ATV

Author: K.B.

  • “Liria ka Emër” siguron mbështetje nga Rahoveci për marshin “Drejtësi, jo politikë”

    “Liria ka Emër” siguron mbështetje nga Rahoveci për marshin “Drejtësi, jo politikë”

    Platforma “Liria ka Emër” ka vazhduar sot fushatën e saj të takimeve nëpër Kosovë, me një vizitë zyrtare në Komunën e Rahovecit.

    Dy themeluesit e platformës, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, u pritën në takim nga kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi.

    Gjatë takimit, sipas njoftimit zyrtar, përfaqësuesit e platformës prezantuan misionin dhe aktivitetet e “Liria ka Emër”, me theks të veçantë në fushatën e mobilizimit qytetar për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.

    Hoxha theksoi se ky Marsh është një thirrje qytetare për drejtësi të paanshme.

    “Kërkojmë mbështetje që zëri i qytetarëve të Kosovës të dëgjohet fuqishëm më 17 shkurt”, shtoi ajo.

    Ndërsa Tasholli ndër të tjera tha se mobilizimi në çdo komunë të Kosovës është thelbësor për përçimin e mesazhit të Marshit.

    “Marshi “Drejtësi, jo politikë” është reagim i domosdoshëm kundër shndërrimit të drejtësisë në instrument politik”, tha Tasholli.

    Nga ana tjetër, Latifi shprehu mbështetjen e tij për këtë nismë qytetare, duke vlerësuar rëndësinë e ruajtjes së dinjitetit të luftës çlirimtare dhe të parimeve të drejtësisë.

    “Drejtësia duhet të jetë e drejtë dhe e barabartë për të gjithë. Kjo është një kauzë që meriton mbështetje”, tha Latifi.

  • Me 21 vota para, Afërdita Bytyqi zgjidhet anëtare e KGJK-së nga radhët e gjyqtarëve të Apelit

    Me 21 vota para, Afërdita Bytyqi zgjidhet anëtare e KGJK-së nga radhët e gjyqtarëve të Apelit

    Gjyqtarja Afërdita Bytyqi është zgjedhur anëtare e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit dhe Dhomave të Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale.

    Mandati i saj do të jetë 5-vjeçar, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Në procesin zgjedhor që u zhvillua të martën, Afërdita Bytyqi mori votat e 42 gjyqtarëve. Kurse, kandidatja tjetër Mirlinda Bytyqi-Rexhepi mori 21 vota.

    Me të drejtë vote në këtë proces ishin 65 gjyqtarë, të cilët shfrytëzuan të drejtën e votës.

    Prej tyre, 63 fletëvotime u shpallën të vlefshme, ndërsa dy të tjera të pavlefshme.

    Kujtojmë se në takimin 357-të, KGJK kishte vendosur të shpallej konkurs për një pozitë të anëtares nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit.

  • Edi Rama nga Izraeli: Unë jam katolik, gruaja myslimane, fëmija i vogël mund të bëhet hebre

    Edi Rama nga Izraeli: Unë jam katolik, gruaja myslimane, fëmija i vogël mund të bëhet hebre

    Është e njohur harmonia fetare për shqiptarët, ndërsa një e tillë është përshkruar nga kryeministri Edi Rama, teksa mediat greke i kanë bërë jehonë vizitës së tij zyrtare në Jerusalem

    “Askush tjetër në Evropë nuk mund të pretendojë një ‘regjistër’ kaq të pastër historikisht, pa asnjë hebre të vetëm që t’i dorëzohet nazistëve”, tha Kyeministri i Shqipërisë Edi Rama në Knesset teksa foli me homologun e tij izraelit Benjamin Netanyahu në krah të tij, raporton mapo.al

    Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama mbajti një fjalim në Knesset në Jerusalem të hënën (26.01.2026), duke lavdëruar Benjamin Netanyahun. “Mund t’ju ​​them se gjunjët më dridhen pranë tij”, tha Rama, duke e përshkruar kryeministrin izraelit si një nga pesë folësit më të mirë në botë.

    Gjatë fjalimit të tij në Knesset , Edi Rama theksoi marrëdhënien historike midis dy vendeve, duke deklaruar se Shqipëria shërbeu si një “strehë” për mijëra hebrenj gjatë periudhës naziste.

    Personalisht, ai iu referua edhe çështjeve fetare të familjes së tij:

    “ Unë jam katolik, gruaja ime është myslimane, dy fëmijët tanë më të mëdhenj janë ortodoksë dhe më i vogli mund të zgjedhë një ditë të bëhet hebre… dhe kjo do të ishte një gëzim për ne. Familja jonë nuk është unike… Është një histori e zakonshme shqiptare. Shqiptarët festojnë së bashku ditët e rëndësishme fetare të njëri-tjetrit.”

