ATV

Author: K.B.

  • Arrestohet nipi i kandidatit për deputet Fetah Paqarizi, dyshime për presion dhe ryshfet për vota në Prizren

    Arrestohet nipi i kandidatit për deputet Fetah Paqarizi, dyshime për presion dhe ryshfet për vota në Prizren

    Në kuadër të aksionit të Policisë dhe Prokurorisë në Prizren është arrestuar një person i dyshuar për ushtrim presioni dhe dhënie ryshfeti, në lidhje me procesin zgjedhor.

    Siç raporton “Betimi për Drejtësi“, i arrestuari është Granit Paqarizi, i cili është djali i vëllait të kandidatit për deputet Fetah Paqarizi. Dyshimet lidhen me veprime të kundërligjshme që përfshijnë presion dhe ryshfet, të cilat dyshohet se kanë ndikuar në procesin e votimit.

    Nga rinumërimi i 50 përqind e votave, Paqarizi ka 6,752 vota më pak.

    Prokuroria Themelore në Prizren kishte bërë të ditur se ka monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të votave dhe se, teksa rinumërimi po i afrohet fundit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme gjatë numërimit të votave brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit.

    Sipas Prokurorisë, pas rinumërimit në disa vendvotime janë vërejtur dallime mes fletëvotimeve dhe votave të numëruara për kandidatët brenda subjekteve politike, duke ngritur dyshime serioze për keqpërdorim të votave.

    Prokuroria ka theksuar se manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore përbëjnë vepra penale dhe se këto raste do të trajtohen pa asnjë kompromis.

    Në këtë aksion është arrestuar edhe djali i Nait Hasanit, kandidatit për deputet nga PDK.

  • Mbi 50% të rinumëruara, kaq vota iu hoqën Kurtit, Hamzës, Abdixhikut e Haradinajt

    Mbi 50% të rinumëruara, kaq vota iu hoqën Kurtit, Hamzës, Abdixhikut e Haradinajt

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.

    Deri më tani janë numëruar mbi 50% dhe me mijëra vota dolën të vjedhura.

    Shumë kandidatë brenda partive humbën vota e shumë të tjerëve iu shtuan ato.

    Liderët e partive që ishin bartës të listave të gjithë dolën në minus votash nga ky proces verifikimi, por dy prej tyre patën pak vota të minusuara.

    Më së shumti vota nga kryetarët e partive iu hoqën kreut të Vetëvendosjes, i cili pasohet nga ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ai i PDK-së, Bedri Hamza dhe në fund ai i AAK-së, Ramush Haradinaj.

    Votat e hequra të kryetarëve të partive deri më tani:

    Albin Kurti -320 Vota

    Bedri Hamza – 7 vota

    Lumir Abdixhiku – 114 vota

    Ramush Haradinaj -5 vota

  • Tentuan të ngjyrosnin rozë avionin e kancelarit Merz, arrestohen 3 gjermanë

    Tentuan të ngjyrosnin rozë avionin e kancelarit Merz, arrestohen 3 gjermanë

    Policia gjermane ka arrestuar tre persona në një hangar (hapësirë ku qëndrojnë aeroplanët) ku ndodhej edhe avioni privat i kancelarit Friedrich Merz.

    Dy gra dhe një burrë, të moshës 23, 28 dhe 56 vjeç, aktivistw klimatikw, dyshohet se kishin synim të dëmtonin avionin, thanë prokurorët në qytetin e lindjes së Merz-it, Arnsberg, në Gjermaninë perëndimore, raporton DPA, përcjell Kosovapress.

    Ata u arrestuan, të enjten, për shkelje të pronës pasi kishin hyrë pa autorizim në aeroportin e këtushëm gjatë natës.

    Merz, i cili mori detyrën në majin e kaluar, është një pilot i apasionuar dhe jeton në Arnsberg, rreth 400 kilometra në jugperëndim të Berlinit.

    Një grup i quajtur “Resistance Collective” ka marrë përsipër përgjegjësinë për tentativën, duke thënë se kishin në plan ta lyenin me ngjyrë rozë avionin në mënyrë që duke e bërë të tillë, ta pamundësonin fluturimin e tij, e bashkë me të, edhe të kancelarit.

    Akivistët, sipas njoftimit tw grupit, mbanin një pankartë në të cilin shkruante “Mobilitet për të gjithë, jo vetëm për super të pasurit” ndërsa kishin në plan që në vendngjarje ta lenin një bicikletë si një mjet transmporti më miqësor me ambientin e klimën.

  • Ligjërata para nxënësve të gjimnazit “Xhevdet Doda”, reagon organizata YIHR

    Ligjërata para nxënësve të gjimnazit “Xhevdet Doda”, reagon organizata YIHR

    YIHR KS ka sqaruar se sesioni informues i mbajtur në shkollën “Xhevdet Doda” është realizuar me lejen e institucionit arsimor.

