ATV

Author: K.B.

  • Mbyllet për qarkullim rruga në Sojev për shkak të grumbullimit të ujit

    Mbyllet për qarkullim rruga në Sojev për shkak të grumbullimit të ujit

    Policia e Kosovës ka njoftuar se aksi rrugor Ferizaj–Gjilan, në segmentin tek fshati Sojev, është mbyllur për qarkullim për shkak të grumbullimit të ujit në rrugë.

    Policia ka udhëzuar drejtuesit e automjeteve që shfrytëzojnë këtë drejtim udhëzohen të përdorin rrugën alternative: Ferizaj – Mirosal – Gjilan dhe anasjelltas.

    “Rekomandohet kujdes i shtuar gjatë qarkullimit, për shkak të reshjeve të shtuara dhe kushteve të vështirësuara atmosferike. U bëjmë thirrje qytetarëve që të respektojnë sinjalizimin rrugor dhe të përshtatin shpejtësinë e lëvizjes me kushtet aktuale të rrugës”, ka njoftuar Policia.

  • E rëndë në Prishtinë, djali rrah babanë

    E rëndë në Prishtinë, djali rrah babanë

    Gjatë ditës së hënë në Prishtinë, policia u informua për një rast të rëndë.

    Mëngjesin e ditës së kaluar, dyshohet se djali ka rrahur babanë e tij.

    Sipas policisë, nuk raportohet për të lënduar, ndërsa me vendim të prokurorit pas intervistimit të palëve rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

    “Është raportuar se viktima pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga djali i tij i dyshuari mashkull kosovar. Nuk raportohet për të lënduar ndërsa me vendim të prokurorit pas intervistimit të palëve rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin zyrtar.

    *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar.

  • Rama për vizitën në Izrael: Shqipëria u vendos në piedestalin e respektit më të lartë

    Rama për vizitën në Izrael: Shqipëria u vendos në piedestalin e respektit më të lartë

    Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka publikuar në Facebook një fotoalbum nga vizita e tij zyrtare në Izrael, duke e cilësuar atë si një moment me rëndësi të veçantë për marrëdhëniet mes dy vendeve.

    “Me FotoALBUMIN e një dite kyçe të vizitës në Izrael, ku Shqipëria u vendos në piedestalin e respektit më të lartë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në postimin e tij të shoqëruam me disa foto nga takimet e tij.

    Kryeministri Edi Rama ndodhet në Jeruzalem, Izrael, në një vizitë zyrtare pune që ka nisur më 25 janar dhe do të përfundojë sot, 27 janar 2026, me pjesëmarrjen e tij në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit. Kjo ngjarje ndërkombëtare zhvillohet për të adresuar sfidat globale në luftën kundër antisemitizmit.

  • Paga mbi 1 mijë euro: Këta janë sektorët më të paguar në Kosovë

    Paga mbi 1 mijë euro: Këta janë sektorët më të paguar në Kosovë

    Pavarësisht sfidave ekonomike dhe politike me të cilat përballet Kosova, tregu i punës ka shënuar zhvillime të dukshme në disa sektorë specifikë, të cilët po ofrojnë paga dukshëm mbi mesataren e vendit

    Në një kohë kur paga minimale po bëhet 500 euro në Kosovë, disa profesione po shndërrohen në motorë realë të punësimit dhe mirëqenies, sidomos për të rinjtë, duke tejkaluar pagen mbi 1 mijë euro.

    Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (ICT)

    Sektori i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit është aktualisht më i paguari në Kosovë dhe një nga më të kërkuarit. Viteve të fundit është vërejtur një rritje e madhe e këtij sektori, veçanërisht në mesin e të rinjve kosovarë, të cilët po orientohen gjithnjë e më shumë drejt profesionit të teknologjisë, edhe pse sistemi arsimor ende nuk ofron përgatitje të mjaftueshme për këtë fushë.

    Ndonëse ekonomia e vendit nuk ka shënuar ndonjë ngritje serioze dhe përkundër përkrahjes së vogël institucionale, ICT-ja përbën një përjashtim të qartë nga kjo gjendje. Sektori ka arritur depërtim të shpejtë në treg falë aftësisë dhe meritës së vetë profesionistëve dhe inovatorëve kosovarë.

    Sipas matjeve të fundit në mesin e punëtorëve të kompanive teknologjike në Kosovë, paga mesatare në këtë sektor arrin rreth 1.090 euro në muaj, ndërsa për pozita më të avancuara, paga shpesh shkon nga 1.500 deri në 3.000 euro, sidomos për ata që punojnë me kompani të huaja apo në distancë.