    “Kur të tjerët i dorëzuan hebrenjtë e tyre autoriteteve, shqiptarët i dorëzuan ata në një vend të sigurt. Kjo histori nuk është një zbukurim, është një busull që duhet ta ndjekim, nëse duam të mbetemi të denjë për dhuratën e jetës që na dha vetë Zoti dhe të krijojmë diçka të denjë për këtë dhuratë në këtë tokë, në mënyrë që fëmijët tanë dhe fëmijët e tyre të mos vuajnë nesër për shkak të asaj që nuk kemi guximin të përballemi sot ose nuk mësojmë nga dje. Kjo është arsyeja pse Shqipëria ishte ndër vendet e para në Evropë që miratoi legjislacion të ri të përparuar kundër antisemitizmit”, shtoi ai.

    Pastaj, duke bërë një retrospektivë historike, Rama theksoi:

    “Askush tjetër në Evropë nuk mund të pretendojë një ‘regjistër’ kaq të pastër historikisht, pa asnjë hebre të vetëm – asnjë – që t’u dorëzohet nazistëve. Dhe askush më mirë se Shqipëria nuk mund të dëshmojë për një të vërtetë të thjeshtë, se të qenit mysliman dhe të qenit antisemit nuk lidhen së bashku nga besimi në Zot, por nga tradhtia më e neveritshme e Zotit.”

    Duke iu referuar lajmeve ndërkombëtare, Rama u përqendrua te përfshirjen e Shqipërisë në Këshillin e Paqes të Donald Trump, ndërsa drejtoi shigjeta edhe ndaj Hamasit , duke i përshkruar civilët palestinezë si “të burgosur” të organizatës.

    Së fundmi, duke komentuar protestat e fundit në Iran , Kryeministri i Shqipërisë tha:

    “Pyetja ime këtu është kjo: Si është e mundur që media botërore flet për 30,000 të vdekur në tre ditë në Iran, por nuk ka asnjë tubim në asnjë shesh në Evropë kundër Ajatollahëve që bëjnë thirrje për fundin e këtij regjimi?”

  • Kurti priti në takim të përbashkët ambasadorin e Suedisë dhe Mbretërisë së Bashkuar

    Kurti priti në takim të përbashkët ambasadorin e Suedisë dhe Mbretërisë së Bashkuar

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi dje një takim të përbashkët me Ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund dhe Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

    Sipas komunikatës, çështjet aktuale, përmbyllja e procesit zgjedhor të 28 dhjetorit dhe formimi i institucioneve në vijim, prioritetet e qeverisë së ardhshme dhe bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët, ishin ndër temat kryesore të këtij diskutimi të përbashkët.

    “Në takim kryeministri theksoi përkushtimin ndaj sundimit të ligjit gjithandej Kosovës pa diskriminim e privilegje për të gjithë qytetarët dhe komunitetet, rritjen e vazhdueshme ekonomike dhe progresin shoqëror e avancimin demokratik, si dhe angazhimin për paqe e siguri me rend publik dhe kufij të mbrojtur dhe integrimin në Bashkimin Evropian dhe NATO”, thuhet në komunikatë.

    Siç ka njoftuar Qeveria, Kurti të hënën ka zhvilluar takim të veçantë me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

  • Shtatë mjekë të rinj i bashkohen stafit të Spitalit të Gjakovës

    Shtatë mjekë të rinj i bashkohen stafit të Spitalit të Gjakovës

    Ekipi shëndetësor i Spitalit të Përgjithshëm të Gjakovës është forcuar sot me shtatë mjekë të rinj specialistë, të cilët do të kontribuojnë në zgjerimin dhe përmirësimin e shërbimeve mjekësore për qytetarët.

    Specialistët e rinj që iu bashkuan spitalit janë:

    Dr. Lorena Rruka – Specialiste e Dermatologjisë
    Dr. Fahruk Iljazi – Specialist i Endokrinologjisë
    Dr. Arton Hoti – Specialist i Pulmologjisë
    Dr. Halit Delija – Specialist i Pulmologjisë
    Dr. Durim Nuza – Specialist i Pulmologjisë
    Dr. Lisa Qurdina – Specialiste e Oftalmologjisë
    Dr. Fatbardh Kadrija – Specialist i Gastroenterologjisë

    Spitali i Gjakovës thekson se angazhimi i këtyre profesionistëve do të rrisë ndjeshëm kapacitetin dhe cilësinë e kujdesit mjekësor, duke mundësuar shërbime më të specializuara për pacientët.

    Me këtë përforcim, institucioni shëndetësor synon të ofrojë trajtim më të avancuar dhe të plotë, duke i shërbyer më mirë nevojave shëndetësore të komunitetit.

