e parë në Hënë

    STARTUP GRU Space ka filluar të pranojë rezervime online për qëndrime në hotelin e parë në Hënë, me depozita që variojnë nga 250,000 deri në 1 milion dollarë.

    Nëse gjithçka shkon sipas planit, mysafirët e parë mund të mbërrijnë në vitet 2030, raporton Futurism.

    Kush fshihet pas këtij plani ambicioz?

    GRU Space, ose “Shfrytëzimi i Burimeve Galaktike”, ka vetëm dy punonjës me kohë të plotë, përfshirë themeluesin Skyler Chan, i cili u diplomua në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley vitin e kaluar. Ndërsa plani duket ambicioz, kompania ka siguruar fonde fillestare nga përshpejtuesi i startup-eve Y Combinator .

    “Kuptova se linda në një kohë kur ne mund të shkojmë në distanca ndërplanetare dhe kjo është ndoshta gjëja më me ndikim që një person mund të bëjë”, tha Chan për Ars Technica në lidhje me motivimin që qëndron pas kompanisë.

    Më shumë sesa thjesht një hotel

    Në një dokument të postuar në faqen e internetit të kompanisë, Chan përshkruan objektivat që shkojnë përtej thjesht pritjes së hoteleve në hënë. Plani është që së pari të ndërtohet një hotel, pastaj të fillojë ndërtimi i një baze hënore dhe infrastrukturës tjetër kyçe për një koloni njerëzore.

    Në planin afatgjatë, GRU do të funksiononte si një version hapësinor i Hudson’s Bay Company, një ndërmarrje e famshme tregtare e shekullit të 17-të, së cilës iu dha autoriteti me anë të kartës mbretërore për të mbikëqyrur ligjin, tregtinë dhe pronën në territorin e Kanadasë.

    Fazat e ndërtimit në Hënë

    Sipas planit të Chan, kompania do të dërgonte një strukturë të fryrë në sipërfaqen hënore duke përdorur një anije kozmike në vitin 2029.

    Misioni i parë jo vetëm që do të testonte strukturën e banueshme, por edhe do të prodhonte tulla nga regoliti hënor për ndërtesat e ardhshme.

    Në vitin 2031, kompania planifikon të dërgojë një kapsulë më të madhe për banim njerëzor – vetë hotelin – i cili do të vendoset në një “gropë hënore” për të mbrojtur vizitorët nga rrezatimi kozmik dhe rreziqe të tjera. Deri në vitin 2032, kompania planifikon të ketë një hotel më të vogël në funksion në sipërfaqen hënore, i cili mund të akomodojë katër mysafirë.

    Një destinacion që ia vlen të udhëtosh

    Interesante është se imazhet e publikuara tregojnë një hotel të ardhshëm që i ngjan Pallatit të Arteve të Bukura në San Francisko. Chan e shpjegoi këtë zgjedhje dizajni. “SpaceX po ndërton FedEx për të na çuar atje, apo jo?” tha Chan. “Por duhet të ketë një destinacion ku ia vlen të qëndrosh”

  • Punëtorët e Hyundai alarmohen nga plani për vendosjen e robotëve humanoidë

    Punëtorët e Hyundai alarmohen nga plani për vendosjen e robotëve humanoidë

    Sindikata e punëtorëve të Hyundai Motor në Korenë e Jugut paralajmëroi prodhuesin e automjeteve të enjten kundër vendosjes së robotëve humanoidë pa miratimin e sindikatës, duke thënë se robotët do të sillnin “tronditje në punësim”.

    Plani i Hyundai për të vendosur robotë humanoidë duke filluar nga viti 2028 ka çuar aksionet e saj në rritje rekord, por nuk ishte një lajm i mirëpritur për punëtorët, tha sindikata në një letër të brendshme të shqyrtuar nga Reuters, përcjell Telegrafi.

    “Mos harroni se pa një marrëveshje pune-menaxhimi, asnjë robot që përdor teknologji të re nuk do të lejohet të hyjë në vendin e punës”, ka thënë sindikata.

    Hyundai Motor Group zbuloi versionin e prodhimit të robotit humanoid Atlas, të zhvilluar nga njësia e saj Boston Dynamics, në Consumer Electronics Show në Las Vegas në fillim të këtij muaji.

