ATV

Author: K.B.

  • Përfshihet nga zjarri një lokal në Prishtinë, ndërhyjnë zjarrfikësit

    Përfshihet nga zjarri një lokal në Prishtinë, ndërhyjnë zjarrfikësit

    Një incident zjarri është raportuar në orët e hershme të mëngjesit në një objekt afarist te “Rruga B” në Prishtinë.

    Sipas Brigadës së Zjarrfikësve të kryeqytetit, njësitë emergjente kanë reaguar menjëherë pas njoftimit dhe kanë arritur ta lokalizojnë dhe ta shuajnë zjarrin.

    Komandanti i brigadës, Mal Gashi, për teve1, ka konfirmuar se ekipet janë ende prezentë në vendin e ngjarjes deri në neutralizimin e plotë të flakëve.

    Ai ka bërë të ditur se, bazuar në të dhënat fillestare, nuk ka informacione për persona të lënduar, ndërsa shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta dhe do të hetohen nga autoritetet kompetente.

  • Mashtrime me kartela bankare, policia arreston dy të dyshuar në Fushë Kosovë

    Mashtrime me kartela bankare, policia arreston dy të dyshuar në Fushë Kosovë

    Policia ka arrestuar dy të dyshuar, meshkuj kosovarë, nën dyshimin se në mënyrë të vazhdueshme kanë keqpërdorur të dhënat e kartelave bankare të personave të huaj për përfitime personale.

    Sipas policisë pas konsultimit me prokurorin e shtetit është realizuar kontrolli i pronës së të dyshuarve. Gjatë kontrollit, autoritetet kanë sekuestruar një telefon mobil, i cili pritet të shërbejë si provë materiale në procedurën penale.

    “LËSHIMI I ÇEQEVE PA MBULESË OSE TË RREMË DHE KEQPËRDORIM I KARTELAVE TË BANKËS APO TË KREDITIT

    Fushë Kosovë, 28.01.2026, 18:20. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që të njëjtit dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme kanë keqpërdorur të dhënat e kartelave bankare të personave të huaj për përfitime personale. Në konsultim me prokurorin është kontrolluar prona e të dyshuarve ku gjatë kontrollit është sekuestruar një telefon, ndërsa të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.”, thuhet në raportin e policisë.

  • Arrestohet një shtetas serb në Aeroportin e Prishtinës

    Arrestohet një shtetas serb në Aeroportin e Prishtinës

    Një person është arrestuar në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” nën dyshimin për falsifikim dokumentesh.

    Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari, mashkull shtetas i Serbisë, është arrestuar pasi që gjatë udhëtimit kishte prezantuar dokumente për të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.

    FALSIFIKIM I DOKUMENTIT

    “Aeroporti Adem Jashari, 28.01.2026, 17:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i Serbisë pasi që i njëjti derisa kishte qenë duke udhëtuar kishte prezantuar dokumentet për të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje.”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Me kallashnikov në dorë mes qytetit, Policia jep detaje të rastit në Podujevë

    Me kallashnikov në dorë mes qytetit, Policia jep detaje të rastit në Podujevë

    Të mërkurën në qendër të qytetit të Podujevës një person ka shtënë me kallashnikov dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes me armën në duar.

    Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur në ora 13:29, ndërkaq është cilësuar si ‘vrasje e mbetur në tentativë’.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të dy viktimave meshkuj kosovarë, por nuk janë goditur”, thuhet në raport.

    Në vendin e ngjarjes janë gjetur gjashtë gëzoja, ndërsa nga predhat janë dëmtuar dy vetura.

    Nga i dyshuari është konfiskuar një AK-47 me një karikatorë me 15 copë fishekë.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Detajet e Prokurorisë: Si u kapën në flagrancë zyrtarët e dyshuar për marrje ryshfeti

    Detajet e Prokurorisë: Si u kapën në flagrancë zyrtarët e dyshuar për marrje ryshfeti

    Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për tre zyrtarët e Komunës së Prishtinës si të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti.