    Sipas tyre, sesione të tilla mbahen që nga viti 2018, me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës, në bashkëpunim me përfaqësues të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

    “Këto sesione janë pjesë e programit tonë për drejtësi tranzicionale dhe ballafaqim me të kaluarën. Gjatë sesionit është prezantuar informacion bazik dhe publik mbi Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke përfshirë mandatin dhe kompetencat e tyre, si institucion i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu siç thuhet në njoftim YIHR KS, prej më shumë se 20 vitesh nga themelimi i saj, ka zhvilluar aktivitete të vazhdueshme me fokus në të drejtat e njeriut, ballafaqimin me të kaluarën dhe fuqizimin e të rinjve dhe të rejave në Kosovë.

    “Sesione të tilla informuese janë pjesë e misionit afatgjatë të YIHR KS për të kontribuar në promovimin e drejtësisë tranzicionale dhe ne do të vazhdojmë me punën dhe aktivizmin tonë në këtë fushë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

    Ndryshe, drejtuesit e shkollës së mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë, kanë reaguar publikisht ndaj, siç thuhet, disa informacioneve të pasakta që po qarkullojnë në opinion, duke sqaruar se në ambientet e shkollës nuk është mbajtur asnjë ligjëratë nga zyrtarë apo gjykatës të Gjykatës Speciale.

    Sipas reagimit, ligjërata në fjalë është organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), një organizatë e njohur për aktivitetet e saj edukative në shkolla të mesme dhe universitete, me fokus në edukimin juridik dhe qytetar të të rinjve.

    Qëllimi i ligjëratës ka qenë informimi i nxënësve mbi sistemin e drejtësisë, llojet e gjykatave dhe mënyrën e funksionimit të tyre, përfshirë edhe gjykatën e Kosovës që funksionon në Hagë, në kuadër të një qasjeje të përgjithshme, neutrale dhe edukative.

    Në reagim sqarohet se Drejtoria Komunale e Arsimit nuk ka qenë e përfshirë në dhënien e pëlqimit për mbajtjen e kësaj ligjërate, ndërsa autorizimi është dhënë nga Këshilli Drejtues i Shkollës (KDSH).

  • Kremlini përsërit kërkesën që Ukraina të tërhiqet nga Donbasi që bisedimet e paqes të përparojnë

    Kremlini përsërit kërkesën që Ukraina të tërhiqet nga Donbasi që bisedimet e paqes të përparojnë

    Kremlini përsëriti kërkesën e tij që Kievi duhet të tërheqë forcat e tij nga rajoni lindor i Donbasit që lufta të përfundojë, duke treguar se nuk i kishte hequr dorë nga kërkesat e tij maksimaliste përpara bisedimeve trepalëshe me SHBA-në dhe Ukrainën në Abu Dhabi, raporton AFP.

    “Pozicioni i Rusisë është i njohur mirë për faktin se Ukraina, forcat e armatosura ukrainase, duhet të largohen nga territori i Donbasit. Ato duhet të tërhiqen që andej”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, duke shtuar: “Ky është një kusht shumë i rëndësishëm”, shtoi ai.

    Negociatorët rusë, ukrainas dhe amerikanë po marrin pjesë në bisedimet e para trepalëshe në Abu Dhabi, të hartuara për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

  • A është në lidhje Mia Khalifa me Mr.Bean? Flet aktorja e filmave për të rritur

    A është në lidhje Mia Khalifa me Mr.Bean? Flet aktorja e filmave për të rritur

    Ish-ylli i pornografisë Mia Khalifa ka mohuar thashethemet se është në një lidhje me aktorin Rowan Atkinson, i njohur më mirë si Mr. Bean.

    Ajo reagoi pasi fotot e rreme, të krijuara me siguri me ndihmën e inteligjencës artificiale, u përhapën në rrjetet sociale, duke bërë që shumë njerëz të besonin se të dy janë çift.

    Historia filloi javën e kaluar, kur një llogari satirike në Instagram postoi një postim duke pretenduar se Khalifa dhe Atkinson ishin në lidhje që nga viti i kaluar. Postimi, i cili u bë shpejt viral, shoqërohej nga një foto e rreme e çiftit në një jaht dhe një referencë për “burime të paidentifikuara”.

    Edhe pse e gjitha ishte menduar si shaka, shumë në komente e besuan ose shkruan se do të donin të ishte e vërtetë.

    Në X, një ish-llogari në Twitter, Khalifa, 33 vjeç, komentoi në fotot që supozohej se e tregonin duke kaluar pushimet në Francë me komedianin britanik 71-vjeçar.