    Kompania tha se synonte të ndërtonte një fabrikë të aftë për të prodhuar 30,000 njësi robotësh në vit deri në vitin 2028 dhe se planifikonte të vendoste robotë humanoidë në fabrikën e saj në SHBA në Georgia duke filluar nga viti 2028, me qëllim zgjerimin e përdorimit në të gjitha vendet e prodhimit.

    Sindikata akuzoi Hyundai-n se kërkonte të rriste fitimet duke vendosur robotë për të zvogëluar fuqinë punëtore.

    Sindikata gjithashtu kritikoi prodhuesin e makinave për përpjekjet e saj për të zhvendosur prodhimin në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se fabrika e re e Hyundai-t në Georgia po dëmtonte tashmë prodhimin vendas dhe po kërcënonte sigurinë e punës në dy nga fabrikat e saj në Kore.

  • Në 19 komuna përfundon rinumërimi i votave, KQZ: Po punojmë për shpallje sa më të shpejtë të rezultateve

    Në 19 komuna përfundon rinumërimi i votave, KQZ: Po punojmë për shpallje sa më të shpejtë të rezultateve

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është duke vazhduar procesi i numërimit të fletëvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen, raporton Ekonomia Online.

    Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka treguar për Ekonomia Online se numri i komunave që kanë përmbyllur plotësisht rinumërimin është 19 dhe kanë mbetur edhe gjysma tjetër.

    “Nga fillimi i këtij procesi më 13 janar dhe deri më tani janë rinumëruar rreth 49% apo 1,240 nga 2,557 vendvotime. Pra, procesi është përmbyllur plotësisht në 19 komuna dhe kanë mbetur që të rinumërohen rreth 1,300 vendvotime të tjera, që i takojnë 19 komunave tjera”, tha Elezi.

    Më tej, Elezi tha se KQZ është duke u përpjekur maksimalisht që të përmbyllë në një kohë sa më të shpejtë të përmbyllë procesin e rinumërimit dhe të shpall rezultatet përfundimtare.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke u përpjekur maksimalisht që të përmbyllë në një kohë sa më të shpejtë rinumërimin e të gjitha vendvotimeve të mbetura, në mënyrë që të procedojmë me shpalljen e rezultateve përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, tha Elezi.

    Sipas Elezit, ashtu siç parashihet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, subjektet politike dhe kandidatët do të mund të parashtrojnë ankesat e tyre në PZAP dhe, eventualisht, procesi mund të vazhdojë deri në Gjykatën Supreme.

    Vetëm pas përfundimit të përfundimit të shqyrtimit, vendimmarrjes dhe zbatimit të vendimeve, KQZ mund të procedojë me certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe njëkohësisht përmbylljes së procesit zgjedhor.

  • Donacion 25 milionë euro, Emiratet Arabe do të ndërtojnë Spitalin e Gjinekologjisë, në Prishtinë

    Donacion 25 milionë euro, Emiratet Arabe do të ndërtojnë Spitalin e Gjinekologjisë, në Prishtinë

    Ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Xhabir Hamiti, ka bërë të ditur se kanë filluar përgatitjet fillestare për përzgjedhjen e lokacionit për implementimin e donacionit prej 25 milionë eurosh, të ndara nga shteti i Emirateve të Bashkuara Arabe, për ndërtimin e Spitalit të Ri të Gjinekologjisë, në Prishtinë.

    Hamiti këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook.

    Lexoni të plotë njoftimin e tij:

    Një lajm i mirë nga Abu Dhabi për Spitalin e Ri të Gjinekologjisë në Prishtinë

    Gjatë kësaj jave, i shoqëruar nga Këshilltari, z. Melhin Mahmuti, u prita nga Shkëlqesia e Saj, Dr. Noura Al-Gauthi, Zëvendëssekretare e Departamentit të Shëndetësisë – Abu Dhabi, e cila më informoi se, në bashkëpunim me Ministrinë tonë të Shëndetësisë, kanë filluar përgatitjet fillestare për përzgjedhjen e lokacionit për implementimin e donacionit prej 25 milionë euro, të ndarë nga shteti i Emirateve të Bashkuara Arabe, për ndërtimin e Spitalit të Ri të Gjinekologjisë në Prishtinë.

