ATV

Author: K.B.

  • Ambasada Gjermane në Kosovë përkujton viktimat e Holokaustit: Të mos harrojmë kurrë Aushvicin

    Ambasada Gjermane në Kosovë përkujton viktimat e Holokaustit: Të mos harrojmë kurrë Aushvicin

    Sot shënohet përvjetori i çlirimit të kampit famëkeq të përqendrimit Aushvic, i cili në vitin 1945 u çlirua nga Ushtria e Kuqe, duke zbuluar përmasat e paimagjinueshme të krimeve të kryera nga Gjermania naziste.

    Me këtë rast, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, së bashku me ambasadorin gjerman Rainer Rudolph dhe ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, kanë përkujtuar më shumë se një milion viktima që u vranë në Aushvic, mes tyre burra, gra dhe fëmijë hebrenj, si dhe shumë grupe të tjera të dënuara nga regjimi nazist.

    Në një mesazh përkujtimor, ambasada thekson se valixhet e ekspozuara sot në Muzeun e Aushvic-Birkenaut janë dëshmi të heshtura të vuajtjes dhe persekutimit nazist, duke treguar historinë e mijëra njerëzve që kaluan portat e kampit pa u kthyer më.

    Përveç hebrenjve, u përkujtuan edhe Sinti dhe Roma, të burgosurit politikë, personat me aftësi të kufizuara, homoseksualët, si dhe shumë të tjerë që u përndoqën dhe u vranë nga terrori nazist. Njëkohësisht, u nderuan edhe ata që i mbijetuan Holokaustit.

    Ambasada Gjermane thekson se, më shumë se 80 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, numri i dëshmitarëve të drejtpërdrejtë të Holokaustit po zvogëlohet, ndërsa brezat e rinj kanë gjithnjë e më pak lidhje personale me këtë periudhë të errët të historisë.

    “Ruajtja e kujtesës historike është thelbësore për të garantuar që këto krime të mos përsëriten kurrë më,” thuhet në mesazhin e ambasadës, duke nënvizuar rëndësinë e edukimit dhe kujtesës kolektive për të ardhmen.

  • Zgjatet afati për legalizimin e objekteve pa leje në Komunën e Drenasit

    Zgjatet afati për legalizimin e objekteve pa leje në Komunën e Drenasit

    Drejtoria për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Drenasit ka njoftuar se është zgjatur afati për paraqitjen e kërkesave për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje ndërtimore.

    Sipas njoftimit, vendimi është marrë në mbështetje të një vendimi të Ministrisë së Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, me të cilin afati për dorëzimin e aplikacioneve për procesin e legalizimit është zgjatur për dymbëdhjetë muaj.

    Me këtë vendim, qytetarëve të Komunës së Drenasit u mundësohet vazhdimi i paraqitjes së kërkesave për trajtimin administrativ të objekteve të ndërtuara pa leje, brenda periudhës së re të përcaktuar.

    Aplikimet për legalizim bëhen pranë Drejtorisë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Drenasit, në përputhje me procedurat dhe dokumentacionin e paraparë me legjislacionin në fuqi.

    Nga komuna u bëhet thirrje të gjithë qytetarëve që i plotësojnë kushtet ligjore që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të aplikojnë brenda afatit të caktuar.

  • Nis seanca ndaj të akuzuarit për krime lufte Muhamet Alidemaj, pritet të jepet fjala përfundimtare

    Nis seanca ndaj të akuzuarit për krime lufte Muhamet Alidemaj, pritet të jepet fjala përfundimtare

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rigjykimin ndaj Muhamet Alidemajt i akuzuar për krime lufte në Izbicë më 1999, të martën pritet të jepet fjala përfundimtare nga palët në procedurë.

    Sipas aktakuzës, Alidemaj kishte marrë pjesë bashkë me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe në vrasjen e civilëve shqiptarë në masakrën e Izbicës që kishte ndodhur në mars 1999, e ku ishin vrarë e masakruar 130 shqiptarë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ndryshe, në seancën fllestare më 29 prill 2022, në gjykimin e parë, Alidemaj ishte deklaruar i pafajshëm. Njëjtë u deklarua edhe në seancën e rigjykimit më 23 tetor 2025.