  • Flutura Kusari propozon që edhe në Kosovë të ndalohen me ligj rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç

    Flutura Kusari propozon që edhe në Kosovë të ndalohen me ligj rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç

    Ashtu sikurse Franca dhe Australia duhet të veprojë edhe Kosova.

    Kështu tha juristja e mediave, Flutura Kusari, referuar nismave ligjore të Francës dhe Australisë për të ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijë nën 16 vjeç.

    “Në Kosovë, ashtu si edhe në Francë dhe Australi, duhet me e ndalu me ligj përdorimin e mediave sociale nga fëmijët nën moshën 16 vjeçare”, ka shkruar Kusari.

    Mbrëmë presidenti francez, Emmanuel Macron, njoftoi që edhe senati francez i ka dhënë dritën e gjelbërt ndalimit të rrjeteve sociale për fëmijë nën 15 vjeç.

    “Kështu na kanë rekomanduar shkecëtarët dhe kështu po na kërkojnë francezët masivisht”, shkroi Macron në Facebook.

  • Pozicioni i gabuar i dorës gjatë matjes së tensionit jep rezultate të rreme: Kjo është e vetmja mënyrë e saktë

    Pozicioni i gabuar i dorës gjatë matjes së tensionit jep rezultate të rreme: Kjo është e vetmja mënyrë e saktë

    Mjekët thonë se ky detaj vendos nëse rezultati është i saktë apo i gabuar

    Mënyra se si e mbani dorën gjatë matjes së tensionit të gjakut është vendimtare për rezultatin përfundimtar, sepse nëse dora ndodhet në një pozicion të gabuar, kjo mund të çojë në vlera jo të sakta dhe të gabuara. Si pasojë, pacienti mund të marrë terapi të panevojshme për hipertension, por gjithashtu mund të ndodhë që tensioni i lartë i gjakut te disa persona të mbetet i paidentifikuar për shkak të matjeve të pasakta dhe monitorimit të dobët të vlerave.

    Si duhet ta mbani dorën gjatë matjes së tensionit të gjakut
    Pozicionet e pasakta, por shumë të shpeshta të dorës gjatë matjes së tensionit, si mbajtja e dorës në prehër ose e lëshuar përgjatë trupit, çojnë në lexim të dukshëm më të lartë të tensionit të gjakut. Udhëzimet për matjen e tensionit rekomandojnë që dora të mbështetet mbi tavolinë dhe që mesi i krahut të jetë në nivelin e zemrës. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse mbivlerësimi i tensionit mund të çojë në ndjekje të panevojshme të pacientit, si edhe në terapi të panevojshme, transmeton Telegrafi.

    – Është interesante që tensioni shpesh matet jashtë udhëzimeve edhe në kujdesin shëndetësor parësor, kryesisht për shkak të ngarkesës dhe nxitimit, vëren dr. Donald DiPette, profesor i shkencave mjekësore në University of South Carolina School of Medicine.

    Dr. DiPette paralajmëron gjithashtu se pozicione të ndryshme të dorës, të cilat nuk rekomandohen nga udhëzimet, mund të çojnë potencialisht në nënvlerësim të hipertensionit.

    – Do të dëshironim që matja e tensionit të gjakut të ketë të njëjtën saktësi si analizat e gjakut apo ekzaminimet imazherike. Për këtë arsye, nevojitet edukim si i punonjësve shëndetësorë, ashtu edhe i pacientëve, pasi shumë prej tyre e matin tensionin në shtëpi. Gjithashtu, është e këshillueshme që matja të përsëritet, sepse leximi i parë zakonisht jep vlera më të larta se matjet pasuese, gjë që është e kuptueshme, pasi personi gradualisht përshtatet me ambientin, thekson dr. DiPette.

    Pozicione të ndryshme të dorës, vlera të ndryshme
    Një studim i Shkollës së Shëndetit Publik Johns Hopkins Bloomberg School of Public Health në Baltimor, i publikuar në vitin 2024 në revistën shkencore JAMA Internal Medicine, tregoi se mbajtja e dorës në prehër, krahasuar me dorën e mbështetur mbi tavolinë, e mbivlerëson presionin sistolik (të sipërmin) për 3,9 mmHg dhe atë diastolik (të poshtmin) për 4 mmHg. Në rastet kur dora varej poshtë përgjatë trupit, presioni i sipërm ishte më i lartë për 6,5 mmHg, ndërsa ai i poshtmi për 4,4 mmHg.

  • Ekspertët ngrenë alarmin, kjo sëmundje e re po prek pothuajse 90% të të rriturve!

    Ekspertët ngrenë alarmin, kjo sëmundje e re po prek pothuajse 90% të të rriturve!

