ATV

Author: G.O.

  • Përveçse të shijshme, manaferrat reduktojnë infeksionin dhe inflamacionin

    Përveçse të shijshme, manaferrat reduktojnë infeksionin dhe inflamacionin

    Përveçse shumë të shijshme, manaferrat vijnë edhe me dobi shëndetësore.

    Duke qenë se edhe po i afrohemi sezonit të tyre, do të keni edhe më shumë arsye për t’i konsumuar.

    Ekspertët e shëndetit thonë se ato janë një super-ushqim që mund të rrisin imunitetin dhe të reduktojnë inflamacionin.

    Manaferrat lehtë gjenden në buzë të shumë fushave dhe rriten në gardhe, dhe nëse doni t’i keni në kopshtin tuaj, ato nuk kërkojnë shumë punë për t’i mirëmbajtur.

    Këtu janë disa arsye pse duhet t’i konsumoni:

    Janë të pasura me vitaminë C

    Manaferrat janë një burim i shkëlqyer i vitaminës C, e cila ndihmon në mbrojtjen e qelizave nga dëmtimi, mbështesin sistemin imunitar, ndihmon në lëkurë dhe tek enët e gjakut.

    Manaferrat janë të ngarkuara me antioksidantë

    Ushqimet e pasura me antioksidantë janë të rëndësishme për t’u përfshirë në dietën tuaj. Kjo është për shkak se ato ndihmojnë në mbrojtjen e qelizave tuaja kundër stresit oksidativ të shkaktuar nga molekulat e dëmshme të radikaleve të lira që prodhohen nga faktorë të stilit të jetesës si pirja e alkoolit ose ekspozimi ndaj ndotjes dhe rrezet e diellit.

    Një studim i vitit 2008 zbuloi se manaferrat, së bashku me shegën, boronicat dhe mjedrat, kanë aktivitetin më të lartë antioksidues qelizor nga të gjitha frutat e konsumuara zakonisht.

    Janë plot me flavonoide

    Flavanoidet janë fitonutrientë (kimikate bimore) që i japin manaferrës ngjyrën e tyre të purpurt. Përveçse kanë veti të fuqishme anti-inflamatore, disa studime sugjerojnë se konsumimi i tyre mund të lehtësojë simptomat e një kolle të keqe ose të ftohjes.

    Për shembull, një studim i vitit 2015 nga Universiteti i Auckland zbuloi se njerëzit ishin 33% më të mbrojtur nga të ftohtit dhe infeksionet e traktit të sipërm respirator nëse hanin rregullisht ushqime që përmbajnë flavanoidë krahasuar me ata që nuk konsumonin.

    Ato janë të mira për trurin tuaj

    Sipas hulumtimeve, manaferrat mund të ndihmojnë në përmirësimin e funksionit të trurit. Një studim i vitit 2011 në Journal of Agriculture and Food Chemistry zbuloi se ekstrakti i manaferrës mund të ofrojë një efekt mbrojtës në tru, duke parandaluar humbjen e kujtesës të lidhur me moshën dhe duke përmirësuar kujtesën dhe të mësuarit.

    Manaferrat mund ta bëjnë zemrën më të shëndetshme

    Kur bëhet fjalë për zemrën tuaj, ajo që hani ka rëndësi. Studimet kanë sugjeruar se ushqimet me përmbajtje të lartë flavonoid, si manaferrat, mund të ndihmojnë në mbrojtjen e shëndetit tonë kardiovaskular, duke e bërë atë një përbërës të vërtetë të shëndetshëm për zemrën.

    Në thelb, një grusht manaferra në ditë mund ta mbajë mjekun larg, kështu që konsumojeni sa më shumë këtë frut. /Telegrafi/

     

  • Sadiku del sonte në ring, Osmani i jep kurajo: E gjithë Kosova është me ty

    Sadiku del sonte në ring, Osmani i jep kurajo: E gjithë Kosova është me ty

    Donjeta Sadiku do të jetë sportistja e parë kosovare që do të nisë sonte garat në Lojërat Olimpike Paris 2024, raporton Sinjali Sporti.

    Boksierja kosovare garon sonte përballë, Thamanya Somnuek nga Tajlanda, në raundin e parë të kategorisë -60 kg.