    Të pandehurit janë: Afrim Gashi- zyrtar i lartë për infrastrukturë rrugore dhe menaxher i kontratës për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve në Prishtinë, Dukagjin Gashi- Udhëheqës i sektorit për menaxhimin e mbeturinave dhe ambientit në Komunën e Prishtinë dhe Bashkim Sadiku – Zyrtar i lartë për energji në kryeqytet.

    Sipas kërkesës së Prokurorisë, gjatë janarit 2026 në Prishtinë, të tre të dyshuarit e kanë takuar fituesin e tenderit për mirëmbajtje dimërore të rrugëve duke i kërkuar para ryshfet 5,500-6,000 euro, apo 10% të vlerës së dy faturave të pa paguara, me qëllim që t’ia mundësojnë pagesën e faturave në vlerë njëra 27,384.08 euro dhe tjetra në vlerë 28,010.40 euro.

    Me këtë të dyshuarit: Afrim Gashi, Dukagjin Gashi dhe Bashim Sadiku, në bashkëkryerje dyshohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Prokuroria përshkruan se më 27.01.2026 në kohë dhe vende të ndryshme në Prishtinë të pandehurit Afrim Gashi, Dukagjin Gashi dhe Bashkim Sadiku, në bashkëkryerje dhe pas një marrëveshje paraprake për të pranuar ryshfet dyshohen se kishin lënë takim me të dëmtuarin Ekrem Gashi, në ora 08:40 në rrugën ‘Zagrebi’ në Prishtinë.

    Sipas dosjes, fillimisht i pandehuri Afrim Gashi e takon të dëmtuarin Ekrem Gashi në mënyrë të kundërligjshme dyshoeht se pranon shumë prej 2,000 euro në veturën, e aty arrestohet në flagrancë nga Policia e Kosovës.

    Pastaj pronari i kompanisë rreth orës 09:49 afër shkollës ‘Gjergj Fishta’ në Prishtinë e takon Dukagjin Gashin dhe kur i ka nxjerrë paratë prej 2,000 euro, i pandehuri Dukagjini i thotë “jo, jo leje njëherë”, duke i thënë se “shihemi prapë” – pra aty nuk e pranon shumë të cilën e kishte kërkuar më datën 23.01.2026.

    Kurse, i dëmtuari Ekrem Gashi sipas marrëveshjes më 15.01.2026, ku ishte takuar me të pandehurin Bashkim Sadiku tek kafja përball Komunës së Prishtinës dhe i kishte thënë “ti përmbaju marrëveshjes dhe sa të kesh para mund të na japësh në mënyrë që të kryhet puna jote sa më shpejt”. Dhe sipas dosjes ditën kritike, më 27.01.2026 rreth orës 10:40 është takuar në zyrën e tij, por aty ishte i pranishëm edhe i pandehuri Dukagjin Gashi, i cili sipas xhirimeve me audio dëgjohet duke i thënë Bashkimit “hec shko kryej qatë punë që të thash, edhe mos e diskuto, po nisu menjëherë”, duke mos e lejuar të kontaktoj më shumë me të dëmtuarit e gjithashtu duke mos e lejuar që të dal në kafe, pas kësaj bisede, Dukagjin Gashi e pyet të dëmtuarin nëse është takuar me Afrimin sot, pasi që e ka thirr dikush prej juve në telefon Afrimin edhe tash Afrimi është tek Muhaxherët (duke iu referuar stacionit policor).

    Me këtë të pandehurit Afrim Gashi, Dukagjin Gashi dhe Bashim Sadiku, në bashkëkryerje dyshohen se kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

    Kryetar i Prishtinës, Përparim Rama ka bërë të ditur se ka marrë vendim për pezullimin nga puna të tre zyrtarëve komunalë, pas arrestimit të tyre si të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti.