    “Djema, unë po dal me një budalla, por ai nuk është Z. Bean”, shkroi Khalifa, e cila nuk dëshiron të flasë publikisht për marrëdhënien e saj aktuale.

    Rowan Atkinson është në lidhje me Louise Ford, me të cilën ka një fëmijë, që nga viti 2013. Ai ka dy fëmijë nga martesa e tij e mëparshme me Sunetra Sastry. Atkinson nuk ka komentuar për përhapjen e fotove të rreme.

    Megjithatë, Mia Khalifa nuk e ka zbuluar se kush është partneri i saj aktual.

  • Bashkëpunimi Kosovë-SHBA, komandanti i FSK-së pret në takim Shefen e Përgjithshme të Organizatës së Veteranëve Luftëtarë

    Bashkëpunimi Kosovë-SHBA, komandanti i FSK-së pret në takim Shefen e Përgjithshme të Organizatës së Veteranëve Luftëtarë

    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim zyrtar Carol Whitmore, Shefe e Përgjithshme të Organizatës së Veteranëve Luftëtarë të SHBA-ve dhe Ryan Galluci, Drejtor Ekzekutiv i Zyrës në Washington.

    Në njoftim thuhet se u diskutua për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet FSK-së dhe Ushtrisë Amerikane, në veçanti me Gardën Kombëtare të Ajova-s, ku u vlerësua marrëdhëniet me aleatët dhe partnerët, si dhe mbështetja amerikane në ngritjen e aftësive dhe kapaciteteve të FSK-së, përfshirë ndërveprueshmërinë me partnerët e saj.

    Gjithashtu, Gjeneral Jashari vlerësoi lartë rolin e kësaj organizate në mbështetje të pjesëtarëve forcave të armatosura amerikane, si dhe shprehu mirënjohjen për përkushtimin e shtëpisë së veteranëve në trajtimin, kujdesin dhe respektin që ky institucion ofron për veteranët luftëtarë të SHBA-ve, që kanë shërbyer nëpër konflikte të ndryshme nëpër botë, posaçërisht ata në Kosovë.

    Të dy palët u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit, njëherit u vlerësua gatishmëria e kësaj organizate në mbështetjen e FSK-së për këtë fushë.

  • Pranohet në prova intervista e Kilajt e dhënë për prokurorët në kohën kur iu bastis vendbanimi në Kosovë

    Pranohet në prova intervista e Kilajt e dhënë për prokurorët në kohën kur iu bastis vendbanimi në Kosovë

    Në çështjen e Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuҫit kundër administrimit të drejtësisë, është pranuar në prova materiale një intervistë e Kilajt e dhënë për prokurorët në kohën e kontrollimit dhe sekuestrimeve në vendbanimin e tij.

    Kjo u bë e ditur nga zëdhënësi e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Michael Doyle e cila tha se kjo ishte kërkesë e Prokurorisë.

    “Në kohën e intervistës, z. Kilaj hoqi dorë nga e drejta e tij për të heshtur dhe nga e drejta për të pasur avokat të pranishëm gjatë intervistës. Gjykatësi konstatoi se përpara intervistës, ZPS-ja i kishte komunikuar z. Kilaj, gojarisht dhe me shkrim në shqip, të gjitha të drejtat e tij si i dyshuar sipas nenit 38(3) të Ligjit të DHSK-së, dhe se z. Kilaj kishte konfirmuar përmes vënies së nënshkrimit se i kuptonte këto të drejta. Z. Kilaj u informua gjithashtu se mund të tërhiqej nga heqja dorë e të drejtave në çdo kohë dhe të ndryshonte mendje lidhur me praninë e avokatit. Sipas ligjit, prokurorët ishin gjithashtu të detyruar të njoftonin z. Kilaj se ishte i dyshuar për vepra penale që përfshihen në juridiksionin e Dhomave të Specializuara”, tha Doyle.

    Ai tregoi se këtë intervistë e kishte kundërshtuar mbrojtja duke pretenduar se Kilaj nuj ishte informuar mjaftuehëm dhe në hollësi për veprat penale për të cilat po hetohej. Mirëpo, duke u bazuar në incizimin e intervistës, gjykatësi kishte konstatuar se intervistuesit ia kishin bërë të qartë Kilajt se ekzistonin arsye për të besuar se ai kishte kryer një vepër penale që përfshihet në juridiksionin e gjykatës, se ZPS-ja hetonte krime ndërkombëtare dhe krime të lidhura me pengimin e drejtësisë, dhe se çdo deklaratë e dhënë nga ai mund të përdorej kundër tij në gjykatë.