    Gjatë takimit, po ashtu u njoftuam se ky Departament, gjatë këtij viti, do të fillojë procesin e rinovimit dhe pajisjes me teknologji të re mjekësore të Spitalit Sheikh Zayed në Vushtrri në shumë prej 7.5 milionë euro.

    Me këtë rast, në emër të shtetit dhe popullit tonë, shpreha mirënjohjen më të thellë ndaj lidershipit të Emirateve të Bashkuara Arabe, në krye me Presidentin e vendit, Lartmadhërinë e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, si dhe ndaj popullit emiratas, për këto donacione të çmuara që kontribuojnë drejtpërdrejt në avancimin e kushteve të sektorit të shëndetësisë në Republikën e Kosovës.

  • Trump flet për mavijosjen në dorë, tregon bisedën me mjekun

    Trump flet për mavijosjen në dorë, tregon bisedën me mjekun

    Gjatë ceremonisë së djeshme për themelimin e Bordit të Paqes, vëmendje mori mavijosja në dorën e presidentit amerikan, Donald Trump.

    I pyetur lidhur me këtë, Trump tregoi se mavijosja erdhi pasi e goditi dorën në tavolinë, teksa e përshkroi edhe si efekt anësor të aspirinës, raporton Fox News.

    Megjithatë, tha se është mirë.

    “E godita te tavolina. Kështu që vendosa pak, si i thonë? Krem mbi të. Por e godita. Do të thosha merrni aspirinë nëse ju intereson zemra, por mos merrni aspirinë nëse nuk doni të keni pak mavijosje.”, deklaroi Trump.

    Trump tha se doktori i ka thënë se nuk ka nevojë ta përdorë aspirinën meqë është “shumë i shëndetshëm”.

    “Unë thashë nuk po rrezikoj. Pra, gjithsesi, ky është një nga efektet anësore të marrjes së aspirinës.”, ka deklaruar Trump.

  • Mbi  100 zyrtarë raportohet se janë ftuar për intervistim, dyshohen për manipulim të rezultateve zgjedhore në Prizren

    Mbi 100 zyrtarë raportohet se janë ftuar për intervistim, dyshohen për manipulim të rezultateve zgjedhore në Prizren

    Policia e Kosovës, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prizren, ka nisur zbatimin e veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për manipulim të votës dhe falsifikim të dokumenteve zgjedhore në procesin zgjedhor për deputetë.

    Siç raporton “Betimi për Drejtësi” në kuadër të hetimeve, mbi 100 zyrtarë të angazhuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë zgjedhjeve të 28 dhjetorit janë ftuar për intervistim, ndërsa gjatë ditës pritet të ketë edhe persona të ndaluar.

    Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, kishte autorizuar me shkrim Policinë e Kosovës që, me vetiniciativë, të identifikojë personat përgjegjës dhe të sigurojë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet. Këtë informacion Kryeziu e kishte konfirmuar ditë më parë

    Prokuroria Themelore në Prizren kishte bërë të ditur se ka monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të votave dhe se, teksa rinumërimi po i afrohet fundit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme gjatë numërimit të votave brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit.

    Sipas Prokurorisë, pas rinumërimit në disa vendvotime janë vërejtur dallime mes fletëvotimeve dhe votave të numëruara për kandidatët brenda subjekteve politike, duke ngritur dyshime serioze për keqpërdorim të votave.

    Prokuroria ka theksuar se manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore përbëjnë vepra penale dhe se këto raste do të trajtohen pa asnjë kompromis.

  • Gërvalla në Stamboll me ftesë të Kryediplomatit të Turqisë, do të marr pjesë në Platformën e Paqes për Ballkanin

    Gërvalla në Stamboll me ftesë të Kryediplomatit të Turqisë, do të marr pjesë në Platformën e Paqes për Ballkanin

    Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka udhëtuar në Stamboll për të marrë pjesë në takimin e dytë të Platformës së Paqes për Ballkanin, me ftesë të Kryediplomatit të Turqisë, Hakan Fidan.

    Në njoftimin e MPJD’së thuhet se platforma e Paqes për Ballkanin mbledh ministrat e punëve të jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe shërben si forum për shkëmbimin e pikëpamjeve në çështje me interes të përbashkët, përfshirë identifikimin e mundësive për thellimin e bashkëpunimit rajonal në fusha të ndryshme.