    Gjykata Themelore në Prishtinë më 12 korrik 2024 e shpalli Muhamet Alidemajn fajtor dhe e dënoi me 15 vjet burg për krime lufte gjatë vitit 1999 në Izbicë. Ndaj tij u shpall aktgjykim refuzues për dispozitivin e dytë, ku ngarkohej për zhvarrosjen e trupave me ekskavator, pasi në fjalën përfundimtare në seancën e 9 korrikut 2024, prokurori Ilir Morina u tërhoq nga pika e dytë e dispozitivit të aktakuzës, për shkak se nuk ishte arritur të vërtetohet se i akuzuari Alidemaj ka marrë pjesë në zhvarrosjen e viktimave.

    Por, Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 29 mars 2022, Muhamet Alidemaj gjatë periudhës kohore 24 mars 1999 – 11 qershor 1999, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, me dhunë i ndajnë gratë e fëmijët dhe dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në drejtim të Shqipërisë.

    Ndërsa, aktakuza thotë se burrat e mbetur i ekzekutojnë me armë automatike duke i vrarë 130 persona, prej të cilëve 114 viktima u identifikuan, kurse 12 civilë i mbijetuan ekzekutimit. Pas dy muajve, thuhet se i zhvarrosën trupat me ekskavator dhe i larguan duke i transportuar me disa kamionë në drejtim të panjohur. Ndërsa, pas përfundimit të luftës trupat e viktimave u gjetën në varreza masive në Batajnicë të Serbisë, në fshatin Suhodoll të Mitrovicë dhe në fshatin Novolan të Vushtrrisë.

    Me këtë, akuzohej se në bashkëkryerje, e ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i sanksionuar sipas veprës penale “Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për konventat e Gjenevës”, nga neni 146, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi/

  • Parlamenti francez miraton ndalimin e rrjeteve sociale për personat nën 15 vjeç

    Parlamenti francez miraton ndalimin e rrjeteve sociale për personat nën 15 vjeç

    Asambleja Kombëtare Franceze miratoi sot një ligj që u ndalon fëmijëve nën moshën 15 vjeç përdorimin e mediave sociale për shkak të rrezikut të ngacmimit online dhe shëndetit mendor.

    Ndalimi i rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç në Francë do të hyjë në fuqi më 1 shtator të këtij viti.

    Projektligji u propozua nga anëtarët e grupit të Ringjalljes në Asamblenë Kombëtare.

    Projektligji tani do t’i dërgohet Senatit dhe duhet të shqyrtohet në mesin e shkurtit.

    Platformat e mediave sociale do të kenë kohë deri më 31 dhjetor për të çaktivizuar llogaritë ekzistuese që nuk përputhen me rregullat, raportuan mediat franceze.

  • Ish-presidenti i FIFA-s ka vetëm një këshillë për tifozët: Mos shkoni në Kupën e Botës në Amerikë

    Ish-presidenti i FIFA-s ka vetëm një këshillë për tifozët: Mos shkoni në Kupën e Botës në Amerikë

    Ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, mbështeti të hënën një propozim për bojkotimin e ndeshjeve të Kupës së Botës në Shtetet e Bashkuara nga tifozët, për shkak të sjelljes së Presidentit Donald Trump dhe administratës së tij brenda dhe jashtë vendit.

    Blatter është figura e fundit ndërkombëtare e futbollit që vë në pikëpyetje të drejtën e Shteteve të Bashkuara si vend pritës. Ai bëri thirrje për bojkot në një postim në platformën X, duke mbështetur komentet e Mark Pieth nga një intervistë që ai dha për gazetën zvicerane Der Bund javën e kaluar.

    Pieth, një avokat zviceran i specializuar në krimin ekonomik dhe ekspert në luftën kundër korrupsionit, kryesoi Bordin Mbikëqyrës të Organit të Pavarur për Reformën e Qeverisjes së FIFA-s një dekadë më parë. Blatter ishte president i shtëpisë botërore të futbollit nga viti 1998 deri në vitin 2015 dhe dha dorëheqjen për shkak të një hetimi për korrupsion.