    Pothuajse 9 në 10 të rritur kanë shenja të një sëmundjeje të re dhe të rrezikshme që po përhapet në heshtje, paralajmërojnë mjekët në SHBA. Bëhet fjalë për sindromën kardiovaskulare-renal-metabolike, e njohur si CKM. Sipas të dhënave, më shumë se 80% e të rinjve dhe të rriturve në moshë të mesme shfaqin shenja të hershme të kësaj sindrome, duke u ekspozuar ndaj rrezikut të infarktit, insultit, dështimit të zemrës dhe vdekjes së parakohshme nëse nuk merren masa në kohë.

    Sindroma CKM nuk është një sëmundje e vetme, por një zinxhir problemesh shëndetësore që lidhen mes tyre, përfshirë tensionin e lartë, sheqerin në gjak, kolesterolin e pashëndetshëm, mbipeshën, obezitetin dhe funksionin e dëmtuar të veshkave. Kur një prej këtyre faktorëve përkeqësohet, ai ndikon drejtpërdrejt edhe te të tjerët, duke rritur ndjeshëm rrezikun për pasoja fatale.

    Ekspertët theksojnë se trajtimi i këtyre problemeve të ndara nuk mjafton më dhe se qasja e re synon zbulimin e hershëm dhe një kujdes të koordinuar mes mjekëve të familjes, kardiologëve, nefrologëve dhe endokrinologëve.Të dhënat tregojnë se rastet e tensionit të lartë dhe diabetit janë në rritje, ndërsa obeziteti po shtohet veçanërisht tek fëmijët dhe adoleshentët.

    Në të njëjtën kohë, rreth gjysma e të rriturve kanë tashmë një formë të sëmundjes kardiovaskulare, e cila mbetet shkaku kryesor i vdekjeve. Megjithatë, mjekët thonë se situata mund të përmbyset. Ndryshimet në stilin e jetesës, ushqyerja e shëndetshme, aktiviteti fizik, gjumi i mjaftueshëm dhe kontrolli i peshës konsiderohen armët kryesore për të frenuar këtë kërcënim të heshtur. Studimet tregojnë se zbatimi i këtyre masave mund të parandalojë deri në 40 për qind të vdekjeve të lidhura me zemrën dhe sëmundjet metabolike.

  • Rinumërohen rreth 74% e vendvotimeve, procesi përmbyllet në 27 komuna

    Rinumërohen rreth 74% e vendvotimeve, procesi përmbyllet në 27 komuna

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë rinumëruar rreth 74% apo 1,887 nga 2,557 vendvotime.

    Zëdhenësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka thënë për Express se procesi është përmbyllur në 27 komuna.

    “Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e martë, 27 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar rreth 74% apo 1,887 nga 2,557 vendvotime”, tha Elezi.

  • Pas reshjeve të shiut, Sitnica del nga shtrati

    Pas reshjeve të shiut, Sitnica del nga shtrati

    Lumi Sitnica, zona në Lipjan, ka dalë nga shtrati në mëngjesin e së martës.

    Ndonëse në zonën në fjalë ka mbrojtëse, kjo tregon se reshjet e fundit kanë ngritur nivelin e lumit. Ende nuk është raportuar për dëme në ndonjë lokacion.

    Edhe para dy javësh në zonën e Lipjanit Sitnica pati dalë nga shtrati por pa shkaktuar dëme të theksuara, siç ndodhi nga vërshimet në komunat e tjera. E pavarësisht se dëme të theksuara pati në disa komuna, edhe kur janë bërë dy javë ende nuk ka bilanc për dëmet e shkaktuara. Dëme pati në Malishevë, Prizren, Lipjan, Shtime, Rahovec, Klinë Drenas, Deçan, Rahovec, Suharekë, Junik, Gjakovë, Fushë-Kosovë e Vushtrri.

    Si pasojë e gjendjes nga uji në mëngjes është mbyllur edhe aksi rrugor, Ferizaj-Gjilan, në segmentin tek fshati Sojevë për shkak të grumbullimit të ujit në rrugë.

    Nga Policia është thënë se të gjitha automjetet që udhëtojnë në këtë drejtim udhëzohen të shfrytëzojnë rrugën alternative: Ferizaj – Mirosal – Gjilan dhe anasjelltas.

    “Rekomandohet kujdes i shtuar gjatë qarkullimit, për shkak të reshjeve të shtuara dhe kushteve të vështirësuara atmosferike. U bëjmë thirrje qytetarëve që të respektojnë sinjalizimin rrugor dhe të përshtatin shpejtësinë e lëvizjes me kushtet aktuale të rrugës”, ka thënë për KOHËN, zëdhënësi i Policisë, Kanun Veseli.

    Ndërkohë, sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, edhe gjatë të martës priten reshje shiu vende-vende.