    Në një debat mbi inovacionin dhe teknologjinë, Shpend Lila nga Qendra Inovative e Kosovës (ICK) ka theksuar se rritja e këtij sektori është kryesisht organike, e bazuar në meritë dhe kreativitet, e jo në mbështetje shtetërore.

    Një tjetër sektor që ka njohur rritje të jashtëzakonshme në Kosovë është ai i call center-ave, veçanërisht kompanitë që operojnë për tregjet gjermane, zvicerane dhe evropiane.

    Ky sektor ka krijuar mijëra vende pune dhe po ofron paga konkurruese për të rinjtë që zotërojnë gjuhë të huaja.

    Në shumë kompani, paga bazë në call center-a është mbi 1.000 euro, ndërsa me bonuse dhe performancë mujore, të ardhurat arrijnë deri në 1.500–1.600 euro, duke i bërë këto vende pune ndër më të paguarat në sektorin privat pa kërkuar domosdoshmërisht arsim të lartë.

    Po ashtu, investimet në energjinë e gjelbër kanë rritur kërkesën për inxhinierë elektrikë, menaxherë projektesh dhe specialistë teknikë. Pagat në këtë sektor variojnë nga 1.200 deri në 2.500 euro, në varësi të përvojës dhe përgjegjësive.

    Ndërkohë edhe sektori financiar vazhdon të ofrojë stabilitet dhe paga mbi mesataren. Menaxherët financiarë, auditorët dhe analistët fitojnë nga 1.000 deri në 2.000 euro, ndërsa pozitat drejtuese edhe më shumë.

    Përveç kësaj, me rritjen e projekteve infrastrukturore dhe private, ndërtimtaria mbetet sektor i fortë për paga. Inxhinierët dhe arkitektët fitojnë mesatarisht 1.000–2.200 euro.

    Bashkë me këtë, edhe mjekët specialistë si në sektorin publik, e veçmas në atë privat, pastaj avokatët dhe konsulentët ligjorë arrijnë të ardhura mbi 1.500 euro, sidomos në klinika dhe zyra private.

    Në një kohë kur Kosova po përballet me krizë politike dhe mungesë stabiliteti institucional, teknologjia, call center-at dhe sektorët profesionalë po dëshmojnë se mund të jenë shtylla reale të zhvillimit ekonomik./Albinfo.ch

  • Shëndeti i Trump në qendër të vëmendjes, nuk i kujtohet sëmundja e babait të tij

    Shëndeti i Trump në qendër të vëmendjes, nuk i kujtohet sëmundja e babait të tij

    Për një kohë të gjatë, ekspertët kanë vënë në pikëpyetje pretendimet e Presidentit Donald Trump se ai është në një gjendje “krejtësisht të shëndetshme”.

    Në disa raste iu vunë re kyçe të këmbëve të fryra, si dhe mavijosje të errëta në duar, të cilat disa ekspertë i interpretojnë si një tregues të mundshëm të trajtimeve të shpeshta intravenoze.

    Mprehtësia e tij mendore vihet gjithashtu në dyshim. Kritikët vënë në dukje të folurit e ngatërruar, shpërthimet e paqarta dhe problemet e herëpashershme të kujtesës.

    Një shembull citohet në një intervistë të kohëve të fundit me New York Magazine, në të cilën Trump kishte vështirësi të kujtonte emrin e sëmundjes së Alzheimerit. Kjo mungesë ka tërhequr vëmendjen veçanërisht sepse është një sëmundje e karakterizuar nga humbja progresive e kujtesës, dhe Trump gjithashtu ka një histori familjare të sëmundjes.

    Duke folur për të atin, Fred Trump, presidenti nuk mund ta kujtonte emrin e sëmundjes nga e cila vuante.

    -“Ai kishte një problem. Rreth moshës 86, 87 vjeç, filloi të kishte… si e quani?”, mendoi ai në video, pas së cilës sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, i erdhi në ndihmë.

    “Alzheimeri,” tha ajo.

    “Si diçka që ka të bëjë me sëmundjen e Alzheimerit. Epo, unë nuk e kam”, tha Trump.

    Kur u pyet nëse po mendonte fare për sëmundjen, Trump e mohoi me bindje, por edhe atëherë ishte e vështirë të ndiqej koherenca e përgjigjes së tij:

    “Jo, nuk mendoj fare për këtë. E di pse? Sepse çfarëdo që të jetë, qëndrimi im është… çfarëdo që të jetë”, tha ai.

  • Bora paralizon Japoninë, 16 viktima dhe kaos në transport

    Bora paralizon Japoninë, 16 viktima dhe kaos në transport

    Të paktën 16 persona kanë humbur jetën dhe rreth 120 të tjerë janë lënduar si pasojë e reshjeve të shumta të borës që kanë përfshirë Japoninë, bëjnë të ditur autoritetet lokale.