    “Pezullimi nga puna do të jetë në fuqi deri në përfundimin e procedurave hetimore dhe gjyqësore, ndërkohë që Kryeqyteti rithekson përkushtimin për ligjshmëri, transparencë dhe zero tolerancë ndaj korrupsionit. Institucioni i Kryeqytetit do të bashkëpunojë plotësisht me organet e drejtësisë dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme administrative në përputhje me ligjin. Ne mbetemi të përkushtuar që shërbimet publike të ushtrohen me integritet dhe përgjegjësi në shërbim të qytetarëve. Askush mbi ligjin!”- ka shkruar Rama më 28.01.2026. /Kallxo

  • Vazhdon protesta e transportuesve të mallrave, pikat kufitare edhe sot të bllokuara

    Vazhdon protesta e transportuesve të mallrave, pikat kufitare edhe sot të bllokuara

    Për shkak të protestave nga shoferët e kamionëve, disa pika kufitare për hyrje dhe dalje nga vendi janë bllokuar për transportin e mallrave.

    Siç njoftojnë nga Makam-Trans, transportuesit nga Maqedonia, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi filluan protestë më 26 janar 2026 duke bllokuar pikat kufitare për hyrjen dhe daljen e automjeteve të mallrave nga vendet, e cila do të zgjasë derisa të kapërcehet problemi i regjistrimit të qëndrimit të shoferëve në zonën Shengen.

    Pikat kufitare që janë të bllokuara janë: Deve Bair, Dellçevë, Novo Sellë, Dojran, Bogorodica, Mexhitlia, Qafë Thanë, Bllacë, Bllatë dhe Stenje.

    Terminalet kufitare për hyrjen e automjeteve të mallrave në territorin e vendit tonë dhe korsitë rrugore në vetë pikat kufitare për dalje nga vendi janë të mbyllura, por vetëm në seksionin e trafikut të mallrave.

    Trafiku i pasagjerëve do të kryhet pa pengesa në çdo pikë kufitare, thonë nga Makam-Trans.

    Ndërsa nga LAMM njoftojnë se trafiku në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë kryesisht të lagura. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.

    LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe drejtimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Delçevë.

  • Kusari-Lila: Po presim aktgjykimin e plotë të Kushtetueses për Rashiqin, LVV-ja nuk do të japë votë për Listën Serbe

    Kusari-Lila: Po presim aktgjykimin e plotë të Kushtetueses për Rashiqin, LVV-ja nuk do të japë votë për Listën Serbe

    Deputetja Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili ka vendosur se zgjedhja e Nenad Rashiqit nga Lista Serbe në postin e nënkryetarit të Kuvendit në legjislaturën e kaluar nuk ishte në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, nuk është i plotë.

    Kusari-Lila ka thënë se tashmë ekzistojnë disa aktgjykime të tjera që përcaktojnë detaje të procedurës së seancës konstituive të Kuvendit, por asnjë prej tyre nuk mund të imponojë vullnet politik.

    Ajo ka shtuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të japë votë për deputetët e Listës Serbe, por do të vlerësohet se si mund të zgjidhet një nënkryetar nga komuniteti serb pas analizimit të aktgjykimit të plotë.

    “Aktgjykimi i plotë nuk është publikuar ende; është vetëm njoftimi mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Gjatë procesit të tentimeve për konstituimin e legjislaturës së nëntë kemi pasur tri aktgjykime të tjera të gjykatës, si dhe një vlerësim në lidhje me konstituimin e kryesisë së Kuvendit. Tashmë kemi disa aktgjykime që në njëfarë mënyre rregullojnë pothuajse çdo detaj të seancës konstituive të Kuvendit, por asnjë prej tyre nuk mund të imponojë vullnet politik. Unë qëndroj pas mendimit se grupi ynë parlamentar nuk do të japë votë për deputetët nga Lista Serbe, derisa të shqyrtohen detajet e aktgjykimit të plotë dhe të përcaktohet mënyra e duhur për zgjedhjen e një përfaqësuesi, gjegjësisht, në rastin konkret, e vetmja zgjedhje për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb, deputeti Nenad Rashiq,” ka deklaruar ajo.