    E përpara këtij dueli, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thurur lavde për boksieren, duke i dhënë kurajo.

    “Në çdo goditje ajo i tregoi botës fuqinë e qëndresës dhe guximit. Jam e bindur se kështu do të vazhdojë edhe sonte, teksa Donjeta Sadiku fillon garat në lojërat olimpike në Paris. Forca Donjetë! E gjithë Kosova është me ty!”, ka shkruar Osmani.

    Meçi nis prej orës 21:05 dhe transmetohet në RTK. Transmetimi bëhet edhe në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku po zhvillohet Festivali Olimpik.

  • PDK-ja merr pjesë në takimin e ftuar nga presidentja për të caktuar datën e zgjedhjeve të rregullta

    PDK-ja merr pjesë në takimin e ftuar nga presidentja për të caktuar datën e zgjedhjeve të rregullta

    Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se kjo parti do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga presidentja Vjosa Osmani rreth përcaktimit të datës së zgjedhjeve të rregullta.

    Në një konferencë për medie, Çitaku ka thënë se kjo ftesë nuk ndërlidhet me zgjedhjet e parakohshme, pasi një gjë të tillë ka kohë që e kërkon PDK-ja.

    Ajo ka thënë se kjo ftesë ndërlidhet me zgjedhjet e rregullta.

    “PDK e ka pranuar ftesën e presidentes Osmani për një takim rreth përcaktimit të datës së zgjedhjeve. Sigurisht që ne do t’i përgjigjemi ftesës, e kemi obligim kushtetues dhe ligjor që të marrim në një takim të tillë. Ju e dini mirë që PDK-ja që nga korriku i vitit të kaluar ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, mirëpo ftesa e presidentes Osmani nuk ndërlidhet me inicimin e zgjedhjeve të parakohshme por me përcaktimin e datës për zgjedhje të rregullta dhe ne do të marrim pjesë aty dhe qëndrimin për këtë çështje dhe datës e preferuar do ta themi aty”, ka thënë Çitaku.

  • Situata me zjarret në Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes: 5 vatra ende aktive

    Situata me zjarret në Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes: 5 vatra ende aktive

    Situata me zjarret në Shqipëri vijon të jetë shqetësuese, teksa aktive janë ende 5 vatra.

    Ministria e Mbrojtjes bën me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 23 vatra zjarri, 19 prej të cilave janë vënë nënë kontroll.

    Vijon të jetë aktive vatra në vendgrumbullimet e mbetjeve në Vlorë, për të cilin, sipas Ministrisë, janë angazhuar kapacitetet në nivel qarku të mbështetura nga kapacitete të pushtetit qendror dhe subjekte private.

    Po ashtu po punohet për shuarjen e zjarreve në fshatin Malecaj të Lezhës, në fshatin Torovicë, në fshatin Kameras të Durrësit dhe në Zogaj të Tropojës.

    “Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 23 vatra zjarri. Janë izoluar 19 vatra. 633 forca operacionale të angazhuara për shuarjen e zjarreve. Vijojnë aktive zjarret në vendgrumbullimet  e mbetjeve të bashkisë Vlorë, në fshatin Malecaj Lezhë që vazhdon me intensitet të ulët. Po në këtë bashki, zjarri në fshatin Torovicë është drejt shuarjes totale. Është aktive vatra e zjarrit në fshatin Kameras bashkia Durrës. Zjarri në fshatin Zogaj, bashkia Tropojë”, njofton ministria.

  • Izraeli urdhëron evakuimin e palestinezëve nga zona humanitare në Gaza

    Izraeli urdhëron evakuimin e palestinezëve nga zona humanitare në Gaza

    Ushtria izraelite urdhëroi më 27 korrik evakuimin e zonave të mbipopulluara të Gazës, të shpallura zona humanitare.

    Ushtria tha se po planifikon një operacion kundër luftëtarëve të Hamasit grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Han Junis, përfshirë në pjesë të Muvasit, një kamp i improvizuar me tenda ku janë strehuar mijëra persona.