    “Pjesëmarrja e Republikës së Kosovës në këtë platformë riafirmon prioritetet e saj strategjike për anëtarësim në Bashkimin Evropian, NATO dhe organizata të tjera relevante ndërkombëtare, si dhe përkushtimin e palëkundur të Republikës së Kosovës ndaj promovimit të paqes së qëndrueshme, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit rajonal. Republika e Kosovës vlerëson lart marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin e qëndrueshëm me Republikën e Turqisë, si dhe rolin e rëndësishëm të Republikës së Turqisë në avancimin e dialogut, promovimin e paqes dhe forcimin e stabilitetit, si në rajon ashtu edhe në nivel global”, thuhet në njoftimin e MPJD’së.

  • Gjimnazi “Xhevdet Doda” mohon përfshirjen e Gjykatës Speciale në ligjëratë: Është organizuar nga YIHR

    Gjimnazi “Xhevdet Doda” mohon përfshirjen e Gjykatës Speciale në ligjëratë: Është organizuar nga YIHR

    Gjimnazi “Xhevdet Doda” ka reaguar lidhur me, siç i ka quajtur, disa informacione të pasakta që po qarkullojnë në opinionin publik, duke sqaruar se në ambientet e saj nuk është mbajtur asnjë ligjëratë nga zyrtarë apo gjykatës të Gjykatës Speciale.

    Sipas reagimit zyrtar të shkollës, ligjërata në fjalë është organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), një organizatë e njohur që zhvillon aktivitete edukative në shkolla të mesme dhe universitete, me fokus në edukimin juridik dhe qytetar të të rinjve.

    Shkolla thekson se qëllimi i ligjëratës ka qenë informimi i nxënësve mbi sistemin e drejtësisë, llojet e gjykatave dhe mënyrën e funksionimit të tyre, përfshirë edhe gjykatën e Kosovës që funksionon në Hagë, në kuadër të një qasjeje të përgjithshme dhe edukative.

    “Në ligjëratë janë trajtuar procedurat dhe funksionimi i gjykatave në mënyrë neutrale dhe informative. Çdo interpretim apo pretendim që sugjeron ndryshe është i pavërtetë dhe i pabazuar”, thuhet në reagim.

    Tutje, shkolla bën të ditur se organizata YIHR ka realizuar mbi 100 ligjërata të ngjashme në shkolla të mesme dhe fakultete në mbarë Kosovën, duke kontribuar në rritjen e njohurive juridike dhe qytetare të të rinjve.

    Në reagim sqarohet gjithashtu se Drejtoria Komunale e Arsimit nuk ka qenë e përfshirë në dhënien e pëlqimit për këtë aktivitet dhe se autorizimi është dhënë nga Këshilli Drejtues i Shkollës (KDSH).

    Në fund, shkolla kërkon ndjesë për çdo shqetësim apo keqkuptim të shkaktuar te nxënësit, prindërit dhe opinioni publik, duke garantuar se në të ardhmen do të ketë kujdes të shtuar në vlerësimin dhe miratimin e aktiviteteve të ngjashme.

    “Shkolla jonë mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, edukimit cilësor dhe informimit korrekt të nxënësve dhe opinionit publik”, përfundon reagimi.

  • Shqipërinë e vizituan vjet mbi 12 milionë turistë, shumica nga Kosova

    Shqipërinë e vizituan vjet mbi 12 milionë turistë, shumica nga Kosova

    Gati gjysma e turistëve që vizituan Shqipërinë vitin e shkuar ishin “pushues patriotikë”. Të dhënat nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit tregojnë se nga rreth 12.4 milionë vizitorë në total gjatë viti të shkuar, gati 6 milionë ishin nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

    “Kjo tregon se jemi shumë larg turizmit elitar, dhe të paktën për momentin jemi te sasia më shumës e cilësia. Kjo pavarësisht investimeve të shumta që janë kryer veçanërisht në jugun e vendit, por edhe Durrës”.

    Me gjithë liberalizimin e vizave, pushuesit nga Kosova nuk e “tradhtuan” Shqipërinë. Të dhënat tregojnë se vitin e shkuar vendin e vizituan gati 4.2 milionë shqiptarë të Kosovës, shifër kjo sa 384 për qind e totalit, shkruan A2 CNN.