    Ajo është shprehur optimiste se, ndryshe nga viti i kaluar, Kuvendi nuk do të bllokohet, pasi aktgjykimi i ri e lejon kryesinë të vazhdojë punën edhe nëse nuk zgjidhet një nënkryetar nga komuniteti serb.

    “Përparësia këtë herë është se kemi një aktgjykim tjetër, i cili konsideron se në situatën e jashtëzakonshme, kur nuk arrihet të zgjidhet një nënkryetar nga rradhët e komunitetit serb, puna e Kuvendit nuk mund të bllokohet. Kryesia e Kuvendit mund të mblidhet dhe të përcaktojë agjendat e mëtejshme,” ka thënë ajo.

    Kusari-Lila ka theksuar gjithashtu se nga Lista Serbe nuk mund të pritet që ndonjë deputet të marrë votën e shumicës parlamentare për të qenë nënkryetar i Kuvendit, duke përmendur orientimin politik dhe diskursin publik të këtyre deputetëve.

    “Unë jam e bindur se, me qasjen dhe orientimin politik që kanë mbajtur, si dhe me gjuhën dhe diskursin publik në raport me veprimet terroriste të ish-nënkryetarit të tyre, dhe me vazhdimin e ushqimit të gjuhës së urrejtjes ndaj institucioneve të Kosovës, nuk kanë lënë hapësirë për ndonjë ndryshim mendimi. Jam e bindur se asnjëri nga deputetët e zgjedhur nga Lista Serbe nuk do të ketë mundësi të marrë votën e shumicës parlamentare për t’u bërë nënkryetar i Kuvendit,” ka përfunduar ajo.

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi se zgjedhja e Nenad Rashiqit nga Lista Serbe në postin e nënkryetarit të Kuvendit në legjislaturën e kaluar nuk ishte në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.

    Sipas vendimit, ky akt nuk ka efekt prapaveprues dhe vlen vetëm për rastet e ardhshme.

    Gjykata theksoi se e drejta për të propozuar nënkryetarin e komunitetit serb i takon shumicës së deputetëve të këtij komuniteti.

    Në rastin e Rashiqit, shumica nuk e propozuan, dhe mekanizmat debllokues si shorti dhe votimi deri në tri herë nuk u përdorën sipas qëllimit të paraparë.

    Pra, zgjedhja e Rashiqit nuk përputhej me procedurat e konstituimit të Kuvendit, pasi propozimi i kandidatëve nga komunitetet jo-shumicë duhet të vijë nga shumica e deputetëve të atij komuniteti.

    “Për pasojë, zgjedhja e deputetit z. Nenad Rashiq në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nuk ka ardhur si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb, si dhe nuk ka pasur refuzim për të shfrytëzuar këtë të drejtë nga ana e shumicës së deputetëve nga radhët e komunitetit serb. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se, në rrethanat e rastit konkret, mekanizmat debllokues, nuk ishin përdorur në pajtim me frymën dhe qëllimin për të cilin ishin paraparë”, u tha në aktgjykimin e Kushtetueses. Siç është elaboruar në aktgjykim, zbatimi i këtyre mekanizmave në një mënyrë që do t’i mundësonte shumicës së deputetëve të Kuvendit të përcaktojë përfaqësuesin e një komuniteti që nuk është shumicë, pa propozimin e deputetëve të atij komuniteti, në thelb, do të përbënte anashkalim të garancive formale të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit. Kjo për arsye se, propozimi i kandidatëve për nënkryetarë nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë është e drejtë e shumicës së deputetëve të atyre komuniteteve”, u tha në vendim./teve1

  • Suedia planifikon të ulë moshën e përgjegjësisë penale në 13 vjeç për krime të rënda

    Suedia planifikon të ulë moshën e përgjegjësisë penale në 13 vjeç për krime të rënda

    Qeveria suedeze njoftoi plane për të ulur moshën e përgjegjësisë penale , duke lejuar që 13-vjeçarët të dënohen me burg për veprat më të rënda penale, duke përfshirë vrasje, shpërthime të rënduara, vepra penale me armë të rënduara dhe përdhunim të rënduar.