    Urdhri u lëshua në përgjigje të gjuajtjes së një rakete, që Izraeli tha se u lëshua nga kjo zonë. Ky është urdhri i dytë për evakuim i lëshuar gjatë kësaj jave për zonat e dedikuara për strehimin e palestinezëve, të cilët janë zhvendosur si pasojë e luftimeve në pjesë të tjera të Gazës. Shumë palestinezë janë zhvendosur disa herë si pasojë e ofensivës ajrore dhe tokësore të Izraelit.

    Të hënën, pas një urdhri për evakuim, disa sulme ajrore ruse u kryen përreth Han Junisit, duke vrarë të paktën 70 persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila ka cituar të dhënat nga spitali Nasser.

    Kjo zonë është pjesë e “zonës humanitare” me sipërfaqe prej 60 kilometrash katrorë, ku Izraeli u ka thënë palestinezëve që të strehohen si pasojë e luftës.

    Shumica e zonës është e mbushur me kampe me tenda në të cilat ka mungesë të higjienës dhe të ndërtesave shëndetësore. Palestinezët e strehuar në këtë zonë po ashtu kanë qasje të kufizuar në ndihma, kanë thënë Kombet e Bashkuara dhe grupet e ndihmës.

    Afër 1.8 milion palestinezë strehohen në këtë zonë prej 60 kilometrash katrorë, sipas të dhënave të Izraelit. Kjo shifër përbën mbi gjysmën e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh sa kishte Gaza para luftës.

    Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi më 7 tetor sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë deri më tani janë vrarë më shumë se 39.100 palestinezë, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e udhëhequr nga Hamasi./REL

  • Kina e fiton medaljen e parë të artë në Lojërat Olimpike në Paris

    Kina e fiton medaljen e parë të artë në Lojërat Olimpike në Paris

    Kina e ka fituar medaljen e parë të artë në Lojërat Olimpike të Parisit. Në Chatearuroux, tri orë larg Parisit, Huang Yuting dhe Sheng Lihao fituan të artën në qitje, në disiplinën 10 metra pushkë ajrore, të shtunën. Ata triumfuan në garën ekipore, përkatësisht në ekipe të kombinuara.

    Medaljen e argjendtë e fitoi Korea e Jugut, ndërsa të bronztën e fitoi Kazakistani.

    Edhe e arta e dytë olimpike ishte për Kinën.

    Në kërcime në ujë nga trampolina në lartësi 3 metra, në çift të sinkronizuar, triumfuan kinezet Yani Chang dhe Yiwen Chen.

  • Konfirmohen 19 raste të reja me COVID-19 në Kosovë

    Konfirmohen 19 raste të reja me COVID-19 në Kosovë

    Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK) ka njoftuar se në vendin tonë nga 10 deri më 23 korrik kanë konfirmuar 19 raste pozitive me COVID-19.

    IKSHPK njofton se rastet i takojnë grup-moshave nga 0-9 deri 70-79 vjeç, ku grupmosha 30-39 vjeç kishte 4 raste, si grupmosha më e prekur.

    Më tej, IKSHPK thotë se COVID-19 më 5 maj ishte deklaruar si emergjencë globale shëndetësore nga OBSH, por që në disa vende ka pasur raste të reja, duke përfshirë edhe vendin tonë.

    “Më 5 maj 2023, OBSH e ka deklaruar fundin e COVID-19 si emergjencë globale shëndetësore. Megjithatë, vende të ndryshme të botës dhe kontinentit evropian kanë regjistruar së fundi raste të reja të COVID-19, ndonëse intensiteti i tyre nuk ka reflektuar me rritje të shtrimeve në spitale apo ngarkesa të tjera të theksuara shëndetësore”.

    “Autoritetet shëndetësore si masë kujdesi rekomandojnë praktikimin e masave parandaluese si mënyrën më të thjeshtë për të ulur rreziqet shëndetësore nga COVID-19, duke përfshirë infektimin, format e rënda të sëmundjes, shtrimin në spital apo edhe vdekjen”, thuhet në njoftim.

  • Hovenier për lojërat olimpike: Mezi pres të bëj tifo për Kosovën, sigurisht edhe për ShBA-në

    Hovenier për lojërat olimpike: Mezi pres të bëj tifo për Kosovën, sigurisht edhe për ShBA-në

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka bërë një postim në profilin e tij në “X” për lojërat olimpike që do të mbahen në Francë.