    “Duke marrë parasysh gjithçka që kemi thënë, ka vetëm një këshillë për tifozët: Qëndroni larg SHBA-së! Do ta shihni gjithçka më mirë në TV gjithsesi. Dhe me të mbërritur, tifozët duhet të presin që nëse zyrtarëve nuk u pëlqejnë, do t’i vendosin menjëherë në aeroplanin tjetër për në shtëpi. Nëse janë me fat”, tha Pieth në një intervistë me Der Bund.

    Në postimin e tij për Xu, Blatter citoi Pieth dhe shtoi: “Mendoj se Mark Pieth ka të drejtë që vë në dyshim këtë Kupë Bote”.

    Shtetet e Bashkuara do të bashkëorganizojnë Kupën e Botës me Kanadanë dhe Meksikën nga 11 qershori deri më 19 korrik.

    Shqetësimi i komunitetit ndërkombëtar të futbollit në lidhje me Shtetet e Bashkuara rrjedh nga qëndrimi ekspansionist i Trump ndaj Grenlandës, ndalimet e udhëtimit dhe taktikat agresive në trajtimin e emigrantëve dhe protestuesve anti-imigracion në qytetet amerikane, veçanërisht në Minneapolis.

    Një nga nënkryetarët e Federatës Gjermane të Futbollit, Oke Gottlich, tha në një intervistë me gazetën Hamburger Morgenpost të premten se ka ardhur koha për të shqyrtuar seriozisht bojkotimin e Kupës së Botës.

    Dy javë më parë, planet e udhëtimit të tifozëve nga dy prej kombeve kryesore të futbollit në Afrikë u ndërprenë rëndë kur administrata Trump njoftoi një ndalim që do t’i pengonte në mënyrë efektive njerëzit nga Senegali dhe Bregu i Fildishtë të ndiqnin ekipet e tyre kombëtare, përveç nëse ata tashmë kanë viza. Trump përmendi “mangësitë në kontrolle dhe verifikime të të dhënave” si arsyen kryesore për pezullimet.

    Tifozëve nga Irani dhe Haiti, dy vende të tjera që u kualifikuan për Kupën e Botës, do t’u ndalohet gjithashtu hyrja në Shtetet e Bashkuara. Ata u përfshinë në paketën e parë të ndalimit të udhëtimit të njoftuar nga administrata Trump.

  • Australia ia anulon vizën influencuesit hebre për komentet rreth Islamit

    Australia ia anulon vizën influencuesit hebre për komentet rreth Islamit

    Ministri i Punëve të Brendshme i Australisë, Tony Burke, ka anuluar vizën e influencuesit hebre Sammy Yahood, vetëm disa orë para fluturimit të tij për në Australi.

    Personaliteti dhe aktivisti i mediave sociale me origjinë britanike ka shkaktuar polemika mbi pretendimet e tij, se Islami është një “ideologji vrasëse” dhe “nuk mund t’i besohet thjesht të ‘bashkëjetojë’” me shoqërinë perëndimore.

    “Është koha për të ndaluar Islamin. Është koha të ndalojmë së qeni tolerantë ndaj atyre që nuk janë tolerantë ndaj nesh”, shkroi ai në një postim në nëntor në X.

    Yahood kishte udhëtuar për në Australi për t’u drejtuar grupeve hebraike, përfshirë Shoqatën Australiane Hebraike, e cila kritikoi ashpër anulimin e vizës së tij.

    “Sammy Yahood ishte planifikuar të vizitonte Australinë për të folur në sinagogat kryesore në Sydney dhe Melbourne dhe për të marrë pjesë në një seri ngjarjesh me organizatat hebraike”, tha për Skynews.com.au CEO i AJA, Robert Gregory.

    “Në festën publike të Ditës së Australisë, vetëm tre orë para fluturimit të tij të planifikuar, Sammy u njoftua se viza e tij ishte anuluar. Synimi i vazhdueshëm i vizitorëve hebrenj nga qeveria australiane ka kontribuar në rritjen e antisemitizmit në Australi. Kjo përforcon shqetësimet e thella brenda komunitetit hebraik se, pavarësisht tmerrit të masakrës së Bondit dhe kërkimfaljes së vonuar të qeverisë, qeveria nuk ka ndryshuar dhe nuk ka qenë kurrë e vërtetë”, u tha ndër tjera.