    Ligji, i cili pritet të hyjë në fuqi në korrik, fillimisht do të zbatohet për pesë vjet, tha Ministri i Drejtësisë Gunnar Strommer në një konferencë për shtyp të hënën, sipas të përditshmes suedeze Dagens Nyheter.

    Sipas legjislacionit, një 13-vjeçar i dënuar për vrasje mund të përballet me 1-3 vjet burg, ndërsa një 14-vjeçar mund të përballet me 3-4 vjet burg, me gjykatat që ruajnë diskrecionin në raste individuale.

    “Nuk po flasim për një ulje të përgjithshme, por për një ulje për krimin më të rëndë”, tha Strommer, duke shtuar se do të përfshihen edhe përpjekjet, përgatitja dhe nxitja e krimeve të tilla.

    Veprat penale më pak të rënda, siç është transportimi i një arme, do të rezultojnë kryesisht në mbikëqyrje nga të rinjtë.

    Propozimi i qeverisë përfshin edhe ndryshime për adoleshentët më të rritur.

    Zbritja e dënimit për 15-17-vjeçarët do të ulet, ndërsa dënimi maksimal për 15-17-vjeçarët do të rritet nga 14 në 18 vjet. Burgimi i përjetshëm nuk do të jetë i disponueshëm.

    “Bëhet fjalë për mbrojtjen e shoqërisë”, tha ministri.

    Planet janë kritikuar nga Shërbimi i Burgjeve dhe i Provës i Suedisë, policia dhe Autoriteti i Prokurorisë, të cilët paralajmëruan për rreziqe të mundshme.

    Strommer tha se qeveria i vlerësoi me kujdes këto shqetësime, por arriti në përfundimin se mosveprimi paraqiste rreziqe më të mëdha.

  • 27-vjet nga masakra në Rogovë të Hasit

    27-vjet nga masakra në Rogovë të Hasit

    Janë bërë 27 vjet nga masakra që u bë në fshatin Rogovë të Hasit, aty ku ranë në pritë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por nuk u kursyen as shumë civilë të fshatit.

    Në datat 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999 në këtë fshat ranë dëshmorë 21 persona.

    Aty heroikisht dhanë jetën: Agim Zeneli, Luan Smajli, Agron e Sejdi Rama, Pren e Meme Lleshi, Agush Gjoci, Valon Gashi, Bahtjar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çeta, Kasim Shala, Hamdi Berisha, Gezim Ademi, Haxhi Lypjani, Gasper Karaçi, Ilir Merturi, Naim Gashi,Naim Dreshaj,Sahit Krasniqi dhe Vesel Avdyli.

  • Rinumërohen gati 88% e votave

    Rinumërohen gati 88% e votave

    Procesi i rinumërimit të votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është drejt përfundimit.

    Sipas përditësimit më të fundit të KQZ-së, deri në mëngjesin e së enjtes janë rinumëruar 2,244 vendvotime, që përbëjnë 87,76% të totalit prej 2,557 vendvotimeve të parashikuara për rinumërim.

    Ky proces, i cili ka nisur më 13 janar 2026, ka përfunduar tashmë plotësisht në 30 komuna.

    Shpallja e rezultateve përfundimtare pritet të bëhet në fillim të muajit shkurt, teksa pas shqyrtimit të ankesave që mund të paraqiten, pritet të procedohet me certifikimin e rezultateve.