    Ambasadori amerikan ka thënë se mezi pret të bëj tifo për ekipin olimpik të Kosovës dhe sigurisht edhe për atë të SHBA-së.

    Mezi pres të bëj tifo për ekipin olimpik të Kosovës dhe sigurisht ekipit të SHBA. Ju uroj fat të gjithëve!”, ka shkruar Hovenier.

  • Osmani takohet me Dukën dhe Dukeshën e Luksemburgut, flasin për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

    Osmani takohet me Dukën dhe Dukeshën e Luksemburgut, flasin për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

    Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se sot në mëngjes është takuar me Dukën e Madh të Luksemburgut Henri dhe Dukeshën e Madhe Maria Teresa.

    Temë bisede mes tyre ishte mbështetja për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës dhe bashkimi i zërave për këtë kauzë.

    “Fuqizimi dhe mbështetja e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës ishte në fokus të diskutimeve tona në një mëngjes të përzemërt sot në Paris me Dukën e Madh të Luksemburgut Henri dhe Dukeshën e Madhe Maria Teresa. Bashkimi i forcave dhe zërave tanë për të fuqizuar zërin e të mbijetuarve, do të fuqizojë edhe kauzën tonë të përbashkët për drejtësi”, tha ajo.

    Osmani po qëndron në Paris për Lojërat Olimpike e ftuar nga presidenti i Francës.

  • Dorëheqja e Lindita Nikollës, Konjufca: Kishim raporte të shkëlqyera, me qasjen e saj e bëri obligim bashkëpunimin ndërmjet dy Kuvendeve

    Dorëheqja e Lindita Nikollës, Konjufca: Kishim raporte të shkëlqyera, me qasjen e saj e bëri obligim bashkëpunimin ndërmjet dy Kuvendeve

    Dorëheqja e Lindita Nikollës nga pozita e kryetares së Kuvendit të Shqipërisë ka nxitur reagimin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

    Konjufca në një postim në Facebook shkruan se me Nikollën kanë pasur bashkëpunim të shkëlqyer.

    “Si nga pikëpamja njerëzore e miqësore, ashtu edhe nga pikëpamja institucionale, shpreh keqardhje të thellë për dorëheqjen e papritur të znj. Lindita Nikolla nga funksioni i saj i Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë.

    Bashkëpunimi ynë i shkëlqyer do të shërbejë si referencë e një kriteri shumë të lartë të vendosur në lidhje me raportet tona institucionale. Ky kriter nuk do të mund të kthehet më pas, por vetëm të rritet dhe thellohet më shumë”, shkruan Konjufca.

    Sipas tij, përvoja, komunikimi, profesionalizmi dhe korrektësia e znj. Lindita Nikolla ishin të dhëna të rëndësishme të cilat mundësuan një thellim të raporteve tona, ashtu siç i ka hije institucioneve legjislative të dy shteteve tona vëllazërore.

    “Gjatë përpjekjeve tona të përbashkëta arritëm të organizojmë për herë të parë seancën e përbashkët mes parlamenteve tona, u rrit në mënyrë të shkëlqyeshme puna mes komisioneve parlamentare, e ngushtuam edhe më tej largësinë mes nesh përmes organizimeve të përbashkëta sportive dhe kulturore, patëm në nivel të lartë gatishmërinë për bashkëpunim shembullor në aspektet honorifike dhe solemne, ashtu siç edhe në ato të frymës së harmonizimit të kornizës legjislative në dobi të popullit tonë dhe qytetarëve tanë.

    Homologes, mikes, motrës sime të dashur Lindita Nikolla, i uroj nga zemra shëndet dhe suksese në angazhimet e saj të mëpasshme, të cilat jam i bindur se do t’i vijojë me profesionalizëm të lartë dhe i uroj shëndet të plotë.

    Jam i lumtur që pata mundësinë të punoj me znj. Nikolla dhe dua ta falënderoj që me punën dhe qasjen e saj vendosi një obligim të domosdoshëm për çdo kryetar kuvendi të ardhshëm në vendet tona, atë të bashkëpunimit të pakursyer, me dashamirësi, mirëbesim dhe angazhim maksimal”, shkruan ai. /Telegrafi/