    “Duke iu referuar jurisprudencës së tribunalëve ndërkombëtarë dhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, gjykatësi përcaktoi se “ hetuesit paraqitën hapur në fillim të intervistës ‘arsyet e tyre për të besuar’ se z. Kilaj mund të ketë marrë pjesë në një vepër penale që përfshihet në juridiksionin e DHS-së”, se, “dokumentet që iu paraqitën z. Kilaj përmbanin jo vetëm llojin e veprave penale për të cilat ai dyshohej, por edhe llojin e informacionit për të cilin bëhej fjalë,” dhe se “asgjë në këto shkëmbime nuk lë të mendohet se heqja dorë nga të drejtat, e shprehur në fillim të intervistës, ishte bërë pa qenë plotësisht i informuar…”, tha Doyle.Në të njëjtën çështje, ai tha se gjykatësi i çështjes miratoi një kërkesë të ZPS-së për shtimin e materialeve në listën e saj të provave materiale dhe nxjerrjen zyrtare të këtyre materialeve Mbrojtjes më 19 janar 2026.

    Doyle tha se këto materiale janë që Prokuroria i ka marrë gjatë muajit të fundit nga një institut dhe një kompani forenzike.Në të njëjtin rast, Doyle tregoi se u miratua një kërkesë të përbashkët të Mbrojtjes për shtimin e numrit të fjalëve për përgjigjen e tyre ndaj mocionit të ZPS-së për pranim të provave.

    Ndryshe, Doyle tregoi edhe për vazhdimin e paraburgimit ndaj Hashim Thacit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.Veç kësaj u përmend se në Kosovë gjendet një ekip i Programit për komunikim dhe ndërgjegjësim gjendet në Kosovë ku po zhvillon aktivitete për të informuar grupe studentësh në Prishtinë lidhur me mandatin dhe proceset në gjykatë.

    Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë. /BetimipërDrejtësi/

  • Rexhepi merr ftesë nga gjykata serbe për flamurin shqiptar në Luginën e Preshevës

    Rexhepi merr ftesë nga gjykata serbe për flamurin shqiptar në Luginën e Preshevës

    Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, njoftoi se ka marrë sot një ftesë nga gjykata lidhur me vendosjen e flamurit kombëtar shqiptar në institucionin zyrtar të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

    Në një postim në rrjetin social Facebook,, Rexhepi theksoi se kjo është një dëshmi e presionit institucional ndaj shqiptarëve në Preshevë, duke shtuar:

    “Flamuri trajtohet si shkelje, ndërsa diskriminimi si politikë shtetërore. Nuk do të tërhiqemi. Dinjiteti nuk gjykohet”, shkruan ai.

    Rexhepi riafirmoi vendosmërinë për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e komunitetit shqiptar në rajon, pavarësisht sfidave institucionale.

  • Raportimet se s’ka vend në burgje për të arrestuarit nga aksioni i sotëm, SHKK: I kemi rreth 800 shtretër të lirë

    Raportimet se s’ka vend në burgje për të arrestuarit nga aksioni i sotëm, SHKK: I kemi rreth 800 shtretër të lirë

    Pas raportimeve për mungesën e kapaciteteve në institucionet korrektuese për t’i dërguar komisionerët e arrestuar sot në Prizren, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka dalë me një njoftim.

    Sipas Shërbimit Korrektues, aktualisht në institucionet e tij mbahen gjithsej 1 758 të burgosur, ndërsa kapaciteti i përgjithshëm i institucioneve korrektuese është rreth 2 560 shtretër, duke lënë rreth 800 vende të lira.

    Njoftimi thekson se pretendimet për mungesë kapacitetesh nuk qëndrojnë, dhe institucionet kanë hapësira të mjaftueshme për pranimin e rasteve të reja. Po ashtu, Shërbimi Korrektues dhe Policia e Kosovës kanë marrëveshje mirëkuptimi për bashkëpunim, që mund të përfshijë përdorimin e përkohshëm të objekteve të njëra-tjetrës, sipas nevojës.

    “Shërbimi Korrektues i Kosovës ka kapacitete ̈ ̈, prandaj pretendimet për mungesë kapacitetesh nuk qëndrojnë. Institucionet korrektuese kanë hapësira të mjaftueshme për pranimin e rasteve të reja. Ky njoftim bëhet me qëllim të informimit të saktë të opinionit publik dhe parandalimit të keqinformimit. Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Policia e Republikës së Kosovës kanë marrëveshje mirëkuptimi për bashkëveprim institucional, në kuadër të së cilës, varësisht nga situatat e krijuara, mund të shfrytëzohen përkohësisht objektet e njëra-tjetrës”, thuhet në njoftim.

    Njoftimi vjen pas raportimeve se në kuadër të hetimeve, mbi 100 zyrtarë të angazhuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë zgjedhjeve të 28 dhjetorit janë ftuar për intervistim, ndërsa gjatë ditës pritet të ketë edhe persona të ndaluar.