    Situata më problematike është raportuar në ishullin Hokkaido, ku bora e dendur ka shkaktuar ndërprerje serioze në transportin hekurudhor. Sipas kompanisë JR Hokkaido, afro 1,000 udhëtime me tren janë anuluar ose kanë pësuar vonesa të gjata.

    Si pasojë e këtyre ndërprerjeve, mbi 140,000 pasagjerë janë prekur drejtpërdrejt. Autoritetet njoftojnë se vonesat në qarkullimin e trenave kanë vazhduar edhe gjatë ditës së sotme, ndërsa ekipet e emergjencës po punojnë për normalizimin e situatës.

  • Shkon në 20 numri i të vdekurve nga stuhia e dimrit në SHBA

    Shkon në 20 numri i të vdekurve nga stuhia e dimrit në SHBA

    Një stuhi e fuqishme po godet disa pjesë të Shteteve të Bashkuara, duke lënë të paktën 20 persona të vdekur dhe qindra mijëra pa energji elektrike.

    Viktima janë raportuar në Nju Jork, Tenesi, Luiziana, Masaçusets, Kansas, Pensilvani dhe Teksas, mes tyre edhe një 16-vjeçare.

    Më shumë se 10 mijë fluturime janë anuluar, ndërsa shkollat dhe rrugët në mbarë vendin janë mbyllur. Reshjet e dendura të borës gjatë fundjavës kanë shkaktuar kaos në transport dhe shërbime, duke prekur veçanërisht zonat qendrore dhe lindore të SHBA-së.

    Sipas parashikimeve, bora do të nisë të pakësohet gjatë ditë së sotme, por temperaturat shumë të ulëta do të vazhdojnë të prekin pjesët qendrore dhe lindore të vendit. Paralajmërimet e Shërbimit Kombëtar të Motit (NWS) shtrihen nga Teksasi në jug deri në Anglinë e Re në verilindje.
    Stuhia ka pasur ndikim edhe në Kanada. Në Toronto, Aeroporti Pearson regjistroi të dielën reshje rekord dëbore, duke shkaktuar vonesa dhe anulime fluturimesh.

    Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin udhëzimet e emergjencës ndërsa kushtet e motit mbeten të vështira.

  • Gati 74% e vendvotimeve të rinumëruara, procesi drejt fundit

    Gati 74% e vendvotimeve të rinumëruara, procesi drejt fundit

    Procesi i rinumërimit të votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është drejt përfundimit.

    Sipas përditësimit më të fundit të KQZ-së, deri në mëngjesin e së martës janë rinumëruar 1,887 vendvotime, që përbëjnë 73,80% të totalit prej 2,557 vendvotimeve të parashikuara për rinumërim.

    Ky proces, i cili ka nisur më 13 janar 2026, ka përfunduar tashmë në 25 komuna.

    Nga KQZ është bërë e ditur se puna po vazhdon me kapacitete të plota, me qëllim të përmbylljes sa më të shpejtë të rinumërimit të vendvotimeve të mbetura.

    Shpallja e rezultateve përfundimtare pritet të bëhet në fillim të muajit shkurt, teksa pas shqyrtimit të ankesave që mund të paraqiten, pritet të procedohet me certifikimin e rezultateve.

    Vendimi i KQZ-së për përfshirjen në rinumërim të të gjitha vendvotimeve, erdhi pas një raporti nga rinumërimi i më shumë se 500 vendvotimeve, sipas të cilit, tek votat e subjekteve politike, ndryshimet e identifikuara janë të papërfillshme, por për dallim prej tyre, të dhënat për kandidatët pas rinumërimit, paraqesin një shkallë të lartë të pasaktësive në numërim.

    Rinumërimi ka gjetur se 45 mijë e 709 vota u janë shtuar ose hequr kandidatëve gjatë numërimit fillestar vetëm në Prizren. Devijime të mëdha të votës nga rinumërimi në Prizren pati në PDK. Kandidati i kësaj partie për deputet, Fetah Paçarizi doli me mbi 6 mijë vota më pak.

    Lidhur me këtë, Prokuroria Themelore e Prizrenit zhvilloi një aksion të premten, që përfundoi me arrestimin e 109 personave.

  • Rritje rekord e kredive në Kosovë, arrijnë në 2.684 miliardë euro

    Rritje rekord e kredive në Kosovë, arrijnë në 2.684 miliardë euro

    Vlera e kredive të reja të dhëna nga bankat në Kosovë gjatë vitit 2025 arriti në 2.684 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej 3.8 për qind krahasuar me vitin paraprak.