    Burke më parë ka revokuar vizat e sipërmarrësit të teknologjisë Hillel Fuld dhe politikanit të djathtë izraelit Simcha Rothman, duke cituar deklaratat e tyre të kaluara në lidhje me Palestinën dhe luftën në Gaza.

    Në një deklaratë për Guardian Australia, Ministri i Punëve të Brendshme konfirmoi se viza e Yahood ishte anuluar për shkak të shqetësimeve se ai po “përhapte urrejtje”.

    Megjithatë, Yahood argumentoi se ai thjesht po “mbronte” Judaizmin dhe u ankua për vendimin e qeverisë australiane për të përqafuar “censurën”.

    “Tony Burke ka përdorur disa nga mendimet e mia publike mbi Islamin dhe 50,000 sulmet terroriste të kryera nga islamistët që nga 11 shtatori, dhe qartësinë time morale mbi këtë fakt, kundër hyrjes sime në Australi”, tha ai për Skynews.com.au.

  • Trump rrit tarifat amerikane për importet e Koresë së Jugut në 25%

    Trump rrit tarifat amerikane për importet e Koresë së Jugut në 25%

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se do të rrisë tarifat për importet e Koresë së Jugut në 25%, pasi akuzoi Seulin se “nuk po i përmbahet” një marrëveshjeje tregtare të arritur vitin e kaluar.

    Në një postim në rrjetet sociale, Trump tha se do të rriste taksat ndaj Koresë së Jugut nga 15% për një gamë produktesh, duke përfshirë automobila, lëndë druri, produkte farmaceutike dhe “të gjitha tarifat e tjera reciproke”.

    Trump tha se ligjvënësit e Koresë së Jugut kanë qenë të ngadaltë në miratimin e marrëveshjes, ndërsa “ne kemi vepruar shpejt për të ulur tarifat tona në përputhje me transaksionin për të cilin është rënë dakord”.

    Koreja e Jugut thotë se nuk i është dhënë njoftim zyrtar për vendimin për të rritur tarifat për disa nga mallrat e saj dhe dëshiron bisedime urgjente me Uashingtonin mbi këtë çështje.

    Seuli dhe Uashingtoni arritën një marrëveshje tetorin e kaluar, e cila përfshinte një premtim nga Koreja e Jugut për të investuar 350 miliardë dollarë në SHBA, një pjesë e të cilave do të shkonin për ndërtimin e anijeve.

    Muajin pasardhës, të dy vendet ranë dakord që SHBA-të do të ulnin tarifat për disa produkte sapo Koreja e Jugut të fillonte procesin për të miratuar marrëveshjen.

    Marrëveshja iu dorëzua Asamblesë Kombëtare të Koresë së Jugut më 26 nëntor dhe aktualisht është duke u shqyrtuar. Sipas mediave lokale, ka të ngjarë të miratohet në shkurt.

    Tarifat paguhen nga kompanitë që importojnë produkte. Në këtë rast, firmat amerikane do të paguajnë një taksë prej 25% për mallrat që blejnë nga Koreja e Jugut.

    Sakaq, Trump të shtunën kërcënoi Kanadanë me një tarifë 100% nëse ajo arrinte një marrëveshje tregtare me Kinën.

    Përpara kësaj, ai tha se do të vendoste taksa importi për tetë vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, të cilat kundërshtuan planet e SHBA-së për të pushtuar Groenlandën, një territor autonom në Mbretërinë e Danimarkës, e cila është anëtare e NATO-s.

    Më vonë ai u tërhoq nga kërcënimi me tarifa për Groenlandën duke përmendur përparimin drejt një “marrëveshjeje të ardhshme” mbi ishullin, por episodi tensionoi marrëdhëniet e SHBA-së me Danimarkën dhe aleatët e tjerë të NATO-s.

  • Babai raporton zhdukjen e vajzës që nga dhjetori në Gjakovë

    Babai raporton zhdukjen e vajzës që nga dhjetori në Gjakovë

    Një vajzë është raportuar e zhdukur nga babai i saj në Gjakovë.