    Qytetarët e Kosovës po marrin më shumë kredi se kurrë më parë.

    Viti 2025 e gjeti tregun bankar në ngritje, me mbi 2.684 miliardë euro kredi të reja, teksa interesat nisën të lëvizin ngadalë pas disa viteve stabiliteti.

    Vlera e kredive të reja të dhëna nga bankat në Kosovë gjatë vitit 2025 arriti në 2.684 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej 3.8 për qind krahasuar me vitin paraprak (2024), kur kjo vlerë ishte 2.587 miliardë euro.

    Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, kjo është shifra më e lartë e kredive të reja të regjistruar ndonjëherë në vend, duke reflektuar një aktivitet të shtuar kreditues si në sektorin e ekonomisë familjare ashtu edhe atë të biznesit.

    Të dhënat për kreditë e reja në Kosovë (2015–2025):

    2015 – 1.102 mln € | 8.3% interes

    2016 – 1.025 mln € | 7.5%

    2017 – 1.293 mln € | 6.8%

    2018 – 1.367 mln € | 6.6%

    2019 – 1.441 mln € | 6.5%

    2020 – 1.468 mln € | 6.2%

    2021 – 1.805 mln € | 6.0%

    2022 – 1.922 mln € | 6.0%

    2023 – 2.113 mln € | 6.5%

    2024 – 2.587 mln € | 6.1%

    2025 – 2.684 mln € | 6.4%

    Në anën tjetër, është vërejtur një rritje e normës efektive të interesit për këto kredi të reja – nga 6.1 për qind në vitin 2024, në 6.4 për qind në vitin 2025. Edhe pse rritja është e lehtë, ajo sinjalizon një kthesë të mundshme pas disa viteve me interesa të ulëta historike.

    Në periudhën dhjetëvjeçare 2015–2025, tregu bankar në Kosovë ka njohur një zgjerim të qëndrueshëm: nga 1.1 miliard euro kredi të reja në vitin 2015, në pothuajse 2.7 miliard euro në vitin 2025, ndërsa normat mesatare të interesit kanë rënë ndjeshëm nga 8.3 për qind në vitin 2015 në rreth 6.4 për qind vitin e fundit.

    Sipas të dhënave zyrtare, totali i kredive është rritur nga 3,2 miliardë euro në vitin 2020, në mbi 6,4 miliardë euro deri në mesin e vitit 2025. Ndërkohë, normat mesatare të interesit kanë lëvizur nga 6% në vitin 2020, në 6,38% në vitin 2025.

    Vlera e kredive nder vite

    2020 3,20 miliardë €

    2021 3,70 miliardë €

    2022 3,30 miliardë €

    2023 4,90 miliardë €

    2024 5,80 miliardë €

    2025 6,40 miliardë €

    Bankat komerciale në Kosovë i përcaktojnë individualisht normat e interesit dhe të depozitave, duke u bazuar në politikat e tyre afariste, dhe BQK-ja nuk ka të drejtë të ndërhyjë direkt te to.

    Në Kosovë operojnë dhjetë banka komerciale. Numri i kartelave debit në vitin 2024 kishte arritur në 1.4 milion, kurse i kartelave të kreditit në rreth 195 mijë.

    Në nivel vendi janë 635 bankomatë [aparate bankare për tërheqje të parave], dhe 20.913 terminale POS, ku qytetarët mund të bëjnë pagesa me kartelë në dyqane. /Monitor

  • MF njofton studentët për realizimin e pagesës së bursës së mobilitetit

    MF njofton studentët për realizimin e pagesës së bursës së mobilitetit

    Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar të gjithë studentët se pagesat në vlerë prej 100 euro janë realizuar në tërësi, të ekzekutuara në disa grupe, për të gjithë studentët që kanë përmbushur kriteret dhe janë përfitues.

    Ministria ka bërë të ditur se janë realizuar pagesat e para të bursës së mobilitetit për studentët që jetojnë në distancë dhe plotësojnë kriteret për këtë bursë.

    “Studentët të cilët nuk i kanë përmbushur kriteret e përcaktuara dhe, për rrjedhojë, nuk janë përfitues, janë njoftuar zyrtarisht për refuzimin përmes email-it të përdorur gjatë aplikimit në platformën e-Kosova. Për çdo ankesë apo paqartësi, ju mund të kontaktoni në adresat elektronike përkatëse, sipas kategorisë: Studentët që kanë ankesë lidhur me shtesën prej 100 euro, të drejtohen në emailin: [email protected]: Studentët që kanë ankesa ose paqartësi lidhur me bursën e mobilitetit, të kontaktojnë në emailin: [email protected]”, thuhet në njoftim.