    Sipas policisë, babai i saj, ka bërë të ditur se vajza është larguar nga shtëpia që nga 29 dhjetori dhe nuk dihet asgjë për vendndodhje e saj.

    Rasti është nën hetime nga organet e rendit.

  • 57 aksidente dhe mbi 2300 gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    57 aksidente dhe mbi 2300 gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    Policia e Kosovës përmes raportit ditor ka njoftuar se brenda një dite në vendin tonë kanë ndodhur 57 aksidente trafiku.

    Prej tyre, 34 aksidente janë me dëme materiale dhe 23 aksidente me të lënduar.

    Poashtu gjatë 24 orëve në Kosovë janë shqiptuar 2,376 gjoba.

    Janë arrestuar 15 persona, 14 janë dërguar në mbajtje dhe një në vuajte të dënimit.

  • 64 të dënuar aplikuan për falje, Presidentja refuzon të gjitha kërkesat

    64 të dënuar aplikuan për falje, Presidentja refuzon të gjitha kërkesat

    64 kërkesa nga të burgosurit për t’iu falur dënimi i mbetur kanë shkuar në adresë të presidentes së Kosovës. Por, Vjosa Osmani nuk e ka falur asnjë prej tyre, e brenda 5 viteve vetëm një gruas që ishte e dënuar për veprën penale “Rrezikim i Trafikut Publik”, ia fali dënimin e mbetur.

    Për 5 vite sa është në krye të shtetit, Vjosa Osmani nënshkroi vetëm një dekret, me të cilin fali një të burgosur që ishte në vuajtje të dënimit.

    Por, ndër vite në adresë të zyrës së saj shkuan qindra kërkesa të tilla, që janë në kompetencë të saj sipas ligjit, por asnjë tjetër nuk u aprovua.

    Brenda vitit 2025, janë proceduar 64 kërkesa nga të burgosurit që kërkojnë faljen e dënimit të mbetur.

    Nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, kanë thënë se 5 kërkesa të tjera janë në proces të kompletimit të raporteve.

    “Gjatë vitit 2025, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka proceduar 64 kërkesa për falje të dënimit, ndërsa 5 kërkesa janë ende në proces të kompletimit të raporteve. Gjatë pesë viteve të fundit kemi pranuar vetëm një Dekret për Falje, me nr. 04/2025, i datës 29.01.2025, me të cilin të dënuarës A. C. i është falur pjesa e mbetur e dënimit. E njëjta ka qenë e dënuar për veprën penale “Rrezikim i Trafikut Publik”, kanë deklaruar nga SHKK.

    Në lidhje me arsyet se pse presidentja e Kosovës, nuk ka ndërmarrë asnjë vendim për kërkesat që janë proceduar, nuk janë përgjigjur nga Zyra e saj.

    Ish-Avokati i Popullit Hilmi Jashari, thotë se brenda burgjeve të Kosovës, ka persona që plotësojnë kriteret e nevojshme për të përfituar faljen e dënimit të mbetur.

    “Edhe vetë qëllimi i dënimit ka parasysh risocializimin e atyre që përfundojnë dënimin ose falen për të qenë anëtarë të dobishëm për shoqërinë në anën tjetër ka kritere e rregullore që e konkretizojnë ligjin për falje dhe përcakton se cilët persona mund të përfitojnë një falje që e bënë autoriteti i presidentes”, ka thënë Hilmi Jashari – ish Avokat i Popullit.

    Jashari mendon se vendimet e tilla kanë efekt edhe tek të burgosurit e tjerë.

    “Përveç ndikimit në sjelljet e tyre brenda por edhe pas daljes së tyre nga burgu kish me ndiku patjetër edhe për vetë faktin që kriteret janë të përcaktuara qysh herët kur është miratuar ky ligj, kanë përcaktu se cilat raste mund të trajtohen nga komisioni që ndihmon presidenten për të selektuar njërëz që meritojnë”, ka thënë – Ish Avokat i Popullit.

    Që nga viti 2009, e tutje mbi 300 persona janë falur nga Presidenca, derisa paraardhësi i Osmanit, Hashim Thaçi, kishte falur mbi 10 të burgosur gjatë mandatit të tij./Tv Dukagjini/